ATV

Category: Lajme

  • Vazhdon në seancë private dëshmia e dëshmitarit të 40-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Vazhdon në seancë private dëshmia e dëshmitarit të 40-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po e vazhdon edhe të mërkurën dëshminë dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), me kodin W01493 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitar, i cili është i 40-ti me radhë i ZPS-së, po e vazhdon dëshminë në seancë private për publikun.

    Ai e filloi dëshminë e tij në Hagë të hënën (15 janar), duke vazhduar kështu për të tretën ditë me radhë.

    Dëshmitari është duke dhënë dëshminë përmes video-lidhjes, e po ashtu në të njëjtën mënyrë po e përcjell seancën Jakup Krasniqi, ndërsa të tjerët janë në sallën e gjyqit.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Përkujtohen vëllezërit Gërvalla, krerët e shetit: Pararendës të UÇK-së

    Përkujtohen vëllezërit Gërvalla, krerët e shetit: Pararendës të UÇK-së

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla kanë bërë homazhe tek varret e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla në Dubovik të Deçanit, me rastin e 42 vjetorit të vrasjes së tyre.

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se sot u bënë bashkë për të përkujtuar trimërinë, guximin dhe sakrificën e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, të cilët u shndërruan në simbol të përpjekjeve tona për liri.

    Ajo tha se kontributi i tyre është simbol i përpjekjeve tona për liri, për cka shtoi se kujtojnë me pijetet gjithë kontributin e tyre dhe të mijëra djemve e vajzave të Kosovës, që të cilët dhanë jetën në mënyrë që ne sot të punojmë për Kosovën e pavarur.

    “17 janari është ditë e humbjeve të mëdha për popullin shqiptar, për Kosovën në veçanti. Në këtë datë 42 vjet më parë janë vrarë në një atentat në Gjermani Jusuf e Bardosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, duke i dhënë kështu një goditje të madhe përpjekjeve të gjata e sakrificës së madhe të popullit tonë për liri, por njëkohësisht, duke e rizgjuar ndjenjën e atdhetarizmit dhe të sakrificës me miliona do të thoja shqiptarë gjithandej, të cilët për vite me radhë pastaj kontribuan për lirinë e Kosovës, të cilën e gëzojmë sot. Jemi këtu së bashku me Donika Gërvallen, të bijën e Jusuf Gërvalles, me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, me familjen Gërvalla, me miqtë dashamirë nga Duboviku dhe nga gjithë Kosova për të përkujtuar trimërinë, guximin dhe sakrificën e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, të cilët u shndërruan në simbol të përpjekjeve tona për liri. E kujtojmë me pijetet gjithë kontributin e tyre dhe të mijëra djemve e vajzave të Kosovës, të cilët dhanë jetën në mënyrë që ne sot të punojmë për Kosovën e pavarur, ta gëzojmë Kosovën e pavarur dhe lirinë e saj”, tha Osmani.

    Po ashtu, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se qëllimi i vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekësh ishte bashkimi i të gjitha organizatave ilegale që synim kishin lirinë e popullit shqiptar.

    Ata, Konjufca i quajti pararendës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, derisa shtoi se qëllimet e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës kanë peshë dhe rëndësi shumë të madhe për historinë e Kosovës.

    “Ata kishin dy qëllime madhore të cilat duhet t’i kujtojmë e të cilat kanë peshë dhe rëndësi shumë të madhe për historinë e Kosovës. E para, ata u përpoqën që t’i bashkonin të gjithë që t’i bashkonin të gjitha organizatat ilegale të cilat synim e kishin lirinë e popullit shqiptar dhe t’i sillnin në një kornizë të vetme, në një organizatë të vetme. Dhe e dyta, që ky kjo liri të vinte përmes çlirimit, përmes përpjekjes së organizuar dhe të armatosur të popullit të Kosovës. Këto qëllime kanë vazhduar përgjatë gjithë kohës dhe pikërisht për këtë arsye unë do t’i quaja Jusuf Gërvallen e Bardhoshin, e po ashtu edhe Kadri Zekën si pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë kuptim ata kanë një peshë të jashtëzakonshme për historinë e Kosovës dhe do të kujtohen dhe do të nderohen gjithmonë”, tha Konjufca.

    Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme dhe njëkohësisht vajza e Jusuf Gërvalles, Donika Gërvalla tha se data 17 janar është një prej datave të cilt na përkujtojnë vazhdimisht

    që liria nuk është fituar lehtë dhe që nuk ka ardhur shpejtë.

    Ajo shtoi se kjo datë na përkujtojnse sa e vlefshme është liria, dhe se sipas saj dihet të punojkme dhe të luftojmë për ta mbrojtur dhe ruajtur atë.

    “Unë mendoj që 17 janari është një prej datave të cilat na përkujtojnë vazhdimisht që liria nuk është fituar lehtë dhe që liria nuk ka ardhur shpejtë. Aq më tepër 17 janari dhe data të tilla të rëndësishme për ndërgjegjen historike të Kosovës do duhet të na përkujtonin se sa e vlefshme është kjo liri që kemi dhe sa duhet të punojmë dhe sa duhet të luftojmë që ta mbrojmë, ta ruajmë dhe ta bëjmë Kosovën shtetin atë shtet të cilët e kanë dashur të gjithë ata që kanë sakrifikuar dhe janë flijuar për vendin e tyre”, u shpreh Gërvalla.

    17 janari i vitit 1982, është dita kur u vranë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

    Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre.

  • Nga muaji shkurt prishtinasit mund ta kryejnë ultrazën e barkut në QKMF, mjekët familjarë gati në përfundim të trajnimit

    Nga muaji shkurt prishtinasit mund ta kryejnë ultrazën e barkut në QKMF, mjekët familjarë gati në përfundim të trajnimit

    12 mjekë familjar të Kryeqytetit janë në përfundim të trajnimit për ultrazë të abdomenit për herë të parë në kujdesin parësor. Ky trajnim është bërë falë marrëveshjes së arritur nga Komuna e Prishtinës me Odën e Mjekëve të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    E krahas trajnimit të mjekëve, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka thënë për Ekonomia Online se pesë Qendra të Mjekësisë Familjare i kanë pajisur me pesë ultrazë të rinj.

    Sadiku ka thënë se mjekët që po e kryejnë këtë trajnim do të jenë në pesë qendrat më të mëdha të Kryeqytetit dhe në Urgjencë dhe se ky shërbim do të fillojë të jepet në shkurt.“Para një muaji për herë të parë në kujdesin parësor shëndetësor në Prishtinë ka filluar një trajnim në nivel të Kosovës për ultrazë të abdomenit për mjekët familjarë. Kjo është një marrëveshje e cila është bërë ndërmjet Komunës së Prishtinës me përkrahjen nga Oda e Mjekëve të Kosovës e cila e ka financuar trajnimin e stafit tonë dhe realisht kemi përzgjedh 12 mjekë prej pesë Qendrave më të mëdha dhe Urgjencës në Kryeqytet”, ka thënë Sadiku.

    Blerja e këtyre aparaturave dhe trajnimi kanë për synim, siç thekson Sadiku që të mos mbingarkohet urgjenca e qytetit.

    “Ne kemi blerë vitin e kaluar aparatura, kemi blerë pesë ultrazë të rinj, që me fillu edhe realizimi i ultrazërit nga mjeku familjar, për arsye se ky është një ekzaminim më shumë që i ndihmon më shumë mjekut që të vijë deri te diagnoza dhe njëkohësisht e ndihmon edhe pacientin që për një ultrazë të abdomenit të mos shkojë nëpër emergjenca të qytetit dhe kjo do ta rrisë cilësinë e shërbimeve që jepen në kujdesin parësor shëndetësor”, u shpreh Sadiku.

    Sadiku ka thënë se trajnim do të organizojnë edhe për ultrazë të kukave për fëmijë, marrë parasysh nevojën që fëmijët e porsalindur e kanë për kontrolle.

    “12 mjekë janë duke u trajnuar deri në fund të janarit kryhet ky trajnim dhe në shkurt do të jenë të gatshëm për ta filluar zbatimin e këtyre njohurive të fituara nga ky trajnim te pacienti dhe ne pastaj do të bisedojmë me Odën e Mjekëve që me përkrah edhe të tjerë, ideja jonë është që përveç ultrazërit për abdomen të bëjmë ultrazërin për kuka për arsye se fëmijët e vegjël të porsalindur gjatë vitit të parë të jetës së vet, e ka obliguar të bëjë kontrolle për kuka te ortopedi”, u shpreh Sadiku për EO.

    Përmes këtij avancimi profesional, mjekët e trajnuar mund t’i ekzaminojnë pacientët me telashe shëndetësore për veshkat, mëlçinë, pankreasin, fshikëzën urinare dhe të gjitha organet në pjesën e barkut.

  • Përforcohet KFOR-i, Kroacia shton numrin e ushtarëve në Kosovë

    Përforcohet KFOR-i, Kroacia shton numrin e ushtarëve në Kosovë

    Një kontingjent i ri i ushtarëve kroatë përforcojnë misionin e KFOR-it në Kosovë, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë.

    Siç është njoftuar, bëhet fjalë për Regjimentin e dytë të forcave ajrore kroate, që do t’i bashkohen misionit kroat në KFOR. Ata do të nisen nga kazerma “Knez Trpimir” nga Divulja.

    “Komandant i regjimentit të forcave është majori Elvis Mishiq, një kapiten i skuadrës së 395-të të helikopterëve, në kuadër të Forcave Ajrore të Kroacisë”, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë.

    Para nisjes, Mishiq tha se pjesëtarët e regjimentit të aviacionit janë të përgatitur mirë dhe të gatshëm për t’i kryer të gjitha detyrat dhe se përfaqësojnë me profesionalizëm dhe nder Ushtrinë kroate dhe Kroacinë.

  • Dy objekte fetare në Gjilan cak i hajnave, vidhen paratë e mbledhura për bamirësi

    Dy objekte fetare në Gjilan cak i hajnave, vidhen paratë e mbledhura për bamirësi

    Në dy objekte fetare në Gjilan, të martën, janë vjedhur para që ishin mbledhur për bamirësi, ka njoftuar Policia në raportin 24-orësh.

    Në asnjërin rast, policia nuk ka treguar sasinë e parave të vjedhura, por ka thënë se po hetohen të dyja rastet.

    Sipas njoftimit, rasti i parë ka ndodhur më 14 janar në mesditë, kur një person ka raportuar se një i panjohur ka hapur me dhunë kasafortën dhe ka vjedhur paratë.

    Rasti tjetër ka ndodhur dje rreth orës 14:00.

  • AAK dhe NISMA po bëhen sërish bashkë në një koalicion parazgjedhor

    AAK dhe NISMA po bëhen sërish bashkë në një koalicion parazgjedhor

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pritet të nënshkruajnë sot koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e ardhshme nacionale.

    Siç merret vesh, koalicioni do të quhet “Fronti për Kosovën” dhe pritet të zyrtarizohet sot.
    Dy krerët e partive gjatë ditës pritet të dalin në një konferencë për media, për të kumtuar lajmin për bashkimin e tyre në një koalicion parazgjedhor.

    AAK-ja dhe Nisma kishin qenë në koalicion bashkë dhe në bashkëqeverisje edhe para disa viteve.

    Ndërkaq, në zgjedhjet që pasuan, po në vitin 2019, Nisma që në atë kohë ishte në koalicion me AKR-në, nuk arriti ta kalojë pragun, duke mbetur kështu jashtë Kuvendit./IndeksOnline/

  • Ukraina thotë se ka rrëzuar 19 dronë rusë

    Ukraina thotë se ka rrëzuar 19 dronë rusë

    Kievi tha më 17 janar se Rusia gjatë natës ka kryer sulme me 20 dronë të prodhimit iranian në jug të Ukrainës, duke shtuar se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar 19 prej tyre.

    Njoftimi vjen pasi autoritetet ukrainase thanë se 20 persona janë plagosur gjatë sulmeve ruse në qytetin lindor të Harkivit dhe në Odesa në Detin e Zi.

    Ukraina ka regjistruar rritje të viktimave në mesin e civilëve që nga dhjetori i vitit të kaluar, pasi Moska ka intensifikuar sulmet ajrore, paralajmëruan Kombet e Bashkuara.

    “Armiku nisi 20 sulme me dronë Shahed nga rajoni Primorsko-Akatarks i Rusisë dhe dy raketa kundërajrore S-300 nga rajoni rus i Belgorodit, afër Harkivit”, thanë Forcat Ajrore ukrainase përmes një postimi në rrjetet sociale.

    Forcat ajrore ukrainase thanë se shteti ka përdorur raketa dhe njësitë mobile të mbrojtjes ajrore në rajonet jugore, përfshirë në Dnipro.

    Ukraina po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia në shkurtin e vitit 2022. Që nga nisja e luftës, Perëndimi e ka furnizuar Kievin me armë të ndryshme, në mënyrë që të përballet me forcat ruse, ndërkaq ndaj Moskës janë vendosur një sërë runde sanksionesh./REL/

  • Pas arrestimit për sulm ndaj kolegut, kirurgu në Spitalin e Gjilanit suspendohet nga puna me 50% të pagës

    Pas arrestimit për sulm ndaj kolegut, kirurgu në Spitalin e Gjilanit suspendohet nga puna me 50% të pagës

    Kirurgu Luan Mustafa, i cili dyshohet se ka sulmuar kolegun e tij, kirurgun Arbër Morina, është suspenduar nga puna per tre muaj me 50% të pagës.

    Lajmin për suspendim e Mustafës, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” drejtori i përgjithshëm i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini.

    “Komisioni disiplinor, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ka marrë vendim për masë të përkohshme, suspendim nga puna për 3 muaj me 50% pagesë deri në vendimin e plotfuqishëm i cili do të merret pas shqyrtimit detal të rastit”, konfirmoi drejtori Emini.

    Ndryshe, Policia e Kosovës (PK) të martën ka arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë kirurgun Mustafa, nën dyshimin se sulmoi fizikisht kirurgun Arbër Morina.

    Lidhur me rastin, kirurgu Morina ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se sulmi ndaj tij ka ndodhur në zyrën e tij në Spitalin e Gjilanit, disa minuta pas përfundimit të një ndërhyrjeje kirurgjike ndaj një pacienti.

  • Hoxhaj: Jusufi, Bardhoshi e Kadriu, tre ideologët dhe frymëzuesit e UÇK-së dhe lirisë sonë

    Hoxhaj: Jusufi, Bardhoshi e Kadriu, tre ideologët dhe frymëzuesit e UÇK-së dhe lirisë sonë

    Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kujtuar 42 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

    Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se mbi sakrificën e tyre u forcua lëvizja popullore për liri dhe më pas u krijua Ushtria Çlirimtare.

    “Kujtojmë sot sakrificën e heronjve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, të vrarë tinëzisht në Gjermani 42 vite më parë nga shteti Jugosllav. Mbi sakrificën e tyre u forcua lëvizja popullore për liri dhe më pas u krijua Ushtria Çlirimtare. Kështu, Jusufi, Bardhoshi e Kadriu u shndërruan në tre ideologët dhe frymëzuesit e UÇK-së dhe lirisë sonë. Lavdi! 🇦🇱🇽🇰”, ka shkruar Hoxhaj.

  • ​Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq nis peticioni për shkarkimin e kryetarëve

    ​Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq nis peticioni për shkarkimin e kryetarëve

    Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, nga sot qytetarët mund të nënshkruajnë peticionin për të shkarkuar kryetarët e komunave nga radhët e komunitetit shqiptar.

    Mbledhja e nënshkrimeve do të nisë në orën 09:00.

    Në Mitrovicë të Veriut, peticioni nis bëhet pasi asamblistët komunalë miratuan kërkesën e iniciatorit që mbledhja e nënshkrimeve të bëhet në sallën e sportit në këtë komunë në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

    Ndërkaq në Leposaviq, sipas njërit nga iniciatorët e peticionit, Vesellin Radoviq, është marrë leje që të shfrytëzohet hapësira para komunës për mbledhjen e nënshkrimeve.

    Sanja Kërtiniq, një nga nismëtaret e kërkesës për nisjen e peticionit në Mitrovicë të Veriut, përmes mediave njoftoi qytetarët që të marrin me vete dokumentet e nevojshme për nënshkrimin e peticionit.

    Radio Evropa e Lirë ka mësuar se drejtuesit e institucioneve paralele u kanë thënë punëtorëve që janë në pushime dimërore dhe nuk gjenden në Mitrovicë të Veriut, se mund ta nënshkruajnë peticionin deri më 21 janar.

    Javën e ardhshme, mbledhja e nënshkrimeve pritet të nisë edhe në Zveçan dhe Zubin Potok.

    Kryetarët në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – janë shqiptarë, pasi partitë dhe popullata serbe bojkotoi zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

    Nënshkrimet për largimin e tyre tani po mblidhen në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili është miratuar në fillim të shtatorit 2023.

    Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen të paktën 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.

    Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote.

    Në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se të paktën 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.

    Në Zubin Potok peticionit duhet t’i përgjigjen së paku 1.347 votues, që është 20 për qind nga 6.732 të votuesve të regjistruar.

    E në Zveçan, që peticioni të jetë i suksesshëm duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona.

    Sipas Udhëzimit Administrativ për shkarkimin e udhëheqësit të komunës, një grup qytetarësh, pas marrjes së autorizimit për të shfrytëzuar një zonë publike apo vend për të nisur një peticion, kanë 30 ditë kohë për të mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e kryetarit. Ky afat mund të zgjatet vetëm një herë deri në 15 ditë.

    Mirëpo, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi javën e kaluar se qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë afat për të mbledhur nënshkrime deri më 22 dhjetor. Ai shtoi se afati për qytetarët e komunës së Zveçanit është më i gjatë për rreth pesë ditë, për shkak në KQZ është dorëzuar më vonë kërkesa për të ditur numrin e saktë të votuesve të regjistruar.

    Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë aq sa kërkohet dhe i verifikon ato, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

    Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

    Nisja e detyrës së kryetarëve shqiptarë në komunat në veri, nxiti tensione në fund të majit të kaluar, tensione që kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

    Iniciativa për shkarkimin e Erden Atiqit, serbët përzgjedhin sallën e sporteve për organizimin e peticionit