ATV

Category: Lajme

  • Atraksioni më i ri për koncerte, dy miliardë euro ‘’MSG’’ në Las Vegas

    Atraksioni më i ri për koncerte, dy miliardë euro ‘’MSG’’ në Las Vegas

    Salla sferike ‘MSG’ mban rreth 20,000 njerëz dhe cka e bën të veçantë është ekrani më i madh LED në botë i cili shtrihet në nëntë nivele dhe ndodhet në Las Vegas.

    Sfera është struktura më e madhe sferike në botë . Ajo shërben si një sallë me shumë qëllime për ngjarje të tilla si koncerte dhe është salla më spektakolare dhe më e madhe e koncerteve në botë.

    Një tipar interesant është pjesa e brendshme e arenës, ku muret e brendshme janë të veshura me LED ashtu si muret e jashtme, që janë barabartë me tetë fusha futbolli në madhësi. Këto LED mbulojnë një sipërfaqe prej 15,000 metrash katrorë dhe kanë një rezolucion prej 16K.

    Kjo do të thotë se mund të zhvillohen koncerte me animacione , të shoqëruara me animacione 360 gradë.

    Të ftuarit përshëndeten dhe informohen për vendin e ngjarjes nga pesë robotë humanoidë të ndihmuar nga intelegjenca artificiale.

    ‘Sphere’ është salla më spektakolare dhe më e madhe e koncerteve në botë dhe ndodhet në Las Vegas.

    Katër deri në gjashtë shfaqje të përhershme janë planifikuar çdo vit.

    Përveç koncerteve, në sallë janë planifikuar edhe ceremoni të ndarjes së çmimeve dhe evente të ndryshme argëtuese.

    Edhe pse ndërtesa nuk ishte projektuar fillimisht për ngjarje sportive, ekziston mundësia për të pritur boks dhe luftime të arteve marciale të përziera.

    Si fillim, regjisori Darren Aronofsky ka xhiruar një film në këtë arenë sferike. Publiku nuk mund të përjetojë vetëm përshtypje vizuale , por mund të përjetojnë ndjesinë e erës dhe aromave të ndryshme . Për më tepër, sistemi audio ka disa veçori mbresëlënëse.

    Për shembull, një pjesë e audiencës mund ta shikonte filmin në gjermanisht, ndërsa të tjerët mund të dëgjonin në të njëjtën kohë kolonën zanore angleze ose spanjolle.

    Ndërtesa sferike në numra i bie të jetë 112 metra e lartë, 157 metra e gjerë. Kurse struktura sferike kushtoi 1.8 miliardë dollarë.

    Grupi U2 u lejua të bënte hapjen me performancën e tyre live . Çmimet varionin nga 500 deri në 1500 dollarë për biletë.

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Bilcik: Sivjet duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet dhe të përfundojë dialogu

    Bilcik: Sivjet duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet dhe të përfundojë dialogu

    Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilcik, ka deklaruar se shpreson që Serbia dhe Kosova të gjejnë vullnetin për normalizimin e marrëdhënieve dhe se këtë vit, me të vërtetë duhet të shkojmë drejt përfundimit të dialogut.

    Bilcik ka thënë se BE-ja po i dërgon mesazhe të qarta Aleksandar Vuçiqit dhe Albin Kurtit se në vitin 2024 pret zbatimin e marrëveshjeve të arritura për normalizimin e marrëdhënieve.

    “Ne po u dërgojmë atyre mesazhe të qarta dhe shpresojmë që ata të gjejnë vullnetin për ta bërë këtë. Nga përvojat e mia me presidentin Vuçiq, mendoj se ka një mirëkuptim dhe vullnet për të bërë përparim. Këtë e kemi parë, sidomos kur bëhet fjalë për letërnjoftimet, targat, energjinë, kur është fjala për zbatimin në terren. Dhe kjo është e rëndësishme. Mendoj se i takon Kosovës që të zgjidhë çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është koha që kjo të realizohet, mendoj se kjo vërtet do të mundësojë progres dhe shpresoj se Prishtina do të ketë fuqinë dhe përgjegjësinë për të vepruar me mirëbesim në ditët dhe javët në vijim. Është e rëndësishme që tensionet në rajon të reduktohen. Është absolutisht e domosdoshme që sulmet, si ai në Banjskë, të mos përsëriten. Si dhe të mos ketë më sulme ndaj ushtarëve të NATO-s dhe KFOR-it. Ngjarjet e kaluara duhet të hetohen tërësisht në mënyrë që asnjë nga palët të mos kenë arsye për të rritur tensionet. Është inkurajuese që Beogradi ka treguar gatishmëri për të inkurajuar serbët e Kosovës që të shkojnë në zgjedhje. Shpresoj se zgjedhjet në veri të Kosovës do të mbahen dhe do të ketë një marrëveshje politike se si të realizohet e gjitha. Agjenda është e qartë dhe komplekse. Këtë vit ne me të vërtetë duhet të shkojmë drejt përfundimit të dialogut”, ka thënë Bilcik, transmeton Paparaci.

    I pyetur se si e interpreton qëndrimin e Serbisë se zgjerimi i kornizës negociuese për Serbinë me Marrëveshjen e Ohrit dhe aneksin e saj do të thotë se Bashkimi Evropian po ia mbyll derën Serbisë, gjë që u deklarua së fundmi nga presidenti serb, Bilcik ka thënë se nevojitet një angazhim serioz për të zbatuar të gjitha marrëveshjet.

    “Duhet angazhim nga të dyja palët. Ekziston një marrëveshje për nevojën për përparim dhe zbatim. Unë mendoj se të gjithë e pranojnë këtë. Kjo nuk është çështje nënshkrimesh – por e mirëkuptimit të ndërsjellë, gjë që është konfirmuar. Gjithashtu, ne kemi konkluzione të qarta nga dhjetori i vitit të kaluar që i referohen konkluzioneve në lidhje me kapitullin 35. Për këtë ka një afat dhe presim që institucionet e Bashkimit Evropian të sqarojnë se çfarë duhet bërë. Atmosfera pas dialogut është plot emocione dhe deklarata të forta nga të dyja palët. Është e nevojshme të fokusohemi në negociatat praktike. Për këtë nevojitet vullnet i mirë. Ne kemi një udhërrëfyes të qartë se çfarë duhet të bëjnë të dyja palët”, ka shtuar ai.

    Ai ka shtuar se negociatat janë duke vazhduar dhe se që nga muaji mars ka pasur disa takime, madje edhe në nivelin më të lartë, dhe fakti që nga muaji mars nuk ka pasur asnjë dokument që i është paraqitur publikut – nuk do të thotë se nuk ka diskutime, por se duhet rezultati përfundimtar, që është normalizimi i marrëdhënieve.

    “Ato zgjasin dhe frekuenca e kontakteve është e lartë. Kjo është ajo që është e rëndësishme. Unë do ta konsideroj të kënaqshme kur të vendoset një normalizim i lehtë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe mendoj se të gjithë të tjerët do të jenë të kënaqur. Duhet të punojmë në realizimin e rezultateve. Aktualisht jemi në një proces që funksionon, por ky proces do të konsiderohet i suksesshëm vetëm kur të japë fryte. Një rezultat i kënaqshëm është normalizimi i marrëdhënieve – dhe që do të kërkojë që të dyja palët të marrin vendime dhe hapa të rëndësishëm për të ecur përpara”, ka përfunduar Bilcik./Paparaci.com

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Gjatë ditës së sotme në vendin tonë parashihet të mbajë mot me intervale të konsiderueshme diellore, por do të kemi masa të ftohta ajrore.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Ferizaj me -7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Gjakova me 3 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë Gjilani me -7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale përsëri Gjakova, Prizreni dhe Gjilani me 3 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot të vranët dhe në shumicën e zonave do të ketë diell.

    Temperaturën minimale do e ketë Korça me -4 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Vlorë me 13 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta ndiqni në videon e mëposhtme:

  • Finlanda do të zgjasë mbylljen e kufirit me Rusinë

    Finlanda do të zgjasë mbylljen e kufirit me Rusinë

    Finlanda do të zgjasë mbylljen e kufirit të saj me Rusinë, vendim ky i cili ishte caktuar të përfundonte më 15 janar, tha ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë Sari Essayah, të mërkuren për transmetuesin publik.

    “Kufiri do të mbetet i mbyllur,” tha Essayah kur u pyet nëse kufiri do të mbetet i mbyllur edhe për një muaj.

    Mediat finlandeze kishin raportuar më parë se qeveria do të zgjaste masën.

    Finlanda mbylli kufirin për të ndaluar një numër në rritje të azilkërkuesve që të hynin në vend dhe tha se Moska kishte orkestruar fluksin e njerëzve, një akuzë që Kremlini e mohon.

    Në nëntor të vitit të kaluar, Finlanda njoftoi për mbylljen e pikës së fundit kufitare me Rusinë, mes shqetësimeve se Moska po i shfrytëzon emigrantët si pjesë e një “lufte hibride” për destabilizimin e vendit nordik, pas anëtarësimit të tij në NATO.

    Numri në rritje i migrantëve të mbledhur në pikat kufitare i ka forcuar bindjet e Finlandës që autoritetet ruse po tentojnë t’i shtyjnë migrantët për të udhëtuar drejt Finlandës, me qëllim të destabilizimit të shtetit.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar në dhjetor të vitit të kaluar për “probleme” të paspecifikuara me Finlandën, dhe ka thënë se ka urdhëruar krijimin e një distrikti të ri ushtarak në rajonet kufitare me shtetin nordik.

    Finlanda ka hequr dorë nga politika e saj e neutralitetit, pak pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022, dhe vitin e kaluar është bërë anëtarja e 31-të e NATO-s.

    Prej atëherë, Finlanda e ka rritur numrin e njësiteve ushtarake në misione trajnime, dhe u ka lejuar aeroplanëve të NATO-s që të patrullojnë zonën ajrore, veprim që e ka zemëruar Rusinë./REL/

  • Gruaja raporton burrin e zhdukur në Polici: Doli nga burgu i Hajvalisë, por nuk po dihet vendndodhja e tij

    Gruaja raporton burrin e zhdukur në Polici: Doli nga burgu i Hajvalisë, por nuk po dihet vendndodhja e tij

    Një grua ka raportuar në Polici se burri i saj ka dalë nga burgu i Hajvalisë dhe nuk dihet vendndodhja e tij.

    Dje në Polici ankuesja femër kosovare, ka raportuar se bashkëshorti i saj mashkull kosovar me datën 09.01.2024 ka dalë nga burgu i Hajvalisë dhe nuk dihet vendndodhja e tij.

    Policia nuk ka dhënë detaje shtesë.

    “Hajvali, Prishtinë 10.01.2024 – 15:00. Ankuesja femër kosovare, ka raportuar se bashkëshorti i saj mashkull kosovar me datën 09.01.2024 ka dalë nga burgu i Hajvalisë dhe nuk dihet vendndodhja e tij”, thuhet në raportin e Policisë. /atvlive.tv

  • Në rrethana të panjohura, plagoset me armë zjarri një person në Rahovec

    Në rrethana të panjohura, plagoset me armë zjarri një person në Rahovec

    Policia e Kosovës njoftoi se një person në Rahovec është plagosur me armë zjarri në dorë, në rrethana të panjohura.

    Në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 22:00, ndërkohë që viktima ka pranuar tretman mjekësor.

    Tutje, Policia njoftoi se për këtë rast nuk është raportuar për të dyshuar, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

     

  • ​Kurti pret me ceremoni shtetërore homologun irlandez

    ​Kurti pret me ceremoni shtetërore homologun irlandez

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur me ceremoni shtetërore Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar.

    Pas pritjes ceromoniale, dy kryeministrat do të mbajnë një takim dypalësh dhe pas takimit në ora 10:30 pritet të mbahet konferencë e përbashkët e dy kryeministrave.

    Kryeministri Varadkar poashtu nga ora 11:00 do të takohet edhe me presidentën e vendit, Vjosa Osmani.

    Varadkar ka arritur në Kosovë të mërkurën, ku është pritur nga kryeministri i vendit, Albin Kurti në Airoportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

  • Arrestohet një person për dhunimin e një gruaje në Ferizaj

    Arrestohet një person për dhunimin e një gruaje në Ferizaj

    Arrestohet një person për dhunim të një gruaje në Ferizaj.

    Policia e Kosovës njofton se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Ferizaj 08.01.2024. Me datë 10.01.2024 viktima femër kosovare ka njoftuar se me datën e lartcekur ishte dhunuar nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

  • Eurodeputeti gjerman thirrje Borrellit: Te lutem merri seriozisht deklaratat e Dodikut

    Eurodeputeti gjerman thirrje Borrellit: Te lutem merri seriozisht deklaratat e Dodikut

    Në mediumit Sputnik, lideri serb i Bosnjës Milorad Dodik dha një intervistë rreth çështjeve që sipas pretendimeve të tij po e shqetësojnë atë dhe mikun e tij të ngushtë, presidentin serb Aleksandar Vuciq.

    Dodik duke folur hapur se si dëshiron të bashkojë Serbinë, Kosovën, Republikën Srpska dhe Malin e Zi në një shtet.

    Dodik që është i sanksionuar nga SHBA, por gëzon mbështetjen e madhe të Vuciqit.

    Është kjo video që ka detyruar eurodeputetin gjerman Reinhard Bütikofer t’i bëjë ftesë shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell që ta merr seriozisht deklaratën e Dodikut.

    “Të lutem Josep, merre seriozisht”, ka shkruar ai në platformën X dhe ia ka bashkëngjitur pjesën e intervistës së Dodikut.

  • Ajri i ndotur në Prishtinë, IKShPK-ja del me disa rekomandime

    Ajri i ndotur në Prishtinë, IKShPK-ja del me disa rekomandime

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka njoftuar se ajri në Prishtinë është jo i shëndetshëm.

    Lidhur me këtë, IKShPK-ja u ka bërë thirrje për kujdes personave të ndjeshëm dhe atyre me sëmundje kronike.

    Në njoftimin e IKShPK-së, janë dhënë edhe disa rekomandime si të veprohet në situata kur ajri është i pashëndetshëm.