ATV

Category: Lajme

  • Abdixhiku përkujton Enver Malokun, shpalos portretin përkujtimor të tij në LDK

    Abdixhiku përkujton Enver Malokun, shpalos portretin përkujtimor të tij në LDK

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar publicistin dhe anëtarit kësaj partie, Enver Maloku në 25-vjetorin e vrasjes së tij.

    Abdxhiku ka thënë se në mbrëmjen e 11 janari para 25 viteve “u ndërpre rrugëtimi i një gazetari vetëmohues, i një ëndërrimtari të lirisë, i një intelektuali të rrallë e të pashoq, i një adhuruesi të shkrimit, rokut, e vet shpirtit kulturor të shoqërisë sonë”.

    Për nder të tij, në selinë qendrore të LDK-së u shpalosë pllaka e portretin përkujtimor të tij.

    “25 vjet më parë, në mbrëmjen e 11 janarit të vitit të lirisë, Enver Maloku u qëllua pranë banesës së tij në Breg të Diellit në Prishtinë. Atë ditë u ndërpre rrugëtimi i një gazetari vetëmohues, i një ëndërrimtari të lirisë, i një intelektuali të rrallë e të pashoq, i një adhuruesi të shkrimit, rokut, e vet shpirtit kulturor të shoqërisë sonë. Patrioti model i orëve më të rënda e bartësi i dritares informuese në lëvizjen më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci, u vra në moshën 45-vjeçare. Sot, një çerek shekulli pas, me familjen e ngushtë Maloku, me zonjën Hava, Doruntinën e Drinin, në selinë qendrore të LDK-së shpalosëm pllakën e portretin përkujtimor të tij. Ky portret e kjo pllakë, e vendosur në Murin e Nderit, do të na qëndrojnë si shenja të rënda që na ekojnë përherë dhe në përditshmëri. Që na rikujtojnë rreshtin e gjatë të patriotëve të Lidhjes dhe vet Republikës, ëndrra fillestare e të cilëve na është bërë udhërrëfimi ynë sot”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.

  • Varadkar: Masat ndaj Kosovës duhet të hiqen, Asociacioni të themelohet por jo si mikro-shtet

    Varadkar: Masat ndaj Kosovës duhet të hiqen, Asociacioni të themelohet por jo si mikro-shtet

    Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar tha se vendi i tij beson se masat kufizuese ndaj Kosovës duhet të hiqen, ndërsa kërkoi zgjedhje të parakohshme dhe demokratike në veri dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë, Varadkar tha se Asociacioni nuk duhet të jetë një mikro-shtet.

    “Qëndrimi i qeverisë irlandeze është që besojmë se masat kufizuese që janë vënë ndaj Kosovës duhet të hiqen dhe ky është një pozicion që ia kam treguar edhe kryeministrit zyrtarisht”, tha ai në konferencën e përbashkët për media.

    Kryetarët e komunave veriore, Varadkar tha se duhet t’i përfaqësojnë njerëzit që jetojnë atje.

    “Dhe është shumë me rëndësi që kryetarët e komunave të zgjidhen në mënyrë demokratike dhe të përfaqësojnë njerëzit që jetojnë në ato zona”, tha ai.

    “Dhe dua ta shoh Asociacionin që po themelohet, mirëpo kjo duhet të bëhet në koordinim të atyre zonave dhe nuk dua të shoh të krijohet një mikro-shteti brenda Kosovës. Kjo nuk do të jetë diçka që do të ishte e dobishme për të ardhmen”, tha ndër tjerash kryeministri irlandez.

  • Kërkohet që Arbër Sejdiut t’i rritet dënimi në 25 vjet apo burgim të përjetshëm

    Kërkohet që Arbër Sejdiut t’i rritet dënimi në 25 vjet apo burgim të përjetshëm

    Pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Apelit, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gazmend Rexhepi, para medieve tha se kanë kërkuar që të akuzuarit Arbër Sejdiu t’i rritet dënimi në 25 vjet burgim ose në burgim të përjetshëm.

    Rexhepi tha se kanë shfaqur pakënaqësi për dënimin e Sejdiut me 15 vjet burgim nga shkalla e parë, raporton Betimi për Drejtësi.

    “Është njëfarë dallimi shumë i madh mes të akuzuarit të parë dhe të akuzuarit të dytë prej burgim të përjetshëm në 15 vite, përkundër që ajo dispozitë thotë që kushdo që i ofron ndihmë dikujt tjetër dënohet më butë, mirëpo konsideroj që 15 vite është pak edhe nuk ndikon në edukimin e shoqërisë që vepra të tilla mos të përsëriten”, tha avokati Rexhepi.

    Ai tha se edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur ankesë, duke kërkuar që të ndryshohet aktgjykimi dhe ricilësimin e kualifikimit. Rexhepi tha se Prokuroria ka kërkuar që edhe i akuzuari i dytë të dënohet për bashkëkryerje.

    Kurse, theksoi se Prokuroria e Apelit ka dhënë mendimet lidhur me ankesat e palëve.

    Sipas Rexhepit, avokatët e të akuzuarve i kanë shfaqur pretendimet e tyre, duke kërkuar që çështja të kthehet në rigjykim.

    Rexhepi para medieve tha se nuk beson që rasti do të kthehet në rigjykim ngase provat janë mjaft bindëse, ndërsa shtoi se video-incizimet nuk janë bërë publike me kërkesë të familjes dhe se sipas tij janë më të tmerrshme sesa përshkrimi që i është bërë ngjarjes në tekst.

  • Kurti këmbëngul të ketë nënshkrim të marrëveshjes: Serbia shkeli tetë nga 11 nenet

    Kurti këmbëngul të ketë nënshkrim të marrëveshjes: Serbia shkeli tetë nga 11 nenet

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka këmbëngulur që të ketë nënshkrim të Marrëveshjes Bazike me Serbinë, të arritur më 27 shkurt në Bruksel, duke thënë se Serbia ka shkelur tetë nga 11 nenet e asaj marrëveshje, raporton EO.

    Shefi i Qeverisë ka theksuar se marrëdhëniet normale me Serbinë janë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe integrimin evropian.

    Në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin irlandez të enjten, Kurti ka thënë se po këmbëngul në nënshkrim pasi po do siguri ligjore që marrëveshja të zbatohet dhe të mos shkelet.

    “Dëshirojmë marrëdhënie normale me fqinjin tonë verior dhe marrëdhëniet normale janë marrëdhëniet evropiane të fqinjësisë së mirë. Është e rëndësishme për paqen, sigurinë dhe integrimin evropian që paraqet edhe fatin tonë, por edhe synimin tonë. Më 27 shkurt, jemi dakorduar për Marrëveshjen Bazike dhe më 18 mars, për Aneksin e Zbatimit. Problemi është që nga 11 nenet e Marrëveshjes Bazike, së paku tetë janë shkelur nga Serbia. Ne kërkojmë siguri ligjore jo vetëm për zbatim, por edhe për mos ta shkelur. Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar nënshkrim. Normalizimi duhet të jetë normal, andaj insistojmë të ketë nënshkrim. I bëj thirrje Bashkimit Evropian që gjithmonë të reagojë, edhe në shkeljet e vogla që mund të bëhen, e fatkeqësisht ato janë të shpeshta e jo të vogla”, ka thënë Kurti.

  • “U mërdhinëm qe një muaj”- Gazetari takon familjen tre anëtarëshe që jeton në garazhin e një objekti banesor në Prishtinë

    “U mërdhinëm qe një muaj”- Gazetari takon familjen tre anëtarëshe që jeton në garazhin e një objekti banesor në Prishtinë

    Një familje tre anëtarëshe ka gjetur strehim tash e një muaj, në parkingun nëntokësor të një objekt banesor në lagjen “Kalabria”, afër stacionit të autobusëve, në Prishtinë.

    Siç raportoi gazetari i ATV-së, Arton Hamiti, kjo familje me kryefamiljarin Faim Bunjaku, janë duke jetuar në këtë garazh, për shkak se babai i kishte përzënë nga shtëpia ku ata jetonin.

    “Babi na ka qitë prej shpisë, erdha këtu në Prishtinë, u dashtë me u strehu diku edhe jena ardhë këtu, ma mirë me nejt qitu sesa rrugëve. Na s’kena kurgjë, asnjë ndihmë, as social, as çika s’është e regjistrume në komunë. Po duhet me dal me mbledhë hekra, kanaçe e me i shitë, por kanihere po dalim edhe po kërkojmë lëmoshë. Çika është 6-vjeçe edhe është kanë smutë prej veshkave, prej të ftohtit. I lusë krejt ata që munden me na ndihmu diçka, të na ndihmojnë”, tha ai.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Vuçeviq: Nuk është realiste të arrihet marrëveshja me Kosovën këtë vit

    Vuçeviq: Nuk është realiste të arrihet marrëveshja me Kosovën këtë vit

    Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq tha se nuk është optimist se Kosova dhe Serbia do të arrijnë një marrëveshje deri në fund të vitit.

    Siç ka vlerësuar për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), presioni politik ndaj Serbisë vazhdon, si për Kosovën ashtu edhe për marrëdhëniet me Rusinë, shkruan REL.

    Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, i cili po vazhdon prej gati dy vitesh, që nga 24 shkurti 2022, edhe pse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    “Aspak periudhë e lehtë, mbi të gjitha do të thosha në gjashtë muajt e ardhshëm, jo ​​vetëm deri në fund të janarit, dhe Kosova” sipas tij, “do të jetë tema dominuese”.

    Siç shtoi ai, Beogradi duhet të vazhdojë të jetë maksimalisht konstruktiv, duke ruajtur interesat shtetërore dhe kombëtare, por edhe të ketë vija të kuqe të përcaktuara qartë.

    Vuçeviq vlerësoi gjithashtu se “nuk është realiste” që deri në fund të vitit të arrihet diçka që nuk është arritur me dekada.

    Ministria e Mbrojtjes e Serbisë dhe Shtabi i Përgjithshëm ushtarak nuk do të heqin dorë nga nisma për të rifilluar shërbimin e detyrueshëm ushtarak, tha më tej Vuçeviq.

    Ai theksoi se është e rëndësishme të theksohet se nuk është thirrje për luftë, por kuptim i të gjitha aspekteve të sigurisë të rrethanave gjeopolitike, gjendjes në vend, situatës në rajon dhe të ardhmes së Serbisë.

    Nisma për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak është nisur nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë dhe propozimi i është dorëzuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 4 janar.

    Në shpjegimin e saj, Ushtria deklaroi se propozimi vjen “pas një shqyrtimi të hollësishëm të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave bashkëkohore me të cilat përballet Serbia si një vend ushtarakisht neutral”.

  • Kryeministri i Irlandës: Me shumë endje do të japë përkrahje që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës këtë vit

    Kryeministri i Irlandës: Me shumë endje do të japë përkrahje që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës këtë vit

    Kryeministri i Irlandës, Leon Varadkar, ka folur në një konferencë për media bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se është shumë i lumtur që po e zhvillon vizitën e tij të parë në Kosovë duke rikujtuar edhe faktin se Irlanda ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.

    Varadkar ka thënë se me Kurtin kanë diskutuar për thellim të raporteve në mes të dy shteteve, derisa ka potencuar se e ardhmja e Kosovës është në Bashkim Evropian dhe Këshill të Evropës.

    Kryeministri irlandez ka thënë se më shumë kënaqësi do të japë përkrahjen e tij që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës gjatë vitit 2024, shkruan Gazeta Express.

    “Kënaqësi që jam këtu në Kosovë në vizitën e parë, shpresoj ta vizitoj prapë në të ardhmen. Patëm takim konstruktiv, ishte mundësi e mirë të mësojmë për zhvillimet rajonale. Diskutuam për raportet bilaterale që po thellohen edhe tutje. Irlanda është prej vendeve të para që kemi njohur Kosovën dhe jam krenar për kontributin e ushtrisë tonë që jep në Kosovë në kuadër të KFOR-it dhe civilët që shërbejnë në EULEX. E ardhmja e Kosovës është në BE dhe Këshill të Evropës. Me shumë endje do të përkrah që Kosova të bëhet pjesë e KiE sivjet. Kosova po tregon zotim ndaj vlerave evropiane. Keni harmonizuar politikat e sigurisë me ato të BE-së dhe e di që keni pasur presione për ta bërë këtë, dhe kjo do të ndikoj në vlerësimin tonë në të ardhmen. Do të shohim edhe për liritë themelore dhe trajtimin e minoriteteve”, ka thënë Varadkar, raporton Express.

    Ai tutje ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se është jetik për të arritur paqe dhe zhvillim të mëtejmë në dy vendet. Varadkar ka thënë se është e rëndësishme që brenda këtij viti të konsolidohet stabiltieti dhe të mos përsëriten më skenat e majit dhe shtatorit 2023.

    “Dialogu Prishtinë-Beograd është jetik për të arritur një harmoni dhe për një zhvillim të mëtejmë, edhe në Kosovë edhe në Serbi. Ky vit është më rëndësi që ky stabilitet të konsolidohet në Kosovë dhe nuk duam të shohim kthim të skenave të dhunshme që I pamë në shtator dhe në maj. Falënderoj Kurtin për mikpritjen dhe dashamirësinë. Është kënaqësi që vizitova vendin tuaj të bukur”, ka thënë ai.

  • Kurti i kërkon kryeministrit irlandez mbështetjen për statusin kandidat në BE

    Kurti i kërkon kryeministrit irlandez mbështetjen për statusin kandidat në BE

    Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosova dhe Irlanda kanë ngjashmëri të mëdha mes vete dhe se për këtë ka marrë mbështetje për anëtarësim në Këshillin e Evropës, raporton EO.

    Në konferencën e përbashkët me kryeministrin irlandez, Leo Varadkar, Kurti deklaroi se i ka kërkuar homologut të tij mbështetje për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    “Në një kohë kur demokracia rrezikohet, Irlanda është një shembull nga vendet që luftojnë për t’i mbrojtur ato ideale. Zhvillimi ekonomik dhe progresi social e ka bërë Irlandën frymëzim i shumë shteteve. Irlanda është frymëzuese për ne sepse me ta kemi ngjashmëri që i ndajmë, si nga pikëpamja shoqërore, shquhemi për mikpritjen pavarësisht vështirësive. Te dy vendet kanë miqësi me SHBA-të. Te dy vendet tona janë të orientuara ka rritja thelbësorë dhe progresi social. Irlanda është mbështetëse e Kosovës si në Këshill të Evropës, si dhe për anëtarësim në BE për çka kërkuam mbështetjen për statusin kandidat. Shteti dhe populli jonë janë gjithnjë falënderues dhe mirënjohës. Takimi i sotëm ishte një rast shumë i mirë për marrëdhënie dy paleshe”, u shpreh Kurti.

  • Zyrtarët e VV-së dalin para gjykatës lidhur me deklaratat për lirimin e Pantiqit

    Zyrtarët e VV-së dalin para gjykatës lidhur me deklaratat për lirimin e Pantiqit

    Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ish-deputeti Egzon Azemi, së bashku me Qerim Elshanin dhe Edi Zenelajn janë kanë dalë sot para Gjykatës Themelore të Prishtinës lidhur me deklaratat për lirimin e ish-policit serb Dejan Pantiq, i akuzuar për “terrorizëm në bashkëkryerje”.

    Manxhuka dhe Azemi akuzohen për nxitje të urrejtjes ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu, ndërsa Elshani dhe Zenelaj akuzohen për kanosje.

    Seanca u ndërpre për pak kohë pasi tre të pandehurve u mungonin avokatët dhe gjyqtari Arben Hoti vendosi të caktojë avokatë me shpenzimet e shtetit.

    Në aktakuzë thuhet se Manxhuka dhe Azemi kanë përhapur qëllimisht urrejtje përmes Facebookut ndaj të dëmtuarve, prokurorit A.Sh. dhe gjyqtarit M.B., lidhur me një vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit D.P.

    Ata janë intervistuar nga Prokuroria Speciale në gusht të vitit të kaluar.

    Manxhuka atëherë kishte akuzuar Prokurorinë për përndjekje të aktivistëve të partisë në pushtet, derisa kishte thënë se nuk janë marr me denoncimet që kanë bërë ministritë e Qeverisë aktuale.

    Ish-polici serb Pantiq u lirua nga arresti shtëpiak në tetor të vitit të kaluar, pas arrestimit të tij nën dyshimin se kishte sulmuar zyrtarët në pikën kufitare Jarinje. /atvlive.tv

  • Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu dalin para Gjykatës së Apelit, mediat largohen nga seanca gjyqësore

    Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu dalin para Gjykatës së Apelit, mediat largohen nga seanca gjyqësore

    Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, të akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani në gusht të vitit 2021 kanë dalë sot, para kolegjit të Gjykatës së Apelit.

    Seanca e cila nisi pak minuta pas orës 10:00 u mbyll për publikun, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe veprës penale të dhunimit.

    Në këtë seancë, pritet të shqyrtohen ankesat e palëve ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, për të akuzuarit Krivaça dhe Sejdiu.

    Kujtojmë se me burgim të përjetshëm ishte dënuar Dardan Krivaça, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim, për ndihmë në vrasje, vendim ky i shpallur nga Gjykata Themelore në Ferizaj, më 4 gusht të vitit 2023.

    Ndryshe, vendimi ndaj të akuzuarve Krivaça e Sejdiu, u shpall pothuajse 2 vjet pas vrasjes së Marigona Osmanit.

    Marigona, 18 vjeçe, u vra më 22 gusht të vitit 2021. Krivaça e Sejdiu e kishin lënë atë pa shenja jete te dyert e spitalit të Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, Marigona ishte keqtrajtuar për më shumë se 72 orë. Gjykimi për vrasjen e saj filloi më 12 korrik të vitit të shkuar./atvlive.tv/