Kjo shkollë në Dragash nuk mirëpriti asnjëherë nxënës, ndonëse u ndërtua në 2016-tën. Madje, për të u harxhua një shumë e majme parash.
Këtu parashihej të vendosej shkolla e mesme profesionale. E në mungesë të saj nxënësve u duhet të udhëtojnë deri në Prizren, për çka prindërit ankohen se kanë shumë shpenzime.
Megjithatë, atë që nuk e bëri udhëheqësia e shkuar e Dragashit, tentoi ta bëjë pushteti aktual vetëm se plani nuk pati sukses.
Si shkollë jo, por megjithatë ky objekt me raste po shfrytëzohet për disa aktivitete TË tjera.
Që gjithë investimi të mos shkojë dëm, Xheladini thotë se po e shqyrtojnë mundësinë që objektin t’ia japin ndonjë biznesi, me kushtin që t’i punësojë qytetarët e Dragashit.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Rreth 736 operacione të planifikuara dhe 352 operacione urgjente, janë kryer në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, vetëm gjatë vitit 2023.
Operacionet më të shpeshta në këtë klinikë, janë ajo e bruhit dhe e zorrës qorre.
pediatri i kësaj klinike, Dëfrim Koçinaj, thotë se është rritur numri i shërbimeve, për dallim nga vitet e kaluara.
“Gjatë viteve pandemisë ka pasur rënie të dukshme të operacioneve të realizuara, por pastaj jemi rikthyer në suaza të normales. Kemi shtuar intervenimet me kirurgji minimale invazive dhe me endourologjinë, ofrojmë shërbime me gamë shumë të gjerë se vitet kaluese. Ditët që punojmë me kapacitetin tonë normal që është dy salla paradite prej të hënës deri të premten, mund të kryhen mbi 30 operacione në javë, shto edhe operacionet e urgjencës që mund të jenë si një mesatare dy intervenime urgjente”, tha Koçinaj.
Koçinaj tha se kanë mungesë të stafit mjekësor, derisa sipas tij, pjesa e shërbimit urgjent, ka nevojë për një projekt të ri.
“Sigurisht që kemi mungesë të stafit, që lidhet me një dukuri të përgjithshme në mjekësinë kosovare, por jo vetëm. Për shembull një numër i anesteziologëve në një farë mase e kanë liruar institucionin publik dhe kanë shkuar nëpër spitale private. Ndërsa pjesa e shërbimit urgjent 24 orë ka nevojë për një projekt të ri, është spital i ri ka nevojë për organizime të reja, hapësirat i kemi. Besoj se së shpejti do ta funksionalizojme pjesën e emergjencës 24 orëshe për të gjitha patologjitë urgjente në moshën pediatrike”, tha Koçinaj.
Ndërkaq, Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve është në pritje të pajisjes me vertikalen e gastroskopit dhe koloskopit, për ekzaminimin e traktit tretës.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Së pari duan largimin e shtëpizave bashkë me mbeturinat përreth.
Më pas këta protestues kërkojnë që edhe rruga “Xhorxh Bush” në Prishtinë të hapet për qarkullimin e mjeteve motorike.
“Gjendja faktike po shihet, asnjë hap zhvillimi nuk është bërë këndej, nuk e di qëllimin e tyre por sheshe mendoj se ka mjaftueshëm”, tha Kosum Mjekiqi, protestues.
“Kolona të gjata, vetëm mbyllja e rrugës i ‘u ka mbetur…”, tha Ramize Curri, protestuese.
Protesta për lirimin e rrugës u përkrah edhe nga deputetja Jeta Statovci.
“Mbyllja e rrugës është një hap komplet i pa nevojshëm duke parë hapësirat përreth të cilat ka boll sheshe…”, tha deputetja e VV-së, Jeta Statovci.
Rruga “Xhorxh Bush” në Prishtinë është mbyllur për qarkullim nga 26 nëntori i vitit 2022. Që nga kjo kohë, hapësira u shfrytëzua për aktivitetet e organizuara nga Komuna e Prishtinës.
Ndërkaq, një ditë para protestës është prezantuar plani i ri për transformimin e sheshit.
Kështu kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se sheshi i ri do të ketë ndërlidhje me disa pjesë të qytetit, duke u shndërruar në një hapësirë urbane bashkëkohore e më shumë gjelbërim.
Por për asnjërën nga këto nuk dihet afati i përfundimit madje as kostoja.
Protestë me qëllimin si kjo e të dielës, pritet të mbahet edhe të shtunën në ora 12:00 në sheshin “Skënderbeu”.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Banka Botërore e vlerëson në 3,2% rritjen ekonomike të Kosovës në vitin 2023 dhe parasheh rritje rreth 4% për këtë vit dhe vitin e ardhshëm.
Sidoqoftë, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë po konsiderohen të jenë njëra nga rreziqet për rënie ekonomike në të dyja shtetet.
Në raportin e Bankës Botërore, përveç tensioneve edhe zgjedhjet politike ndikojnë në rënie të ekonomisë.
“Problemi mes Kosovës dhe Serbisë është një problem për ekonominë kosovare në masë të madhe jo vetëm në aspektin ekonomik ku po largohen bizneset vendore dhe investimet e huaja. Ne po hymë me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian dhe duhet të kuptohet se emëruesi i përbashkët të një ekonomie të një shteti normal është stabiliteti politik”, tha Safet Gërxhaliu, ekonomist.
Trend tjetër brengosës është shpërputhja ndërmjet inflacionit dhe rritjes së pagave, mirëpo, inkurajuese për Ballkanin Perëndimor janë ndihmet e BE-së në vlerë 6 miliardë Euro.
Edhe pse parashikimi për Kosovën është më optimist sesa për rajonin, për ekspertët është brengosëse pse nuk po shpenzohen mjetet e buxhetit në investime kapitale.
“Unë jam kundër ndarjes së subvencioneve për arsye se njëfarë mënyre është edhe një keqmenaxhim i parave të taksapaguesve të Kosovës, sepse në momentin kur ato mjete nuk investohen dhe multiplikohen në biznese, atëherë ato mjete munden me u dhënë, po për shkak të mosshpenzimit të atyre mjeteve për shkak të vitit paraprak andaj tepricat të cilat janë krijuar nga kjo qeveri mund të quhen para të keqmenaxhuara. Nëse një qeverie i teprojnë miliona euro në buxhet e ata miliona i shpërndan si subvencione, kjo tregon paaftësinë e asaj qeverie në menaxhimin e investimeve kapitale të cilat do të multiplikoheshin në aspektin ekonomik, dhe të krijojnë vende të reja pune”, u shpreh Medain Hashani, Dekan i Fakultetit Ekonomik, Kolegji AAB
Sipas raportit të Bankës Botërore aktiviteti ekonomik në Ballkanin Perëndimor pritet të mbështetet nga rritja e konsumit për shkak të lehtësimin të inflacionit, rimëkëmbjes graduale në eurozonë, rritja e shpenzimeve publike për projektet infrastrukturore të BE-së dhe fitimet e vazhdueshme por të ngadalshme nga turizmi.
Sipas po të njëjtit raport, rritje parashihet edhe në vendet tjera të rajonit, përveç Shqipërisë e Malit të Zi, ku rritja e 2024ës dhe 25-ës, do të jetë më e ulët sesa e vitit të kaluar.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Rruga Nacionale, Prishtinë – Mitrovicë, nuk u finalizua as në vitin 2023. Finalizim nuk pati as projekti për ndërtimin e rrugës nacionale Prishtinë – Podujevë. E njëjta vlen edhe për rrugën Prishtinë – Gjilan si dhe për rrugën Prishtinë – Pejë.
Rrjedhimisht, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në vitin 2023 nuk arriti ta finalizojë asnjërin nga projektet e mëdha me rëndësi praktike dhe strategjike.
Megjithatë, i pari i këtij dikasteri, Liburn Aliu, thotë se gjatë vitit aktual do ta ketë edhe një prioritet tjetër: vendosjen e kamerave në rrugët që menaxhohen nga Ministria e Infrastrukturës, me synim reduktimin e numrit të aksidenteve.
Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj mungesën e infrastrukturës rrugore të përshtatshme e përshkruan si njërin ndër faktorët kryesor për shkaktimin e aksidenteve.
Sipas ekspertit Bekim Ahmeti, kushtet e komunikacionit në territorin e Kosovës vazhdojnë të mos ndryshojnë.
Referuar të dhënave të Policisë së Kosovës, në vitin 2022 u shkaktuan rreth 11 mijë 750 aksidente me dëme. Ndërsa nga janari deri në nëntor të vitit 2023 numri i aksidenteve arriti në rreth 13 mijë e 300.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Nga shpërthimi i bombolës së gazit, 15 persona të familjes Brahimi, pësuan lëndime në fshatin Kçiq të Mitrovicës.
Ne mesin të lënduarve, është edhe një vajzë 10 vjeçare e cila ka djegie në shumë se gjysmën e sipërfaqes së trupit. Ajo sot u transferua në Suedi për të vazhduar tretmanin mjekësor në një qendër të specializuar për djegie.
“15 persona kanë kërkuar ndihmë në QKUK, prej tyre 4 janë në gjendje më të rëndë që kanë ardhë për trajtim në intensivë. Rreziku për jetë, është proporcional me sipërfaqen e djegur të trupit. Me sipërfaqen më të madhe te djegies e kemi një fëmijë 10 vjeç, i cili pritet të transferohet në Suedi sepse ka sigurim nga shteti suedez. Tre të tjerët e kemi një me sipërfaqe 40 për qind dhe dy me më të vogël. Edhe rrugët e frymëmarrjes janë të atakuar”, tha Agreta Gashi nga Mjekësia Intensive.
Përveç lëndimeve në njerëz, nga shpërthimi i bombolës së gazit që ishte në bodrum të shtëpisë, u shkaktuan edhe dëme të mëdha materiale.
Por për ta parandaluar një gjë të tillë zjarrfikësit thonë se duhet pasur kujdes gjatë përdorimit të tyre.
“Ata që i përdorin bocat e plinit duhet me pas shumë kujdes, sepse është i lehtë për përdorim dhe i lirë, nëse dikush e vërën që po vjen era, është mirë me i hap dritaret e me ajros vendin, përndryshe nëse ka rrjedhje koncentrohet në një vend dhe një shkëndi e vogël mundet me ndezë”, tha Blerim Gashi, zjarrfikës.
Por përveç kësaj, sipas Tahir Ahmetit, ekspert i çështjeve emergjente, shqetësuese është edhe vjetërsia e bombolave të gazit që janë në treg.
“Bombolat e gazit duhet të kenë a testet e kryera nga Ministra e Ekonomisë, por ka shumë bombola që janë në treg të stërvjetruara rreth 40 vjeçare që nuk do të duhej të ishin fare në treg, e kjo është arsyeja që kemi incidente”, tha Ahmeti.
Një litër gaz, shitet për 0.73 cent pothuajse në të gjitha pikat e karburanteve, por nga shoqata e naftëtarëve, thonë që deri në lejimin e shitjes duhet kaluar në disa procedura si: pëlqimi për ushtrimin veprimtarisë, certifikatë për plotësimin e kërkesave të sigurisë, pëlqimi për dokumentacionin tekniko- investiv për mbrojtje nga zjarri, pëlqime këto që lëshohen nga Agjencia për menaxhimin e emergjencave dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Nesër, bëhen 25 vjet nga masakra e Reçakut, ku 45 civilë shqiptar u vranë nga forcat policore dhe ushtarake të Serbisë.
Askush nga ekzekutuesit apo urdhërdhënësit e kësaj masakre, nuk është dënuar ende.
Ndërkohë, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në nëntor të vitit 2023, filloi gjykimi i parë në mungesë për krime lufte ndaj Çedomir Aksiq.
Aksiq mes tjerash dyshohet edhe për pjesëmarrje në vrasjen e disa civilëve në Reçak.
“Tanimë me hyrjen në fuqi të Gjykimit në Mungesë, besojmë se së shpejti Prokuroria Speciale do fillojë me ngritjen e aktakuzave në mungesë për masakrën e Reçakut”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Për krimet e kryera në Reçak, Tribunali i Hagës për krimet e luftës në territorin e ish-Jugosllavisë, pat ngritur aktakuzë ndaj disa eprorëve të ushtarak të lartë serb. Mirëpo, askush nga të akuzuarit, nuk u dënua drejtpërsëdrejti.
Alija thotë se insituticionet e Kosovës, mundë të përdorin edhe të dhënat e Tribunalit të Hagës.
“Sigurisht që edhe nga databaza e Hagës mundë të gjinden disa eprorë disa emra që kanë dhënë urdhër apo kanë qenë të përfshirë në masakrën e Reçakut. Sigurusht që të gjithë këta emra dhe prova i ka siguruara edhe Prokuroria e Kosovës dhe siç e potencova edhe më herët pritet që së shpejti të kemi ndoshta edhe aktakuza në mungesë”, tha Alija.
Masakra e Reçakut, nga shefi i misionit verifikues të OSBE-së, William Wallker u cilësua si krim kundër njerëzimit.
Serbia përmes mjeteve të komunikimit masiv, ka tentuar ta paraqes masakrën e Reçakut si një operacion policor kundër-terrorist, duke pretenduar se të vrarët ishin të armatosur.
Ndërkaq, Ivan Todosijeviç, zyrtar i Listës Serbe, ishte dënuar me burg për mohim të masakrës së Reçakut. Në vitin 2023, Gjykata Supreme i pat hedhur poshtë të gjitha akuzat ndaj tij.
Krerët shtetëror të Kosovës, në 24 vjetorin e masakrës së Reçakut patën njoftuar se Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohet për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar mbretin e ri të Danimarkës, Frederikun X.
“Urimet tona të përzemërta madhërisë së tyre Mbretit Frederik X dhe Mbretëreshës Mari për ngjitjen e tyre në fronin e Danimarkës. Le ta udhëheqin vendin e tyre drejt sukseseve të reja. Ne i bashkohemi popullit të Danimarkës për të nderuar trashëgiminë e shërbimit të përjetshëm të Mbretëreshës Margrethe II”, shkroi Osmani.
Our heartfelt congratulations to Their Majesties King Frederik X and Queen Mary upon their ascension to the throne of Denmark.
May they lead their country towards new successes.
We join the people of Denmark in honoring HM Queen Margrethe II’s lifelong legacy of service. 🇽🇰🇩🇰
Në prag të 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në një takim miqësor, Ambasadorin William Walker.
Kryeministri Kurti e falënderoi për kontributin e tij të pazëvendësueshëm gjatë kohës së luftës dhe jehonën që i dha masakrës së Reçakut në rrafshin ndërkombëtar, duke përshkruar ndodhinë në Reҫak si masakër dhe krim kundër njerëzimit.
Rikujtuan vitet 1998 dhe 1999, kur ambasadori William Walker ishte në Kosovë në krye të Misionit Verifikues të OSBE-së, që kishte për mision të verifikonte nëse forcat serbe po vepronin në përputhje me marrëveshjen e tetorit të Kombeve të Bashkuara, për të tërhequr forcat e armatosura dhe për të respektuar armëpushimin.
Ambasadori Walker tha se ndjehet i lumtur dhe krenar për atë që Kosova ka arritur në një periudhë të shkurtër kohore, duke u bërë një nga shtetet më demokratike në Evropë. Ai tha se sa herë që vjen në Kosovë u gëzohet ndryshimeve që i sheh teksa lëvizë nëpër rrugët e Kosovës.
Bashkë me urimet për jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, Kryeministri Kurti ritheksoi mirënjohjen ndaj Ambasadorit Walker, për rolin e tij korrekt, konkret dhe aq human të treguar në raport me krimet e luftës që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Dhjetë vjeçarja e cila u lëndua të shtunën nga shpërthimi i një bombole gazi në fshatin Kçiq i Madh të Mitrovicës së Jugut, sot do të niset për trajtim në Suedi.
Lajmin e ka konfirmuar për media, Agreta Gashi nga Mjekimi Intensiv në QKUK.
“Po mund të ju konfirmoj se sot do të niset për trajtim në Suedi”, tha shkurtimisht ajo.
Ndryshe, një shpërthim ka ndodhur pasditen e së shtunës në një shtëpi në fshatin Kçiq të Mitrovicës, ku si pasojë 14 persona kanë pësuar lëndime. Policia e Kosovës ka dhënë detaje nga shpërthimi i një bombole gazi në fshatin Kçiq të Mitrovicës, ku 14 persona pësuan lëndime trupore.
“Katërmbëdhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen. Përveç të lënduarve si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale”, thuhet në raportin e policisë.
Më tej, policia bën të ditur se në vendin e ngjarjes përveq njësive të nevojshme policore kishin dalë edhe zjarrfikësit dhe eksperti i zjarrit. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente.
Ndryshe, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka njoftuar se katër nga personat e lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq të Mitrovicës janë në gjendje më të rënduar shëndetësore nga djegia që kanë pësuar. Siç bëhet e ditur në njoftim, të njëjtit pas operimit janë transferuar për mjekim të mëtejshëm në Mjekimin Intensiv Qendror.
Të lënduarit që po trajtohen në QKUK janë vizituar edhe nga kryeministri Albin Kurti. Kurti ka lavdëruar personelin e QKUK-së për ndihmë e ofruar personave që kërkuan ndihmë mjekësore nga lëndimet e pësuara.