ATV

Category: Lajme

  • Pesë të vdekur pas përplasjes së dy avionëve në Tokio

    Pesë të vdekur pas përplasjes së dy avionëve në Tokio

    Pesë persona kanë vdekur pasi një avion pasagjerësh dhe një i rojeve bregdetare japoneze u përplasën në pistën e Aeroportit Haneda të Tokios.

    Të 379 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të avionit të pasagjerëve, që u përfshi nga zjarri pasi ateroi në Haneda, kanë shpëtuar, njoftoi më 2 janar Japan Airlines.

    Në pistë, ky avion u përplas me një avion të rojeve bregdetare japoneze, raportuan mediat japoneze duke cituar Ministrinë e Transportit. Pesë persona që gjendeshin në avionin e rojeve bregdetare raportohet se kanë vdekur.

    Ndërkaq, piloti – një prej gjashtë pilotëve në bord – ka pësuar lëndime serioze.

    Fluturimi 516, që po transportonte pasagjerë nga Hokaido, u përfshi nga zjarri në pistë dhe më pas u dogj i tëri. Por, 367 pasagjerët dhe 12 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan.

    Sipas televizionit TBS, avioni i rojeve bregdetare po transportonte materiale në zonën e goditur nga tërmetet në perëndim të Japonisë.

    Ministria e Transportit citohet të ketë thënë se të gjitha pistat në këtë aeroport të Tokios janë mbyllur./REL

  • Specialja shtynë seancat e parapara mes 12 dhe 15 shkurtit me kërkesë të mbrojtjes së Veselit

    Specialja shtynë seancat e parapara mes 12 dhe 15 shkurtit me kërkesë të mbrojtjes së Veselit

    Gjykata Speciale ka vendosur që të shtyjë seancat e parapara mes datava 12 dhe 15 shkurt 2024. Kjo pas kërkesës së mbrojtjes së Kadri Veselit si rezultat i vdekjes së avokatit Andrew Strong dhe nevojës që avokati i ri të familjarizohet me rastin, shkruan Gazeta Express.

    “Rasti Thaçi dhe të tjerët. Anulohen katër seanca në shkurt sipas kërkesës së mbrojtjes së Veselit”, ka njoftuar Specialja.

    Megjithatë Specialja nuk e ka aprovuar të plotë kërkesën e mbrojtjes së Veselit, duke qenë se kanë kërkuar anulimin e seancave edhe nga 29 deri më 31 janar dhe gjithashtu edhe me 1 shkurt.

    “Paneli e sheh të përshtatshme që të lirojë vetëm ditët e seancave të planifikuara për 12-15 shkurt 2024, dhe të mbajë pjesën tjetër të ditëve të seancave siç ishte planifikuar më parë”, thuhet në vendim, duke sqaruar se shtyrja edhe e seancave të tjera mund të shkaktojë telashe tek dëshmitarët e planifikuar.

  • Për 24 orë, Policia konfiskon 29 patentë shoferë

    Për 24 orë, Policia konfiskon 29 patentë shoferë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe gjatë vitit 2024 ka vazhduar me aktivitete konkrete në terren duke realizuar detyrat e saja ligjore e operacionale, për të ofruar siguri për pjesëmarrësit në trafik.

    Në 24 orët e fundit janë realizuar 496 pika kontrolli të automjeteve dhe janë konfiskuar 29 patentë shoferë.

    “Policia e Kosovës, sikurse ditëve të kaluara edhe në këtë fillim të vitit 2024, ka vazhduar me aktivitete konkrete në terren duke realizuar detyrat e saja ligjore e operacionale, për të ofruar siguri për pjesëmarrësit në trafik. Sipas planifikimeve ka pasur patrullime parandaluese, por si zakonisht janë realizuar edhe Pika të Kontrollit për Automjete, ku në nivel vendi janë realizuar 496 pika kontrolli, sipas detyrave që dalin nga urdhri operativ për shtim të masave të sigurisë në trafik. Gjatë 24 orëshit të fundit nga zyrtarë policorë janë kryer aktivitete me qëllim që të parandalohen e edhe të ndëshkohen ata që nuk kanë përfillur rregullat në trafik, ku mund të veçojmë se për shkelje më të rënda policia ka konfiskuar 29 patentë shofer drejtuesve të automjeteve”, thuhet në komunikatë.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka qëllim të vetëm ndëshkimin por parandalimin e shkeljeve të rregullave të trafikut, parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në trafik, andaj apelon te pjesëmarrësit në trafik që të respektohen rregullat për një siguri edhe më të madhe.

  • Javë me vranësira dhe shi, temperatura arrin në 13 gradë Celsius

    Javë me vranësira dhe shi, temperatura arrin në 13 gradë Celsius

    Këtë javë do të mbajë mot i vranët dhe me intervale të shkurta me diell, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

    E mërkurë – Mot kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 9-12 gradë Celsius.

    E enjte – Mot kryesisht i ngjashëm, i vranët dhe vende-vende me riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 10-13 gradë Celsius.

    E premte – Mot me vranësira dhe intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës mes 9-12 gradë Celsius.

    E shtune – Mot kryesisht i ngjashëm me ditën e premte. Në fusha termike nuk do të ketë ndryshime të theksuara, meqë vlerat e temperaturave ekstreme do të mbesin pothuajse konstante, me një rritje të lehtë të temperaturave minimale.

    E diel – Mot i vranët dhe me reshje shiu. Temperaturat maksimale do të shënojnë rënie të lehta. Minimalet do të lëvizin ndërmjet 3-5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 7-10 gradë Celsius.

  • Liberalizimi i vizave – Kompanitë e autobusëve shpeshtojnë linjat, mijëra kosovarë rezervojnë biletat

    Liberalizimi i vizave – Kompanitë e autobusëve shpeshtojnë linjat, mijëra kosovarë rezervojnë biletat

    Me heqjen e regjimit të vizave, është rritur edhe interesimi i qytetarëve për të lëvizur në zonën Shengen. Kësisoj, krahas udhëtimit nga Aeroporti “Adem Jashari”, kosovarët kanë zgjedhur transportin rrugor përmes autobusëve, raporton Ekonomia Online.

    Vetëm në ditën e parë, siç ka biseduar Ekonomia Online me disa agjenci, kanë udhëtuar mijëra qytetarë, teksa numër i njëjtë pritet të vazhdojë edhe ditëve në vijim.

    Pronari i kompanisë “Sharr Travel”, Ruzhdi Kurtishaj, ka thënë për Ekonomia Online se interesimi i qytetarëve ka qenë goxha i madh. Si shkak i heqjes së vizave, ka bërë që kjo kompani të operojnë me linja të rregullta çdo ditë.

    Kurtishaj ka thënë se vetëm këtë javë në “Sharr Travel”, janë bërë mbi 1 mijë rezervime të biletave për Zvicër.

    “Sigurisht përveç që është një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës kërkesat janë shtuar bukur shumë sa i përket javës se parë për të udhëtuar drejt Zvicrës. Përderisa në operojmë me linja të rregullta Kosovë-Zvicër-Kosovë ne nga sot kemi linja të rregullta çdo ditë, pra kemi udhëtime çdo ditë Kosovë – Zvicër. Fillimisht për javën e parë deri tash diku janë rreth një mijë qytetarë të cilët kanë bërë rezervimin e biletave kthyese qofshin bileta në drejtim të diasporës të cilët kanë ardhur për të festuar në Kosovë dhe tash po kthehen bashkë më familjarët të cilët i kanë marr me vete për t’i vizituar vendet ku ata jetojnë e punojnë për disa ditë dhe sigurisht ata do të kthehen prapë në Kosovë”, ka thënë Kurtishaj për EO, teksa është zotuar se nuk do të ketë shtrenjtim të çmimit të biletave, pavarësisht shtimit të numrit të udhëtarëve.

    “Biletat kthyese janë po ato që kanë qenë tash e shtat vite dhe të them të drejtën biletat nuk parashikohen që të rrisim çmimet e biletave, pra biletat janë me çmime aktuale siç kanë qenë tash e shtatë vite, pa marr parasysh lëvizjes së çmimeve të derivateve të naftës për litër. Ne mbajmë çmimet çfarë janë aktuale dhe garantojmë qytetaret e Kosovës që ‘Sharr Travel’ nuk do të ngri çmimet e biletave në as një mënyrë. Liberalizimi i vizave për Kosovën ka të bëjë me lëvizjen e lirë të qytetarëve për vizita afat shkurtra, pra qoftë për vizita turistike, qoftë për vizita familjare. Sepse ata brenda periudhës 180 ditë maksimumi i qëndrimit që mund të qëndrojnë në zonën Shengen është 90 ditë, në të kundërtën do të pasojnë gjoba, ndëshkime deri në shënim në pasaportë për mos të ketë të drejt mandej që mos të futet prapë në Evropë”, u shpreh Kurtishaj.

    E udhëtimi me autobusë të “Sharr Travel”, është e cilësisë më të lartë, pasi aktualisht kjo kompani është pajisur me autobusë të standardeve më të larta. Krahas udhëtimit Kosovë-Zvicër dhe anasjelltas, “Sharr Travel” mundëson edhe udhëtime për në shtetin grek.

    “Për momentin ne jemi duke realizuar udhëtime Kosovë- Zvicër pesë herë në javë, me autobusë të standardeve ‘Euro 6’, për qytetaret e Kosovës është shumë e rëndësishëm që të udhëtojnë me autobus sepse çmimet janë jashtëzakonisht të lira, përveç që janë çmimet e lira, udhëtimet realizohen me autobusë të standardeve euro 6, të tipit të fundit të prodhimit. Të udhëtosh me ‘Sharr Travel’ është një kënaqësi e madhe, një siguri e madhe, një komoditet dhe mund të shohësh edhe vende të tjera të zonës Shengen ku ne kalojmë transit. Përveç kësaj ne kemi udhëtime të ndryshme duke përfshirë Selanikun, Sofian dhe shumë e shumë vende të tjera të zonës Shengen. Jemi në përgatitje të ofertave dhe të paketave të tjera në bazë të kërkesave të qytetarëve për të realizuar paketa turistike. Ne jemi kompani serioze, ne e kemi të qartë se këto viza nuk e kanë qëllim punësimin e qytetareve të Kosovës në zonën Shengen dhe ju kemi bërë të qartë qytetarëve që mund të kemi vetëm vizita turistike”, ka thënë tutje Kurtishaj

    Interesim të qytetarëve ka pasur edhe kompania tjetër “Arditi Tours”. Pronari i saj, Albert Fazliu, ka thënë për Ekonomia Online se udhëtim më të lehtë nuk ka pasur as në kohën kur qytetarët janë pajisur me viza. Ai ka thënë se në kufi nuk është kërkuar vendqëndrimi e as sigurimi shëndetësor.

    “Që nga dita e djeshme, interesimi për udhëtime Kosovë-Zvicër dhe Kosovë-Austri janë shtuar më shumë. Kërkesat më të shumta janë dita e djeshme se para Vitit të Ri. Mbrëmë ka udhëtuar autobusët të parë për në Zvicër dhe Austri, të gjithë pasagjerët kanë kaluar kufirin pa asnjë problem edhe përmes Kroacisë e përmes Hungarisë. Mbrëmë ka udhëtuar një autobus me 78 persona ndërsa për Austri 50 persona. Sot ka pasur udhëtim për Zvicër por probleme nuk ka sa i përket liberalizimit të vizave. Mund të them lirshëm se udhëtimet mbrëmë kanë qenë më të shpejta se sa kemi pasur me viza”, ka thënë ai.

    “Përpara ka qenë te kontrolla e policisë ka qenë skenimi i vizës, pasaporta, kurse mbrëmë vetëm pasaporta nuk i ka shikuar dhe nuk i ka pyetur askush se ku po shkojnë. Mbrëmë udhëtimi ka qenë shumë i lehtë. Në shumicën e rasteve ne dhe pasagjerët e kanë obligim që të kenë sigurimin shëndetësor, të kemi një vendqëndrim se ku po shkojnë, mbrëmë nuk janë kërkuar asnjëra prej këtyre”, u shpreh ai.

    Ekonomia Online ka qëndruar edhe në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”. Disa qytetarë të cilët nuk pranuan të flasin para kamerës, thanë se po udhëtojnë për herë të parë, teksa shprehen synimin për t’u rikthyer dhe për t’u pajisur me vizë për një jetesë më të mirë në shtetet perëndimore.

    Por janë disa rregulla që duhet të respektohet gjatë udhëtimit për në vendet evropiane.

    Qytetarët të cilët vendosin që të udhëtojnë në zonën Shengen, që në momentin e arritjes në pikën e parë kufitare, duhet të prezantojnë edhe disa dëshmi, e njëra nga ato është edhe ajo financiare, që varet nga dy faktorë: së pari varet nga numri i ditëve që do të qëndrojnë dhe shteti të cilin e vizitojnë, dhe pastaj nga ajo nëse do të qëndrojnë në akomodim me pagesë si hotel/apartment apo tek të afërmit.

    Nëse qytetarët deklarojnë se do të qëndrojnë tek të afërmit duke ofruar adresën dhe kontaktin e tyre, varësisht se cilin shtet e vizitojnë, shuma e mjeteve është rreth 30 deri në 50 euro në ditë për person.

    Nëse ata deklarojnë se do të qëndrojnë në një hotel apo apartment apo çfarëdo akomodimi tjetër me pagesë, varësisht se cilin shtet e vizitojnë, shuma e mjeteve që duhet të ofrohen si dëshmi financiare është rreth 50 dhe 100 euro në ditë për person.

    Akomodimi nga miqtë apo familjarët mund të verifikohet duke kontaktuar drejtpërdrejtë mikpritësin me telefon ose duke verifikuar adresën e tyre përmes policisë.

  • Çeku: Artistët e Kosovës promovojnë shtetin në Vjenë

    Çeku: Artistët e Kosovës promovojnë shtetin në Vjenë

    Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka theksuar se artistët e Kosovës vazhdojnë me paraqitje në skena të njohura botërore.

    Ai ka shkruar në Facebook se koristët e Siparantum Choir gjatë festave të fundvitit ndanë skenën me Orkestrën Simfonike të Vjenës dhe Korin Wiener Singakademie.

    “Artistët e Kosovës vazhdojnë me paraqitje në skena të njohura botërore. Koristët e Siparantum Choir gjatë festave të fundvitit ndanë skenën me Orkestrën Simfonike të Vjenës dhe Korin Wiener Singakademie. Përgëzime udhëheqësit të korit, dirigjentit Memli Kelmendi – Composer/Conductor dhe gjithë ekipit të Siparantum për këtë arritje. Faleminderit që po e promovoni shtetin tuaj në mënyrë të shkëlqyeshme nëpër botë”, ka shkruar Çeku në Facebook.

  • Liberalizimi i vizave, Rafuna: Në gjashtëmujorin e parë bizneset do të përballen me mungesë të punëtorëve

    Liberalizimi i vizave, Rafuna: Në gjashtëmujorin e parë bizneset do të përballen me mungesë të punëtorëve

    Kosova rrezikon të mbetet pa fuqi punëtore nga muaji janar 2024 si rrjedhojë e liberalizimit të vizave, ngase shumë të rinj planifikojnë që të largohen për në shtetet e Bashkimit Evropian.

    Kështu ka vlerësuar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i cili kërkon nga Qeveria e Kosovës të krijojë një strategji që të parandalojë ikjen e të rinjve nga vendi.

    Kreu i Odës Ekonomike, Rafuna thotë në një intervistë për KosovaPress, se edhe viti 2023 ishte sfidues për bizneset, kjo për shkak të ngecjes së investimeve kapitale nga ana e qeverisë, duke mos realizuar projektet me infrastrukturë të mirëfilltë për investime.

    Teksa flet për ikjen e të rinjve, ai konsideron se gjashtëmujori i parë i këtij viti do të jetë mjaft sfidues në aspektin e fuqisë punëtore për bizneset.

    Sipas Rafunës, faktori parë që ka ndikuar të ikin të rinjtë nga vendi është çështja e mos lidhjes së arsimit me kërkesat e tregut.

    Ai bënë thirrje Qeverisë që të krijojë një strategji që parandalon ikjen e të rinjve nga vendi.

    Kreu i Odës Ekonomike, Rafuna thotë se edhe gjatë vitit të kaluar sektori privat ka pasur sfida të shumta, me theks mungesën e fuqisë punëtore që ka shtyrë të investojë më shumë në pajisje.

    Derisa në vitin 2022, qeveria fajin ia hodhi Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për ngecjen e investimeve, Rafuna thotë se tani kjo e fundit ka qenë e kompletuar dhe pushteti duhet të gjejë arsyet pse ka pasur ngecje të investimeve kapitale.

    Duke folur për faktorët që kanë goditur ekonominë e vendit, Rafuna shprehet i pakënaqur edhe me rritjen ekonomike përgjatë vitit 2023, për të cilën thotë se parashikimet kanë qenë 3.7 për qind.

    Ai derisa shton që në vend kanë munguar shumë investime të huaja, thotë se Qeveria duhet të punojë që t’i heq masat e BE-së.

    Në fund, Rafuna kërkon nga qeveria që të krijojë më shumë pako stimuluese për bizneset dhe të bëjë një reformë të thellë të Tatimit të Vlerës së Shtuar dhe jo të paguhet si tani.

  • Rama: Banorët rezidentë s’do të paguajnë parkimin për veturën e parë, çmim më të lirë për veturën e dytë

    Rama: Banorët rezidentë s’do të paguajnë parkimin për veturën e parë, çmim më të lirë për veturën e dytë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar të martën Ndërmarrjen “Prishtina Parking”, e cila së fundmi ka ndryshuar rregulloren për parkingje publike në Kryeqytet.

    Rama ka thënë se banorët rezidentë nuk do të paguajnë parkimin për veturën e parë, ndërsa çmim më të lirë do të kenë për veturën e dytë.

    “Pas miratimit të rregullores për organizmin e parkingjeve publike në Prishtinë, zhvillimit të procedurave të nevojshme ligjore, fillon zbatimi i saj. Banorët rezidentë nuk do të paguajnë parkimin për veturën e parë, çmim më të lirë për veturën e dytë, kufizim i qasjes së vizitorëve në lagje në orët e pasdites, sepse vendet e parkingut u takojnë banorëve rezidentë. Të gjitha këto do të nisin të realizohen nga ‘Prishtina Parking’ që nga ky fillim vit, për t’ju ofruar qytetarëve rregull e siguri në parkingje publike”, ka shkruar Rama, teksa është njoftuar nga kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Sokol Havolli për projektin e digjitalizimit.

    “Kryeshefi Ekzekutiv i Prishtina Parking, Sokol Havolli, na njoftoi se këtë vit do të realizohet projekti i digjitalizimit. Projekt shumë i rëndësishëm. Po ashtu në bashkëpunim me ndërmarrjet tjera publike, do të vazhdojë mirëmbajtja e parkingjeve, ku përfshihet pastrimi, larja dhe shtimi i gjelbërimit. Gjatë 2024-ës do të ketë edhe investime tjera në e nga ‘Prishtina Parking’”, ka shkruar Rama në Facebook.

    “Falënderoj punëtorët e palodhshëm të ndërmarrjes të cilët angazhohen që gjithçka të funksionojë si duhet. Ndërsa të gjitha projektet presim të realizohen si duhet fal angazhimit të anëtarëve të Bordit dhe ata të Komisionit të Aksionarëve, Sami Salihu, Fadil Hertica dhe Lindita Rexhepi”, ka shkruar tutje ai.

  • Deri në 30 minuta pritje në Merdarë për të dalë nga Kosova

    Deri në 30 minuta pritje në Merdarë për të dalë nga Kosova

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet më të gjata për të dalë nga Kosova mesditën e sotme janë në Merdarë.

    Sipas kësaj qendre, më së shumti pritje ka në dalje në pikën kufitare me Serbinë, në Merdarë, ku pritjet, mesditën e sotme, zgjasin nga 25 deri në 30 minuta dhe kolona e makinave është rreth 300 metra e gjatë.

    Ndryshe, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet më të gjata, mëngjesin e së martës, për të dalë nga Kosova ishin te Dheu i Bardhë, ku pritja ishte po ashtu deri në 30 minuta, por që tanimë atje nuk ka kolonë të gjatë automjetesh e as pritje.

    Në pikat e tjera s’ka kolona as në hyrje e as në dalje dhe pritjet zgjasin vetëm tre deri në pesë minuta.

  • Kosovës i shtohen pensionistët: 33 mijë përfitues të rinj u regjistruan vitin që lamë pas

    Kosovës i shtohen pensionistët: 33 mijë përfitues të rinj u regjistruan vitin që lamë pas

    Gjatë vitit 2023 janë regjistruar 33 mijë e 158 persona për të përfituar pension nga shteti.

    Nga numri total, 18 mijë e 887 qytetarë u regjistruan për të përfituar nga pensioni bazë.

    1 mijë e 104 ish-mësimdhënës u regjistruan për të përfituar nga pensioni që u takon, për arsye se kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë.

    Për të përfituar nga pensioni për të verbër u regjistruan 128 persona, kurse për pensionin paraplegjikë (personat të cilët si shkak i sëmundjes apo dëmtimit të sistemit nervor qendror apo periferik kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e zhvendosjes dhe lëvizjes së ekstremiteteve të poshtme) dhe tetraplegjikë (personat të cilët si shkak i sëmundjes apo dëmtimit të sistemit nervor qendror apo periferik kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e zhvendosjes dhe lëvizjes të ekstremiteteve të sipërme dhe të poshtme), u regjistruan 588 vetë.

    Kjo është lista me të gjitha kategoritë dhe qytetarët që u regjistruan deri më 15 dhjetor, për të përfituar pensione nga secila kategori veç e veç./FrontOnline