ATV

Category: LAJME

  • OEK: Rezultatet e PISA 2025 alarm për arsimin dhe ekonominë

    OEK: Rezultatet e PISA 2025 alarm për arsimin dhe ekonominë

    Oda Ekonomike e Kosovës ka deklaruar se rezultatet e PISA 2025 paraqesin alarm për arsimin dhe ekonominë e vendit.

    Sipas OEK-ut, rezultatet tregojnë probleme serioze në njohuritë dhe aftësitë bazë të nxënësve, ndërsa cilësia e arsimit lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e fuqisë punëtore, produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e Kosovës.

    OEK ka bërë thirrje për veprim konkret dhe bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve arsimore, Qeverisë dhe sektorit privat.

    Komunikata e plotë:

    OEK: Rezultatet e PISA 2025 janë alarm për arsimin dhe ekonominë e Kosovës

    Rezultatet e PISA 2025 tregojnë për probleme serioze në njohuritë dhe aftësitë bazë të nxënësve në Kosovë.

    Për OEK-un, kjo nuk është vetëm çështje e arsimit. Cilësia e arsimit lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e fuqisë punëtore, produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

    Këto rezultate duhet të jenë thirrje për veprim konkret dhe bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve arsimore, Qeverisë dhe sektorit privat.

    OEK tashmë ka kontribuar në zhvillimin e arsimit dual dhe është e gatshme të mobilizojë bizneset për më shumë praktikë profesionale, mentorim dhe mësim në vendin e punës.

    Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar. Investimi në arsim është investim në fuqinë punëtore, ekonominë dhe të ardhmen e Kosovës.

  • Gjini: Jemi dakorduar të mos marrim pjesë në seancën e nesërme

    Gjini: Jemi dakorduar të mos marrim pjesë në seancën e nesërme

    Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se janë dakorduar që të mos marrin pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

    Gjini tha se vendimi është marrë nga shumica dërrmuese e deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë së Aleancës, pasi, sipas tij, nuk duan të legjitimojnë shkeljen e Kushtetutës.

    “Dua me ju treguar që sot Aleanca ka konfirmuar vullnetin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të anëtarëve të kryesisë që nesër mos me marrë pjesë edhe mos me e legjitimuar shkeljen e vazhdueshme dhe brutale të Kushtetutës së Kosovës nga partia që ka fituar zgjedhjet, e cila ka dalë”, tha ai.

    Sipas Gjinit, vendi aktualisht ndodhet jashtë normës kushtetuese.

    “Kosova sot është plotësisht jashtë normës kushtetuese. Ne e dimë që edhe pas tridhjetë ditëshit të parë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, kemi qenë në të njëjtë, e kemi toleruar një interpretim politik të Kushtetutës nga vetë partia fituese, duke i dhënë vetes një tridhjetë ditësh tjetër prej atij tridhjetë ditëshit që ekziston bazë në interpretim të Kushtetutës nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Gjini.

    Ai kritikoi edhe mënyrën se si janë thirrur seancat e Kuvendit gjatë kësaj periudhe.

    “E kemi parë që dy herë seanca është thirrur midis ditëve të fundit të skadimit të atij tridhjetë ditëshi, ndërsa këtë thirrjen e fundit, të cilën e kanë bërë katër ditë pas skadimit edhe të interpretimit të vetë politik, e shohim si fyerje ndaj Kosovës, fyerje ndaj qytetarëve, fyerje ndaj shtetit tonë edhe ndaj Kushtetutës edhe ndaj deputetëve.”

    Gjini e cilësoi situatën si sjellje të papërgjegjshme dhe akuzoi përpjekjet për t’i vendosur institucionet mbi ligjin.

    “Po mendojmë që është sjellje totalisht e papërgjegjshme edhe e tregon karakterin e njerëzve të cilët duan me çdo kusht, jo vetëm me treguar që janë mbi ligjin edhe mbi Kushtetutën, por edhe me u tallë me institucionet e Kosovës”, tha tutje ai.

    Ai tha se Aleanca kishte qenë e gatshme të merrte pjesë në seancë nëse ajo do të thirrej deri të shtunën.

    “Dua me ju thënë që Aleanca ka qenë e gatshme me marrë pjesë në seancë sikur të thirrej deri të shtunën, kur edhe ka skaduar tridhjetë ditëshi i dytë. Kur e kemi kuptuar që nuk është thirrur as të shtunën, ne mendojmë që duhet me i dhënë një mesazh, duhet me treguar që nuk pranojmë me u fy kështu si institucion”, u shpreh ai.

    Sipas tij, vendimi për të bojkotuar seancën është një mesazh për institucionet dhe qytetarët.

    “Mendojmë që po fyehet Kuvendi, po fyehen deputetët, po fyehet Kosova, po fyehen qytetarët e Kosovës. Edhe një herë, në këtë seancë nuk do të marrim pjesë. Ajo që e pret Kosovën është patjetër një referendum në Gjykatën Kushtetuese, të cilën duhet me e dakorduar me dy parti të tjera, të cilat, po i themi, që ende janë në opozitë. Nuk duhet të jemi gjallë në opozitë, ne nuk do të jemi, as parti të tjera nuk do të jemi, por deri sot janë në opozitë. Duhet të dakordohemi me ta edhe t’i referohemi Gjykatës Kushtetuese, për shkak se nuk kemi rrugë tjetër sot përpos kësaj komunikim”, tha Gjini.

  • Lladrovci: “Zjarri i Lirisë” në Negroc lë të jetë porosi se zjarri i zemrave tona për drejtësi, nuk ndalet

    Lladrovci: “Zjarri i Lirisë” në Negroc lë të jetë porosi se zjarri i zemrave tona për drejtësi, nuk ndalet

    Në Negroc, në vendlindjen e Jakup Krasniqit, është ndezur “Zjarri i Lirisë”, me ç’rast, Ramiz Lladrovci ka theksuar në rrjetin social se “Lavdia e UÇK-së, është lavdi e ringjallur e frymës së Skënderbeut, pas mbi pesë shekuj, lavdia për jetë të dinjitetshme, të lirë dhe të barabartë me kombet e qytetëruara”.

    Postimi i plotë i tij:

    Sonte, në Negroc, në fshatin e lindjes së Bacit Jakup, ky “Zjarri i Lirisë”, lë të jetë porosi se zjarri i zemrave tona për drejtësi, nuk ndalet.

    Sonte e japim mesazhin nga këtu se heronjtë tanë të luftës dhe paqes, Hashimi, Kadriu, Jakupi dhe Rexha, kanë qenë, janë dhe mbesin historia jonë e gjallë, historia që flet çdo ditë, në shtetin tonë, Republikën e Kosovës.

    Zjarri i lirisë nga Negroci, është zjarr që mban gjallë shpresën tonë për drejtësi dhe lirimin e heronjve tanë të luftës dhe paqes.

    Lavdia e UÇK-së, është lavdi e ringjallur e frymës së Skënderbeut, pas mbi pesë shekuj, lavdia për jetë të dinjitetshme, të lirë dhe të barabartë me kombet e qytetëruara!

    Zjarri i lirisë, është sonte lajm nga zemrat tona, për drejtësi, për ardhjen e heronjve tanë të luftës dhe të paqes. Ata janë të pafajshëm, ata janë vetë populli ynë krah kombeve e shteteve të lira e demokratike!

    Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm!

  • “16 shtatori, datë historike”, Behrami: Mundet me ndërru gjithçka

    “16 shtatori, datë historike”, Behrami: Mundet me ndërru gjithçka

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, e ka cilësuar 16 shtatorin si një datë historike për Kosovën, duke thënë se verdikti që pritet të shpallet atë ditë në Hagë për ish-krerët e UÇK-së mund të ketë ndikim të madh në të ardhmen e vendit.

    Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Behrami tha se kjo datë mund të ndryshojë jo vetëm të tashmen dhe të ardhmen, por edhe mënyrën se si kuptohet e kaluara e Kosovës.

    “Unë mendoj që këto ditë është vetëm një datë e rëndësishme për Kosovën, nuk është 9 shtatori, nuk është ndoshta edhe i 12-ti, edhe pse është shumë i rëndësishëm, është 16 shtatori. Sepse për herë të parë në historinë e Kosovës e kemi një ditë, një datë, që mund ta ndryshojë jo vetëm të tashmen, të sotmen, jo vetëm edhe të ardhmen, por mund ta ridefinojë edhe të kaluarën tonë. Pra është një datë që mund t’i ridefinojë të gjitha kohërat dhe historinë e Republikës së Kosovës”, deklaroi Behrami.

    Tutje, ai u shpreh se në këtë datë “mundet me ndërru gjithçka për të mirë e për të keq”, kurse sipas tij, “debatet se kush e merr një votë më shumë, debatet se kush i ka fajet më shumë, debatet se a po e çojmë vendin në zgjedhje me 27 dhjetor a me 20 dhjetor, debatet se cila parti ka faj më shumë e më pak, janë debate fataliste”.

    Behrami ka bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës të jetë i konstituar para kësaj date, duke theksuar se institucionet duhet të jenë të gatshme për çdo skenar pas vendimit në Hagë.

    Ai u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që më 16 shtator të jenë në Kuvend dhe ta presin aty vendimin.

  • Zbulohet murali i krerëve të UÇK-së: Prishtina pret kthimin e çlirimtarëve

    Zbulohet murali i krerëve të UÇK-së: Prishtina pret kthimin e çlirimtarëve

    Është përfunduar sot në Prishtinë murali kushtuar kujtesës së luftës, sakrificës dhe lirisë, i realizuar me mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës të Kryeqytetit. Me rastin e përfundimit të muralit, Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, dhe drejtori i Kulturës, Isah Mustafa, së bashku me artisten OrangeGirl, e cila e ka realizuar veprën, vizituan hapësirën ku tashmë murali bëhet pjesë e peizazhit urban dhe kujtesës publike të kryeqytetit.

    Murali paraqet katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë dhe ndërton një rrëfim vizual mbi luftën, mungesën, burgimin dhe lirinë, si pjesë e një historie që vazhdon të ketë peshë në kujtesën kolektive të Kosovës.

    “Ky mural tashmë bëhet pjesë e hapësirës publike dhe kujtesës së Prishtinës. Është një kujtesë për rrugën tonë drejt lirisë, për sakrificën dhe për njerëzit që ishin pjesë e asaj rruge. Prishtina kujton dhe Prishtina pret kthimin e çlirimtarëve”, tha Musmurati.

    Portretet e realizuara në të kuqe simbolizojnë luftën, sakrificën, revoltën dhe tensionin emocional.

    Siluetat e ushtarëve në pjesën e poshtme të portreteve përfaqësojnë identitetin e luftëtarit dhe kontributin e tyre për liri. Pozicionimi i tyre në vendin ku zakonisht do të ishte kravata simbolizon kalimin nga luftëtari te figura publike dhe shtetformuese, duke ndërlidhur kontributin e tyre në luftën për liri me angazhimin e mëvonshëm në ndërtimin e shtetit dhe pavarësinë e Kosovës.

    Teli në sfond simbolizon kufizimin, ndarjen dhe izolimin, ndërsa zogjtë që fluturojnë mbi të përfaqësojnë lirinë dhe daljen përtej barrierave fizike.

    Murali është realizuar nga artistja OrangeGirl, me mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës të Kryeqytetit.
    Prishtina kujton. Prishtina pret. Kosova pret kthimin e çlirimtarëve.

  • Edita Tahiri kritikon liderët politikë: Abdixhiku po e lufton demokracinë në LDK, Kurti i ka bërë të vetët dervisha

    Edita Tahiri kritikon liderët politikë: Abdixhiku po e lufton demokracinë në LDK, Kurti i ka bërë të vetët dervisha

    Ish-ministrja, Edita Tahiri, ka kritikuar liderët politikë në vend. Ajo ka thënë se nuk e kupton pse iu është shtuar doza e autokracisë.

    Sipas Tahirit, Lumir Abdixhiku po e lufton demokracinë brenda në LDK derisa Albin Kurti i ka shndërruar në “dervisha” të vetët në Lëvizjen Vetëvendosje.

    Ajo ka përmendur edhe Edi Ramën, duke thënë se askush në PS s’guxon të flasë ndërkohë që protestat po vazhdojnë.

    “Cfare po ju ndodh lidereve politik shqiptar me kaq shume doze autokratike – shihni Abixhikun po lufton demokracine e brendshme; shihni Kurtin i ka shnderruar ne dervisha te vetet; shihni Edi Ramen, ata te PS-se as ciu nuk go goxojne me ba, nderkohe qe anija e protestuesve po lekunde gjithe vendin..”, ka shkruar ajo.

  • Kumbaro publikon rezultatet e PISA 2025, ja ku renditet Shqipëria

    Kumbaro publikon rezultatet e PISA 2025, ja ku renditet Shqipëria

    Shqipëria ka shënuar përmirësime të ndjeshme në testin PISA 2025, si në raport me rezultatet e vitit 2022, ashtu edhe krahasuar me vendet e rajonit.

    Rezultatet janë publikuar sot në konferencën e Ministrave të Arsimit në Bratislavë, ndërsa ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri publike rezultatet për Shqipërinë.

    “Nga Bratislava ku është mbledhur ministeriali i vendeve të OECD për të publikuar rezultatet e testit të fundit PISA 2025, kam kënaqësinë të ndaj një lajm të mirë, ku Shqipëria në të tre testet që bëhen nga PISA – leximi, shkencat dhe matematika, ka rritje të konsiderueshme. Në testin e matematikës Shqipëria është rritur me 65 pikë, në shkencë me 59 pikë dhe në lexim me 50 pikë”, tha ministrja e Arsimit.

    Sipas Kumbaros, Shqipëria renditet në vendin e parë në rajon në shkencë, duke lënë pas Serbinë, Greqinë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në matematikë, Shqipëria kryeson klasifikimin së bashku me Malin e Zi.

    “Kemi rritje krahasuar jo vetëm me vitin 2022, por edhe në rajon, ku Shqipëria është në rezultatet më të larta. Konkretisht në matematikë dhe shkencë Shqipëria ka nivelin më të lartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këta tregues pasqyrojnë progresin që Shqipëria ka bërë në një fushë siç është arsimi dhe nuk është thjesht krenari historike, por sidomos ambicie dhe qëllim për të ecur përpara. Nuk është e rëndësishme se cilit vend ia kemi kaluar, por të kuptojmë se si PISA na ndihmon të rrisim performancën e mësuesve tanë dhe se si nxënësit të rrisin aftësitë e tyre”, vijoi ministrja.

    Gjatë këtij eventi, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, do të jetë pjesë e paneleve dhe diskutimeve mbi çështje të tjera, përfshirë analizën e performancës, përqendrimin dhe rolin e Inteligjencës Artificiale në arsim.

  • Hykmete Bajrami ia kthen Abdixhikut pa e kursyer: Humbës i trefshishtë i zgjedhjeve, je i fundit që mund të flasësh për parime

    Hykmete Bajrami ia kthen Abdixhikut pa e kursyer: Humbës i trefshishtë i zgjedhjeve, je i fundit që mund të flasësh për parime

    Deputetja e zgjedhur e LDK’së, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur kreut të partisë, Lumir Abdixhiku, i cili sot përmes një statusi në profilin e tij në ‘facebook’ ka thënë se po shihet hapur se ambiciet e kundërshtarëve të tij janë për pushtet të brendshëm në parti dhe jo për parime.

    Bajrami e ka quajtur Abdixhikun si humbës të trefishtë të zgjedhjeve dhe njeri që e ka degraduar dhe përçarë partinë.

    Ajo i është përgjigjur direkt Abdixhikut duke i thënë se është njeriu i fundit që mund të flas për parime, ambicie, shtet e pushtet.

    Deputetja Bajrami ia ka numëruar Abdixhikut humbjet e zgjedhjeve dhe ia ka rikujtuar zotimet e tij për largim nga kreu i partisë.

    “Një humbës i trefishtë, humbës i zgjedhjeve të njëpasnjëshme, i degradimit dhe i përçarjes së partisë, po flet për parime, shtet, dhe ambiciet në LDK.

    Mbrëmë u rezervova të flisja për kryetarin e LDK-së, dhe kam munguar në medie që një kohë pikërisht për ta ruajtur shtëpinë time. Por më lejoni sot t’i përgjigjem me argumente:

    Ju jeni i fundit, ama bash i fundit, që mund të flisni për parime, ambicie, shtet e pushtet, sepse parimet maten me përgjegjësi.

    Kur i humbët në zgjedhjet e para, duhej ta mbanit premtimin dhe zotimin publik për t’u larguar.

    Kur e përsëritët humbjen, duhej të merrnit përgjegjësi dhe t’i hapnit rrugë një udhëheqjeje tjetër.

    Dhe kur shënuat një tjetër rekord humbjesh më 7 qershor, duhej të largoheshit nga udhëheqja e LDK-së, kokulur.”, ka shkruar Bajrami.

    “Po, është e saktë se shteti nuk rrotullohet rreth një ambicieje personale. Por shteti sot po rrotullohet nga një pushtet që po e nëpërkëmb rendin kushtetues, ligjor dhe institucional, ndërsa çdo ditë përpiqet t’i kapë e t’i kontrollojë institucionet.

    Dhe pikërisht për ta ndalur këtë degradim, ambicieve të kujtdo për rrënimin e LDK-së duhet t’u themi STOP”, ka shkruar tutje Bajrami.

  • Konakoviqi dëbon nga Bosnja dy diplomatë serbë: U jep 48 orë të largohen

    Konakoviqi dëbon nga Bosnja dy diplomatë serbë: U jep 48 orë të largohen

    Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ka njoftuar të martën se ka shpallur persona të padëshiruar dy zyrtarë të Ambasadës së Serbisë në Sarajevë, duke u dhënë atyre 48 orë kohë për të lënë territorin e Bosnjë-Hercegovinës.

    Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, të dytën brenda dy ditësh, Konakoviq tha se vendimi është marrë në përputhje me rregulloren për shpalljen e personave të padëshiruar.

    Bëhet fjalë për Milan Dulanoviqin, atashe ushtarak në Ambasadën e Serbisë, dhe Darko Maksimoviqin, këshilltar të përfaqësuesit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) në këtë ambasadë.

    “Këta dy persona kanë afat prej 48 orësh për ta lënë Bosnjë-Hercegovinën”, deklaroi Konakoviq, duke shtuar se kartat e tyre diplomatike do të anulohen.

    “Janë dëbuar nga Bosnjë-Hercegovina në përputhje me kompetencat që kemi dhe u bëjmë thirrje që t’i respektojnë rreptësisht rregullat e shtetit tonë”, tha ai.

    Konakoviq njoftoi gjithashtu se po shqyrton mundësinë e rishikimit të numrit të diplomatëve dhe stafit në Ambasadën e Serbisë në Sarajevë.

    Ai tha se një nga çështjet që ka ndikuar në qëndrimin e autoriteteve boshnjake është edhe fotografia me mbishkrimin “Pravac Potočari”, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Serbi.

    “Është më mirë që njerëzit tanë të mos ndalen në një Beograd të tillë, në një Serbi të tillë dhe te një Vuçiq i tillë. Po e zvogëlojmë numrin e njerëzve tanë në ambasadë atje”, deklaroi Konakoviq.

    Ministri boshnjak tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është organizatori i asaj që, sipas tij, ka ndodhur ditëve të fundit në Serbi, përfshirë edhe mesazhet kontroverse të shfaqura gjatë ndeshjes mes Crvena Zvezdës dhe Partizanit.

    Duke folur për reagimin e Bashkimit Evropian, Konakoviq tha se e vlerëson faktin që BE-ja e ka korrigjuar deklaratën e saj të parë, por konsideron se deklarata e dytë ende nuk është mjaftueshëm e qartë.

    Në fund, Konakoviq njoftoi se Bosnjë-Hercegovina ka tërhequr pëlqimin për nënshkrimin e një deklarate të përbashkët për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal.

    “Deklarata duhej të nënshkruhej në Mal të Zi më 1 tetor. Ne e kemi tërhequr pëlqimin. Deklarata të tilla nuk do t’i nënshkruajmë përderisa kemi një Serbi të tillë të viteve ’90, të cilën po e shohim këto ditë”, tha Konakoviq.

  • “Liria ka Emër” mobilizohet për marshin e 12 shtatorit, organizojnë transport nga e gjithë Kosova

    “Liria ka Emër” mobilizohet për marshin e 12 shtatorit, organizojnë transport nga e gjithë Kosova

    Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër” kanë mbajtur të martën konferencë për media lidhur me organizimin e marshit të 12 shtatorit, duke njoftuar se do të organizohet transport nga qytete dhe komuna të ndryshme të Kosovës, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të marrin pjesë në marsh pa pengesa për shkak të largësisë, raporton Ekonomia Online.

    Marshi i 12 shtatorit i kushtohet ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa vendimi në rastin e tyre pritet të shpallet më 16 shtator.

    Përfaqësuesi i “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, ka thënë se në ditët e fundit është vërejtur një mobilizim i jashtëzakonshëm i qytetarëve, duke theksuar se gatishmëria për pjesëmarrje në marshim po vjen nga vullneti i qytetarëve brenda dhe jashtë Kosovës.

    “Gjatë ditëve të fundit kemi parë diçka që shkon përtej çdo organizimi. Kemi parë një gatishmëri të jashtëzakonshme të qytetarëve. Orët e pritjes brenda dhe jashtë Kosovës janë shndërruar në vend takimi e bashkimi. Kemi parë njerëz që kanë ardhur jo sepse dikush u ka kërkuar, por sepse e kanë ndjerë se duhet të jenë aty. Kemi parë qytetarë të moshave të ndryshme, familje, të rinj e të reja dhe bashkatdhetarë tanë që kanë shprehur vullnetin për të qenë pjesë e kësaj thirrjeje”, ka deklaruar Tasholli.

    Ai ka folur edhe për aksionin e zhvilluar para EULEX-it, si dhe për ndezjen e zjarreve në zona të ndryshme të Kosovës, duke i cilësuar këto si shenja të kujtesës dhe solidaritetit.

    “Zjarret e ndezura nëpër zona e kanë bartur një mesazh nga një cep i vendit në tjetrin. Kujtesa jonë është e gjallë dhe solidariteti ynë nuk është shuar. Ndërsa aksioni i sotëm para EULEX-it ishte vazhdimësi e kërkesës tonë për drejtësi. Por ajo që na jep më së shumti forcë sot është reagimi i qytetarëve. Po e ndjejmë mobilizimin kudo. Në çdo fshat brenda Kosovës, në çdo shtet dhe në diasporë njerëzit po organizohen, po telefonojnë, po pyesin dhe po kërkojnë të dinë se si mund të jenë pjesë e marshit”, ka thënë ai.

    Sipas Tashollit, pjesëmarrja në marshin e 12 shtatorit pritet të jetë masive, duke e cilësuar atë si një bashkim të qytetarëve rreth kujtesës, solidaritetit dhe kërkesës për drejtësi.

    “Dhe pikërisht kjo gatishmëri na bën të besojmë se në ditën e marshit nuk do të jemi thjesht shumë njerëz në një vend, do të jemi njerëz të bashkuar nga kujtesa, solidariteti dhe kërkesa për drejtësi. Do të jetë marshi më masiv ndonjëherë që ka pa Kosova”, është shprehur Tasholli.

    Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen marshit së bashku me familjet, miqtë dhe bashkatdhetarët.

    “Prandaj, sot thirrja jonë shkon për secilin: ejani dhe bëhuni pjesë e marshit, ejani me familjet tuaja, me miqtë dhe me bashkatdhetarët tuaj. Le të jetë pjesëmarrja jonë masive, paqësore dhe dinjitoze!”, ka përfunduar ai.

    Ndërkaq, përfaqësuesja tjetër e “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, ka bërë të ditur se, për shkak të interesimit të madh në terren, është paraparë organizimi i transportit nga të gjitha pjesët e Kosovës për qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në marsh.

    “Interesimi që po e shohim në terren na ka obliguar që organizimit t’i përgjigjemi me të njëjtën energji dhe përkushtim. Besoj e keni parë, ne veç po rrugëtojmë paralelisht, Ismaili diku, unë diku tjetër”, ka deklaruar Hoxha.

    Ajo ka theksuar se transporti i organizuar synon që largësia të mos paraqesë pengesë për qytetarët që duan të marrin pjesë në marshin e 12 shtatorit.

    “Për këtë arsye kemi menduar, si edhe herët e kaluara, të ketë transport të organizuar nga e gjithë Kosova, në mënyrë që largësia të mos jetë pengesë për askënd që ka dëshirë të jetë pjesë e të marshojë më 12 shtator për lirinë e çlirimtarëve”, ka thënë Hoxha.

    Sipas saj, nisjet do të organizohen nga qytete dhe komuna të ndryshme të Kosovës, ndërsa detajet për pikat e nisjes, oraret dhe transportin do të bëhen publike përmes njoftimeve zyrtare.

    “Nga qytetet dhe komunat anë e mbanë Kosovës do të organizohen nisje drejt marshit. Do t’i kemi agjendat, pikat e nisjes, oraret, detajet e transportit që do të jenë publike me kohë përmes njoftimeve tona zyrtare edhe në platformën ‘Liria ka Emër’, por edhe në mediat e ndryshme”, ka bërë të ditur ajo.

    Hoxha ka përcjellë edhe një thirrje për qytetarët, duke theksuar se qëllimi i organizimit është bashkimi i njerëzve nga e gjithë Kosova në një mesazh të përbashkët.

    “Mesazhi ynë është i thjeshtë: kudo që jeni, bëhuni gati, ejani, si përherë, me familje, me kolegë, me gjyshër e gjyshe e me fëmijë. Sepse këtë herë nuk po organizohet vetëm një udhëtim drejt një vendi, po organizohet një bashkim njerëzish nga e gjithë Kosova në një zë të përbashkët dhe të vetëm: Liri për çlirimtarët!”, ka deklaruar Hoxha.

    Në konferencë është bërë e ditur edhe një aktivitet tjetër në kuadër të këtij organizimi. Hoxha ka njoftuar se të martën në mbrëmje, në orën 19:00, në Galerinë e Arteve të Prishtinës, në Pallatin e Rinisë, do të hapet ekspozita “Ditari i një fotografi të luftës”, e fotografit Visar Kryeziu.

    “Dhe sot, si pjesë e këtij rrugëtimi për t’u kthyer prapa në kujtesë, i shtohet edhe një dëshmi e fuqishme përmes fotografive. Në orën 19:00, në Pallatin e Rinisë, në Galerinë e Arteve të Prishtinës, bashkë Galeria dhe platforma ‘Liria ka Emër’ shpalosin ekspozitën ‘Ditari i një fotografi të luftës’ të fotografit Visar Kryeziu. Përmes këtyre fotografive do të rikthehemi tek pamjet dhe dëshmitë e një kohe që nuk guxojmë ta harrojmë, tek sakrifica, qëndresa dhe çmimi i lartë i lirisë sonë”, ka thënë Hoxha.