ATV

Category: Lajme

  • Dëmtohet sërish kyçja për në Mazgit, ministria del me njoftim

    Dëmtohet sërish kyçja për në Mazgit, ministria del me njoftim

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar qytetarët se pjesa e kyçjes në Mazgit është dëmtuar përsëri si pasojë e ndërhyrjeve të realizuara nga KRU “Prishtina” në zonën ku kalon gypi i ujësjellësit.

    Sipas njoftimit, me qëllim të rikthimit të sigurisë dhe funksionalitetit të plotë të kësaj pjese rrugore, shumë shpejt do të nis rehabilitimi i plotë dhe sanimi i dëmtimeve të krijuara.

    “Lusim qytetarët që frekuentojnë këtë rrugë të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit dhe mirëkuptim deri në përfundimin e punimeve që do të realizohen në afatin më të shpejtë të mundshëm”, bën thirrje ministria.

  • 34 shtete miratojnë krijimin e një gjykate speciale në Ukrainë për të ndjekur penalisht Rusinë

    34 shtete miratojnë krijimin e një gjykate speciale në Ukrainë për të ndjekur penalisht Rusinë

    Tridhjetë e katër shtete evropiane, së bashku me Australinë, Kosta Rika dhe Bashkimi Evropian, kanë deklaruar se do t’i bashkohen gjykatës speciale për Ukrainën, e cila synon të ndjekë penalisht Rusinë për pushtimin e nisur në vitin 2022.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nënshkroi vitin e kaluar një marrëveshje me Këshilli i Evropës për krijimin e një organi ligjor që do të trajtojë “krimin e agresionit” lidhur me luftën në Ukrainë.

    Këshilli i Ministrave i organizatës, i përbërë nga ministrat e jashtëm të 46 shteteve anëtare, miratoi një rezolutë që vendos bazat për krijimin e gjykatës së ardhshme.

    Sipas deklaratës zyrtare, 34 shtete anëtare të Këshillit të Evropës, së bashku me Bashkimin Evropian si institucion, Australia dhe Kosta Rika, kanë “shprehur qëllimin” për t’u bashkuar në marrëveshjen për themelimin e tribunalit.

    Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset, deklaroi se “koha që Rusia të mbajë përgjegjësi për agresionin e saj po afron me shpejtësi”.

    “Tribunali i posaçëm përfaqëson drejtësinë dhe shpresën. Tani duhet të ndërmerren veprime për të ndjekur këtë angazhim politik duke siguruar funksionimin dhe financimin e tribunalit”, tha ai.

    Në mesin e anëtarëve të Këshillit të Evropës janë 27 vendet e BE-së, por edhe shtete jashtë bllokut si Turqia, Britania e Madhe dhe Ukraina.

    Rusia u përjashtua nga Këshilli i Evropës në vitin 2022, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.

  • Nis mbledhja komemorative për Alush Gashin, Osmani e Abdixhiku shkruajnë në librin e zisë

    Nis mbledhja komemorative për Alush Gashin, Osmani e Abdixhiku shkruajnë në librin e zisë

    Ka nisur mbledhja komemorative për nder të Alush Gashit, profesorit dhe politikanit të shquar, raporton Ekonomia Online.

    Para nisjes, kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani është shkruar në librinë e zisë.

    I pranishëm ishte edhe kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

  • ‘‘Avullimi” i shpenzimeve kapitale’’, Hoti: E pamundur të arsyetohen 2.7 miliardë euro gjatë qeverisjes Kurti

    ‘‘Avullimi” i shpenzimeve kapitale’’, Hoti: E pamundur të arsyetohen 2.7 miliardë euro gjatë qeverisjes Kurti

    Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se është e ‘’pamundur’’ të identifikohen projektet e investimeve kapitale përgjatë qeverisjes 2021-2025.

    Hoti, ka deklaruar se për dallim për qeverisjen Kurti, shpenzimet kapitale përgjatë viteve 2015-2020, mund të ‘’identifikohen qartë’’

    Postimi:

    “Avullimi” i shpenzimeve kapitale të Qeverisë Kurti gjatë viteve 2021-2025

    Të gjitha Qeveritë e Kosovës të viteve 2015-2020 (6 vite) kanë menaxhuar buxhet total prej 11.7 miliardë euro. Nga ky buxhet, për shpenzime kapitale janë dedikuar 2 miliardë euro, me të cilin janë ndërtuar shumica e kapitalit publik që e gëzojmë sot: autostrada, rrugë rajonale, shkolla, ujësjellës e kanalizime, sisteme të ujitjes dhe projekte të tjera publike.

    Qeveria Kurti në vitet 2021-2025 (6 vite) ka menaxhuar buxhet total prej 14.9 miliardë euro, që është 27% më i lartë se buxheti i gjashtë viteve paraprake (2015-2020). Nga ky buxhet total, Qeveria Kurti ka investuar 2.7 miliardë euro.

    Se ku kanë shkuar shpenzimet kapitale 2015-2020 mund të identifikohet qartë.

    Por është e pamundur të identifikohen projektet për vitet 2021-2025, të cilat i arsyetojnë shpenzimet prej 2.7 miliardë euro.

  • Hamza në familjen Thaçi në Mitrovicë : Është koha t’i themi STOP krizës dhe ta ndryshojmë Kosovën

    Hamza në familjen Thaçi në Mitrovicë : Është koha t’i themi STOP krizës dhe ta ndryshojmë Kosovën

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka vazhduar takimet me qytetarë në kuadër të fushatës zgjedhore, duke theksuar se ndryshimi duhet të vijë nga dëgjimi i drejtpërdrejtë i shqetësimeve të qytetarëve.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hamza bëri të ditur se kësaj radhe është mirëpritur nga familja Thaçi në Mitrovicë, ku ka biseduar për vështirësitë ekonomike dhe sociale me të cilat po përballen shumë familje kosovare.

    “Derë më derë, shtëpi më shtëpi, për të dëgjuar nga afër nevojat dhe shqetësimet reale të qytetarëve tanë”, ka shkruar Hamza.

    Kryefamiljari Besim Thaçi, profesor i teknologjisë, ka theksuar se situata ekonomike në vend është vështirësuar dukshëm gjatë viteve të fundit, pasi çmimet janë rritur vazhdimisht, ndërsa pagat kanë mbetur pothuajse të njëjta që nga koha kur, sipas tij, ato ishin rritur nga Hamza në cilësinë e ish-ministrit të Financave.

    Hamza ka vlerësuar se Kosova po kalon një krizë të thellë ekonomike dhe sociale gjatë viteve të fundit, duke theksuar se çmimet e larta, pagat e vogla dhe mirëqenia e përkeqësuar janë bërë barrë për shumë qytetarë.

    Sipas Hamzës, është jetike që Kosovës t’i jepet një drejtim i ri politik dhe ekonomik, me rritje pagash e pensionesh, ulje të tatimeve, investime të mëdha në ekonomi, shëndetësi e arsim.

    “Prandaj është jetike t’i themi STOP krizës dhe, bashkë, ta ndryshojmë Kosovën. Ky është misioni ynë. Ky është zotimi ynë”, ka deklaruar ai.

  • Mbeturinat vëllimore, pastrohen 55 lokacione në Prishtinë, Rektoceri: Vendimet e Qeverisë mos të jenë elektorale, duhet bashkëpunim real

    Mbeturinat vëllimore, pastrohen 55 lokacione në Prishtinë, Rektoceri: Vendimet e Qeverisë mos të jenë elektorale, duhet bashkëpunim real

    Ani pse në ditët e fundit ka nisur largimi i mbeturinave vëllimore nga disa zona të Prishtinës, një ditë më parë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se situata me mbeturinat në Kosovë është emergjente.

    Për situatën e krijuar muajve të fundit, Drejtori i Shërbimeve Publike në kryeqytet, Leutrim Retkoceri, fajin ia la vendimit të Ministrisë së Mjedisit.

    “Arsyeja pse ka qenë dhe është parë një vëllim kaq i madh i mbeturinave, është sepse për dy muaj rresht nuk janë marrë mbeturinat vëllimore dhe inertet nga kryeqyteti, pasi Ministria e Ambientit ka lëshuar një vendim, e cila ka bllokuar deponinë që ka qenë në Matiçan për këto mbeturina. Dhe kompanitë nuk kanë mundur t’i dërgojnë askund tjetër sepse nuk i kanë pranuar as në deponinë e Mirashit”, u shpreh ai.

    Ai ka folur edhe për hapat që komuna ka ndërmarrë për menaxhimin e situatës dhe zgjidhjen afatgjate të problemit.

    “Ne i kemi marrë të gjitha hapat e nevojshëm për sigurimin e lokacioneve dhe procedurën për të ndërtuar një qendër tranzitore të mbeturinave vëllimore, në të cilën po grumbullohen mbeturinat vëllimore dhe pastaj ato do të ndahen, klasifikohen dhe të shpërndahen në deponitë qendrore ashtu siç e kërkon edhe legjislacioni në fuqi. Aksioni është pritur jashtëzakonisht mirë nga qytetarët. Një fenomen çka është vërejtur është se në të gjitha lagjet, e sidomos ato urbane në kryeqytet, deponitë apo mbeturinat ilegale vendosen pranë kontejnerëve nga qytetarët që nuk jetojnë në ato lagje, fatkeqësisht”, thotë drejtori Retkoceri.

    Duke folur për gjendjen aktuale në terren, Retkoceri tha se janë identifikuar dhjetëra lokacione problematike.

    “Nga ekipi i Shërbimeve Publike që jemi organizuar nga e shtuna, i kemi identifikuar 72 lokacione. Nga këto, deri më tani janë pastruar tërësisht 55 lokacione. Ka mbetur edhe një numër i vogël i lokacioneve pa përfunduar dhe ne shumë shpejt do të mbërrijmë edhe te përfundimi i atyre lokacioneve dhe do të kujdesemi për mirëmbajtjen, për çka kërkojmë ndihmën e të gjithë qytetarëve dhe personave që mund të kontribuojnë në identifikimin e kryerësve të këtyre veprimeve që hedhin mbeturina dhe në anën tjetër ndihmojnë në lokalizimin sa më të shpejtë të këtyre vendeve ku duhet të intervenohet”,  thekson tutje ai.

  • Trump: Lufta mund të përshkallëzohet nëse Irani s’jep “përgjigjet e duhura”

    Trump: Lufta mund të përshkallëzohet nëse Irani s’jep “përgjigjet e duhura”

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se është i gatshëm të presë “disa ditë” për përgjigjen e Iranit ndaj propozimit më të fundit të Uashingtonit që synon përfundimin e luftës, por paralajmëroi se situata mund të përshkallëzohet shpejt, nëse Teherani nuk jep “përgjigjet e duhura”.

    “Më besoni, nëse nuk marrim përgjigjet e duhura, gjithçka mund të përshpejtohet. Ne të gjithë jemi gati”, u tha Trump gazetarëve në një ngjarje në Konektikat.

    I pyetur se sa gjatë është i gatshëm të presë, Trump tha: “Mund të jenë disa ditë, por gjithçka mund të ndodhë shumë shpejt”.

    Më herët, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e diplomimit në Akademinë e Rojës Bregdetare të SHBA-së, Trump tha se Shtetet e Bashkuara mund të kryejnë sulme të tjera ndaj Iranit nëse negociatat dështojnë.

    “I goditëm shumë fort. Mund të na duhet t’i godasim edhe më fort, por ndoshta jo”, tha ai, duke përsëritur qëndrimin e administratës së tij për programin bërthamor të Iranit.

    “Nuk do ta lejojmë Iranin të ketë armë bërthamore. Është shumë e thjeshtë”, u shpreh Trump.

    Këto komente erdhën menjëherë pasi Ministria e Jashtme e Iranit deklaroi se Teherani po shqyrton një propozim të ri amerikan, i cili thuhet se është dorëzuar përmes ndërmjetësve pakistanezë.

    Pakistani ka organizuar të vetmin rund zyrtar të bisedimeve të paqes Iran-SHBA, që është mbajtur deri më tani, dhe që atëherë shërben si kanal kryesor i komunikimit midis dy palëve.

    Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit paralajmëruan më vonë se çdo sulm i ri nga SHBA-ja mund ta zgjerojë konfliktin “përtej rajonit”.

    Që nga 28 shkurti, SHBA-ja dhe Izraeli janë në konflikt të hapur me Iranin dhe aleatët e tij, pas një vale sulmesh ajrore që goditën objektiva ushtarake dhe shtetërore iraniane dhe eliminuan disa figura të larta, përfshirë udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

    Sulmet ndodhën në mes të negociatave për programin bërthamor të Iranit, duke i dhënë një goditje të fortë diplomacisë.

    Irani reagoi me raketa dhe dronë ndaj Izraelit, bazave amerikane dhe vendeve aleate në rajon, si dhe mbylli Ngushticën e Hormuzit, duke tronditur tregtinë globale.

  • Sekuestrohen rreth 8 kg ari dhe argjend në Prizren, në vlerë mbi 460 mijë euro

    Sekuestrohen rreth 8 kg ari dhe argjend në Prizren, në vlerë mbi 460 mijë euro

    Prokuroria Themelore në Prizren, në koordinim me Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, si dhe në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka zhvilluar veprime hetimore lidhur me dyshimet se disa biznese për shitjen e arit në qytetin e Prizrenit janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, duke iu shmangur detyrimeve doganore dhe tatimore lidhur me tregtimin e arit dhe argjendit.

    Në njoftim bëhet e ditur se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore që kanë nisur nga data 19.09.2025, me urdhër të prokurorit të çështjes me datë 20.05.2026, janë realizuar kontrolle në gjashtë lokale afariste në qytetin e Prizrenit, si dhe në tri shtëpi banimi.

    “Nga kontrollet e realizuara janë sekuestruar gjithsej: 3.775,33 gram ari i padeklaruar, në vlerë të përafërt prej rreth 455.000 euro dhe 4.204,98 gram argjend i padeklaruar, në vlerë të përafërt prej rreth 8.900 euro”, thuhet në njoftim.

    Në njoftim më tej bëhet e ditur se gjatë kontrolleve janë siguruar dëshmi materiale dhe është iniciuar rast ndaj katër personave për veprat penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 dhe “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore” nga neni 312 të KPRK-së.

    Po ashtu, gjatë kontrolleve në dy lokacione të ndryshme janë gjetur dhe sekuestruar dy armë/pistoleta pa leje dhe është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 të KPRK-së.

  • Babai rrah vajzën në Malishevë, i bastiset shtëpia

    Babai rrah vajzën në Malishevë, i bastiset shtëpia

    Një person është arrestuar në Malishevë, pasi i njëjti ka sulmuar fizikisht vajzën e tij.

    Policia ka njoftuar se është kryer bastisja në shtëpinë e të dyshuarit ku gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator dhe një fishekë.

    “Është arrestuar i dyshuari m/k pasi që i njëjti kishte sulmuar fizikisht viktimën f/k vajzën e tij. Me vendim të prokurorit është kryer bastisja në shtëpinë e të dyshuarit ku gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator dhe një fishekë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Irani ekzekuton edhe dy të burgosur të tjerë

    Irani ekzekuton edhe dy të burgosur të tjerë

    Gjyqësori iranian ka njoftuar se më 21 maj ka ekzekutuar dy burra, në kuadër të asaj që është përshkruar si një fushatë më e ashpër e ekzekutimeve në kohën e konfliktit me SHBA-në dhe Izraelin.

    Sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, e cila është e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), dy burrat janë akuzuar për formimin e një grupi me qëllim destabilizimin e sigurisë së vendit dhe për anëtarësi në një organizatë që autoritetet e kanë përshkruar si “terroriste separatiste”.

    Tasnim i ka identifikuar ata si Ramin Zaleh dhe Karim Maroufpour.

    Sipas gjyqësorit iranian, të dy kanë pranuar se kanë bashkëpunuar në një plan për vrasjen e komandantit të IRGC-së në Iranin perëndimor dhe për ruajtjen e armëve për këtë sulm.

    Megjithatë, nuk është e qartë se në çfarë rrethanash janë marrë këto deklarata.

    Organizatat për të drejtat e njeriut i kanë dënuar gjykimet e tilla.

    Qendra për të Drejtat e Njeriut në Iran (CHRI), me seli në Oslo, ka deklaruar se shumë prej këtyre proceseve gjyqësore janë shoqëruar me “tortura, rrëfime të detyruara dhe mungesë të plotë të procesit të rregullt ligjor”.

    Ekzekutimet janë intensifikuar që nga 18 marsi – disa javë pas fillimit të luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

    CHRI dhe organizata “Së bashku kundër dënimit me vdekje”, me seli në Paris, kanë raportuar se të paktën 1.639 persona janë ekzekutuar në Iran në vitin 2025, përfshirë 48 gra, duke e renditur Iranin ndër vendet me numrin më të lartë të ekzekutimeve në botë./REL