ATV

Category: Lajme

  • Kryeministri i Irlandës vizitë dyditore në Kosovë, Policia kujdeset për rendin dhe sigurinë

    Kryeministri i Irlandës vizitë dyditore në Kosovë, Policia kujdeset për rendin dhe sigurinë

    Nga data 10 deri më 11 janar 2024, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë zyrtare kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar së bashku me një delegacion shoqërues.

    Në një komunikatë për media nga Policia e Kosovës thuhet se gjatë kësaj vizite, Policia do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

    “Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) nga aeroporti ndërkombëtar në drejtim të kryeqytetit, afër objekteve shtetërore si dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.

  • “E kanë lënë punën në Kosovë për me punu n’Gjermani, pastaj kanë kërku me u kthy por vendi i tyre i punës është zënë”, profesori tregon pse nuk ia vlen me shku me punu në vendet e BE-së

    “E kanë lënë punën në Kosovë për me punu n’Gjermani, pastaj kanë kërku me u kthy por vendi i tyre i punës është zënë”, profesori tregon pse nuk ia vlen me shku me punu në vendet e BE-së

    Profesori Medain Hashani, në emisionin A LIVE në ATV, tha se arsyeja që punëtorët nga Kosova të mos shkojnë për të punuar në vendet e Bashkimit Evropian është se atje, kosto e jetesës është shumë më e disfavorshme për ta.

    “Shumë sot, në bazë të partneritetit që kanë me universitetet e jashtme, me kompani të cilat kryejnë punë sezonale, shkojnë nga tre muaj punojnë, e kanë vërejtur edhe ata që punën të cilën e kanë bërë në vendet e Bashkimit Evropian, për punë sezonale, por edhe në vendet më të largëta, kanë ardhur në konstatim se nuk ia ka vlejtur ‘barra qiranë’ për me shku me punu atje. Dhe, fokuesi i tyre është që të mos shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian me punu për punë sezonale. I tregova edhe arsyet se pse nuk duhet me shku, sepse kostoja e jetesës që është atje është shumë ma e disfavorshme në raport me të ardhurat të cilat i ka një qytetar”, tha Hashani.

    Ai përmendi edhe raste të qytetarëve që e kanë lënë vendin e punës në Kosovë për të punuar në një nga vendet e BE-së, por të njëjtit sipas tij, kanë kërkuar të kthehen sërish në vendin e punës ku kanë qenë në Kosovë.

    “Tjetër çka është me rëndësi me e potencu është se shumica e ndërmarrjeve ndërtimore kanë fillu të zëvendësojnë edhe punëtorët me ata nga vendet e tjera të Azisë që nuk do me thanë që ka me u rreziku sepse kemi plotë raste që me kanë tregu mua në baze të disa hulumtimeve të cilat i kanë ba që shumë punonjës të cilët kanë punu ndoshta me 7-8 vite, 10 vite në një kompani ndërtimore, kanë shku në Gjermani me punu, apo në vendet e tjera të Bashkimit Evropian, Zvicër e këto, dhe kanë kërku me u kthy në vendin e tij të punës, mirëpo vendin e tij të punës e ka tani një person tjetre që është nga Filipinet”, tha Hashani.

    Sipas tij, e mira e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës është se shumë ndërmarrje këtu kanë fillu të mendojnë më pozitivisht për punëtorët dhe kanë fillu të krijojnë kushte më të mira në mënyrë që ata të vazhdojnë punën aty ku janë. /atvlive.tv

  • Kompleksi Memorial “Masakra e Reçakut”, fillojnë procedurat për shpronësimin e disa pronave

    Kompleksi Memorial “Masakra e Reçakut”, fillojnë procedurat për shpronësimin e disa pronave

    Gjatë mbledhjes së sotme, Qeveria ka miratuar inicimin e procedurës për shpronësimin e pronës së paluajtshme për realizimin e Projektit për konservimin dhe restaurimin e shtëpisë së Kompleksit Memorial “Masakra e Reçakut”.

    Ky kompleks Memorial përfshin varrezat e martirëve, murin përkujtimor, shtatoren e ‘William Walkerit’, zyrat administrative, dhe në kuadër të zonës së veçantë janë edhe dy shtëpitë ku kanë ndodhur masakrat.

    Pas miratimit në Qeveri, tani Departamenti i shpronësimit do të mbajë dëgjim publik lidhur me shpronësimin e kërkuar me pronarët e tokave që preken nga procesi.

  • ​Klinika e Nefrologjisë ofroi 37.431 seanca tё hemodializës

    ​Klinika e Nefrologjisë ofroi 37.431 seanca tё hemodializës

    Nё Klinikën e Nefrologjisё tё Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjatë vitit 2023, janё hospitalizuar 758 pacientё, ndërsa janё realizuar gjithsej 37 mijë 431 seanca tё hemodializës.

    Gjithashtu, janё realizuar 4.242 vizita ambulantore, 685 plasime tё katetrit venoz qendror, 4.509 vizita brenda-hospitalore, 1.196 pacientё kanё marrё terapi imunosupresive, 44 janё trajtuar me terapi biologjike dhe shumë shërbime të tjera.

    Janë ofruar 60.367 shërbime, duke përfshirё edhe shërbimet e tjera (ekosonografi, EKG, transfuzione, largim i Katerave Venoz Qendror (KVQ), pastrimi i fistulave, largim penjve nga AV- fistula, analiza gazore tё gjakut, plasim i KVQ permanent.

    Ndryshe, Klinika e Nefrologjisë ofron shërbim 24-orёsh dhe nuk ka listё tё pritjes.

  • Sogojeva: Në Greqi në vend të kamerierit ishte roboti… mungesës së punëtorëve u gjendet alternativa

    Sogojeva: Në Greqi në vend të kamerierit ishte roboti… mungesës së punëtorëve u gjendet alternativa

    Profesori dhe kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, në emisionin A LIVE në ATV, duke komentuar largimin e fuqisë punëtore nga Kosova, tha se në çdo veprimtari gjendet alternativa për me funksionu.

    Ai përmendi një shembull edhe si kjo mund të bëhet përmes teknologjisë.

    “Isha në Greqi në Panairin e Pajisjeve Hoteliere edhe roboti 30 centimetra vinte, i ngarkuar me atë që e ke porositë, e merrje, u shkarkonte dhe e dërgoje, do me thanë në çdo veprimtari gjendet alternativa për me funksionu. Me vështirësi po, kjo merr kohe, por nuk është e pa zëvendësueshme”, tha Sogojeva.

    Ai tha se në baze të një studimi që e kanë bërë, nga Kosova mund të largohen rreth 30 për qind e punëtorëve, ndërsa pjesa tjetër do të vazhdojë të qëndrojë.

    “Diku rreth 30 për qind sot çka janë munden me lëvizë, ndërsa pjesa tjetër ata që e duan punën, në Kosovë ka punë”, tha Sogojeva. /atvlive.tv

  • “Po dërgohet për në spital”, gjendet personi që ra në greminë në Bjeshkët e Studenicës në Istog

    “Po dërgohet për në spital”, gjendet personi që ra në greminë në Bjeshkët e Studenicës në Istog

    Është gjetur personi që ra sot në greminë në Bjeshkët e Studenicës në Istog.

    Kjo është e konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    “E kanë nxjerr prej greminës, tani është duke u dërguar në spitalin rajonal të Pejës”, tha Gashi.

    Sot rreth orës 12:00, njëri nga dy personat që ishin bashkë, kishte rënë në humnerë në bjeshkët e Studenicës.

    Zëdhënësi Fadil Gashi bëri të ditur se policia kishte nisur menjëherë kërkimet për të.

    “Kanë qenë dy persona. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 në Bjeshkët e fshatit Studenicë. Policia dhe zjarrfikësit janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes. Kërkimet për të kanë nisur”, kishte thënë Gashi.

  • “S’kemi besim më në fjalë të thata”, familjarët të zhgënjyer me zbardhjen e fatit të të pagjeturve

    “S’kemi besim më në fjalë të thata”, familjarët të zhgënjyer me zbardhjen e fatit të të pagjeturve

    Mbi 1.600 varre të zbrazëta kanë mbetur që nga lufta e fundit në Kosovë. Nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tyre, ndërkohë që familjarët jetojnë me shpresën për zbardhjen e fatit e të më të dashurve të tyre. Vitin e kaluar është gërmuar në 15 lokacione të Kosovës, por jo edhe në Serbi. As në 2023-tën nuk është dërguar në Kuvend, Ligji për Personat e Pagjetur. Familjarët kritikojnë institucionet për mos përmbushjen e premtimeve. Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu shprehet optimiste se një gjë e tillë do të ndodhë gjatë vitit.

    “Nuk kemi besim më në fjalë të thata”, thotë për KosovaPress Bajram Qerkinaj nga shoqata “Zëri i Prindërve”. Ai shprehet i zhgënjyer me institucionet dhe punën që është bërë vitin e kaluar për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

    “Viti që po kalon mjerisht ka stagnuar, atë që e kanë premtuar aspak nuk është punuar. Janë bërë disa nëngrupe, disa grupe bajagi të ekspertëve kanë bërë disa vlerësimeve të gërmimeve, të cilat ato që është dashur të bëhen nuk janë bërë dhe ne familjarët nuk jemi aspak të kënaqur plot që një vit e gjysmë. A thua pse po them kështu? Sepse grupi punues për shkak të Velko Odalloviq që është shpallur kriminel nuk është ka funksionuar. Mirëpo, brenda për brenda kur të ndalim të bisedojmë se çfarë kanë pritur dhe çfarë është bërë me plan-program që ne familjarët kemi pritur, sidomos të parashtrohet Instituti i Mjekësisë Ligjore ku thuhet që ka 300 mbetje mortore, gjithçka flitet, e asgjë nuk është bërë. Ne nuk jemi të kënaqur se si po përmbyllet një vit”, shprehet ai.

    Teksa flet për premtimet e pushtetit aktual, ai thotë se të njëjtit janë zotuar se çështja e të pagjeturve do të jetë prioritet.

    “Është fol shumë se do të bëhet një ligj për personat e pagjetur. Merreni me mend, flitet qe pesë vjet për strategji, merreni me mend që flitet shumë për një ligj, as këtë nuk e kanë kryer. Çka pret familjari? Me ekzistencë të jetës janë ngushtë. Më së shumti jemi ngushtë të zbardhim fatin e personave të pagjetur. Edhe 1607 ende të pagjetur në Republikën e Kosovës. Nuk ka asnjë varrezë masive që nuk dihet, nuk ka asnjë kriminal i Serbisë që nuk dihet me emër dhe mbiemër ku i ka marrë edhe ku i ka dërguar”, tha ai.

    Ligji për Personat e Pagjetur ka qenë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ndërkaq tashmë në kompetencë të Zyrës së Kryeministrit.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë për KosovaPress, se ka pasur shumë diskutime e takime me familjarët e personave të zhdukur.

    “Konsideroj që i njëjti duhet të miratohet gjatë këtij viti. Tashmë do të vendoset edhe në agjendë legjislative kur është koha kur do të procedohet, por duke qenë që është në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, nuk mund ta dimë me siguri, se cila do të jetë periudha kur do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sigurisht që është i rëndësishëm si ligj, por ndërlidhet edhe me dy ligje të tjera, të cilat janë në kuadër të Ministrisë së Financave, që kanë të bëjnë edhe me pensionet dhe çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me kompensimin financiar të familjeve. Prandaj, sapo të ketë një koordinim të mënyrës se si të procedohet tutje jam e bindur që do të procedohet në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Haxhiu.

    Në 15 lokacione është gërmuar gjatë vitit të kaluar, thotë kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti. Ai tregon se ka pasur aktivitete të shumta të punimeve në terren, për shkak të informatave që kanë arritur të sigurojnë nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

    “Gjatë vitit 2023, ne në 15 lokacione kemi qenë deri në fund të vitit, pa i përfshirë edhe disa lokacione që nuk kanë përfunduar. Ato do të vazhdojnë edhe tash në vitin 2024. Nuk mund të themi një numër të saktë të viktimave apo të personave të zhdukur që janë gjetur, për shkak se nuk kemi pranuar analizat e ADN-së nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Megjithatë, kur flasim me numra, duhet të jenë mbi 17 viktima apo persona të zhdukur që përmes gërmimeve, mbi 17 persona që shpresojmë të identifikohen përmes analizave të ADN-së. Këto 15 lokacione thuajse në tërë territorin e Kosovës, Gjakovë, Prizren, Kamenicë, Podujevë, Prishtinë, Skenderaj, Mitrovicë janë të gjitha këto komuna ku kemi pasur gërmime”, deklaron Hoti.

    Në Kosovë është gërmuar në çdo katër kilometër katror, shton Hoti teksa shprehet se fokusi është në varrezat masive në Serbi.

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur thekson se vitin e kaluar janë rikthyer edhe në Shtavall të Serbisë.

    “Në Serbi është goxha më e vështirë, as nuk shkon të bëhet më e lehtë, nuk them që duhet të ndodhë mrekulli, sepse mrekullia në këtë rast nuk na ndihmon, por ajo çka duhet të ndodhë në këtë rast, Kosova është e pafuqishme. Bashkësia ndërkombëtare, miqtë tanë ndërkombëtarë, duhet ta marrin më seriozisht çështjen e personave të zhdukur. Pavarësisht se si del në media dhe si thuhet në media dhe me këtë seriozisht, mendoj se duhet ta kushtëzojnë Serbinë dhe nuk ka formë tjetër, nuk ka formë të bisedimeve me Serbinë. Ne jemi në bisedime, vazhdojmë të bisedojmë, sepse fundja, ne vazhdojmë të kërkojmë çfarëdo cope të informatave që kemi”, shprehet ai.

    Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për të zhdukurit, Andin Hoti flet edhe për deklaratën për personat e zhdukur në maj të vitit të kaluar.

    “Çfarë ka ndodhur prej 2 majit të vitit 2023 që është miratuar deklarata e personave të zhdukur, më 1 qershor kemi dërguar menjëherë një kërkesë në zbatim të deklaratës. Në korrik apo në gusht, i jemi drejtuar edhe (Josep) Borrelit në lidhje me këtë zbatim e deklaratës. Në korrik, në të njëjtën kohë, kam dërguar edhe komentet e grupit të përbashkët dhe është e vërtetë që prapë ka ndodhur një zvarritje. Ne në vazhdimësi kemi kërkuar për të filluar punën, sepse nëse e sheh realisht puna ka mund të fillojë menjëherë në qershor. Ka pasur të formohet një grup i përbashkët, ka pasur të formohet të emërohen disa persona dhe të fillojë puna. Por, prapë ndodhën këta termat e referencës, disa çështje shumë teknike filluan të bëhen problem. Ne i kemi dërguar Lajçakut, ai e ka dërguar në Serbi dhe sipas Lajçakut, Serbia e ka ndryshuar, ka bërë kërkesa tjera, apo edhe komente të tjera të referencës”, përfundon ai.

    Ani pse Serbia nuk jep informacione për varrezat masive, familjarët kërkojnë nga institucionet vendore zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

    “Porosia e neve familjarëve është që në plan-program të vitit të ardhshëm t’i lënë fjalët, le ta qesin realitetin në letër dhe le të fillojnë të punojnë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, kur dihen varrezat masive, si këtu, si në Serbi, kjo është porosia numër një. Nën dy, mos të shkohet edhe një muaj pas Vitit të Ri dhe nuk aprovohet ligji për personat e pagjetur. Është e tepërt, është turp ta përmendim ose ta lënë krejt”, tha ai.

    Kosova vazhdon t’i kërkojë edhe mbi 1.600 persona të zhdukur me forcë nga policia e ushtria gjenocidiale serbe gjatë luftës së fundit në vendin tonë

  • ​Shtrenjtohet nafta

    ​Shtrenjtohet nafta

    Të dy standardet e naftës shënuan rritje modeste të mërkurën, të nxitura nga optimizmi mbi kërkesën amerikane.

    Nafta e papërpunuar standarde ndërkombëtare Brent u tregtua me 77.84 dollarë për fuçi, një rritje 0.32% nga çmimi i mbylljes prej 77.59 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të martën.

    Standardi amerikan, West Texas Intermediate (WTI), tregtohej në të njëjtën kohë me 72.53 dollarë për fuçi, 0.40% më shumë nga mbyllja e së martës prej 72.24 dollarë për fuçi.

    Nëse Administrata e Informacionit të Energjisë në SHBA (EIA) konfirmon rënien e stokut kur publikon të dhënat aktuale të stokut të naftës më vonë të mërkurën, çmimet pritet të rriten më tej, me shpresën e forcimit të kërkesës në vendin më të madh konsumues të naftës në botë.

    Investitorët po presin gjithashtu me entuziazëm publikimin e Indeksit të Çmimeve të Konsumit (CPI) të dhjetorit nga Byroja e Statistikave të Punës më 11 janar. Ky tregues kritik i inflacionit të konsumatorit mund të ndikojë shumë në vendimet e ardhshme të normës së interesit të Rezervës Federale. /AA

  • “Në Gjermani është rroga 2000 euro, por vetëm qiraja e shtëpisë kushton 1100 euro”, profesori tregon se çfarë ekonomie familjare mund ta kenë ata që shkojnë të punojnë në Gjermani

    “Në Gjermani është rroga 2000 euro, por vetëm qiraja e shtëpisë kushton 1100 euro”, profesori tregon se çfarë ekonomie familjare mund ta kenë ata që shkojnë të punojnë në Gjermani

    Profesori Medain Hashani, në emisionin A LIVE në ATV, ka bërë një llogaritje se sa mund të fitojnë qytetarët të cilët shkojnë për të punuar në Gjermani, duke u bazuar në pagën minimale neto që është atje.

    Ai thotë se edhe nëse punojnë të dy bashkëshortët, nuk mund ta kenë një ekonomi familjare më të mirë se në Kosovë, nëse këtu është paga 700 euro.

    “Unë nuk po bazohem te puna e kamerierit, por po bazohem te paga minimale. Paga minimale në Gjermani neto është 2000 euro. Qiraja mesatare që duhet ta ketë, që është 30-40 kilometra larg qendrës kryesore është diku rreth 1100 euro. Një i punësuar, i cili e merr pagën minimale 2000 euro, 1100 euro duhet të paguajë qira, do me thanë atij kanë me i mbetë 900 euro. Sigurimi shëndetësor që duhet me e pagu është 300 euro, i mbesin 600 euro. Udhëtimin që duhet me e pagu vet për shkak se i ka dy transporte, me autobus dhe me tramvaj dhe për me shku te vendi i punës, kosto mesatare është diku rreth 250 euro. Nëse i zbresim nga 600, mbesin 350 euro. Mirëmbajtja e banesës, rryma, uji, i kalon 400 euro që duhet me i pagu një ekonomi familjare. Kështu që edhe nëse dy bashkëshortë me shku, nuk munden me e pasë standardin që e kanë në Kosovë me një pagë prej 700 euro”, tha Hashani. /atvlive.tv

  • ​Ngrihet aktakuzë ndaj 27 personave për kontrabandimin e mbi 700 emigrantëve

    ​Ngrihet aktakuzë ndaj 27 personave për kontrabandimin e mbi 700 emigrantëve

    Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër 27 të pandehurve për veprën penale kontrabandim i migrantëve, kryesisht të shtetasve sirianë.

    Në njoftim thuhet se personat e pandehur janë me inicialet M.A, A.A, M.S, A.H, L.H, M.A, L.U, SH.M, A.K, F.S, L.S, A.S, B.A, E.A, U.E, B.G, F.G, N.B, Q.S, N.T, G.K, B.U, E.B, B.B, F.I, A.I, dhe L.Z.

    Të pandehurit në tërë territorin e Kosovës, në bashkëveprim në mes vete, janë marrë me veprimtarinë e kundërligjshme të kontrabandimit të migrantëve, kryesisht shtetasve sirianë, ku u është mundësuar më shumë se 700 personave kalimi nga Shqipëria përmes Kosovës dhe kalimin e tyre në Serbi, e që për qëllim kishin shkuarjen në vendet evropiane.