ATV

Category: Lajme

  • BE-ja i kërkon Serbisë të lejojë vizitat e zyrtarëve të Kosovës në Luginë të Preshevës

    BE-ja i kërkon Serbisë të lejojë vizitat e zyrtarëve të Kosovës në Luginë të Preshevës

    Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Serbia që të lejojë vizitat e zyrtarëve të Kosovës në tri komunat në jug të Serbisë, të cilat paralajmërohen në përputhje me marrëveshjen e arritur në dialogu rreth vizitave të ndërsjella. Blloku ka kërkuar që Kosova të respektojë në të njëjtën mënyrë këtë marrëveshje.

    Reagimi i BE-së vjen pasi ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në fillim të janarit iu refuzua leja për të vizituar Luginën e Preshevës – komunat jugore në Serbi: Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

    “Vizita e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Serbi ishte paralajmëruar në përputhje me marrëveshjen e dialogut rreth vizitave zyrtare. Prandaj, Serbia është dashur ta lejojë dhe ajo [vizit;] të realizohej”, u tha në një përgjigje të Peter Stano, zëdhënës i BE-së për punë të jashtme dhe siguri.

    Stano tha po ashtu se “BE-ja vazhdon të bëjë ftesë për të dyja palët që në tërësi, dhe pa kushtëzime, të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe marrëveshjet për vizitat zyrtare dhe lirinë e lëvizjes”.

    “Të gjitha mospajtimet duhet të zgjidhen përmes dialogut. BE-ja mbetet e gatshme t’ua lehtësojë palëve diskutimet për të gjetur zgjidhje”, tha zëdhënësi i BE-së.

    Kamberi e dënon vendimin e Serbisë për t’ia ndaluar ministrit Sveçla vizitën në Preshevë
    Më 4 janar, Sveçla kishte planifikuar që të vizitonte Luginën e Preshevës. Por, vizita nuk u lejua që të zhvillohej nga autoritetet e Serbisë.

    Edhe në të kaluarën ka pasur raste kur Serbia, por edhe Kosova, kanë refuzuar që të japin leje për vizita zyrtare në shtetet përkatëse.

    Më 27 nëntor të vitit 2021 autoritetet në Serbi kishin refuzuar kërkesën e katër ministrave për vizitë dyditore në Luginë të Preshevës.

    Më herët, Kosova po ashtu kishte refuzuar vizitën në Kosovë e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

    Në të gjitha këto raste, BE-ja gjithmonë i kishte kritikuar palët për refuzimin e dhënies së lejeve për vizita, duke u kërkuar atyre që të lejojnë vizita të tilla në bazë të marrëveshjes së arritur për vizita të ndërsjella zyrtare.

    Sipas aranzhimeve mes Kosovës dhe Serbisë për vizitat zyrtare, të arritura nën ndërmjetësimin e BE-së, këto vizita duhet të paralajmërohen përmes zyrtarëve ndërlidhës. Ndërkaq, autoritetet e shteteve përkatëse duhet t’i autorizojnë ato./REL/

  • KQZ-ja merr vendim, pezullon një parti politike

    KQZ-ja merr vendim, pezullon një parti politike

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të enjten ka marrë vendim për pezullimin e partisë politike, Partia Rome e Bashkuara e Kosovës (PREBK) pasi nuk ka mbajtur kuvendin e saj zgjedhor sipas afatit ligjor.

    Afati i fundit për mbajtjen e kuvendit/konventës zgjedhore për PREBK ka qenë data 6 janar 2024, raporton Ekonomia Online.

    Sipas vendimit të KQZ-së, PREBK obligohet që ta mbajë kuvendin e saj zgjedhor në një afat shtesë prej 45 ditësh dhe nëse kjo nuk arrihet, atëherë sipas rregullores për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, KQZ merr vendim për çregjistrim nga regjistri i partive politike në Kosovë.

    Sipas Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, të gjitha partitë politike të regjistruara janë të obliguara që të mbajnë kuvendin zgjedhore brenda 6 muajve nga data e regjistrimit të partivë dhe pastaj së paku çdo 48 muaj.

    Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, tha se ky vendim është diskriminim, pasi shkelje të ngjashme ka pasur edhe nga partitë tjera.

    “Ky është rasti i disa partive që pezullohet për këtë, një rast e kemi pas me të njëjtat kushte dhe nuk e kemi pezulluar dhe dua ta theksoj se jemi duke bërë diskriminim në rrethana të njëjta për kushte të ndryshme. Kjo është rast klasik i diskriminimit”, u shpreh ai.

  • Dy minatorët e lënduar në gjendje relativisht të mirë, lirohen brenda javës

    Dy minatorët e lënduar në gjendje relativisht të mirë, lirohen brenda javës

    Dy nga trembëdhjetë minatorët e lënduar të mërkurën në horizontin e njëmbëdhjetë të minierës së Trepçës në Stantërg, janë në gjendje relativisht të mirë dhe vazhdojnë të mbeten nën kujdesin mjekësor në spitalin ‘Sami Haxhibeqiri’ të Mitrovicës.

    Burim Gashi, oftalmolog, ka bërë të ditur për KosovaPress se që nga dita e djeshme deri më sot, ka ndryshime pozitive tek këta dy pacientë.

    Sipas tij, ata kanë pësuar djegie të syve me acid, ndërsa u shpreh optimist se brenda javës do të lirohen nga spitali.

    “Gjendja është relativisht e mirë. Njëri është pak më keq, tjetri më lehtë. Prej ditës së djeshme deri sot, ka ndryshime për të mirë… Djegie të kornesë dhe syrit me acid… Gjendjen po e përcjellim, në bazë të gjendjes që pash sot, besoj se brenda javës pacientët lirohen. Kjo nuk është definitive, por varësisht prej gjendjes, reagimeve”, ka thënë Gashi.

  • Qeveria nis subvencionimin e energjisë elektrike për familjet e cënueshme

    Qeveria nis subvencionimin e energjisë elektrike për familjet e cënueshme

    Ka nisur subvencionimi i energjisë elektrike për familjet e cënueshme, njofton ministri i Financave, Hekuran Murati.

    Ai njofton se 40,620 familje që janë kualifikuar në grupin e parë, do të përfitojnë nga subvencionimi i energjisë elektrike.

    Tutje, ministri bën të ditur se subvencionimi do të bëhet direkt në faturë, i ndarë në 6 këste mujore, duke filluar nga fatura e janarit.

    “Subvencionimi bëhet në kuadër të pilotimit të Programit për Mbështetjen e Familjeve të Cënueshme, që mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian 🇪🇺.

    Komisioni zbatues ka shqyrtuar të gjitha aplikacionet e familjeve që kanë aplikuar online. Gjithashtu, me automatizëm janë shqyrtuar sipas kritereve të njëjta edhe familjet që në të kaluarën kanë përfituar nga skema e vjetër mbështetëse, meqenëse të dhënat e tyre i kemi pasur në databazë.

    Të gjitha familjet që janë miratuar nga Komisioni zbatues e që kanë përfituar nga subvencionimi, këtë do të mund ta shohin në faturat e tyre të energjisë elektrike.

    Vlen të theksohet se gjatë shqyrtimit Komisioni ka hasur në numër të konsiderueshëm të aplikacioneve që kanë përmbajtur gabime dhe ka qenë e pamundur që këto aplikime të shqyrtohen. Në lidhje me këtë, aplikuesit do të pranojnë një email me udhëzimin se si të riaplikojnë me të dhëna të sakta.

    Gjithashtu, kanë qenë edhe rreth 10 mijë aplikacione që nuk kanë përmbushur kriterin e të ardhurave për t’u konsideruar si familje e cënueshne – kanë pasur të ardhura që kanë tejkaluar nivelin mesatar prej 150 euro/muaj/anëtar. Këta aplikues do të pranojnë një email që i njofton për refuzimin e aplikimit.

    Do të ketë edhe një grup të dytë të aplikimeve që do të shqyrtohen, dhe aplikimi është i hapur deri më datën 31 janar 2024, në platformën eKosova, tek:

    >Shërbime

    >Grante dhe Subvencione

    >Aplikimi për subvencionim të energjisë elektrike për familjet e cenueshme

    Qeveria për të gjithë!”, shkruan Murati.

  • BQK: Pagesat në Kosovë do të kryhen vetëm me euro

    BQK: Pagesat në Kosovë do të kryhen vetëm me euro

    Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar një rregullore për operacionet për paratë e gatshme, e cila thotë se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro.

    Kjo rregullore do të hyjë në fuqi më 1 shkurt.

    “Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 35 të kësaj rregulloreje.

    Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia atje përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë. Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

    Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët përdoren në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.

    Në rregulloren e BQK-së, thuhet se valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare” dhe me to mund të kryen pagesa ndërkombëtare dhe këto valuta po ashtu mund të përdoren për këmbim.

    Por, këmbimi, sipas BQK-së, mund të kryhet vetëm përmes institucioneve të licencuara nga ajo për këtë shërbim.

    Deri më tani, dinarët në Kosovë qarkullojnë përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë” e cila vepron në vendbanimet e banuara me serb në Kosovë. Llogari në dinarë ka edhe në bankat “Postanska stedionica” (Kursimore e Postes) dhe “NLB Komercijalna banka”.

    Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”.

    Në rregulloren e BQK-së thuhet se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë është e drejtë ekzekutive e saj.

    Më herët, çështjen e transaksioneve me valuta joeuro e ka ngritur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Kosova do t’i ndalë transaksionet me dinarë.

    Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar për këtë çështje.

    Ndërkaq, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë për televizionin serb, Pink, se për përdorimin e dinarit në Kosovë ka biseduar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe për këtë çështje e ka njoftuar Brukselin. /rel

  • Parlamenti Evropian më 08 shkurt voton një Rezolutë për Serbinë

    Parlamenti Evropian më 08 shkurt voton një Rezolutë për Serbinë

    Votimi në Parlamentin Evropian për rezolutën për Serbinë është paralajmëruar për mbledhjen e ardhshme plenare e cila është caktuar për 08 shkurt në mesditë.

    Debati i mbrëmshëm në PE do të shërbejë si bazë për shkrimin e tekstit të rezolutës, e cila do të negociohet nga grupet parlamentare në periudhën e ardhshme, për të arritur një tekst të dakorduar, transmeton Paparaci.

    Debati për zgjedhjet në Serbi dhe votimi i kësaj rezolute u caktuan me kërkesë të deputetëve socialdemokratë, të të Gjelbërve dhe të deputetëve Renew në Parlamentin Evropian dhe përkundër kundërshtimit të Partisë Popullore Evropiane.

    Raportuesi i PE për Serbinë dhe anëtari i PE Vladimir Bilcik kishte kërkuar që rezoluta të mos votohet para se të publikohet raporti zyrtar i misionit vëzhgues të ODIHR për zgjedhjet në Serbi, mirëpo propozimi i tij nuk ishte miratuar.

  • Krasniqi kërkon hetim të pavarur për incidentin ku u lënduan minatorët

    Krasniqi kërkon hetim të pavarur për incidentin ku u lënduan minatorët

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se lëndimi i minatorëve në minierën në Stantërg kërkon përgjegjësi dhe se për këtë rast duhet të zhvillohet një hetim i pavarur.

    “Ngjarja e rëndë në minierën e Stantërgut, ku 12 punëtorë të Trepçës kanë marrë lëndime, është shqetësuese dhe kërkon përgjegjësi. Është e domosdoshme të zhvillohet një hetim i plotë dhe i pavarur për të identifikuar shkaqet dhe përgjegjësitë në këtë ngjarje e cila ka mundur të përfundoj me fatalitet”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

    Derisa u ka dëshiruar shërim të shpejtë minatorëve të lënduar, Krasniqi ka akuzuar Qeverinë për mungesë të trajtimit adekuat të kërkesave të minatorëve.

    “Punëtorëve të lënduar ju dëshiroj shërim të shpejtë dhe mbështetje të plotë në këtë moment të vështirë për ta. Përkundër kërkesave të vazhdueshme ndaj Qeverisë aktuale, minatorët e Trepçës kanë përjetuar mungesën e trajtimit adekuat. Qeveria e Kosovës duhet të dëgjoj kërkesat e minatorëve dhe duhet të ndërmarrë veprime urgjente dhe konkrete për të garantuar kushte më të mira dhe siguri në vendin e punës”, ka shkruar Krasniqi.

    Në një incident që ka ndodhur të mërkurën në minierën e Stantërgut janë lënduar 13 minatorë, dy prej të cilëve kanë marr lëndime më të rënda.

    Që të gjithë kanë pranuar tretman në Spitalin e Mitrovicës.

  • Shpërthimi i cisternës me acid në Minierën e Trepçës, policia: Rasti është duke u hetuar

    Shpërthimi i cisternës me acid në Minierën e Trepçës, policia: Rasti është duke u hetuar

    Policia e Kosovës ka thënë detaje për shpërthimin e cisternës me acid në Minierën e Trepçës gjatë ditës së djeshme.

    Rasti është cilësuar si “lëndim aksidental”.

    Për pasojë policia njofton se lëndime kanë marrë 12 persona, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Mitrovicës.

    Tutje, Policia njoftoi se prej tyre dy janë ndaluar në trajtim të mëtutjeshëm ndërsa 10 janë liruar në shtëpi, ndërsa rasti është duke u hetuar.

    “LËNDIM AKSIDENTALFsh. Stanterg, Mitrovicë / 17.01.2024 – 12:00. Raportohet se në rrethana të panjohura në minierën e Trepçës ka shpërthyer një cisternë me acid ku lëndime trupore kanë pësuar 12 persona. Të lënduarit janë dërguar në tretman mjekësor në spitalin e Mitrovicës, ku pas tretmanit dy janë ndaluar në trajtim të mëtutjeshëm ndërsa 10 janë liruar në shtëpi. Në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

  • Vjedhje e rëndë në Vushtrri

    Vjedhje e rëndë në Vushtrri

    Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar të ketë ndodhur në Vushtrri.

    Në raportin 24-orësh të policisë së Kosovës, thuhet se ankuesi kosovar ka raportuar se thuhet se disa persona të panjohur kanë thyer shtëpinë e tij.

    “Vushtrri / 17.01.2024 – 18:00-20:00. Ankuesi kosovar ka njoftuar se nga persona të panjohur është thyer shtëpia e tij dhe nga aty janë vjedhur: një armë me 30 fishekë, një sprej, stoli ari dhe para kesh”, njofton policia e Kosovës.

    Tutje, Policia njoftoi se rasti është nën hetime.

  • Avokati i Sanduloviqit sot vendos lule te varri i Blerina Jasharit

    Avokati i Sanduloviqit sot vendos lule te varri i Blerina Jasharit

    Çedomir Stojkoviq, avokat i politikanit serb, Nikola Sanduloviq, sot pritet të vendosë lule te varri i Blerina Jasharit, vajzës shtatëvjeçare të vrarë në Prekaz.

    Vendosja e luleve është paraparë të bëhet në orën 15:00

    Kujtojmë se opozitari serb Nikola Sanduloviq është arrestuar nga shërbimi sekret serb BIA, pasi i njëjti ka bërë homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”në Prekaz.

    Sipas familjarëve të tij, ai është torturuar dhe i është vendosur masa e paraburgimit me akuzën se ka bërë nxitje të urrejtjes.