ATV

Category: Lajme

  • Në Speciale vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Speciale vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Ndryshe nga e hëna ka filluar dëshminë dëshmitari i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin W01493.

    Ky dëshmitar i mbrojtur ka dëshmuar përmes video-lidhjes.

    Sipas përmbledhjes së lexuar nga ZPS-ja në gjykatë, gjatë periudhës përkatëse ky dëshmitar ka shërbyer në zonën Operative të Dukagjinit dhe dëshmia e tij do të ofrojë informacion për strukturën dhe marrëdhëniet ndërmjet UÇK-së dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).

  • Dënohet me burgim shoferi që goditi këmbësorin në Prizren, i zëvendësohet me 1600 euro gjobë

    Dënohet me burgim shoferi që goditi këmbësorin në Prizren, i zëvendësohet me 1600 euro gjobë

    Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur fajtor Xhemali Zhurin, i cili akuzohet për aksidentin në trafik në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Prizren mbrëmjen e 20 dhjetorit të vitit që lamë pas, raporton Gazeta Sinjali.

    Zhuri i cili ka pranuar fajësinë, fillimisht u dënua me 6 muaj burgim efektiv, por pas kërkesës së avokatit të tij, trupi gjykues ka zëvendësuar dënimin me 1 mijë e 600 euro gjobë.

    Zhuri akuzohej se kishte goditur me veturë këmbësorin, Samir Kervani, i cili po kalonte rrugën në vendkalimin e shënjuar për këmbësorë.

    Si pasojë e kësaj, i riu ishtë dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku mori trajtimin e nevojshëm mjekësor për lëndimet e rënda që mori.

    Lidhur me gjendjen e tij, ka folur për Sinjalin vëllai i viktimës, i cili tha se Samiri ka ende telashe shëndetësore.

    “Samiri i lënduari hala nuk është mirë. Ka probleme të rënda psikologjike, dhimbje në kokë, po tutet me dalë prej shtëpisë për shkak qetij rastit”, tha ai.

  • Kurti takohet me O’Brien: U vlerësua përmbajtja e Kosovës përballë sulmeve dhe provokimeve

    Kurti takohet me O’Brien: U vlerësua përmbajtja e Kosovës përballë sulmeve dhe provokimeve

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka takuar Zëvendës Sekretarin e Shtetit, James O’Brien në Davos të Zvicrës.

    Kurti tha se O’Brein vlerësoi progresin ekonomik dhe demokratik të Kosovës, teka bëri të ditur se ai e njohu përmbajtjen e Kosovës përballë sulmeve dhe provokimeve.

    “ShBA-ja është një mik dhe aleat i çmuar. Ne presim bashkëpunim të vazhdueshëm”, shkroi Kurti.

    Kreu i qeverisë po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe arrestimin e këtij personi

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe arrestimin e këtij personi

    Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e një të dyshuari për veprën penale “Vjedhje”.

    Policia, përmes kësaj ka kërkuar nga qytetarët ndihmë për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

    “Policia e Kosovës, mbështetur në autorizimin e nxjerrë nga Prokuroria Themelore – Departamenti i Përgjithshëm, paraqet para jush fotografinë e të dyshuarit të shpallur në kërkim, i dyshuar për veprën penale”, thuhet në njoftim.

    “Me qëllim të zbatimit efikas të procedurës, kërkojmë nga publiku i gjerë kontributin qytetar që me informacionet e tyre të ndihmojnë në drejtim të identifikimit të personit të dyshuar sipas tipareve fizike apo lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit të shpallur në kërkim”, vijon njoftimi.

    Njoftimi i plotë:

    Person i shpallur në kërkim – Vjedhje

    Prishtinë, 16 janar 2024- Policia e Kosovës, mbështetur në autorizimin e nxjerrë nga Prokuroria Themelore – Departamenti i Përgjithshëm, paraqet para jush fotografinë e të dyshuarit të shpallur në kërkim, i dyshuar për veprën penale;

    “Vjedhja”, konform nenit 313 të KPRK-së.

    Me qëllim të zbatimit efikas të procedurës, kërkojmë nga publiku i gjerë kontributin qytetar që me informacionet e tyre të ndihmojnë në drejtim të identifikimit të personit të dyshuar sipas tipareve fizike apo lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit të shpallur në kërkim.

    Ne vlerësojmë lartë bashkëpunimin me komunitetin për një shoqëri pa krim, andaj presim që informacionet tuaja t’i kontribuojnë identifikimit dhe arrestimit sa më të shpejtë të të dyshuarit.

  • Interesim i shtuar i serbëve për t’u pajisur me pasaporta të Kosovës

    Interesim i shtuar i serbëve për t’u pajisur me pasaporta të Kosovës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar se muajve të fundit ka rritje të interesimit të qytetarëve serbë në komunat veriore, për t’u pajisur me pasaporta biometrike të Kosovës.

    “Në komunat veriore, 6159 qytetarë janë pajisur me pasaporta biometrike. Muajve të fundit, kemi parë një rritje të theksuar të aplikimeve nga qytetarët tanë në komunat me shumicë serbe, krahasuar me vitet e fundit. Mirëpresim vullnetin e shtuar së fundmi të qytetarëve të komunitetit serb për t’u pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

    Përkundër këtij interesimi, Komisioni Evropian vazhdon të insistojë në propozimin që banorëve serbë që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese që operon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, t’u mundësohet lëvizja e lirë në zonën Schengen.

    “Procedura është e thjeshtë, Komisioni Evropian kërkon që një kërkesë të tillë ta miratojë Parlamenti Evropian dhe më pas edhe Këshilli dhe nëse ky propozim i KE-së kalon në këto dy organe, atëherë bëhet final dhe iu mundësohet këtyre qytetarëve që janë të pajisur me pasaporta të Serbisë të udhëtojnë pa viza”, tha Arbnor Sadiku, njohës i së Drejtës Ndërkombëtare.

    Profesori universitar, Basri Muja, thotë se propozimi KE-së bie ndesh me marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe është në dëm të integrimit të serbëve.

    “Së pari i dëmton vetë marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ndërmjet tyre me ndihmën e BE-së. Posaçërisht e kam fjalën për marrëveshjen bazike dhe aneksin e Ohrit të vitit të kaluar, ku komplet marrëveshja është e ndërtuar mbi parimin e njohjes reciproke të sovranitetit dhe integritetit… Kjo kërkesë po bëhet në një kohë kur kemi një kërkesë masive të banorëve serbë për t’u pajisur me pasaporta”, tha Muja.

    Propozimi i Komisionit Evropian kundërshtohet nga Qeveria e Kosovës. Të hënën, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi para emisarit special të BE-së, Miroslav Lajcak, se njohja, siç i quajti ai, e pasaportave ilegale, të lëshuara nga autoritetet serbe do të prodhojë ndikime negative në procesin e integrimit, si dhe në atë të dialogut.

    “E theksova se shtyrja para e propozimin për njohjen e pasaportave të jashtëligjshme të lëshuara nga Serbia, ka ndikim negativ në procesin e integrimit dhe e dëmton rëndë dialogun”, ka thënë Bislimi.

    Qytetarët serbë të Kosovës që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese e Serbisë, janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor, ndaj të cilëve vazhdon të aplikohet regjimi i vizave.

  • Policia identifikon dy persona lidhur me shpërthimin në Veri

    Policia identifikon dy persona lidhur me shpërthimin në Veri

    Janë identifikuar dy persona me interes për intervistim për shpërthimin e mbrëmshëm në Veri.

    Kështu ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për Veriun, Veton Elshani.

    “Njësitet policore relevante si dhe prokurori i rastit ishin në vendin e ngjarjes dhe janë marrë me rastin. Njësiti i hetimeve rajonale i Mitrovicës së Veriut ka vazhduar punën sot me intensitet të shtuar dhe tashmë ka identifikuar dy persona të cilët janë persona me interes për intervistim.

    Të njëjtët janë kërkuar edhe në shtëpitë e tyre, por nuk janë gjetur. Besohet se ky konflikt ishte pasojë e problemeve të mëhershme mes këtyre personave. Jemi duke hetuar tashmë disa pista”, ka thënë Elshani.

    Policia ka njoftuar se afër një kafeneje ka shpërthyer një granatë dore, ku si pasojë dy persona kanë pësuar lëndime.

    “Mitrovicë Veri 15.01.2024, 23:45. Është raportuar se afër një kafeneje ka shpërthyer një granatë dore dhe si pasojë kanë pësuar lëndime dy viktimat meshkuj kosovarë, ku të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Rasti ne procedure hetimore”, thuhet në raport.

    Ndërsa nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për Paparacin gjatë ditës së martë kanë thënë se një i dyshuar e ka hedhur mjetin shpërthyes në drejtim të dy viktimave, të cilët kanë marrë lëndime trupore.

  • Osmani dekreton 15 gjyqtarë me mandat fillestar

    Osmani dekreton 15 gjyqtarë me mandat fillestar

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka dekretuar sot 15 gjyqtarë me mandat fillestar.

    Në ceremoninë e betimit para Presidentes së Republikës, gjyqtarët e rinj janë betuar se: “do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale, si dhe do të kryejnë me besnikëri në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme detyrat e tyre”.

    Osmani ka potencuar se integriteti dhe profesionalizmi i gjyqtarëve janë elemente thelbësore për një sistem të drejtësisë që garanton barazi për të gjithë dhe besim qytetar.

  • Hasani: Serbia të ndalojë së dërguari ushtrinë në kufi me Kosovën

    Hasani: Serbia të ndalojë së dërguari ushtrinë në kufi me Kosovën

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit. Kështu vlerësoi ministri për Evropën dhe i punëve të jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, të martën në Prishtinë.

    Pas takimit me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla, i pari i diplomacisë së Shqipërisë i bëri thirrje Serbisë që të ndalojë së dërguari ushtrinë e saj në kufi me Kosovës.

    “U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin e 21-të, nuk i çohen ushtri fqinjit më te kufiri. Askush nuk duhet të bëjë më këtë lojën që është qesharake, sepse të gjithë jemi të qartë se garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës është NATO, ku dhe Shqipëria është pjesë”, tha Hasani.

    Shefi i diplomacisë shqiptare nënvizoi nevojën që autorët e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit të dalin para drejtësisë.

    “Ky sulm ishte një akt kriminal dhe i rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë, ligjit dhe rendit të Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë e stabilitetit e gjithë rajonit tonë me pasoja të drejtpërdrejta për Evropën tonë të përbashkët. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme”, tha Hasani.

    Duke folur për Banjskën, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, sërish i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që ta sanksionojë Serbinë.

    “Bashkësia ndërkombëtare pa vonesë të dalë me një qëndrim të qartë rreth asaj që ka ndodhur në Banjskë dhe ta sanksionojë agresorin. Mungesa e ndëshkimit mbart në vetvete rrezikun e përsëritjes, prandaj jo vetëm për hir të paqes dhe mirëqenies së Kosovës, por sidomos për paqen dhe stabilitetin në rajon, bashkësia
    ndërkombëtare duhet të mos mbetet e heshtur por të ndëshkojë ashpër çdo tentativë për të destabilizuar vendet fqinje”, tha Gërvalla.

    Duke folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Hasani tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit duhet të zbatohen.

    Ministri shqiptar gjatë ditës u takua edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca. Në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca u tha se në takim përpos zhvillimeve të fundit politike dhe ato të sigurisë u diskutua edhe nevoja për koordinimin e vazhdueshëm ndërshtetëror në politikën e jashtme.

    Vizita e ministrit Hasani, u bë në kuadër të një turi treditor ku pas Kosovës ai do ta vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

  • Iniciativa për shkarkimin e Erden Atiqit, serbët përzgjedhin sallën e sporteve për organizimin e peticionit

    Iniciativa për shkarkimin e Erden Atiqit, serbët përzgjedhin sallën e sporteve për organizimin e peticionit

    Përgatiti: N. Luta / D. Sadiku

    Salla e sporteve këtu në periferi të Mitrovicës së Veriut, e ndërtuar me fondet e Bashkimit Evropian, do të shfrytëzohet nga qytetarët serbë për ta nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq.

    Por nënshkrimet, banorët lokalë ende nuk kanë filluar t’i mbledhin.

    Afati i parë kur do të duhej të përfundonte ky proces, sipas udhëzimit administrativ, është 22 janari.

    Por i njëjti dokument lejon edhe një afat shtesë, nëse grupi iniciues paraqet kërkesë për shtyrje brenda kësaj periudhe.

    Monitorues nga “Iniciativa e Re Sociale” thonë se qytetarët do t’i përgjigjen pozitivisht iniciativës për shkarkimin e kryetarit Atiq.

    “Mendoj se qytetarët do ta nënshkruajnë, pasi nuk janë të kënaqur me kryetarët shqiptarë, dhe duan që serbët t’i përfaqësojnë dhe kjo do t’i shtyjë ata që ta nënshkruajnë peticionin”, tha Aleksandar Sljuka nga Iniciativa e Re Sociale.

    Megjithatë, nga shoqëria civile nuk janë të sigurt nëse peticioni do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

    “Mendoj se janë më shumë qytetarë sesa në listat zgjedhore, pasi ato nuk janë rifreskuar, dhe kjo do të krijojë vështirësi, sepse nevojiten 50 % plus një, është vështirë që të arrihet kjo përqindje. Ka qenë duke u përfolur se në kohën kur qytetarët do të mbledhin 25 % për peticion, kryetarët do të japin dorëheqje, kështu për të shfaqur vullnet të mirë nga të dyja palët”, tha Sljuka.

    Jozyrtarisht televizionit i është thënë se nënshkrimi i peticionit në Mitrovicën e Veriut do të fillojë të mërkurën.

  • Nisi punimet pa leje, komuna e Skenderajt dërgon një kompani në gjykatë

    Nisi punimet pa leje, komuna e Skenderajt dërgon një kompani në gjykatë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Ky projekt në rrugën “Ahmet Delia” në Skenderaj ka nisur pa leje.

    Prona në të cilën planifikohej ndërtimi i një kompleksi banesor, sipas Drejtorisë së Inspeksionit, nuk ishte e përshtatshme për ndërtim pasi edhe pilotët e vendosur si shenjë parandaluese për shembjen e dheut, në disa qoshe rrëshqitën.

    Si rrjedhojë, rruga deri në sheshin “Adem Jashari”, por edhe disa ndërtesa përreth kanë filluar të çahen.

    “Investitori “Andrra Residence” ka filluar ndërtimin pa leje. Aty ka shkuar inspektorati i ndërtimit dhe ka lëshuar urdhëresë për ndërhyrje të punimeve”, tha drejtori i Inspeksionit në Skenderaj, Valon Haliti.

    Por urdhri për ndalim nuk pati efekt. Andaj, ndaj kompanisë u shqiptua një masë tjetër.

    “Më pas ne kemi takuar investitorin dhe dëmet përreth duhet të kompensohen, aktualisht është në procedurë e kanë dërguar një leje, i kemi shfrytëzuar rrugët ligjore që i parasheh ligji, i njëjti është proceduar në gjykatën kompetente dhe presim vendimin e gjykatës për rastin në fjalë. Nuk do të lejohet të lëvizet më tutje pa leje, për këtë i siguroj qytetarët”, tha Haliti.

    Por, kompania “Andrra Residence” mohon të ketë pasur ndonjëherë lëndë në gjykatë, derisa u zotua se do t’i kompensojë dëmet e shkaktuara.

    “Gjatë gërmimit dhe nga të reshurat e vazhdueshme të shiut dhe nga ujërat nëntokësor në një qoshe ka pasë rrëshqitje të piloteve! Kjo që ka ndodhë është barrë e kompanisë, dhe ne pas pajisjes me leje ndërtimi marrim përsipër riparimin e terrenit dhe kthimin e rrugës dhe pronave, si në gjendjen e mëparshme”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Andrra Residence”.

    Lidhur me këtë rast, por edhe me reagimin e komunës kur ndërtohen objekte pa leje, asamblistët e opozitës kanë kritika.

    “Janë 3 raste të hapura nga kjo kompani për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, janë duke bërë shpëlarje parash, mbrojtjen e ndërtimit të paligjshëm e bën kryetari i komunës, ai që do duhej ta mbronte interesin e qytetarëve”, tha Hysni Mehani, asamblist i LV-së.

    “Si guxon të fillojë ndërtim pa leje, përveç rrugëve, ndërtesave të cilat janë dëmtuar nga rrëshqitja e dheut, në mesin e tyre është edhe një çerdhe”, tha Abdulla Gashi, asamblist në KK Skenderaj nga radhët e “Idealit”.

    Ndërkaq, nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, në të cilën u dërgua lënda, nuk dhanë detaje se deri ku arritur shqyrtimi i saj.