ATV

Category: Lajme

  • ​Ndalimi i dinarit serb, buxheti i Kosovës do të ketë përfitime

    ​Ndalimi i dinarit serb, buxheti i Kosovës do të ketë përfitime

    Buxheti i shtetit do të ketë përfitime, vlerësojnë njohës të ekonomisë pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb në vend. Sipas tyre, që nga pavarësia nuk është respektuar neni që përcakton përdorimin e një valute. Të njëjtit presin përmirësim të gjendjes financiare në vend, e po ashtu edhe pasqyrë më të shëndetshme të ekonomisë.

    Përveç kësaj, përdorimi i dinarit ka qenë antiligjor dhe antikushtetuese. Në nenin 11 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme, ndërsa me Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), po ashtu, thuhet se sipas kërkesës Banka Qendrore do të këmbejë kartëmonedhat dhe monedhat euro.

    Ani pse vendim i vonuar, ekspertët e ekonomisë thonë për KosovaPress, se ky vendim është i mirëseardhur.

    Njohës i ekonomisë Besnik Avdija thotë se një gjë e tillë duhet të implementohet në mënyrë të kujdesshme.

    “Qysh nga krijimi i shtetit tonë, pavarësisë, kushtetutës, në Kosovë nuk është respektuar neni që përcakton përdorimin e një valute të vetme. Pra, ka munguar implementimi i mekanizmave kontrollues përmes të cilëve është dashur që të kontrollohen transaksionet financiare të bizneseve në Kosovë, të cilat nuk e përdorin euron, që është përcaktuar si valutë në venin tonë. Kjo rregullore është e mirëseardhur me kusht që implementimi saj në mënyrë të kujdesshme të arrijë deri tek integrimi i shoqërisë të qytetarëve serb në komunat ku përbejnë shumicën, por edhe i entiteteve biznesore, të integrohen në sistemin fiskal dhe monetar tonin pa pasur komplikime të mëtejme që vinë kryesisht si rezultat i presioneve të jashtme që kanë për qëllim çrregullimin e rendit kushtetues në vendin tonë”, thotë Avdija.

    Ai shton se vendimi për ndalimin e dinarit serb nënkupton që transaksionet financiare do të regjistrohen në përputhje me ligjin në fuqi.

    “Në aspektin ekonomik për vendin tonë është shumë pozitive, për shkak se këto transaksione financiare që kanë qenë ekzistuese de-facto te ne, tashmë do të regjistrohen edhe në mënyrë të ligjshme, dhe përmes këtyre transaksioneve buxheti i shtetit ka përfitime. Pastaj, ka përfitime sistemi financiar te ne, sistemi makro fiskal, por në përgjithësi është një pasqyrë më e shëndetshme e ekonomisë dhe gjendjes financiare në vendin tonë”, tha Avdija.

    Edhe eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadrija e vlerëson pozitive vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës.

    “Është për t’u përgëzuar, diçka e vonuar, dhe në këtë drejtim është në rregull, për faktin që BE na ka imponuar që ne të punojmë me valutën euro, ne duhet të shtrijmë autoritetin në tërë territorin e Kosovës, dhe duhet ta ketë të qartë si komuniteti serb, si Serbia e çdokush që në Kosovë valutë legale është euro. Në këtë drejtim duhet të punohet me euro. Nëse bëhet ndonjë ndryshim apo ndërrim valutash, është diçka tjetër, por te pjesa e tregtisë dhe e këmbimit duhet të jetë thjesht valuta euro. Kushdo që ka pakënaqësi mund të jenë subjektiv, por nga ana objektive dhe ana e funksionimit të shtetit është në rregull, dhe do ta kuptojnë edhe minoriteti serb që në Kosovë është regjimi i valutës euro, edhe është diçka shumë e qartë”, thotë Kadriaj.

    Ai thotë për KosovaPress se shfrytëzimi i dinarit serb ka dëmtuar anën fiskale të ekonomisë së Kosovës.

    “Uroj që në këtë drejtim autoriteti i Kosovës të shtrihet një hap para dhe është diçka e kuptueshme, sepse gjithmonë është përmendur si ekonomi grirëse, si një korridor veriu që në fakt e ka dëmtuar nga ana fiskale edhe në përgjithësi ekonominë e vendit, pra në këtë drejtim është diçka e mirëseardhur dhe e mirëpritur…Nga aspekti ekonomik, shtetëror është diçka shumë e qartë dhe e kuptueshme, sepse përderisa në shtetin verior ka regjimin dinar, është diçka që në atë vend po punohet me dinar, dhe në këtë rast ne Republikën e Kosovës kemi regjimin e euro-s, është në rregull. Ne jemi në pajtim me vetë BE-në”, tha Kadriaj.

    BQK ka vendosur që nga 1 shkurti 2024, valuta e vetme e lejuar për transaksione të pagesave me para të gatshme në Kosovë do të jetë euro, derisa në vendim kanë theksuar se po ashtu se BQK-ja është autoriteti i vetëm monetar që mund të vendosë për denominimet e lejuara të valutës euro për qarkullim në Kosovë.

    “Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 35 të kësaj rregulloreje.

    Në anën tjetër, për vendimin e BQK-së ka reaguar gjatë ditës së djeshme edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duke thënë se “ky veprim i Kurtit do të nënkuptonte jo një largim të heshtur, por të zëshëm të serbëve nga Kosova”.

    Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, përdoret dinari serb për të kryer pagesa. Me dinarë paguhen edhe pensionet që serbët marrin nga Serbia, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

    Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët përdoren në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri çmimet janë me dinarë. /kp

  • ​KMDLNJ: Keqpërdorime të mëdha me faturat e rrymës, askush s’ndihet përgjegjës

    ​KMDLNJ: Keqpërdorime të mëdha me faturat e rrymës, askush s’ndihet përgjegjës

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë çdo mundësi ligjore për shkak të faturave të larta të energjisë elektrike, duke mos përjashtuar as mundësinë e organizimit të protestave si e drejtë demokratike.

    Në një reagim për media, KMDLNJ thotë se qytetarët e Kosovës janë plaçkitur me faturat e fundit (dhjetor 2023) që, në jo pak raste janë 400 për qind më të larta se ato të muajit paraprak (nëntor 2023).

    KMDLNJ përkujton se ka kërkuar hetime nga Prokuroria e Shtetit dhe që qytetarët të mos i paguajnë faturat e plota, por të ankohen dhe të ngrenë padi në gjykata dhe të kundërshtojnë në mënyrë të organizuar përmes protestave.

    KMDLNJ ka folur edhe rreth seancës së sotme plenare ku po debatohet mbi çmimet e larta të energjisë elektrike, duke thënë pozita me çdo kusht po përpiqet ta arsyetojë “këtë hajni të pashembullt që iu bëhet qytetarëve të Kosovës”.

    “Në seancën e jashtëzakonshme dolën pohimet se rryma që e blihet me 2 euro e 90 centë ndërsa u faturohet qytetarëve 14 euro e 45 centë, gjë e cila është fakt i mjaftueshëm që të bëhen hetimet e shpejta. Në këtë mes do të gjendej edhe përgjegjësia institucionale. 100 eurot e ndara nga Qeveria kanë qëllim për mbytje të zhurmës ndërsa subvencionimi ka filluar vetëm pasi pati reagime të shumta dhe për t’i shmangur kundërshtimet e organizuara të qytetarëve që janë vjedhur haptas dhe ka dyshime edhe nga segmente të caktuara institucionale”, thuhet në reagim.

    KMDLNJ kundërshton keqpërdorimet e pamohueshëm duke kërkuar hetime dhe përgjegjësi sikur që e ka kundërshtuar diskriminimin e qytetarëve/ konsumatorëve në baza etnike si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.

    Në këtë kontekst KMDLNJ ka kundërshtuar takimin me ZRRE-në pasi ky i fundit ka përgjegjësinë kryesore institucionale për situatën e krijuar.

  • Musliu: Në ditët e para të këtij viti mbi 20 ushtarë e lanë FSK-në, kjo qeveri meriton të rrëzohet me dhunë

    Musliu: Në ditët e para të këtij viti mbi 20 ushtarë e lanë FSK-në, kjo qeveri meriton të rrëzohet me dhunë

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se Qeveria që “s’po mund ta ngopë me bukë” popullit”, s’mund t’i bind ata për t’i mobilizuar për luftë.

    Musliu tha në Kuvend se në ditët e para të këtij viti, mbi 20 ushtarë e kanë lënë FSK-në.

    “Një popull që s’po mund ta ngopë me bukë, nuk do të mund t’i mobilizojë, ashtu siç po thërret, për luftë. Sot kur po flasë në këtë foltore, për 17 ditë që kanë kaluar të këtij viti, mbi 20 ushtarë të FSK-së janë demobilizuar. Dhe numri është në rritje çdo ditë”, tha ajo, pasi lexoi mesazhin e një qytetari i cili ajo tha se ankohej se s’po mund t’i ushqejë familjarët, e lëre më t’i paguajë faturat e energjisë elektrike.

    Musliu iu kërkoi qytetarëve që ta marrin guximin të protestojnë, ndërsa tha se kjo qeveri e meriton të rrëzohet “me dhunë”.

    “Qytetarë të Republikës së Kosovës, nëse qytetarët e Gjermanisë marrin guximin, kurajon të dalin dhe të protestojnë për të drejtat e tyre, pse ju nuk guxoni të dilni t’i kërkoni të drejtat tuaja. Kjo qeveri e meriton me dhunë, qysh ka ardhë në pushtet, me dhunë të shkojë te shtëpia”, tha ajo.

  • Hoti: Për 3 vjet ka mundur të nisë ndërtimi i një termocentrali, Qeveria s’e ka as në plan

    Hoti: Për 3 vjet ka mundur të nisë ndërtimi i një termocentrali, Qeveria s’e ka as në plan

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se “strategjia për energji 2022-2031” e hartuar nga Qeveria duket “si dokument i ndonjë OJQ-je”.

    Hoti tha në seancën e sotme të Kuvendit se Qeveria nuk bëri asgjë për kapacitete të reja energjetike.

    “Tani ju mund të thoni që për 3 vjet nuk ndërtohet një termocentral i ri, por mund të fillohet. Do të duhej të kishte filluar brenda kësaj periudhe”, tha ai.

    Hoti tha se kur mandati i Qeverisë po shkon drejt fundit, nuk ka “as plan për ndërtimin e kapaciteteve të reja”.

    “E vërtetë është se mandati po kryhet. Nuk ka kapacitetetë reja energjetike dhe as nuk ka plan për ndërtimin e kapaciteteve të reja. E vërteta është se çmimi i energjisë është shtrenjtuar 115%. E vërteta është se janë subvencionuar hotele, markete, ambasada, aeroporti dhe plot biznese tjera joesenciale”, tha Hoti.

    Ai tha se zgjidhja nuk është e lehtë, por tha se “fakt është që në mandatin e kësaj qeverive, rrjedhja e vendimeve për të stabilizuar situatën në sektorin e energjisë, është në drejtim të gabuar, komplet në drejtim të gabuar”.

  • Varroset në Kosovë gruaja zvicerane që e dha gjithë pasurinë për UÇK-në

    Varroset në Kosovë gruaja zvicerane që e dha gjithë pasurinë për UÇK-në

    Bashkësia Islame e Kosovës njofton se të mërkurën në Lubiçevë (Malesi e Vërrinit) të Prizrenit është varrosur me rite fetare islame zviceranja Elizabetë Poniku.

    Ajo njihet si gruaja që dha gjithë pasurinë e saj për UÇK-në.

    Elizabeta, e bija e një legjionari e ushtaraku, në vitet e ’90-ta u martua me Ahmet Ponikun nga Prizreni.

    Pas kontaktit me gjeneral Jashar Salihun në Zvicër, Elizabeta u emërua pjesë e logjistikës së Shtabit të UÇK-së atje, ku në forma të ndryshme, si nga ana e organizimit luftarak, po ashtu edhe nga ana e armatimit, e ndihmoi i Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

    Elizabeta la amanet që pas vdekjes të varroset në Kosovë.

  • ShBA-ja nis rundin e katërt të sulmeve ndaj objektivave Houthi në Jemen

    ShBA-ja nis rundin e katërt të sulmeve ndaj objektivave Houthi në Jemen

    Shtetet e Bashkuara kanë kryer një raund të katërt sulmesh ndaj Houthi-ve të mbështetur nga Irani në Jemen, konfirmuan zyrtarët e Pentagonit të mërkurën mbrëma.

    Rreth 14 raketa Houthi, për të cilat SHBA thotë se mund të kenë qenë të destinuara për sulme ndaj anijeve në Detin e Kuq, u vunë në shënjestër të forcave amerikane.

    Sulmet vijnë pasi SHBA i cilësoi Houthi-t si “terroristë globalë”.

    Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha se masa, e cila anuloi një vendim për të hequr përcaktimin në ditët e para të administratës së Biden, ishte në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme të militantëve ndaj anijeve tregtare në rajon.

    Houthi-t filluan të sulmojnë anijet tregtare në nëntor, duke thënë se po i përgjigjeshin operacionit ushtarak të Izraelit në Gaza. Që atëherë, grupi ka nisur dhjetëra sulme ndaj cisternave komerciale që kalojnë nëpër Detin e Kuq, një nga korsitë më të ngarkuara të anijeve në botë.

    Si përgjigje, SHBA dhe Britania e Madhe nisën një valë sulmesh ajrore kundër dhjetëra objektivave Houthi më 11 janar. Sulmet – të mbështetura nga Australia, Bahreini, Holanda dhe Kanadaja – filluan pasi forcat Houthi injoruan një ultimatum për të ndërprerë sulmet e tyre në rajon, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Jemeni është shkatërruar nga një luftë civile që u përshkallëzua në vitin 2015, kur Houthi-t morën kontrollin e pjesëve të mëdha të perëndimit të vendit nga qeveria e njohur ndërkombëtarisht dhe një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri në një përpjekje për të rivendosur sundimin e tij.

    Luftimet thuhet se kanë lënë më shumë se 160.000 njerëz të vdekur dhe kanë shkaktuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë, me dy të tretat e popullsisë – 21 milionë njerëz – në nevojë për një formë ndihme.

  • Shtrenjtohet nafta

    Shtrenjtohet nafta

    Çmimet e naftës u rritën për shkak të disa faktorëve, duke përfshirë mundësinë e ndërprerjeve të prodhimit në SHBA nga të ftohtit ekstrem, nënvlerësim i dollarit amerikan, parashikimet e ngritura të kërkesës së OPEC-ut dhe përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme.

    Nafta e papërpunuar standarde ndërkombëtare Brent u tregtua me 78.35 dollarë për fuçi, një rritje prej 0.60% nga çmimi i mbylljes prej 77.88 dollarësh për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të mërkurën.

    Standardi amerikan, West Texas Intermediate (WTI), tregtohej në të njëjtën kohë me 73.13 dollarë për fuçi, 0.89% më pak nga mbyllja e së mërkurës prej 72.48 dollarësh për fuçi. Të dy standardet shënuan rritje margjinale pasi OPEC parashikoi kërkesë më të lartë për naftë në vitin 2025. /AA

  • Lista Serbe: Vendimi i BQK-së për dinarin rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë

    Lista Serbe: Vendimi i BQK-së për dinarin rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë

    Lista Serbe e ka cilësuar si “dëbim të serbëve” nga zonat ku ata jetojnë në Kosovë, vendimin e Bankës Qendrore që vetëm valuta euro të përdoret për kryerjen e transaksioneve me para të gatshme.

    Sipas partisë kryesore të serbëve në Kosovë – që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ky vendim, që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt, do të pamundësojë që serbët të përdorin dinarin serb në Kosovë, duke thënë se kjo është e barasvlershme me dëbimin e tyre “nga këto zona pa përdorimin e armëve”.

    “Pas të gjitha formave të dhunës institucionale që u përdorën kundër popullit serb nga regjimi autoritar i [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit dhe që nuk arriti t’i dëbojë të gjithë serbët nga Kosova, ai tani ka vendosur të ndalojë dinarin në Kosovë dhe kështu të kërcënojë drejtpërdrejt mbijetesën fizike të popullit serb”, u tha në reagimin e Listës Serbe.

    BQK-ja miratoi një rregullore për operacionet për paratë e gatshme në të cilën u tha se valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare” dhe me to mund të kryen pagesa ndërkombëtare dhe këto valuta po ashtu mund të përdoren për këmbim.

    Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia atje përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë. Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

    Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët përdoren në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.

    “Duke pasur parasysh se sa i rrezikshëm është ky vendim, zbatimi i tij do të shkaktonte spastrim klasik etnik të serbëve dhe joshqiptarëve të këtyre viseve”, tha Lista Serbe, duke shtuar se ky vendim duhet të jetë “alarm për përfaqësuesit ndërkombëtarë që të reagojnë urgjentisht”, në mënyrë që ai të mos nisë së zbatuari.

    Deri më tani, dinarët në Kosovë qarkullojnë përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë” e cila vepron në vendbanimet e banuara me serb në Kosovë. Llogari në dinarë ka edhe në bankat “Postanska stedionica” (Kursimore e Postës) dhe “NLB Komercijalna banka”.

    Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”.

    Në rregulloren e BQK-së u tha se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë është e drejtë ekzekutive e saj.

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë për televizionin serb, Pink, se për përdorimin e dinarit në Kosovë ka biseduar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe për këtë çështje e ka njoftuar Brukselin. /rel

  • ​Kurti-Denkov diskutojnë mbi raportet Kosovë-Bullgari

    ​Kurti-Denkov diskutojnë mbi raportet Kosovë-Bullgari

    Në ditën e tretë të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot është takuar me homologun e tij bullgar Nikolai Denkov, me të cilin ka diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe situatën e sigurisë në rajon.

    Në takim u bisedua edhe për 13 marrëveshjet e nënshkruara deri më tani ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, dhe shtatë të tjera që janë në proces të finalizimit, për bashkëpunim ndërshtetëror dhe rajonal.

    Kryeministri Kurti e falënderoi homologun e tij bullgar për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, për përkrahjen aktive në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe për kontributin në fushën e sigurisë e mbrojtjes përmes pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it.

  • Gashi: Kurti ia shet kilovatin KEDS-it për 3 centë, e KEDS-i ia shet 14 centë qytetarit

    Gashi: Kurti ia shet kilovatin KEDS-it për 3 centë, e KEDS-i ia shet 14 centë qytetarit

    Shefi i grupit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Qeveria Kurti ia shet 3 centë kilovatin KEDS-it, ndërsa sipas tij, KEDS-i atë kilovat ia shet 14 centë qytetarit.

    Kështu ka thënë ai nga foltorja e Kuvendit, ku po bëhet shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

    “Qeveria e Kosovës aksionar si aksionar, ia shet me 3 centë kilovatin KEDS-it, e KEDS-i atë kilovat ia shet 14 centë qytetarit të Kosovës”, është shprehur deputeti Gashi.