ATV

Category: Lajme

  • Trusti përmbyll vitin 2023 me rritje rreth 90 milionë euro

    Trusti përmbyll vitin 2023 me rritje rreth 90 milionë euro

    Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës e përmbylli vitin 2023 me plus 87.7 milionë euro kthim bruto nga investimet.

    Në njoftimin e Trustit thuhet se ky ishte viti i 19-të, nga gjithsej 22 vite të operimit, ku institucioni del me rezultat pozitiv nga investimi i kursimeve pensionale.

    “Kjo shpiu në plus (+750 milionë) euro kthim të gjithmbarshëm bruto prej themelimit. Arkëtimi i kontributeve të reja në 2023-shin, në vlerë 286 milionë euro, pasqyron një rritje rekorde krahasuar me vitin paraprak, si në vlerë nominale (+44 milionë euro) por edhe si përqindje (+18.2%)”, thuhet në komunikatë.

    Sipas Trustit kontributet e reja, bashkë me kthimin në investime, ndryshe nga tërheqjet e kursimeve dhe tarifat, kanë kontribuuar pozitivisht që mjetet neto nën menaxhim të FKPK-së të rriten sivjet për +291 milionë euro dhe kështu tejkalojnë vlerën e 2.7 miliardë eurove.

    “Sikurse e kemi bërë të ditur vitin e kaluar, FKPK-ja prej vitit 2022 operon me dy portofole investuese: (1) Portofolin Standard – për kontribuuesit nën moshën 63 vjeçare; dhe (2) Portofolin Konservativ – për kontribuuesit e moshës 63 vjeçare e sipër; dhe raportimet për këto dy portofole, që edhe kanë performancë të ndryshme, bëhen të ndara”, thuhet në komunikatë.

    Ndërsa, për pritshmëritë për vitin 2024 thuhet se ekziston një vlerësim që ngritja e përgjithshme ekonomike globale për vitin 2024 do të jetë rreth 2.4 për qind.

    Sipas Trustit ky parashikim vlerëson se kështu do të jetë viti i tretë rresht që ekonomia globale do të ketë regres në ngritjen ekonomike.

    “Nën këto kushte, dhe në vlerësim të rreziqeve gjeopolitike në rritje, Bordi Drejtues i FKPK-së pritet të vazhdojë me vendime investuese që ndërmarrin risk të moderuar investues. Gjithsesi se vendimi më i rëndësishëm i vitit në vijim do të jetë inicimi i zbatimit të portofolit të tretë investues, për të cilin do të ketë njoftime të detajuara para fillimit të tij”, thuhet në komunikatë.

  • Në seancë private për publikun, vazhdon edhe sot dëshminë dëshmitari i 40-të i ZPS-së në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në seancë private për publikun, vazhdon edhe sot dëshminë dëshmitari i 40-të i ZPS-së në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë dëshmitari i 40-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin W01493, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitar, i cili sipas ZPS-së ishte pjesë e Zonës Operative të Dukagjinit, po dëshmon me masa mbrojtëse si dhe kundërpyetjet për atë është duke i parashtruar në seancë private, avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Para se të fillohet me marrjen në pyetje të këtij dëshmitari, avokati Mishetiq kishte disa dokumente për t’i paraqitur si prova materiale, e që këtë gjë e bëri në seancë private.

    Ndryshe, përveç Jakup Krasniqit i cili po e ndjek seancën e sotme përmes video-lidhjes, të gjithë të akuzuarit e tjerë janë të pranishëm në sallë.

  • Me veturën pa regjistrim tejkaloi shpejtësinë e caktuar, dënohet me gjobë 300 euro e 6 muaj heqje të patentës shoferi nga Ferizaj

    Me veturën pa regjistrim tejkaloi shpejtësinë e caktuar, dënohet me gjobë 300 euro e 6 muaj heqje të patentës shoferi nga Ferizaj

    Policët e Njësisë së Komunikacionit Rrugor kanë shqiptuar gjobë trafiku ndaj një 39 vjeçari në Ferizaj.

    I njëjti në zonën 50km/h kishte vozitur në shpejtësi prej 104km/h.

    Po ashtu edhe vetura ishte me afat të skaduar prej shtatorit të vitit të kaluar.

    “Me datën 16.01.2024 rreth orës 09:24 në rrugën ” Driton Islami” në Ferizaj ka ndaluar shoferin J.R (M/K) i moshës 39 vjeçar, i cili ka bërë tejkalimin e shpejtësisë, ku në zonën e kufizimit 50 km/h ka zhvilluar shpejtësi 104 km/h, Ndërsa veturës i kishte skaduar regjistrimi që nga data 23.09.2023″- shkruan në njoftimin zyrtar.

    Ndaj tij, policia i shqiptoi një gjobë për kundërvajtje, 300 euro, 3 pikë negative dhe 6 muaj masë mbrojtëse, heqje e patent shoferit.

    Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka apeluar tek shoferët e automjeteve që të respektojnë shenjat e komunikacionit

  • KMLDNj-ja i reagon Cramonit: Serbët në Kosovë në shumë fusha janë më të priviligjuar se shumica absolute, ata nuk kanë paguar asgjë që nga paslufta

    KMLDNj-ja i reagon Cramonit: Serbët në Kosovë në shumë fusha janë më të priviligjuar se shumica absolute, ata nuk kanë paguar asgjë që nga paslufta

    Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon derisa ishte në vizitë në Kosovë në Manastirin e Graçanicës, e shoqëruar nga krerët më të lartë të Kishës deklaroi se të gjitha objektet fetare si dhe trashëgimia kulturore janë pronë e Kishës Ortodokse Serbe duke e përjashtuar Kosovën krejtësisht nga kjo e drejtë.

    “Natyrisht se kjo ishte deklaratë politike për të ledhatuar egon e Kishës ndryshe do të duhej të ishte më e rezervuar në këto deklarata që vetëm shkaktojnë fërkime të panevojshme ndërfetare dhe ndëretnike. Pastaj, që sa është e pavërtetë, është edhe skandaloze deklarata e saj se: “në bazë të bisedës me përfaqësuesit e serbëve ka dëgjuar se ata ndjehen si qytetarë të rendit të dytë….”- shkruan në reagimin e KMLDNj-së.

    Sipas tyre serbëve në Kosovë nuk iu mohohet asnjë e drejtë që iu takon sipas ligjeve në fuqi madje, në shumë fusha janë më të privilegjuar se shumica absolute e që janë shqiptarë kurse pakicat tjera nacionale në Kosovë janë jashtëzakonisht të diskrimunuara krahasuar me serbët.

    “Serbët nuk kanë paguar, që nga përfundimi i luftës faturat për rrymë, mbeturina, ujë, tatim në pronë dhe shërbime tjera sikur që as sot e kësaj dite nuk i paguajnë këto fatura në Veri të Kosovës. Për vite të tëra marrin rroga nga Buxheti i Kosovës pa punuar edhe as një ditë të vetme. Dhuna ndëretnike është në nivelin më të ulët të mundshëm dhe shumë më i ulët se në vendet e rajonit përfshirë këtu edhe Serbinë. Vendet e punës në Gjyqësorë, prokurori, polici, FSK dhe institucionet tjera buxhetore nuk i kanë lëshuar për shkaqe ekonomike por sipas kërkesës politike të Beogradit”, shkruan mes tjerahs në reagimin zyrtar.

    Aty përmendet po ashtu fakti se serbët në Veri të Kosovës por edhe në pjesët tjera kanë ndërtuar një sistem arsimor me kurikula të Serbisë dhe një jetë paralele ekonomike dhe politike.

    “Viola von Cramon nuk është aspak korrekte gjatë raportimit dhe, me qëndrimet e saj trimëron serbët që të mos integrohen në institucionet e Kosovës. Në këtë funksion janë edhe deklaratat e saj gjatë vizitës së fundit në Kosovë e që e bie në dyshim serioz raportimin e saj për një qëndrim të paanshëm, të pandikueshëm dhe të pavarur që do të duhej të ishte misioni i saj si Raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën.”- thuhet në reagim.

  • ​Miratohet në parim projektligji për noterinë

    ​Miratohet në parim projektligji për noterinë

    Në mbledhjen e sotme, Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim projektligjin për noterinë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se me 27 janar do të mbahet provimi i noterisë. Ajo u zotua se po synojnë që të jetë proces transparent.

    Tutje, deklaroi se nuk ka informacione në lidhje me abuzimet qe bëhen për praktikantët.

    “Unë kam informacione sa i përket diskriminimit të grave. Unë mendoj që gradualisht jemi në rrugë të mirë për ta rregulluar këtë çështje”, tha ajo.

    Komisioni për Legjislacion po ashtu po shqyrton raportin e punës për vitin e kaluar.

  • Betohen në Presidencë ministrat e rinj të kabinetit të Edi Ramës

    Betohen në Presidencë ministrat e rinj të kabinetit të Edi Ramës

    Ministrat e rinj që u miratuan një ditë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, janë betuar sot në ambientet e Presidencës.

    Adea Pirdeni, nis kështu punën si Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Blendi Gonxhja u beua dhe nis punën si Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ndërkohë që Ervin Mete mbetet si, Ministër i Financave, tashmë e shkëputur nga ekonomia.

    Presidenti Bajram Begaj, u dorëzoi atyre dekretin përkatës të emërimit duke i uruar suksese në detyrën e tyre.

  • Konjufca takon Igli Hasanin

    Konjufca takon Igli Hasanin

    Pas takimit me homologen e tij nga Kosova dhe Presidenten Osmani kryediplomati shqiptar, Igli Hasani është pritur në takim nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjofca, raporton EO.

    Nga ky takim, mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje para takimit, ndërsa nuk është paralajmëruar ndonjë konferencë për media.

  • Trajkoviq: Bomba në veri, mesazh për serbët se mund t’u ndodhë si Ivanoviqit

    Trajkoviq: Bomba në veri, mesazh për serbët se mund t’u ndodhë si Ivanoviqit

    Politikania serbe Rada Trajkoviq ka thënë se eksplodimi i së hënës në Mitrovicën e Veriut është mesazh për serbët në veri se mund të pësojnë njëjtë si Oliver Ivanoviqi, që u vra gjashtë vjet më parë.

    Të hënën në mbrëmje, dy persona pësuan lëndime në Mitrovicë të Veriut si pasojë e një shpërthimi të një granate dore në afërsi të një hoteli.

    “Ky në fakt është mesazhi”, ka thënë ajo duke shtuar se kur shteti nuk punon për sigurinë e qytetarëve dhe “i lejon pjesëmarrësit në organizimin e vrasjes së Ivanoviqit të dominojnë, ky lajm s’përbën befasi”. “Ky është mesazh, mbi të gjitha, për serbët e veriut të Kosovës: Ne jemi këtu! Nëse nuk jeni besnikë, do të përfundoni si Oliveri”, ka shtuar Trajkoviq.

    Në një intervistë për “N1”, Trajkoviq ka kujtuar se Milan Radoiçiqi e Zvonko Veselinoviq janë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa ka përsëritur se janë të lidhur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe si biznesmenë janë bërë milionerë. Radoiçiqi e Veselinoviqi janë të akuzuar për rastin e Ivanoviqit, e që ndodhen në arrati.

    Radoiçiqi ka marrë përgjegjësinë edhe për sulmin terrorist të Banjskës më 24 shtator. Trajkoviq ka thënë se ka spekulime se ai po përgatit hakmarrje.

    “Ka spekulime se është përreth veriut dhe se po përgatit hakmarrje për vrasje të të rinjve”, ka thënë ajo.

    Trajkoviqi ka thënë se fuqia e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është e rrezikshme për shtetin dhe popullin serb. Sipas saj, Vuçiqi duhet të përgjigjet për rastin e Banjskës dhe lidhjen me Radoiçiqin.

    Në fund të dhjetorit, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër të pandehurit M.M. për rastin e vrasjes së politikanit serb. Prokuroria ka njoftuar se aktakuza është ngritur për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, ‘’Kanosja” dhe ‘’Falsifikimi i dokumenteve”. Në rastin për vrasjen e Ivanoviqit, po gjykohen gjashtë persona, katër prej tyre ish-policë. Ata akuzohen se ndihmuan në forma të ndryshme në vrasjen e politikanit nga Mitrovica dhe se e dëmtuan procesin hetimor për zbardhjen e rastit. Të akuzuar të tjerë që ndodhen në arrati janë Millan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq e Zheljko Bojiq.

  • Haradinaj: I pikëlluar nga lajmi për vdekjen e poetit të madh Adem Gashi

    Haradinaj: I pikëlluar nga lajmi për vdekjen e poetit të madh Adem Gashi

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është i pikëlluar nga lajmi për vdekjen e shkrimtarit dhe poetit të madh shqiptar, Adem Gashi.

    Sipas tij, njerëzit si poeti ynë i shquar e i dashur, kur ikin në botën tjetër, gjithmonë lënë boshllëk kudo që ata ishin prezent, si në familje, mes miqsh, shtet e komb.

    “Ngushëllime familjes Gashi, miqve dhe gjithë atyre që e njohën poetin tonë! Ademi, u prehtë në paqe!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

  • Canak pozon me “Javelin”: Mësohet për 30 minuta, shumë gjëra do të ndryshojnë kur të arrijë në Prishtinë

    Canak pozon me “Javelin”: Mësohet për 30 minuta, shumë gjëra do të ndryshojnë kur të arrijë në Prishtinë

    Politikani nga Vojvodina, Nenad Canak, ka bërë një postim në profilin e tij në platformën “X” ku tregon se si në Ukrainë ka mësuar që ta përdor sistemin anti-tank “Javelin”, sistem ky që Kosova po pret miratimin e Kongresit për ta blerë nga SHBA-ja.

    Canak ka thënë se gjatë vizitës në Ukrainë ka pasur mundësinë që ta shoh se si duket një tank pas kontaktit me “Javelin”. Ai tutje ka potencuar se ka mësuar se si përdoret dhe së ushtrimi për përdorim mund të bëhet për 30 minuta.

    Nenad Canak thotë se nëse dhe kur “Javelin” të arrijë në Prishtinë, shumë gjëra do të ndryshojnë.

    “Në Ukrainë, pata mundësinë të shoh se si duket tanku pas takimit me Javelin. Dhe pata mundësinë të mësoja se si ta përdorja atë. Trajnimi i përdoruesit mund të bëhet në gjysmë ore. Nëse (kur?) “Javelin’ arrin në Prishtinë, shumë gjëra do të ndryshojnë tani”, ka shkruar ai.