ATV

Category: Lajme

  • I pamundur shërbimi ushtarak i detyrueshëm në Kosovë – Analistët kërkojnë Ligj për Mobilizim të qytetarëve

    I pamundur shërbimi ushtarak i detyrueshëm në Kosovë – Analistët kërkojnë Ligj për Mobilizim të qytetarëve

    Njohësit e rrethanave të sigurisë, vlerësojnë se Kosova e ka të pamundur ta bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak por që kërkojnë të miratohet Ligji për Mobilizim, pasi në raste të agresionit Kosova nuk i obligon qytetarët e saj të mobilizohen, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tyre, shërbimi ushtarak i obligueshëm pengesë për shkak të mungesës së buxhetit dhe se plani dhjetëvjeçar i tranzicionit të FSK-së

    Ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli në një intervistë për Ekonomia Online tha se Kosova ende nuk i ka arritur kapacitet e saj të plota operacionale ta bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak, teksa pengesë tjetër e sheh edhe buxhetin.Ai FSK-në e sheh në rrugë të mirë drejtë zhvillimit të një ushtrie profesionale me standarde të NATO-s.

    “Konsideroj që në këtë fazë në të cilët gjenden Forca e Sigurisë së Kosovës ndoshta është e pamundshme. Arsyeja është se në planin tranzitor të saj ajo ende nuk i ka arritur kapacitetet e saj të plota operacionale. Arsyeja e dytë është se nëse vjen deri te ajo, buxheti i tanishëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk mjafton, duhet të rritet buxheti edhe e treta çka konsideroj që është shumë e rëndësishme është se detyrimi i obligueshëm i ushtarak, nuk mund të arrijë kapacitetet e plota për t’u përgatitur për mbrojtje. Pra FSK-ja është në rrugë të mirë me formën e saj të zhvillimit të një ushtrie profesionale me standarde të NATO-s, andaj konsideroj që kjo duhet të vazhdojë dhe ka kohë për ta”, tha Veseli.

    Veseli ka kërkuar nga Qeveria që të hartojë Ligjin për Mobilizim, pasi në raste të agresionit Kosova nuk i obligon qytetarët të mobilizohen.

    “Gjithsesi institucionet e sigurisë sonë kanë marrë masa e nevojshme për ngritjen e gatishmërisë për ndonjë të papritur, mirëpo Kosovës i mungon Ligji për Mobilizim, andaj Qeveria duhet urgjentisht të hartojë ligje për mobilizim të kapaciteteve kombëtare të resurseve njerëzore dhe të kapaciteteve të tjera ekonomike. Ne nuk e kemi atë ligj në rastet emergjence apo të një agresioni të mundshëm, Kosova nuk ka ligj që i obligon qytetarët e saj të mobilizohen për mbrojtje të vendit”.

    Ndërsa Drizan Shala, tha për Ekonomia Online se tranzicioni i FSK-së ka plan më gjithëpërfshirës. Shala përmend edhe kostot buxhetore si një pengesë reale.
    “Mendoj që jemi në fazën transicionit dhjetëvjeçar të planit gjithëpërfshirës të Forcës së Sigurisë së Kosovës po të qëndrojnë forcat e armatosura të Kosovës dhe sipas projeksioneve ne nuk e kemi obligative shërbimin e detyruar ushtarak dhe nuk mendoj që është nën harmonizimin e orientimit strategjik të projeksionit ku dëshirojmë ta kemi forcën e sigurisë së Kosovës respektivisht FAK-un. Pra unë nuk mendoj që kjo në afatmesëm apo afatgjatë do të na kontribuonte që të kemi një shërbim të detyrueshëm ushtarak sepse është edhe një kosto buxhetore e cila është edhe e papërballueshme për sistemin financiar të Republikës së Kosovës”, u shpreh Shala.

    Shala e sheh të rrugës bashkërendimin me nivelin politik ndërkombëtar dhe të arrihet marrëveshje me shtetet mike në rast të ndonjë sulmi.

    “Unë mendoj që Kosova dhe institucionet e saj kanë ndërmarrë veprime të tyre preventive. Ne do të duhej avancim edhe më tutje në bashkëpunim dhe bashkërendim me nivelin politik ndërkombëtar dhe të arrijmë marrëveshje eventuale me partnerët mike të Kosovës në raste se do të cenohet integriteti territorial i Republikës së Kosovës”, u shpreh Shala, teksa përmend edhe shtetet që Kosova duhet t’i ketë afër.

    “Në nivelin taktik me bashkërendua veprimet me Shqipërinë, në nivelin operacional me ushtrinë turke dhe në nivelin strategjik me ushtrinë e Kroacisë”, theksoi Shala.

  • Analistët për Asociacionin: Kurti do të tentojë ta shtyjë deri pas zgjedhjeve, të pranohet vetëm si shmangie e luftës

    Analistët për Asociacionin: Kurti do të tentojë ta shtyjë deri pas zgjedhjeve, të pranohet vetëm si shmangie e luftës

    Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe sulmet e mundshme nga Serbia, janë disa nga veprimet që po e dëmtojnë Republikën e Kosovës. Për këtë të fundit, analistët kërkojnë që të pranohet vetëm nëse vërtetohet si shmangie e luftës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve politike.

    Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, do të jetë sërish kryefjala e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për këtë temë, analistët kanë mendime të ndryshme. Disa thonë se ajo duhet të pranohet vetëm si shmangie e luftës, ndërsa shohin mundësinë që kjo të shtyhet deri pas zgjedhjeve të reja në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Ndërsa retorika e krerëve të shtetit mbi sulmet e mundshme të Serbisë, po shihet si e pakuptimtë, ndonëse rrezikun e vërejnë.

    Ndonëse e pranon se ekziston mundësia e ripërsëritjes së rastit të Banjskës, Mehmetajt i duket e pakuptimtë të përmendet termi luftë. Thotë se nuk ekziston asnjë benefit të përmendet ky term.

    Mehmetaj ka kërkuar që Asociacioni të pranohet si kusht për t’u shmangur një luftë e re ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Është e vërtetë që Kosova ndryshe nga shtetet e tjera të cilat rrethojnë me Serbinë është në një farë gjendje të ndryshme në një farë raporti të ndryshëm. Gjithashtu është vërtetu edhe kohëve të fundit që potencialiteti për krijimin e grupeve të caktuara të cilat u qëndron mbrapa Serbia mund të ndërhyjnë vazhdimisht në Kosovë, por cili është benefiti i deklarimeve të njëpasnjëshme të vazhdueshme të krerëve të shtetit se mund të jem në prag të një lufte ky është e pakuptueshme”, thotë Mehmetaj.

    Duke folur për zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë dhe pikën më të nxehtë siç është Asociacioni i komunave me shumicë serbe, Mehmetaj ka një vlerësim. Thotë se kjo duhet të bëhet për të shmangur luftën. Në të kundërtën, është kompromis i pafalshëm për kryeministrin Kurti.

    “E kemi thënë edhe në të kaluarën që një nga mënyrat që s’do të mund ta paraqes marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe pranimi i Asociacionit komunave me shumicë serbe, Qeveria është krijimi i kësaj paralele pra e këtij dualiteti ‘luftë’ apo Asociacion i komunave me shumicë serbe. Nëse në një gjendje cilësie paqeje në një gjendje të raporteve të mira me Serbinë, Kosova e pranon Asociacionin e komunave me shumicë serbe do të ishte një kompromis i madh i pafalshëm për Kurtin, mirëpo nëse Asociacioni pranohet si shmangie e luftës, atëherë kjo do të ishte një gjetje inteligjente e politikës në Kosovë prandaj bëhen edhe këto deklarime të vazhdueshme për luftë”, thotë tutje Mehmetaj.

    Ndërsa analisti i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, sheh tendencë të kryeministrin Kurti që ta shtyjë themelimin e Asociacionit të komunave e shumicë serbe. Pas zgjedhjeve, Sadiku pret që Kurti t’i pranojë të gjitha marrëveshjet që i ka në tavolinë.

    “Krijimi i Asociacionit ka qenë një prej temave më të nxehta në Republikën e Kosovës dhe natyrisht që Republika Kosovës nuk është që ka interes këtë rast ta krijoj këtë asociacion për faktin që sigurisht ky vit do të jetë një vit zgjedhor dhe natyrisht partia që është në pushtet LVV synon që përmes krijimit të zgjedhjeve ta shtyjë krijimin faktik të Asociacionit në kuptimin e asaj që të fitoj zgjidhjet edhe njëherë edhe pasi që ta krijoj qeverinë, atëherë synon që të bëjë kompromiset dhe gjitha marrëveshjet që i ka në tavolinën e bisedimeve me Serbinë”, u shpreh Sadiku për EO.

  • E rëndë: 13 të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq të Mitrovicës

    E rëndë: 13 të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq të Mitrovicës

    13 persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi sot në Kçiq të Mitrovicës.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, tha se rasti ka ndodhur rreth orës 16:30 dhe se personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor.

    “Si pasojë e një shpërthimi në një shtëpi në fshatin Kçiq të Mitrovicës, 13 persona kanë pësuar lëndime. Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Bazuar në informatat e para dyshohet se shpërthimi ka ndodhur nga një bombolë gazi”, tha Zahiti.

  • William Walker shpallet “Qytetar Nderi” i Vitisë

    William Walker shpallet “Qytetar Nderi” i Vitisë

    Kuvendi Komunal i Vitisë në një seancë të jashtëzakonshme sot, ka shpallur “Qytetar Nderi” ish-ambasadorin e OSBE-së dhe diplomatin amerikan, William Walker. Me këtë rast është zbuluar busti i Walker, si dhe atij i është dhënë Çelësi i qytetit.

    Kryetari i Vitisë Sokol Haliti duke folur mbi kontributin e Walker, tha se diplomati amerikan ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimet dhe transformimet në Kosovë gjatë periudhës së tij të shërbimit.

    Ai tha se një nga kontributet më të rëndësishme ishte monitorimi i situatës në terren dhe raportimi mbi masakrën e 15 janarit 1999 në Reçak.

    Ndërsa, ambasadori Walker tha se ndihet i nderuar për respektin që po i bëhet në Kosovë. Ai shtoi se e viziton Kosovën çdo vit, në veçanti Reçakun dhe kompleksin e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari. Walker tha se Kosova ka arritur progres të madh të zhvillimit brenda një kohe të shkurtër.

    Në ceremoninë e shpalljes “Qytetar nderi” të William Walker, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

    Ndryshe, më 15 janar 1999, 42 civilë të pafajshëm e të paarmatosur shqiptarë vriten e masakrohen barbarisht nga ushtria serbe në Reçak.

    Ish-shefi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.

    Tmerret në Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën dhe shpalosën të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit serb Sllobodan Millosheviq, që nxiti ndërhyrjen ajrore të NATO-s ndaj forcave ushtarake e policore serbe.

  • Vuçiq: Serbia do t’i shpenzojë 740 milionë euro për pajisje ushtarake këtë vit

    Vuçiq: Serbia do t’i shpenzojë 740 milionë euro për pajisje ushtarake këtë vit

    Serbia do t’i shpenzojë rreth 740 milionë euro vetëm këtë vit për blerjen e pajisjeve ushtarake dhe armatim, tha të shtunën presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për shtyp në Agjencinë për Siguri Ushtarake.

    Lideri serb i bëri këto komente vetëm dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara e pranuan një kërkesë nga Kosova për blerjen e raketave antitanke Javelin, e cila do të shqyrtohet nga Kongresi amerikan.

    “Serbia aktualisht ka 186 milionë euro në dispozicion, të cilat do t’i shpenzojmë menjëherë për blerjen e mjeteve dhe armëve nga fabrikat vendase të industrisë së dedikuar”, tha Vuçiq.

    Ai njoftoi se gjatë këtij viti do të jenë gati edhe dy pako me nga 150 dhe 400 milionë euro për pajisje shtesë dhe armatim të Forcave të Armatosura të Serbisë. Ato para janë ndarë përveç 360 milionë eurove të ndara në buxhetin e Serbisë për armatim shtesë, tha Vuçiq.

    “Kur t’i bashkoni të gjitha këto, do të shihni se ky do të jetë viti në të cilin ne do të pajisemi më së miri, më shpejt dhe më fuqishëm”, tha Vuçiq.

    Duke folur për vendimin e SHBA-së për t’i shitur Kosovës 246 raketa antitank të prodhimit amerikan, si dhe pajisje përcjellëse, Vuçiq tha se kjo lëvizje është në kundërshtim me Rezolutën 1244, e cila, shtoi ai, nuk parasheh që Kosova të ketë ushtri.

    “Sipas Rezolutës 1244, nuk guxon të ketë asnjë grup të shqiptarëve të armatosur të Kosovës dhe ata krijuan një ushtri për ta dhe vazhdojnë ta krijojnë atë. A jemi ne të fortë si Amerika, Anglia, Gjermania, Turqia – nuk jemi. Por, mund t’i tregojmë gjithë botës se kjo në mënyrë brutale shkel normat juridike ndërkombëtare”, tha Vuçiq.

    Më herët, më 11 janar, presidenti i Serbisë e ka cilësuar si “zhgënjim të madh” njoftimin e SHBA-së se miratoi Prishtinën për blerjen e sistemit amerikan Javelin, pasi vendimi iu dorëzua nga ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

    Kosova edhe në të kaluarën ka blerë ose ka pranuar në formë donacioni armë nga Shtetet e Bashkuara.

    Pasi u miratuan ndryshimet në Kuvendin e Kosovës më 2018, Qeveria e atëhershme nënshkroi një kontratë me kompaninë amerikane, AM General për pajisjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) me 51 automjete të tipit Humvee.

    Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikan i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).

    Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe një vendim për blerjen e dronëve amerikanë, ndërkaq autoritetet kosovare kanë paralajmëruar se ushtria e ardhshme do të pajisjet edhe me helikopterë.

    Më 2028, kur pritet që FSK-ja të shndërrohet ushtri, ajo parashihet t’i arrijë të gjitha kapacitetet operacionale për, siç është thënë, “ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit”.

    FSK-ja, aktualisht, ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarë aktivë dhe rezervistë.

    Buxheti për këtë vit i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës është në vlerë prej 153.049.911 eurosh./REL/

  • Onkologjia në renovim, nga e hëna kimioterapia jepet në Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive

    Onkologjia në renovim, nga e hëna kimioterapia jepet në Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive

    Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar të premten se për shkak të renovimit të katit përdhes të Klinikës së Onkologjisë, do të ketë disa ndryshime në ofrimin e shërbimeve.

    Sipas njoftimit, aty ku jepen shërbimet ambulantore të klinikës, pra hapësirat ku jepet kimioterapia, nga dita e hënë, 15 janar 2024, do të zhvendosen përkohësisht në objektin e Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive, e cila ndodhet në hapësirat e QKUK, hyrja nga lagja e Veternikut.

    Shërbimi i Radioterapisë do të funksionojë normalisht në hapësirat e ekzistuese, kurse shërbimi 24-orësh, për të hospitalizuarit do të vazhdojë akoma në katin përdhes të Ortopedisë së vjetër, aty ku ishte zhvendosur rreth 3 muaj më parë.

    “Me renovim të tërësishëm të Klinikës së Onkologjisë, investim nga Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK, do të krijohen kushte moderne për trajtim të pacientëve dhe për stafin që i ofron këto shërbime”, thuhet në njoftimin për media.

  • Policia jep detaje për shkëmbimin me armë zjarri mes Policisë dhe një personi në veri

    Policia jep detaje për shkëmbimin me armë zjarri mes Policisë dhe një personi në veri

    Zyrtarët policorë gjatë realizimit të detyrave të tyre, sot rreth orës 12:40 në fshatin Suhodoll- Mitrovicë Veri, gjatë tentimit për të ndaluar për kontroll një veturë të dyshuar, drejtuesi i veturës nuk ka ndaluar dhe me veturë ka sulmuar-goditur një zyrtar policor dhe po ashtu një veturë të policisë.

    Të ndodhur në këtë situatë kur seriozisht ishte e rrezikuar jeta e zyrtarëve policorë, zyrtarët për të mbrojtur jetën dhe vënë situatën nën kontroll, janë detyruar të përdorin armët e zjarrit.

    Gjatë zhvillimeve në këtë situatë një polic është lënduar (goditur nga vetura), kurse gjatë përdorimit të armëve nuk ka të dhëna për persona të lënduar.

    Drejtuesi i automjetit (i dyshuari), ka arritur që të dalë nga vetura dhe të ikë në drejtim të panjohur.

    Në veturë është gjetur lëndë narkotike, dyshohet të jetë marihuanë (1,5 deri në 2 kg). Njësitet policore, përfshirë zyrtarë nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik kane dalë në vendin e ngjarjes.

    Policia janë duke e trajtuar rastin dhe në koordinim me organet e drejtësisë do të ndermirën veprimet për të zbardhur këtë rast dhe arrestuar personin e dyshuar.

  • ​Një 14-vjeçar rumun vritet në periferi të Romës

    ​Një 14-vjeçar rumun vritet në periferi të Romës

    Një 14-vjeçar rumun u qëllua me armë zjarri në parkun e makinave të metrosë Pantano, në Monte Compatri, në periferi të Romës, njoftoi sot policia italiane.

    Alarmi i policisë është shkaktuar nga telefonuesit rreth orës 03:00. Ndihma ishte e kotë për djalin rumun. Ngjarja po hetohet.

    Nga një rindërtim fillestar, do të dukej se dy grupe i adoleshentëve rumunë u takuan për herë të parë në një lokal në zonën Borghesiana, në periferi të Romës, dhe më pas u takuan përsëri në shesh të stacionit të metrosë Pantano, në periferi të Montecompatri.

    Regjistrimet e mundshme të kamerave të vëzhgimit me video janë nën hetim.

    Viktima quhej Ivan Alexandru. Policia tha se grupi prej 5-6 të rinjsh rumunë pati një debat jashtë një lokali me një grup tjetër bashkatdhetarësh, ku pati përplasje fizike. Më pas ata u zhvendosën në stacionin e metrosë Pantano ku mbërriti një makinë nga të cilat janë qëlluar të shtëna, tha policia.

    Më pas makina është larguar. Nuk është përjashtuar që të shtënat të kenë pasur si qëllim paralajmërimin, tha policia.

    Ata thanë se të shtënat ndoshta nuk kishin për qëllim të vrisnin djalin, sipas raporteve fillestare.

    Francesco Ferri, kryebashkiaku i Monte Compatri, tha për ANSA se janë të tronditur dhe bëri thirrje për reflektim. /ANSA

  • Përfitimet që merr organizmi nga antioksidantët, burimet natyrore

    Përfitimet që merr organizmi nga antioksidantët, burimet natyrore

    Antioksidantët janë përbërës të prodhuar në trupin tuaj dhe gjenden në ushqime.

    Antioksidantët ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave tuaja nga dëmtimet e shkaktuara nga molekulat potencialisht të dëmshme të njohura si radikalë të lirë.

    Kur radikalet e lira grumbullohen, ato mund të shkaktojnë një gjendje të njohur si stres oksidues. Kjo mund të dëmtojë ADN-në tuaj dhe strukturat e tjera të rëndësishme në qelizat tuaja. Stresi kronik oksidues mund të rrisë rrezikun tuaj nga sëmundje kronike siç janë sëmundjet e zemrës, diabeti tip 2 dhe kanceri.

    Çka janë antioksidantët?

    Një antioksidant është një klasë e molekulave që pengojnë oksidimin e molekulave të tjera. Toksinat mjedisore si shteri i makinës ose tymi i cigares përmbajnë radikale të lira, të cilat dëmtojnë qelizat në trupin tuaj përmes oksidimit. Antioksidantët bllokojnë këtë dëmtim duke neutralizuar radikalen e lirë. Vitaminat C dhe E, beta-karoteni, likopeni, leteina, zeaxanthin, seleni, acidi alfa-lipoik, kuercetina, acidi elagjik dhe hesperidina janë të gjitha shembuj nga kjo kategori e gjerë e ushqyesve.

    Burimet natyrore

    Antioksidantët gjenden brenda frutave dhe perimeve, veçanërisht ato që janë të pasura me ngjyra. Për shembull, boronica, domatja, spinaqi, karrota, portokalli, shegët, kivi, grejpfrut rozë dhe çaji jeshil janë burime të fuqishme, siç janë kafeja dhe vera e kuqe. Ekstrakti i lëvores së pishës dhe ekstrakti i farës së rrushit gjithashtu përmbajnë antioksidantë, kështu që bën edhe erëza me shafran i Indisë.

    Antioksidantët janë veti kimike, jo një substancë aktuale dhe veprojnë ndryshe në varësi të llojit antioksidant, shkruan natural solutions mag. Secili ka përbërjen e vet kimike dhe biologjike prandaj është më mirë të hani një larmi frutash dhe perimesh pasi secili antioksidant ka një rol të ndryshëm në riparimin e dëmtimit të qelizave.

    Antioksidantët gjenden në vitamina, prandaj një përzierje e vitaminave themelore antioksiduese dhe mineraleve si C, E, seleni dhe beta-karoteni janë një vend i mirë për të filluar.Koenzima Q10 (CoQ10) mund të gjendet në formën shtesë. N-acetil cisteina është në dispozicion vetëm në formë shtesë, por funksionon si një antioksidant dhe një agjent detoksifikues.

    Përfitimet

    Dëmtimet e qelizave ndodhin çdo ditë dhe lidhen me sëmundje dhe simptoma të identifikuara me plakjen. Antioksidantët parandalojnë dhe ngadalësojnë zhvillimin e sëmundjeve dhe sëmundjeve të tilla si kanceri, sëmundjet e mushkërive dhe zemrës, degjenerimi makular, kolesterol i lartë, formimi i mpiksjes së njollave dhe kataraktet.

  • Ramadani thirrje KQZ-së: Mos e financoni Listën Serbe, shpalleni jo-Kushtetuese

    Ramadani thirrje KQZ-së: Mos e financoni Listën Serbe, shpalleni jo-Kushtetuese

    Ish-inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, ka kundërshtuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që mjetet e ndara për partitë parlamentare të përjashtohet Lista Serbe, raporton Ekonomia Online.

    Përmes një postimi në Facebook, Ramadani ka kërkuar që kjo parti të shpallet jo-Kushtetuese, e cila ka përfituar nga KQZ-ja hiç më pak se 360 mijë euro.

    “Mos e financoni Listën Serbe, shpalleni Jo-Kushtetuese. A thua vendimi i djeshëm i KQZ-së për ta financuar Listën Serbe me 360 mijë euro ka mbetur pa u vërejtur? Ndaleni more këtë skandal. Mos financoni me para të popullit këta që duhet të shpallen Jo-Kushtetues”, ka shkruar Ramadani.