ATV

Category: Lajme

  • Gjini përmend këto dy pika, për të cilat thotë se AAK-ja i kundërshton në draftin e Asociacionit

    Gjini përmend këto dy pika, për të cilat thotë se AAK-ja i kundërshton në draftin e Asociacionit

    Kryetar i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, në emisionin COTEXT në ATV, tha se janë dy pika që AAK-ja i kundërshton në draftin e Asociacionit.

    E para, thotë ai se, është e palogjikshme që në këtë draft të jetë përfshirë Rezoluta 1244.

    “Për ne në Aleancën, dy pika janë problematike. E para është tepër e thjeshtë, duhet veç me e ba një “delete” se për mendimin tim, kam marrë pjesë në negociata formalisht e jo formalisht e në çfarëdo mënyre, përmendja e Rezolutës 1244 është në gërrem, është një huk që don me u gjuajtë mbas asaj teme sepse është e panevojshme dhe e pakuptueshme, që një dokument të cilin duhet zyrtarisht me e prodhu Qeveria e Kosovës, në fund të fundit ka me qenë dokumenti i Qeverisë, me e pasë referencën te Rezoluta 1244. Kam provu me i shiku edhe aspektet e mundshme ligjore, nëse dikush ka gjetur ndonjë variant i cili mundet me qenë ndihmues më vonë, nuk ka as relevancë e as logjikë me qenë ajo pjesë aty”, tha Gjini.

    Ndërsa pika kryesore të cilën e kundërshton AAK-ja sipas tij është komisioni i arbitrimit.

    “Pjesa më kryesore që ne e besojmë që ndërlidhet me shumë aspekte tjera është komisioni i arbitrimit. Është e vërtetë që gjatë gjithë tekstit të Draft Statutit që ka ardhë, po thuajse gjithkund përmendet në bazë të ligjeve të Kosovës, që është diçka e mirë për shkaka se në Kosovë, vetëm një organ bënë ligje, është Kuvendi i Kosovës, nuk ka organe të tjera edhe nuk parashihet me pasë organe të tjera të cilat bëjnë ligje. Çfarëdo asociacioni, çfarëdo institucioni tjetër i çfarëdo lloji duhet me iu nënshtru Ligjeve të Kosovës që është krejt në rregull. Ligjet e Kosovës nënkuptojnë prej vendimeve që i merr Kuvendi, Qeveria deri te gjykatat. Sidoqoftë dua të them që duhet me insistu që në Kosovë gjithçka me iu nënshtru sistemit ligjor edhe politik të “setup-it” institucional”, tha Gjini. /atvlive.tv

  • 23 ish-ushtarë të UÇK-së të arrestuar në Serbi nga paslufta

    23 ish-ushtarë të UÇK-së të arrestuar në Serbi nga paslufta

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Ish-ushtari i UÇK-së, Hasan Dakaj është vizituar nga shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, kupton ATV.

    Dakajt i cili u arrestua në pikën kufitare në Merdare para disa ditësh autoritetet serbe tashmë i kanë caktuar edhe masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

    Por që nga paslufta, deri më tani Serbia ka arrestuar së paku 23 ish-pjesëtarë të UÇK-së.

    “Nga paslufta janë 23 persona. Janë mbajtur disa procese gjyqësore, ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Megjithatë me vendime të plotfuqishme janë dënuar vetëm dy prej tyre: Anton Lekaj dhe Ramadan Maloku. Ndërkohë, Petrit Dula ishte liruar nga shkalla e dytë, në prill të vitit 2023.

    Ndërkohë, përveç Hasan Dakajt, në paraburgim që nga janari i vitit 2020 kur u arrestua vazhdon të qëndrojë Nezir Mehmetaj.

    “Ndaj Nezir Mehmetajt deri tash janë mbajtur 40 seanca. Ndaj tij ende nuk ka ndonjë vendim…”, tha Alija.

    Lidhur me arrestimin e Hasan Dakajt dhe ndaljen e ish-ushtarëve të tjerë të UÇK-së ndër vite, ka reaguar kryeministri Albin Kurti.

    “Megjithatë, përkundër ndryshimeve pozitive, edhe këtë vit po e trashëgojmë një fqinj që vetëm po përkeqësohet. Hasan Dakaj vazhdon të mbahet atje, kjo është një sjellje dashakeqe e Serbisë. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar ekstradimin e të dyve nga autoritetet e Serbisë, përgjigje nuk kemi pranuar kurrë”, tha Kurti.

    Sipas mediave serbe, autoritetet në Beograd ndërvite kanë lëshuar rreth 100 fletëarrestime për ish-pjesëtarët e UÇK-së.

  • Edhe dy javë afat për nënshkrimet për shkarkim të kryetarëve në komunat veriore

    Edhe dy javë afat për nënshkrimet për shkarkim të kryetarëve në komunat veriore

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin-Potokut kanë edhe dy javë kohë për t’i mbledhur nënshkrimet për shkarkim të kryetarëve, derisa në Zveçan pesë ditë më shumë.

    Lidhur me këtë proces, sipas ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, janë të informuar edhe diplomatët e shteteve të QUINT-it, me të cilët u takua të martën.

    Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin-Potok, më 22 dhjetor, ka filluar mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë. Në Zveçan filloi më 27 dhjetor.

    Derisa, afati për mbledhjen e nënshkrimeve është 30 ditë, sipas njohësve të proceseve politike vështirë që ky proces mund të mbarojë kaq shpejt.

    Sipas udhëzimit administrativ të lëshuar nga Ministria e udhëhequr nga Krasniqi nevojiten nënshkrimet e 20 për qind të qytetarëve me të drejtë vote për t’i hapur rrugë votimit për shkarkimin e kryetarit. Kjo realizohet vetëm nëse për shkarkim të kryetarit votojnë mbi 50 për qind e votuesve të regjistruar.

  • Fillon gjykimi ndaj Dragisa Milenkoviqit

    Fillon gjykimi ndaj Dragisa Milenkoviqit

    Përgatiti: Nora Luta

    Për secilin nga këta ish-të burgosur shqiptarë gjatë 1999-s, Prokuroria Speciale po kërkon drejtësi.

    Ajo e bën përgjegjës Dragisa Milenkovicin se në mënyrë sistematike i kishte keqtrajtuar, e kanosur me jetë, në bashkëpunim me ish-drejtorin e burgut të Lipjanit, dhe dy gardianë të tjerë të nacionalitetit serb.

    Ndaj Millenkoviqit, arrestimi i të cilit gjatë qershorit të 2023-s, në Graçanicë nxiti reagime të banorëve lokalë e protesta agresive, rëndon edhe një akuzë tjetër.

    Për këtë pikë të aktakuzës, ish-gardiani e pranoi fajësinë, por për të tjerat pritet ta vazhdojë ballafaqimin me drejtësinë.

    Fillimi i këtij procesi gjyqësor në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ish-të burgosurve politikë, u ka kthyer në kujtesë torturat, e nxitur shpresën për drejtësi.

    Ndërkohë, edhe mbrojtja e Millenkoviqit ka kërkuar ndryshimin e masës së paraburgimit me dorëzani, ose arrest shtëpiak, me arsyetimin se ai nuk do të largohet nga Kosova, por do të qëndrojë me familjen e tij në Graçanicë.

    Prokuroria nuk është pajtuar me këtë, e kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, njoftoi se Gjykata për kërkesën do të vendosë me aktvendim të veçantë.

  • Licencë të avancuar, nga qershori mësimdhënësit pritet të testohen

    Licencë të avancuar, nga qershori mësimdhënësit pritet të testohen

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Për t’u pajisur me licencë të avancuar, mësimdhënësit pritet t’i nënshtrohen testit me shkrim. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pret që në qershor të këtij viti, një numër i madh i mësimdhënësve t’i nënshtrohen këtij testimi.

    “Synojmë që nga qershori i këtij viti do të nisemi edhe për prodhimin për licencë të avancuar për mësimdhënës, sipas kritereve që janë përcaktuar mbi bazën e standardeve profesionale dhe jam e bindur që kemi mësimdhënës që janë të gatshëm të aplikojnë për këtë licencë”, tha Nagavci.

    Por, atë nuk e mirëpresin mësimdhënësit.

    “Sa i përket vlerësimit ose testimit në aspektin teorik nuk e shoh si të arsyeshme për arsye se çdo mësimdhënës, i cili është në proces mësimor është testuar sa i përket njohurive teorike, ndërsa sa i përket testimit apo vlerësimit të performancës besoj që është shumë e nevojshme dhe kjo ndikon në ngritje dhe cilësi”, tha Naxhie Fejzullahu, mësimdhënëse.

    Për testim me shkrim të mësimdhënësve ka reaguar edhe kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj. Sipas tij, ministrja e ka në plan t’i degradojë mësimdhënësit. Mirëpo, për dallim nga Sindikata njohësit e arsimit konsiderojnë që testimi është i domosdoshëm.

    “Është një proces i mirë-strukturuar për kalim nga licenca e karrierës në licencë të avancuar për ata mësimdhënës që dëshirojnë të kenë këtë kategori të licencës, pra ky testim është për ata mësimdhënës që dëshirojnë të kalojnë nga licenca e karrierës në licencë të avancuar”, tha Rinor Qehaja, njohës i arsimit.

    Ndërkaq, sipas ministres së Arsimit tashmë janë miratuar udhëzimet administrative, të cilat rregullojnë procesin e licencimit dhe avancimit në karrierë të mësimdhënësve, si dhe vlerësimin e performancës së tyre.

  • Mbi 300 mësimdhënës kanë kërkuar pushim pa pagesë, duan të punojnë në shtetet e BE-së

    Mbi 300 mësimdhënës kanë kërkuar pushim pa pagesë, duan të punojnë në shtetet e BE-së

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Pas tri ditësh përfundon gjysmëvjetori i parë. Por, të dytin nxënësit e shkollës fillore “Emin Duraku”, do ta nisin me dy mësimdhënës më pak.

    “Për neve është një hendikep i madh se janë mësimdhënës që kanë dhënë një kontribut të madh, por mbetet të shihet se si do të lëvizin gjërat dhe si do të rekrutohet stafi i ri”, tha drejtori i shkollës fillore “Emin Duraku”, Visar Osmani.

    Këta dy mësimdhënës nuk janë të vetmit që u larguan nga vendet e punës. Nënkryetarja e Sindikatës së Arsimit, Vjollca Shala, tha se një numër i madh i mësimdhënësve kanë kërkuar pushim pa pagesë.

    “Janë mbi 300 që kërkuan pushimin pa pagesë, qoftë 3 muaj, 6, apo një vit. Por dita-ditës po rritet ky numër, që po kërkojnë pushim për të ikur nga Kosova, sepse në vendet e Evropës po gjejnë vende më të mira të punës, thjesht po e mësojnë gjuhën e vendit ku po ikin dhe po kanë mundësi edhe me hy në arsim”, tha Shala.

    Lëvizjet në arsim po shihen me shqetësim nga njohësit e kësaj fushe. Nga situata e krijuar, sipas Argjend Osmanit, më së shumti do të pësojnë nxënësit.

    “Do të ndikojë negativisht në sistemin e arsimit, sepse e kemi një situatë më të rëndë, sepse zëvendësimi i tyre do të jetë i vështirë, edhe efikasiteti nuk do të jetë i njëjtë. Nxënësit do të jenë sërish viktima të këtyre lëvizjeve”, tha Argjend Osmani, njohës i arsimit.

    Sindikata e Arsimit tash e një kohë të gjatë ka alarmuar që pas 1 janarit një numër i madh i mësimdhënësve mund të largohen nga vendi. Për të parandaluar ikjen e mësimdhënësve, SBASHK-u ka kërkuar kushte më të mira të punës për ta.

  • Mbledhja e qeverisë, Kurti sërish flet për rrezikun nga Serbia

    Mbledhja e qeverisë, Kurti sërish flet për rrezikun nga Serbia

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Për destruktivitetin e Serbisë, rreziqet eventuale dhe veprimet jodemokratike të aparatit të saj shtetëror, foli kryeministri Albin Kurti me pjesën më të madhe të fjalës hyrëse në mbledhjen e Qeverisë.

    Teksa bëri krahasime ndërmjet metodave të frikësimit dhe torturimit nga Serbia me ato të presidentit të Rusisë, Kurti tha se shteti fqinj po vijon me veprime në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit dhe Shtojcës së Ohrit.

    “Në nenin 1 të Marrëveshjes, pra qysh në fillim të saj, theksohet që palët, domethënë Kosova dhe Serbia, do të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore me njëra-tjetrën, bazuar në të drejta të barabarta. Serbia, megjithëkëtë, zgjedh pothuajse çdo gjë mbi zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me neve. Ajo, në të vërtetë, e zgjedh të sulmojë Kosovën, ashtu siç ka bërë me datën 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, e pastaj të mbrojë nga burgimi kryerësit e kësaj vepre terroriste, në krye me Millan Radojcicin”, tha Kurti.

    Pa dhënë detaje, kryeministri theksoi se Qeveria është e angazhuar për heqjen e masave ndëshkuese nga BE-ja, të cilat sërish i vlerësoi të padrejta.

    Pasi dha vlerësimin e njëjtë me Kurtin lidhur me masat, ministri Elbert Krasniqi nuk tregoi nëse për heqjen e tyre kërkohet dekreti për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.

    Në mbledhjen e 182-të, Qeveria ri-shpërndau mjetet financiare të mbetura nga mbështetja e BE-së për krizën energjetike, duke dedikuar 11 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për familjet e cenueshme.

    Po ashtu, ekzekutivi ndau 287 mijë euro për strehimoret dhe OJQ-të e licencuara, të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe familjare.

    Qeveria emëroi anëtarët në bordet e drejtorëve në ndërmarrjen Hekurudhat e Kosovës “Train-Kos”, si dhe në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”.

  • Themelimi i bankës zhvillimore mbeti vetëm premtim

    Themelimi i bankës zhvillimore mbeti vetëm premtim

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ishte në mesin e 20 premtimeve, në programin qeverisës.

    Por, ekzekutivi nuk e bëri asnjë hap drejt themelimit të Bankës Zhvillimore që nga ardhja në pushtet.

    Banka Zhvillimore e cila sipas kryeministrit, do të realizohet për një periudhë dyvjeçare, supozohej të ishte mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve.

    Sipas ekonomistit Safet Gërxhaliu, do të ishte mirë që Kosova të kishte Bankë Zhvillimore meqë do të kishte efekte pozitive në veçanti pas rritjes së çmimeve të shërbimeve nga bankat komerciale.

    Megjithatë, kryetari i komisioni për ekonomi, Ferat Shala, tha se asnjëherë në këtë komision nuk është diskutuar apo prezantuar ndonjë plan për themelim të Bankës.

    ATV-ja ka dërguar pyetje edhe në adresë të Qeverisë lidhur me këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.

  • NATO: Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak është çështje e Serbisë

    NATO: Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak është çështje e Serbisë

    Zyra Ndërlidhëse e Misionit Ushtarak të NATO-s në Beograd tha se çështja e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi është çështje e autoriteteve shtetërore serbe.

    Aleanca ushtarake perëndimore e NATO-s tha po ashtu se respekton plotësisht neutralitetin ushtarak të Serbisë.

    “NATO do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Serbisë për të modernizuar forcat e saj të armatosura brenda kornizës së zhvillimit dhe partneritetit dypalësh”, tha NATO.

    “Gjithçka që Serbia dhe NATO-ja bëjnë së bashku është e përshtatur që të plotësojë nevojat e Serbisë dhe të ndihmojë atë të përmirësojë forcat e saj të armatosura në bazë të kornizës së Partneritetit për Paqe”, u tha në përgjigjen e Zyrës Ndërlidhëse të aleancës në Beograd, raporton REL.

    Nisma për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak u iniciua nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë serbe dhe propozimi i është dërguar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 4 janar.

  • Anulohen dy seanca të parapara për këtë javë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Anulohen dy seanca të parapara për këtë javë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, janë anuluar dy seanca të cilat janë paraparë të mbahen për këtë javë.

    Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, seancat e parapara për 11 dhe 12 janar 2024, janë anuluar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas DhSK-së, seancat e ardhshme janë planifikuar më 19 dhe 22 janar, por trupi gjykues do të konfirmojë në kohën e duhur nëse ato do të mbahen apo jo.

    Trupi gjykues gjatë seancës së së mërkurës në çështjen gjyqësore ndaj Shalës, dha disa urdhra me gojë duke përfshirë edhe urdhrin për kërkesën e mbrojtjes së Pjetër Shalës për të shtuar psikologen Vanessa Milazzo në listën e dëshmitarëve, si dhe për të përfshirë akt-ekspertizën e saj në listën e provave materiale.

    Si rrjedhojë, trupi gjykues e miratoi pjesërisht kërkesën dhe urdhëroi që dëshmitarja dhe raporti i saj t’i shtohen listës së dëshmitarëve dhe listës së provave materiale të mbrojtjes.

    Megjithatë, trupi gjykues refuzoi pjesën e kërkesës së mbrojtjes për dëshminë e kësaj dëshmitareje në gjykatë.

    Ndërsa pas kësaj, seanca e sotme ka përfunduar në të cilën mbaroi dëshminë dëshmitari i 10-të i mbrojtjes, Safet Gashi.