ATV

Category: Lajme

  • Armend Zemaj përlotet teksa kujton momentet e fundit para atentatit ndaj Tahir dhe Enis Zemajt

    Armend Zemaj përlotet teksa kujton momentet e fundit para atentatit ndaj Tahir dhe Enis Zemajt

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, në emisionin DPT Te Fidan Jupolli në ATV, me lot në sy ka rrëfyer momentet e fundit para atentatit ndaj Kolonel Tahir Zemajt djalit të tij Enis Zemajt dhe Hasan Zemajt, 21 vite më parë.

    Ai tregon se Koloneli ka qenë në Gjermani me pjesën tjetër të familjes për festën e Vitit të ri, ndërsa në Kosovë kishte ardhur dy ditë më pas për të bërë vizita te familjarët.

    “Koloneli ka qenë në Gjermani me pjesën tjetër të familjes për Vitin e Ri. Ka ardhur në natën e dytë të Vitit të Ri, ka ardh në Prishtinë. Nga Prishtina kemi shku në Deçan, që i bjen me datën 2. E kemi vizitu hallën e vogël bashkërisht me krejt familjen, kemi ndejt disa orë, ka qenë edhe Enisi. Të nesërmen në mëngjes, unë shumë herët, sa kisha fillu edhe me vozitë, isha edhe student, një djalë i tezës me luti që me e sjellë në aeroport herët në Prishtinë. Unë kam qenë fjetë një dhomë me Enisin”, rrëfen Zemaj.

    Ai tregon se para atentatit, Koloneli ishte nisur me djalin e axhës së vet Hasanin për ta dërguar Enisin në Pejë, me planin që ky nga Peja të shkojë pastaj në Prishtinë.

    “Unë kam qenë në Prishtinë edhe pas dite, pas qëndrimit ditën ne Dukagjin, ishte edhe festa e Vitit të Ri, atëherë Enisi e thërret, thotë se don me shku në Prishtinë, ky shkon nga Peja me Hasanin, djalin e axhës së vet, e merr te shtëpia i thotë po të qes deri në Pejë për me hypë në autobus. Dhe, kështu ka ndodh. Kur është ndalë në dalje të Pejës që është te kombinati, momentin kur është parku, atëherë ka ndodh atentati. Enisi ka qenë ende pa i mbushë 20 vjet”, tregon Zemaj.

    Ai thotë se kanë shpresuar që të gjenden vrasësit, mirëpo një gjë e tillë asnjëherë nuk ka pasur sukses.

    “Lajmin e kemi marrë shpejt. Unë kam shku me familje. Kur kemi shku, ka qenë ende në vendin e ngjarjes, ishin ndalë dritat elektrike, duket se ishte një organizim kriminal, tani edhe pjesë e hetimeve sepse kemi qenë në vazhdimësi në kuptimin e asaj që të gjenden vrasësit, të gjinden dorasit, por asnjëherë nuk ka pasur sukses. Në atë kohë ishte UNMIK-u, pas një kohe me urdhër të përfaqësuesit special u mbyllen hetimet”, thotë Zemaj. /atvlive.tv

  • Rafuna: Bizneset janë të shqetësuara nga largimi i punëtorëve pas liberalizmit të vizave

    Rafuna: Bizneset janë të shqetësuara nga largimi i punëtorëve pas liberalizmit të vizave

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë se 67 për qind e bizneseve kanë shprehur shqetësimin e tyre me largimin e punëtorëve pas liberalizimit të vizave. Megjithëkëtë, Rafuna pret një lajm të mirë për ta, pasi pritet ulja e inflacionit gjatë vitit 2024, raporton Ekonomia Online.

    Në konferencën për medie, Rafuna ka paraqitur një përmbledhje të punës së OEK-ut gjatë vitit 2023, sfidat e kompanive dhe rekomandimet për institucionet qendrore.

    Ai ka deklaruar se nga një analizë që kanë bërë me 500 kompani të ndryshme në vend, del që 67 për qind e tyre janë shumë të shqetësuar nga largimi i punëtoreve pas liberalizimit të vizave.

    Ai tha se nga kjo analizë del që 70 për qind e kompanive si sfidë kryesore gjatë viti 2023 kanë pasur mungesë të personelit të kualifikuar.

    “Pritjet tona janë që në vitin 2024 nuk do të këtë rritje të inflacionit dhe normave të interesit. Do të këtë ulje të inflacionit. Ky është një lajm i mirë edhe për bizneset që në vitin 2024 do të këtë rënie të normave të interesit. Kemi bërë një analizë me 500 biznes të sektorëve të ndryshme dhe kemi nxjerrë se cilat kanë  qenë sfidat dhe barrierat më vitin 2023. Del që gjatë vitit ka pasur një mungesë të kërkesës, këtu hyn edhe ndërtimtaria te shitja e banesave, 53 për qind kanë deklaruar që ka mungesë të porosive. 70 për qind kanë deklaruar që kanë mungesa të personelit të kualifikuar. Problemi me mungesë të energjisë elektrike kanë deklaruar se kane 28 për qind”, deklaroi ai.

    “67 për qind e bizneseve janë shumë të shqetësuar nga largimi i punëtoreve pas 1 janarit me liberalizimin e vizave. 27 për qind kanë deklaruar se është e shqetësuese, 4 për qind kanë deklaruar si pak e shqetësuese dhe 2 për qind kanë deklaruar se nuk është aspak e shqetësuese”, tha ai.

    Ai tha se bizneset kosovare gjatë këtij viti do ta përcjellin trendet e procesit të teknologjisë dhe digjitalizimit si dhe procesi i tranzicionit në ekonominë e gjelbërt, për të cilat tha se OEK do t’i ndihmoj.

  • Rafuna: Kosova humbi rreth 300 milionë euro nga masat e BE-së, s’është imazh i mirë në sytë e investitorëve

    Rafuna: Kosova humbi rreth 300 milionë euro nga masat e BE-së, s’është imazh i mirë në sytë e investitorëve

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë se nga masat e vendosura nga Bashkimi Evropian, Kosova ka humbur rreth 300 milionë euro projekte të cilat do të kishin ndikim të drejtpërdrejt në biznese, raporton Ekonomia Online.

    Ai këto komente i bëri në një konferencë për media ku shtoi se këto masa kanë ndikuar edhe në imazhin e Kosovës në kuptimin e investitorëve të huaj.

    Ai bëri thirrje që institucionet shtetërore të punojnë në plotësimin e kushteve që vendit t’i largohen këto masa.

    “Si rezultat i masave të BE-së ne jemi dëmtuar në dy aspekte: e para është materiale ku deri me tani janë të bllokuara mbi 292 milionë, përafërsisht 300 milionë euro projekte që nuk kanë mundur që të implementohen, ato projekte janë kapitale që me pas impakt drejtpërdrejt te bizneset. E dyta është edhe si çështje e imazhit. Nuk është imazh i mirë kur ti si shtet ke masa ndëshkuese në kuptimin e investitorëve të huaj.  Ne kërkojmë që ato masa të hiqen sa më shpejt, kërkojmë nga institucionet që të plotësoj kushte dhe kriteret që të mos jemi nën masa ndëshkuese”, ka thënë ai.

  • Jep dorëheqje drejtori i BKS-së, Sami Mazreku

    Jep dorëheqje drejtori i BKS-së, Sami Mazreku

    Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku, ka dhënë dorëheqje të premten.

    Mazreku, i cili ushtronte pozitën e drejtorit të BKS-së tash e tri vite, ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtoret e tij në punë si dhe veçanërisht Bankën Qendrore të Kosovës.

    “Unë sot kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), duke iu falënderuar të gjithëve një nga një për bashkëpunimin që ma keni ofruar gjatë 38 muajve të fundit sa unë kam drejtuar një Institucion të rëndësishëm siç është Byroja Kosovare e Sigurimit”, ka shkruar Mazreku në një njoftim në rrjetin social Facebook.

    Tutje, ai ka renditur disa nga të arriturat e tij në pozitën e drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

    Postimi i plotë:

  • Konjufca dënon dhunën ndaj Sanduloviqit: Sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë

    Konjufca dënon dhunën ndaj Sanduloviqit: Sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar për dhunën brutale ndaj politikanit serb, Nikola Sanduloviq, raporton Gazeta Sinjali.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Konjufca ka dënuar ashpër aktin e shëmtuar të dhunës ndaj Sanduloviqit.

    “Nga raportimet e mediave dhe deklarimet e familjarëve dhe avokatit mësuam se z. Sanduloviq, i marrë nga policia e shërbimit sekret serb, është mbajtur dhe rrahur nga persona zyrtarë të këtij institucioni shtetëror, e më pas i është bastisur apartamenti. Në një situatë të frikësimit dhe territ mediatik në Serbi, aludimi shqetësues se në torturim ka marrë pjesë edhe terroristi Milan Radojçiq, i kërkuar nga Republika e Kosovës dhe ndërkombëtarisht për sulmin terrorist në Banjskë, akoma nuk është sqaruar”, shkroi ai.

    Sipas kryekuvendarit, përpjekja për të trembur dhe zmbrapsur politikanë si Sanduloviq, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndaj kulturës politike evropiane në Serbi.

    “Përpjekja për të trembur dhe zmbrapsur politikanë si z. Sanduloviq, i cili sulmohet pikërisht se njeh sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe kërkon falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndaj kulturës politike evropiane në Serbi.

    Duke i dëshiruar shërim sa më të shpejtë z. Sanduloviq, e duke uruar që ai të dalë edhe më i vendosur nga ky sulm i rëndë, i bëj thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime frenuese të brutalitetit të shtetit serb, që është i orientuar sa drejt Republikës së Kosovës, aq edhe drejt figurave publike që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve tona”, shkroi më tej Konjufca.

    Kryetari Konjufca tha po ashtu se demokracia matet me elementet brendashtetërore, por edhe me krahasimet me vendet ku ajo tashmë është etabluar rrënjësisht.

    Ndryshe, politikani opozitar serb, Nikola Sanduloviq, është rrahur brutalisht nga shërbimi sekret serb.

    Sanduloviqi thuhet se ishte arrestuar të mërkurën nga Agjencia e Inteligjencës e Serbisë (BIA).

    Sipas familjes dhe avokatit të tij, arsyeja ishte një postim i tij në X duke bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, duke thënë se është i vetmi politikan nga Serbia që nderoi viktimat e pafajshme shqiptare.

  • Qeveria paralajmëron qytetarët: Kujdes, mos shkoni në Shengen pa viza për punësim

    Qeveria paralajmëron qytetarët: Kujdes, mos shkoni në Shengen pa viza për punësim

    Qeveria e Kosovës i ka paralajmëruar qytetarët që të mos shkojnë për punësim apo studime në zonën Schengen nëse nuk janë të pajisur me viza.

    Tashmë qytetarët e Kosovës prej 1 Janarit janë të lirë të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.

    Në kuadër të kësaj, Integrimi Evropian i Kosovës ka njoftuar qytetarët që të kenë kujdes pasi me udhëtimin pa viza, qytetarët mund të bëjnë vetëm vizita të shkurtra turistike.

    Kur qytetarët duan të lëvizin në zonën Schengen për studime apo për punësim, qeveria bën të ditur se atyre iu nevojiten vitza nga ambasadat përkatëse.

    “Kujdes: Pavizë mund të bëni vizita të shkurtra turistike e tek të afërmit, por jo për punësim apo studime në zonën Schengen. Për studime afatgjata dhe punësim ju duhet viza nga ambasadat përkatëse e të cilat paraqesin pastaj bazën që ju të pajiseni atje me leje qëndrim (Residence Permit)”, thuhet tutje në njoftim.

  • ​Koreja e Veriut gjuan predha artilerie pranë kufirit detar me Korenë e Jugut

    ​Koreja e Veriut gjuan predha artilerie pranë kufirit detar me Korenë e Jugut

    Koreja e Veriut ka gjuajtur më shumë se 200 predha artilerie në brigjet e saj perëndimore, drejt ishullit Yeonpyeong të Jugut, ka thënë ushtria e Seulit.

    Më pas, Koreja e Jugut urdhëroi civilët të kërkonin strehim në ishull përpara se të zhvillonte stërvitjet e saj me zjarr të drejtpërdrejtë (ushtrime ushtarake apo sesione stërvitore në të cilat përdoren municione reale ose municione të drejtpërdrejta, në krahasim me materialet e simuluara ose inerte).

    Jugu e ka dënuar këtë lëvizje duke e quajtur atë një “akt provokues”.

    Në vitin 2010, artileria e Koresë së Veriut gjuajti artileri shumë herë në ishullin Yeonpyeong, duke vrarë katër persona, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Predhat e artilerisë të lëshuara të premten, nga ora 09:00 deri në orën 11:00 me orën lokale nuk hynë në territorin e Koresë së Jugut pasi të gjitha ranë në zonën e mbrojtur midis dy vendeve.

    Shefat e Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut thanë se incidenti nuk shkaktoi “asnjë dëm për popullin apo ushtrinë tonë”, por shtoi se akti “kërcënon paqen në gadishullin Korean dhe rrit tensionet”.

    Granatimet pasojnë paralajmërimet nga Pheniani se po ndërtonte arsenalin e tij ushtarak në përgatitje të luftës që mund të “shpërthejë në çdo kohë” në gadishull.

    Autoritetet në ishullin aty pranë Baengnyeong raportuan gjithashtu një urdhër evakuimi atje.

    Incidenti i fundit vjen disa muaj pasi Koreja e Veriut pezulloi plotësisht një marrëveshje ushtarake me Jugun që kishte për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve.

    Marrëveshja filloi të përkeqësohej pasi Pheniani pretendoi se kishte lëshuar me sukses një satelit spiun në hapësirë në nëntor. Kjo bëri që Koreja e Jugut të pezullonte pjesërisht marrëveshjen, duke thënë se do të rifillonte fluturimet e vëzhgimit përgjatë kufirit.

    Më pas, Pheniani tha se do të tërheqë të gjitha masat “për të parandaluar konfliktin ushtarak në të gjitha sferat, përfshirë tokën, detin dhe ajrin” dhe do të vendosë “forca të armatosura më të fuqishme dhe pajisje ushtarake të tipit të ri” në rajonin kufitar.

    Por Koreja e Veriut e kishte shkelur paktin disa herë në dy vitet e mëparshme, duke lëshuar raketa dhe gjuajtje artilerie në det në drejtim të Jugut.

    Disa analistë argumentojnë se tërheqja zyrtarisht e Phenianit nga marrëveshja mund të mos sjellë shumë ndryshim.

    Ishulli Yeonpyeong, shtëpia e një baze ushtarake dhe një popullsie të vogël civile prej rreth 2,000 njerëz, shtrihet 3 km (2 milje) nga kufiri detar në Detin e Verdhë dhe 12 km nga bregu i Koresë së Veriut.

    Ajo ka qenë skena e përleshjeve detare ndër-koreane gjatë viteve.

    Në vitin 2010 – dy ushtarë dhe dy civilë u vranë pasi Koreja e Veriut gjuajti dhjetëra predha artilerie drejt ishullit.

  • Sandulloviq po dërgohet nga spitali në burg, ndodhet në rrezik për jetë

    Sandulloviq po dërgohet nga spitali në burg, ndodhet në rrezik për jetë

    Çedomir Stojkoviq, avokati i politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, ka njoftuar se klienti i tij po dërgohet në burgun qendror në Beograd nga Emergjenca, ku dje ishte shtruar pasi ishte rrahur prej shërbimit sekret të Serbisë.

    Avokati ka thënë se Sanduloviqi po transferohet në burg kur “jeta e tij është në rrezik”.

    “Ata po e largojnë sepse Nikola vendosi lule në varret e shqiptarëve. Është akuzë zyrtare dhe formale ndaj tij. Më lejoni të përsëris, akuza zyrtare ndaj tij është se ka përhapur urrejtje ndaj serbëve duke vendosur lule në varret e shqiptarëve duke kërkuar falje nga shqiptarët për krimet e kryera”, ka shkruar ai në platformën X.

    Ai shihet në gjendje të rëndë shëndetësore ndërsa e bija e tij, Klara ka deklaruar se politikani është helmuar dhe ka ngritur dyshime se një gjë e tillë është bërë me agjentin nervor novichok, të cilën shpesh e përdor presidenti rus, Vladimir Putin për të eliminuar ish-bashkëpunëtoret apo kundërshtarit e tij.

    Pas rrahjes së Sanduloviqit, ka reaguar edhe deputetja britanike, Alicia Kearns. Ajo është shprehur e shqetësuar për sigurinë dhe shëndetin e politikanit serb.

    Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që politikani serb është në prag të jetës dhe vdekjes. Ai ishte helmuar edhe një herë, dy vjet më parë – me sa duket është mjeti i preferuar i likuidimit në Lindje, Novichok ndërsa i mbijetoi dy atentateve me eksploziv.

    Ndryshe, Sanduloviq e ka quajtur presidentin serb, Aleksnadar Vuçiqi, kriminel lufte dhe e ka porositur që para se të shkojë në Kosovë, duhet të kërkojë falje dhe ta pranojë krimin e kryer në Reçak.

  • Kurti për targat: Në rast se Serbia ndërron qasje, të njëjtën do ta bëjë edhe Kosova

    Kurti për targat: Në rast se Serbia ndërron qasje, të njëjtën do ta bëjë edhe Kosova

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vendimi për heqjen e letrave ngjitëse nga targat e Serbisë mund të ndryshojë po qe se ndryshon qasja apo sjellja e autoriteteve serbe për lëvizjen e lirë të automjeteve me targa RKS.

    Ai ka shtuar se veprimi i Serbisë për njohjen e targave RKS duhet të lexohet si “manovër e një pushteti jodemokratik për mbijetesë vetjake”.

    Ai ka theksuar se vendimi ka ardhur pas përdorimit dyvjeçar të çështjes së targave si pretekst nga ana e Serbisë për të tensionuar situatën e sigurisë në veri të vendit dhe si përpjekje për të ulur kritikat nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë pas parregullsive në zgjedhjet e 17 dhjetorit atje.

    “Në rast se Policia e Kosovës ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë, apo pengimin e lëvizjes së lirë në çfarëdo forme, ne do të njoftohemi me kohë dhe do të veprojmë”, ka shkruar ai në Facebook.

    Kurti është shprehur se njohjen e targave RKS Serbia po përdorë për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes së Brukselit dhe për ta ulur presionin nga Perëndimi për zgjedhjet e manipuluara në Serbi.

    “Çështja e targave në Kosovë në shtator të vitit 2021, përdorej për të kërcënuar Kosovën e rajonin edhe përmes aeroplanëve rusë Mig-29 të ngritur në qiell përreth kufirit dhe duke tentuar destabilizim në veri të vendit veçanërisht nëpërmjet 16 barrikadave të cilat ishin ngritur rrugëve të katër komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit 2022. Kurse në dhjetorin e vitit që porsa lamë pas 2023, ky vetëdiciplinim i Serbisë përdoret për të ulur presionin nga perëndimi demokratik (Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar) mbi Serbinë për zgjedhjet e manipuluara e jodemokratike, por edhe për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit që i ka bërë letra e Kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq drejtuar Këshillit të BE-së me 13 dhjetor, e për të maskuar përgjegjësinë e tyre lidhur me sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator 2023”, ka shkruar ai tutje.

  • Pas 90 ditësh, finalizohen procedurat për ndërtimin e urës së re te Liqeni i Badovcit

    Pas 90 ditësh, finalizohen procedurat për ndërtimin e urës së re te Liqeni i Badovcit

    Ministria e Infrastrukturës ka përzgjedhur fituesin e kontratës për ndërtimin e urës së re te Liqeni i Badovcit.

    “Dreni Inginiering Sh.P.K.”, një kompani lokale me bazë në Skenderaj, është përzgjedhur fituese e kontratës në vlerë 468 mijë euro.

    Kontrata është nënshkruar të enjten më 4 janar, bazuar në të dhënat e publikuara në uebfaqen e prokurimit publik, e-prokurimi.

    Kostoja për këtë urë 35 metra e gjatë do jetë mbi 500 mijë euro, derisa afati për përfundim të punëve do jetë 125 ditë.

    MMPHI në muajin maj ka mbyllur urën tek Liqeni i Badovcit pas vlerësimit se paraqet rrezik, pak ditë më vonë ministria asfaltoi rrugën alternative mbi 1 km e gjatë e cila po shfrytëzohet deri në rregullim të urës.