ATV

Category: Lajme

  • ‘Paqja e vërtetë është prania e drejtësisë’ – Hovenier: Të frymëzohemi nga vizioni i Martin Luther King

    ‘Paqja e vërtetë është prania e drejtësisë’ – Hovenier: Të frymëzohemi nga vizioni i Martin Luther King

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka shpërndarë një thënie të aktivistit më të njohur ndonjëherë të të drejtave të njeriut, Martin Luther King Jr.

    Vizioni i MLK, Hovenier shkroi se duhet t’i frymëzojë të gjithë.

    “”Paqja e vërtetë nuk është thjesht mungesa e tensionit; është prania e drejtësisë.” — Martin Luther King Jr., Stride Toward Freedom, 1958. Le të frymëzohemi të gjithë nga vizioni i Dr. King për përfshirjen, jodhunën dhe respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të çdo qenieje njerëzore. #MLKDay”, shkroi Hovenier.

    Martin Luther King Jr. ishte udhëheqësi më i dukshëm në lëvizjen për të drejtat civile nga viti 1955 deri në vrasjen e tij më 1968.

  • NATO flet për çështjen e blerjes së “Javelin”

    NATO flet për çështjen e blerjes së “Javelin”

    Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ditë më parë ka konfirmuar se ka aprovuar një kërkesë të Kosovës për blerje të një sistemi raketor anti-tank të quajtur “Javelin”. Kjo kërkesë e Kosovës për armatosje që për herë të parë u bë publike nga presidenti serb Vuçiq pas takimit me Christopher Hill, duhet që ta marrë edhe dritën jeshile të Kongresit Amerikan.

    Vetë DASH aprovimin e kërkesës së Kosovës e ka konsideruar si një lëvizje që mbështet synimet e politikës së jashtme amerikane dhe sigurisë kombëtare të SHBA, meqë rritë sigurinë e një partneri në Evropë që ka rëndësi për vetë stabilitetin e kontinentit.

    Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, ka thënë se beson shumë që Kongresi amerikan do ta aprovojë një shtije të tillë të armatimit për Kosovën, si shteti më pro-amerikan në botë.

    Por cili është qëndrimi i NATO-s, Aleancës Veri-Atlantike e cila nga viti 1999 ka në Kosovë forcën e saj të emëruar si KFOR e që kujdeset për sigurinë në vend dhe për ruajtjen e kufijve të Kosovës. Të pyetur rreth kësaj kërkese të Kosovës për blerje armatimi, nëse e përkrahin, nëse është në përputhje me politikat e NATO-s dhe nëse acarimi i situatës së sigurisë e bën të pashmangshme një lëvizje të tillë të Kosovës për forcim kapacitetesh ushtarake, një Zyrtar i NATO-së në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se misioni i KFOR është plotësisht i përkushtuar për implementimin e mandatit bazuar në Rezolutën 1244.

    Gjithashtu ka theksuar se KFOR-i në terren ka një strukturë fleksibile që modifikohet në vazhdimësi në bazë të vlerësimeve të sigurisë dhe se kjo ua bën të mundur përballimin me çfarëdo sfide që mund të shfaqet dhe që të veprohet në mënyrë efektive në përputhje me mandatin e OKB-së.

    Ndërsa për çështjen specifike të kërkesës për armatim ky zyrtar i NATO-së ka thënë se duhet folur me autoritet e Kosovës dhe ato amerikane.

    “Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO është plotësisht i fokusuar në zbatimin e mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht; në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i ka një qëndrim fleksibël në terren, i cili rregullohet rregullisht, bazuar në vlerësimin tonë të situatës së sigurisë. Kjo na lejon të përballemi me çdo sfidë që mund të shfaqet dhe të vazhdojmë të veprojmë në mënyrë efektive, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së, duke kontribuar kështu në sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe në stabilitetin rajonal. Sa i përket çështjes specifike që keni ngritur, do t’ju referoj tek autoritetet kosovare dhe ato amerikane”, ka thënë ai

  • “Lufta është krim kundër njerëzimit”, mesazhi i Papa Françeskut: Njerëzit kanë nevojë për paqe

    “Lufta është krim kundër njerëzimit”, mesazhi i Papa Françeskut: Njerëzit kanë nevojë për paqe

    Papa Françesku deklaroi këtë diel se të gjitha luftërat janë një krim kundër njerëzimit ndërsa ai përsëriti një thirrje për paqe në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë. “Sot lufta është në vetvete një krim kundër njerëzimit”, deklaroi kreu i Vatikanit në meshën e të djelës. Në lutje, ai u bëri thirrje njerëzve që të mos harrojnë ata që vuajnë për shkak të “mizorisë së luftës” në disa pjesë të botës.

    “Në fillim të vitit shkëmbyem urimet për paqe, por armët vazhduan të vrisnin dhe shkatërronin. Le të lutemi që ata që kanë pushtet mbi këto konflikte të reflektojnë në faktin se lufta nuk është mënyra për t’i zgjidhur ato, pasi ajo mbjell vdekje mes civilëve dhe shkatërron qytetet dhe infrastrukturën. Me fjalë të tjera, sot, vetë lufta është një krim kundër njerëzimit; le të mos e harrojmë këtë. Njerëzit kanë nevojë për paqe, bota ka nevojë për paqe” deklaroi Papa Francesku.

    Kreu i Vatikanit ka bërë thirrje vazhdimisht për paqe në Ukrainë dhe në luftën në Gaza ndërsa kjo e djelë shënoi 100 ditë që kur persona të armatosur të Hamasit hynë në Izrael për të nisur sulmin më vdekjeprurës në historinë e Izraelit.

  • “BE drejt kushtëzimit të anëtarësimit të Serbisë”

    “BE drejt kushtëzimit të anëtarësimit të Serbisë”

    BE-ja po punon për ta kushtëzuar anëtarësimin e Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën.

    BE-ja po punon për ta kushtëzuar anëtarësimin e Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën. Kushtëzimi i anëtarësimit ka për të pasur efekt në kalkulimet politike të presidentit Vuçiq, sipas analistëve politikë, shkruan DW.

    Në mesin e kushteve detyruese për Serbinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian pritet të përfshihet edhe zbatimi i marrëveshjeve që Serbia i ka arritur deri tani me Kosovën në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Për këtë është duke punuar Komisioni Evropian, dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së (EEAS) për ta ndryshuar kornizën e bisedimeve në kapitullin e 35 me Serbinë për anëtarësim.

    “Puna në këtë drejtim po vazhdon në përputhje me kërkesën e vendeve anëtare”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Kërkesa për ndryshim të kushteve në kapitullin 35 u bë nga shtetet anëtare të BE-së, pasi Serbia zyrtarisht përmes kryeministres së saj, Ana Brnabiq, tha se “vendi i saj nuk do t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet, për të cilat u pajtua me Kosovën”.

    Kurti: Serbia nuk respekton marrëveshjen për normalizimin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas një mbledhje të qeverisë e akuzoi Serbinë se nuk po e respekton Marrëveshjen për normalizim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. “Neni një i marrëveshjes thotë që palët, pra Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore me njëra-tjetrën, bazuar në të drejtat e barabarta. Serbia megjithatë, zgjedh gjithçka mbi zhvillimin e marrëdhënieve të mira me neve, ajo në të vërtetë zgjedh ta sulmojë Kosovën, siç bëri më 24 shtator 2023 në Banjskë, dhe pastaj t’i mbrojë kryerësit e kësaj vepre në krye me Millan Radoiçiqin”, tha Kurti.

    Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e mori përgjegjësinë për kryerjen e sulmit ndaj Policisë së Kosovës më 4 shtator të vitit të shkuar nga një grup serbësh të armatosur. Kosova dhe Serbia vitin e shkuar arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj e njohur si marrëveshja e Ohrit. Këtë BE-ja po do që ta bëjë “ligjërisht të detyrueshme”, ndonëse palët u pajtuan me marrëveshjen, por nuk vendosën firmat.

    Në tetor të vitit të shkuar, udhëheqësit e Gjermanisë, Kancelari Scholz, Presidenti i Francës Macron, kryeministrja e Italisë Meloni dhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, i kërkuan kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërsa, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ta njohë de facto Kosovën.

    Vuçiq: Na kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës

    Ditë më parë, këtë e rikujtoi vet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se “Evropa po i kërkon Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës”. “De facto ose de jure, kjo po kërkohet. Le të mos gënjejmë për këtë gjë. Fuqia më e madhe, Bashkimi Evropian po e kërkon këtë”, tha Vuçiq për mediet në Serbi.

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nga ana e tij, tha se “Asociacioni nuk është top prioriteti i normalizimit, është marrëveshja bazike, andaj të gjithë kolegët e mi, jo vetëm në Kosovë, unë i lus që të mos e nxjerrin nga paketa draft-statutin ose Asociacionin si një çështje”, tha Kurti, duke shtuar se “nga 11 nenet e Marrëveshjes bazike, së paku tetë janë shkelur nga Serbia”, prandaj ai kërkoi reagim nga Bashkimi Evropian. “Ne kërkojmë siguri ligjore, jo vetëm për zbatim të marrëveshjes por edhe për respektim dhe mos-shkelje të saj. Kjo është arsyeja kryesore pse kemi kërkuar të ketë nënshkrim të marrëveshjes”, tha Kurti.

    Pas kësaj deklarate të Kurtit, i menjëhershëm ishte reagimi i Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i cili e akuzoi kryeministrin e Kosovës, për siç tha, “shkelje të marrëveshjeve në Bruksel”, veçmas atë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. “Kurti as nuk mund të rishkruajë marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel 11 vjet më parë, zbatimi i së cilës garantohet nga Bashkimi Evropian, as nuk mund të shkruajë apo të flasë asnjë fjalë pa sulmuar Beogradin dhe serbët në Kosovë, sepse, kjo është e vetmja gjë që ai di të bëjë”, tha Petkoviq.

    Sipas tij, Albin Kurti është “burimi kryesor” i jostabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

    Ndryshim të qasjes perëndimore ndaj Serbisë, kërkoi edhe ministri i Jashtëm britanik, David Cameron, menjëherë sapo u kthye nga një vizitë që zhvilloi me (04.01) në Kosovë. Cameron tha se “duhet të shprehet zhgënjim me sjelljen e Qeverisë së Serbisë, pas ngjarjeve të shtatorit në Banjskë të Zveçanit”, ku një grup serbësh të armatosur vranë një polic të Kosovës. Autoritetet kosovare fajësuan Serbinë për përfshirje në sulm, por Beogradi e mohoi këtë. “Jam i vetëdijshëm se sa e rrezikshme ishte, prandaj ishte një prej arsyeve që shkova në Kosovë”, tha Cameron. Ai tha se “është koha që të ndryshohet qëndrimi i Perëndimit ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, duke paralajmëruar se Rusia po synon që ta destabilizojë këtë rajon”.

    Por si e shohin analistët politik nismën e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, i cili ka kërkuar që marrëveshja e Ohrit për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të bëhet pjesë përbërëse e kapitullit 35 për Serbinë në negocitat për anëtaresim në BE. Demush Shasha, nga Instituti Epik, i tha DË-së se “patjetër se ky kushtëzim ndikon në kalkulimin politik të Presidentit Vuçiq, pasi si në kuptimin politik, por edhe në kuptimin ekonomik, është tejet e rëndësishme që Serbia të perceptohet si një vend, i cili ngelet në kursin e saj drejt anëtarësimit në BE”.

    “Ky kushtëzim do varet edhe nga perceptimi i Vuçiqit për vullnetin e BE-së për pranimin e Serbisë në BE. Nëse ai vëren se BE-ja pa marr parasysh çfarë bën Serbia, nuk do hap dyert në një afat të shkurtër për anëtarësimin e Serbisë, atëherë, iniciativa e Vuçiqit për të bërë kompromise karshi dialogut do zbehet”, tha Shasha.

    Kursi i Serbisë, zgjedhjet në SHBA e lufta në Ukrainë

    Kursin e politikës së Vuçiqit, Shasha e ndërlidh edhe me vitin zgjedhor në SHBA, dhe dinamikën e luftës në Ukrainë. Sipas tij, “pasojat e këtyre dy zhvillimeve do të ndjehen edhe në rajonin e Ballkanit”. Në një skenar ku Presidenti i ardhshëm i SHBA-ve mund të zgjidhet Donald Trump dhe rrjedhimisht një skenar ku pozita e Rusisë forcohet në Ukrainë, atëherë, Vuçiqi patjetër se do të jetë në një pozitë shumë më të konsoliduar për të ri-negociuar pozitën e Serbisë dhe kushtëzimet respektive në kuadër të dialogut”.

    Drejtori i Institutit Epik, Demush Shasha, thotë se “kjo është edhe arsyeja përse Vuçiqi është duke bërë çdo gjë për të ruajtur status-quonë në kuadër të dialogut përmes episodeve si ‘më dhemb dora e djathtë’ për të nënshkruar marrëveshjet e dialogut, apo episodi i Banjskës. Të dy këto episode kanë qenë pjesë e së njëjtës strategji dhe të njëjtit qëllim: ngadalësimin e dialogut dhe blerjen e kohës duke ruajtur status-quonë me shpresën e ardhjes së rrethanave më të favorshme gjeopolitike për Serbinë”.

    Prandaj sipas tij, kushtëzimi i Serbisë në kuadër kapitullit 35 do të ankoroj obligimet e dialogut për njohjen e elementeve të shtetësisë së Kosovës, ashtu siç tashmë kanë kërkuar edhe liderët më të fuqishëm evropian. “Në kuadër të procesit formal të anëtarësimit të Serbisë në BE, shumë do të varet edhe nga vendosmëria e BE-së për të anëtarësuar vendet e rajonit në BE në një afat të parashikueshëm kohor”, shprehet Demush Shasha.

  • Daçiq: Heqja dorë nga Kosova s’mund të jetë çmimi i anëtarësimit të Serbisë në BE

    Daçiq: Heqja dorë nga Kosova s’mund të jetë çmimi i anëtarësimit të Serbisë në BE

    Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka thënë se heqja dorë nga Kosova, nuk mund të jetë çmimi për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

    “Si mundet BE-ja apo dikush nga Serbia të kërkojë njohjen e Kosovës, kur dihet që pesë anëtarë të BE-së nuk e njohin Kosovën, kur dikush thotë se BE-ja kërkon të njohim Kosovën, ne duhet ta pyesim atë në emër të kujt flet. Interesi ynë strategjik është të hyjmë në BE dhe ky është një tjetër prioritet i politikës sonë,”, tha Daçiq.

    Ai në një intervistë për “Novosti” ka shtuar se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, përcjell Kosovo Online.

    Sipas Daçiqit, Serbia do të vazhdojë të jetë pengesë për çdo njohje ndërkombëtare të Kosovës.

  • Parashikimi i motit për javën e ardhshme, këto ditë pritet të bie borë

    Parashikimi i motit për javën e ardhshme, këto ditë pritet të bie borë

    Mot jostabil po parashihet për javën e tretë të janarit.

    Shtrirjet e masave të ngrohta ajrore do të sjellin kushte edhe për rritje të temperaturave, deri në 11C e 12C ditën e enjtë, ndërkohë që të martën dhe në fundjavë depërtimet e fronteve të ftohta sjellin kushte edhe për të reshura bore, me rënie të temperaturave maksimale edhe pranë 0C. Minimalet zbresin deri në -5C e -7C mëngjesin e së mërkurës, derisa të enjten e të premten shënojnë rritje deri në 2C e 4C.

    Moti i paqëndrueshëm sjell kushte edhe për qarkullim më të mirë ajror, që edhe pritet të mbajë ndotësit ajror më të shpërndarë. Gjatë ditës indeksi i cilësisë së ajrit do të jetë në vlera të pranueshme dhe të mira, e vetëm orëve të mbrëmjes, në kushte qetësie, nivelet e ndotjes kalojnë në vlera të dobëta dhe shumë të dobëta.

    15.01 – Kryesisht me vransira. Pasdite më vonë dhe në mbrëmje vende-vende priten edhe reshje shiu, ndërsa në vise malore reshje dëbore.

    16.01 – Orëve të hershme të mëngjesit reshjet e dëborës shtrihen edhe përgjatë ultësirave. Deri në mesditë reshjet pushojnë, e pasdite nuk mungojnë edhe intervale me diell.

    17.01 – Kryesisht me vransira. Intervale të shkurta me diell pasdite.

    18.01 – Më butë, me vransira të ndryshueshme dhe intervale me diell. Në perëndim të vendit priten edhe reshje lokale shiu.

    19.01 – Fillimisht mot i butë. Me shtrirjen e një fronti të ftohtë deri në mbrëmje priten edhe të reshura bore dhe rënie e temperaturave. Pritet të frynë erëra më më të fuqishme, si nga jugu por edhe verilindja me hove edhe mbi 15m/s, ditën e martë.

    Shtypja atmosferike fillimisht zbret thellë nën vlera normale, e më pas shënon rritje deri nga mesi i javës, kur pëson rënie sërish ditën e enjte.

  • Helikopterët e parë ushtarakë Black Hawk mbërrijnë në Shqipëri

    Helikopterët e parë ushtarakë Black Hawk mbërrijnë në Shqipëri

    Shtetet e Bashkuara ia kanë dorëzuar të shtunën vonë Shqipërisë porosinë e parë prej dy helikopterëve UH-60 Black Hawk, duke e cilësuar mbërritjen e helikopterëve ushtarakë amerikanë në Tiranë si historike.

    Këta janë helikopterët e parë të këtij lloji të blerë nga Shqipëria në SHBA falë ndihmës së kësaj të fundit prej 50 milionë dollarëve.

    Në një njoftim në Facebook, Ambasada amerikane në Tiranë tha se helikopterët e rinj do të ndihmojnë në forcimin e aftësive të Forcave Ajrore të Shqipërisë dhe aftësinë për të kryer evakuim mjekësor, rikuperim të personelit, misione kërkim-shpëtimi, si dhe mbështetje të lëvizjeve logjistike të NATO-s për operacione dhe stërvitje.

    “Shtetet e Bashkuara janë krenare për partneritetin e fortë me Shqipërinë në fushën e mbrojtjes”, tha Ambasada amerikane.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi mbërritjen e këtyre helikopterëve si një investim “shumë të rëndësishëm për sigurinë e vendit, në bashkëpunim me aleatin strategjik, SHBA”.

    Ai theksoi në rrjetin social Facebook se ky investim ndikon drejtpërdrejt në rritjen dhe modernizimin e Forcave Ajrore të Shqipërisë.

    Edhe ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, e quajti të rëndësishëm për vendin pajisjen me helikopterët dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së.

    Ai shtoi se mbrojtja dhe siguria e vendit mbeten prioritet “absolut”.

  • Bruhi dhe zorra qorre operacionet më të shpeshta tek fëmijët

    Bruhi dhe zorra qorre operacionet më të shpeshta tek fëmijët

    Mbi një mijë pacientë janë operuar në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), deri në nëntor të vitit 2023. Operacionet më të shpeshta në këtë klinikë ishin ato të “bruhit” dhe të “zorrës qorre”. Ndërkaq, në Kirurgjinë e Fëmijëve, brenda javës operohen rreth 50 fëmijë, apo deri në 8 pacientë në baza ditore.

    Në një intervistë për KosovaPress, pediatri në Klinikën e Kirurgjisë ë Fëmijëve, Dëfrim Koçinaj, tha se në njëmbëdhjetë mujorin e vitit 2023, janë kryer 736 operacione të planifikuara dhe 352 të tjera të urgjencës.

    Koçinaj shtoi se kjo klinikë ka shtuar intervenimet në kirurgjinë minimale invazive dhe në endourologji, krahasuar me vitin e kaluar.

    Ndër të tjera, Koçinaj potencoi se janë të rralla rastet kur ndonjë ndërhyrje kirurgjikale nuk kryhet në këtë klinikë dhe nevojitet që fëmija të trajtohet jashtë vendit.

    Kirurgu i fëmijëve, Dëfrim Koçinaj tha se ka mungesë stafi në këtë klinikë, kryesisht të anesteziologëve dhe infermierëve. Ai shtoi se pjesa e shërbimit urgjent 24 orësh, ka nevojë për një projekt të ri.

    Përveç tjerash, Koçinaj potencoi se Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve është në pritje të pajisjes me vertikalen e gastroskopit dhe koloskopit, për ekzaminimin e traktit tretës.

  • Testimi i mësimdhënësve nuk është obligativ, fillon si testim për avancim

    Testimi i mësimdhënësve nuk është obligativ, fillon si testim për avancim

    Testimi i mësimdhënësve në Kosovë këtë vit nuk do të jetë obligativ. Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Në dy fazat e para do të fillohet si një testim për avancim në karrierë për përfitimin e licencës së avancuar, teksa hapi i radhës do të jetë për mësimdhënësit të cilët do të hyjnë në proces dhe pastaj me kohë do të jepen informatat për të gjitha çështjet e tjera.

    Për këtë ide të Nagavcit SBASHK-u thotë se nuk është i informuar, derisa ka mësimdhënës që e vlerësojnë të mirëseardhur procesin, por edhe të atillë që e vlerësojnë të pakuptueshëm.

    Zarife Bajgora Godanci, e cila është mësimdhënëse në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë, e vlerëson të mirëseardhur procesin e vlerësimit të mësimdhënësve.

    Zarife Bajgora Godanci, e cila është mësimdhënëse në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë, e vlerëson të mirëseardhur procesin e vlerësimit të mësimdhënësve.

    “Po, nuk jam kundër. Pse mos me bë këtë testim dhe me pas ngritje në karrierë, ku secila palë e sprovon vehtën dhe arrin atë çfarë dëshiron. Nuk kemi pse me pas frikë prej testimit”, tha për RTK-në, mësimdhënësja Zarife Bagjora Godanci.

    Por kështu nuk mendon edhe kolegia e saj, Lindita Fazliu. Ajo e konsideron të pakuptueshme pse duhet të testohen.

    “Për ngritjen e cilësisë çdo herë shkojmë avancohemi duke kryer trajnime të ndryshme, nuk di dhe nuk e kuptoj pse duhet të jetë një vlerësim tjetër. Ne jemi të kualifikuar për këtë drejtim, për këtë punë që e bëjmë dhe ku qëndron problemi, pasi mua po më duket më shumë si problem e jo si vlerësim”, tha

    Lindita Fazliu, po ashtu mësimdhënëse në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prishtinë.

    Kundërshtim për testim ka edhe nga Sindikata e Arsimit, e cila ka deklaruar se parimisht është kundër testimit me shkrim të njohurive të punëtorëve të arsimit, përderisa janë për vlerësim të punës së mësimdhënësve përmes inspektorëve profesional.

    “Test me shkrim për punëtorët e arsimit për njohurit e tyre, nuk ka pas, nuk ka dhe dhe nuk do të ketë dhe ne do të reagojmë duke respektuar zërin e mësimdhënësve. Mirëpo, së fundmi znj.Nagavci, doli me një ide tjetër për të cilën ne nuk jemi të informuar ngase na mungojnë takimet që nga shtatori e këtej me të. Por, një lloj avancimi, një lloj gradimi duke u thirrur edhe në ligjin e pagave që thotë se do të ketë një ngritje page dhe është menduar për licensën e avancuar dhe licensën e përheshme, karrshi licencës që e kanë të gjithë mësimdhënsit. Por znj.

    Nagavci duhet të jetë korrekte edhe konkrete në deklaratat e saj”, tha Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut.

    E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, bëri të ditur se tashmë është finalizuar legjislatura sekondare, e cila i ka kaluar të gjitha fazat e dëgjimit publik dhe se udhëzimet administrative janë prezantuar në shkolla.

    “Në këtë fazë, në qershor, nuk mund të jetë i obligueshëm sepse ne e kemi parasysh që rezultatet e nxënësve janë shumë komplekse dhe rezulatet përfshijnë një varg faktorësh, përfshirë tekstet mësimore, cilësinë e teksteve me të cilat punojnë fëmijtë tanë, cilësinë e programeve universitare, fakulteteve të edukimit të cilat i përgadisin kuadrot për mësimdhënës, rekrutimit për mësimdhënës e shumë elemente të tjera. Planifikimet janë në dy faza; e para që të filllohet si një testim për avancim në karrierë për përfitimin e licencës së avacuar, hapi i

    radhës do të jetë për mësimdhënësit të cilët do të hyjnë në proces dhe pastaj me kohë do të jepen informatat për të gjitha çështjet tjera”, tha ministrja e Arsimit.

    Sipas Ngavacit, procesi i licencimit, për këtë fazë është paraparë në të gjitha nivelet e mësimdhënësve të arsimit parauniversitar.

  • Bombola e gazit shpërtheu në bodrumin e shtëpisë, detaje të reja për rastin në Kçiq

    Bombola e gazit shpërtheu në bodrumin e shtëpisë, detaje të reja për rastin në Kçiq

    Detaje të reja për shpërthimin e bombolës së gazit brenda një shtëpie në Kçiq të Mitrovicës ka dhënë Policia e Kosovës në raportin ditor, ku për pasojë mbetën të lënduar 14 persona.

    Bëhet e ditur se bombola e gazit ishte në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin anëtarët e një familjeje, përfshirë edhe ata nga diaspora.

    “Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen. Përveç të lënduarve si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale”, thuhet në raport.

    Ndërkohë, në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe zjarrfikësit bashkë me ekspertin e tyre.

    Ndërkaq, ky rast thuhet se është duke u hetuar nga njësitet kompetente.