ATV

Category: Lajme

  • “Nuk mund të shtiremi kinse Kosova nuk ekziston”: Kryediplomati spanjoll flet për pranimin e pasaportës kosovare

    “Nuk mund të shtiremi kinse Kosova nuk ekziston”: Kryediplomati spanjoll flet për pranimin e pasaportës kosovare

    Kryediplomati spanjoll, José Manuel Albares, i cili ka qenë cak i kritikave të mëdha nga opozita spanjolle rreth “pranimin në heshtje” të pasaportës së Kosovës në dritën e liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian për kosovarët, ka shpjeguar sërish se kjo “nuk nënkupton” edhe njohje të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

    Megjithatë, Albares tha se “nuk mund të shtiremi kinse Kosova nuk ekziston” ndonëse “nuk e njohim sovranitetin e saj”.

    “E kam thënë edhe shumë herë dhe e them edhe sot këtu, se Spanja nuk do të jetë kurrë pengesë për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. As për afrimin mes Prishtinës dhe Bashkimit Evropian. Sepse ai territor i Kosovës është brenda Ballkanit Perëndimor, dhe shkon në samitet e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor. Dhe Përfaqësuesi i Lartë (Josep Borrell) bëri një punë të lavdërueshme dhe ne e mbështesim atë. Nuk mund të pretendojmë se nuk ekziston. Por kjo nuk do të thotë se ne e njohim sovranitetin e saj”, ka thënë ministri spanjoll i jashtëm për “El Periodico”.

  • Walker nga Reçaku: Hera e parë që po vij me shkop, por dua të vij sa herë të më jepet rasti

    Walker nga Reçaku: Hera e parë që po vij me shkop, por dua të vij sa herë të më jepet rasti

    Ish-ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka nderuar viktimat e Masakrës së Reçakut në përvjetorin e 25-të të kësaj masakre.

    Walker ka thënë se këtë radhë edhe pse me shkop, ka dashur të jetë prezent në Reçak për të nderuar miqtë e familjarët e këtij vendi.

    “Kjo nuk është vizita ime e parë në Reçak, mendoj se është e 21, 22 apo 23. Unë vij të nderoj fshatin Reçak, vij të përshëndes miqtë e mi, familje nga fshati Reçak, disa prej tyre i njoh prej 25 vitesh, disa fatkeqësisht kanë ndërruar jetë. Kjo është hera e parë që duhet të vij me shkop, por prapë dua të jem në Reçak në çdo rast që mundem.”

    Ai gjithashtu ka thënë se falë sakrificës së shumë djemve të fshatit, Kosova sot gëzon një demokraci plotësisht funksionale.

    “Për mua është shumë emocionuese. Është një histori e mrekullueshme për të cilën populli i këtij fshati fatkeqësisht është dashur të sakrifikojë shumë djem të fshatit. Ju tani keni një Republikë të Kosovës, një president, një kryeministër, një demokraci plotësisht funksionale dhe jam shumë krenar që jam këtu me ju në këtë vend që do të thotë shumë për mua, për popullin e Reçakut dhe për të gjithë Kosovën”, është shprehur Walker.

  • Bildi gjerman: Rusia planifikon të sulmojë NATO-n në korrik me luftë hibride

    Bildi gjerman: Rusia planifikon të sulmojë NATO-n në korrik me luftë hibride

    Rusia ka një plan për të sulmuar krahun lindor të NATO-s, pas një kundërofensivë të suksesshme në Ukrainë dhe zmbrapsjes së ushtrisë ukrainase deri në qershor. Kështu raporton Bild, që shkruan se ka siguruar një “dokument sekret” të përgatitur nga forcat e armatosura gjermane në lidhje me këtë.

    Dokumenti i klasifikuar thotë se Rusia mund të nisë “sulme kibernetike dhe forma të tjera të luftës hibride”, kundër Baltikut në korrik. Do të pasonin disa “përplasje” të paspecifikuara, të cilat Moska do t’i përdorte si pretekst për të filluar stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë në territorin e saj dhe në Bjellorusi, raporton gazeta gjermane, duke cituar dokumentin ushtarak.

    I menjëhershëm ishte dhe reagimi nga Moska.

    “Bild nuk heziton të shkruajë mashtrime, ndaj do të preferoja të mos komentoja”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një përgjigje për gazetarët që i kërkuan një reagim ndaj artikullit të gazetës gjermane.

    Frika për zgjerimin e konfliktit në Ukrainë, vjen në një kohë kur autoritetet në Suedi lëshuan alarmin se në vendin nordik mund të shpërthente lufta. Shefi i shtabit të ushtrisë, gjenerali Micael Byden, u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen vullnetarisht organizatave të mbrojtjes për një konflikt të mundshëm të armatosur të nxitur nga Rusia.

    Frikën e vendeve që janë afër shtetit të udhëhequr nga Vladimir Putin e shton dhe fakti që ushtria e tij ka ashpërsuar sulmet në Ukrainë.

    “Nëse Kievi përdor raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuar nga Perëndimi, kundër vendeve të lëshimit në Rusi, Moska mund të përgjigjet me armë bërthamore. Këtë paralajmëroi disa ditë më parë ish-presidenti rus Dmitry Medvedev.

  • Vizat dhe dialogu me Serbinë, temë diskutimi mes Bislimit e Von Cramonit

    Vizat dhe dialogu me Serbinë, temë diskutimi mes Bislimit e Von Cramonit

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, kanë diskutuar të hënën mbi procesin e dialogut me Serbinë, liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian.

    Bislimi e ka pritur në takim zyrtaren evropiane, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit duke shtuar se Bislimi e ka falënderuar për rolin e saj në Parlamentin Evropian.

    “Në vijim, u diskutua dhe mbi angazhimin e përkushtimin e Kosovës drejt integrimit evropian, çështjet në lidhje me procesin e dialogut si dhe zhvillimet në vend, rajon e më gjerë. Në përfundim, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu falënderimin dhe vlerësimin e tij për rolin dhe angazhimin e znj. Cramon në Parlamentin Evropian dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

    Për angazhimin në liberalizimin e vizave, Cramonin e ka falënderuar të dielën edhe kryeministri Albin Kurti.

    “Duke folur për zhvillimet pozitive në këtë fillimvit, kryeministri veçoi liberalizimin e vizave për çka e falënderoi znj. Cramon për punën dhe angazhimin e saj. Në më pak se tri vite qeverisje, Kosova prin në rajon për qeverisjen e mirë, demokracinë, sundimin e ligjit dhe zhvillim ekonomik. Kryeministri e falënderoi dhe shprehu vlerësimin për rolin dhe angazhimin e znj. Cramon në Parlamentin Evropian”, thuhet më tej në njoftim.

  • Mbledhja e parë e Kryesisë për këtë vit, në rend dite propozimi për seancën plenare të radhës

    Mbledhja e parë e Kryesisë për këtë vit, në rend dite propozimi për seancën plenare të radhës

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka thirrur sot mbledhjen e parë për këtë vit në të cilën në rend dite është propozimi i rendit të ditës për seancën plenare të radhës, ku janë paraparë 30 pika, raporton Ekonomia Online.

    Në rend dite është votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm, votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm, votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”.

    Po ashtu në rend dite është shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës, votimi në lexim të dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave, nr. 08/L-247, votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-243 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L–037 për metrologji, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-262 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr.05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative faza e dytë, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-267 për letërnjoftimin, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-264 për rininë, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme, votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028, shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2022, shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2022, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.2003/5 për farërat dhe shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit.

    Po asht në rend dite është formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë, propozimi për përzgjedhjen e një (1) kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës dh themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

  • Krasniqi në Reçak: Krim mizor kundër njerëzimit, Serbia kreu gjenocid dhe spastrim etnik

    Krasniqi në Reçak: Krim mizor kundër njerëzimit, Serbia kreu gjenocid dhe spastrim etnik

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka bërë sot homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak, në ditën kur shënohet 25-vjetori i masakrës.

    “Sot, bashkë me kolegë dhe bashkëpunëtorë nga PDK, bëmë homazhe tek Kompleksi Përkujtimor në Reçak, për të kujtuar 45 viktimat e kësaj masakre, e cila, edhe 25 vjet më pas, mbetet dhembja jonë e madhe. Një krim mizor dhe me paramendim kundër njerëzimit – i cili vulosi qëllimin politik të Serbisë dhe agjendën e saj për të kryer gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

    Ai shtoi se “Gjithmonë, e posaçërisht sot, vlerësojmë lartë kontributin e Ambasadorit William Walker, i cili, çerek shekulli më parë, nga vendi i ngjarjes në Reçak, krimin e quajti me emrin e të tij të vërtetë”.

    “Kosova nuk do të hesht asnjëherë për krimet ndaj popullatës civile shqiptare, gjatë luftës së viteve 1998/99, derisa drejtësia të vihet në vend për secilën viktimë të vendit tonë. Lavdi martirëve të Reçakut!!, shkroi Krasniqi.

  • Abdixhiku për masakrën e Reçakut: Ta mbajmë si rikujtim të sakrificës së popullit për liri e shtetësi

    Abdixhiku për masakrën e Reçakut: Ta mbajmë si rikujtim të sakrificës së popullit për liri e shtetësi

    Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se masakra e Reçakut ishte një ndër më të rëndat të njerëzimit në fundin e shekullit të XX.

    Abdixhiku ka thënë se ndjen nevojën që këtë ditë të dhimbshme ta mbajmë si rikujtim të sakrificës së popullit për liri e shtetësi.

    Postimi i plotë:

    Reçak. Një çerek shekulli pas. Mes familjarëve të fëmijëve, grave, të moshuarve e burrave, të vrarë e masakruar nga forcat policore, paramilitare e ushtarake të Serbisë; në mëngjesin e ftohtë të 15 janarit të vitit 1999. Në përkujtim të ditës që tronditi një botë të tërë. ‘Krim kundër njerëzimit’ do ta quante ambasadori Walker atëherë.

    Ishte një ndër më të rënda të njerëzimit në fundshekullin e njëzetë.
    Sot, teksa po largohemi një çerek shekulli nga kjo ngjarje e errët e historisë njerëzore, ndjejmë gjithë afërsinë me dhimbjet e asaj dite të familjarëve e të mbijetuarve. Ndjejmë dhe nevojën që këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, ta mbajmë sot e gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi. Mbi këtë sakrificë, përbashkimi ynë për Kosovën, atdheun tonë, bëhet domosdoshmëri.

  • Vrasje në tentativë në Podujevë, arrestohen dy persona

    Vrasje në tentativë në Podujevë, arrestohen dy persona

    Një vrasje në tentativë ka ndodhur të dielën në Podujevë.

    Lidhur me këtë, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë therë me thikë një tjetër person, të cilit i kanë shkaktuar lëndime trupore.

    Viktima si pasojë e plagëve të marra është dërguar për tretman mjekësor në QKMF të Podujevës, e i cili më pas është transferuar në QKUK në Prishtinë.

    Policia thotë se njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë konfiskuar thikën që dyshohet se është përdorur në rast dhe një veturë.

    Ndërkohë, me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therrur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Walker: Kosova, demokracia më e suksesshme në Evropë – Reçaku mori kuptim të ri për mua

    Walker: Kosova, demokracia më e suksesshme në Evropë – Reçaku mori kuptim të ri për mua

    Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut.

    Ai e quajti tregim suksesi atë të Kosovës që nga vitet e vështira 1998-1999 e deri më sot.

    “Supozoj që shumë prej jush këtu jeni mbi moshën 35-vjeçare, hajde të themi mbi 30, dhe ju mund ta kujtoni si ka qenë jeta në Kosovë para viteve ’98-’99. Dhe ja ku jem sot duke jetuar në Kosovë që është pabesueshëm më ndryshe nga ai realiteti para viteve ’98-‘99”, ka thënë Walkeri në ceremoni.

    Madje sipas tij Kosova është demokracia më funksionale në Evropë, dhe këtë kuptim e ka marrë për të kjo masakër 25 vjet pasi ka ngjarë, sepse ajo kishte shërbyer si pikë kthese për Kosovën.

    “Sot falë qeverisë që e keni tani, falë qeverive që i keni pasur në të kaluarën, Kosova është një tregim i pabesueshëm suksesi. Sipas mendimit tim, është demokracia më e suksesshme në Evropë”.

    “Liri e shprehjes, liri e shtypit, liri e feve. Për cilëndo liri të flisni, ato janë të pranishme sot në Kosovë”.

    “Ky është një shtet i ri që në pak vite ka arritur të shndërrohet në një demokraci të vërtetë dhe funksionale”.

    “Pra kjo është ajo se çfarë Reçaku do të thotë për mua – tranzicioni nga ajo që kishte ekzistuar këtu, nga ajo se si ishte jeta këtu për shqiptarët që jetonin në Kosovë atëkohë dhe se çfarë do të thotë jeta për shqiptarët e Kosovës sot”.

  • Hovenier: Askush të mos e mohojë çfarë ka ndodhur në Reçak

    Hovenier: Askush të mos e mohojë çfarë ka ndodhur në Reçak

    Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se askush nuk duhet harruar dhe mohuar çfarë ka ndodhur në Reçak.

    Ai në një postim në Twitter ka shkruar se gjithashtu askush nuk duhet të mohojë e as harrojë pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët dolën në mbrojtje të Kosovës.

    Hovenier ka shkuar se mban mend mirë ditën kur ka ndodhur Masakra e Reçakut.

    “Sipas fjalëve të Dr. Martin Luther King: ‘Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo’. Askush të mos harrojë apo mohojë atë që ndodhi në Reçak, apo pse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë dolën në mbrojtje të popullit të Kosovës. E mbaj mend mirë atë ditë”, ka shkruar ai.