ATV

Category: Lajme

  • ​Dhoma e Tregtisë përshëndetë vendimin e BQK-së për mospranimin e valutave të tjera përveç euros

    ​Dhoma e Tregtisë përshëndetë vendimin e BQK-së për mospranimin e valutave të tjera përveç euros

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë mirëpret vendimin e fundit të marrë nga Banka Qendrore e Kosovës për ndalimin e përdorimit të një valute të huaj në Republikën e Kosovës.

    Në komunikatën e DHTIK thuhet se fatkeqësisht, përdorimi i mëtutjeshëm i dinarit serb nëpër komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës, tani e 25 vjet ka shkaktuar dhe po shkakton dëme qindra milionëshe buxhetit të Kosovës, pasi asnjë nga shitjet të cilat bëhen përmes kësaj valute nuk deklarohen në Administratën Tatimore të Kosovës.

    Përveç kësaj, sipas legjislacionit në fuqi përdorimi dinarit është antiligjore dhe antikushtetuese.

    “Nga 1 Shkurti 2024 sipas Rregullores për Operacionet me Para të Gatshme, valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

    Siç njofton DHTIK aktualisht janë mbi 50 mijë qytetarë serbë të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pensionistët, të cilët paguhen nga shteti i Serbisë në dinarë, ndërsa punojnë në institucione paralele të shëndetësisë, arsimit dhe kulturës që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

    “Si Dhomë e Tregtisë konsiderojmë se ky Vendim është shumë i mirëseardhur dhe i njëjti është dashur të aplikohet edhe më pare”, thuhet në fund të komunikatës.

  • Rreth 400 autobusë përplot me udhëtarë po nisen çdo ditë nga Prishtina për në Evropë

    Rreth 400 autobusë përplot me udhëtarë po nisen çdo ditë nga Prishtina për në Evropë

    Hapja e dyerve nga ana e Bashkimit Evropian për lëvizje të lirë prej 1 janarit 2024 ka bërë që shumë kosovarë t’i mbyllin dyert e shtëpive, duke synuar gjetjen e një vendi më të mirë pune në Gjermani, Belgjikë, apo Slloveni.

    Nga 1 janari 2024 kur ka hyrë në fuqi liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian për kosovarët, terminali i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është përplot me udhëtarë, njëjtë siç është edhe Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

    Nga ky i fundit kanë dhënë për Front Online statistika alarmante të udhëtimit të kosovarëve drejt vendeve të ndryshme të Bashkimit Evropian këtë fillim vit.

    Shqipe Durmishi, zëdhënëse e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, ka bërë të ditur për Front Online se nga 1 janari 2024, kur ka filluar lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në Zonën Schengen, mesatarja ditore e nisjes së autobusëve nga Prishtina është 380-400 autobusë.

    A shkuan 300 mijë kosovarë me autobusë në Evropë vetëm për dy javë nga Prishtina?

    Ndonëse Durmishi nuk ka treguar se numrin e përgjithshëm të autobusë që janë nisur në dyjavëshin e parë të janarit 2024 nga Prishtina, sipas një kalkulimi të thjeshtë del se për 15 ditë rreth 6000 autobusë me udhëtarë janë nisur vetëm nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

    Nëse llogaritet se në një autobusë mund të transportohen 50 udhëtarë, del që vetëm për dy javë hiç më pak se 300,000 veta kanë shkuar me autobusë nga Prishtina për në qytete të ndryshme të Bashkimit Evropian.

    Sipas Durmishit nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë për shkak të kthimit të mërgimtarëve dhe shtimit të numrit të vizitave turistike nga kosovarët për në BE ka ndikuar që të rritet kërkesa për shtimin e linjave të autobusëve nga transportuesit.

    “Gjermania, Sllovenia, Zvicra, Belgjika janë shtetet ku ka më së shumti linja me autobusë nga Prishtina”, shprehet Durmishi për Front Online.

    Kjo e fundit pranon se krahasuar me vitin 2023, këtë vit ka rritje, siç thotë ajo, graduale të linjave ndërurbane dhe ndërkombëtare. “Kostoja më e lirë e transportit rrugor gjithashtu edhe benefitet e bagazhit që po ju ofrohen udhëtareve po e rrisin edhe kërkesën për të udhëtuar me autobus”, shpprehet Durmishi.

    Ruzhdi Kurtishaj nga kompania “Sharr Travel” thotë për Front Online se që nga 1 janari deri më 15 janar 2024 numri i udhëtarëve që kanë zgjedhur kompaninë e tij për të shkuar në Evropë ka qenë shumë i lartë.

    “Këtë numër e ka ngritur diaspora që ka qenë për festat e fundvitit në Kosovë, por një fluks i tillë ka rënë pas 15 janarit”, shprehet Kurtishaj.

    Përpos qindra qytetarëve që kanë udhëtuar më kompaninë e tij në Zvicër, 1500 qytetarë i kanë shfrytëzuar ofertat për ta vizituar Selanikun.

    Zogaj nga Instituti GAP: Punësimi, arsyeja kryesore e emigrimit

    Në anën tjetër, Anisa Zogaj nga Instituti “GAP” ka theksuar se sipas disa anketave bëra, 28.2% e qytetarëve cilësuan mundësitë më të mira për punësim si arsyeja kryesore e cila i shtynë ata të planifikojnë emigrimin pas liberalizimit të vizave, ndjekur me përmirësimin e cilësisë së jetesës për veten dhe familjen (arsimi, shëndetësia, siguria, etj) me 26.3%, pagat më të larta me 22.4%, zhvillimi në karrierë me 14.1% dhe krijimi i familjes apo bashkimi familjar me 9%.

    Në dhjetor 2023, Instituti GAP zhvilloi një anketë për të matur prirjet e qytetarëve për të emigruar qysh në pjesën e parë të vitit 2024 (janar-mars).

    “Rezultatet e anketës tregojnë se rreth 28% e qytetarëve të Kosovës mbi 18 vjeç planifikojnë të emigrojnë në këtë periudhë. Kjo shifër del të jetë më e ulët se matjet e bëra më herët nga organizata të ndryshme, sikurse në vitet 2007 (mbi 30%), 2012 (34%), 2014 (43%), dhe 2018 (59%). Bazuar në evidencën nga vitet e mëhershme, ndonëse kjo prirje për të emigruar në vitin 2024 nuk pritet të realizohet brenda vitit, ajo tregon se tendenca për të emigruar mbetet e lartë. Ne vitin 2015 i cili poashtu paraqet edhe vitin qe ka shënuar shkallen me të lartë të emigrimit, jo më shume se 4% e popullsisë së Kosovës është larguar. Gjithsesi, duke pasur parasysh se në periudhë 10 vjeçare (2012-2022) nga Kosova janë larguar mbi 338 mijë persona, ky rezultat është indikator shqetësues sepse tregon tendencën e lartë për tu larguar nga Kosova e cila pritet të realizohet brenda disa viteve”, ka bërë ditur Zogaj nga Instituti GAP për Front Online.

    Ferdi Kamberi, sociolog, thotë se migrimi është një fenomen social që ndodhë në çdo shoqëri dhe kulturë. Sipas tij, migrimet kanë qenë karakteristikë e shoqërisë shqiptare qysh herët për shkak të rrethanave sociale të krijuara. “Tani më me liberalizimin e vizave, kemi parë një trend të rritjes së migrimit, i cili padyshim se përfshinë një mori të faktorëve: migrimi për shkak të një standardi më të lartë të jetesës në vendet perëndimore, bashkimi familjar, punësimi, migrimi sezonal, pastaj migrimi për shkaqe shëndetësore, studimet, si shkaqet tjera”, ka pohuar Kamberi, duke shtuar se ky trend i migrimit nuk është i pranishëm vetëm tek shoqëria kosovare, një gjë e tillë po ndodhë edhe në vendet rajonale dhe në disa vende të BE-së, shembull me shtetet, si: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Serbia, Mali I Zi, Hungaria, etj.

    “Kujtoj se ky trend i rritjes së migrimit nuk është sinjal i mirë për shoqërinë kosovare, pasi që kryesisht janë mosha e re dhe ajo e mesme të cilët migrojnë dhe ne rrezikojmë që të kemi një trend negativ të mbylljes së bizneseve, shkurtimit të vendeve të punës, mbylljes së shkollave dhe kolegjeve universitare, për shkak se kategoria kryesore e cila është duke migruar është kryesisht mosha e re. Gjithashtu, kujtoj se kjo do të reflekton në probleme të konsiderueshme të mplakjes së popullsisë dhe pasojave tjera eventuale që mund të vijnë.””, ka potencuar Kamberi për Front Online.

    Përndryshe, Kosova ka një histori të gjatë të largimit të qytetarëve të saj; histori e cila ka kaluar në faza të ndryshme. Faza e parë e emigrimit filloi në vitet e 1960-ta, për arsye ekonomike.

    Faza e dytë e emigrimit ( vitet 1981-89) përmbante më shumë gjurmë politike, ndonëse kushtet e rënda ekonomike vazhdonin të luanin rol të rëndësishëm në emigrimin nga Kosova. Faza e tretë njëkohësisht, faza më dramatike e zhvendosjes masive të popullsisë, ndodhi në vitet 1998-99, gjatë luftës në Kosovë. Faza e katërt e emigrimit përfshin vitet e pasluftës deri në vitin 2015, ku qytetarët e Kosovës emigruan drejt vendeve perëndimore për arsye ekonomike, pesimizëm politik dhe arsye sociale.

  • ​Netanyahu refuzon thirrjet e ShBA-së për formimin e shtetit palestinez

    ​Netanyahu refuzon thirrjet e ShBA-së për formimin e shtetit palestinez

    Kryeministri Benjamin Netanyahu, ka refuzuar thirrjet e Shteteve të Bashkuara që Izraeli të ulë intensitetin e ofensivës së tij ushtarake në Rripin e Gazës ose të ndërmarrë hapa drejt krijimit të një shteti palestinez pasi të mbarojë lufta. Ky refuzim i tij shkaktoi menjëherë kritika nga Shtëpia e Bardhë.

    Tensionet për këto çështje reflektuan një përçarje të madhe mes dy aleatëve lidhur me madhësinë e luftës së Izraelit dhe planet e tij për të ardhmen e territorit të rrethuar.

    “Ne sigurisht e shohim këtë ndryshe”, tha zëdhënësi i sigurisë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

    Deklarata e Netanyahut më 18 janar erdhi një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Izraeli nuk mund të ketë asnjëherë “siguri të mirëfilltë” pa një rrugë drejt pavarësisë palestineze. Më herët gjatë kësaj jave, Shtëpia e Bardhë po ashtu ka thënë se është “koha e duhur” që Izraeli të ulë intensitetin e ofensivës së tij shkatërruese në Gazë.

    Gjatë një konference për media, Netanyahu shprehu një qëndrim të ndryshëm nga Uashingtoni. Ai vazhdimisht deklaroi se Izraeli nuk do të ndalë ofensivën derisa të përmbushë qëllimet e tij për të shkatërruar Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – dhe të kthejë në shtëpi pengjet që po mbahen nga grupi radikal palestinez.

    Ai hodhi poshtë pretendimet në rritje nga kritikët izraelitë se këto qëllime nuk janë të arritshme, duke u zotuar se do të shtyjë përpara ofensivën për muaj të tërë.

    “Ne nuk do të pajtohemi me asgjë tjetër përpos fitores absolute”, tha Netanyahu.

    Izraeli nisi ofensivën pas sulmit të paprecedent të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, kur luftëtarët e grupit vranë 1.200 persona dhe morën peng afër 250 të tjerë. Afër 130 pengje Izraeli beson se ende janë nën robërimin e Hamasit. Lufta ka rritur tensionet në mbarë rajonin, duke kërcënuar nxitjen e konflikteve të tjera.

    Sulmi i Izraelit, një prej fushatave ushtarake më vdekjeprurësve dhe më shkatërruese në historinë moderne, ka lënë të vrarë pothuajse 25.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë. Ofensiva izraelite po ashtu ka shkaktuar shkatërrim të madh dhe mbi 80 për qind e popullsisë së territorit me 2.3 milionë banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre.

    Kostoja e madhe e luftës ka çuar në intensifikimin e thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar që Izraeli të ndalë ofensivën. Aleatja kryesore e Izraelit, SHBA-ja, ka nisur të shprehë mospajtime dhe i ka bërë thirrje Netanyahut që të tregojë vizionin e tij për Gazën e pasluftës.

  • Avokati Stojkoviq kthehet sot në Serbi: Do të kenë mundësi të më arrestojnë

    Avokati Stojkoviq kthehet sot në Serbi: Do të kenë mundësi të më arrestojnë

    Avokati serb, Cedomir Stojkoviq, i cili ka qëndruar dje në Kosovë për të bërë homazhe në Prekaz, ka njoftuar se do të niset sot në mëngjes për në Serbi.

    Ai ka thënë se kësisoj autoritetet në Serbi do të kenë mundësinë ta arrestojnë, njëjtë sikurse bënë me politikanin opozitar, Nikola Sanduloviq.

    “📢 Nga sot në orën 09:00 do të jem në Serbi. Në atë kohë kam në plan të kaloj kufirin.

    Në sferën e përgjegjësisë së Prokurorit të Lartë Publik në Vranjë dhe Nish, i cili do të ketë mundësinë të më arrestojë mua, si dhe Nikolla Sanduloviqin, sepse kam vendosur lule në varrin e fëmijës shtatëvjeçar, Blerina Jashari.

    🙋♂️ Nëse humbasin, ata e kanë mundësinë e tyre të radhës në Beograd.”, ka shkruar ai në X.

    Dje, Stojkoviq ka bërë homazhe tek varri i shtatëvjeçares, Blerina Jashari, ku edhe ka lënë mbishkrimin “Urrejtja vdes, ti jeton përgjithmonë. 1 mijë lotë për 1 mijë vjet paqe. Dhe, miliona shpresa dhe ëndrra, të cilat fillojnë me fjalën ‘Më fal’”.

  • ​Gërvalla: Lajçaku ka dështuar në procesin e dialogut, Banjska dëshmia më e mirë

    ​Gërvalla: Lajçaku ka dështuar në procesin e dialogut, Banjska dëshmia më e mirë

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se ndërmjetësi për dialog Miroslav Lajçak është i dështuar.

    “Ai ka hyrë pa strategji dhe pa vizion në këtë proces të dialogut dhe si duket, i tillë do të largohet nga ky dialog kur t’i skadon mandati”, tha ajo për RTK.

    Sipas saj, premtimet që i janë bërë Kosovës nuk e kanë pasur vlerën as 24 orë, derisa ka shkuar Lajçaku në Beograd.

    “Banjska është dëshmia më e mirë që Lajçaku e ka dështuar gjithë procesin e dialogut”, tha Gërvalla.

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se nuk e fsheh se drafti i Asociacionit nuk është i mirë.

    Ajo tha masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, janë jo vetëm të padrejta, por totalisht të pakuptueshme.

    “Jo vetëm për ne, por për një pjesë të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Ata nuk po dinë t’i heqin, sepse nuk po dinë se për çfarë i kanë vënë”, tha ajo.

    Gërvalla, ka folur rreth vlerësimeve nga BE-ja për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjkës.

    “Ka pasur vlerësime të ndryshme nga ana e institucioneve të BE-së, të cilat kanë quar në një vlerësim të gabuar të asaj çfarë ka ndodhur në Kosovë. Fakti që BE-ja, edhe pas deklaratave e rezolutave të Parlamentit Evropian, edhe pas deklaratave të ndryshme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, BE-ja si institucion pra, ajo pjesë e institucioneve të BE-së, që merret me politikën e jashtme të BE-së, konkretisht zyra e Borellit nuk kanë arritur të japin verdiktin për atë që ka ndodhur në Banjskë”, tha ajo.

  • ​Policia kryen bastisje në Banjskë dhe në Lozhistë

    ​Policia kryen bastisje në Banjskë dhe në Lozhistë

    Policia e Kosovës ka kryer një bastisje në fshatin Banjskë dhe në Lozhistë.

    Aksionin e bastisjes, e ka konfirmuar për KosovaPress zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    Ai tha se “rasti ka të bëjë me barrikadat e vendosura në veri në vitin 2022”, duke mos dhënë detaje të tjera.

  • Një person deponon 11 mijë euro në një bankë në Prishtinë, 5 kartëmonedha nga 500 konfiskohen si të falsifikuara

    Një person deponon 11 mijë euro në një bankë në Prishtinë, 5 kartëmonedha nga 500 konfiskohen si të falsifikuara

    Një rast i falsifikimit të parasë është raportuar dje në Prishtinës.

    Siç mëson Reporteri.net në filialin e bankës “Credins” në rrugën “Enver Maloku” në Prishtinë janë deponuar disa kartëmonedha 500 euroshe të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

    Klienti i kësaj banke ka deponuar gjithsej 11 mijë euro, prej të cilave 5 kartëmonedha prej 500 euro dyshohet të jenë të falsifikuara.

    Paratë janë konfiskuar nga Policia e Kosovës.

    Për rastin janë informuar njësia e krimeve ekonomike që pritet ta hetojnë.

  • Sot nuk punohet në objektin e Komunës së Prishtinës në “Arbëri”

    Sot nuk punohet në objektin e Komunës së Prishtinës në “Arbëri”

    Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që të premten të mos punohet në objektin e saj që gjendet në lagjen “Arbëria”.

    Ky vendim thuhet se është marrë për shkak të sigurisë së qytetarëve dhe me qëllim të sanimit të infrastrukturës së kulmit të objektit.

    “Me konstatim të Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të Kryeqytetit, ju njoftojmë se të premten nuk do të punohet në objektin e komunës e cila gjendet në lagjen “Arbëria”. Ky vendim është marr për shkak të sigurisë së qytetarëve dhe me qëllim të sanimit të infrastrukturës së kulmit të objektit”, thuhet në njoftim.

    Një vajzë është lënduar si pasojë e goditjes nga materiale që kanë rënë nga kulmi i ndërtesës së Komunës së re në Prishtinë.

  • Sot fillon grumbullimi i nënshkrimeve për shkarkimin e Ilir Pecit nga pozita e kryetarit të Zveçanit

    Sot fillon grumbullimi i nënshkrimeve për shkarkimin e Ilir Pecit nga pozita e kryetarit të Zveçanit

    Përfaqësuesi i qytetarëve për peticionin në Zveçan, Darko Vuksanoviq, u ka bërë thirrje qytetarëve të kësaj komune që të dalin sot sa më shumë të votojnë për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Zveçanit, Ilir Peci.

    Nënshkrimet ai ka treguar se do të fillojnë të mblidhen sot nga ora 9 e mëngjesit.

    Vuksanoviq teksa ka folur për Kosova Online ka pretenduar se kanë hasur në pengesa, por se përkundër kësaj kanë arritur të marrin dokumentacionin e nevojshëm.

  • Moti i lig përfshin Evropën, në disa shtete bora mbyll rrugët

    Moti i lig përfshin Evropën, në disa shtete bora mbyll rrugët

    Evropa qendrore dhe ajo veriore vazhdon të përballet me një valë të motit ekstrem, i cili po shkakton telashe të mëdha në infrastrukturën e shteteve të ndryshme.

    Vala e motit jashtëzakonisht të ftohtë e cila ka goditur Evropën qendrore dhe veriore po vazhdon të shkaktojë kaos dhe telashe në infrastrukturën e shteteve të ndryshme.

    Njëra prej vendeve më të goditura është Franca, ku të reshurat e borës dhe ngricat kanë shkaktuar bllokada të rrugëve dhe kanë detyruar autoritetet të mbyllin disa rrugë magjistrale dhe linja hekurudhore.

    Sipas raporteve, në disa rrugë magjistrale janë krijuar kolona më të gjata se 60 kilometra përderisa operatorët e rrjeteve të hekurudhave kanë thënë se edhe ata trena që ende lëvizin janë duke udhëtuar me shpejtësi minimale për të shmangur rrezikun nga aksidentet.

    Njëkohësisht, në Finlandë ku një shtrëngatë e fuqishme ka sjellë sasi të mëdha të borës, gjithashtu njoftohet për mbylljen e shumë rrugëve dhe linjave hekurudhore si dhe anulimin e një numri të fluturimeve pasi që shtrëngata e bën të pamundur operimin e sigurt të aeroporteve.

    Edhe pse meteorologët thonë se kjo shtrëngatë do të vazhdojë edhe disa ditë, ata paralajmërojnë edhe për ndryshim tejet të rrezikshëm të motit gjatë javës së ardhshme kur pritet që temperaturat të ndryshojnë deri në 40 gradë brenda pak kohe, duke lëvizur nga minus në plus 20 brenda një apo dy dite.

    Sipas tyre, ky ndryshim ekstrem, përveç rrezikut për shëndetin e njerëzve, do të mund të nxisë edhe vërshime dhe rrëshqitje të dheut.