ATV

Category: Lajme

  • Kurti: Gjysma e këtij viti do të jetë i shënuar me përvjetorë të masakrave të kryera nga Serbia mbi shqiptarët

    Kurti: Gjysma e këtij viti do të jetë i shënuar me përvjetorë të masakrave të kryera nga Serbia mbi shqiptarët

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se 25 vjet më parë, Serbia aktivizoi tërë aparatin e saj shtetëror për ta mjegulluar dhe mohuar masakrën e Reçakut.

    Kurti, duke folur për Aleksandër Vuçiqin, tha se atëherë nga pozita e Ministrit të Informacionit, kurse sot nga ajo e Presidentit të Serbisë, ai e ka mohuar në vazhdimësi këtë krim kundër njerëzimit.

    “Si viti i 25-të i pasluftës, viti 2024, përkatësisht gjysma e parë e këtij viti, do të jetë shënuar me përvjetorë të masakrave të kryera nga Serbia mbi shqiptarët në Kosovë si dhe me përkujtime të dëshmorëve të lirisë dhe betejave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Kurti në akademinë përkujtimore të 25-vjetorit të Masakrës së kësaj ngjarjeje.

    “25 vjet më parë, Serbia aktivizoi tërë aparatin e saj shtetëror, nga ushtria tek mjekësia ligjore dhe nga media tek propaganda shtetërore, për ta mjegulluar dhe mohuar masakrën e Reçakut, për t’a fshehur krimin dhe për t’i mbrojtur kryerësit dhe urdhërdhënësit” dhe dihet se kush ishte atëherë Ministër i Informacionit, në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Atëherë nga pozita e Ministrit të Informacionit, kurse sot nga ajo e Presidentit të Serbisë, ky njeri e ka mohuar në vazhdimësi këtë krim kundër njerëzimit, të kryer nga shteti i Serbisë”, është shprehur Kurti.

  • Osmani në Reçak: Në këtë fshat të vogël me histori të madhe u vranë civilë të pambrojtur, drejtësia i jep kuptim paqes

    Osmani në Reçak: Në këtë fshat të vogël me histori të madhe u vranë civilë të pambrojtur, drejtësia i jep kuptim paqes

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në akademinë përkujtimore në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ka thënë që kërkimi për drejtësi është detyrë e shenjtë që kapërcen etnitë dhe përkatësitë politike, raporton EO.

    Nga aty, e para e shtetit deklaroi që vetëm drejtësia i jep kuptim paqes teksa ritheksoi këtë detyrim e kërkesë të shqiptarëve të Kosovës.

    “Sot kemi nevojë që ta themi vazhdimisht e kudo se në këtë fshat të vogël me histori të madhe u vranë civilë të pambrojtur e të paarmatosur, ndaj thirrja për drejtësi për ta është në funksion të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor të viktimave dhe të familjeve të tyre. Kërkimi i drejtësisë nuk është thjesht një kërkesë, është një detyrë e shenjtë që kapërcen kufijtë, kapërcen etnitë, dhe përkatësisë politike”, ka thënë Osmani.

    “Familjet e të masakruarve të Reçakut të cilët vazhdojnë të mbajnë barrën e humbjes dhe dhimbjes së anëtarëve të tyre meritojnë që autorët e këtij krimi kundër njerëzimit të dalin para drejtësisë”.

    “Ata dhe shteti ynë janë në anën e së vërtetës e kjo e vërtetë është e përmbledhur më së miri në fjalitë e ambasadorit [William] Walker: Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Në Reçak edhe njëherë sikurse edhe në çdo masakër kundër civilëve në vendin tonë është shpërfaqur qëllimi i regjimit të atëhershëm serb për të shfarosur popullin shqiptar në Kosovë”.

    “Thirrja për drejtësi riafirmon besimin tonë për triumfin e së vërtetës ndaj mizorisë, përgjegjësisë kundrejt pandëshkueshmërisë dhe njerëzores kundër urrejtjes”.

  • Szunyog takohet me Cramon, flasin për situatën politike dhe atë të sigurisë në Kosovë

    Szunyog takohet me Cramon, flasin për situatën politike dhe atë të sigurisë në Kosovë

    Tomas Szunyog, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se është takuar me Eurodeputeten dhe njëherësh raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon dhe me shefin e EULEX-it në Kosovë Giovanni Pietro Barbano.

    Përmes një postimi ne platformën “X”, Szunyog ka thënë se në këtë takim ata kanë shkëmbyer mendime për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon.

  • Kurti: Civilët në Reçak u varrosën pas 4 javësh, kjo tregon që Serbia u përpoq ta deformonte të vërtetën

    Kurti: Civilët në Reçak u varrosën pas 4 javësh, kjo tregon që Serbia u përpoq ta deformonte të vërtetën

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se civilët e vrarë në masakrën e Reçakut nuk u varrosën deri pas katër javësh, pasi kishte luftime. Nga aty, Kurti shtoi se ky është tregues që Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë nderimeve që i bëri të hënën në Reçak ka falënderuar ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili i tregoi botës se çfarë kishte ndodhur në këtë vend.

    “Masakra e Reçakut këtu e 25 vjet më parë, ku u vranë 45 civilë shqiptarë e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar, gjithashtu edhe diplomacinë botërore dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë erdhi këtu te fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit. E dimë që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe shovinistëve andaj edhe sot e kësaj dite ambasadori William Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar edhe më i urryer në Serbi, ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar me ç’rast ish-ministri i informatave të asaj kohe sot është president i Serbisë”, ka thënë ai.

    Kurti ka kujtuar edhe 11 ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë rënë në betejë duke mbrojtur trupat e masakruar në këtë fshat.

    “Më 15 janar në një dimër jashtëzakonisht të ftohtë pati ndodhur ky krim makabër, ndërkaq varrimi i 45 civilëve ka ndodhur vetëm katër javë më vonë sepse ka pasur luftë të madhe për Kosovën. I kemi edhe 11 ushtarë të UÇK-së që kanë rënë në betejë për mbrojtjen e trupave të masakruar nga Serbia dhe ato katër javë tregojnë se Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën, ta justifikojë krimin dhe prandaj edhe një herë po e theksoj rëndësinë e të vërtetës të ambasadorit William Walker, të cilit i jemi mirënjohës që në një moment historik për popullin tonë e foli vetëm të vërtetën”, ka thënë ai.

  • Walker: Nga sakrifica e shumë djemve të Reçakut Kosova gëzon demokracinë

    Walker: Nga sakrifica e shumë djemve të Reçakut Kosova gëzon demokracinë

    Ish-ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka nderuar viktimat e Masakrës së Reçakut në përvjetorin e 25-të të kësaj masakre, raporton Ekonomia Online.

    Walkeri ka thënë se nga sakrifica e shumë djemve të fshatit, Kosova sot gëzon një demokraci plotësisht funksionale.

    Ai ka thënë se ndihet krenar që ndodhet në mesin e familjarëve të viktimave këtë ditë.

    “Kjo nuk është vizita ime e parë në Reçak, mendoj se është e 21, 22 apo 23. Unë vij të nderoj fshatin Reçak, vij të përshëndes miqtë e mi, familje nga fshati Reçak, disa prej tyre i njoh prej 25 vitesh, disa fatkeqësisht kanë ndërruar jetë. Kjo është hera e parë që duhet të vij me shkop, por prapë dua të jem në Reçak në çdo rast që mundem. Për mua është shumë emocionuese. Është një histori e mrekullueshme për të cilën populli i këtij fshati fatkeqësisht është dashur të sakrifikojë shumë djem të fshatit. Ju tani keni një Republikë të Kosovës, një president, një kryeministër, një demokraci plotësisht funksionale dhe jam shumë krenar që jam këtu me ju në këtë vend që do të thotë shumë për mua, për popullin e Reçakut dhe për të gjithë Kosovën”, është shprehur ai.

  • Konjufca: Pas Reçakut, bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës

    Konjufca: Pas Reçakut, bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se Masakra e Reçakut është ndër aktet më mizore të regjimit serb, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka thënë të hënën nëpërmjet Reçakut, bota demokratike e kishte kuptuar se “gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës”.

    “Ky ishte njëri ndër aktet më mizore të regjimit së Serbisë, e po ashtu për botën demokratike shënoi edhe vijën e kuqe për Serbinë okupatore që i solli edhe bombardimet e NATO-s pastaj. Gjë që i hapi rrugë edhe çlirimit të plotë të Kosovës. Pas Reçakut, bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës, sepse nuk do të ndalej lufta dhe masakrat që po i kryente gjithandej Kosovës. Prandaj, gjithmonë do të mblidhemi këtu, për t’i kujtuar edhe martirët e Reçakut, e edhe dëshmorët që rënë në përpjekje për të mbrojtur popullatën civile të Reçakut”, ka shtuar ai.

  • Haradinaj: Para 25 vitesh, një akt çnjerëzor tronditi mbarë botën demokratike

    Haradinaj: Para 25 vitesh, një akt çnjerëzor tronditi mbarë botën demokratike

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se masakra e Reçakut është një akt çnjerëzor që e tronditi mbarë botën demokratike dhe shtyri Perëndimin të mobilizohej dhe të ndalojë me forcë shfarosjen e një populli të tërë

    Haradinaj ka falënderuar ish-ambasadorin amerikan, William Walker, që sipas tij e përkufizoi këtë masakër si krim kundër njerëzimit.

    “Para 25 vitesh, një akt çnjerëzor tronditi mbarë botën demokratike dhe shtyri Perëndimin të mobilizohej dhe të ndalojë me forcë shfarosjen e një populli të tërë. Masakra e Reçakut, mbetet simboli i krimit gjenocidal që aparatura shtetrore ushtarake serbe kreu në Kosovë. Ajo bëri kthesën e madhe historike duke prekur thellë në ndërgjegjjen e kombeve të fuqishme për të lëvizur me NATO-n në krye me ShBA-të”.

    “Sot, në nderim martirëve të kësaj masakre, kam bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak. Me respekt të thellë do të kujtojmë gjithmonë ata që me flijimin e tyre u bënë themelet e lirisë sonë”, ka thënë kreu i Aleancës.

  • ​Vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve në Hagë

    ​Vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve në Hagë

    Pas pushimit dimror do të rifillojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Seancat për vitin 2024 fillojnë, të hënën, më 15 janar, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

    Deri më tash janë paraqitur 38 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).

    Në njoftimin javor të Speciales është bërë e ditur se trupi gjykues ka pranuar pjesërisht kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të pranohen si prova deklaratat me shkrim të disa dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi në çështje të tjera, kërkesë kjo në të cilën përfshiheshin edhe deklaratat e disa dëshmitarëve që tashmë kanë vdekur.

  • ​Podujevë: Theret një person, arrestohen dy të dyshuarit

    ​Podujevë: Theret një person, arrestohen dy të dyshuarit

    Të dielën në Podujevë janë arrestuar dy persona të cilët dyshohen ta kenë therur me thikë një person tjetër.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therur me thikë viktimën mashkull kosovar”, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.

    “Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë”.

    “Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”.

  • ​Liderët e shtetit bëjnë homazhe në Reçak

    ​Liderët e shtetit bëjnë homazhe në Reçak

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti si dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, të shoqëruar edhe nga ish-ambasadori, William Walker, ish-Kryesues i Misionit Verifikues në Kosovë në vitet ’99, kanë bërë homazhe në Reçak me rasim e 25-vjetorit të masakrës në këtë vend.

    Pas nderimeve, liderët do të marrin pjesë edhe në akademinë përkujtimore që mbahet me rastin e 25-vjetorit të masakrës së Reçakut.

    Edhe Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe tek varret e të vrarëve në Reçak.

    Homazhe ka bërë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

    Qytetarë të shumtë janë mbledhur para orës 09:00 për të kujtuar viktimat e masakrës se Reçakut.