ATV

Category: Lajme

  • Arrestohet një 36-vjeçar për armëmbajtje pa leje në Gjilan

    Arrestohet një 36-vjeçar për armëmbajtje pa leje në Gjilan

    Policia e Kosovës në Gjilan ka arrestuar një person me inicialet A.K. (1988), pasi gjatë kontrollit në veturën e tij ka gjetur dhe konfiskuar një revole të llojit “Zastava”, një karikator dhe shtatë fishekë pa leje.

    Rasti ka ndodhur sot rreth orës 08:30 në rrugën “Raif Halimi”, njofton Policia e Kosovës.

    I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor Gjilan, ku është intervistuar në bazë të procedurave ligjore.

    Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ndaj të dyshuarit ka lëshuar masën e ndalimit 48 orë dhe ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

  • Gjuajtje me armë zjarri mes Policisë dhe një personi në veri – lëndohet një polic

    Gjuajtje me armë zjarri mes Policisë dhe një personi në veri – lëndohet një polic

    Në Suhadoll në Mitrovicën e Veriut, rreth mesditës pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë përdorur armë.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë se policia tentoi të arrestojë një person për të cilin dyshohej se posedonte narkotikë.

    “I dyshuari ka goditur veturën e policisë dhe një polic. Ndodhi shkëmbimi i zjarrit. Nuk ka të plagosur as të arrestuar, por policia konfiskoi veturën e të dyshuarit” tha Elshani.

    Në veturë është gjetur një sasi e caktuar e narkotikëve ndërkaq identiteti i të arratisurit është i njohur për Policinë. Nga kjo ngjarje një polic u lëndua lehtë. Policia është duke i kryer hetimet në vend të ngjarjes.

  • Së paku 10 të vdekur nga një shpërthim në një minierë kineze

    Së paku 10 të vdekur nga një shpërthim në një minierë kineze

    Së paku 10 njerëz kanë vdekur dhe gjashtë të tjerë janë zhdukur si pasojë e një aksidenti në një minierë në qytetin Pingdingshan, në Kinën qendrore, njoftuan zyrtarë kinezë të shtunën.

    Ata janë zotuar se operacionet e kërkimit do të vazhdojnë dhe se do fillojnë kontrollet e sigurisë në të gjitha miniera e qytetit.

    Inspektimet e sigurisë në vendin e pasuruar me thëngjill Pingdingshan, provinca Henan, mund ta ndërpresë prodhimin e thëngjillit atje dhe t’i kufizojë furnizimet me thëngjill.

    Nëntorin e kaluar, çmimet e thëngjillit në Kinë u rritën, pasi Qeveria e vendit u zotua për t’i shtuar kontrollet e sigurisë, si pasojë e rritjes së numrit të të vrarëve në aksidente në rajonin kryesor të prodhimit të thëngjillit, Shanxi.

    Zyra për menaxhimin e emergjencave e Pingdinshanit tha se aksidenti ndodhi të premten pasdite, si pasojë e shpërthimit të gazit në një minierë.

    Deri të shtunën në mesditë u konfirmuar 10 të vdekur dhe gjashtë të zhdukur.

    Agjencia tha se do të bëjë plane konkrete për t’i shpëtuar të zhdukurit dhe për ta hetuar shkaktarin e aksidentit.

    Agjencia zyrtare e lajmeve e Kinës, Xinhua, raportoi se 425 njerëz po punonin nëntokë kur ndodhi aksidenti./rel/

  • Ushtria amerikane kryen edhe një sulm tjetër ndaj rebelëve huthi në Jemen

    Ushtria amerikane kryen edhe një sulm tjetër ndaj rebelëve huthi në Jemen

    Ushtria amerikane e sulmoi edhe një fushë tjetër të kontrolluar nga grupi Huthi në Jemen, për të cilin tha se po i rrezikonte anijet tregtare në Detin e Kuq, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe i bombarduan caqet e rebelëve huthi.

    Komanda Qendrore e SHBA-së tha se “veprimi pasues” të shtunën në mëngjes me kohë lokale kundër një radari të grupit rebel u krye nga shkatërruesi marinar USS Carney, duke përdorur raketa tokësore Tomahawk.

    Në ditë e parë të sulmeve, të premten, u goditën më shumë se 60 caqe në 28 lokacione.

    Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi të premten se rebelët huthi mund të përballet me sulme shtesë.

    Ky sulm vjen pasi marina amerikane i paralajmëroi anijet amerikane të qëndrojnë larg zonave rreth Jemenit në Detin e Kuq dhe rreth Gjirit të Adenit për 72 orët e ardhshme, pas sulmeve fillestare.

    Huthi, një grup rebel i mbështetur nga Irani, u zotua për hakmarrje të ashpër, duke rritur mundësinë për zgjerimi e konfliktit në një rajon të goditur tashmë nga lufta e Izraelit në Rripin e Gazës.

    Ushtria amerikane dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se presin që rebelët huthi të tentojnë të sulmojnë.

    Shtëpia e Bardhë tha se më shumë se 2.000 anije janë detyruar të bëjnë devijime prej mijëra kilometrash për të shmangur Detin e Kuq për shkak të sulmeve të rebelëve huthi që prekën më shumë se 50 vende. Gjithashtu tha se ekuipazhet nga më shumë se 20 vende ose u morën peng ose u kërcënuan nga grabitësit huthi.

    “Ne do të sigurohemi që bashkë me aleatët tanë të përgjigjemi ndaj huthive, nëse ata e vazhdojnë këtë sjellje mizore”, tha Biden.

    I pyetur nëse beson se Huthi është grup terrorist, Biden u përgjigj: “Mendoj se është”.

    Huthit kanë thënë se synimi i tyre i lundrimit në Detin e Kuq ka për qëllim t’i mbështesë palestinezët dhe Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Zëdhënësi i rebelëve huthi, Yahya Saree, në një fjalim të regjistruar, tha se 73 sulme goditën pesë rajone të Jemenit nën kontrollin e tyre, duke vrarë pesë persona dhe plagosur gjashtë të tjerë.

    “Armiku amerikan dhe britanik mban përgjegjësi të plotë për agresionin e tij kriminal kundër popullit tonë jemenas dhe ai nuk do të mbetet pa përgjigje dhe pa u ndëshkuar”, tha Saree.

    “Amerika dhe Britania padyshim do të duhet të përgatiten të paguajnë një çmim të rëndë dhe të mbajnë të gjitha pasojat e tmerrshme të këtij agresioni flagrant”, shkroi Hussein al-Ezzi, një zyrtar i grupit Huthi.

    Rusia dhe Irani, mbështetësi kryesor të rebelëve huthi, i dënuan menjëherë sulmet duke thënë se ato do të sillnin turbulenca të mëtejshme në Lindjen e Mesme./REL/

  • ​FSK dhe FASh përfundojnë stërvitjen e përbashkët Komando

    ​FSK dhe FASh përfundojnë stërvitjen e përbashkët Komando

    Trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë (FASh) kanë përfunduar stërvitjen e përbashkët të Kursit Komando.

    Në këtë stërvitje 72-orëshe në Feken, efektivët e Forcave të Armatosura u sforcuan fizikisht dhe psikologjikisht në një terren dhe kushte aspak të lehta për të simuluar reagimin në fushën e luftimit dhe sjelljen në kushtet e mbijetesës, ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes i Kosovës Ejup Maqedonci.

    Me përfundimin e suksesshëm të kësaj stërvitje ushtarakët e FSK-së treguan karakter dhe nivel të lartë përgatitjeje.

    “Gjithmonë krenar me ushtarakët tanë”, shkruan Maqedonci në Facebook.

     

  • Gjatë punimeve në Davos të Zvicrës nuk do të takim mes Kurtit dhe Vuçiqit

    Gjatë punimeve në Davos të Zvicrës nuk do të takim mes Kurtit dhe Vuçiqit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk do të takohen në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

    Kurti e Vuçiq për herë të fundit janë takuar në shtator të vitit të kaluar në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

    Takimi pati përfunduar pa ndonjë rezultat, ndërsa palët akuzuan njëra-tjetrën për dekonstruktivitet.

    Forumi Ekonomik në Davos të Zvicrës fillon më 15 janar dhe do të zgjasë katër ditë, derisa “Rindërtimi i besimit” është motoja e edicionit të 54-t të tij.

  • Gjendje e mjerueshme e mbeturinave në “Mati 1”

    Gjendje e mjerueshme e mbeturinave në “Mati 1”

    Në gjendje të mjerueshme nga mbeturinat ndodhet rruga “Faton Shabani”, në fund të rrugës C, Mati 1.

    Banorë të kësaj lagje i kanë treguar KosovaPress-i se në këtë lagje ndodhen vetëm dy kontejnerë, ndërkohë që janë 15 hyrje banesash, mbi 400 familje, përveç operatorëve biznesorë.

  • Të dielën në Prishtinë protestohet për hapjen e rrugës “Xhorxh Bush”

    Të dielën në Prishtinë protestohet për hapjen e rrugës “Xhorxh Bush”

    Të dielën në Prishtinë do të protestohet për hapjen e rrugës “Xhorxh Bush”.

    Protesta është organizuar nga “Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë”, të cilët edhe kanë ftuar qytetarët të marrin pjesë në protestë.

    “Nesër, në ora 12:00, ne organizojmë një protestë thelbësore për hapjen e rrugës Xhorxh Bush, një rrugë e cila mund të hapet lehtësisht duke i larguar betonat që e mbyllin. Thirrja është e hapur për çdo individ të lodhur nga këto praktika të kryetarit të komunës tonë. Përparim Rama premtoi se rruga do të mbyllej vetëm për një test 1-javorë, pastaj tha se do të ishte e mbyllur vetëm për trafikun urban, duke lejuar kalimin e autobusëve dhe taxit”, thuhet në njoftimin e tyre.

    Siç thonë ata “realiteti është një varg gënjeshtrash pas gënjeshtrash, duke mbyllur rrugën përfundimisht”.

    “Kërkojmë një Prishtinë më të lirë dhe të përshtatshme për të gjithë. Ju lutemi, bashkohuni për një qytet më të mirë dhe më të hapur”.

    Ndryshe, sot kryetari i Prishtinës para mediave ka prezantuar planin për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush”, ku ka njoftuar se planifikojnë të bëjnë lidhjen e disa hapësirave.

  • Transformimi i sheshit “Xhorxh Bush”, Rama jep detaje nga projekti

    Transformimi i sheshit “Xhorxh Bush”, Rama jep detaje nga projekti

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama prezantoi sot projektin për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush” dhe ndërlidhjen e tij me hapësirat e tjera publike.

    Rama tha se ideja e këtij investimi nuk është vetëm një dizajn linear, por që sheshet të jenë sa më të qasshme dhe të sigurta për secilën moshë.

    Ai theksoi se i kupton qytetarët që janë të frustruar rreth këtyre punimeve, për çka shton se kjo çfarë po bëjnë është zgjidhje, veçse sipas tij investimet kërkojnë kohë.

    Rama potencoi se në kuadër të punimeve do të hiqen elementet e asfaltit që nuk janë ambientale, derisa shtoi se do të transformohen me elemente të gjelbërta.

    Ai po ashtu theksoi se do të duhen deri në tetë vjet, në mënyrë që ky proces të realizohet.

    Lidhur më këtë projekt foli edhe drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiki për çka tha se ky projekt ka qenë i planifikuar qysh në vitet e 70-ta.

    I pari i kryeqytetit, Përparim Rama tha se planifikojnë që të heqin muret të cilat e rrethojnë Katedralen “Nënë Tereza”, në mënyrë që mos të shihet si cenim i lëvizjes së lirë dhe të jetë e hapur për të gjithë qytetarët.

    Përveç kësaj, Rama shtoi se janë duke punuar në ndërtimin e “Rrugës A” dhe depërtimin në Veternik, që e lidhë Prishtinën e Re me Kalabrinë.

    Rama foli edhe për punimet në unazën e brendshme të kryeqytetit, derisa tha se të gjitha punimet po bëhen me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe evitimin e komunikacionit.

    Ai tha se përveç procesit të ndërtimit të pesë shkollave tani, planifikohet që të ndërtohen edhe pesë të tjera.

    Në fund, Rama tha se ky projekt do t’u prezantohet edhe qytetarëve në mënyrë që të kuptojnë qëllimin dhe secilin detaj rreth punimeve.

  • Qytetarët e Mitrovicës të zhgënjyer me zhvillimin ekonomik gjatë vitit 2023

    Qytetarët e Mitrovicës të zhgënjyer me zhvillimin ekonomik gjatë vitit 2023

    Qytetarët e Mitrovicës shprehen të zhgënjyer me gjendjen e përgjithshme ekonomike gjatë vitit 2023.

    Ata gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, vlerësojnë se në qytetin e tyre, i cili vjen nga një ekonomi e fuqishme para luftës, tani nuk ka zhvillim ekonomik.

    Papunësia, numri i madh i rasteve me asistencë sociale, mungesa e investitorëve, thonë se janë vetëm disa prej arsyeve të mos zhvillimit ekonomik, ndërsa si shkaktarin kryesor për një gjendje të tillë ata përmendin situatën e përgjithshme politike dhe të sigurisë.

    Nysret Maxhera, ekspert i ekonomisë, thotë për KosovaPress, se qyteti i Mitrovicës pas luftës ka humbur rëndësinë dhe rolin e zhvillimit ekonomik.

    Sipas tij, zgjidhja e këtij problemi duhet të bëhet përmes shkollimit të kuadrit, i cili ka vizion të zhvillimit ekonomik, industrializimit, si dhe shfrytëzimit të aseteve natyrore me të cilat disponon qyteti. Ai thotë se komuna nuk ka kapacitete dhe as vullnet për një zhvillim më të madh ekonomik.

    “Pas luftës Mitrovica ka humbur rëndësinë dhe rolin e zhvillimit ekonomik… Në periudhën e pasluftës Mitrovica çdo ditë e më shumë zhytet në varfëri dhe mos zhvillim ekonomik dhe njëkohësisht bie standardi jetësor i qytetarëve… Së pari, duhet të shkollohet kuadri, të kemi një kuadër me vizion të zhvillimit ekonomik, industrializimit, shfrytëzimit të aseteve natyrore me të cilat disponon Mitrovica… Fatkeqësisht, të gjitha fabrikat me të cilat ka disponuar Mitrovica, përmes të cilave janë zhvilluar edhe qytetet tjera, janë në zhdukje e sipër… Çdo buxhet komunal nuk është zhvillimor, mirëpo ai duhet ta ndihmojë dhe të bëjë kërkesa e programe për zhvillimin industrial në këtë rast të Mitrovicës… Po shihet puna në terren, sepse nuk ka zhvillim, por ka zbrazje të kuadrove dhe qytetarëve nga Mitrovica, dhe kjo na bënë me dije, pa analiza të thukëta, se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik dhe komuna nuk ka kapacitete dhe as vullnet për një zhvillim më të madh ekonomik”, ka thënë Maxhera.

    Burhan Maxhuni, qytetar nga Mitrovica, përmend numrin e madh të familjeve me asistencë sociale, si dëshmi e mungesës së zhvillimit ekonomik. Ai thotë se komuna ka mundur të bëjë më shumë në zbutjen e gjendjes sikur buxhetet e drejtorive komunale të dedikoheshin më shumë për investime kapitale dhe jo vetëm për shpenzime shërbyese.

    “Nuk ka zhvillim ekonomik. Shihet qartë se në Mitrovicë kemi me asistencë sociale pothuajse numrin më të madh në Kosovë.… Unë mendoj se komuna ka kapacitet ta rrisë zhvillimin ekonomik në qoftë se ka investime kapitale, do të thotë është dashur buxheti i secilës drejtori të shkojë në investime kapitale dhe jo në shpenzime shërbyese”, tha Maxhuni.

    Edhe Erion Fejza, një mitrovicas tjetër, pranon se në qytetin e tij nuk ka zhvillim ekonomik.

    “Zhvillim ekonomik, të ketë këtu dhe gjatë ditës së punës të shëtisin dy mijë njerëz, nuk është ky zhvillim… Ka papunësi… fukarallëk ka sa të duash”, tha ai.

    Ndërsa, Hajdar Shyti, përmend situatën e brishtë të sigurisë në Mitrovicë, si faktorin kryesor të mungesës së zhvillimit ekonomik. Ai shpreson së shpejti në një marrëveshje politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe njëkohësisht në përmirësimin e gjendjes ekonomike.

    “Pa pasur siguri, asnjë investim i huaj nuk mund të ndodhë. Kështu që besoj se me hapat e fundit, të cilat po ndodhin si në veri ashtu edhe në jug të Mitrovicës, ndoshta na ofrohet një mundësi për një zhvillim të tillë në një të ardhme, shpresoj të afërme. Do të thotë investime për zhvillim ekonomik nuk mund të ketë pa shtet stabil… Kemi një kryetar i cili e njeh ekonominë, por potencialet e komunës nuk i njoh dhe nuk i di”, u shpreh Shyti.

    Në anën tjetër, Rrustem Abiti, thotë se çështja e zhvillimit ekonomik të Mitrovicës ka ngecur për shkak të ndikimeve politike. Ai shton se askush nuk investon në një vend ku pretendohet se mund ta rrezikojë kapitalin.

    “Zhvillimi ekonomik ndikohet nga shumë faktorë. Prej investimeve, investitorëve të jashtëm, joshja e tyre, krijimi i kushteve…Këta faktorë janë të pakët në Mitrovicë për arsye shumëdimensionale. Më shumë për shkak të ndikimeve politike çështja e zhvillimit të Mitrovicës ka ngecur… Askush nuk investon në një vend, ku pretendohet se mund ta rrezikojë kapitalin dhe Mitrovica faktikisht ka pasur gjithherë probleme paslufte, kështu që investitorët e jashtëm kanë hezituar… Është e vërtetë se Kosova dhe Mitrovica kanë një papunësi të shtuar në krahasim me vendet e rajonit”, potencoi Abiti.

    Ndryshe, statistikat tregojnë se rajonet më të prekura në vend ose me numrin më të lartë të rasteve që përfitojnë nga skema sociale, janë rajoni i Mitrovicës, pasuar nga rajoni i Prishtinës dhe ai i Ferizajt.