ATV

Category: Lajme

  • Lëndohet rëndë 23 vjeçarja që u zu nga çatia e komunës së Prishtinës

    Lëndohet rëndë 23 vjeçarja që u zu nga çatia e komunës së Prishtinës

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Një vajzë 23-vjeçare është lënduar si pasojë e goditjes nga pjesë e çatisë e cila ra nga objekti i Komunës së re në Prishtinë.

    Si pasojë e lëndimeve të rënda, ajo menjëherë u dërgua në emergjencë.

    “Pacientja ka lëndime të rënda trupore, do të dërgohet në klinikën intensive”, tha drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla.

    Derisa vajza merrte trajtimin, në vendin e ngjarjes po punohej që rrëmuja të largohej e të hapej rruga.

    Dyshimet fillestare, sipas zyrtarëve komunalë, çojnë tek era e fortë.

    “Dyshimet fillestare janë që është rrëzuar nga era e fortë, por për momentin nuk kemi raport final. Jemi në pritje…”, tha drejtori i Emergjencave në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica.

    Por, era e fortë në të cilën drejtori i emergjencave në komunë, aludoi që është shkaktar i incidentit, nuk dëmtoi asgjë tjetër në kryeqytet.

    “Jo era nuk ka dëmtu asgjë tjetër…”, tha Fushtica.

    Derisa komuna e Prishtinës nuk e ka të qartë situatën dhe pret raporte përfundimtare, Prokuroria tashmë ka nisur hetimet dhe rastin e ka iniciuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

    Objekti i komunës së Prishtinës është përuruar në vitin 2009.

    Por, çatia u rindërtua edhe njëherë në vitin 2023. Tenderin 380 mijë eurosh, për ta kryer këtë punë e kishte fituar një kompani nga Komuna e Suharekës.

  • Avokati serb: Ndjej dhembje për qytetarët e vrarë në Kosovë, nuk i frikësohem arrestimit

    Avokati serb: Ndjej dhembje për qytetarët e vrarë në Kosovë, nuk i frikësohem arrestimit

    Çedomir Stojkoviq, avokati i politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, ka bërë homazhe sot te varri i Blerina Jasharit, shtatëvjeçares së vrarë nga forcat serbe gjatë sulmit ndaj familjes Jashari në Prekaz në vitin 1998.

    Ai në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz, pasi bëri nderimet dhe kërkim-faljen, tha se nuk frikësohet nga arrestimi sikur që i ndodhi politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq.

    Stojkoviq la edhe një mesazh, ku thuhej “Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet, dhe miliona shpresa dhe ëndrra. Të cilat fillojnë me fjalën ‘Më fal’”.

    “Nëse vendi im e ka arrestuar dhe rrahur Nikolla Sanduloviq sepse ka vendosur lule në këtë vend sipas ndërgjegjes dhe sipas mendimit të tij, tani vendi im ka mundësinë të më arrestojë edhe mua dhe t’i shpallë botës se ka një rregull të ri sipas të cilit vendosja e luleve të pajtimit në varret e kombeve të tjera dënohet me burgim. Nëse nuk është kështu, atëherë duhet t’i shpjegojnë të njëjtës botë pse trëndafilat e mi janë të ndryshëm nga trëndafilat e Nikollës apo dikujt tjetër, pse unë jam një përjashtim që nuk jam arrestuar… Blerina, urrejtja vdes, por ti do të jetosh përgjithmonë”, tha ai.

    Avokati serb shkoi edhe vizitoi nga afër edhe kompleksin e Jasharëve, nga ku bëri thirrje që shqiptarët dhe serbët të jetojnë së bashku në paqe.

    Ai tha se për shkak të propagandës së presidentit serb Aleksandër Vuçiq, por edhe ish-kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq, populli serb nuk e dinë se çka ka ndodhur në Kosovë.

    “Aleksandër Vuçiq dëshiron më shumë pushtet dhe dëshiron të mbetet në pozitën e pushtetit. Dhe kjo është arsyeja pse ai krijon gjithnjë e më shumë urrejtje, sepse nëse serbët mendojnë se shqiptarët janë terroristë, nëse serbët mendojnë se perëndimi i urren serbët, atëherë serbët do të izolohen vetë, me vullnetin e tyre, dhe kështu sundojnë diktatorët”, deklaroi ai.

    Stojkoviq ditë më parë ka paralajmëruar se pas këtij veprimi do të dorëzohej tek autoritetet e Beogradit për t’i sfiduar dhe treguar se në Serbi ekziston një rregull i ri sipas të cilit çdo vendosje lulesh në varret e fëmijëve shqiptarë dënohet me rrahje dhe burg.

    Politikani opozitar serb Nikolla Sanduloviq ishte arrestuar dhe është rrahur nga shërbimi sekret serb pikërisht për këtë arsye. Në fletarrestin ndaj tij thuhej se ai kishte nxitur urrejtje kombëtare, racore e fetare, duke e përmendur rastin kur ai pati bërë homazhe te varrezat e Jasharëve./KP/

  • Çfarë ndodh nëse Biden ose Trump tërhiqen nga gara për president para zgjedhjeve?

    Çfarë ndodh nëse Biden ose Trump tërhiqen nga gara për president para zgjedhjeve?

    Presidenti Joe Biden dhe ish Presidenti Donald Trump janë drejt një përballjeje tjetër në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Por, sfidat ligjore të ish Presidentit Trump dhe mosha e të dy kandidatëve mund të ndikojnë fushatën presidenciale. Ekspertët theksojnë se tërheqja e kandidatëve kryesorë nga gara për president do të çonte në procese të ndërlikuara për zëvendësimin e tyre.

    Ish Presidenti Donald Trump përballet me 91 akuza penale dhe të paktën njëri nga gjyqet mbi këto akuza pritet të zhvillohet këtë vit.

    Problemet shëndetësore mund të ndikojnë tek Presidenti Joe Biden, i cili është 81 vjeç.

    “Në shtyp flitet për moshën e zotit Biden, por jo atë të zotit Trump”, tha Presidenti Biden.

    Ish Presidenti Trump është 77 vjeç.

    “Në nëntor do të kemi një ditë të madhe sepse do ta rimarrim drejtimin e vendit”, tha Presidenti Trump.

    Por çfarë ndodh nëse njëri nga kandidatët vdes ose për arsye shëndetësore nuk mund të vazhdojë fushatën para zgjedhjeve të nëntorit?

    Nëse kjo ndodh para kuvendeve kombëtare të dy partive, disa shtete mund të shtyjnë datën e zgjedhjeve paraprake për të lejuar hyrjen e më shumë kandidatëve në garë.

    Kandidatët për president të secilës parti shpallen në kuvendet e tyre kombëtare. Kuvendi kombëtar i republikanëve do të mbahet në korrik ndërsa ai i demokratëve në gusht. Nëse kandidati që kryeson garën tërhiqet dhe asnjë kandidat tjetër nuk arrin të sigurojë shumicën e votave, atëherë delegatët e partisë mund të zgjedhin dikë tjetër.

    “Delegatët do të kenë shumë liri për të negociuar. Ata ndoshta mund të zgjedhin një kandidat që nuk ka marrë pjesë në fushatën e zgjedhjeve paraprake. Kjo ka ndodhur në vendin tonë. Por, kjo do të varet nga kuvendet kombëtare të partisë republikane dhe asaj demokrate”, tha për Zërin e Amerikës John Fortier nga Instituti “American Enterprise”.

    Nëse kandidati që i fiton zgjedhjet paraprake tërhiqet pas kuvendit kombëtar, atëherë partitë mblidhen sërish për ta zëvendësuar atë dhe kjo nuk garanton zgjedhjen e një kandidati për nënpresident.

    Edhe nëse kjo ndodh pas zgjedhjeve procesi është i njëjtë. Për shembull, edhe nëse Presidenti Biden i fiton zgjedhjet por nuk mund të fillojë mandatin e ri presidencial, nënpresidentja Kamala Harris nuk do ta zëvendësonte atë në mënyrë automatike, elektorët e shteteve do të duhej të votonin sërish për të zgjedhur presidentin.

    Por çfarë ndodh nëse ata nuk arrijnë ta bëjnë këtë?

    “Në këtë pikë, nëse asnjë kandidat nuk siguron shumicën, procesi kalon në Dhomën e Përfaqësuesve. Zgjedhjet do të përfundonin në një proces që nuk ka ndodhur për qindra vite”, thotë Michael Thorning, drejtor i Demokracisë Strukturore në Qendrën e Politikave Dypartiake.

    Nëse Presidenti i zgjedhur vdes pas çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve më gjashtë janar, nënpresidenti ose nënpresidentja e zgjedhur inaugurohet në postin e Presidentit të vendit.

    Secili nga këta skenarë do të çonte në një proces shumë të ndërlikuar, që do të mund të zvarritej më tej nga gjykatat, nëse do të kishte kontestim të rezultatit të zgjedhjeve.

    Duke marrë parasysh sulmin në Kapitol nga mbështetësit e zotit Trump më 6 janar 2021, një proces i tillë do të mund të shoqërohej sërish me veprime të dhunshme./VOA/

  • Prokuroria nis hetimet për rënien e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës

    Prokuroria nis hetimet për rënien e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet lidhur me rastin ku ra një pjesë e kulmit të Komunës së Re të Prishtinës.

    Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj. E njëjta ka bërë të ditur se Prokurori i Shtetit ka dalë në vendngjarje me njësitet relevante ku janë iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

    “Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes e bashkë me njësitë relevante dhe me urdhër të njëjtit janë iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’.

    Prokuroria në koordinim me policinë kanë filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast, nga i cili sipas informatave që kemi deri më tani ka marrë lëndime trupore një person (femër)”, tha Ulaj për Reporteri.net.

    Nga rënia e kulmit, një grua ka mbetur e lënduar, derisa nga Emergjenca për Reporteri.net thanë se është jashtë rrezikut për jetën.

    Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Reporteri.net shefi i Emergjencës, Naser Syla.

    “Po kryhen ekzaminimet. Gjendja e saj momentalisht është stabile”, tha Syla për Reporteri.net.

  • ​Hasani vizitë në Podgoricë: Shqetësues roli i Rusisë për destabilizim të rajonit

    ​Hasani vizitë në Podgoricë: Shqetësues roli i Rusisë për destabilizim të rajonit

    Në kuadër të turit treditor rajonal, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, u ndal këtë të enjte në Malin e Zi, ku zhvilloi dhe një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun në Podgoricë.

    Në fjalën e tij Hasani vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve, por u ndal dhe te situata e sigurisë në rajon. Ai theksoi se Shqipëria sheh me shqetësim përpjekjet e Rusisë që kërkon të destabilizojë rajonin.

    Gjithashtu ministri i Jashtëm shprehu shqetësimin dhe për situatën në veri të Kosovës dhe shtimin e retorikës që vë në pikëpyetje orientimin euro-atlantik të rajonit.

    “Shqipëria, si një vend anëtar i NATO, e sheh me shqetësim rolin e aktorëve si Rusia, që kërkojnë të rrisnin tensionet e të shkaktojnë destabilizim të rajonit. Jemi të shqetësuar edhe nga zhvillimet e paradokohshme në Veriun e Kosovës e nga shtimi i një retorike që vë në pikëpyetje orientimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor nga disa forca e grupime në vende të ndryshme të rajonit. Jemi të shqetësuar edhe nga ngadalësimi i ritmit të reformave në disa prej vendeve të rajonit”, tha ai.

    Kryediplomati shqiptar tha se për Shqipërinë e ardhmja e Ballkanit Perëndimor duhet të udhëhiqet nga vlerat demokratike dhe një orientim i qartë euro-atlantik.

    “Është pikërisht ky vizion i përbashkët që qëndron në themel të miqësisë mes vendeve tona. Ne besojmë që vende si Shqipëria e Mali i Zi, që udhëhiqen nga ky vizion, kanë sot detyrimin të punojnë më shumë për të çuar përpara reformat integruese dhe bashkëpunimin rajonal. Ky është edhe objektivi kryesor që do të informojë punën tonë gjatë kryesimit të disa nismave rajonale në vitin 2024, për çka do të mirëprisnim edhe bashkëpunimin maksimal të Malit të Zi si një vend mik e një partner i rëndësishëm në këtë rrugëtim”, theksoi Hasani.

    Ai shtoi se Mali i Zi është një nga vendet e rajonit që ka avancuar më shumë në proceset integruese në BE.

    “Ne shpresojmë që qeveria malazeze do ta përshpejtojë akoma më shumë ritmin e reformave sepse avancimi i çdonjërit nga vendet tona në procesin e integrimit është një kontribut i vyer për mbarë rajonin. Shpresoj që eksperiencat e mira të Malit të Zi t’i shërbejnë Shqipërisë, dhe ato të Shqipërisë t’i shërbejnë Malit të Zi, për një të ardhme sa më të mirë e sa më të begatë”, tha Hasani. /EuronewsAl

  • ​S’ka kuorum, ndërpritet seanca për energjinë elektrike

    ​S’ka kuorum, ndërpritet seanca për energjinë elektrike

    Në mungesë të kuorumit ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës, ku është diskutuar për çmimin e energjisë elektrike.

    Pas debatit rreth pesë orësh, nuk pati deputetë të mjaftueshëm në sallën plenare për ta hedhur në votim rezolutën e PDK-së, ku kërkohej ulja e çmimit të energjisë elektrike dhe heqjen e bllok-tarifës.

    Mirëpo zyrtarët qeveritarë dhe deputetët e mazhorancës, gjatë seancës thanë se Kosova ka çmimin më të lirë energjisë në rajon, derisa edhe e konsideruan të domosdoshëm nevojën për mbajtjen e bllok-tarifës.

  • Fushtica: Në momentin e rrëzimit të kulmit s’kanë qenë duke u kryer punimet

    Fushtica: Në momentin e rrëzimit të kulmit s’kanë qenë duke u kryer punimet

    Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka thënë se në momentin e rrëzimit të kulmit të ndërtesës së Komunës, nuk kanë qenë duke u zhvilluar punime në atë kat të ndërtesës, raporton EO.

    Ai ka thënë se rrëzimi mund të ketë ndodhur si pasojë e erërave, por kur është pyetur se pse nuk është dërmuar asnjë ndërtesë tjetër aty përreth, ai ka thënë se nuk mund të paragjykojë dhe se hetimet do të tregojnë se si dhe çfarë ka ndodhur.

    “Nuk ka pasur punime në atë kat të ndërtesës, në momentin kur ka ndodhur rrëzimi nuk kanë qenë duke u zhvilluar punime. Sipas të gjitha gjasave si pasojë e erërave të forta që kanë ndodhur ka ardhur deri te rrëzimi. Hetimet janë në fazën preliminare, nuk mund të them asgjë më shumë, nuk mund të paragjykoj, Policia dhe inspektorët e emergjencave janë duke e kryer punën e tyre”, është shprehur Fushtica në një deklarim për media.

    Ai ka thënë se kjo ndërtesë është ndërtuar në vitin 2009 por ka thënë se nuk ka informata nëse kulmi i saj është rrëzuar edhe një herë më herët. Ai ka theksuar se nuk kanë informata për dëmet e tjera të shkaktuara nga rënia e çatisë.

    Një pjesë e rrugës është bllokuar nga Policia për qarkullim të automjeteve.

  • Kjo është gjendja e vajzës që e zuri kulmi i ndërtesës së Komunës së Prishtinës

    Kjo është gjendja e vajzës që e zuri kulmi i ndërtesës së Komunës së Prishtinës

    Një vajzë ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është në rrezik për jetë si pasojë e rënies së kulmit të ndërtesës së Komunës së re në Prishtinë.

    Gjendja e pacientes është stabile, ndonëse ka marrë lëndime të rënda trupore.

    Kështu bënë të ditur në një prononcim për KosovaPress, drejtori i Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës(QKUK), Naser Syla. Ai tha se sipas të gjitha gjasave pas ekzaminimeve të pacientes në emergjencë, e njëjta do të dërgohet në Mjekimin Intensiv Qendror për të vazhduar trajtimin.

    “Gjendja për momentin është stabile, por lëndimet, pas ekzaminimeve të kryera në Qendrën Emergjente kanë rezultuar me lëndime të rënda trupore…Ka lëndime multiforme në disa pjesë të organizmit, është një poli traumë e rëndë…Në Emergjencë pritet të bëhet disa ekzaminime të tjera, pas një afati të caktuar kohor, mandej sipas të gjitha gjasave do të vazhdon trajtimin në mjekimin intensiv qendror…Tek ka lëndime të rënda trupore, është në gjendje të rrezikshme për jetë”, tha Syla.

    Ndërkaq, dyshohet se si pasojë e erërave të forta, ka rënë kulmi i ndërtesës së Komunës së re në Prishtinë.

    Nga pamjet e siguruara nga KosovaPress, kuptohet se bëhet fjalë për dëme të konsiderueshme materiale.

  • Avokati i Sandulloviqit vendos lule pranë varrit të Blerina Jasharit në Prekaz

    Avokati i Sandulloviqit vendos lule pranë varrit të Blerina Jasharit në Prekaz

    Çedomir Stojkoviq, avokat i politikanit serb, Nikola Sanduloviq, ka vendosur lule te varri i Blerina Jasharit, vajzës shtatëvjeçare të vrarë në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz, raporton Ekonomia Online.

    Te varri i saj ka lënë edhe një mesazh.

    “Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet, dhe miliona shpresa dhe ëndrra. Të cilat fillojnë me fjalën ‘Më fal’”, thuhet në mesazh.

    Stojkoviq e pati paralajmëruar një ditë më herët se do të shkojë të vendosë lule te varri i 7-vjeçares e cila u vra krah anëtarëve të tjerë të familjes Jashari nga forcat e armatosura serbe në vitin 1998.

    Stojkoviq ka shkruar se pas këtij veprimi do të dorëzohej tek autoritetet e Beogradit për t’i sfiduar dhe treguar se në Serbi ekziston një rregull i ri sipas të cilit çdo vendosje lulesh në varret e fëmijëve shqiptarë dënohet me rrahje dhe burg.

    Sanduloviq ishte arrestuar dhe ka pretenduar se është rrahur nga shërbimi sekret serb pikërisht për këtë arsye. Në fletarrestin ndaj tij thuhej se ai kishte nxitur urrejtje kombëtare, racore e fetare, duke e përmendur rastin kur ai pati bërë homazhe te varrezat e Jasharëve.

  • ​Të shtunën mbahet Kampionati i Kosovës për Senior në xhudo

    ​Të shtunën mbahet Kampionati i Kosovës për Senior në xhudo

    Të shtunën e 20 janarit do të zhvillohet Kampionati i Kosovës për Senior në xhudo.

    Ky Kampionat i xhudos do të mbahet në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, raporton kp.

    Në Kampionatin e Kosovës për Senior do të marrin pjesë klubet e xhudos nga Kosova, dhe garat fillojnë nga ora 10:00.