ATV

Category: Lajme

  • Ministria e Mbrojtjes: Gjatë këtyre dy vjetëve jemi të përqendruar në blerje moderne të armatimit

    Ministria e Mbrojtjes: Gjatë këtyre dy vjetëve jemi të përqendruar në blerje moderne të armatimit

    Procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në forcë me kapacitete ushtarake – që ka hyrë në vitin e gjashtë të planit dhjetëvjeçar – po zhvillohet sipas planifikimeve, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.

    Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky proces tashmë është në fazën e dytë të realizimit të planit gjithëpërfshirës. Kjo fazë që, sipas saj, është përmbushur rreth 85 për qind, pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.

    “Kjo fazë parasheh ngritjen e kapaciteteve luftarake. Gjatë këtyre dy vjetëve, përqendrimi është më shumë në investime në sisteme moderne të armatimit… siç është publikuar tashmë kërkesa e Kosovës për të blerë raketa Javelin. Por, ky nuk është i vetmi sistem që kemi në plan për të blerë”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka konfirmuar më 11 janar se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë 246 raketa Javelin, në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

    SHBA-ja, sipas DASH-it, vazhdon ta mbështesë Kosovën në transformimin “transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n, që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”.

    Procesi i transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosura të Kosovës nisi në dhjetor të vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për ta ndryshuar mandatin e FSK-së. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet, deri në vitin 2028.

    Sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, detajet e të cilit nuk janë publike, disa nga përgjegjësitë e reja të FSK-së do të përfshinin ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial, ofrimin e mbështetjes ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare.

    Në fazën e tretë dhe të fundit të transformimit të FSK-së – që nis nga viti 2025 e përfundon më 2028 – Gashi ka thënë se planifikohet ngritja e kapaciteteve ajrore, siç është blerja e helikopterëve dhe mjeteve të tjera ajrore.

    Në shumë drejtime, Gashi ka thënë se është duke u punuar me hapa më të shpejtë sesa që ishte planifikuar në planin e transformimit. Njëra ndër to, është shprehur ajo, ka të bëjë me rekrutimin e pjesëtarëve të rinj të FSK-së. Nga viti 2021 deri në vitin 2023, sipas saj, janë rekrutuar 1.836 ushtarë të rinj.

    FSK-ja, aktualisht, ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarë aktivë dhe rezervistë.

    Edhe Mentor Vrajolli, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), shprehet se autoritetet përgjegjëse po i përmbushin kërkesat për procesin e transformimit. Sipas tij, në bazë të angazhimeve të deritashme, objektivat do të arrihen më shpejt sesa që ishte paraparë.

    “Megjithatë, nuk di se a ka plan të detajuar për këtë apo është falë vullnetit të mirë të Qeverisë. Ajo që është vërejtur nga Qeveria aktuale është se ka investim më të madh në sektorin e mbrojtjes”, thotë Vrajolli.

    Por, ndryshe mendon deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës.

    Ai vlerëson se shuma buxhetore e ndarë për investime në armatim mund të sjellë vonesa në përmbushjen e planit të tranzicionit dhjetëvjeçar.

    “Ka një rritje simbolike të buxhetit për sektorin e mbrojtjes. Me këtë shumë mundësohet vetëm mbijetesa, pagat e të tjera. Nëse shkohet me këtë trend, me vonesa në zbatimin e projektit të FSK-së, nuk do të përmbushen pritjet në afatet e caktuara”, thekson Berisha.

    Buxheti i ndarë për këtë vit për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës është mbi 153 milionë euro. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në muajin tetor të vitit të kaluar tha se për dy vjet e gjysmë qeverisje, ekzekutivi ka dyfishuar buxhetin për FSK-së. Investimet për armatim, sipas tij, janë rritur për 191 për qind.

    Ndërkaq, në vitin 2022, Qeveria e Kosovës themeloi Fondin e Sigurisë, ku qytetarë dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë në buxhetin e kësaj ministrie përmes një xhirollogarie bankare.Vlera e këtyre kontributeve nuk është bërë publike asnjëherë, por nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, vitin e kaluar kishin thënë për REL-in se këto mjete do të investohen për “përmbushjen e objektivit kryesor, që është garantimi i sigurisë së qytetarëve dhe i mbrojtjes territoriale”.

    Përveç kërkesës për blerje të raketave Javelin, vitin e kaluar Kosova bleu nga Turqia edhe dronë Bayraktar.

    Në vitin 2018, nga SHBA-ja, në Kosovë kishin ardhur automjete ushtarake, të tipit Humvee. Për furnizimin me 51 automjete të këtij tipi, Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General.

    Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikan i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).

    Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe një vendim për blerjen e dronëve amerikanë, ndërkaq autoritetet kosovare kanë paralajmëruar se ushtria e ardhshme do të pajisjet edhe me helikopterë.

  • Rreth 40 mijë raste të gripit sezonal nga tetori i vitit të kaluar

    Rreth 40 mijë raste të gripit sezonal nga tetori i vitit të kaluar

    Rreth 40 mijë raste të gripit sezonal janë regjistruar nga 2 tetori e deri më 7 janar, ka konfirmuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike që ka lajmëruar se vetëm në javën e parë të vitit 2024 janë raportuar mbi 5700 raste dhe se kjo paraqet kalimin e pragut epidemik.

    “Bazuar në të dhënat nga mbikëqyrja permanente e situatës epidemiologjike përmes hulumtimit aktiv dhe pasive të institucioneve shëndetësore dhe në terren për Influenzën sezonale (ILI), për Infeksionet respiratore akute (ARI) dhe Infeksionin e rëndë respirator akut (SARI), IKSHPK bën të ditur se intensiteti i Influencës sezonale (Gripit) sipas numrit të rasteve të raportuara për javën e parë të vitit 2024 paraqitet në aktivitetin e lartë të qarkullimit, ka shënuar rritje dhe e ka kaluar pragun epidemik”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

    Pos 40 mijë rasteve me grip, janë regjistruar edhe gati 5 mijë raste të infeksioneve respiratore akute dhe 67 raste me infeksion të rëndë respirator.

    Në këtë periudhë, janë testuar 326 mostra nga pacientët, si raste të dyshimta për COVID-19. Nga to 63 kanë dalë pozitive (19.32 për qind).

    IKSHPK-ja ka treguar edhe masat më efikase në parandalimin e gripit sezonal. Aty ka thënë se parandalimi më i mirë bëhet përmes vaksinimit. Ky institut ka thënë se i ka siguruar 85 mijë doza të vaksinës dhe se ato mund të merren në çdo komunë. Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes.

    Ndërsa si masa praktike për parandalimin e përhapjes, IKSHPK-ja ka përmendur maskat mbrojtëse, distancën fizike, higjienën e duarve, evitimin e kontakteve e që njerëzit e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi.

  • Për dy javë 962 fluturime – Mbi 127 mijë udhëtarë kaluan në Aeroportin e Prishtinës

    Për dy javë 962 fluturime – Mbi 127 mijë udhëtarë kaluan në Aeroportin e Prishtinës

    Që nga 1 janari kur edhe ka filluar zbatimi i vendimit për liberalizimin e vizave e deri të premten, në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, kanë kaluar 127 mijë e 457 udhëtarë, raporton Ekonomia Online.

    Kështu ka bërë të ditur përmes telefonit për Ekonomia Online, zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara, teksa shtoi se numri i fluturime për këtë periudhë ka shkuar mbi 900.

    “127 mijë e 457 udhëtarë kanë udhëtuar përmes ANP ‘Adem Jashari’. Në total janë 962 fluturime”, deklaroi Gara.

    Vlen të theksohet se në rritjen e numrit të fluturimeve ndikim ka pasur edhe një numër i madh i bashkatdhetarëve të cilët kanë ardhur në Kosovë për festat e fundvitit.

    Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

    Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më 1 janar të këtij viti nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

    Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.

    Më poshtë ua rikujtojmë edhe njëherë se cilat dokumente udhëtimi duhet t’i keni me vete kur udhëtoni në zonën Shengen:

    – Pasaportë biometrike (e vlefshme për të paktën tre muaj pas datës së largimit nga zona Shengen);

    – Dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit në zonën Shengen;

    – Dëshmi mbi qëndrimin si rezervimi i hotelit apo detajet e vendit ku do të qëndroni;

    – Detajet e udhëtimit, duke përfshirë rezervimin e biletës kthyese;

    – Nëse udhëtohet me veturë, dokumentet e nevojshme të veturës;

    – Dëshmi se keni mjete të mjaftueshme financiare.

  • Mosemërimi i Kryeprokurorit të Shtetit e mosvotimi i Kodit Civil, dështimet e 2023-ës – S’munguan as ndërhyrjet politike

    Mosemërimi i Kryeprokurorit të Shtetit e mosvotimi i Kodit Civil, dështimet e 2023-ës – S’munguan as ndërhyrjet politike

    Mosemërimi i Kryeprokurorit të Shtetit dhe mosvotimi i Kodit Civil, janë ndër dështimet më të mëdha të vitit 2023 në sistemin e drejtësisë. Kështu po vlerësojnë avokatët, teksa përmendin edhe sulmet e politikës në drejtim të KGjK-së dhe KPK-së, raporton Ekonomia Online.

    Dështimin për ta emëruar Kryeprokurorin e Shtetit, ia faturojnë Presidencës dhe Këshillit Prokurorial, për të cilët tonë se shpesh herë kanë “luajtur pingpong”, ndërsa kritikën për kryeministrin Albin Kurti e kanë për tentimin për uljen e pagave për gjyqtarë e prokurorë.

    Avokati Ardian Bajraktari, ka thënë për Ekonomia Online se sulmet ndaj sistemit të drejtësisë ishin të shpeshta gjatë vitit 2023 dhe se kjo e dëmton demokracinë në vend.

    Ndonëse përmend faktin se sistemet janë të ndara në Kosovë, kjo sipas Bajraktari nuk po merret parasysh nga politika. Institucionet sipas tij, duhet t’i kryejnë obligimet që i takojnë me qëllim të përmbushjes së misionit që ka sistemi ligjor.

    “Sulmet dhe presioni i eksponentëve politik në adresë të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, fatkeqësisht ka vazhduar edhe përgjatë vitit 2023 edhe në bindjen time këto nuk do të duhej të ndodhin për faktin se sistemi ynë gjyqësor dhe ai prokurorial është i pavarur në vështrimin e përgjithësive dhe kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore, këtë e kanë thënë edhe organizata e ndryshme vendore e ndërkombëtare se sulmet etiketimet e madje edhe përmendja e emrave të përveçëm të gjyqtarëve e prokurorëve natyrisht që është sulm e presion i drejtpërdrejtë ndaj organeve ligjzbatuese andaj eksponentët politik kushdo qofshin ata duhet të ndalen në drejtim të sulmeve, të bëjnë përpjekje maksimale në drejtim të plotësimit të kritereve, kushteve dhe kërkesa krahas ligjeve edhe shtim të mjeteve buxhetore me qëllim të përmbushjes së misionit dhe detyrave e përgjegjësive që ka sistemi ligjor dhe ai prokurorial”, ka thënë Bajraktari.

    Duke folur për dështimin për ta emëruar Kryeprokurorin e Shtetit, Bajraktari ka thënë se institucionet përgjegjëse kanë luajtur “pingpong”. Ai kërkon reflektim në këtë drejtim dhe se gjetjet që i ka bërë Presidenca e organizatat partnere të merren parasysh.

    “Në bazë të miratimit të Kodit Civil si dhe fakti që njëra prej pozitave kyçe si pozita e Kryeprokurorit të Shtetit me bindjen tim janë një prej dështimeve të vitit të 2023. Po flasim për një dokument i cili përveç së është më i rëndësishmi pas Kushtetutës, Kodi Civil të cilin Kosova akoma nuk e ka, vlerësoj që deputet e do duhej ta miratonin këtë dokument, pasi është jeta e qytetarit dhe pasi 1 600 nene janë të ndara në libra si është  pjesa e përgjithshme, pjesa familjare, aspektet pronësore si dhe aspektet tjera. Edhe për pozitën e kryeprokurorit, ku kemi parë një lloj ‘pingpongu’ mes Këshillit Prokurorial dhe institucioneve të Presidencës por unë vlerësoj që të dy palët duhet të reflektojnë mbi drejtimin e identifikimit fillimisht e pastaj edhe adresimit të gjetjeve që i kanë bërë jo vetëm zyrat e presidentes por edhe organizatat  e partnerët tjerë”, u shpreh Bajraktari.

    Ndërsa avokati tjetër, Burim Halili, e sheh si hendek të thellë mosemërimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Halili për Ekonomia Online ka përmendur edhe Ligjin e Pagave si tendencë për të ndërhyrë në punën e gjyqësorit.

    “Për gjatë vitit 2023 ndërhyrja politikës në sistemin e drejtësisë ka qenë aktive  në shumë raste fillimisht ka kriju një hendek të thellë nga mosemërimi i Kryeprokurorit të Shtetit nga presidentja fillimisht, mandej ndërhyrja edhe e kryeministrit te pagat e gjyqtarëve e prokuroreve, përulja e pagës edhe ajo ka ndikuar negativisht. Fatmirësisht Gjykata Kushtetuese nuk e ka aprovua një kërkesë e kryeministrit dhe ka vendosur që pagat nuk do të ndikojnë në përformancën e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, u shpreh Halili.

    Halili ka pasur kritika për mosemërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, për të cilin thotë se nuk është dashur të vonojë. Ai përmend faktin se pushtet janë të ndara dhe se ndërhyrjet janë të palejueshme.

    “Fillimisht në vitin 2024 presim që ta kuptojnë që pushtet janë të ndara legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Pushtet në sistemin  gjyqësor nuk duhet të kenë ndërhyrje direkte as nga zyra e Kryeministrit as nga Presidentja. Në momentin që ka një propozim prej Këshillit Prokurorial për emërim të Kryeprokurorit të Shtetit përderisa e kaluara e tij është e pastër dhe nuk ka arsyeje në të kaluarën  e tyre ose të saj, Presidentja duhet ta bëjë emërimin e tij. Mandej gjatë vitit 2023 kemi pasur ndërhyrje të njëpasnjëshme”, u shpreh tutje Halili.

  • Zeka: Masat e BE-së po ndikojnë në njohje të reja e anëtarësim në Organizatat Ndërkombëtare

    Zeka: Masat e BE-së po ndikojnë në njohje të reja e anëtarësim në Organizatat Ndërkombëtare

    Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka në një intervistë për Ekonomia Online tha se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) përveç që janë duke e dëmtuar Kosovën nga aspekti monetar, po e dëmtojnë vendin edhe në rrugën e saj drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

    Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet që të punojë në kryerjen e zotimeve të saja që këto masa të hiqen.

    Zeka ka potencuar se masat e BE-së janë duke ndikuar në reputacionin e vendit marr parasysh që Kosova është një vend i ri i cili është duke kërkuar njohje nga vendet e tjera dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, dhe këto masa sipas tij, janë duke i shkaktuar pasoja vendit në këtë aspekt.

    “Përtej aspektit monetar, përtej humbjeve që Kosova ka nga mos përfitimi i asistencës se BE-së, qoftë asistencës direkte monetare apo edhe asaj që ofrohet në formë teknike, ndikimi me negativ i këtyre masave është te imazhi i vendit, te reputacioni i tij. Një shtet i ri i cili është në kërkim të njohjeve të reja edhe nga shtetet individuale anë e mbanë botës, po të njëjtën kohë përpiqet që të siguroj anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare, pa shmangshëm se ballafaqohet me pasoj momentin kur dikush kupton që Kosova po i nënshtrohet masave të cilat vijnë nga BE-ja”, tha Zeka.

    “Njerëzi po nuk bënë një analize të detajuara ata do të vënë fajin ose përgjegjësin kryekëput mbi institucionet e vendit edhe mbi shtetin e Kosovës në këtë aspekt. Po e them edhe një herë përtej humbjes së përfitimeve monetare, ajo që rendon më shumë mbi Kosovën është mbi imazhin e vendit”, është shprehur Zeka.

    Drejtori i OEAK-ut ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është duke i kryer zotimet e saja më të cilat është ngarkuar, kjo është arsyeja që sipas tij këto masa nuk janë duke u hequr.

    “Po nëse institucionet e BE-së në këtë rast e ngarkojnë me përgjegjësi qeverinë e Kosovës për mungesë të konstruktivitetit në dialog edhe mos zbatim të disa prej zotimeve të cilat shteti i Kosovës i ka marr në dialog me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja atëherë pashmangshëm se përgjigjja duhet kërkuar aty. Pra te mos kryerja e atyre zotimeve të cilat shteti i Kosovës i ka marr”, ka thënë ai.

    Zeka ka kritikuar Qeverinë edhe për moszbatim të disa prej marrëveshjeve që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik e të cilat janë arritur në vitin 2017-2019 nga qeveritë e kaluara.

    “Të jemi i sinqerte ne shpesh herë e themi brenda Odës Amerikane se disa prej vendimeve të cilat kanë të bëjnë në zhvillimin ekonomik e cilat janë marr nga qeveritë në të kaluarën, në vitin 2017, 2018, 2019 e tutje, do të thotë hidhen poshtë nuk zbatohen. Pra po flasim edhe për zotime të cilat në ja bëjmë vetës sonë e cilat qeveritë e tjera zgjedhin që të mos i marrin parasysh. E njëjta duke se po përsëritet edhe në raport me partnerët ndërkombëtar”, ka përfunduar ai.

  • Vjehrra rrah nusen në Fushë-Kosovë

    Vjehrra rrah nusen në Fushë-Kosovë

    Një grua në Fushë-Kosovë ka raportuar se është rrahur nga vjehrra e saj dhe një i dyshuar tjetër i cili është arrestuar.

    Policia ka bërë të ditur se i arrestuari është dërguar në mbajtje.

    “Fushë Kosovë, 12.01.2024-11:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar dhe vjehrra e saj. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari dhe me vendim të prokurorit kujdestar është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport të policisë.

  • Basketbollisti nga Amerika konvertohet në mysliman në Kosovë

    Basketbollisti nga Amerika konvertohet në mysliman në Kosovë

    Basketbollisti i cili luan për skuadrën nga Suhareka “Golden Eagle Ylli”, Alonzo Verge nga ShBA-ja, është konvertuar në mysliman në njërën nga xhamit e Kosovës dje gjatë ditës.

    Kështu ka bërë të ditur imami Sabit Halil Gashi, i cili tha se konvertimi i Verges ka nga ndodhur në Xhaminë e Bardhë në Suharekë.

    Imami ka shkuar se ishte kënaqësi e veçantë që ta përjetosh këtë moment.

    ”Mund te themi se eshte hera e pare qe ne Xhamine e Bardhe ne Suhareke, ne diten e xhuma ne prani te xhematit, te pranoje dikush Islamin”, tha imami.

    Postimi i plotë:

    Pershendetje te gjitheve!

    Sot, me date 12.01.2024 ne Xhamine e Bardhe ne Suhareke ne kete dite te bekuar xhumaje, pranoi Islamin basketbollisti i nderuar Alonzo Verge nga Amerika i cili luan per K.B. Golden Eagle YLLI.

    Ishte kenaqesi e veçante te perjetosh ato momnte kur dikush shqipton Shehadetin duke degjuar nga goja jote.

    Mund te themi se eshte hera e pare qe ne Xhamine e Bardhe ne Suhareke, ne diten e xhuma ne prani te xhematit, te pranoje dikush Islamin.

    Keshtu eshte kjo bote, dikush duhet te kaloje sa e sa kilometra qe te afrohet tek Zoti i tij, perderisa disa te tjere duke qen afer ikin dhe largohen nga Zoti i tyre me kilometra larg!

    Falenderojme Zotin fillim e mbarim!

  • Voziti nën ndikim të alkoolit, 38-vjeçari gjobitet me 200 euro dhe i merret patentë shoferi për 6 muaj

    Voziti nën ndikim të alkoolit, 38-vjeçari gjobitet me 200 euro dhe i merret patentë shoferi për 6 muaj

    Policia e ka gjobitur me 200 euro dhe ia ka konfiskuar patentë shoferin për gjashtë muaj një 38-vjeçari, i cili ka vozitur nën ndikim të alkoolit.

    Veç kësaj, shoferit i janë hequr edhe dy pikë të patentë shoferit.

    “Në orën 05:20 në rrugën magjistrale Ferizaj -Prishtinë, në fshatin Prelez ka ndaluar shoferin F.A (M/K) i moshës 38 vjeçar, i cili ka drejtuar veturën nën ndikim të alkoolit, ku pas testimit me alkooltest ka rezultuar 0.75 promila dhe për këtë policia i shqiptoi gjobën prej 200 euro, 2 pikë negative dhe 6 muaj masë mbrojtëse, heqje e patentë shoferit”, ka njoftuar Policia.

  • 2 mijë e 23 gjoba trafiku brenda 24 orëve në Kosovë

    2 mijë e 23 gjoba trafiku brenda 24 orëve në Kosovë

    Policia e Kosovës njoftoi se 2 mijë e 23 gjoba trafiku janë shqiptuar brenda 24 orëve në vend.

    Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur gjithsej 52 aksidente trafiku, prej të cilave 21 nga aksidentet janë me të lënduar, ndërsa 31 me dëme materiale.

    Tutje në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se gjatë kësaj periudhe janë arrestuar tetë persona.

  • “Ne nuk harrojmë” – më 15 janar ndizen qirinj për viktimat e gjenocidit në Kosovë

    “Ne nuk harrojmë” – më 15 janar ndizen qirinj për viktimat e gjenocidit në Kosovë

    Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka njoftuar se më 15 janar, duke nisur nga ora 19:30 në sheshin e Prishtinës do të ndizen qirinj si shenjë përkujtimi për viktimat e gjenocidit në Kosovë.

    Qendra ka ftuar edhe institucionet qendrore e lokale që çerekshekullin e gjenocidit ta shënojnë në mënyrë të dinjitetshme.

    15 janari është caktuar nga Kuvendi i Kosovës si ditë e përkujtimit të viktimave të gjenocidit. Qirinjtë do të ndizen në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

    Iniciuesit kanë ftuar edhe qytetarë të komunave të tjera të bëjnë njëjtë, në të njëjtën kohë.

    “Ne nuk harrojmë” thuhet në thirrjen që është vendosur para Teatrit Kombëtar.

    “Organizimi me vetiniciativë edhe i qytetarëve në qytetet jashtë kufijve të Kosovës është i mirëseardhur, andaj ftojmë të gjithë shqiptarët kudo që janë të bëjnë nderimin e viktimave të gjenocidit pikërisht më 15 janar 2024 nga ora 19:30. Ata që nuk kanë mundësi të dalin në shesh, këtë ta bëjnë në ballkonet apo dritaret e tyre. Po ashtu, ftojmë të gjithë shqiptarët anekënd botës që në ora 19:30, sipas kohës së tyre lokale, ta bëjnë ndezjen e qirinjve në ballkone e dritare në nderim të viktimave të gjenocidit në Kosovë”, thuhet në ftesë.

    Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka thënë se përkujtimi i viktimave të Gjenocidit në Kosovë është më e pakta që duhet të bëhet në rrugëtimin për ngadhënjimin e drejtësisë dhe ndëshkimin e krimit.