ATV

Category: Lajme

  • Kolegji AAB nderohet me mirënjohje nga Federatata e Sporteve Universitare e Kosovës

    Kolegji AAB nderohet me mirënjohje nga Federatata e Sporteve Universitare e Kosovës

    Kolegji AAB është nderuar me mirënjohje nga Federata e Sporteve Universitare e Kosovës, duke qenë institucioni i vetëm i arsimit të lartë jopublik në Kosovë që ishte i pranishëm.

    Kjo mirënjohje u dha në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për sportistët dhe partnerët e sportit universitar, për vitin 2023.

    Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, pranoi mirënjohjen me motivacion kontributin e dhënë për sportin universitar duke promovuar aktivitetet sportive në mesin e studentëve.

  • Arrestohen tre persona në Drenas, dyshohen për vjedhje të rëndë

    Arrestohen tre persona në Drenas, dyshohen për vjedhje të rëndë

    Tre persona janë arrestuar mbrëmë në Drenas, njoftoi Policia e Kosovës.

    Ata dyshohet se kanë kryer vjedhje të rënda, të kryera gjatë periudhës nëntor 2023 – janar 2024.

    Sipas njoftimit të policisë, të dyshuarit janë A.U, 32 vjeç dhe G.S 17 vjeç si dhe E.H, 19 vjeç.

    Tutje, Policia njoftoi se gjatë arrestimit, u konfiskua edhe një armë e gjatë.

  • Arrestimi i 12 zyrtarëve të ATK-së, Murtezaj: Arritëm ta parandalojmë dëmtimin e buxhetit

    Arrestimi i 12 zyrtarëve të ATK-së, Murtezaj: Arritëm ta parandalojmë dëmtimin e buxhetit

    Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka folur rreth arrestimit të 12 zyrtarëve të këtij institucioni.

    Ai ka thënë se këtë rast e ka iniciuar vetë ATK-ja në vitin 2020 në Prokurori, raporton Ekonomia Online.

    Ai tha se rasti kishte të bënte rreth disa faturave fiktive të qarkulluar nga tri biznese dhe kanë arritur ta parandalojnë dëmtimin e buxhetit për 2.7 milionë euro.

    “Pra, fjala është për një rast që ka filluar që nga viti 2020 ku pas paraqitjes së kërkesës për rimbursim nga ana e tatimi paguesit dyshimet e zyrtarit të ATK-së ishin se kreditimi i TVSH-së krijuar nga disa faktuar të tri bizneseve ishin fiktive. Zyrtaret hetues të ATK-së rastin e kanë ngritur edhe të organet ligjzbatuese. Rasti është ngritur si rast i dyshimtë për hetim nga ATK-ja ku me datën 3.7.2020 është iniciuar rasti te Prokuroria Themelore në Prishtine. Më datë 27.4.2021 kallëzimi penal është dorëzuar në prokuroni themelore të Prishtinës. Si rezultat i veprimeve me kohë të ATK-s është arritur që të parandalohet dëmtimi i buxhetit në vlerë prej 2.7 milion euro. Prokuroria ka ardhur në përfundim për ngritje të aktakuzës për 13 zyrtarë të ATK dhe përfaqësuesve të bizneseve të involvuar në këtë rast”, u shpreh Murtezaj.

    Ai tha se menaxhmenti i këtij institucioni vazhdimisht bën përpjekje që të ketë llogaridhënie sa i përket stafit, me qëllim të zbatimit të drejt të ligjit për të gjithë tatimpaguesit.

    “Për të parandaluar involvimin e stafit tonë në veprat e tilla, që përveç që mund ta dëmtojnë integritetin institucional, mund ta dëmtojnë edhe buxhetin e shtetit”, theksoi Murtezaj./EO

  • Sëmundjet e rënda, rritet për 20 për qind numri i kërkesave për ndihmë në Prishtinë

    Sëmundjet e rënda, rritet për 20 për qind numri i kërkesave për ndihmë në Prishtinë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar që mbi dy mijë persona kanë kërkuar ndihmë vitin e kaluar nga komuna e Prishtinës për trajtimin e sëmundjeve malinje dhe atyre kronike të rënda.

    “Më shumë se 2000 persona vitin e kaluar, kanë përfituar subvencion nga Kryeqyteti për trajtimin e sëmundjeve të rënda, kjo i bie një rritje prej 20% më shumë në krahasim me 2022-ën”, ka shkruar Rama në Facebook.

    “Sot punëtorët e zellshëm të Sektorit të Shërbimit me Qytetarë, janë mbingarkuar nga kërkesat e qytetarëve për subvencionimin nga Drejtoria e Shëndetësisë për sëmundjet malinje dhe kronike të rënda”.

    Rama tha se kërkesat e njerëve në nevojë do të pranohet gjatë tërë vitit.

    “Në lidhje me këtë, ju njoftoj se kërkesat e juaja pranohen GJATË GJITHË VITIT dhe ato do t’i shqyrtojë komisioni profesional”.

    “Ne jemi të vetëdijshëm se jetesa me një sëmundje kronike sjell sfida të mëdha, jo vetëm shëndetësore, por edhe financiare. Qëllimi ynë është të sigurojmë që të mos ndiheni të vetmuar në këtë luftë dhe të ofrojmë një dorë ndihme aty ku është më e nevojshme.”.

  • Për çka përdoren dhe sa kushtojnë raketat “Javelin”, të cilat Kosova do t’i blejë nga ShBA-ja

    Për çka përdoren dhe sa kushtojnë raketat “Javelin”, të cilat Kosova do t’i blejë nga ShBA-ja

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave anti-tank FGM-148 “Javelin”.

    Tani, kërkesa do të shkojë në Kongresin Amerikan, sipas procedurës.

    Por, çka janë raketat “Javelin” dhe për çka shërbejnë?

    FGM-148 Javelin është një sistem antitank portativ i prodhuar nga ushtria amerikane.

    Raketa prodhohet që nga viti 1994 dhe nga atëherë kanë ardhur duke u përmirësuar. Ushtria amerikane e përdori për herë të parë këtë raketë në Irak dhe Afganistan më 2003.

    Raketa Javelin u bë e njohur në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Ukraina i ka përdorur gjerësisht këto raketa për shkatërrimin e automjeteve të blinduara ruse.

    Ky sistem raketor drejtohet automatikisht drejt objektivit pas lëshimit. Ushtarët mund të ripozicionohen menjëherë pas lëshimit dhe mund ta ngarkojnë për gjuajtjen e radhës.

    Raketa ka aftësi të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekondë (540 km/h) pasi të lëshohet.

    Raketat Javelin rrallë huqin objektivin. Një raketë Javelin kushton rreth 180 mijë dollarë.

    Ushtria amerikane ka prodhuar afro 38 mijë raketa të tilla deri tash. Rreth 20 deri në 25 mijë prej tyre janë përdorur në luftëra apo aksione të ndryshme – pjesa tjetër është përdorur për testime.

    ​SHBA ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”

  • Osmani: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat në BE

    Osmani: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat në BE

    Presidentja Vjosa Osmani gjatë një takimi sot me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, deklaroi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mundëson mbrojtje të avancuar të të drejtave të njeriut.

    Osmani ka theksuar se është koha që edhe raportet e Kosovës me BE-në duhet të ngrihen në nivel tjetër.

    “Kosova e meriton statusin e vendit kandidat. Kosova mishëron vlerat evropiane, ndaj, në këtë frymë ka pas angazhim të vazhdueshëm që legjislacioni ynë është në harmoni me ligjet e BE-së. Është momenti i duhur që ta marrim statusin e vendit kandidat”, tha Osmani.

    Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike dhe të fushës së sigurisë, interesat e përbashkëta dhe zgjerimin e mundësive për rritjen e bashkëpunimit.

    Me këtë rast u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Irlandës, teksa presidentja Osmani falënderoi kryeministrin Varadkar për mbështetjen e palëkundur në përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe zhvillim ekonomik.

    Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e Irlandës në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Tutje, ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetje drejt anëtarësimit final në Këshillin e Evropës, BE, por edhe në organizata ndërkombëtare.

    Në raport me zhvillimet e fundit në vend, presidentja Osmani theksoi se Kosova tashmë ka bërë hapa përmbajtësor në deeskalimin e situatës në veri, ndaj i cilësoi masat ndëshkuese të BE-së jo-proporcionale dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës.

    Në këtë kontekst, presidentja Osmani shprehu mirënjohje për qëndrimin e Irlandës kundër këtyre masave dhe përsëriti thirrjen për heqjen e tyre, ngase masat aktuale në fuqi kundër Kosovës janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog.

    Për sa i përket situatës së sigurisë, presidentja Osmani tha se mungesa e masave kundrejt Serbisë në lidhje me sulmin terrorist dhe aktin e agresionit të 24 shtatorit në Banjskë vetëm se e inkurajon atë për të bërë sërish veprime të ngjashme, që cenojnë jo vetëm stabilitetin e Kosovës, por edhe rajonin.

    Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit në adresimin e sfidave globale dhe nxitjen e zhvillimit në të gjitha sferat e interesit të përbashkët, me fokus të veçantë në arsim dhe shëndetësi.

    Ndryshe, kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, i cili ndodhet në vizitë dyditore në Kosovë, gjatë ditës është pritur edhe nga kryeministri Albin Kurti.

  • ​SHBA ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”

    ​SHBA ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, me të cilin ka biseduar për procedurën për miratimin e kërkesës së Kosovës për blerjen e raketave antitank Javelin.

    Me këtë rast, ambasadori Hill e ka njoftuar presidentin Vuçiq për vendimin amerikan për të pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e “Javalin”.

    Siç ka thënë ambasadori Hill, Departamenti i Shtetit do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongresin Amerikan, i cili do të fillojë procedurën zyrtare, raporton Danas.

    Vuçiq tha se ky informacion është një zhgënjim i madh për Serbinë, por se ata do të punojnë me SHBA-në për ruajtjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

    Ai më herët ka shkruar në Instagram se ka pasur një bisedë të hapur me ambasadorin Christopher Hill.

    “Ne diskutuam edhe për pozicionin ndërkombëtar të Serbisë, situatën në Kosovë dhe vazhdimin e dialogut me Prishtinën, si dhe për ngjarjet aktuale gjeopolitike. Konfirmuam përkushtimin tonë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit Serbi-SHBA”, ka shkruar Vuçiq.

  • Në katër komuna, pacientët mund ta përzgjedhin mjekun e përhershëm familjar përmes E-Kosova

    Në katër komuna, pacientët mund ta përzgjedhin mjekun e përhershëm familjar përmes E-Kosova

    Qytetarët e katër komunave të Kosovës, Prishtinës, Prizrenit, Lipjanit dhe Istogut kanë mundësi të bëjnë përzgjedhjen e mjekut të tyre familjar. E kjo u është mundësuar përmes katër shërbimeve të reja të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat u lansuan në Platformën eKosova.

    Zëvendësdrejtori i QKMF-së në Prizren, Fadil Bajraktari, në një prononcim për ATV-në tregoi se për dallim nga katër komunat e tjera, ky pilot projekt në Prizren do të implementohet në 52 objekte të kujdesit primar shëndetësorë.

    “Ky është një pilot projekt që Ministria e Shëndetësisë do ta zhvillojë në katër komuna të Kosovës. Në mesin e komunave që do ta zhvillojmë këtë projekt jemi edhe ne si Prizren, jemi përzgjedhur nga Ministria, është Prishtina me dy objekte dhe është Istogu dhe Lipjani. Për dallim të Komunës së Prishtinë e cila do t’i ketë vetëm dy objekte, ne do ta implementojmë këtë pilot projekt në 52 objekte që i kemi, do të thotë i kemi në gjithë territorin e kujdesit primar të Prizrenit”, tha Bajraktari.

    Ai tha se implementimi i këtij pilot projekti do të jetë një lehtësim për qytetarët, por edhe për mjekun që do t’i ketë pacientët e përhershëm gjatë punës së tij.

    “Unë mendoj se implementimi i mjekësisë familjare është lehtësim sepse nëse ti do ta zgjedhësh mjekun, edhe slogani i jonë që është gjatë kësaj kampanje është “Mjeku i im, shëndeti i im”, kështu që ne do të lehtësohemi. Nëse do ta kesh mjekun tënd të përzgjedhur. Kjo do të bëhet për të gjithë qytetarët të cilët duhet ta hapin një adrese përmes platformës në eKosova, e në atë adresë mundët që një individ, një anëtar i familjes t’i regjistrojë të gjithë familjen te mjeku, të cilën dëshiron ta përzgjedhë, sepse nëse ti mund ta përzgjedhësh mjekun, je i kënaqur me shërbimet që ofron ai mjek, me cilësinë edhe me kujdesin që ofron, kështu që kjo është në të mirën edhe te qytetarëve, por është edhe në të mirën e mjekut që do t’i ketë pacientët e përhershëm gjatë punës së tij”, tha Bajraktari. /atvlive.tv

  • ​Situata me grip sezonal, Hashani: Gjendjes aktuale po i kontribuon Covid-i dhe gripi i derrave

    ​Situata me grip sezonal, Hashani: Gjendjes aktuale po i kontribuon Covid-i dhe gripi i derrave

    Shumë mjekë e infermierë janë detyruar që të kthehen nga pushimet e tyre për shkak të fluksit të madh të pacientëve me grip sezonal. Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, rreth 300 pacientë brenda natës po marrin shërbime shëndetësore. Ndërkaq, gjendja me barna esenciale, nuk është e mirë, ngase të njëjtit po detyrohen që shumicën prej tyre t’i blejnë vetë.

    Kështu bën të ditur, në një intervistë për KosovaPress, kryeshefi i Departamentit të Mjekësisë, Valdet Hashani, derisa u bënë thirrje pacientëve që janë të prekur nga simptomat e gripit të mos përdorin antibiotikë pa përshkrimin e mjekut.

    Ai potencon se fëmijët janë më të prekurit nga kjo virozë, derisa përmend edhe të moshuarit e ata me probleme kronike.

    Hashani thekson se gjendjes aktuale po i “kontribuojnë” edhe rastet pozitive me Covid-19 dhe ato me grip të derrave.

    “Prej kohës së festave të fundvitit e deri më sot, fluksi i pacientëve ka filluar të rritet. Kjo nuk nënkupton që ka qenë edhe numër për shkak të ardhjeve të shumta që kanë qenë. Sigurisht ndërlidhet edhe me gripin sezonal që këtyre ditëve e ka rritur fluksin e pacientëve…Pacientët vijnë me simptoma që janë të rëndomta për gripin, këtu ndërlidh edhe faktorin që disa prej punëtorëve e kanë bërë testin dhe kanë rezultuar pozitiv në SArsCov2, pra edhe Covid-in e kemi prezent. Në disa raste kemi njoftime edhe prej QKUK-së, prej Klinikës së Infektives kanë raportuar se ka edhe të infektuar edhe me AH1N1 (gripin e derrit). I kemi të involvuara disa lloje ose tipe të viruseve këtyre ditëve…Të gjitha moshat janë të prekura, por më tepër rritje kemi tek fëmijët dhe tek të moshuarit, shto numrin e atyre pacientëve që kanë probleme kronike për shkak të imunitetit të tyre të dobësuar, kemi simptomatologjinë pak më të rënduar”, thotë Hashani.

    Kryeshefi Valdet Hashani bën apel që pacientët mos të përdorin antibiotikë për trajtim të gripit, vetëm në raste se u përshkruhen nga mjeku, e që në vend të kësaj bën thirrje që të marrin sa më shumë lëngje dhe të pushojnë.

    Hashani thekson se po përballen edhe me numrin e kufizuar të stafit shëndetësor, për t’iu përgjigjur kërkesave të pacientëve për ndihmë mjekësore. Ai shton se janë detyruar që të thirrin mjekë dhe infermierë që kanë shkuar për pushime edhe jashtë vendit për shkak të gjendjes aktuale me grip.

    “Apelojmë që pacientët në asnjë mënyrë, në këtë simptomatologji të mos përdorin antibiotikë, meqë kjo rezulton se është virozë. Është infeksion ngjitës ose infektive virale. Por, të qëndrojnë në shtëpi, të marrin sasi të mëdha të lëngjeve, antipiretik kundër temperaturës, kundër dhimbjes. Në qoftë se këto nuk pushojnë brenda 3-4 ditësh, të lajmërohen tek mjeku dhe pas ekzaminimeve ose nëse ka nevojë edhe analizave laboratorike, meqë shumica e qendrave tona i posedojnë laboratorët dhe kanë shërbime të shumta. Kohët e fundit këto edhe janë rritur, por fatkeqësisht sepse kemi në numër të vogël, të kufizuar të punëtorëve shëndetësor. Jemi detyruar që kohën e fundit edhe t’i tërheqim nga pushimet mjekët dhe infermierët…Shumica prej kolegëve tanë kanë qenë jashtë vendit, meqë është liberalizuar dhe kanë dalur, janë detyruar që të vijojnë për shkak të fluksit të madh që është rritur”, thekson Hashani.

    Ndër të tjera, Hashani u bën thirrje pacientëve që mos t’u drejtohen vetëm QKMF-së për të marrë shërbime, por të shkojnë tek QMF-të e tyre më të afërta, në mënyrë që mos të rritet fluksi.

    Ai tregon se muajve të kaluar, afro 8 mijë pacientë janë trajtuar në QKMF, derisa shton se gjatë këtij muaji ky numër është dyfishuar duke arritur në rreth 15 mijë.

    Gjatë intervistës për KosovaPress, Hashani potencon se vetëm gjatë një ndërrimi të natës, nga 3 mjekë po marrin shërbime shëndetësore afro 300 pacientë.

    Këtë, ai e quan ngarkesë, derisa shton se mungojnë edhe barnat esenciale për trajtim.

    Ai thekson se shumica e terapisë duhet të blihet nga vetë pacientët, meqë gjatë vitit të kaluar sipas tij furnizimi nuk ka qenë edhe aq i mirë.

    “Gjatë ndërrimeve të natës gjithashtu është rritur numri. Normalisht kemi pasur në këto tri qe4ndra që kemi shërbime 24 orëshe, me shërbimin nga ora 7 e mbrëmjes deri në 7 mëngjes, normalisht i kemi pasur 50-60 pacientë. Tani është rritur numri 200 e më shumë, kemi edhe 300 pacientë brenda një nate në 3 mjekë i kemi pasur. Kjo është tej ngarkesë, shti këtu edhe faktin që shumica e terapisë duhet të blihet, meqë nuk i posedojmë ne, shkruhen ato shkojnë i blejnë ose marrin infuzione…Vitin e kaluar, nuk ka qenë furnizimi aq i mirë. Shumicën e barnave që i kemi blerë, jemi detyruar. I kemi disa barna esenciale pa të cilat institucionet shëndetësore nuk mund të funksionojnë”, potencon Hashani.

    Përveç tjerash, Hashani vuri në theks rëndësinë e marrjes së vaksinës nga qytetarët, në mënyrë që të mbrohen nga simptomat e gripeve.

    Ai bën të ditur se janë dhënë mbi 10 mijë vaksina deri më tani, derisa shton se vaksinimi vazhdon gjatë tërë vitit.

  • Supremja u hedh poshtë ankesat vjedhësve të Thesarit të dënuar me 21 vite burgim e 41 mijë euro gjobë

    Supremja u hedh poshtë ankesat vjedhësve të Thesarit të dënuar me 21 vite burgim e 41 mijë euro gjobë

    Gjykata Supreme i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e të dënuarve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, për avullimin e mbi 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

    Gruda dhe Shala ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 21 vite burgim si dhe 41 mijë e 500 euro gjobë, dënim që është vërtetuar nga Gjykata e Apelit në qershor të vitit të kaluar. Gruda, që ishte punëtor i Thesarit, është dënua me 11 vjet burgim dhe me gjobë prej 8.500 eurosh, ndërkaq Kadri Shala me 10 vjet burgim dhe 33.000 euro gjobë.

    Gruda është dënuar për veprat penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, hyrja në sistemet kompjuterike, vjedhja e identitetit dhe pajisjes së qasjes dhe shpëlarja e parave, derisa Shala për veprat penale: ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe shpëlarja e parave.

    “ Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale kundër të dënuarve: L.G. për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, hyrja në sistemet kompjuterike, vjedhja e identitetit dhe pajisjes së qasjes dhe shpëlarja e parave dhe K.Sh. për shkak të veprave penale: ndihma në kryerjen e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe shpëlarja e parave, i ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtësit e të dënuarve, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Supremes.

    “Ndërkaq, kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtësit e përfaqësuesve të palëve të treta: E SHPK, NTSH “Sh.”, NTP “X.”, G. Shpk”, “G. K. SHPK”, “R.H.” dhe “M. B. G. SHPK” kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, janë hedhur si të palejuara”, thuhet tutje në njoftim.

    Vjedhja e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit ndodhi në tetor të vitit 2020. Lajmin e kishte dhënë ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami njoftoi opinionin për një vjedhje jo të zakonshme.

    Ajo kishte bërë të ditur se nga Thesari i Shtetit ishin “avulluar” më tepër se 2 milionë euro.

    Gruda, atëbotë punëtor i Thesarit të Kosovës, akuzohej se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk.

    Njëri nga pronarët e këtij biznesi ishte edhe Kadri Shala dhe një person tjetër me inicialet V.Sh.

    Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar se lidhur me këtë rast ka bllokuar 34 llogari bankare dhe janë bllokuar 600 mijë euro si dhe janë sekuestruar 4 vetura.

    “Ju njoftojmë se janë ngrirë 34 llogari bankare, të bizneseve në të cilat janë transferuar të hollat nga i pandehuri K. SH, pronar i (LDA Group). Vlen të theksohet se deri më tani shuma e përgjithshme e ngrirë është rreth 600,000 euro, janë sekuestruar 4 automjete vlera e përafërt e të cilave është 100,000 euro”, kishte bërë të ditur Prokuroria përmes një njoftimi.