ATV

Category: Lajme

  • Blerja e armatimit dhe fuqizimi i Ushtrisë së Kosovës, sipas njohësve të sigurisë është investim

    Blerja e armatimit dhe fuqizimi i Ushtrisë së Kosovës, sipas njohësve të sigurisë është investim

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, blerja e raketave amerikane, Javelin, është paraparë në kuadër të ngritjes së kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Lajmi për blerjen e raketave ngjalli reagime pozitive në mesin e establishmentit kosovar e sipas njohësve të sigurisë, rasti i 24 shtatorit në Banjskë i ka hapur rrugë Kosovës të investojë më shumë në ushtri.

    Për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit, ekzekutivi këtë vit ndau rreth 370 milionë euro apo 22 për qind më shumë se sa në vitin 2023. Fakti që Qeveria është duke i dhënë prioritet ushtrisë dhe mbrojtjes po vlerësohet.

    Menjëherë pas publikimit të lajmit që Kosova ka kërkuar t’i blejë raketat Javelin, edhe Departamenti amerikan i Shtetit e konfirmoi duke thënë se vlera e tyre arrin në 75 milionë dollarë. Fjala është për 246 raketa kundërtanke që prodhohen nga vetë Amerika.

    Kosova, edhe më herët është furnizuar me armë amerikane. Në vitin 2018, Qeveria e atëhershme kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General, për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee.

  • Konjufca pret Von Cramon: Diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon

    Konjufca pret Von Cramon: Diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon

    Në këtë takim u diskutua për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, shkruan lajmi.net.

    Po ashtu ata diskutuan edhe për rëndësinë e përshpejtimit të procesit integrues në Bashkimin Europian.

    Njofitmi i plotë:

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon Taubadel, me të cilin diskutoi për proceset aktuale politike në vendin tonë dhe çështjet që lidhen me perspektivën evropiane të Kosovës.

    Kryetari Konjufca e njoftoi raportuesen von Cramon për angazhimet e institucioneve të Republikës së Kosovës në përmbushjen e obligimeve që lidhen me këtë proces, ndërsa shprehu kënaqësinë që tashmë edhe qytetarët e Kosovës gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes në Zonën Schengen.

    Në takim gjithashtu u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit për të garantuar përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.

  • ​Rriten çmimet, shporta e qytetarit rëndohet për 4.9 për qind në vitin 2023

    ​Rriten çmimet, shporta e qytetarit rëndohet për 4.9 për qind në vitin 2023

    Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 4.9 për qind në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022.

    Në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës thuhet se Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend në vitin 2023 ishte më i lartë në një mesatare prej 4. 9 për qind krahasuar me vitin 2022.

    “Ngritja e indeksit të çmimeve të konsumit është vërejtur te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: perimet (15,9%), pemët (11,4%), prodhimet ushqimore (11,3%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (11,2%), buka dhe drithërat (8,9%), qumështi, djathi dhe vezët (8,4%), mishi (7,8%), energjia elektrike gaz dhe lënde djegëse te tjera (7,5%), mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtja e shtëpisë (7,3%), strehimi , uji, energji elektrike, gazi dhe lëndë djegëse të tjera (6,4%), pijet alkoolike, duhani (6,4%), pijet joalkoolike (6,3%), restorantet dhe hotelet (5,8%), mallra dhe shërbime te ndryshme (3,8%), blerja e automjeteve (3,8%), veshje dhe këpucë (3,4%), shëndetësia (2,7%) me një ndikim te përbashkët te këtyre nëngrupeve prej 6,2 përqindja në IHÇK-it”, thuhet në raport.

    Ndërsa rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit gjatë vitit 2023 është vërejtur te nëngrupe e COICOP-it: karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal 11,4 për qind përdorimi i pajisjeve të transportit personal 8,3 për qind, transporti 2,2 për qind me një ndikim te përbashkët prej 1,3 për qind në IHÇK-it.

    Sipas ASK-së Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,3 për qind në muajin dhjetor 2023 krahasuar me muajin dhjetor 2022.

    “Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: pemët (16,6%), perimet (16,4%), pajisje terapeutike (6,9%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (6,6%), pijet alkoolike, duhani (6,5%), mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale te transportit (6,5%), prodhimet ushqimore (6,3%), qelqurinat , takëmet dhe mjetet e kuzhinës (5,8%), restorantet dhe hotelet (3,9%), produktet mjekësorë aparature dhe pajisje (3,6%), shërbimet ambulatore (3,4%), buka dhe drithërat (2,4%), mallrat dhe shërbimet e ndryshme (2,4%), veshje dhe këpucë (2,0%), gazi (2,0%), shërbimet financiare (1,8%), mishi (1,3%), mobilje dhe orendi qilima dhe mbulesa te tjera dyshemeje (1,1%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,7 për qind në IHÇK”, thuhet në raport.

    Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: vajrat dhe yndyrat 10,5%, qumështi, djathi dhe vezët 3,7%, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj 0,9%, mjetet e komunikimit 0,4% me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,4 për qind në IHÇK.

    Ndërsa, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare 0,3% në muajin dhjetor 2023 krahasuar me muajin nëntor 2023.

    “Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOPI-it: shërbimet për transport (16,7%), energjia elektrike (10,3%), perimet (2,6%), duhani (1,7%), qumështi, djathi dhe vezët (1,7%), pajisjet shtëpiake (0,4%), pijet joalkoolike (0,2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,9 për qind në IHÇK”, bënë të ditur ASK.

    Ndërsa rënia e çmimeve vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-6,0%), buka dhe drithërat (-0,8%), shëndetësia (-0,2%), veshje dhe këpucë (-0,1%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,6 për qind në IHÇK.

  • Presidentja Osmani dekreton hapjen e misionit të posaçëm të Kosovës në Vatikan

    Presidentja Osmani dekreton hapjen e misionit të posaçëm të Kosovës në Vatikan

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka dekretuar hapjen e Misionit të Posaçëm të Kosovës në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

    Osmani, përmes një postimi në platformën “X”, ka thënë se dekretimi formal i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Selinë e Shenjtë vjen “pas dy vite përpjekjesh intensive së bashku me lidershipin e Vatikanit”.

    “Ky është një moment historik dhe i rëndësishëm për Kosovën si dhe një kapitull i ri në marrëdhëniet Republikës së Kosovës dhe Vatikanit, të cilat ne jemi të përkushtuar t’i thellojmë”, ka shkruar Osmani.

     

  • ​FSK merr pjesë në operacionin për trajnimin e ushtrisë së Ukrainës

    ​FSK merr pjesë në operacionin për trajnimin e ushtrisë së Ukrainës

    Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) do të zbarkojë në Britaninë e Madhe gjatë këtij muaji për të marrë pjesë në operacionin Interflex, i cili ka për qëllim trajnimin e trupave të Ushtrisë së Ukrainës.

    Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se ministria që ai drejton dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë ofruar gatishmërinë që të angazhojnë instruktorë për të ndihmuar procesin e stërvitjes së ushtrisë ukrainase në kuadër të këtij operacioni.

    Kësisoj, Forca e Sigurisë së Kosovës do t’i bashkëngjisë një kontingjent të instruktorëve profesionistë njësisë së Ushtrisë së Britanisë së Madhe që realizon operacionin Interlfex, ka shkruar ai në Facebook.

    Sipas tij, ky angazhim i Forcës së Sigurisë së Kosovës është në linjë me qëndrimin e Institucioneve të Kosovës në mbështetje të popullit dhe luftës së drejtë të Ukrainës.

    “Si pjesë e përgatitjeve që po bëhen për këtë operacion, sot takova një grup gazetarësh ukrainas të cilët kanë vizituar Ministrinë e Mbrojtjes me qëllim diskutimin rreth situatës aktuale në Ukrainë dhe ofrimin e njohurive kulturore dhe gjuhësore për pjesëtarët e FSK-së, të cilët do të qëndrojnë për gjashtë muaj nën ombrellën e ushtrisë britanike për të kontribuar në trajnimin e ushtarëve ukrainas”, ka shkruar Maqedonci.

  • Nga sot, të gjitha patrullat e policisë do të pajisen me armë të gjata

    Nga sot, të gjitha patrullat e policisë do të pajisen me armë të gjata

    Nga sot të gjitha patrullat e Policisë së Kosovës do të pajisen me armë të gjata, ka bërë të ditur sot ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

    Armët e gjata, të blera nga një fabrikë e armëve në Kroaci, do të shpërndahen anekënd Kosovës.

    “Me blerjen e këtyre armëve për të gjitha patrullat policore anekënd Republikës së Kosovës rritet efikasiteti në luftimin e krimit me çka mundësohet një ambient më i sigurt, rend publik më i qetë dhe më shumë siguri për zyrtarët tanë policorë”, ka thënë Sveçla.

    “Falënderoj edhe shtetin mik kroat për bashkëpunimin e ngushtë dhe korrekt me institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri.

    Ndërkohë, ATV raportoi dy ditë më parë se armë të reja të modelit QBZ, gjatë këtij viti pritet të vihen në shërbim të Policisë së Kosovës.

    LEXO EDHE:

    Nisin procedurat për pajisjen e njësive speciale me armë të reja

  • ​Dogana parandalon kontrabandimin e mallrave në vlerë mbi 20 mijë euro në Viti

    ​Dogana parandalon kontrabandimin e mallrave në vlerë mbi 20 mijë euro në Viti

    Dogana e Kosovës ka parandaluar në dy raste të ndara kontrabandimin e mallrave në vlerë mbi 20 mijë euro nga Maqedonia e Veriut në Kosovë.

    Gjatë ndalimit të një automjeti u gjetën mallra të kontrabanduara, tekstile-veshmbathje në një sasi prej 2.080 artikujve në vlerë rreth 9.000 euro.

    Përveç kësaj, është vërejtur se këto mallra shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale dhe janë të falsifikuara.

    Në rastin e dytë janë hasur në tentim të kontrabandimit tekstil në vlerë rreth 12.000 euro.

    Mallrat e kontrabanduara janë sekuestruar dhe ndaj palëve janë nisur procedurat kundërvajtëse.

    Dogana e Kosovës ka aplikacionin eDogana, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi.

  • ​Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, këto janë pika e rendit të ditës

    ​Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, këto janë pika e rendit të ditës

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë takimin e parë për këtë vit të hënën nga ora 12:00.

    Në rend dite është propozimi për caktimin e seancën së re plenare dhe pyetjet parlamentare.

    Pikat e tjera të rendit të ditës:

    Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

    Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,

    Votimi i Projektligjit për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,

    Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,

    Votimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,

    Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,

    Votimi në lexim të dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave,

    Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Verëra,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për metrologji,

    Votimi në parim i Projektligjit për tekstet shkollore,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative faza e dytë,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit për gjendjen civile,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit për letërnjoftimin,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit për regjistrin e pronarëve përfitues,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit për rininë,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit për shpronësimin e pronës së paluajtshme,

    Votimi për emërimin e tre anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,

    Votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,

    Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

    Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për 2022,

    Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për 2022,

    Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes,

    Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për farërat,

    Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për pasurimin e miellit,

    Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë,

    Propozimi për përzgjedhjen e një kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës,

    Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

  • Erdogan: SHBA-ja dhe Britania po e shndërrojnë Detin e Kuq në “det gjaku”

    Erdogan: SHBA-ja dhe Britania po e shndërrojnë Detin e Kuq në “det gjaku”

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se sulmet amerikane dhe britanike ndaj rebelëve Huthi në Jemen përbënin përdorim joproporcional të forcës, duke i akuzuar këto dy shtete se po tentojnë ta shndërrojnë Detin e Kuq në “det gjaku”.

    Turqia, shtet anëtar i NATO-s, ka kritikuar ashpër Izraelin për luftën në Gazë, që sipas Izraelit synon të shkatërrojë Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe udhëheqësi turk vazhdimisht ka kritikuar shtetet perëndimore se po mbështesin fushatën e Izraelit.

    I pyetur nga gazetarët lidhur me sulmet ajrore dhe detare gjatë natës që u kryen nga forcat amerikane dhe britanike në mbarë Jemenin, në kundërpërgjigje ndaj sulmeve të rebelëve Huthi – që mbështeten nga Irani – ndaj anijeve në Detin e Kuq, Erdogan tha se këto sulme nuk ishin proporcionale.

    “Ajo çfarë është bërë ka qenë përdorim joproporcional i forcës”, tha Erdogan pas lutjeve të së premtes në Stamboll.

    “Për momentin ata po tentojnë ta shndërrojnë Detin e Kuq në det gjaku dhe Jemenin për shkak të Huthive, dhe duke përdorur të gjithë forcën e tyre, duke thënë se po bëjnë përgjigjen e duhur në rajon”, shtoi ai, duke përmendur SHBA-në dhe Britaninë.

    Turqia në përgjithësi mbështet Qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit dhe mbështet procesin e udhëhequr nga Kombet e Bashkuara që synon paqen midis ekzekutivit dhe rebelëve Huthi të cilët kontrollojnë shumicën e shtetit.

    Në të kaluarën, Ankaraja ka dënuar sulmet me raketa të kryera nga rebelët Huthi në Arabinë Saudite.

    Rebelët Huthi kanë sulmuar anijet që transportojnë mallra përmes Detit të Zi, duke thënë se sulmet janë në mbështetje të palestinezëve. /rel

  • Ushtria kineze: Do të shtypim çdo përpjekje të Tajvanit për pavarësi

    Ushtria kineze: Do të shtypim çdo përpjekje të Tajvanit për pavarësi

    Ushtria e Kinës u zotua se do të “shtypë” çdo përpjekje për të promovuar pavarësinë e Tajvanit. Ky paralajmërim i bërë më 12 janar vjen një ditë para se ishulli vetëqeverisës të mbajë zgjedhjet kyçe parlamentare dhe presidenciale.

    Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj.

    “Ushtria Çlirimtare Popullore kineze është në vigjilencë të lartë gjatë gjithë kohës dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të shtypur me vendosmëri përpjekjet e ‘pavarësisë së Tajvanit’ në të gjitha format”, tha zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes, Zhang Xiaogang, përmes një deklarate.

    Zhang akuzoi subjektin udhëheqës në Tajvan, Partinë Progresive Demokratike, se po e shtyn ishullin “drejt kushteve të rrezikshme të luftës” duke blerë armë nga Shtetet e Bashkuara.

    Ishulli që ka demokracia vibrante dhe ka 23 milionë banorë, ndahet nga një ngushticë prej 180 kilometrash nga Kina komuniste, e cila pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj dhe nuk ka përjashtuar mundësinë që ta marrë kontrollin e ishullit edhe përmes forcës.

    Zgjedhjet e së shtunës do të vëzhgohen nga afër nga e mbarë bota dhe fituesi i zgjedhjeve presidenciale do të udhëheqë ishullin që ka rëndësi të madhe strategjike – dhe është një prodhues i madh i gjysmëpërçuesve – dhe do të menaxhojë lidhjet me Kinën.

    Në vitet e fundit, Pekini ka ruajtur praninë ushtarake, pothuajse në baza ditore, përreth Tajvanit, duke dërguar luftanije dhe avionë luftarakë përreth ishullit./REL/