ATV

Category: Lajme

  • Mbi 100 të vdekur dhe mijëra të lënduar, bilanci i aksidenteve gjatë 2023-ës në Kosovë

    Mbi 100 të vdekur dhe mijëra të lënduar, bilanci i aksidenteve gjatë 2023-ës në Kosovë

    Të paktën 104 të vdekur dhe mijëra të lënduar, është bilanci i aksidenteve rrugore për vitin 2023.

    Sipas të dhënave të Policisë, gjatë këtij viti janë shënuar mbi 22 mijë aksidente në total. Krahasuar me vitin e kaluar, numri i aksidenteve vitit 2023 është rritur mbi një mijë sosh, raporton “Betimi për Drejtësi.

    Sipas statistikave të policisë, dërguar për “Betimi për Drejtësi”, shihet se gjatë 2023-ës ka rritje edhe të aksidenteve me persona të lënduar.

    Gjatë vitit 2023, 8 mijë e 833 persona u lënduan në aksidente komunikacioni, ndërsa në vitin 2022 kishte 7 mijë e 748 persona me lëndime trupore.

    Ndërsa, aksidente me dëme gjatë këtij viti janë regjistruar 13 mijë e 294, kurse vitin e kaluar ishin 12 mijë e 951.
    Në total, gjatë këtij viti në Kosovë kanë ndodhur 22 mijë e 370 aksidente, ndërsa vitin e kaluar kishte 20 mijë e 794.

    Nga aksidentet me fatalitet, të vdekur gjatë këtij viti kanë mbetur 46 shoferë, 28 këmbësorë, si dhe 28 pasagjerë, ndërsa vitin e kaluar janë regjistruar 106 persona të vdekur.

    Sipas raportimeve të Policisë së Kosovës që publikohen pas aksidenteve, shkaqet më të shpeshta që çojnë në aksidente, janë mosrespektimi i shenjave të komunikacionit, mospërshtatja e ngasjes së makinave me kushtet në rrugë dhe kushtet atmosferike, si dhe përdorimi i telefonit gjatë ngasjes.

    Përgjatë 21 viteve, në Kosovë janë shënuar 2 mijë e 573 aksidente dhe si pasojë e kësaj kanë vdekur 2 mijë e 930 persona.

    Gara automobilistike që përfundoi me tragjedi

    Dy javë më parë, në natën e 16 dhjetorit, mbetën të vdekur tre të rinj si pasojë e një aksidenti të shkaktuar në autostradën “Ibrahim Rugova” në Prizren.

    Tre të vdekurit ishin pjesë e organizimit të garës automobilistike e cila nuk nxori fitues, por Kosova humbi tre qytetarë. Në momentin e aksidentit, viktimat kanë qenë duke e shikuar garën.

    Pas aksidentit, Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuarit për shkaktim të aksidentit, të cilët aktualisht gjenden në paraburgim.

    Lidhur me këtë aksident tragjik, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, gjatë konferencës së fundvitit tha se Njësia për Kontrollin e Autostradave gjatë këtij vitit ka parandaluar 50 gara ilegale në të gjithë rajonin e Kosovës si dhe kanë shqiptuar 193 gjoba për pjesëmarrësit në gara.

    Ai ka folur edhe për shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve.

    “Shkaktarët me të shpeshtë sipas analizave të policisë janë mosmbajtja e distancës së sigurisë mes mjeteve, manipulimi i pasigurt me automjet, mospërshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës, mosrespektimi i përparësisë së kalimit, kyçja e pasigurt në rrugë, radhitja e parregullt apo ndërrimi i shiritave e kthimrrotullimi-lëvizja prapa”, ka deklaruar Hoxha.

    Paralajmërohet ashpërsim të masave për shkelësit e rregullave të trafikut

    Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, gjatë konferencës së fundvitit, ka paralajmëruar ashpërsim të masave për shkelësit e rregullave në trafik.

    Sveçla ka thënë se përmes masave që do të merren ndaj shkelësve, masa do të ketë edhe ndaj, siç ka thënë ai, neglizhencës së zyrtarëve policorë për trajtim me prioritet të garave të paligjshme.

    Ai ka thënë se tashmë është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, Ligji për ashpërsim të masave për shkelësit e rregullave në trafik dhe aktualisht është duke u shqyrtuar nëpër komisionet e përhershme, para se të miratohet në lexim të dytë.

    Ministri ka thënë se Ligji i ri, nëse miratohet, parasheh dyfishim të gjobave, konfiskim të patentë-shofërëve dhe dyfishim të pikëve, dhe se barra kryesore do të rëndojë mbi pronarin e makinës.

    “Përmes teknologjisë do të penalizojmë pronarët veturave, atyre veturave që bëjnë shkelje në trafik, e dënimet do të dërgohen në mënyrë të automatizuar te pronarët”, ka thënë Sveçla.

    Trefishohet numri i automjeteve qarkulluese në Kosovë

    Të dhënat e Policisë, tregojnë se këtë vit është trefishuar numri i automjeteve qarkulluese në Kosovë.

    Në vitin 2011 kanë qenë të regjistruar 189 mijë e 143 automjete në qarkullim. Por, në vitin 2022 ky numër është rritur në 420 mijë e 960 mjete në qarkullim. Ndërsa, këtë vit kanë qenë në qarkullim 442 mijë automjete.

    Ndërkaq, gjatë këtij viti sipas statistikave të Policisë 3 milionë e 500 mijë vetura kanë hyrë dhe dalë nga Kosova.

    Gjykimi i rasteve të aksidenteve gjatë vitit 2023

    Më 24 tetor 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 200 euro gjobë ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit për akuzën lidhur me aksidentin ku goditi një fëmijë.

    Aktgjykimi i Themelores po ashtu kishte obliguar Hajdarin që të paguajë shumën prej 100 euro për mendimin e ekspertit të komunikacionit dhe 900 euro për super-ekspertizë, ndërsa 50 euro për ekspertizë mjeko-ligjore

    Me aktgjykimin e Themelores nuk ishte pajtuar ministrja Hajdari, e cila përmes avokatit të saj, kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit me pretendimet për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës së kundërvajtjes, aplikimit të gabuar të ligjit material, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendimit për shpenzimet e procedurës kundërvajtëse.

    Por, Apeli sipas aktgjykimit të 15 dhjetorit 2023 të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, refuzoi si të pabazuar ankesën e ministres Hajdari të paraqitur ndaj vendimit të shkallës së parë.

    Ndryshe, kërkesa ndaj të pandehurës Hajdari për inicim të procedurës së kundërvajtjes është bërë nga stacioni policor, Policia e Kosovës – Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, për aksidentin e ndodhur më 10 prill 2022, rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum”, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

    Me të njëjtën kërkesë, Hajdari ngarkohej me “mospërshtatje të shpejtësisë” dhe “aksident komunikacioni me lëndime trupore”.

    Po ashtu në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë 2023-ës ka vazhduar gjykimi në rastin ku B.H po akuzohet se në shtator të 2020-ës ka shkaktuar aksident duke goditur me veturën e tij motoçiklistin, i cili më pas ka ndërruar jetë.

    Më 16 prill 2023, Gjykata Themelore në Pejë, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Arton dhe Nezir Duraku, duke i dënuar me 15 vite burgim (së bashku), pasi pranuan fajësinë se si pasojë e aksidentit të trafikut që shkaktuan, vdiq kadeti policor F.Sh, dhe se të njëjtit nuk i ofruan ndihmë pas aksidentit.

    Aktgjykimi i Themelores për këtë rast është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

    Gjatë këtij viti, në Gjykatën Themelore të Pejë ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj të pandehurit Eraj Temaj, i cili akuzohet për rrezikim të trafikut publik, ku si pasojë e aksidentit të shkaktuar kishte vdekur 22-vjeçari J.T.

  • SHBA, rreth 43 mijë njerëz humbën jetën nga dhuna me armë në vitin 2023

    SHBA, rreth 43 mijë njerëz humbën jetën nga dhuna me armë në vitin 2023

    Pothuajse 43 mijë njerëz u vranë në sulmet e armatosura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës(SHBA) vitin e kaluar, ndërsa janë regjistruar 654 të shtëna masive, raporton Anadolu.

    Sipas Arkivit të Dhunës me Armë, një faqe interneti që gjurmon vdekjet e dhunshme dhe shkaqet e tyre në SHBA, 42.888 amerikanë humbën jetën nga dhuna me armë deri më 31 dhjetor 2023. Kjo mesatarisht është rreth 117 vdekje çdo ditë.

    Pothuajse 1.700 viktima ishin fëmijë dhe adoleshentë, nga të cilët 1.381 nga mosha 12 deri në 17-vjeç që humbën jetën nga armët e zjarrit.

    Mes viktimave ishin 295 fëmijë, të moshës deri në 11 vjeç.

    Të shtënat më vdekjeprurëse në vitin 2023 u regjistruan në Lewiston, Maine më 25 tetor, kur një person i armatosur hapi zjarr me një pushkë snajper në një lokal boulingu, duke vrarë 18 persona dhe duke plagosur 13 të tjerë.

    Pas ndjekjes intensive dyditore, policia e gjeti sulmuesin të vdekur në një fabrikë riciklimi aty pranë, ku kishte kryer vetëvrasje.

    Masakra në Maine ishte një nga të shtënat masive më vdekjeprurëse në SHBA në dekada, duke bërë që presidenti Joe Biden t’i kërkonte Kongresit të miratonte ligje më të rrepta për armët.

    “Armët janë vrasësi numër një i fëmijëve në Amerikë, më shumë se aksidentet e trafikut, më shumë se kanceri, më shumë se çdo sëmundje tjetër”, tha presidenti amerikan.

    Të shtënat më vdekjeprurëse

    Të shtënat në Maine ishin më vdekjeprurëset e vitit 2023, ndërsa gjithashtu janë regjistruar edhe disa të shtëna të tjera masive vdekjeprurëse.

    Më 21 janar, një person i armatosur hapi zjarr gjatë festës së Vitit të Ri Kinez në Monterey Park, California, duke vrarë 11 persona dhe duke plagosur 9 të tjerë. Policia ra në gjurmët e të dyshuarit në furgon, ku kishte kryer vetëvrasje.

    Qindra blerës në një qendër tregtare në periferi të Dallasit në Allen, Teksas, filluan të ikin më 6 maj pasi një person i armatosur hapi zjarr, duke vrarë tetë dhe duke plagosur shtatë të tjerë. I dyshuari u qëllua dhe u vra nga policia.

    Në Enoch, Juta, më 4 janar, një burrë vrau shtatë anëtarë të familjes, duke përfshirë gruan, pesë fëmijët dhe vjehrrën, përpara se të bënte vetëvrasje. Policia tha se i dyshuari ishte nën hetim për dhunë në familje dhe se gruaja e tij sapo kishte bërë kërkesë për divorc.

    Në fund të marsit, pati edhe të shtëna në një shkollë private në Nashville. Gjashtë persona u vranë, tre nxënës dhe tre të rritur. I dyshuari, i cili ishte një ish-nxënës i shkollës, u vra nga oficerët e policisë.

    Shifrat tregojnë se në vitin 2023, nga të shtënat ku ishte përfshira edhe policia u vranë 1.438 persona, si dhe 50 oficerë policie u vranë në krye të detyrës.

    Gjithashtu janë regjistruar 1.563 të shtëna aksidentale dhe 673 vrasje dhe vetëvrasje.

    Shumica e vdekjeve ndodhën në Teksas, Luiziana, Florida, Georgia, Carolina e Jugut, Illinois dhe California.

  • Serbët pa pasaporta s’munden në Schengen, diplomati kosovar: Marrim përgjegjësi veç për shtetasit me dokumente të Kosovës

    Serbët pa pasaporta s’munden në Schengen, diplomati kosovar: Marrim përgjegjësi veç për shtetasit me dokumente të Kosovës

    Nga 1 janari qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Shengen. Por kjo nuk do të vlejë për serbët e Kosovës që nuk janë të pajisur me pasaportë të Kosovës.

    Për këtë çështje ka shkruar edhe gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung . Gazeta thekson se kjo nuk vlen për një grup njerëzish.

    “Nëse ky përjashtim mbetet, atëherë serbët e Kosovës do të jenë të vetmit evropianë – pa llogaritur qytetarët e Rusisë dhe Bjellorusisë – të cilëve ende u mohohet liria e udhëtimit në BE,” tha gazeta.

    Siç kujtohet, kjo “situatë e veçantë” u krijua në vitin 2009, kur qytetarëve serbë iu dha mundësia e udhëtimit pa viza.

    Në atë kohë, Komisioni Evropian insistonte që të mos bëhet dallimi mes banorëve të Kosovës, kështu që serbët e atjeshëm, edhe pse qytetarë serbë, mund të merrnin pasaporta vetëm përmes Administratës Koordinuese. Me pasaporta të tilla ende nuk është e mundur të udhëtosh pa vizë.

    “Tani Komisioni Evropian propozon të shfuqizojë atë rregull special nga viti 2009. Ai u tejkalua nga koha me vendosjen e lirisë së vizave për Kosovën, thonë në Bruksel”, shkruan Frankfurter Algemaine .

    Sipas gazetës, këtë e kundërshton qeveria e Albin Kurtit, e cila pretendon se tani e më shumë serbët e Kosovës po kërkojnë pasaportat e Kosovës, gjë që, siç thonë në Prishtinë, i kontribuon integrimit.

    Gazeta e Frankfurtit, nga ana tjetër, thekson se ende është një numër i vogël i serbëve që janë në kërkim të pasaportës së Kosovës. Vitin e kaluar, sipas të dhënave nga Prishtina, ishin 4350, ndërsa një vit më parë 3400.

    Kjo të kujton letrën që zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi i shkroi Brukselit në nëntor, duke kërkuar që serbët e Kosovës ende nuk mund të udhëtojnë në BE me pasaportë serbe dhe duke u kujtuar atyre se ata gjithmonë mund të kërkojnë pasaportë të Kosovës.

    Gazeta citon gjithashtu fjalët e një diplomati të paidentifikuar kosovar, i cili thotë se Kosova nuk duhet të marrë përgjegjësi për banorët që udhëtojnë me pasaporta serbe dhe kryejnë kundërvajtje – të themi qëndrimin më shumë se 90 ditë – apo vepër penale. “Ne mund të marrim përgjegjësi vetëm për qytetarët që udhëtojnë me pasaportë të rregullt të Kosovës”, tha diplomati.

  • Aksident trafiku në një fshat të Prishtinës, shtatë të lënduar

    Aksident trafiku në një fshat të Prishtinës, shtatë të lënduar

    Një aksident trafiku ka ndodhur në fshatin Llukar të Prishtinës, ku ishin përfshirë dy veturave, ku përveç dëmeve materiale lëndime trupore kanë pësuar tre meshkuj dhe katër femra.

    Sipas Policisë, aksidenti ka ndodhur dje në mesditë, ku të lënduarit janë dërguar në tretman mjekësor. Një person i cili dyshohet se mund se është shkaktar i aksidentit pas trajtimit mjekësor, është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Goditet me thikë lideri i opozitës koreane

    Goditet me thikë lideri i opozitës koreane

    Lee Jae-myung, i cili drejton Partinë Demokratike të Koresë së Jugut, po iu fliste gazetarëve në një konferencë shtypi gjatë një vizite në një kantier ndërtimi në portin e Busan të martën në mëngjes, kur ndodhi therja me thikë.

    Sulmuesi thuhet se iu afrua atij për t’i kërkuar një autograf, përpara se papritmas të hidhej përpara për ta goditur me thikë.

    Videot e sulmit të postuara në mediat sociale tregojnë se Lee fillimisht u rrëzua në turmë dhe më pas në tokë, ndërsa disa njerëz përpiqen të frenojnë sulmuesin.

    Arma ishte një thikë 18 cm (7 in), të cilën sulmuesi tha se e kishte blerë në internet, tha policia në një konferencë për media. Sulmuesi u kap menjëherë dhe u arrestua.

    Prokurorët planifikojnë të ngrenë akuza për vrasje në tentativë kundër tij, tha Yonhap.

     

  • Arrin në 30 numri i të vdekurve nga tërmeti në Japoni

    Arrin në 30 numri i të vdekurve nga tërmeti në Japoni

    Numri i njerëzve të vrarë nga një tërmet i fuqishëm në Japoni, i cili shkaktoi shembjen e shtëpive dhe shkaktoi paralajmërime për cunami, tashmë ka arritur në 30.

    Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, thotë se tërmeti ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme të mëdha, shkruan BBC.

    Rreth 1000 shpëtimtarë janë duke kërkuar për njerëz që mendojnë se mund të jenë të bllokuar nën rrënoja

    Ushtria japoneze ka shpërndarë furnizime duke përfshirë ushqim, ujë dhe batanije për ata që u është dashur të largohen nga shtëpia

    Të gjitha paralajmërimet për cunami tani janë hequr përgjatë Detit të Japonisë, që do të thotë se nuk ka më rrezik për një ngjarje të tillë.

    Presidenti Joe Biden thotë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ofrojnë çdo ndihmë të nevojshme.

  • Pasaporta e Kosovës fuqizohet për 34 vende, këto janë shtetet që mund të lëvizni pa viza

    Pasaporta e Kosovës fuqizohet për 34 vende, këto janë shtetet që mund të lëvizni pa viza

    Qytetarët e Kosovës kanë filluar të udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, pasi që më 1 janar filloi zbatimi i vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kosovarët mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtetet e zonës Schengen – duke përjashtuar Spanjën që nuk e njeh pavarësinë e as pasaportën e Kosovës.

    Kështu, fuqia e pasaportës është rritur ndjeshëm. Në kuadër të liberalizimit të vizave, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm në 91 shtete të botës, një rritje prej 34 shteteve në krahasim me periudhën para vendimeve për lirimin e vizave.

    Kjo rritje në numrin e vendeve që mund të vizitohen pa nevojën e vizës paraqet një lëvizshmëri dhe liri individuale më të madhe.

    Sipas të dhënave të fundit nga Indeksi Botëror i Pasaportave, Republika e Kosovës tani zë një pozitë ku qytetarët e saj mund të udhëtojnë pa viza në 48 vende të botës, me të drejtën për të marrë vizë në pikën e hyrjes (Visa on Arrival) në 41 shtete të tjera.

    Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

    Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

    Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.

  • Eurodeputeti: Pas liberalizimit, hapi i radhës procesimi i aplikimit të Kosovës për statusin e kandidatit në Evropë

    Eurodeputeti: Pas liberalizimit, hapi i radhës procesimi i aplikimit të Kosovës për statusin e kandidatit në Evropë

    Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka thënë se hapi i radhës i Bashkimit Evropian në raport me Kosovën pas liberalizimit të vizave duhet të jetë procesimi tutje i aplikimit të anëtarësimit të Kosovës në Union.

    “Pas vonesave krejtësisht të panevojshme që nga sot ka hyrë në fuqi udhëtimi pa viza në BE për të gjithë qytetarët e Kosovës. Hapi i radhës: procesimi i aplikimit të Kosovës për statusin e kandidatit në Evropë”, ka shkruar Reuten në platformën sociale, X.

    Kosovarët tanimë do të mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtete të zonës Schengen. Kjo liri e lëvizjes vjen saktësisht 16 vjet pas pavarësisë së vendit, dhe shumë premtimeve të politikanëve.

    Ndërkaq po gjatë ditës së djeshme Belgjika, vendi në të cilin edhe ndodhet selia e Bashkimit Evropian- Brukseli, dhe i cili ishte i pari që kishte rolin e kryesuesit kur ky sistem u vendos, e mori kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së Bashkimit Evropian.

    Gjatë kryesimit të Spanjës nuk pati asnjë hap të vetëm për sa i përket shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. Skepticizëm ka nëse do të ketë hapa përpara tani gjatë kryesimit të Belgjikës.

    Një vit më parë, Kosova dorëzoi zyrtarisht dokumentet e nevojshme për aplikim për anëtarësim në Union.

    Dorëzimin e aplikimit në Pragë të Çekisë, e cila udhëhiqte Presidencën e radhës së BE-së, e bëri kryeministri Albin Kurti më 15 dhjetor 2022, ndërsa ai ishte nënshkruar një ditë më parë nga presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti.

    Pas sigurimit të statusit të vendit kandidat, procedura parasheh hapjen e negociatave që pasohet nga nënshkrimi i traktatit për pranim midis BE-së dhe vendit kandidat. Më pas nevojitet të bëhet ratifikimi i tij nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

    Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.

  • Ditëlindja e 25-të e valutës Euro, kur e vuri në përdorim Kosova

    Ditëlindja e 25-të e valutës Euro, kur e vuri në përdorim Kosova

    Dje janë bërë 25 vjet që nga prezantimi i valutës Euro. Euro ishte prezantuar për herë të parë më 1 janar 1999. Tri vite më vonë ishin lansuar monedhat dhe kartëmonedhat që i përdorim edhe sot.

    Ditëlindjes së Euro’s i ka kushtuar një postim Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, ku theksohet se si monedha ka lidhje të veçantë me Ballkanin Perëndimor, derisa përmendet se në Kosovë kjo monedhë ka hyrë në përdorim në vitin 2002.

    “Që nga viti 1999, euro ka qenë monedha e 20 shteteve të BE-së që përbëjnë Eurozonën, si dhe shteteve të tjera evropiane si Andorra, Vatikani, San Marino dhe Monako. Për më tepër, Euro ka një lidhje të veçantë me Ballkanin Perëndimor dhe ka qenë valutë në Mal të Zi, dhe – siç e dini të gjithë – Kosovë. Në këto dy vende, marka gjermane u miratua për arsye ekonomike dhe politike, dhe për rrjedhojë vendet, së bashku me Gjermaninë, kaluan nga përdorimi i Markës në Euro në 2002. Ky udhëtim e ka kthyer euron në një histori suksesi, duke e bërë të lehtë si tregtinë ashtu edhe udhëtimin🤩. Urime Euro e dashur!🍾”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

  • Rast i rëndë në Prizren: Një burrë gjendet i vdekur në banesën e tij, jetonte i vetëm

    Rast i rëndë në Prizren: Një burrë gjendet i vdekur në banesën e tij, jetonte i vetëm

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në Prizren, ku një person, i cili jetonte i vetëm, është gjetur pa shenja jete dhe nuk dihen rrethanat në të cilat ka vdekur. Lidhur me rastin, Policia tashmë ka nisur hetimet për rastin, raporton Gazeta Sinjali.

    Vdekjen e të ndjerit e ka konfirmuar ekipi mjekësor që intervenoi në vendin e ngjarjes.

    Pas ekzaminimeve për shenja vitale, mjeku konstatoi se viktima ishte pa shenja jete dhe më pas trupi është tërhequr për t’u dërguar në IML për obduksion.

    Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, me ç’rast është bërë e ditur se rasti është cilësuar si ‘Vdekje e dyshimtë’.

    “Një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në banesë ku jetonte i vetëm. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në obduksion.”