ATV

Category: Lajme

  • ​Kurti: Serbia vazhdon rrugëtimin drejt metodave të Putinit nga frikësimi e deri tek torturimi

    ​Kurti: Serbia vazhdon rrugëtimin drejt metodave të Putinit nga frikësimi e deri tek torturimi

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka akuzuar Serbinë se është duke e ndjekur rrugën e metodave të presidentit rus, Vladimir Putinit. Sipas tij, këto janë si pasojë e arrestimit të dy qytetarëve nga Kosova padrejtësisht dhe rrahjen e politikanëve serbë që mendojnë ndryshe.

    Kurti në mbledhjen e parë të qeverisë të mbajtur për këtë vit ka thënë se viti ka nisur me lajme të mira për Kosovën, duke filluar nga liberalizimi i vizave.

    “Një viti i ri ky për nga kalendari por edhe me shumë punë që na presin përpara. Deri sa angazhohemi çdo ditë që masave të pa drejtat të BE-së ndaj Kosovës të ju vie fundi. Jemi shumë të lumtur që në këtë fillim vit erdhi fundi masës më të padrejtë e më të gjatë që BE praktikisht kishte mbi qytetarët e Republikës sonë, regjimin e vizave…Fitoret, sukseset dhe arritjet e këtij muaji së pari janë të shtetit të Kosovës nga të cilit përfitojnë qytetarët e vendit tonë, para se të gjithash e mbi ë gjithash që jan më meritoret. Andaj, le të ecim përpara me deponimin dhe optimizmin e këtij muaji janar, me angazhimin e vendosmërinë e këtyre tre viteve të qeverisës sonë të mirë e demokratike dhe këtë ta bëjmë natyrisht drejt rezultateve të reja dhe arritjeve të radhës”, tha Kurti.

    Kryeministri Kurti, tha se përkundër ndryshimeve pozitive në vend, edhe ky vit po e trashëgon vendin me një fqinjë të vjetër, i cili po përkeqësohet. Me ç’rast, ai shtoi se arrestimi i dy qytetarëve të vendit në kufi me Serbinë është i padrejtë.

    Duke folur për veprimet e Serbisë ndaj shtetasve të Kosovës, Kurti tha Serbia vazhdon të mbajë në paraburgim edhe dy qytetarët tjerë të Republikës së Kosovës, Petrit Dula dhe Nezir Mehmetaj, për çfarë tha se pavarësisht se Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar ekstradimin e tyre nga autoritetet e Serbisë, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

    “Megjithatë përkundër ndryshimeve pozitive, progresiste për vendin tonë, edhe ky vit po na e trashëgon një fqinjë të vjetër, i cili po përkeqësohet. Javën e kaluar, dy qytetar të Republikës së Kosovës Hasan dhe Xhavit Dakaj u ndaluan dhe u arrestuan në kufi me Serbinë. Hasan Dakaj edhe sot vazhdon të mbahet atje padrejtësisht dhe në mënyrë arbitrare. Kjo nuk është hera parë dhe as nuk paraqet një rast të izoluar, kjo është një sjellje e qëllimshme, dashakeqe e Serbisë që bie ndesh me Konventat Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Serbia vazhdon të mbajë në paraburgim edhe 2 qytetarët tjerë të Republikës së Kosovës, Petrit Dula dhe Nezir Mehmetaj…Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në dritë të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe në dritw të rrugës se normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona ka kërkuar ekstradimin e Petrit Dulës dhe Nezir Mehmetaj nga autoritetet e Serbisë. Përgjigje nuk kemi pranuar kurrë, vetëm lajme për vazhdim të procesit gjyqësor kundër dy shtetasve tanë”, shtoi Kurti.

    Mes tjerash, Kurti mori marrë shembull për sjelljen dashakeqe të Serbisë, arrestimin e dy qytetarëve nga Kosova dhe rrahjen e politikanit opozitar Nikola Sanduloviq.

    Ai tha se Serbia vazhdon rrugëtimin drejt metodave të Putinit nga frikësimi e deri tek torturimi.

    “Trajtimi i Nikola Sanduloviç nga Agjencioni i Sigurisë dhe informacionet e Serbisë fletë për mendësinë të cilën fqinji ynë e kultivon brenda vetës. Mënyrat, sjelljet dhe veprimet antidemokratike pasqyrojnë realitetin e hidhur atje. Vendin ku nuk njihet fjala e lirë, nuk vlen Konventa për mbrojtjen e te drejtave të njeriut dhe pakicave, e ku me frikë dhe dhunë tentohet të mposhtet opozitarizimi dhe çdo zë që i kundërvihet pushtetit autokratik të Aleksandër Vuçiqit…Serbia vazhdon rrugëtimin drejt metodave të Putinit nga frikësimi e deri tek torturimi ”, tha ai. /kp

  • Dragisha Milenkoviq deklarohet i pafajshëm për krime lufte në Kosovë

    Dragisha Milenkoviq deklarohet i pafajshëm për krime lufte në Kosovë

    Dragisha Milenkoviq, ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për krime lufte kundër popullatës civile, ndërsa e pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje.

    Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Milenkoviq e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Atdhe Dema, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Me pranimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje nga ana e të akuzuarit, u pajtuan edhe prokurori Dema dhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Dejan Vasiq, të cilin më pas e aprovoi kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi.

    Shpallja e aktgjykimit lidhur me veprën për të cilën Milenkoviq e pranoi fajësinë, do të bëhet në fund të shqyrtimit gjyqësor.

    Gjykatësi Krasniqi njoftoi palët se sa i përket veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, kanë të drejtë që në afat ligjor prej 30 ditësh, të paraqesin kërkesë për hudhje të aktkuzës dhe kundërshtim të provave.

    Aktakuza e ngritur më 26 dhjetor 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Dragisha Milenkoviqin se në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Ljubomir Çimburoviç, ish-drejtor i Burgut të Qarkut në Prishtinë, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, ish-gardianë të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç e shpjegojnë vetë viktimat, se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psiqike, i kanë lënë pa ngrënë për gati një javë, i kanë kanosur seriozisht për jetë e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë.

    Aktakuza thotë se Milenkoviq, nga 24 maj 1999 deri më 10 qershor 1999, në Burgun e Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Çimburoviç, Bradiq dhe Iviq, pasi i kanë transferuar të burgosurit shqiptarë nga Burgu i Dubravës në Burgun e Lipjanit, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët, ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit, e pastaj kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte e shqelma.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar, shkaktuar lëndime trupore dhe siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psiqike, i kanë lënë pa ngrënë për ditë të tëra, i kanë ofenduar e sharë dhe i kanë kanosur seriozisht për jetë se do i vrasin të gjithë, veprime këto të cilat kanë shkaktuar gjendje ankthi dhe frike tek ata.

    Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër populates civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.

    Milenkoviq ngarkohet edhe se në shtëpinë e tij më 21 qershor 2023, në Graçanicë, gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, policia ka gjetur një pistoletë, fishekë, karikatorë, thikë, shufër metalike.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

  • Stuhi vdekjeprurëse në ShBA, të paktën tre të vdekur

    Stuhi vdekjeprurëse në ShBA, të paktën tre të vdekur

    Të paktën tre persona kanë vdekur dhe mbi gjysmë milioni shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike pas stuhive vdekjeprurëse që kanë shpërthye në lindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, shkruan BBC.

    Erërat e forta përmbysën veturat dhe rrëzuan shtëpitë në Florida, ku u raportuan disa tornado.

    Më shumë se 1,.300 fluturime brenda ose jashtë SHBA-së u anuluan të martën, sipas të dhënave nga FlightAware.

    Avioni i zëvendëspresidentes Kamala Harris duhej të devijohej për shkak të motit.

    Që nga mbrëmja e së martës, më shumë se 630 mijë familje në SHBA-në lindore, nga Florida në shtetin e New Yorkut ishin pa energji elektrike.

    Dhjetëra qarqe në Florida kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

    12 tornado u raportuan në Florida, Alabama dhe Georgia deri të martën, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe, në disa zona, duke nxitur operacionet e kërkimit dhe shpëtimit.

    Në Houston County, Alabama, një grua 81-vjeçare thuhet se vdiq pasi një tornado shpërtheu nëpër zonë.

    Një person vdiq në Claremont, Karolina e Veriut, ndërsa një tjetër në Clayton County, Georgia, thanë zyrtarët, pasi një pemë ra në një autostradë dhe shtypi veturën e shoferit.

  • Gjykatësit shprehen skeptikë se Trumpi është imun ndaj ndjekjes penale

    Gjykatësit shprehen skeptikë se Trumpi është imun ndaj ndjekjes penale

    Gjykatësit e Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara kanë shprehur dyshimet e tyre se ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është imun ndaj ndjekjes gjyqësore në nën akuzat se kishte tentuar ta përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

    Në një rast historik, avokatët e Trumpit thanë se koha që ai e ka kaluar në pushtet e mbron atë nga akuzat në lidhje me dyshimet se u përpoq ta zhbënte disfatën në zgjedhjet presidenciale 2020.

    Por, Departamenti i Drejtësisë argumentoi se Presidenca nuk është mbi ligjin.

    Gjatë seancës së gjatë dëgjimore, gjykatësit i bënë trysni vazhdimisht avokatit të Trumpit që t’i mbrojë pretendimet se Trumpi është i mbrojtur nga akuzat penale për veprimet të cilat ai thotë se ishin pjesë e detyrave të tij si president.

    Trump, 77 vjeç, thotë se ai nuk duhet të përballet me akuza penale sepse në atë kohë kishte vepruar si president. Ai vazhdimisht e pa përmendur imunitetin presidencial derisa është përballur me raste penale dhe civile.

    Ky argument i tij u rrëzua muajin e kaluar nga një gjykatës i një gjykate më të ulët, i cili po merret me rastin kundër tij, ndërsa edhe gjykatësit e Apelit shprehën dyshimet e tyre se presidentët gëzojnë imunitet të plotë pasi të jenë larguar nga zyra e presidentit.

    Pavarësisht vendimit që do ta marrë Gjykata e Apelit, rasti pritet të përfundojë në Gjykatën Supreme të SHBA-së, ku konservatorët kanë shumicën prej 6-3.

    Ky rast mund të ketë ndikim të madh në të ardhmen e presidencës amerikane dhe për atë se çfarë i lejohet një presidenti.

    Trumpi është favorit në garën për t’u nominuar kandidat për president nga radhët e republikanëve, dhe pritet të garojë kundër presidentit Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit.

    Trumpi tha pasi doli nga gjykata se nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe se po ndiqet penalisht për “arsyeje politike”.

    “Presidenti duhet të ketë imunitet”, tha ai./REL/

  • CNN: Trump në përparësi të fitojë zgjedhjet presidenciale të SHBA

    CNN: Trump në përparësi të fitojë zgjedhjet presidenciale të SHBA

    Harta zgjedhore “Rruga drejt 270” e CNN, duke analizuar garën e ardhshme presidenciale Biden kundër Trump, sugjeron një rrugë sfiduese për Presidentin Biden në përsëritjen e suksesit të tij në Kolegjin Zgjedhor 2020.

    Harta tregon se ish-Presidenti Trump është i pozicionuar mirë, me një kombinim të shteteve solide dhe të prirura që t’i japin atij një total potencial prej 272 votash elektorale, mbi kufirin 270.

    Ndërkohë, Biden duket se ka 225 vota elektorale nga shtete solide ose të prirura, duke e lënë atë 45 vota larg fitores, me shtetet kyçe të fushëbetejës të gatshme për të luajtur një rol vendimtar në rezultatin e zgjedhjeve.

  • Dje e takoi Netanyahun, Blinkeni sot bisedon me presidentin palestinez

    Dje e takoi Netanyahun, Blinkeni sot bisedon me presidentin palestinez

    Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, do të zhvillojë bisedime sot me kreun e Autoritetin Palestinez Mahmoud Abbas.

    Washtingtoni shpreson se Abbas mund të qeverisë Gazën pas përfundimit të luftës së Izraelit me Hamasit.

    Blinkeni është në vizitën e tij të katërt të krizës në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës, ai u takua me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, të martën në Tel Aviv, raporton The Guardian.

    Ndërkohë, pallati mbretëror i Jordanisë tha se Mbreti Abdullah II do të presë presidentin palestinez dhe presidentin egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, të mërkurën për bisedime mbi Gazën, duke përfshirë përpjekjet për të “shtyrë për një armëpushim të menjëhershëm”.

  • Arrestohet i dyshuari që dyshohet se dhunoi dhe e mbylli në banesë të miturën në Kaçanik

    Arrestohet i dyshuari që dyshohet se dhunoi dhe e mbylli në banesë të miturën në Kaçanik

    Policia e Kosovës njoftoi se është arrestuar një person në Kaçanik, pasi dyshohet se dhunoi dhe e mbylli në banesë të miturën.

    Në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të martën dhe është iniciuar si “Dhunim” dhe “Privim i kundërligjshëm i lirisë”.

    “Viktima femër kosovare (e mitur) ka raportuar se është mbyllur brenda në banesë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore ku kanë thyer derën e objektit dhe kanë liruar viktimën. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari kosovar që dyshohet se pasi kishte kryer marrëdhënie seksuale me viktimën e kishte mbyllur në banesë dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • ​Azemi ngre alarmin: Vitin 2024 do të mungojnë rreth 150 mijë punëtorë

    ​Azemi ngre alarmin: Vitin 2024 do të mungojnë rreth 150 mijë punëtorë

    Në vitin 2024 do të mungojnë rreth 150 mijë punëtorë. Vetëm në mars të këtij viti pritet të ikin mbi 25 mijë persona.

    Kështu thotë, Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili akuzon qeverinë për kushte jo të favorshme për punëtorët. Në anën tjetër, edhe njohës të ekonomisë, vlerësojnë se gjashtëmujori i parë i këtij viti do të jetë më sfidues për bizneset në fuqinë punëtorë.

    Kreu i kësaj sindikate, Azemi thotë për KosovaPress se nga informacionet që kanë marrë nga disa kompani të autobusëve, janë mbi 25 mijë persona që kanë kontraktuar se do të ikin jashtë vendit.

    “Realisht edhe pa liberalizim të vizave pronarët e kompanive kanë telashe me punëtor, sidomos të kualifikuar që është një mungesë jashtëzakonisht e madhe. Megjithatë, mendojmë që sidomos gjashtëmujori i dytë i vitit 2024 do të jetë shumë më i rëndë sesa ky fillimi, sepse në pjesën e parë të vitit, njerëzit do shkojnë të kontaktojnë me familjarët, me pronar të kompanive atje dhe pastaj duhet të kthehen. Dashtë Zoti të dhënat tona mos të dalin të sakta, sepse ne mendojmë se vetëm vitin 2024 do të na mungojnë rreth 150 mijë punëtor, çka sipas një statistike ose disa të dhënave, vetëm një kompani autobusëve shumë e madhe në Kosovë, deri në mars thotë se ka mbi 25 mijë persona të kontraktuar se do të ikin jashtë. Megjithatë, jemi të bindur që jo të gjithë do qëndrojnë jashtë, sepse do të këtë një numër të vogël se do të kthehen prapa”, thotë ai.

    Krahas pagave të ulta, Azemi rëndit edhe faktorët tjerë që kanë ndikuar në ikjen e të rinjve nga vendi.

    Ndërkaq, vlerëson se tanimë është vonë të reagojë shteti në ndaljen e të rinjve nga vendi, sipas tije dhe po t’ua ofrojë pagë 1 mijë euro një punëtori që është paguar 300 euro, nuk do ja mbush mendjen të qëndroj këtu.

    “Nuk kemi asnjë siguri, së paku deri vonë s’kemi pas siguri se këta punëtor kanë paga reale solide, kanë kontrata pune, kanë pagesa e Trustit…Me gjendjen që e kemi njerëzit nuk shohin perspektivë dhe ata do të hulumtojnë sepse do krijojnë familje për vete…Shteti i ka lënë punëtorët me paga shumë më të vogla, sidomos tek ato kompani që kryejnë shërbime për institucionet shtetërore, ato janë mizërie…05:12 Nëse shteti merr vendim që paga minimale do të jetë 1 mijë euro, të jeni të bindur që nuk do ta ketë efektin e vet, sepse njerëzit e kanë humb besimin edhe tek qeveria, tek pronaret, duan në një formë të gjejnë jetën e tyre”, thekson ai.

    Azemi thotë se përkundë kërkesave të shumta që i ka bërë kjo sindikatë ndaj kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe ministrit të financave, Hekuran Murati që të takohen për të diskutuar për kushtet e punëtorëve, të njëjtit nuk kanë pranuar as edhe një herë të flasin.

    Sipas Azemit, është ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia me të cilin ka pasur takime të suksesshme në përmirësimin e kushteve të punëtorëve.

    “Jemi takuar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për të cilin kemi arritur rezultate. Kemi pasur paga 250 euro dhe tani tenderi që ka dalë këta punëtor, sidomos në spitale, paga e tyre do të jetë 405 euro, takimet kanë qenë të suksesshme…Ndërsa, asnjë takim me kryeministrin, dhe asnjë takim me ministrin e Financave, Hekuran Murati, dhe janë mbi 25 kërkesa të protokolluara që të ulemi të bisedojmë për kushtet e punëtorëve”, përfundon Azemi.

    Se ky vit do të jetë sfidues për bizneset për fuqi punëtore e thonë edhe njohës të ekonomisë.

    Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka thotë se ankesa më e madhe e ndërmarrjeve të sektorit privat lidhet me disponueshmerinë e fuqisë punëtore.

    “Ajo çfarë më së shumti mund të themi se ka qenë ankesë e ndërmarrjeve të sektorit privat lidhet me disponueshmerinë e fuqisë punëtore. D.m.th edhe në vitin 2023, por natyrisht një pjesë e këtyre shqetësimeve shkojnë përtej vitit 2023, edhe pashmangshëm me liberalizmin e vizave, rriten më tej, pra, si shqetësime nga droja se trendët e ikjes së popullsisë tashmë pas 1 janarit të vitit 2024 kur nuk do të ketë më regjim të vizave për shtetasit e Kosovës, mund të rriten më tej, gjithnjë duke i pasur parasysh trendët e ikjes së popullsisë përgjatë viteve të kaluara, edhe atëherë kur kemi pas realisht regjim të vizave”, thotë Zeka.

    Edhe njohësi i ekonomisë, Besnik Avdija, thotë se liberalizimi i vizave do të shkaktoi ‘kaos’ për vendin.

    “Po pritet që viti 2024 të fillojë me liberalizimin e vizave, kjo do të sjellë një lloj kaosi, po supozohet se do të jetë të paktën në gjashtëmujorin e parë një lloj kaosi në tregun e vendeve të punës. Është një shumicë e qytetarëve që nuk kanë pasur mundësi deri sot të udhëtojnë, të shëtisin, të vizitojnë vendet në zonën Shengen, qoftë për qëllime rekreative apo të punës dhe pritshmëritë që të ketë një lëvizje me liberalizimin e vizave janë shumë të larta”, thotë ai.

    Më 1 janar 2024 iu dha fund regjimit të vizave dhe pritjes disavjeçare të qytetarëve të Kosovës, për të lëvizur lirshëm pa viza drejt vendeve në zonës Schengen

    Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë deri në 90 ditë, në një periudhë brenda gjashtë muajsh, në të gjitha shtetet që janë anëtare në zonën Schengen.

    Regjimi pa viza nuk nënkupton leje pune, por kosovarët do të mund të realizojnë vizita turistike apo të tjera për çështje familjare.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Gjatë ditës së sotme në vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht me vranësira, ndërsa gjatë ditës do të ketë edhe intervale diellore.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Ferizaj me -7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Gjakova me 3 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë Gjilani me -7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale përsëri Gjakova, Prizreni dhe Gjilani me 3 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot të vranët dhe në shumicën e zonave do të ketë diell.

    Temperaturën minimale do e ketë Korça me -4 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Vlorë me 13 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta ndiqni në videon e mëposhtme:

  • 59 aksidente brenda 24 orëve, 12 prej tyre me të lënduar

    59 aksidente brenda 24 orëve, 12 prej tyre me të lënduar

    Policia e Kosovës njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë raportuar 59 aksidente trafiku.

    Siç njofton Policia, 12 nga këto aksidente kanë përfunduar me të lënduar, ndërsa 47 të tjera janë me dëme materiale.

    Ndërkohë, sipas raportit 24-orësh të Policisë, gjatë kësaj kohe janë shqiptuar 1 mijë e 912 gjoba trafiku.