ATV

Category: Lajme

  • Roth: BE dhe ShBA të ndalojnë së banalizuari atë që po ndodh në Serbi

    Roth: BE dhe ShBA të ndalojnë së banalizuari atë që po ndodh në Serbi

    Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth, i bëri thirrje BE-së dhe ShBA-së që të insistojnë në hetimin dhe përsëritjen e zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e bëjnë veten krejtësisht jo bindëse nëse vazhdojnë të banalizojnë ngjarjet në Serbi. Zgjedhjet duhet të kontrollohen dhe të përsëriten. Regjimi serb duhet të ndalojë politikën e sharrave mes Rusisë dhe Perëndimit. Vuçiqi kërcënon paqen në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Roth në rrjetin social X (ish-Twitter).

    Së bashku me komentin e tij, Roth ndau një tekst autorial të Dragan Gjilas për “Politico”, në të cilin kreu i Partisë Liri dhe Drejtësi vlerëson se edhe në botën e sotme komplekse, mbështetja perëndimore për Vuçiqin, i cili akuzon Perëndimin për nxitjen e trazirave në vendin e tij, është befasuese.

    Kjo nuk është hera e parë që Roth i ka bërë thirrje BE-së dhe ShBA-së që të ndryshojnë politikën e tyre ndaj Serbisë, prandaj kryeministrja Ana Bërnabiq e akuzoi dikur në rrjetet sociale për “përhapjen e gjuhës së urrejtjes kundër Serbisë”.

  • Tërmeti në Japoni, shkon në 78 numri i të vdekurve

    Tërmeti në Japoni, shkon në 78 numri i të vdekurve

    Numri i viktimave në Japoni nga tërmeti i fuqishëm ka shkuar në 78 të enjten, sipas mediave lokale.

    Vendndodhja e të paktën 51 personave mbetet e panjohur dhe janë shpallur “të pagjetur”, kanë raportuar mediat.

    Japonia Qendrore është goditur nga një seri tërmetesh që nga pasditja e së hënës me intensitet deri në 7.6 ballë, duke shkaktuar shkatërrime të shumta, ndërsa shumë zona ende janë të shkëputura.

    Japonia është goditur nga rreth 600 lëkundje që nga e hëna. Epiqendra e tërmetit ishte në rajonin Noto përballë Detit të Japonisë.

    Provinca Ishikawa është më e goditura ku u raportuan shumica e viktimave dhe shkatërrimet më të mëdha të ndërtesave, kryesisht në qytetin Wajima ku thuhet se shumë persona ende janë nën rrënoja. Mijëra familje janë pa energji elektrike.

    Japonia ka dislokuar mijëra ushtarë në operacionet e kërkim-shpëtimit ndërsa moti i keq ishte pengesë e operacioneve pas tërmetit./ATVLIVE.TV/

  • Nuk ndalet Serbia, ushtria serbe propozon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

    Nuk ndalet Serbia, ushtria serbe propozon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

    Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë nisi një iniciativë dhe i propozoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq rikthimin e detyrimit për të shërbyer në ushtri deri në katër muaj, njoftoi Ministria serbe e Mbrojtjes më 4 janar.

    Ky propozim erdhi në kohën kur situata e sigurisë në Ballkan konsiderohet të jetë e brishtë, pas agresionit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku nga grupi terrorist serb mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

    Ndërkaq, siç thuhet në deklaratën e Minitsrisw serbe tw Mbrojtjes, ky propozim është bërë “me qëllim të rritjes së aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura të Serbisë, përmes përtëritjes dhe përmirësimit të stërvitjes së forcave aktive dhe rezervë”.

    “Propozimi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë vjen pas një shqyrtimi të detajuar të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave bashkëkohore me të cilat përballet Serbia si një vend ushtarakisht neutral, i cili imponoi nevojën e përshtatjes së modelit të plotësimit të ushtrisë që do të mundësonte forcimin e potencialit të përgjithshëm, rekrutim dhe trajnim të një numri më të madh të qytetarëve për mbrojtjen e vendit tonë”, thuhet në njoftim.

    Paraprakisht, ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq ka paralajmëruar fillimin e procedurës parlamentare për vendimin e anuluar për pezullimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe rishikimin e ligjit që rregullon këtë detyrim.

    Më 4 janar, Vuçeviq i tha televizionit Happy se nisma po fillon në bazë të një vlerësimi të situatës së sigurisë në vend dhe se shumë vende evropiane po riaktivizojnë detyrimin për të shërbyer në ushtri.

    Ai deklaroi se nuk ka pasur shërbim të detyrueshëm ushtarak për 13 vjet dhe se ushtria “tash ka nevojë të plotësojë kuadrin rezervë”, shkruan rel.

    Në Serbi shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq më 1 janar 2011, që atëherë vetëm ata që duan, shkojnë vullnetarisht në ushtri.

    Tema e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak nuk është e re në deklaratat e zyrtarëve.

    Në vitin 2022 për këtë ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa një vit më parë edhe ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq.

    Në deklaratat e tyre, zyrtarët serbë theksojnë se Serbia nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë qëllim për t’u anëtarësuar në NATO.

    Në rast se qeveria aktuale vendos të kthejë shërbimin ushtarak në kuadrin e rregullt, Serbia do të jetë ndër vendet e pakta në Evropë, si Suedia, Lituania apo Gjeorgjia, të cilat e hoqën këtë detyrim dhe më pas e rivendosen atë.

    Vendet evropiane që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak janë Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Greqia dhe Qipro.

  • Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe shkon në Rahovec, publikohen fotografitë

    Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe shkon në Rahovec, publikohen fotografitë

    Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe Porfirije ka vizituar sot banorët serbë në Rahovec dhe ka vizituar punimet për restaurimin e kishës së Fjetjes së Shën Mërisë.

    Patriarku u prit në Rahovec nga ipeshkvi i Rashkës së Prizrenit Teodosije.

    Në mesin e disa qindra serbëve kishte edhe të rinj me fëmijë, të cilëve patriarku u dhuroi falënderime dhe dhurata.

  • Në tri ditët e para të janarit, mbi 10 mijë udhëtarë më shumë në Aeroportin e Prishtinës

    Në tri ditët e para të janarit, mbi 10 mijë udhëtarë më shumë në Aeroportin e Prishtinës

    Vetëm në tri ditët e para të janarit, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kanë udhëtuar 11 mijë e 742 udhëtarë më shumë, se sa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Kështu ka bërë të ditur për “Indeksonline”, zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës Valentina Gara.

    “Vetëm në tri ditët e para të janarit 2024 është rritur për mbi 10 mijë, numri i udhëtarëve, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.Nga 1 Janari deri me 3 janar 2023, kanë qenë 20 mijë e 163 udhëtarë. Ndërkaq nga 1-3 janar 2024, janë 31 mijë e 905 udhtarë. Që i bie 11 mijë e 742 udhëtarë më shumë“, ka thënë Gara.

    Ndryshe që nga liberalizimi i vizave me 1 janar 2024, vërehet fluks i madh i qytetarëve, të cilët po udhëtojnë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

  • Vritet imami i një xhamie në New Jersey

    Vritet imami i një xhamie në New Jersey

    Imami i një xhamie në Newark, New Jersey, është vrarë nga një sulmues ende i paidentifikuar që më pas është arratisur.

    Autoritetet kanë thënë se besojnë se vrasja e imamit Hassan Sharif nuk ishte e motivuar nga terrorizmi.

    Sharif u gjet me disa plagë plumbash jashtë xhamisë së tij, raportoi BBC.

    Ai u dërgua në spital por nuk mbijetoi.

    Prokurori i Përgjithshëm i New Jerseyt, Matthew Platkin, ka thënë se hetuesit zakonisht nuk do të bënin publike informacione të tilla kaq herët, por se rritja e urrejtjes kundër komunitetit mysliman i ka bërë që të zbulojnë të gjeturat e para.

    Një shpërblim prej 25,000 dollarësh është ofruar për këdo që jep informacione mbi vrasësin.

  • Mbi 50 kërkesa në ditë për rezonancë magnetike në Radiologji

    Mbi 50 kërkesa në ditë për rezonancë magnetike në Radiologji

    Rreth 150 mijë pacientë kanë kryer ekzaminime në Klinikën e Radiologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), deri në nëntor të vitit 2023. Mbi 10 mijë persona i janë nënshtruar Rezonancës Magnetike (MRI), derisa janë kryer mbi 18 mijë Tomografi të Kompjuterizuara (CT). Ndërkaq, kjo klinikë merr rreth 50 kërkesa brenda ditës për MRI.

    Drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkëndije Nuza në një intervistë për KosovaPress, tha se ndër kërkesat më të mëdha për ekzaminime, janë tek rezonanca magnetike. Ajo shtoi se për të bërë një CT, maksimumi i pritjes është pesë deri në shtatë ditë.

    “Klinika e Radiologjisë ka gamë të madhe të shërbimeve që ofron, duke filluar nga rëntgeni deri tek biopsitë dhe ekzaminimet tjera shtesë. Sipas statistikave në vitin 2022, kemi pasur diku 151 mijë 536 pacientë…Deri më tani i kemi 141 mijë 898 pacientë, ndërsa kërkesat më të mëdha për ekzaminime janë tek rezonanca magnetike… Në vitin 2022, në rezonancë magnetike, janë kryer gjithsej 9 mijë e 683 mijë pacientë, ndërsa vetëm për 11 muaj të vitit 2023, i kemi 10 mijë e 349 pacientë… Sa i përket CT ekzaminime, në vitin 2022, kemi pasur gjithsej 23 mijë e 751, ndërsa vetëm për nëntë muaj (2023), i kemi pothuajse 18 mijë ekzaminime… Sa i përket CT, unë mendoj që nuk është ndonjë listë e pritjes, nëse një pacientë do të pret 5-7 ditë maksimumi, unë nuk e quaj listë të pritjes, për arsye se ende që krejt Kosova ka qytete të mëdha që janë të pajisur me CT aparate, do të duhej të kryhej ende kryejmë pacientë të të gjitha komunave… Sa i përket rezonancës magnetike pritja është pak më e gjatë…çdo ditë kemi diku 40-50 kërkesa për rezonanca magnetike”, tha Nuza.

    Ndërkaq, sa i përket bërjes së biopsisë, Nuza tha se në nëntë mujorin e parë të vitit 2023, janë kryer rreth 900 ekzaminime. Ajo shtoi se Klinika e Radiologjisë, posedon tri rezonanca magnetike, derisa shtoi se njëra nga to ka mbi 15 vite që punon, për çka shpreson se do të zëvendësohet me një aparat të ri.

    Drejtoresha e Radiologjisë vuri në theks edhe nevojën për rritjen e stafit në këtë klinikë.

    “Sa i përket biopsive për nëntëmujorin e këtij viti dhe 12 mujorin e 2002. Gjithsej janë kryer 1288 2022-tën, ndërsa rreth 900 janë bërë vetëm në nëntë mujorin e parë…Klinika e Radiologjisë i posedon tri rezonanca magnetike, njëra ka 15 vite që punon dhe atë në dakordim me drejtorinë e kam paraparë që do duhet të zëvendësohej, e kemi mbështetjen e tyre dhe shpresojmë në realizmin e premtimeve… Jemi në vazhdimësi në trajnimin e stafit për ngritjen e shërbimeve terciare, në rritjen e numrit stafit, duhet ketë sa më shumë staf nëse merremi me diagnostika më specifike siç është Qendra e Strokut”, potencoi Nuza.

    Ndërkaq, për vitin 2024, Nuza tha se presin që të fillojë së funksionari Qendra e Strokut, si dhe të rrisin shërbimet e nivelit terciar që i takojnë Klinikës së Radiologjisë.

    Qendra e Strokut është një strukturë shëndetësore që ofron kujdes dhe trajtim të specializuar për pacientët që kanë pësuar një goditje të trurit, e cila njihet si “strok”.

    “Ndërtesa është pak më e vjetër se janë spitale më të tjera, ndërsa në Klinikën e Neurologjisë dhe në Klinikën e Pediatrisë janë kushtet më të mira, se janë ndërtesa të reja… Klinika e Radiologjisë sa i përket vitit 2024, përveç shërbimeve të cilat veç i ofron, do të urojmë që të fillojë Qendra e Strokut, të jetë një qendër me një numër shumë më të madh të mjekëve që do të merren me Strokun dhe ta mbulojnë komplet shërbimin… Të ngrisim shërbimet e nivelit terciar, që i edhe i takojnë Klinikë së Radiologjisë”, theksoi Nuza.

    Ndryshe, rëntgen aparatet e parë në Kosovë kanë arritur pas Luftës së dytë Botërore. Tuberkulozi i mushkërive në Kosovë është konsideruar si problem i madh, ku pas Luftës së Dytë Botërore fillojnë të arrijnë rëntgen aparatet e para të asaj kohe.

    Ndërkaq, radiologët e parë shqiptarë në Kosovë arrijnë pas vitit 1967, siç ishte Eshref Biçaku në Prizren, kurse radioterapeuti i parë në Kosovë ishte Xhavit Bicaj.

    Ndërsa, rëntgen teknikët e parë të shkolluar në Zagreb, vijnë në Kosovë pas vitit 1954, e që në shkollën e mesme të mjekësisë në Prishtinë, në vitet 1982-1984 janë shkolluar tri gjeneratat e para të rëntgenteknikëve.

    Provimi i parë specialisik për radiolog në Kosovë është dhënë në vitin 1987.

    Shërbimi i Radiologjisë ngritet në nivelin e Klinikës së Radiologjisë në vitin 2013 me Statutin e ri të QKUK-së.

  • Përkeqësohet situata energjetike: Bie blloku B1, importi arrin në shifra milionëshe

    Përkeqësohet situata energjetike: Bie blloku B1, importi arrin në shifra milionëshe

    Viti 2024 nuk po fillon aq mirë për sa i përket sektorit elektroenergjetik.

    Kjo, pasi prodhimi vendor nuk po ecën si duhet dhe si pasojë vendi po detyrohet të importojë mbi 1 milion euro energji në ditë për të mbuluar konsumin.

    E gjithë situata është përkeqësuar pas paralajmërimit të KEK-ut për ta ndalë një bllok që prodhon 250 megavatë në orë energji elektrike, rrjedhimisht njësinë B1.

    Siç raporton portali Fakteplus, kjo njësi do të jetë jashtë për 48 orët e ardhshme, që nënkupton se do ti kushtojë Kosovës së paku 2 milionë euro energji nga jashtë. Ndalja e këtij blloku po bëhet pas disa muajve që ka hyrë në funksion, pas riparimit goxha të gjatë.

    Sipas KESCO-s, në kohë piku, pritet të importohet gati gjysma e energjisë që do të konsumohet.

    “Kemi paraparë të importojmë deri në afro 600 megavatë në orë energji elektrike. Pra, në orën 23:00 të së enjtes parashihet të importohen 598 megavatë energji elektrike. Ne po importojmë një sasi të madhe vetëm që qytetarët të furnizohen pa ndërprerje me energji elektrike”, tha Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO-s.

    Sipas saj, çmimi, bashkë me transportin e saj kap shifrën e mbi 100 eurove për një megavat, përderisa importi i kontraktuar vetëm për ditën e enjte ka arritur në 1.1 milionë euro.

    Pas ndaljes së njësisë B1 prodhimi vendor është nën 600 MWh, ndërsa konsumi në pikun e tij pritet të arrijë deri në 1200 MWh.

    Jashtë gjithë kësaj sasie është veriu i vendit që furnizohet nga kompania Elektrosever, e cila e ka marrë detyrën dhe ka filluar me operimet në terren nga 1 janari i këtij viti. Pjesa veriore e vendit konsumon rreth 5 për qind të totalit të energjisë elektrike, ndërsa qytetarët kosovarë të asaj ane do të paguajnë në fund të muajit faturat për herë të parë paslufte.

    Nga viti 2017 ato para janë paguar nga Buxheti i Kosovës, ndërsa furnizimin e tyre e ka bërë KOSTT, kompani publike në pronësi të qeverisë së Kosovës.

  • Presidenca i bën thirrje organeve të drejtësisë për zbardhjen e vrasjes së Tahir Zemajt

    Presidenca i bën thirrje organeve të drejtësisë për zbardhjen e vrasjes së Tahir Zemajt

    Presidenca e Kosovës, e ka kujtuar Tahir Zemajn në 21-vjetorin e vrasjes.

    Në një postim në Facebook thuhet se vrasja e tyre ka qenë njëra ndër ngjarjet më të rënda të pasluftës në Kosovë.

    “Në këtë përvjetor, u bëjmë sërish thirrje organeve të drejtësisë që të punojnë intensivisht në zbardhjen e vrasjes së kolonel Zemajt dhe të gjithë bashkëveprimtarëve të tij”.

  • Rrahja mes mërgimtarëve dhe Policisë në Merdarë, arrestohen tre persona

    Rrahja mes mërgimtarëve dhe Policisë në Merdarë, arrestohen tre persona

    Përleshje masive mes Policisë së Kosovës dhe disa mërgimtarëve ka ndodhur para pak çastesh në Merdarë.

    Në videon e siguruar nga ATV shihen disa mërgimtarë duke u përleshur me Policinë, në mesin e tyre edhe gra.

    ATV mëson se arsyeja e këtij konflikti është tejkalimi i kolonës.

    Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka njoftuar se lidhur me rastin janë arrestuar tre persona, ndërsa kanë pësuar lëndime trupore dy zyrtarë policorë.

    “Sot rreth orës 10:00, në Merdarë ka ndodhë një incident, ku patrulla e policisë është sulmuar nga persona të dyshuar. Në këtë rast lëndime trupore kanë pësuar dy zyrtarë policor. Pas vënies nën kontrollë të situatës dhe shoqërimit në stacion të tre personave të dyshuar, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisë një hetim për veprën Sulm ndaj personit zyrtar”, ka thënë Ahmeti.