Një grua në Gjakovë ka raportuar në Polici se i është zhdukur vëllai.
Sipas saj, i njëjti më 25 nëntor kishte dalë nga shtëpia dhe ishte nisur në drejtim të Serbisë dhe se më nuk është kthyer e as nuk e di se ku gjendet.
“Rr. Dëshmorët e Dujakës, Gjakovë 12.01.2024-15:45. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se vëllai i saj që nga data 25.11.2023 ka dalë nga shtëpia dhe është nisur në drejtim të Serbisë dhe deri me tani nuk është kthyer dhe nuk ka njohuri se ku gjendet”, thuhet në raport.
Për të shtunën parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell në pjesën e parë të ditës, ku vranësirat më të shtuara do të jenë në Rrafshin e Kosovës.
Menjëherë pasdite vranësirat pritet të tërhiqen në të gjithë vendin. Acar i fortë në orët e mëngjesit.
Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme me shpejtësi prej 8-25 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej -8 deri në -5°C, ndërsa ato maksimale prej 0 deri në 3°C.
Kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK), Nexhmije Gori, ka thënë Ligji për Paga ka shtuar pakënaqësi të madha tek infermieret, pasi me paga aktuale është e pamundur ta kalojnë muajin, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka thënë për Ekonomia Online, se shpreson që qeveria ta bëjë një rishikim të Ligjit për Paga dhe ta bëjë rritjen e saj.
Gori ka thënë se për infermieret me ligjin e ri u janë ndalur edhe shtesat për shujta, e që kjo sipas saj po shton çdo ditë pakënaqësitë tekë ta.
Ajo ka theksuar se para viti të ri shteti ka paguar të gjithë mjekët të cilët nuk punojnë në sektorin privat, e për infermieret nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
“Pakënaqësia tek infermieret çdo ditë e më shumë po shtohet. Me ligjin e ri të pagave kanë dal në pah shumë pakënaqësi, njëra ndër to ka qenë edhe kjo e cila me kontratën kolektive ata është paguar edhe shujta, ndërsa tani është hequr. Tash para viti të ri janë pagur të gjithë mjeket të cilët nuk punojnë në sektorin privat dhe infermieret as një nga ta nuk e ka marr të paktën as një motivim qoftë ajo mjete financiare apo çka do qoftë, sikur këta infermierë nuk janë pjesë e sistemit shëndetësor. Kjo ka bërë që ankesat edhe pakënaqësitë e tyre të shtohen edhe më shumë. Shumica e infermiere, mamive dhe profesionisteve tjerë shëndetësor nuk punojnë në sektorë private dhe ajo nuk është marrë parasysh”, është shprehur ajo.
Gara ka thënë se koeficienti prej 110 euro është i pa mjaftueshëm. Sipas saj, është për të ardhur keq me pagën të cilën e marrin infermieret, mamitë, e profesionistet të tjerë shëndetësor.
Ajo shtoi se shpreson që qeveria do ta bëjë një rishikim dhe do të ndërhyjë në rritje të pagave për profesionistët shëndetësor.
“Është për të ardhur keq, me pagën çfarë e posedojnë infermieret, mamitë, edhe profesionistet shëndetësor dhe duke e parë fluksin e çmimeve çfarë është sidomos tash më pas pandemisë, është e pa mundur për ta kaluar muajin. Unë shpresoj që tash do të bëhet një rishikim dhe do të ketë një ndërhyrje dhe një përmirësim tekë pagat e profesionisteve shëndetësor”, ka thënë ajo.
Sipas të dhënave të OIK, vetëm gjatë vitit 2023, Oda ka lëshuar 713 licenca të pa plastifikuara për infermierë, certifikata këto që u shërbejnë atyre për punësim jashtë vendit.
Kompanitë ajrore në Shtetet e Bashkuara anuluan më shumë se 2 mijë fluturime të premten pasi një stuhi masive dimërore u bë shkak për ndërprerje të energjisë elektrike e cila krijoi probleme të mëdha në 12 shtete, derisa në fundjavë gjendja pritet të përkeqsohet.
Krahas anulimeve, 5846 fluturime u shtynë.
Linja ajrore ‘Southwest Airlines’ kryeson listën e anulimeve me 401 fluturime, ndjekur nga ‘SkyWest’ me 358.
Në një njoftim të ‘Southwest Airlines’ thuhej se disa nga fluturimet e saj për në Çikago, Detroit dhe Omaha, mund të ndikohen.
Administrata Federale e Aviacionit kishte paralajmëruar të enjten se retë, bora dhe forca e erës, mund të vonojnë fluturimet në aeroporte të caktuara.
‘United’ ka anuluar 284 fluturime deri më tani, me disa anulime që shtrihen deri të shtunën ndërsa pret miratimin nga agjencitë rregullatore për të rifilluar operimin e avionëve 737 MAX 9 të Boeing.
Në një deklaratë të kompanisë thuhej se po kryente disa fluturime të planifikuara me lloje të tjera avionësh.
Administrata Federale e Aviacionit njoftoi se do të fillojë auditin e prodhimit të avionëve Boeing dhe do të rrisë mbikëqyrjen ndaj kësaj kompanie, pasi një panel u shkëput nga trupi i një avioni gjatë një fluturimi javën e kaluar. Ky ishte incidenti më i fundit për kategorinë më të rëndësishme të avionëve të kompanisë Boeing.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, do të prezantojë sot projektin për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush”.
Prezantimi i këtij projekti do të bëhet në Sallën e Mediave në Komunën e Vjetër, me fillim nga ora 11:00.
“Nesër, e shtunë, 13.01.2023, ora 11:00, në Sallën e Mediave në Komunën e Vjetër, Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të prezantojë projektin për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush””, thuhet në njoftim.
Rruga “Xhorxh Bush” ishte mbyllur për qarkullim për disa javë, deri kur Rama kishte njoftuar se do të shndërrohej në shesh.
Herët në mëngjesin e së premtes, nën përcjellje edhe të Njësisë Speciale të Policisë, Milun Milenkoviq, nga Burgu i sigurisë së lartë, u soll në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
I dyshuar për sulmin e 29 majit në Zveçan, Millenkoviq, i njohur me nofkën “Llune”, u ul në sallën e gjykimit për të nisur ballafaqimin me drejtësinë, por këtë herë për një tjetër rast. Atë e ngarkon Prokuroria Speciale me akuzën për sulm terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri, në bashkëkryerje me Aleksandër Vlajiqin, Dejan Pantiqin dhe Miomir Vakiqin.
Në sallën e gjykimit bashkë me mbrojtësin e tij, paraqitet edhe ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Në polici kishte shërbyer për shumë vjet edhe Aleksandër Vllajiq, avokati i të cilit kërkoi të shtyhet seanca, gjatë së cilës ishte planifikuar të fillojë gjykimi.
Milos Delleviq u ankua që e ka pranuar aktakuzën me vonesë, e kërkesa e tij u mbështet edhe nga kolegët avokatë, të cilët thanë se Prokuroria nuk i ka pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.
“Sot e kemi pranuar aktakuzën, nuk kemi pasur kohë ta ballafaqojmë me të tjerat shkresa të lëndës”, tha Milos Delevic, avokat i Aleksander Vlajicit.
“Edhe pjesa më e madhe e atyre shkresave që i kemi nuk janë të përkthyera në gjuhën serbe”, tha Ljubomir Pantovic, avokat i Dejan Panticit.
Prokuroria Speciale pranon se nuk janë përkthyer të gjitha shkresat për çka pati sqarim.
Propozimi aprovohet nga Gjykata, e cila paraqet një obligim për të dyja palët.
Një kërkesë ndryshe nga kolegët e tij, e pati avokati i Llunes, që t’i ndryshohet masa e paraburgimit në arrest shtëpiak, duke ofruar edhe dorëzani në shumën prej 30 mijë eurosh, por ai u udhëzua që gjykatës t’i drejtohet me shkrim.
“Nuk ekziston që Lune të arratiset, as ta përsëris veprën penale, sepse asnjëherë s’e ka kryer atë. Në sy të mediave për shkak të situatës politike ai paraqitet si i rrezikshëm, por në Mitrovicë e njohim të gjithë si sportist”, tha Predrag Milkovic, avokat i Milun Milenkovicit.
Milenkoviq, i cili dyshohet se është një nga udhëheqësit e “Mbrojtjes Civile”, u arrestua në qershor të 2023-s, nën dyshimet për organizimin e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, në Zveçan.
Reagime të dhunshme të banorëve lokalë në pjesën veriore, përveç arrestimit të tij, kishte nxitur edhe arrestimi i Dejan Pantiq në dhjetor të 2022-s.
Pantiqi akuzohet se bashkë me Lunen, dhe dy të tjerët organizuan sulmin ndaj zyrave të KKZ-së në Mitrovicë të Veriut, duke shkatërruar ato, sipas aktakuzës me qëllimin të frikësimit të popullatës, dhe duke ndikuar në pamundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në komunat veriore.
Periudhën 2022-2023, Zyra Kombëtare e Auditimit e ka përmbyllur me 123 raporte të auditimit. Keqmenaxhimi i parasë publike veçanërisht kur bëhet fjalë për investimet kapitale, sipas Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, është shqetësues.
“Mund të them për Ministrinë e Infrastrukturës pasi është një vlerë e madhe që shfrytëzohet për ndërtimin e rrugëve, pastaj Ministria e Kulturës me objektet si stadiumi, pastaj Ministria e Arsimit te shkollat, por ka probleme thelbësore edhe në nivelin lokal te komunat, pra fillojnë dhe nënshkruajnë kontrata për prokurim pa projekt ekzekutiv dhe ajo çka ndodh më pas e shohin se dalin pengesa të ndryshme. Ka ndodhë në disa raste është shpenzuar tërë buxheti dhe rruga nuk ka pasur mundësi të kryhet as 50%”, tha Spanca.
Ndërkohë, për të njëjtën periudhë, në sezonin auditues 2022-2023, ZKA-ja ka deponuar 51 raste në Prokurori të Shtetit nën dyshimin për vepra penale.
Por, për to nuk ka informacion.
“Kemi nënshkruar një marrëveshje, qëllimi ka qenë që ne të marrim një informatë kthyese, të shohim nëse kanë vazhduar apo kanë elemente, apo janë mbyllur, por nuk kemi arritur të marrim ndonjë info. Gjatë 2023, ne kemi pranuar disa informata, prokuroritë themelore për raste që kemi dërguar në 2021 dhe sipas tyre nuk kanë gjetur ndonjë element të veprave penale”, tha Spanca.
Në Prokurori nuk u janë përgjigjur as pyetjeve të ATV-së se për sa raste janë ngritur aktakuza e sa prej tyre janë hedhur poshtë. Megjithatë, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, gjetjet e ZKA-së janë të rëndësishme të trajtohen.
“Institucioni duhet ta ngrejë performancën e vet duke i adresuar rekomandimet e ZKA-së, duke ngritur profesionalizmin e stafit në raste të caktuara, duke mbajtur llogaridhënës stafin etj., në mënyrë që ta rrisë nivelin e profesionalizmit apo performancës buxhetore. Sa i përket njoftimit, nëse ZKA-ja është parashtrues i kallëzimeve penale përkitazi me këto raste është obligim ligjor që të njoftohet parashtruesi i kallëzimit penal përkitazi me rezultatin përfundimtar të trajtimit të një rasti të deponuar”, tha Gëzim Shala nga IKD.
Ndërkohë, sipas ZKA-së, edhe në planin vjetor 2023-2024 planifikojnë kryerjen e 123 auditimeve.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktvendime me epilog të ndryshëm në paditë individuale ndaj vendimit preliminar të Qeverisë, të datës 10 Maj 2023, për shpronësim me qëllim të realizimit të “projekteve infrastrukturore me interes publik”, në disa zona në Leposaviq dhe në Zubin Potok.
Në dy raste, gjykata në shkallën e parë aprovoi padinë individuale ose grupore të pronarëve të parcelave, pjesëtarë të komunitetit serb. Aty thuhet se anulohet vendimi preliminar për shpronësim dhe se lënda i kthehet Qeverisë për ri-shqyrtim dhe vendimmarrje të re.
Në tri raste të tjera, Themelorja hodhi poshtë paditë individuale ose grupore të pronarëve ndaj vendimit të njëjtë të Qeverisë.
Referuar këtyre rasteve, Qeveria vlerësoi se është hapur rruga për vendimin përfundimtar për shpronësimet në këto dy komuna në veri të vendit.
“Nuk kemi pranuar asnjë vendim të gjykatës që anulon ndonjë vendim të Qeverisë lidhur me shpronësimin në fjalë. Deri tani, jemi në posedim të dy vendimeve të gjykatave, të cilat ndalojnë shpronësimin në raport me vetëm disa prona të qytetarëve të caktuar, pra disa individëve, që kanë bërë padi pranë gjykatave tona. Megjithëkëtë, Qeveria mund të vazhdojë me nxjerrjen e vendimit përfundimtar për shpronësim duke përjashtuar parcelat e individëve në fjalë, sipas vendimeve gjyqësore të pranuara”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Por, avokati i cili fitoi rastin për dy qytetarë, në shkallën e parë, pretendoi në anulim në tërësi të vendimit të Qeverisë për shpronësim.
“Vendimin e kemi pranuar më 9 Janar. Formalisht, i gjithë procesi i shpronësimit në komunat në veri është shpallur i paligjshëm. Në përgjithësi, vendimi i Qeverisë ishte aq i pabazuar, saqë Gjykata nuk mund të vendoste ndryshe. Megjithatë, ky është vetëm hapi i parë (por i domosdoshëm), sepse bazat e Policisë mbeten. Tani shpresojmë që bazat e Policisë do të hiqen – nëse jo, ne do të vazhdojmë ta luftojmë këtë me të gjitha mjetet ligjore në dispozicion”, tha avokati i dy pronarëve të parcelave, Dragutin Nenezic.
Më 10 Maj 2023, Qeveria miratoi vendimin preliminar për shpronësim për interes publik në zonat kadastrale Bistricë, Bistricë e Shalës, Dren, Leshak dhe Koshotovë në Komunën e Leposaviqit, si dhe në komunën e Zubin Potokut, në zonat kadastrale Zubin Potok, Bërnjak, Bregu i Madh, Banjë dhe Jasenovik i Epërm.
Vendimi përfshin rreth 120 parcela, shumica me pronarë nga komuniteti serb dhe një pjesë me pronarë shqiptarë.
Ulpiana dhe Arbëria janë identifikuar si lagjet me më së shumti fibra të asbestit.
Për ta zvogëluar sasinë e kësaj materie kancerogjene, Komuna e Prishtinës, së shpejti do ta lansojë platformën online “Prishtina pa Abdest”.
“Sot e patëm prezantimin e materieve të cilat përmbajnë asbest, po ashtu edhe asbestit të cilat janë analizuar në gjithë territorin e zonës urbane të kryeqytetit. Ideja është që fillimisht t’i inventarizojmë ose të dimë cilat zona, ndërtesa apo pjesë të kryeqytetit edhe nën tokë edhe mbi tokë në ndërtesa, kanë asbest. Sepse e dimë që asbesti është një material kancerogjen. Një material shumë i rrezikshëm për shëndetin, posaçërisht merret nëpërmjet frymëmarrjes dhe shkakton kancer të mushkërive. Ne tani synojmë që ta heqim prej të gjitha hapësirave të kryeqytetit, gjithmonë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të kryeqytetit”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Profesori i kimisë, Lulzim Zeneli, tha se përmes aplikacionit, qytetarët do të jenë të informuar për këtë materie, si dhe mund të kenë mundësi të raportojnë për zonat që dyshohet prania.
“Këto rezultate do t’i paraqesim në një platformë elektronike dhe kjo ka qenë pjesë e angazhimit tonë jashtë obligimeve që ne kemi hartuar, e kemi përgatitur një platformë online, ku secili qytetar do të identifikojë asbestin në lagjen, a ka, sa ka, a është trajtuar dhe a pritet me u trajtu. 35:12 Kjo platformë “Prishtina pa asbest” për shkak se është marrë prej Unionit Evropian dhe prandaj, çfarë nënkupton një platformë elektronike për të lehtësuar menaxhimin e të dhënave që lidhen me asbestin, si material i rrezikshëm, dhe kërkon një mbikëqyrje dhe kontroll të kujdesshëm, dhe kjo faqe shërben si platformë qendrore, me përmbledhjen, regjistrimin dhe përcjelljen e informacioneve kyçe në lidhje me trajtimin dhe largimin e asbestit”, tha Zeneli.
Ndryshe, Komuna e Prishtinës, të shtunën do ta prezantojë edhe planin e ri të modelimit të sheshit “Xhorxh Bush”. Kundër projektit ka dalë një grup banorësh të cilët për të dielën paralajmëruan edhe protestë.
Liberalizimi i vizave vlerësohet se do jetë shkak që gjatë tre muajve, 28% e qytetarëve të Kosovës do të emigrojnë.
Kjo rrjedhimisht do të ndikojë me largimin e punëtorëve e sektorët që pritet të preken më së shumti janë ai i ndërtimtarisë, hotelerisë e gastronomisë.
Ndërkohë, në dhjetë vjetët e fundit nga vendi tashmë kanë emigruar 338 mijë qytetarë.
Sipas anketës të realizuar nga Instituti GAP me mbi 1 mijë qytetarë, thuhet se shumica e tyre që planifikojnë të emigrojnë janë persona të cilët kanë përfunduar vetëm shkollimin e mesëm, me 58 për qind.
Destinacionet kryesore janë Gjermania me 71 për qind, Zvicra me 12 për qind dhe Austria me 5 për qind.