ATV

Category: Lajme

  • Britania i siguron mbështetje Kosovës në siguri dhe njohje të reja

    Britania i siguron mbështetje Kosovës në siguri dhe njohje të reja

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Britania e Madhe do ta ndihmojë Kosovën në aspiratat e saj, posaçërisht në procesin e njohjeve të reja tha të enjten në Prishtinë Ministri i Jashtëm britanik, David Cameron.

    Në një konferencë për media së bashku me homologen nga Kosova Donika Gërvalla, Cameron ka theksuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor duke thënë se Britania e Madhe po investon në këtë.

    “Ne folëm këtë mëngjes për sigurinë tuaj dhe kontributin e rëndësishëm që mund të japim për këtë. Mendoj që njëra prej gjërave që e dëgjova e që është shumë e rëndësishme është rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Kjo është diçka në të cilën po investon Britania e Madhe. Jetojmë në një botë me pasiguri të mëdha, me konflikte të mëdha, dhe është një periudhë ku shtetet si ne Britania duhet t’i përkrahim miqtë tanë, të punojmë për së afërmi në aleancat tona”, tha Cameron.

    Diplomati britanik, po ashtu, ka thënë se shteti i tij do ta ndihmojë Kosovën në sferën e njohjeve.

    “Jemi përkrahës të mëdhenj të pavarësisë, sovranitetit dhe të drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët si një vend i plotë, sovran dhe anëtar i familjes së kombeve. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, për t’ju promovuar, për t’ju ndihmuar në të gjitha mënyrat që mundemi”, ka deklaruar ai.

    Duke shprehur falënderimin për përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar, Ministrja e jashtme Donika Gërvalla tha se e njoftoi diplomatin britanik për sfidat me të cilat është përballur Kosova gjatë vitit të kaluar, përfshirë këtu edhe sulmin në Banjskë të Zveçanit.

    “E falënderova për dërgimin e trupave shtesë pas sulmit të Kosovës nga Serbia më 24 shtator. Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm atëherë kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur. Ka qenë i suksesshëm kur ka vepruar me vendosmëri përballë një Moske agresive. Ekziston një konsensus gjithë shoqëror që Kosova është pjesë e Perëndimit. Mbi 90 për qind e mbështesin Kosovën në integrimet brenda BE-së”, tha Gërvalla.

    Cameron, me të mbërritur mbrëmë në Kosovë, zhvilloi një takim pune me kryeministrin Albin Kurti. Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti theksoi se marrëdhëniet bilaterale mes të dyja shteteve janë të palëkundura, teksa falënderoi sekretarin Britanik për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

    Në fund të vizitës në Kosovë, Cameron takoi edhe presidenten e vendit Vjosa Osmanin, me të cilën u tha se biseduan për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, paqen e sigurinë.

  • Rrahja në Merdarë, lëndohen dy policë dhe arrestohen tre mërgimtarë

    Rrahja në Merdarë, lëndohen dy policë dhe arrestohen tre mërgimtarë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Kolonën mbi 2 kilometra në pikën kufitare Merdar tentoi ta shmangë duke lëvizur në krosi të kundërt. Por, ky veprim i një mërgimtari çoi në përleshje mes tij e disa mërgimtarëve të tjerë.

    Përleshja u ashpërsua edhe më shumë kur intervenoi Policia, duke u përfshirë më pas edhe zyrtarët në këtë incident.

    Nga kjo përleshje u lënduan dy policë dhe u arrestuan tre persona. Të arrestuarit, sipas Policisë, janë shoqëruar në stacion për intervistim e rasti po hetohet si Sulm ndaj personit zyrtar.

    Njëkohësisht pritjet e mërgimtarëve për t’u kthyer në shtetet ku jetojnë ishin të gjata më se 4 orë.

    Mërgimtarët thonë se janë të lodhur nga pritja pasi e njëjta gjë po iu ndodh në çdo pushim.

    Kolona e gjatë për të tjerë po ua vë në dyshim ardhjen.

    Ani pse jo kaq gjatë, pritje kishte dhe në pika e tjera kufitare. Tek Dheu i Bardhë gjatë ditës pritja atje ishte rreth 1 orë e gjysmë.

  • Sandulovic është rrahur brutalisht nga policia sekrete – Në mesin e personave të maskuar, thotë se njohu Milan Radojçiqin

    Sandulovic është rrahur brutalisht nga policia sekrete – Në mesin e personave të maskuar, thotë se njohu Milan Radojçiqin

    Familjarët e kryetarit të Partisë Republikane Serbe, Nikola Sandulovic, kanë thënë se ai është rrahur brutalisht nga policia sekret serbe, në godinën e BIA-s. Në mesin e personave, të maskuar, që e kanë rrahur, Sandulovic ka thënë se e ka njohur Milan Radojçiqin, ish-politikanin serb nga veriu i Kosovës, organizator i sulmit terrorist të 23 shtatorit në Banjskë.

    Në pamjet e publikuara shihet politikani opozitar serb në gjendje të rëndë shëndetësore, derisa kthehet në shtëpi pasi ishte shtruar në Spitalin Ushtarak të Beogradit.

    Sanduloviqi ishte arrestuar të mërkurën nga Agjencia e Inteligjencës e Serbisë (BIA). Sipas familjes dhe avokatit të tij, arsyeja ishte një postim i tij në X duke bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, duke thënë se është i vetmi politikan nga Serbia që nderoi viktimat e pafajshme shqiptare.

    “Këtu keni fotografi ekskluzive të Nikolës pasi doli sot nga VMA-ja dhe u kthye në shtëpi. Shkak i kidnapimit dhe përdorimit të forcës brutale nga policia sekrete serbe – BIA në fakt ka qenë videoja e publikuar nga Nikola S. e vendosjes së luleve në memorialin e familjes së vrarë dhe masakruar Jashari në Prekaz gjatë vitit 1998, të cilën edhe ia kanë treguar gjatë rrahjes me pistoleta, grushta, shqelma e goditje me këmbë, në kokë, në godinën e BIA-s”, ka thënë bashkëshortja Bojana Sandulovic.

    “Si pasojë e aplikimit të forcës brutale, e cila zgjati për orë të tëra, me një shfaqje të madhe urrejtjeje ndaj popullit shqiptar, shkaktoi paralizimin e plotë të anës së djathtë (krahëve dhe këmbëve) me mavijosje të shumta në trup, si dhe probleme me organet e frymëmarrjes. Në aplikimin e forcës brutale ndaj Nikolës, pesë persona ishin me rroba civile, të cilët e regjistruan rrahjen me telefon privat dhe Nikola e njohu njërin nga 10 personat që ishin të maskuar, si Milan Radoiçiq, dhe ia bëri të ditur këtë”, ka theksuar Bojana.

  • Të shtëna me armë në një shkollë SHBA, raportohet për disa të vrarë

    Të shtëna me armë në një shkollë SHBA, raportohet për disa të vrarë

    Sot në mëngjes në një shkollë të mesme në Perry në shtetin amerikan të Iowa-s ka ndodhur një sulm me armë duke lënë “disa të vrarë”.

    Sulmi ndodhi në ditën që nxënësit u kthyen në shkollë nga pushimet e tyre dimërore.

    Sherifi i Qarkut Dallas, Adam Infante, në një konferencë të shkurtë për media tha sulmi ndodhi këtë mëngjes në orën 07:37 me orën lokale.

    Ndërsa theksoi se nuk ka rrezik të mëtejshëm për publikun.

  • Senati refuzon David Kostelancikun për ambasador të ShBA-së në Shqipëri

    Senati refuzon David Kostelancikun për ambasador të ShBA-së në Shqipëri

    Senati amerikan nuk e ka miratuar emërimin e David Kostelancikut si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

    Senati i ka kërkuar presidentit të ShBA-së, Joe Biden, që të miratojë një kandidat të ri për postin e ambasadorit amerikan në Tiranë.

    David Kostelancik u emërua si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Tiranën zyrtare nga Presidenti Biden më 24 Janar 2023, por Senati nuk e ka miratuar këtë kandidaturë.

    Kostelancik ka shërbyer në Shqipëri edhe më përpara në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e porsahapur amerikane në Tiranë. Para emërimit si ambasador, ai shërbente si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneralit Mark Milley.

    Kostelancik është një diplomat me një karrierë 30-vjeçare. Ai ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë, në misionet e ShBA-së në OSBE dhe NATO, si edhe në Ankara të Turqisë. Ai flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht. /tvklan

  • Abdixhiku: Vrasja e Kolonel Zemajt, nuk është vetëm humbje për familjen, por për gjithë Kosovën

    Abdixhiku: Vrasja e Kolonel Zemajt, nuk është vetëm humbje për familjen, por për gjithë Kosovën

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë dhe familjarë kanë bërë homazhe, në 21 vjetorin e vrasjes së Kolonel Tahir Zemajt, djalit të tij Enis Zemajt dhe Hasan Zemajt, kryetarit të Forumit të Rinisë së LDK-së në Deçan.

    Abdixhiku tha se 21 vite më parë, Kosova u trondit me lajmin për vrasjen e veprimtarit të çështjes kombëtare, ushtarakut dhe strategut të luftës Kolonel Tahir Zemajt, djalit Enisit dhe kushëririt Hasanit, i cili ishte kryetar i Forumit të Rinisë së LDK-së në Deçan.

    Koloneli Tahir Zemaj, tha më tej kreu i LDK-së, udhëhoqi beteja të suksesshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin, kundër regjimit serb.

    Ai tha se Zemaj ishte veprimtar i çështjes kombëtare, aktivist i orëve të para i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Ibrahim Rugova.

    “Koloneli Zemaj bashkë me Enisin e Hasanin, u ekzekutuan nga një breshëri plumbash derisa po ktheheshin në shtëpi me veturë. Humbja e Kolonel Tahirit dhe shuarja e ëndrrave të Hasanit e Enisit nuk janë vetëm humbje të familjes Zemaj dhe LDK-së por edhe të gjithë Kosovës, prandaj dhe zbardhja e kësaj vrasje por edhe të gjitha vrasjet e veprimtarëve të tjerë është e domosdoshme, prandaj dhe dhimbja bëhet më e madhe”.

    “E përhershme do të jetë jeta dhe vepra e Kolonel Tahirit, Enisit dhe Hasanit të cilët do të mbesin gjithmonë frymëzim i lirisë. Lavdi”, tha kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku në fjalën e tij.

  • Talibanët arrestojnë gratë për “hixhab të keq”

    Talibanët arrestojnë gratë për “hixhab të keq”

    Talibanët kanë arrestuar gra në kryeqytetin afgan për veshje të “hixhabit të keq”, u bë e ditur të enjten nga autoritetet.

    Ky është konfirmimi i parë zyrtar i goditjes ndaj grave që nuk ndjekin kodin e veshjes të vendosur nga talibanët, që kur ata u kthyen në pushtet në vitin 2021.

    Gratë dhe vajzat afgane tashmë po vuanin nga ndalesat në arsim, punësim si dhe qasje në hapësirat publike.

    Zëdhënësi Abdul Ghafar Farooq, nuk tha se sa gra janë arrestuar apo çfarë nënkupton hixhab të keq.

    Në maj të vitit 2022, talibanët nxorën një dekret që u bën thirrje grave që të shfaqin vetëm sytë e tyre dhe rekomandon që ato të mbajnë burkën nga koka deri te këmbët, ngjashëm me kufizimet gjatë sundimit të mëparshëm të talibanëve midis 1996 dhe 2001.

    Farooq tha se gratë u arrestuan tri ditë më parë.

    Ministria ka dëgjuar ankesa për mungesën e hixhabit të saktë të grave në kryeqytet dhe provinca për gati dy vjet e gjysmë, tha ai për Associated Press.

    Zyrtarët e ministrisë rekomanduan gratë dhe i këshilluan që të ndiqnin kodin e veshjes. Oficerët e policisë femra u dërguan për të arrestuar gratë pasi ato nuk i zbatuan këshillat, shtoi ai.

    “Këto janë ato pak gra që përhapin hixhabin e keq në shoqërinë islame”, tha ai.

    “Ato shkelën vlerat dhe ritualet islame dhe inkurajuan shoqërinë dhe motrat e tjera të respektuara për hixhab të keq”, shtoi ai.

    Policia do t’ia referojë çështjen autoriteteve gjyqësore ose gratë do të lirohen me kusht të rreptë, sipas Farooq.

    “Në çdo krahinë, ata që lëvizin pa hixhab do të arrestohen,” paralajmëroi ai./REL/

  • Forcat e KFOR-it trajnohen për kontrollim të turmës

    Forcat e KFOR-it trajnohen për kontrollim të turmës

    Njësia e Specializuar Shumëkombëshe e KFOR-it është e përfshirë çdo ditë në trajnimin e kontrollit të turmës dhe trazirave për të mbajtur aftësi të larta operacionale, thuhet në postimin e kësaj force në Facebook.

    Tutje theksohet se KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes.

  • -43 gradë Celsius në Suedi, 1000 vetura u bllokuan për 24 orë në autostradë

    -43 gradë Celsius në Suedi, 1000 vetura u bllokuan për 24 orë në autostradë

    Deri në 1,000 vetura janë bllokuar nga stuhia e borës në autostradën E22 në Skåne, vonë të mërkurën në mbrëmje.

    Forcat mbrojtëse të Suedisë janë angazhuar dhe evakuimet po kryhen me mjete të gjurmuara.

    Në pjesë të mëdha të Suedisë jugore, paralajmërohen stuhi të vështira bore.

    Mediat suedeze raportojn se situata është më e keqe në qarqet Skåne, Blekinge dhe Kalmar ku janë lëshuar paralajmërime të verdha dhe portokalli. Sasi të mëdha shiu të rëndë kanë vështirësuar, ndër të tjera, kushtet në E22.

    Pak para orës 23:00 policia njoftoi se deri në 1000 makina janë bllokuar në trafik në E22 midis Hörby dhe Kristianstad. Më parë, llogaritej se kishte rreth 300 makina.

    Një përpjekje evakuimi ka filluar dhe sipas zëdhënëses së policisë, Evelina Olsson, patrullat sigurojnë që asnjë makinë e re të mos dalë në rrugë.

    “Nuk kemi asnjë informacion se dikush është lënduar fizikisht”, thotë Evelina Olsson.

    Policia, shërbimet e shpëtimit, bashkia Hörby dhe mbrojtja ishin përfshirë në punën e evakuimit. Në orën 22:45, disa makina ishin lëshuar sipas Evelina Olsson, e cila thekson se do të duhen disa orë për të hequr radhët.

    Shumë nga makinat kanë qenë të palëvizshme që nga mëngjesi.

    Agjencisë Suedeze e Transportit njoftoi se rruga do të jetë e mbyllur deri në orën 05:00 të së enjtes.

    Më parë, një ambulancë me një pacient me sëmundje akute ishte bllokuar në radhë. Në orën 21:30, autoambulanca ishte liruar dhe ishte nisur për në spital, njoftoi policia.

    Transporti publik në Skåne është gjithashtu i prekur nga stuhia e borës. Disa linja autobusësh janë anuluar.

  • Sveçla në veri: Policia me vigjilencë po mbron kufijtë e vendit

    Sveçla në veri: Policia me vigjilencë po mbron kufijtë e vendit

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla bashkë me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Gazmend Hoxha dhe drejtorin e Departamentit të Kufirit Fehmi Xhata, sot kanë vizituar brezin kufitar verior mbi fshatin Bërnjak, që shtrihet përgjatë Liqenit të Ujmanit.

    Sveçla tha se Policia e Kosovës po mbronë kufinjtë e vendit dhe po vazhdon të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve.

    “Policia jonë në nivelin më të lartë të detyrës e me vigjilencë po mbronë kufinjtë tanë dhe po vazhdon të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë. Kjo pavarësisht sulmeve të njëpasnjëshme të grupeve kriminale e terroriste të Serbisë, të cilat janë bërë 115 sosh vetëm në veriun e vendit tonë. Bashkë me ekipin, zyrtarët policor kufitar e të Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit biseduam për nevojën e avansimit të kapaciteteve tona në pikat kufitare e në menaxhimin sa më efikas të brezit tonë kufitar”, tha Sveçla.

    Derisa theksoi se “mbështetja ime nuk do të mungojë për Policinë e Kosovës për të garantuar siguri e integritet të Republikës sonë”.