Gazetari dhe analisti politikë, Zekirja Shabani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se duhet të reformohet Bashkësia Islame, në mënyrë që sipas tij, besimtarët myslimanë të kenë një përfaqësim më të dinjitetshëm.
“Si besimtarë, ne besojmë se Bashkësia Islame përfaqëson interesat e besimtarëve në Kosovë. Tash, a është Naim Tërrnava, a është Sabri Bajgora, a është dikush tjetër, në krye të atij institucioni, është çështje tjetër që besoj se ka vend dhe duhet me u diskutu edhe duhet me u ndryshu. Kur flasim për këtë që reforma duhet me u ba në fe, unë mendoj se reforma duhet me u ba në Bashkësinë Islame, për shkak të nevojës për përfaqësim më të dinjitetshëm të besimtarëve në Kosovë”, tha Shabani.
Ai tha se është i domosdoshme edhe avancimi i diskutimit për fenë.
“Unë mendoj se është e domosdoshme avancimi i diskutimit për fenë duke fillu nëpër xhamia, do të thotë mënyra qysh ligjërohet për fenë, hoxhallarët, kompetenca e tyre për me diskutu për tema të caktuara, duhet me nisë e me pa Bashkësia Islame se çfarë hoxhallarë ka”, tha Shabani. /atvlive.tv
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin për largimin e regjimit të letër ngjitësve/stikerave për veturat me targa të Serbisë.
Siç thuhet në njoftim e Qeverisë “heqja e regjimit të letër stikerave është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”.
“Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Qeveria në Beograd mori vendimin që zyrtarisht të njohë targat e automjeteve RKS, në territorin e Serbisë, nga 1 janari i këtij viti.
Kështu pas vendimit të Qeverisë serbe, edhe Bashkimi Evropian priste nga Kosova që të ketë një vendim të ngjashëm për veturat me targa serbe, vendim të cilin e mori të enjten në mbrëmje (sonte).
Kryetari i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar aktivitetin me nxënësit në “Xhaminë Mati 1” me temën “Si mund të i bindi prindërit të mos e festojnë Vitin e Ri”, tha se porosia nga kjo ligjëratë ishte paqësore dhe e dobishme.
“E drejtë e secilit fëmijë është të mësojë atë çka është e mirë, atë çka është edukuese për ata dhe të ardhmen e tyre. Porosia e tyre ishte shumë e kulturuar, shumë paqësore edhe shumë e dobishme”, tha Kelmendi.
Ai tregoi se se edhe vetë, qysh në vitin 2006 kishte filluar ta praktikojë fenë islame dhe që nga ajo kohë, nuk e ka festuar Vitin e Ri.
“Për hir të korrektësisë tuaj, në vitin 2006 kur kam diplomu në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë këtu në Stomatologji, nga viti 2006 kam filluar ta praktikoj besimin, do të thotë të fali pesë vakte namaz dhe nga 2006, unë nuk e festoj Vitin e Ri, ngase mësimet e fesë, jo të mijat, unë nuk jam autoriteti që mund t’i them dikuj festo ose mos festo se nuk kam kry shkollë për këtë çështje, por dijetarët ndërkombëtarë dhe vendor të vendit tonë, e ata që merren me shkencë dhe merren me fe, na kanë mësuar dhe e kemi mësuar që nuk festohet Viti i Ri, ngase nuk është festë e jona”, tregoi Kelmendi. /atvlive.tv
Kryetari i Partisë Republikane të Serbisë, Nikola Sandulovic, është kthyer në shtëpi në gjendje të rëndë shëndetësore.
Klara Sandulovic, e bija politikanit serb, në një prononcim për “Slobodna Dalmacija” të Kroacisë, ka treguar se i ati ka shenja të panumërta trupit dhe lëndime si pasojë e goditjeve.
Sipas asaj që ka thënë Klara, Sanduloviq ka mbetur i paralizuar, derisa ajo shton edhe dyshimet për helmimin e tij, ndërsa tregon edhe fragmente nga moment i arrestimit nga BIA – shërbimi sekret.
“Dje gruaja e tij e ka gjetur derën e shtëpisë të shkyçur dhe babai nuk ishte askund. Ajo menjëherë ka shkuar në polici, për ta raportuar zhduken e tij dhe aty asaj i është thënë ‘mos u brengosni, ai është i sigurt dhe do të kthehet’. Kjo ishte shenja se diçka nuk ishte në rregull”, ka thënë Klara për mediumin kroat.
“Mëngjesin e sotëm ajo ka pritur deri në orën 09:00 te spitali, pasi e kishte kuptuar se ishte aty, pa i dhënë askush informacion, por vetëm që ishte nën kujdesin e shërbimit ushtarak dhe se informacione mund të jepte vetëm një ‘doktor i besueshëm’”.
“Ai dyshohet se ka mbetur i palëvizshëm, gjithçka duket se ai është helmuar me agjent nervor”, ka shtuar ajo.
Në momentin e arrestimit të babait të saj, ajo ndodhej në Split të Kroacisë, ku kishte shkuar për t’i kaluar festat e fundvitit. Pas zhvillimeve ajo thotë se është kthyer në Beograd.
Sandulovic është sulmuar pas publikimit të pamjeve duke bërë homazhe në Prekaz ku dhe ka kërkuar falje për krimet e Serbisë në Kosovë.
Oborri i Qeverisë jo rrallë u bë vendtakim i punëtorëve të institucioneve të ndryshme.
Përmes protestave ata shprehën pakënaqësitë e tyre që i kishin me Qeverinë e Kosovës.
Madje, për herë të parë gjatë 2023-tës, para ndërtesës së ekzekutivit në rolin e protestuesve doli njësia më elite e Policisë së Kosovës, që kërkoi kushte më të mira për punë.
Përveç që i mori shtesat me 9 muaj vonesë, kjo njësi nuk pajtohej me shumën që ndau Qeveria për të.
Mirëpo, ndryshe nga policët shtesa të rrezikshmërisë nuk gëzuan zjarrfikësit. Për këtë dhe arsye të tjera, ata në muajt e fundit të vitit që lamë pas, organizuan dy herë protesta.
Protestë pati edhe nga ana e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Ndërkaq, para Qeverisë nuk u mblodhën, por minatorët vendosën që grevën ta zgjedhin si opsion për t’i shprehur pakënaqësitë. Për 10 ditë sa mbajtën grevë ata u përballën edhe me probleme shëndetësore derisa një marrëveshje e arritën.
Njohësit e çështjeve politike dhe të atyre të drejtësisë e kritikojnë sjelljen e qeverisë ndaj kërkesave të punëtorëve.
Protestat nuk munguan as nga punëtorët shëndetësorë, shkak ishte ulja e pagave që u bë në disa sektorë me ligjin e ri të pagave.
Pas më shumë se dy vjet qeverisje, koalicioni i formuar në komunën e Prizrenit nuk mundi të mbijetojë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u tërhoq nga koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës, në këtë komunë.
Sipas Edmond Hoxhës që mbante postin e drejtorit për Mirëqenie Sociale, deri sot koalicioni u prish pasi u refuzuan kërkesat për zëvendësim të udhëheqjeve të drejtorive.
“Duke filluar nga mungesa e komunikimit, kryetari Totaj nuk e ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e drejtoreve të shëndetësisë dhe emergjencave dhe kjo ka shkaktuar përçarje”, tha Hoxha.
Kryetari Shaqir Totaj tha se e ka parë të arsyeshëm vetëm zëvendësimin e drejtoreshës së Shëndetësisë, për shkak të performancës së dobët.
“Dhe si kriter i dytë ka konflikt interesi pasi është motra e kryetarit të degës. Ata kanë kërkuar që të ndërrohet edhe drejtoresha e emergjencave. Mirëpo, ne kemi konsiderua se ajo ka një performancë solide dhe kanë thëse në qoftë se ju insistoni ta ndërroni vetëm drejtoreshën e shëndetësisë, ne do të tërhiqemi nga koalicioni”, tha Totaj.
Megjithatë, kryetari thotë se vazhdon të jetë i hapur për marrëveshje e bashkëpunim.
“Drejtoresha e emergjencave nuk është tërheqë, i kam thënë mundesh me qëndrua… njësoj i kam thënë edhe drejtorit të mirëqenies po ai nuk ka dashtë me vazhdua”, tha Totaj.
E për partinë opozitare, Vetëvendosje në këtë komunë prishja e koalicionit ishte e pritshme.
Mandatin e kryetarit të cilin Totaj e fitoi në zgjedhjet lokale më 2021, deri më tani e ushtroi në bashkëpunim me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate.
Këtë herë, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, u paraqit në Gjykatë.
Kështu, pas disa dështimeve si pasojë e mungesës së deputetit, u krijuan kushtet që të fillojë seanca gjyqësor ndaj tij.
Xhavit Haliti dyshohet se në maj të 2018-ës, e kishte sulmuar deputetin e LDK-së, Arben Gashi, në hapësirat e Kuvendit. Në fjalën e tij, deputeti Gashi u shpreh se rasti në fjalë ishte aksident, që do të duhej të merrte fund në Kuvend.
“Kjo çështje ka qenë aksidentale. Ka ndodhur në Kuvend dhe do të duhej të përfundonte në Kuvend. Nuk më kujtohet saktë, por ka mundësi të jetë e vërtetë. Arsyeja pse mendoj që është çështje e Kuvendit është sepse debati është bërë në Kuvend, shtyrja ka filluar në Kuvend dhe s’ka pasur asgjë personale, të paktën ashtu e kam konsideruar unë”, tha Gashi.
Ndërkaq, avokati mbrojtës i Xhavit Halitit, kërkoi nga prokuroria të paraqesë prova më kredibile.
“Ne besojmë që Gjykata ka rastin ta disiplinojë Prokurorinë dhe të gjitha palët që të sjellin prova në Gjykatë, por edhe ato që i propozojnë me qenë autentike, pa ndërhyrje të plota dhe burimore. Në ato dy incizime shihet qartazi se ngjarja është e shkëputur dhe e prerë në montazh. Siç e thashë në fjalën hyrëse, është e çuditshme pse Prokuroria propozon incizime të komentuara dhe të analizuara nga mediume kur në publik ekziston së paku një video pa ndërhyrje dhe pa zë. Propozoj që në një afat sa më të shpejtë, video-incizimi të kërkohet pa ndërhyrje dhe prerje”, tha Kujtim Kërveshi, avokat mbrojtës i Xhavit Halitit.
Ndërkohë, i akuzuari Haliti deklaroi para trupit gjykues se me Arben Gashin ka raporte të mira. Ndërsa, veprimi që ndërmori në vitin 2018, sipas tij, nuk ishte i planifikuar.
“Nuk më kujtohet shumë mirë, nuk e di nëse mora në thu, apo ma qiti këmbën dikush, por me rëndësi unë isha duke u rrëzuar dhe jam mbajtur për dikë, pra ka qenë moment i paplanifikuar. Kam shkuar për të votuar dhe nuk e kam parë Arben Gashin para se të merrja në thu. Sa i përket Arben Gashit, ne jemi fqinj pasi që i kemi fshatrat pranë njëri-tjetrit. Babën e tij, Xhemajlin, e kam pasur shok dhe në kohën kur kemi vepruar i kemi pasur shokët e përbashkët dhe jam i bindur që kurrë të keqe nuk kemi pasur me njëri-tjetrin. Një javë pasi ka ndodhur ngjarja kam folur me Arbenin në korridor të Kuvendit dhe jemi përqafuar dhe vazhdimisht kur jemi takuar kemi buzëqeshur”, tha Haliti.
Prokuroria përmes aktakuzës, me urdhër ndëshkimor, më parë kishte kërkuar dënim me gjobë pa shqyrtim gjyqësor për të pandehurit, Xhavit Haliti, dhe ish-deputetin Gani Dreshaj, i cili sipas dosjes së prokurorisë, kishte kanosur Arben Gashin.
Pranimi i kundërshtimit të ushtruar nga Xhavit Haliti, rezultoi me mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor për të vendosur përsëri për rastin në fjalë, por, vetëm për Xhavit Halitin.
Banorët e fshatit Gjonaj të Prizrenit, pritën dy muaj që dikush t’ua rregullojë një problem që patën me energji elektrike.
Meqë problemi nuk u rregullua, banorët e lagjes Brejze vendosën t’ia vënë flakën trafostacionit, në shenjë revolte.
Kjo, sipas banorëve, ishte e vetmja mënyrë që KEDS-i të vinte për ta ndërruar trafon.
“Kjo është në shenjë pakënaqësie për këtë çka është duke ndodhë, kemi ba përmbi 100 kërkesa po krejt premtime të kota, s’ka pasë plan për këtë edhe ka ardhë deri te kjo revoltë”, tha Besnik Demiraj, banor i fshatit Gjonaj.
Revoltën e të rriturve e pësuan fëmijët. Në mungesë të energjisë elektrike, edhe mësimi në shkollën e fshatit u mbajt vetëm në tri orët e para.
Por, inatosja e banorëve rezultoi e efektshme, ngase KEDS-i të enjten, doli në terren dhe ndërroi trafon e djegur.
Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, përmes një përgjigje me shkrim për ATV-në, e ka dënuar sulmin, derisa kërkoi që rasti të zbardhet sa më parë.
“KEDS-i i ka informuar menjëherë organet e rendit. Një ekip i KEDS-it ka qenë dje në vendin e ngjarjes, bashkë me Policinë e Kosovës. KEDS-i dënon këtë akt të shëmtuar dhe fton organet e rendit dhe të drejtësisë që po merren me këtë rast, t’i sjellin para drejtësisë kryesit e tij”, thuhet në përgjigjen e KEDS-it.
Me rastin po merren edhe organet e rendit, prokuroria rastin e ka cilësuar si zjarrvënie, ndërkaq policia ka bërë të ditur se ka intervistuar disa banorë të fshatit.
Klinika e Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare, para pesë muajsh ka pranuar donacion të aparaturave me inteligjencë artificiale. Vlera e donacionit ishte 300 mijë euro.
Por, deri tash aparatura mbeti jashtë funksionit. Ndërkohë, drejtori i klinikës, Shemsi Veseli, tha se pas dy muajve do të fillojë shfrytëzimi i tyre.
E në bazë të këtyre aparaturave përcaktohet diagnoza e saktë për pacientët përmes ekranit bëhen pyetjet për pacientë, po ashtu sedimenti urinës dhe të gjitha bëhen përmes internetit. Do të kursehet koha, stafi mjekësor s’kanë me përdorë mikroskopin për urinë, pasi mikroskopi gjendet brenda aparaturës automatikisht…. Procedura është shum e shpejtë në mënyrë automatike del rezultati… I kemi pranuar dy aparatura për urinë, analiza të lëngshme dhe 3 për analiza biokimike (të gjakut)”, tha Veseli.
Shfrytëzimin e aparaturës moderne e mirëpret edhe stafi mjekësor.
“Këto aparatura duhet me ditë me i përdorë e na stafi jemi të trajnum për me i përdor. Këto aparatura bëjnë edhe aftësinë e punëtorëve shendetësor pra po ecmi me kohën… ka me na u lehtësu puna”, tha Agron Muqolli, përgjegjës i Laboratorit Emergjent.
Për shkak të ndjeshmërisë që kanë, megjithatë çfarëdo defekti që shfaqet, qendrat kryesore të pajisjeve mjekësore do të merren me rregullimin e tyre.
“Aparaturat do të kenë lidhje robotike me qendrat në Zvicër, Gjermani e Amerikë nëse kanë ndonjë problem aparaturat për mos me ba gabime”, tha Veseli.
Inteligjenca artificiale është e paraparë të ndryshojë edhe praktikën e mjekësisë, ndonëse zbatimi i saj në praktikë ende duhet eksploruar.
“Ne fushën e mjekësisë inteligjenca artificiale ka me ndërru boten komplet. Një mjek mëson teorinë ne fakultet, ndërkoha inteligjenca artificiale jep mundësi me praktiku krejt komplet ndryshe.. Një mjeku t’mirë i duhen 10 vjet për mu ba shumë i fort se ka me pa lloj sëmundje te pacientët, ndërsa me IA shihen te gjitha informatat për miliona pacientë dhe meniher mundet me tregu se qysh e ka gjakun ritmin e zemrës, diagnoza i behet aty për aty, ndërkohë mjekut i vyn disa dite për me verifiku një diagnozë. Mjekët i kemi moshave ma t vjetra e me ua ofru këtë shërbim ka me kanë shume ma lehtë se të rinjtë po ikin”, tha Kristjan Kabashi, sipërmarrës i fushës së financave dhe teknologjisë.
Sipas të dhënave të Menaxhmentit Drejtues, në Klinikën e Biokimisë dhe Laboratorin Emergjent të kësaj klinike, mesatarisht brenda 24 orëve realizohen rreth 700 analiza biokimike.
Dënimet e ulëta dhe gjobat vlerësohen të jenë arsyet kryesore që në Kosovë vazhdon të ketë numër të lartë të rasteve të dhunës ndaj grave, por edhe vrasje të tyre.
Tri gra të vdekura dhe mbi 2 mijë raste të dhunës në familje, janë regjistruar vetëm gjatë vitit të kaluar.
Për parandalimin e këtyre rasteve, Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se ndërmjet institucioneve të rendit duhet të ketë më shumë bashkëpunim.
“Në vazhdimësi, ne kemi raportuar dhe kemi përmendur raste ku ka dështuar zinxhiri institucional, qoftë në fazën e trajtimit të rastit në polici, qoftë pastaj në fazën e trajtimit në prokurori, apo në fund edhe në gjykatë. Kur them në gjykatë, në vazhdimësi vërejtjet tona më të mëdha kanë pasur të bëjnë me politikën ndëshkimore në këto raste”, tha Rezniqi.
Sipas Rezniqit, rastet me fatalitet janë pikërisht ato që paraprakisht janë raportuar, mirëpo nuk e kanë marrë epilogun e duhur.
Ashpërsim të dënimeve ndaj rasteve të dhunës në familje, por edhe bashkëpunim ndërinstitucional kërkojnë nga Rrjeti i Grave të Kosovës.
“Një prej këtyre formave, përveç infrastrukturës ligjore, fushatave vetëdijesuese është edhe ashpërsimi i dënimeve për rastet e dhunës me bazë gjinore. Ne shpesh kemi parë fatkeqësisht që dënimet për këto raste kanë qenë shumë të ulëta – mbi 80 ose 90 për qind të dënimeve për dhunë janë me gjobë, dënime alternative dhe ka shumë pak dënime me burgim efektiv”, tha Adelinë Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës.
Po ashtu, Berisha thotë se Policia duhet ta ruajë konfidencialitetin e atyre që raportojnë për dhunë në familje.
Tri vrasjet që ndodhën në 2023 është ajo e Liridona Ademajt në fund të muajit nëntor, vrasja e një gruaje në Pejë për çka dyshohet i biri i saj dhe vrasja e një argjentinase nga partneri i saj në Fushë-Kosovë. /atvlive.tv