ATV

Category: Lajme

  • Cameron mbërrin në Kosovë, pritet në aeroport nga Gërvalla

    Cameron mbërrin në Kosovë, pritet në aeroport nga Gërvalla

    Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, ka mbërritur në Kosovë ku është pritur nga homologia e tij, Donika Gërvalla.

    Vizita e Cameron do të jetë njëditore, ku përveç me Gërvallen, ai do të takohet edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Cameron ka qenë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2010-2016 ndërsa aktualisht ushtron detyrën e ministrit të Jashtëm.

  • Spahiu: 500 mijë kosovarë do të largohen nga Kosova

    Spahiu: 500 mijë kosovarë do të largohen nga Kosova

    Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave, rreth 500 mijë qytetarë të Kosovës këtë vit do të shkojnë në vendet e Europës Perëndimore.

    Spahiu këtë deklaratë e dha për agjencinë të lajmeve serbe “Beta” se shumica e qytetarëve të Kosovës do të përpiqen të gjejnë punë në Perëndim, por edhe se shumë do të largohen nga frika e luftës.

    “Pothuajse çdo familje nga Kosova ka të paktën një anëtar që jeton dhe punon në Perëndim. Në Kosovë pagat janë shumë të ulëta dhe papunësia është e lartë, kështu që shumë të rinj e shohin të ardhmen e tyre në vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore. Unë pres që kjo vetëm në një vit, rreth gjysmë milioni banorë të Kosovës të shkojnë në Perëndim”, tha Spahiu.

    Sipas tij, pasojat e valës së madhe të migrimit, e cila pritet pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave, do të ndikojë negativisht në zhvillimin e shoqërisë kosovare.

    “Liberalizimi i vizave do të shkaktojë tërmet në Kosovë. Largimi i një numri të madh të të rinjve do të ndikojë në shoqërinë kosovare në shumë fusha. Pritet që një numër i konsiderueshëm i pensionistëve të largohen nga Kosova dhe të shkojnë të jetojnë me fëmijët e tyre në perëndim ”, tha Spahiu.

    Ai ka pretenduar se edhe frika nga lufta do të jetë arsye që, sipas tij, do të largohen shumë qytetarë.

    “Frika nga lufta do të ekzistojë derisa të zbatohet plotësisht plani franko-gjerman. Për shkak të frikës së luftës, dukshëm më pak njerëz erdhën në Kosovë nga Perëndimi për festat e Vitit të Ri sesa në vitet e kaluara”, tha ai.

    Spahiu thotë se këtë vit do të jetë formimi i Asociacionit të komunave serbe dhe njohja reciproke e Serbisë dhe Kosovës, e cila, sipas tij, mund të zvogëlojë numrin e personave që planifikojnë të largohen nga Kosova.

    “Pres që në të njëjtën ditë të formohet Asociacioni i Komunave Serbe dhe të valojë flamuri i Kosovës në Beograd në objektin e misionit diplomatik. Shumë nuk besojnë se Beogradi do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por kur Beogradi e njohu pavarësinë e Kroacisë në fillim të viteve nëntëdhjetë, atë që nuk e prisnin atëherë as serbët e as kroatët, me siguri Aleksandar Vuçiq tani edhe de favto edhe de jure do ta njohë pavarësinë e Kosovës”, theksoi Spahiu.

    Ai tha se hapja e misioneve diplomatike në Beograd dhe Prishtinë, Kosovë do të hapë dyert për hyrje në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

    “Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare është një nga kushtet thelbësore për ardhjen e investitorëve dhe kjo përmes hapjes së vendeve të punës do të zvogëlonte ndjeshëm numrin e largimeve nga Kosova”, tha ai.

    Spahiu thekson se presidenti serb Aleksandar Vuçiq me siguri do të zbatojë të gjithë marrëveshjen franko-gjermane për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

    “Vuçiq ka gjithçka nën kontroll dhe sigurisht që do të lejojë hapjen e misioneve diplomatike të Serbisë dhe Kosovës në Beograd dhe Prishtinë, që do të jetë njohje de jure dhe de facto e pavarësisë”, ka përfunduar ai.

  • Rusia bombardon aksidentalisht fshatin e vet, zotohet të rindërtojë shtëpitë

    Rusia bombardon aksidentalisht fshatin e vet, zotohet të rindërtojë shtëpitë

    Një guvernator rus ka thënë të mërkurën se e ka urdhëruar rindërtimin e nëntë shtëpive në një fshat rus, i cili u bombardua aksidentalisht nga një avion ushtarak rus.

    Incidenti ndodhi të martën, kur agjencia ruse e lajmeve, RIA, e citoi Ministrinë e Mbrojtjes duke raportuar për “shkarkimin jonormal të municionit nga avioni ushtarak” mbi fshatin Petropovlovka në jug të rajonit Voronezh.

    Guvernatori Alexander Gusev tha se nëntë shtëpi do të rindërtohen sa më shpejt, dhe se dëme kanë pësuar edhe një shkollë lokale, një qendër arti dhe një ndërtesë administrative.

    Nuk u raportua për të vrarë, por katër njerëz kërkuan ndihmë për lëndime të vogla, tha ai.

    Pesë vetura dhe një traktor janë dëmtuar, po ashtu, dhe se pronarët e tyre do të marrin dëmshpërblim, sipas tij.

    “Asnjë banor nuk do të ngelë pa ndihma. Ne do t’i mbështesim të gjithë sa më shpejt”, tha Gusev.

    Autoritetet ruse nuk treguan se çfarë e shkaktoi këtë incident. Derisa dëmi ishte i kufizuar, incidenti e turpëroi ushtrinë ruse dhe ndodhi në një kohë kur rajonet jugore të Rusisë në kufi me Ukrainën janë të alarmuara nga bombardimet.

    Gjatë periudhës së Vitit të Ri, Rusia kreu sulmet më të mëdha raketore dhe me dronë në Ukrainë, prej se e nisi pushtimin e saj në shkurt 2022.

    Të shtunën, 25 njerëz u vranë në Belgorod, në afërsi të kufirit, në sulmin më vdekjeprurës ukrainas në Rusi, thanë zyrtarët. /rel/

  • “Liberalizimi i vizave ka ndodhë pardje”, deputeti i VV-së: Pas katër viteve po merr kuptim kjo fjali e famshme

    “Liberalizimi i vizave ka ndodhë pardje”, deputeti i VV-së: Pas katër viteve po merr kuptim kjo fjali e famshme

    Deputeti i Lëvizjes Vetëendosje, Agon Batusha, ka përmendur fjalën që e kishte thënë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në kohën kur ka qenë kryesministër, në lidhje me liberalizimin e vizave.

    “Liberalizimi i vizave ka ndodh pardje”, ka shkruar Batusha, duke shtuar se pas katër viteve ka marrë kuptim kjo “fjali e famshme”.

    “Libereralizimi i vazave ka ndodh pardje. Urime! Po po ka ndodh. Tek pas katër viteve po merr kuptim kjo fjalë e famshme”, ka shkruar deputeti i VV-së.

  • Gjendet pa shenja jete një burrë në Gjakovë, rasti po hetohet

    Gjendet pa shenja jete një burrë në Gjakovë, rasti po hetohet

    Një burrë është gjetur pa shenja jete në një punëtori në rrugën “Mihal Grameno” në Gjakovë.

    Zëdhënësi i Policisë në Gjakovë, Sheremet Elezaj, tha për Gazetën Express se vdekja e viktimës është konstatuar në spitalin rajonal në Gjakovë.

    Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.

    Trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    “Rreth orës 11:40 është raportuar se viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jete, në një punëtori në rrugën “Mihal Grameno” -Gjakovë. Vdekja e tij është konstatuar në Spitalin Rajonal në Gjakovë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore . Me vendim të prokurori të shtetit (i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes) është iniciuar rast “hetim i vdekjes”. Trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.”

  • Një numër i konsiderueshëm i automjeteve me targa RKS shihen duke kaluar kufirin në Merdarë

    Një numër i konsiderueshëm i automjeteve me targa RKS shihen duke kaluar kufirin në Merdarë

    Kolonë e gjatë e automjeteve është parë në vendkalimin kufitar në Merdarë, aty ku për disa orë ka qëndruar ekipi i Ekonomia Online ku ka parë nga afër situatën atje.

    Nga pamjet e siguruara, aty është vërejtur edhe një numër i konsiderueshëm i automjete me targa RKS duke kaluar kufirin, kjo pasi për qytetaret e Kosovës nga një janari është hequr regjimi i vizave për në zonën Shengen.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar të Republikës së Kosovës (QKMKK) e cila monitoron hyrje-daljet në pikat kufitare të Kosovës, pritjet për të dal nga Kosova në vend kalimin kufitar në Mendare janë deri në 2 orë.

  • Kamerat e sigurisë me inteligjencë të lartë artificiale do të vendosen së shpejti në kryeqytet

    Kamerat e sigurisë me inteligjencë të lartë artificiale do të vendosen së shpejti në kryeqytet

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë nga ky fillimvit në kryeqytet do të vendosen kamerat e sigurisë të cilat do t’i monitorojë policia e vendit.

    Ai ka shkruar në Facebook se këto kamera kanë një intelegjencë të lartë artificiale, prodhim amerikano – kanadez, e të cilat konsiderton se do të ndihmojnë që përmes policisë, të bëjnë identifikimin e personave të cilët hedhin mbeturina, parkojnë në trotuare apo vende ku nuk lejohet.

    “Po ashtu, përmes këtij sistemi, do të identifikohen, në kohë rekord, personat e përfshirë në vjedhje, rrahje apo çfarëdo vepre të tillë, dhe besojmë se do të ulë numrin e këtyre rasteve dhe rrisë nivelin e sigurisë në kryeqytet”, ka shkruar ai.

    I pari i kryeqytetit ka folur edhe për pritshmëritë tjera që ka nga vendosja e këtyre kamerave.

    “Personat të cilët me makina hynë gabim në rrugë një kahëshe, bëjnë tejkalim në vi të plotë ndarëse, apo udhëtojnë me veturë të paregjistruar, do të identifikohen menjëherë nga këto kamera, të cilat do të japin sinjalet në qendrën e monitorimit në polici, duke ndikuar që shkelje të tilla të ndodhin sa më pak. Kryeqyteti do të jetë më i sigurt!”, përfundon ai.

  • Gjendja në pikat kufitare, pritje deri në dy orë në Jarinje dhe mbi një orë në Merdarë

    Gjendja në pikat kufitare, pritje deri në dy orë në Jarinje dhe mbi një orë në Merdarë

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, qytetarët më së shumti po presin në pikën kufitare Jarinje për të dalë nga Kosova.

    Kolona në këtë pikë është 100 metra, dhe pritja është deri në dy orë.

    Pritje mbi një orë po ndodh në pikën kufitare Merdarë, ku në dalje kolona është 200 metra dhe njerëzit po presin deri në 70 minuta.

    Sipas të dhënave, po në dalje te Dheu i Bardhë, kolona është deri në 150 metra dhe njerëzit po presin deri në 40 minuta.

    Në pikat e tjera s’ka kolona as në hyrje e as në dalje dhe pritjet zgjasin vetëm tre deri në pesë minuta.

  • Si ekzekutoi polici gruan shqiptare dhe dy djemtë e mitur dhe më pas veten

    Si ekzekutoi polici gruan shqiptare dhe dy djemtë e mitur dhe më pas veten

    Një rreshter në prag pensioni ka ekzekutuar me armë zjarri bashkëshorten, dy djemtë të moshës 10 dhe 12 vjeç, dhe më pas veten në shtëpinë e tyre 600 mijë dollarëshe në New City, në New York.

    Watson Morgan, 49-vjeç rreshter i Departamentit të Policisë në Bronxville, u gjet i vdekur nga oficerët nga Departamenti i Policisë në Clarkstown.Oficerët kryen një kontroll rutinë për mirëqenien e Watson në New City pasi ai nuk u paraqit në punë.

    “Rreshteri Morgan nuk u paraqit për turnin e mbrëmjes, mbrëmë dhe Departamenti ynë i Policisë kontaktoi Departamentin e Policisë Clarkstown në qytetin e tij të lindjes, i cili bëri zbulimin”- tha Policia e Bronxville në një deklaratë për CBS News.

    “Rreshteri Morgan iu bashkua Departamentit të Policisë së qytetit të Nju Jorkut në 2000 dhe Departamentit të Policisë Bronxville në 2007. Ai u caktua në divizionin e detektivëve në 2014 dhe u gradua në rreshter në 2016”.

    News 12 Westchester raportoi se ai ishte një oficer i të rinjve dhe pritej të dilte në pension në mars.

    Të katër anëtarët e familjes janë gjetur të vdekur me plagë me armë zjarri.

    “Në këtë fazë të hetimit besohet se Watson vrau gruan dhe dy fëmijët e tij, përpara se të vriste veten me një plagë të vetëshkaktuar me armë zjarri”, tha policia.

    Kenyatta Jones-Ariette, mikeshë e familjes Morgan, tha në Facebook: “Zemrat tona janë tepër të rënduara nga ajo që ndodhi sot. Lutemi që shpirtrat e Ornela, Watson, Gabe dhe Liam të prehen në paqe.’

    “Ndonjëherë ndodhin gjëra që janë të vështira për t’u kuptuar. Ju pyesni veten nëse kishte ndonjë gjë që mund të kishit bërë për të ndryshuar rezultatin. A ka diçka që mund të kishit thënë për të ndryshuar trajektoren? Ne të gjithë kemi udhëtimet tona individuale edhe pse zëmë këtë hapësirë ​​që e quajmë “tokë” së bashku. Asnjëherë nuk e dini se çfarë po ndodh brenda kokës së dikujt”, tha Jones-Arietta.

    Në vendngjarje u sekuestrua një pistoletë dhe policia tha se qytetarët nuk janë në rrezik.

    Familja Morgan blenë shtëpinë në New City në 2016 për 577,000 dollarë. Sipas faqes online të Educators of NYC në platformën “X”, Ornela ishte mësuese në një shkollë publike të qytetit të Nju Jorkut. Djemtë ndoqën shkollën në Distriktin Shkollor Qendror të Clarkstown.

    10-vjeçari shkoi në shkollën fillore Laurel Plains dhe 12-vjeçari shkoi në shkollën e mesme Felix Festa.

  • “Me qindra e mijëra bukë në ditë nuk do të shiten”, biznesmeni Ramiz Kelmendi alarmohet pas liberalizimit të vizave

    “Me qindra e mijëra bukë në ditë nuk do të shiten”, biznesmeni Ramiz Kelmendi alarmohet pas liberalizimit të vizave

    Biznesmeni Ramiz Kelmendi ngre alarmin se me liberalizimin e vizave nga ky muaj shumë qytetarë do të ikin nga vendi dhe pretendimet e tij janë që do të krijohet një vakum në shoqërinë tonë. Kelmendi përmend dy çështje elementare që do të kenë impakt nga liberalizimi i vizave. Ai përmend se do të ketë ulje të prodhimit, duke filluar me bukën e përditshme për qytetarët.

    Përveç kësaj pronari i Elkos Group, Ramiz Kelmendi thotë se nga ky muaj bizneset do të vuajnë nga mungesa e fuqisë punëtore.

    Afaristi Kelmendi në një intervistë për KosovaPress fajëson qeverinë për ikjen e të rinjve nga vendi, sipas tij është një dështim politik që duhet të turpërohen të gjithë.

    “Ikja e të rinjve është një dështim i fuqishëm politik, d.m.th. është një dështim për të cilin duhet të turpërohen që të gjithë, për arsyeje se në botën e jashtme po dalin gjithë të rinjtë e moshës së mirë që faktikisht janë një strukturë intelektuale që fare nuk kanë kontakt me alkoolin ose me gjëra tjera të cilat në perëndim është në mbisundim, këta janë të gjithë që punojnë, janë të përkushtuar, nuk janë njerëz që janë nën presionin dhe depresionet e ndryshme dhe duhet të gjithë të turpërohen si të lejojnë me dalë të gjithë këta përnjëherë. Kjo është njëlloj sikur me qenë këta qytetarë të okupuar dhe është krijuar liria e lëvizjes dhe liria për ta lëshuar këtë vend. Nuk kisha pas qejf të shoh një numër kaq të madh të të rinjve që për interesa dhe për një jetë më të mirë ekonomike që është shumë e domosdoshme për ta, keq për t’i penguar që të shkojnë… Këtu do të krijohet një vakum i jashtëzakonshëm, do të mungojnë me qindra e mijëra bukë në ditë që nuk do të shiten, do të mungojnë qindra e mijëra kafe që nuk do të pihen dhe buxheti do të varfërohet, për shkak se shumicën e rasteve është konsumues dhe mungesa e tyre do të ndikojë jashtëzakonisht shumë. Por, kthimi tyre është i pamundur, ata më nuk do të kthehen, përveç se do të kemi raste sporadike por që nuk janë masovike”, thotë Kelmendi.

    Si biznesmen, Kelmendi shprehet i shqetësuar edhe me mungesën e komunikimit me institucionet shtetërore, derisa shton se shteti nuk ka ofruar as mbështetje për këtë sektor.

    Ai iu bënë thirrje institucioneve shtetërore që të ndryshojnë qasjen ndaj bizneseve.

    “Jo, nuk ekzistojnë. Momentalisht e kemi një institucion të organizuar të tillë që të gjithë ata emra politikë që kanë dalë në publik dhe kanë premtuar sot nuk i shihni, për arsyeje se nuk kanë të drejtë të dalin e të flasin, as të shprehin mendimin, as veprimin dhe as të shprehin ndonjë premtim të ri. Pra, institucionet janë kthyer në institucion mbrojtës jo në një institucion avancues… 01:43 Shteti realisht kurrë nuk është për mbështetje, është gjithmonë për ta mbushur buxhetin e vet maksimalisht dhe për të marrë prej bizneseve sa më shumë, andaj ndihma nuk ka ekzistuar asnjëherë, e as tash, por ndihma më e madhe është nganjëherë kur komunikimi mes bizneseve dhe institucioneve të qeverisë të bëhet në vazhdimësi, dhe bizneset kanë nevojë për t’u shprehur, sepse i suksesshmi mund të bëhet edhe më i suksesshëm. Andaj, çdo sukses i biznesit është përfitim për institucionet, më mirë është me qenë qeveri e qytetarëve dhe bizneseve të zhvilluara, se me qenë qeveri e qytetarëve të bizneseve të varfëruara. Prandaj, këtë rol që ne e kemi si biznese, realisht e kemi rolin e zhvillimit dhe punësimit”, thotë Kelmendi.

    Ai konsideron se shteti duhet të përmirësojë politikat e të bërit biznes në mënyrë që të vijnë sa më shumë investitorë të huaj në vend.

    “Taksat që vendosin institucionet ne kemi obligim t’i implementojmë, por nëse shohim që kemi mungesë të investitorëve të jashtëm, atëherë duhet shikuar çfarë është duke e penguar këtë, sepse në momentin që askush nuk vjen të investojë, ne duhet ta pyesim veten çka po ndodhë. Pse nuk po vijnë, çfarë dëshiron një investitor. Një investitor duhet të krijojë profit, nëse ne kujtojmë që ai vjen të na japë pagat neve, është gabim, pse të na falë neve pagat, ai ka për të ardhur këtu për të nxjerrë profit. Ne jemi një qytet i vogël i botës, dhe neve na nevojiten investitorë që kanë euro, që bëjnë investime, që i paguajnë punëtorët më mirë siç i kemi paguar ne si punëdhënës dhe që edhe neve na nxit dhe na qet në një kthjellim që si të punojmë ne më shumë, të angazhohemi e avancohemi me infrastruktura tjera që edhe neve të na dalin punëtorët më të pakët, por më të fuqishëm e më të shpejtë, por edhe më paga më të mira”, shton Kelmendi.

    I pyetur nëse kanë pasur probleme me import dhe eksport, Kelmendi thotë se problemet janë të shumta, mirëpo dëgjueshmëria e tyre nga institucionet përgjegjëse është e vogël.

    “Problemet janë të shumta, dëgjueshmëria e problemeve është shumë e vogël, takimet institucionale dhe afarizëm nuk ekzistojnë fare, nuk ekzistojnë as takimet mes institucioneve dhe prodhueseve për të cilat të gjithë ne kemi qenë dhe jemi që ta ndërtojmë prodhimtarinë vendore, por asnjë takim nuk e kemi pas me ata, që d.m.th. si duam të bëjmë prodhimtarinë vendore më të fuqishme duke qëndruar ndaras, jo, duke pas kontakt. Kontakti mes prodhimtarisë ekzistuese dhe kërkesat e tyre të shumta çfarëdo të jenë gjithmonë duhet me qenë obligimin për qeverinë dhe institucionet. Sa më shumë të jenë kontaktet, aq më shumë kemi edhe zhvillim të prodhimtarisë. Nuk është zhvillim i prodhimtarisë vendore ftesa ‘mos konsumoni prodhime të të tjerëve’, jo, ftesa është ‘unë do ju mbështes juve që ju të nxirrni produkte sa më shumë’ dhe konsumatorit t’i shtohet oferta dhe më nuk ka nevojë të qesin barriera për të tjerët”, thotë Kelmendi.

    Kelmendi thotë se derisa s’ka rritje ekonomike, nuk mund të ketë as rritje të numrit të punëtorëve.

    “Rritja shkon në kuadrin e zhvillimeve dhe rritjeve ekonomike, derisa s’ka rritje ekonomike, nuk ka as rritje të të punësuarve, derisa ne presim që një pjesë e madhe e qytetarëve do ta lëshojnë vendin, ekziston frika si me mbajt gjendjen ekzistuese me numër të qytetarëve më të vogël”, shton Kelmendi.

    Në fund, Kelmendi kërkon nga qeveria që të mos ndërhyjë në të bërit biznes tek bizneset, pasi që sipas tij, kjo po i dëmton ato.

    Kelmendi: Në momentin që politika nuk përzihet në ekonomi, gjithmonë bërja e biznesit është e suksesshme

    “Në momentin që politika nuk përzihet në ekonomi, gjithmonë bërja e biznesit është e suksesshme. Neve nuk na pengon edhe kjo qeveri që ekziston, në asnjë moment nuk është ankesa tek pengesa, është ankesa tek avancimi. Neve na nevojiten institucione që na bëjnë më të avancune, që i bëjnë qytetarët më të pasur, jo që i bënë qytetarët të japin ndihma sociale, qytetarëve ju duhet me pas kapital, për arsyeje se vendin nuk po e lëshojnë vetëm për vend pune, po e lëshojnë edhe për një punë për të qenë më i pasur, për me pas një jetë më të mirë, jo vetëm sa për të punësuar”, përfundon Kelmendi.