ATV

Category: Lajme

  • Gjykata vendos përfundimisht, rifillojnë punimet në Rrugën ‘A’

    Gjykata vendos përfundimisht, rifillojnë punimet në Rrugën ‘A’

    Gjykata Komerciale i ka hapur rrugë punimeve në Rrugën A, rreth tre muaj pas pezullimit të tyre.

    Dhoma e Shkallës së Dytë e ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë të gjykatës, në një vendim të shpallur të premten e javës së kaluar.

    Në aktvendimin e Dhomës së Shkallës së Dytë të cilin e ka siguruar Paparaci, thuhet se janë aprovuar si të bazuara ankesat e të paditurës Organi Shqyrtues i Prokurimit dhe palëve të interesuara: Komuna e Prishtinës dhe operatori ekonomik “Sallahu”.

    Kolegji i Gjykatës Komerciale ka vlerësuar se pikërisht shtyrja e vendimit jo vetëm se është në kundërshtim me interesin publik, por rrezikon që të dëmtojë më shumë palët e përfshira në raport me paditësin.

    Sipas aktvendimit është refuzuar si e pabazuar ankesa e “Pro & CO Group” sh.p.k. për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit që lejoi rinisjen e punëve në rrugën A.

    Paditësi “Pro & Co Group” sh.p.k. ushtroi padi në Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale, me të cilën ka iniciuar konfliktin administrative si dhe ka paraqitur kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurës Organi Shqyrtues të Prokurirmit me nr.144/23 të datës 19.04.2023.

    Kolegji i Gjykatës Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë vlerëson se përfundimi dhe qëndrimi i Gjykatës së Shkallës së Parë nuk është i drejtë dhe si i tillë nuk mund të pranohet, pasi që aktvendimi i ataktuar është i përshirë me shkelje të dispozitave të procedures kontestimore për shkak se aktvendimi i atakuar përmban të meta pasi që arsyet për faktet vendimtare janë të paqarta dhe kontradiktore.

    “Duke i marrë parasysh pretendimet ankimore, Dhomat e Shkallës së Dytë vlerësojnë se me rastin e shtyrjes së ekzekutimit të vendimit, gjykata shqyrton dhe kufizohet vetëm në kushtet ligjore nga Neni 22 par.2 i Ligjit për Konfliktet Administrative, të cilat duhet të plotësohen në mënyrë kumulative në mënyrë të që shtyhet ekzekutimi i aktit administrative”, thuhet në aktvendim.

    Tutje, theksohet se “Kolegji ka vlerësuar se Gjykata e Shkallës së Parë nuk ka arritur të jep arsye bindëse për faktet vendimtare të cilat ndikojnë në zbatimin e drejtë të dispozitës së Nenit 22 par.2 të LKA-së, duke mos balancuar drejtë kërkesën e palëve në raport me kriteret ligjore”.

    “Bazuar në vlerësimin e Kolegjit, Gjykata e Shkallës së Parë nuk ka arritur që të përcaktojë drejtë interesin publik, i cili në rastin konkret është i kufizar në interesin për të vazhduar ose jo projektin që është object i procedures së prokurimit, në raport me kërkesat e paditësit”, thuhet në aktvendim.

  • Haxhu kritikon opozitën por nuk kursen as KPK-KGJ: Kundërshtojnë reformat

    Haxhu kritikon opozitën por nuk kursen as KPK-KGJ: Kundërshtojnë reformat

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron se reformat në drejtësi po kundërshtohen nga sistemi i drejtësisë dhe opozita. Aleate të Gjykatës Kushtetuese, i konsideron partitë opozitare, për të cilat thotë se po ruajnë interesat e tyre.

    Sipas saj, konkurset e fundit në Këshillin Prokurorial të Kosovës shpërfaqin pazaret brenda këtij sistemi.

    Në intervistën për KosovaPress, Haxhiu flet edhe për kundërshtimet e disa deputetëve të pushtetit për Kodin Civil. Ajo thotë se gjatë vitit do të procedohet në Kuvend dhe se pret që të miratohet.

    Optimiste nuk është edhe për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit, për çka deklaron se vetëm ekipet profesionale mund ta trajtojnë këtë rast.

    Sistemi i drejtësisë është i pavarur vetëm në letër, thotë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Teksa komenton raportet me Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor, ajo konsideron se kjo po ndodhë për shkak të reformave.


    “Po vazhdon kjo nga viti në vit, unë besoj që kështu do të përfundoj mandati im si ministre e Drejtësisë, për faktin se reformat, të cilat ne i kemi nisur si Ministri e Drejtësisë, duket që për të njëjtat nuk ka mbështetje nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, me theks nga Këshilli Prokurorial i Kosovës…”, deklaron Haxhiu për KosovaPress.

    Problemet më të theksuara, siç thekson Haxhiu, janë brenda sistemit prokurorial të Kosovës. Ajo konsideron se në konkurset e fundit janë shpërfaqur haptazi pazaret.

    Në intervistën për KosovaPress, ministrja Haxhiu shton se Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës është reformë e rëndësishme.

    “Opozita ka zgjedhur që ta pengojë reformën në drejtësi”, thotë Haxhiu mes tjerash.

    Madje, Haxhiu konsideron që opozita është bërë aleate e Gjykatës Kushtetuese.

    Tutje, shton se Kushtetuesja nuk duhet të marrë një vit kohë për reforma të rëndësishme, por të trajtohen këto raste me prioritet. Jo vetëm nga opozita, por Kodi Civil nuk po gjen mbështetjen e as të deputetëve të shumicës.

    “Është e rëndësishme që të kalojë (Kodi Civil), sidomos kur ne jemi në prag, gjegjësisht në fazat e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Madje edhe në një prej raporteve të ekspertëve të Këshillit të Evropës të cilët e kanë vlerësuar gjendjen në Kosovë që është një fazë që bëhet para anëtarësimit, është përmendur rëndësia e kalimit të Kodit Civil. Ne nuk e kemi proceduar, gjegjësisht e kemi shtyrë për këtë vit, e kemi pasur plan që në vitin 2023 ta procedojmë, por nuk i kemi pasur votat në Kuvend. Gjegjësisht, ideja është që të mos shkojë sërish në Kuvend dhe të dështojë sërish, sepse do të jetë goditje për Kosovën, sikurse edhe goditje edhe për qeverinë, sepse një çështje që është e rëndësishme për qeverinë që ndërlidhet me të drejtat e njeriut… Nuk kemi nevojë ta procedojmë pa u siguruar që kalon. Por unë jam e bindur që shumë shpejt do ta procedojmë dhe mund të kemi sukses në përpjekjen tonë”, shprehet Haxhiu.

    Teksa flet për opozitën përmend edhe rastin e Astrit Deharit, ku thotë se përgjegjës, siç shprehet ajo, të vrasjes më të rëndë në Kosovë, janë të gjithë ata që kanë qenë para shtatë vitesh në qeveri.

    Haxhiu përmend prioritetet dhe planet për vitin 2024, ku shprehet se do të vazhdohet me procedimin e ligjeve që ndërlidhen me reformë në drejtësi.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu zotohet se brenda mandatit të saj do të jetësohen premtimet e qeverisë për sistemin e drejtësisë.

  • Mbi 11 mijë kompani të reja u regjistruan në ATK gjatë vitit 2023

    Mbi 11 mijë kompani të reja u regjistruan në ATK gjatë vitit 2023

    Numri i bizneseve vendore, të cilat u regjistruan si tatimpagues në Administratën Tatimore të Kosovës gjatë vitit 2023, është 11 mijë e 431.

    Këto të dhëna janë bërë të ditura nga ATK.

    Nga ky institucion kanë bërë të ditur se gjatë këtij viti, inspektorët e ATK-së kanë mbylllur 18 biznese.

    “Numri i bizneseve të regjistruara prej 01.01.2023 – 18.12.2023 është 11,431, ndërsa numri i biznese të mbyllura është 18”, ka thënë për lajmi.net Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse e ATK-së.

  • Bajraktari: Sulmi terrorist në Banjskë e vrasja e Liridona Ademajt, ndër ngjarjet më të rënda në 2023-tën

    Bajraktari: Sulmi terrorist në Banjskë e vrasja e Liridona Ademajt, ndër ngjarjet më të rënda në 2023-tën

    Avokati Ardian Bajraktari, ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe vrasja Liridona Ademaj, janë ndër ngjarjet më të rënda që ndodhën gjatë vitit 2023 në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Bajraktari vlerëson se sistemi i drejtësisë në vend është i brishtë, për faktin se kryerësit e veprave penale janë recidivistë.

    “Po në bindjen time dy ishin ngjarjet të cilat natyrisht që bëjnë vitin ngjarjet më të rënda më tragjike është padyshim sulmi i datës 24 shtator sulmi terrorist në përmasat e mija, agresioni në Banjskë të Zveçanit por natyrisht edhe vrasja e të ndjerës Liridona Ademaj për nga mënyra e bindjes përfshirja siç ndryshohet tek bashkëshorti i saj sjellja e tij para e pas vrasjes përfshirë edhe faktin që aty ishin fëmijët në bindjen time e bënë prej ngjarjeve të themi më hatashme jo vetëm të vitit 2023 por edhe më gjatë”, ka thënë Bajraktari.

    Ai pati kritika edhe ndaj sistemit të drejtësisë për mosashpërsim të dënimeve të kryerësve të veprave penale. Ai kërkon që organet ligjzbatuese t’i ashpërsojnë dënimet.

    “Fakti që një pjesë bukur e madhe kryerës të këtyre vepra penale përfshirë vrasjet grabitjet por edhe jo  vetëm që ishin përsëritës të veprave penale përkatësisht recidivistë kjo në bindjen time dëshmon se politika ndëshkimore nuk e ka kryer rolin e misionit e saj përkatësisht kryerës së veprave penale të cilët janë ballafaquar me ligin nuk kanë arritur mjaftueshëm të risocializohen e të rehabilitohen që në të ardhmen të jenë persona të dobishëm për shoqërinë, andaj rrjedhimisht ju mbetet organeve ligjzbatuese që politikën ndëshkimore ta rishikojmë në drejtim të ashpërsimit të dënimeve për kategori të caktuara të veprave penale”, u shpreh ai.

  • Orteku zë dy persona në Pallas të Finlandës, nëna humb jetën, i mituri akoma në kërkim

    Orteku zë dy persona në Pallas të Finlandës, nëna humb jetën, i mituri akoma në kërkim

    Një nënë dhe një fëmijë i mitur janë zënë nga orteku. Ata ishin emigrantë finlandezë dhe ishin në një shëtitje me ski në zonën e Pallastunturi në Muonio.

    Skiatorët thirrën qendrën e urgjencës pasditen e së martës rreth orës 16:00 kur patën probleme për shkak të motit të keq dhe dukshmërisë. Në zonë frynte erë e fortë dhe rreth 23 gradë nën zero.

    Policia nisi një kërkim së bashku me shërbimin e shpëtimit Lapland dhe Vapepa. Njerëzit kërkoheshin me makina dëbore në një zonë të gjerë.

    Në zonë është vërejtur një ortek, i cili ishte rreth 400 metra i gjerë. Nëna u gjet e vdekur nën një ortek të martën rreth orës 22:00.

    Megjithatë, sipas policisë, kërkimi është dashur të ndërpritet për shkak të kushteve të rrezikshme të motit. Kërkimi për fëmijën do të vazhdojë edhe sot e mërkurë. Qentë e shpëtimit përdoren si ndihmë.

    Sipas Tuomas Korhonen, shefi i zjarrfikësve në detyrë i shërbimit të shpëtimit Lapland, shërbimi i shpëtimit nuk është i përfshirë në kërkimin e sotëm. Sipas Korhonen, kërkimet e së martës së paku u penguan nga ngrica e fortë, pothuajse -30 gradë dhe rreziku i orteqeve shtesë.

    Sipas kreut të hetimit, Komisionerja e Krimit, Kirsi Huhtamäki, e Departamentit të Policisë së Laplandës, çështja do të shpallet gjatë të mërkurës, kur kërkimi të ketë përparuar.

    Sipas parashikimit të ortekëve të Institutit Kombëtar Meteorologjik të Finlandës, rreziku i ortekëve në Pallas është i nivelit të dytë, pra mesatar dhe rreziku i ortekëve është rritur në disa forma të tokës. Një shkallë prej 1-5 përdoret në parashikim.

  • Kaçaniku: Moskthimi i centëve nëpër markete sjell fitim tek bizneset rreth 50 milionë euro në vit

    Kaçaniku: Moskthimi i centëve nëpër markete sjell fitim tek bizneset rreth 50 milionë euro në vit

    Qytetarët gjatë blerjeve nëpër markete, në shumë raste nuk i kushtojnë rëndësi të madhe kthimit të centëve. 

    Pothuajse asnjë market në Kosovë nuk ua kthen “kusurin” saktë blerësve. Ne të shumtën e rasteve kur qytetarët i blejnë artikujt me çmime 1.03 euro, ata i paguajnë 1.05 euro në këto raste kusuri prej 2 centësh mbetet në arkë marketit.

    Ky fenomen me vite është i njohur në vendin tonë. Meqenëse në asnjë shtet të botës nuk ndodh te po.

    Sipas përllogaritjeve diku 50 milionë euro në vit është vlera që i fitojnë marketet nga moskthimi i “kusurit”.

    Këtë shifër të përafërt e ka llogaritur Selatin Kaçaniku, nga Shoqata e Mbrojtjes së Konsumatorëve, sipas tij marketet/bizneset nga moskthimi i centëve përllogaritet që fitojnë në vit 50 milionë euro, që nëse zbërthehet me krijimin e vendeve të reja të punës i bie baras me 5 mijë vende pune.

  • Mërgimtarit i vidhet vetura në Prishtinë, ka një lutje për qytetarët

    Mërgimtarit i vidhet vetura në Prishtinë, ka një lutje për qytetarët

    Një veturë e markës gjermane BMW është vjedhur në ditën e parë të vitit në Prishtinë.

    Vetura, e cila ishte e parkuar në fshatin Bardhosh të Prishtinës, i përkiste një mërgimtari dhe mbante targa britanike.

    Pronari i veturës ka kërkuar ndihmë nga qytetarët që të lajmërojnë policinë nëse e shohin veturën.

    “Kjo bmw me targa angleze esht vjedhur ne periferi te Prishtines ju lutem nese e shihni te lajmroni ne ket numer 049577734 ose policinë”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

  • Zhduket një 24-vjeçar në Ferizaj, nëna e tij kërkon ndihmën e Policisë për ta gjetur

    Zhduket një 24-vjeçar në Ferizaj, nëna e tij kërkon ndihmën e Policisë për ta gjetur

    Ndihmën e Policisë e ka kërkuar një grua nga fshati Dubravë e Ferizajt, e cila ka raportuar se djali i tij ka dalë nga shtëpia që disa ditë dhe nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

    Mësohet se i njëjti ka deklaruar para Policisë se gjatë kësaj periudhe familja ka pasur shpresë se 24-vjeçari kthehet, por i njëjti nuk është bërë i gjallë nga 30 dhjetori.

    Përballë kësaj situate, familja vendosi që ta njoftojë Policinë, sipas sinjalit.

    Denoncimi i nënës ka aktivizuar njësitet policore, me ç’rast është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të nisin hetimet për gjetjen e djalit dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.

  • Shqiptarja dhe dy fëmijët e saj vriten nga bashkëshorti amerikan në ShBA

    Shqiptarja dhe dy fëmijët e saj vriten nga bashkëshorti amerikan në ShBA

    Ornela Morgan, shtetase shqiptare me orgjinë nga Korça bashkë me dy djemtë e saj 10-12 vjeç janë vrarë me armë zjarri nga bashkëshorti i saj amerikan, në SHBA.

    Ky i fundi pas vrasjes masakër që i ka bërë familjes së tij ka vrarë dhe veten.

    Prej disa vitesh Ornela Morgan (Rori) jetonte në New York, bashkë me bashkëshortin e saj Watson Morgan, i cili ishte polic, raporton euronews.al.

    Policia shprehet se ende nuk ka një motiv për ngjarjen e rëndë, ndërkohë që ende vijojnë hetimet.

  • Minus 40 gradë Celsius temperaturat në Finlandë e Suedi

    Minus 40 gradë Celsius temperaturat në Finlandë e Suedi

    Finlanda dhe Suedia kanë regjistruar temperaturat më të ulëta të dimrit të martën, kur termometrat treguan në minus 40 gradë Celsius, ndërsa rajoni nordik po përballet me një valë të ftohtit, raporton agjencia “AP”.

    I ftohti dhe bora kanë çrregulluar transportin nëpër rajon, përfshirë edhe në Norvegji ku një autostradë e madhe në jug është mbyllur shkaku i motit dhe po ashtu linjat e trageteve kanë pezulluar punën. Operatorët suedezë të trenit kanë treguar se i ftohti ka shkaktuar probleme të mëdha në trafikun hekurudhor në veri të Arktikut.

    Nikkaluokta, një fshat i vogël i banuar me banorë indigjenë Sami në veri të Suedisë, ka regjistruar të martën temperaturë minus 41.6 gradë Celsius.

    “Është moti më i ftohtë që kemi pasur deri tash këtë dimër dhe do të vazhdojë të jetë mjaft ftohtë në veri”, ka thënë meteorologu i transmetuesit publik suedez SVT, Nils Holmqvist.

    Instituti Hidrometeorologjik i Suedisë, ka raportuar temperatura minus 30 gradë Celsius në disa lokacione në veri të Suedisë, dhe ka lëshuar paralajmërim për borë dhe erëra në pjesën qendrore dhe jugore të Suedisë. Është shkalla e dytë më e lartë e paralajmërimit dhe vlen nga mesnata e të mërkurës.