ATV

Category: Lajme

  • Dyshimet për shpërthim, Policia tregon çka gjeti në QKUK

    Dyshimet për shpërthim, Policia tregon çka gjeti në QKUK

    Policia e Kosovës njofton se rreth orës 16:15, ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, kanë përfunduar me pastrimin e vendngjarjes nga mjetet e dyshuara në QKUK.

    “Të njëjtat janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe nuk paraqesin rrezik pasi që janë materiale shkollore”, thuhet në përgjigjen e policisë për KosovaPress.

    Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës pak më parë ka njoftuar se sot rreth orës 14:00, është pranuar informata për një mjet të dyshimtë, që dyshohet të jetë mjet shpërthyes, në Institutet Paraklinike, në QKUK, hapësirat ku është vendosur Oda e Mjekëve e Kosovës.

    “Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual, duke evakuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

  • Nesër nis mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e Atiqit

    Nesër nis mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e Atiqit

    Nënshkrimi i peticionit të qytetarëve për shkarkimin e kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, do të fillojë nesër në ora 09:00, ka bërë të ditur Sanja Llazareviq Krtiniq, anëtare e grupit që ka iniciuar procedurën.

    “Në emër të grupit iniciativ për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, po i njoftoj qytetarët se më në fund i kemi marrë të gjitha dokumentet e nevojshme dhe se nesër do të fillojmë me mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit”, ka thënë ajo për RTS-në.

    Ajo ftoi të gjithë qytetarët që nga nesër “të vijnë dhe të mbështesin iniciativën për largimin e Erden Atiqit, duke thënë se ai nuk ka legjitimitet të udhëheqë një komunë ku serbët përbëjnë shumicën e popullsisë dhe që ka marrë vendime kundër interesave të serbëve dhe të gjithë qytetarëve të Mitrovicës”.

    “Pres që qytetarët të përgjigjen, sepse besoj se askush nuk e përkrah udhëheqjen e qytetit tonë në këtë mënyrë dhe shkaktimin e tensioneve”, tha Krtiniq.

    Peticioni do të nënshkruhet në sallën e sporteve në Mitrovicën e Veriut.

  • Evakuohet personeli i QKUK-së pas dyshimeve për granatë dore, Policia jep detaje

    Evakuohet personeli i QKUK-së pas dyshimeve për granatë dore, Policia jep detaje

    Ekipet e deminimit kanë arritur te oborri i Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, meqë dyshohet për disa granata dore.

    Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili tha se policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, teksa shtoi se është evakuuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm.

    “Rreth orës 14:00 është pranuar informata për një mjet të dyshimtë, që dyshohet të jetë mjet shpërthyes, në Klinikën e Patologjisë, respektivisht institutin para klinik. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për tu siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual, duke evakuuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm. Në vendngjarje po ashtu janë ftuar edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, të cilët aktualisht po vazhdojnë punën deri në pastrimin e plotë të perimetrit të siguruar nga ana e policies”, ka deklaruar Borovci.

  • Aliu njofton se është arritur darkordim i dyanshëm për trasenë se kah do të kalojë hekurudha Durrës-Prishtinë

    Aliu njofton se është arritur darkordim i dyanshëm për trasenë se kah do të kalojë hekurudha Durrës-Prishtinë

    Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se tashmë përfundimisht ka një dakordim të dyanshëm për trasenë se kah do të kalojë hekurudha që lidhë Kosovën me Shqipërinë.

    Në llogarinë e tij në Facebook, Aliu ka publikuar pamje se si do të duket ky projekt.

  • Dyshohet për granata dore te një objekt në QKUK, ekipet e deminimit arrijnë në vendngjarje

    Dyshohet për granata dore te një objekt në QKUK, ekipet e deminimit arrijnë në vendngjarje

    Në një objekt të QKUK-së po dyshohet për granata dore.

    Ekipet e deminimit kanë arritur te oborri i Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, meqë dyshohet për disa granata dore, raporton T7.

    Rasti ende nuk është konfirmuar nga Policia e Kosovës.

  • Presidenti ukrainas dhe shefi i NATO-s diskutojnë përgatitjet për samitin e aleancës në ShBA

    Presidenti ukrainas dhe shefi i NATO-s diskutojnë përgatitjet për samitin e aleancës në ShBA

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg diskutuan të martën përgatitjet për samitin e ardhshëm të aleancës në Uashington më 9-11 korrik.

    “Ne diskutuam përgatitjet për samitin e NATO-s në Uashington. Theksova se Ukraina parashikon vendime që do ta afrojnë anëtarësimin e saj në Aleancë”, tha Zelensky në një deklaratë në X, pas takimit që u zhvillua në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

    Zelensky tha më tej se ai dhe Stoltenberg diskutuan situatën në vijën e frontit në Ukrainë, gjatë së cilës ai informoi shefin e NATO-s për sulmet e fundit ajrore ruse në qytetet e Ukrainës dhe theksoi nevojën për të forcuar më tej mbrojtjen ajrore të vendit.

    Të dy palët vunë në dukje gjithashtu rëndësinë e marrëveshjes së sigurisë të nënshkruar midis Ukrainës dhe Mbretërisë së Bashkuar gjatë vizitës së kryeministrit Rishi Sunak në Kiev të premten e kaluar.

    “Unë informova për punën e vazhdueshme të Ukrainës me partnerët për marrëveshje të ngjashme dhe theksova rëndësinë e nënshkrimit të dokumenteve të tilla, të cilat do të jenë në fuqi derisa Ukraina të bashkohet me NATO-n”, shtoi ai.

    Zelensky mbërriti në Davos të hënën, ku deri më tani u takua me homologen e tij zvicerane Viola Amherd dhe krerët e parlamentit dydhomësh të Zvicrës.

    Presidenti i Ukrainës është planifikuar të mbajë një fjalim në Forumin Ekonomik Botëror më vonë gjatë ditës./AA

  • Miratohet Projektligji për noterinë, ministrja Haxhiu zotohet për proces transparent

    Miratohet Projektligji për noterinë, ministrja Haxhiu zotohet për proces transparent

    Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim Projektligjin për noterinë, i cili do të procedohet për në seancë të Kuvendit. Në mbledhjen e këtij komisioni, ku pjesëmarrës ishin vetëm anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, janë prezantuar ndryshimet e bëra në kuadër të këtij projektligji. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se kusht do të jetë provimi i jurisprudencës. Po ashtu theksoi se më 27 janar do të mbahet provimi i noterisë, për çka u zotua se do të ketë transparencë.

    Haxhiu tha se pas hyrjes në fuqi të ligjit bazik janë identifikuar në praktikë vështirësitë që ndërlidhen me çështje të ndryshme të sistemit të noterisë.

    “Së pari vendosjen e provimit të jurisprudencës, si kusht për ushtrimin e detyrës së noterit me qëllim të sigurimit se noterët të cilët kanë autorizime publike dhe ofrojnë shërbime profesionale juridike noteriale të jenë jurist të kualifikuar. Këtë e kemi bërë sepse noteri është i rëndësishëm dhe merret me shërbime publike, prandaj është e rëndësishme që noterët të jenë sa më profesional dhe të ofrojnë shërbime sa më profesionale. Prandaj kemi konsideruar që është e rëndësishme që të vendoset si kusht provimi i jurisprudencës. Po ashtu, mundësimin e digjitalizimit të shërbimeve noteriale nga noterët, gjë që do të lehtësojë qasjen në këto shërbime të qytetarëve dhe do të rris efikasitetin e noterëve”, deklaroi Haxhiu.

    Ajo shtoi se është paraparë edhe forcimi dhe rritja e efikasitetit të sistemit disiplinor të noterëve me anë të themelimit të Komisionit të pavarur disiplinor. Haxhiu tha se përbërja e këtij komisioni do të jetë nga dy gjyqtarë dhe një noter.

    Ministrja e Drejtësisë, Haxhiu tha se me 27 janar do të mbahet provimi i noterisë, ku u zotua për transparencë.

    “Ne gradualisht po afrohemi edhe tek dita 27 janari që është dita kur do të mbahet provimi i noterisë, që është një proces po aq i rëndësishëm dhe për të cilin jam kujdesur shumë që të mos kemi një proces qysh ka ndodhur në vitin 2019. Ka qenë një proces i komprometuar, por që të jetë një proces transparent me përbërje të anëtarëve të komisionit me integritet të lartë”, shtoi ajo.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hydajet Hyseni theksoi se ka abuzim të praktikantëve.

    “Ka indikacione që abuzohet me praktikantët, sidomos me praktikantet. Për shembull u thuhet që nuk mund të pranoheni sepse nëse s’jeni të martuara, sepse nëse martoheni do të jeni pengesë se bëni fëmijë dhe do të jeni pengesë. Diskriminohet veç pse janë të martuara, do të thotë është kusht që të mos jenë të martuara. Ose pavarësisht që u thuhet se mund të qëndrojnë, jepen tre muaj pa pagesë, por pastaj u thuhet më vonë me pagesë dhe pagesa është 30 euro”, u shpreh ai.

    Në lidhje me abuzimin e praktikantëve, ministrja Haxhiu tha se nuk ka informacione por pohoi se ka diskriminim të grave.

    Komisioni për Legjislacion ka miratuar edhe raportin e zbatimit të Ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

  • AAK publikon letër të 2019-ës ku Haradinaj porositi raketat Javelin

    AAK publikon letër të 2019-ës ku Haradinaj porositi raketat Javelin

    Drejtori i Informimit në AAK, Lulëzim Blaka, ka publikuar një pjesë – aneks të letrës së 26 prillit 2019, nr.prot. 2468/2019 dërguar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, për sekretarin Mike Pompeo dhe u.d. të Sekretarit të Mbrojtjes.

    Letra sqaron planin afatshkurtër dhe afatmesëm, që përfshin edhe Javelin, për periudhën 2 deri 4 vjeçare (2021 – 2023).

    ”Armatimi anti-tank, nuk është përgatitje për luftë, apo vendim i momentit, siç disa media (kryesisht nga Tirana), dhe teoricientë qesharak konspiracioni po e pretendojnë”, ka shkruar Drejtori i Informimit të AAK-së Lulëzim Blaka.

    Ai ka vazhduar sqarimin për porositjen e Javelin, duke thënë se “Nuk është as material për t’u krekosur deputetët e VV-së e as ata minoritarë. Është thjeshtë pjesë e planit 10 vjeçar të ngritjes së Ushtrisë, nga ai kryeministër që e themeloi Ushtrinë”.

    Blaka ka përmbyllur statusin duke iu drejtuar edhe deputetit të VV-së, Mefail Bajqinovci dhe të tjerëve, duke thënë:” E tash, Mefë deputeti (që paska pyt se çfarë armatimi ka me na pru opozita), por edhe “konspiracionistët” dhe “ekspertët e sigurisë”, mundem me pa një pjesë, aneks, të letrës së 26 prillit 2019, nr.prot. 2468/2019 dërguar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, për Sekretarin Pompeo dhe u.d. të Sekretarit të Mbrojtjes”.

  • Shpërthimi në Kçiq, Uka: Dy paciente janë të varura nga aparatura

    Shpërthimi në Kçiq, Uka: Dy paciente janë të varura nga aparatura

    Dy nga të lënduarat nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq që po vazhdojnë trajtimin në Mjekimin Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë të varura nga aparatura mjekësore, ndërkaq një paciente tjetër është me vetëdije, ndonëse lëndimet janë serioze.

    Kështu bënë të ditur për KosovaPress, Shaqir Uka, shefi i Mjekimit Intensiv në QKUK, i cila tha se gjendja e tyre është stabile, por që nuk përjashton rrezikun për jetë, meqë sipas tij lëndimet janë serioze.

    Uka potencon se të tre pacientët janë të gjinisë femërore, dhe se mosha e tyre është 12 vjeç, 56 dhe 58 vjeç.

    Ai thekson se pacientët kërkojnë trajtim të gjatë dhe intensiv.

    Ndërkaq, përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress, drejtoresha e Klinikës së Kirurgjisë Plastike, Violeta Zatriqi thotë se gjendja e gjashtë pacientëve të shtrirë në këtë klinikë është stabile.

    Zatriqi tregon se dy nga të hospitalizuarit që ishin shtetas të Gjermanisë, u transferuan atje për të vazhduar mjekimin.

    Të shtunën, Policia e Kosovës njoftoi se 14 persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin në Kçiq të Madh të Mitrovicës së Jugut.

  • OBSh: Vaksinat kundër COVID-it shpëtuan 1.4 milion jetë në Evropë

    OBSh: Vaksinat kundër COVID-it shpëtuan 1.4 milion jetë në Evropë

    Të paktën 1.4 milion jetë janë shpëtuar në Evropë falë vaksinave kundër COVID-19, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke ripërsëritur se virusi ende nuk është zhdukur.

    Në rajonin evropian të OBSH-së – ku përfshihen 53 shtete, edhe ato në Azinë Qendrore – janë regjistruar 277.7 milionë raste me COVID-19 dhe mbi 2.2 milionë vdekje, sipas të dhënave më të fundit, që datojnë që nga dhjetori i vitit 2023.

    “Sot, 1.4 milion njerëz në rajonin tonë – shumica të moshuar – po e shijojnë jetën me më të dashurit e tyre për shkak se u vaksinuan kundër COVID-19”, tha drejtori për Evropë në OBSH, Hans Kluge.

    “Vetëm doza e parë vlerësohet se ka shpëtuar 700.000 jetë”.

    Kluge tha se është qenësore që njerëzit të mbrohen gjatë dimrit, veçmas ata që janë më të cenueshëm.

    “Teksa ne mësohemi të jetojmë me COVID-19 dhe me viruset e tjera që prekin organet e frymëmarrjes, është absolutisht thelbësore që popullata, që është më e cenueshme që t’i rri gati vaksinimit kundër COVID-it dhe të vaksinohet edhe kundër gripit sezonal”.

    Ai insistoi që Evropë duhet të vazhdojë të investojë në sistemet e kujdesit shëndetësor.

    Kluge tha se duhen po ashtu më shumë fonde për të adresuar çështjen e mungesës së punëtorëve shëndetësorë dhe furnizimeve me ilaçe esenciale.

    Sëmundja e koronavirusit fillimisht u shfaq në Vuhan të Kinës në fund të vitit 2019 dhe më pas virusi u përhap në mbarë botën. Në botë janë regjistruar mbi 701 milionë raste me COVID dhe afër 7 milionë viktima./REL/