ATV

Category: LAJME

  • Rubio paralajmëron Iranin: Për çdo sulm ndaj anijeve amerikane, do të humbni cisterna

    Rubio paralajmëron Iranin: Për çdo sulm ndaj anijeve amerikane, do të humbni cisterna

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar Iranin se çdo përpjekje për të goditur anijet luftarake amerikane do të pasohet me sulme ndaj cisternave iraniane.

    Rubio e cilësoi situatën si “mjaft të drejtpërdrejtë”, duke deklaruar se SHBA-ja do të përgjigjet ndaj çdo sulmi apo tentative sulmi nga Irani.

    “Irani vazhdon të përpiqet të godasë anijet luftarake amerikane. Dhe për çdo herë që e bën këtë ose përpiqet ta bëjë, do të humbasë cisterna”, deklaroi Rubio gjatë një vizite në Kolumbi.

    Sipas CENTCOM, anija amerikane e shënjestruar nga raketat iraniane arriti t’u shmangej sulmeve, ndërsa asnjë ushtar amerikan nuk u plagos.

    Sulmet e fundit vijnë vetëm pak ditë pasi SHBA-ja goditi tri cisterna të tjera iraniane, pas përpjekjeve të Teheranit për të sulmuar një aeroplanmbajtëse dhe një anije amerikane të pajisur me raketa të drejtuara.

  • Irani sulmon bazën amerikane në Jordani dhe 10 anije në Ngushticën e Hormuzit

    Irani sulmon bazën amerikane në Jordani dhe 10 anije në Ngushticën e Hormuzit

    Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka njoftuar se ka lëshuar raketa balistike drejt një baze të përdorur nga ushtria amerikane në Jordani, ndërsa ka deklaruar se ka sulmuar edhe 10 anije në zonën e Ngushticës së Hormuzit.

    Sulmet vijnë një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë shkatërruar pesë cisterna iraniane të naftës. Përplasjet e fundit kanë ndërprerë një periudhë relativisht të qetë, duke prekur drejtpërdrejt objektivat ushtarake, transportin detar dhe infrastrukturën energjetike.

    Sipas Gardës Revolucionare Iraniane, raketat balistike u drejtuan ndaj një baze pranë Al Azras në Jordani, e cila përdoret nga forcat amerikane, raportoi Reuters.

    Një zyrtar amerikan deklaroi se sulmi ishte joefektiv dhe se të gjithë trupat amerikane në bazë ishin të sigurt.

    Sulmi në Jordani shënon një tjetër përballje të drejtpërdrejtë të Iranit me objektivat amerikane në rajon. Teherani ka goditur më herët edhe pozicione amerikane në Jordani, ndërsa një sulm në korrik kishte shkaktuar vdekjen e të paktën dy pjesëtarëve të ushtrisë amerikane.

  • Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim për rastin “53-milionëshi”

    Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim për rastin “53-milionëshi”

    Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim në rigjykimin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.

    Aktgjykimi është shpallur sot nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Violeta Namani.

    Përveç dënimit me burgim, Gjykata ndaj Lekajt ka shqiptuar edhe dënim plotësues – ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike për 3 vjet e 8 muaj, i cili do të zbatohet pas përfundimit të vuajtjes së dënimit me burgim.

    Lekaj dhe të tjerët akuzohen në lidhje me pagesën shtesë prej 53.1 milionë eurosh ndaj kompanisë “Bechtel & Enka” për zgjatjen e afatit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.

    Rasti ishte kthyer në rigjykim pasi Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e parë dhe çështjen e kishte kthyer në rivendosje.

    LEX – Drejtësia nga Sinjali

  • Shqipëria dënon nderimet për Mlladiqin: Glorifikimi i kriminelëve të luftës bie ndesh me vlerat evropiane

    Shqipëria dënon nderimet për Mlladiqin: Glorifikimi i kriminelëve të luftës bie ndesh me vlerat evropiane

    Shqipëria ka dënuar ashpër nderimet me të cilat u përcoll në Serbi Ratko Mlladiqi, i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e cilësoi glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe mohimin e gjenocidit si të papajtueshëm me vlerat europiane.

    Reagimi i ministrit Hoxha erdhi pas ceremonisë mortore të Ratko Mlladiqit në Serbi, ku ish-komandanti serb i Bosnjës u përcoll me nderime.

    Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Hoxha theksoi se Shqipëria i bashkohet qëndrimit të Bashkimit Europian dhe udhëheqësve të tij në dënimin e glorifikimit të një personi të dënuar për disa nga krimet më të rënda të luftës në Bosnje.

    “Shqipëria dënon glorifikimin e Ratko Mladić, një kriminel lufte i dënuar që vdiq ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ne i bashkohemi Bashkimit Evropian, udhëheqësve të tij dhe të gjithë atyre që me të drejtë kanë dënuar mënyrën se si ai u nderua në Serbi.”

    “Qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe mbetet konsistent: glorifikimi i kriminelëve të luftës të dënuar dhe mohimi i gjenocidit bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar projekti evropian.”

    Hoxha tha se akte të tilla nuk rihapin vetëm plagët e së kaluarës, por dëmtojnë edhe marrëdhëniet mes komuniteteve dhe fyejnë viktimat dhe të mbijetuarit.

    “Akte të tilla shkaktojnë më shumë dëm sesa thjesht rihapja e plagëve të së kaluarës. Ato fyejne viktimat dhe të mbijetuarit, gërryejnë besimin midis komuniteteve dhe njerëzve.”

    Në përfundim, ministri Hoxha theksoi se e ardhmja e Ballkanit duhet të ndërtohet mbi paqen, pajtimin, bashkëpunimin dhe respektin e ndërsjellë.

  • Musliu i thotë Kurtit: Harroje që e frikëson PDK-në duke i çuar zgjedhjet në dhjetor

    Musliu i thotë Kurtit: Harroje që e frikëson PDK-në duke i çuar zgjedhjet në dhjetor

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, tha se partia e saj është e gatshme të përballet me zgjedhjet, pavarësisht se kur mund të mbahen ato.

    Musliu në Rubikon në Klan Kosova, i ka dërguar një mesazh kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se PDK-ja nuk frikësohet nga mundësia që zgjedhjet të mbahen në dhjetor.

    “Partia Demokratike është shumë e interesuar që shteti me i kriju institucionet edhe me ec përpara me institucione të reja të dalura nga rezultati zgjedhor i 7 qershorit dhe të vazhdojmë tutje. Mirëpo në asnjë rrethanë nëse Albin Kurti mendon që e frikëson Partinë Demokratike të Kosovës po i çon zgjedhjet në dhjetor, këtë le ta harron. Partia Demokratike është e gatshme me dalë në zgjedhje, ka potencial, është e konsoliduar, i ka strukturat aktive pikën më të fortë, Partia Demokratike e Kosovës e ka elektoratin besnik e atdhedashës që duhet me e potencuar. Por nëse Albin Kurti mendon që e frikëson Partinë Demokratike, pse po çon zgjedhjet në dhjetor, le të bën manovra politike, le të bën, le të luan me afate”, ka deklaruar Musliu.

    Sipas deputetes së PDK-së, partia e saj është stabile në raport me rezultatet dhe trendet zgjedhore, ndërsa mohoi se ky subjekt është humbës.

    “Ndash shkojmë në zgjedhje sot, ndash shkojmë nesër, ndash shkojmë në natën e Vitit të Ri kur të doni. Ne nuk e kemi problem. Partia Demokratike e Kosovës është në trendin e zgjedhjeve në Kosovë është stabile. Nuk është PDK-ja humbëse, qysh doni kalkuloni”, ka thënë ajo.

  • Emocionet e Jakup Krasniqit në fjalën përfundimtare: “Nëse liria është krim, historia do të dënohet”

    Emocionet e Jakup Krasniqit në fjalën përfundimtare: “Nëse liria është krim, historia do të dënohet”

    Ish-zëdhënësi i UÇK-së dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, po përballet me gjykim për krime lufte në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Tashmë që kanë mbetur pak më shumë se 1 javë deri në verdiktin final të kësaj gjykate ndaj katërshes së UÇK-së, Krasniqi, më 18 shkurt, vetëm një ditë pas festimit të përvjetorit të 18-të të pavarësisë së Kosovës, kishte mbajtur fjalën e tij përfundimtare.

    Me urimin për Pavarësi, Jakup Krasniqi nisi deklarimin se qëndron para kësaj gjykate, si njeri i lindur dhe i kalitur në luftën për dinjitet dhe jo si një kriminel.

    “Iu uroj të gjithë qytetarëve të Kosovës, që dje e festuan pavarësinë e Kosovës. Qëndroj para jush jo si kriminel, por si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftë për dinjitet njerëzor, në një popull që refuzoi zhdukjen nga politikat dhe krimet e gjenocidit të Serbisë”, kishte thënë Krasniqi.

    Para trupit gjykues, ai deklaronte se për më shumë se pesë vjet i është mohuar e drejta e njeriut, duke theksuar ndër më të rëndësishmen – atë për të jetuar në liri.

    “Pas më shumë se pesë vjetësh burgim të padrejtë dhe, sipas mendimit tim, të panevojshëm, angazhimi im politik dhe jetësor për jetë e liri ka nisur herët. Kam qenë i angazhuar që në fillim për të dhënë një rrëfim të vërtetë të luftës sonë për pavarësi, kundër politikave të persekutimit dhe gjenocidit të regjimit serb, të cilat sollën vuajtje dhe shkatërrim të paparë për popullin e Kosovës”.

    “Për më shumë se pesë vjet, besoj se më janë mohuar të drejtat e njeriut të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndër to, më e rëndësishmja është e drejta për të jetuar në liri, veçanërisht e drejta e një njeriu në fazën e fundit të jetës së tij për t’i jetuar vitet e mbetura me dinjitet, pranë familjes dhe në atdheun e lirë”, thoshte ai, njofton Klankosova.tv.

    Ish-kryeparlamentari i Kosovës tha se qëllimi i tij dhe bashkëluftëtarëve ishte se errësira e padrejtësisë do të thyhej me agimin e shpresës.

    “Kjo është bërë pa i shkaktuar padrejtësi askujt. Pa i rrezikuar asnjë njeriu të vetëm, përkundrazi kam rrezikuar jetën time, jo vetëm gjatë luftës çlirimtare, por që nga vitet 1972-73, së bashku me familjen time, me bashkëkombësit e mi, me bashkëfshatarët e mi, me besimin se errësira e padrejtësisë do të thyhej me agimin e shpresës. Kjo është arsyeja pse u angazhova për çlirim”, tha Krasniqi.

    Akuzat kundër tij dhe shokëve që ndodhen në Hagë, ai ishte shprehur i bindur se janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan disa luftëra.

    “Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e ish-shtypësve, por duhet të qëndrojë mbi prova të besueshme”.

    “Drejtësia të mos thyhet mbi shpinën e tiranisë që përjetuam. Dashuria për jetën dhe lirinë më bëri ta marr këtë rol. Më është mohuar dhe më është ndaluar e drejta më njerëzore e çdo personi të lindur i lirë, dhe e çdo njeriu të arsyeshëm që e njeh vlerën dhe dinjitetin njerëzor, e drejta për ta dashur hapur vendin tim, për të punuar për të dhe për të përcjellë atë që kam mësuar përmes dekadash jetë e sakrifica”.

    “Për këto virtyte u prangosa më 4 nëntor 2020. Akuzat kundër nesh dhe UÇK-së janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan disa luftëra. Nuk besoj se kjo akuzë i shërben ndonjë drejtësie. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e ish-shtypësve, por duhet të qëndrojë mbi prova të besueshme. Padrejtësia e këtij rasti është e shkruar në vetë aktakuzën”, deklaronte tutje Krasniqi.

    Me fjalë të fuqishme, ai iu drejtua trupit gjykues, duke përmendur vitet e kaluara në burg.

    Krasniqi tha se ky është viti i 16-të, nga 75 vitet e jetës së tij, që ka kaluar në burg, me të vetmin qëllim, për lirinë e Kosovës.

    “Sot ndodhem në vitin tim të 16-të të burgimit vetëm pse luftova për liri dhe pavarësi të popullit tim. Po them vitin e 16-të sepse 10 vite e më tepër burg i kam kaluar nga viti 1981 deri në vitin 1991. Të kesh kaluar 16 nga 75 vitet e jetës në burg dhe të jesh privuar nga ajri i lirisë, nuk është diçka e vogël, është diçka e madhe”, thoshte ish-zëdhënësi i UÇK-së.

    Jakup Krasniqi deklaronte se populli i Kosovës gjatë luftës së fundit nuk ka planifikuar shkatërrim e tortura, por kërkonte jetë në liri dhe pavarësi.

    “Zëri im ka qëndruar për lirinë. Kam bërë atë që besoja se e kërkonte fisnikëria njerëzore. Shikoni provat dhe dëshmitë në mënyrë objektive, dhe aty do të gjeni të vërtetën. Drejtësia nuk i frikësohet shqyrtimit, përkundrazi, ajo varet prej tij”.

    Ish-kryeparlamentari e përmbylli fjalën e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë me një deklaratë të fuqishme.

    “Populli i Kosovës ka kërkuar liri dhe pavarësi, asgjë më shumë”, deklaroi ai.

    Krasniqi i drejtohej trupit gjykues me fjalët se “nëse dashuria për liri gjykohet si një krim, atëherë historia do të dënohet”.

    Në fund, ai i kërkoi gjykatës ta gjykojnë çdo provë me durim, por pa paragjykim, “sepse aty, nuk do ta gjejnë ndërmarrjen kriminale siç e thotë ZPS, por historinë njerëzore të formësuar për liri”!

    “Nëse kjo bindje për lirinë tonë gjykohet drejtë këtu, drejtësia do ta nderojë parimin që krijoji këtë gjykatë. Po e përfundoj fjalën time, duke kërkuar drejtësi e cila shihet qartë. Faleminderit”, ishin fjalët e fundit të Jakup Krasniqit gjatë fjalës së tij përfundimtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Dhomat e Specializuara të Kosovës do të shpallin aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, më 16 shtator 2026, në ora 10:00.

    Katër ish-udhëheqësit e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe për krime ndaj njerëzimit dhe janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.

    Trupi gjykues, duke dhënë vendimin për 16 shtatorin, pati thënë se e ka shtyrë datën për shkak të vëllimit të madh të provave.

    “Në urdhrin për caktimin e datës, Trupi Gjykues shpjegoi se koha e nevojshme për kuvendimet ishte zgjatur në përputhje me rregulloren, për shkak të vëllimit të madh të provave të marra dhe kompleksitetit të procesit gjyqësor dhe se kjo zgjatje përligjej nga nevoja për të bërë një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes”, thuhej në njoftim e DhSK-së.

    Data paraprake për vendimin final ishte caktuar 20 korriku.

    Gjykimi ndaj katërshes nisi më 3 prill, 2023. /Klankosova.tv

  • Endrit Thaçi poston muralin e katërshes së UÇK-së që u zbulua në Prishtinë

    Endrit Thaçi poston muralin e katërshes së UÇK-së që u zbulua në Prishtinë

    Në Kryeqytet është zbuluar pasditen e sotme një mural i ri, i cili i kushtohet kujtesës, sakrificës dhe luftës për liri.

    Vepra përmban katër portrete të krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, që përfaqësojnë pjesë të historisë së Kosovës, nga uniforma dhe lufta për liri, te angazhimi për ndërtimin e shtetit dhe pavarësinë e vendit, raporton Klankosova.tv.

    E muralin në fjalë e ka shpërndarë në rrjete sociale edhe djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endriti, pa ndonjë koment.

    Kujtojmë se më 16 shtator do të jepet verdikti final ndaj katërshes së UÇK-së në Hagë.

  • “Ora e Pritjes” nis numërimin mbrapa edhe në Podujevë

    “Ora e Pritjes” nis numërimin mbrapa edhe në Podujevë

    Edhe në Podujevë ka nisur “Ora e Pritjes”, e cila po numëron mbrapa drejt 16 shtatorit, në pritje të drejtësisë dhe lirisë për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Në një njoftim të kësaj platforme, nga Podujeva u përcoll edhe një herë mesazhi se Kosova po pret drejtësi, liri dhe kthimin në atdhe të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

    “Aktivitetet e platformës qytetare “Liria Ka Emër” vazhdojnë drejt Marshit për Liri, që do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Kosova po pret.”, thuhet në njoftim.

  • AKK: Shkollat hyjnë në javën e dytë pa dokumentacionin bazë pedagogjik

    AKK: Shkollat hyjnë në javën e dytë pa dokumentacionin bazë pedagogjik

    Asociacioni i Komunave të Kosovës ka shprehur shqetësim për mungesën e dokumentacionit bazë pedagogjik në shkollat e Kosovës, edhe në javën e dytë të vitit të ri shkollor.

    Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka thënë për IndeksOnline se në shumë shkolla vazhdojnë të mungojnë librat e klasës dhe librat amë, të cilët janë pjesë e dokumentacionit elementar për zhvillimin dhe evidentimin e rregullt të procesit mësimor.

    Sipas Ibrahimit, kjo situatë nuk mund të arsyetohet vetëm si një vonesë teknike, por tregon, siç ka deklaruar ai, mungesë planifikimi, koordinimi dhe përgjegjësie institucionale.

    “Edhe në javën e dytë të vitit të ri shkollor, shkollat në komunat e Kosovës vazhdojnë të përballen me mungesën e dokumentacionit bazë pedagogjik”, ka deklaruar Ibrahimi.

    Ai theksoi se pasojat e kësaj situate po i bartin komunat, drejtuesit e shkollave, mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit.

    AKK-ja i ka bërë thirrje Ministrisë që të sigurojë dhe shpërndajë menjëherë dokumentacionin pedagogjik në shkollat e komunave të Kosovës.

    Po ashtu, Asociacioni kërkon që MASHTI t’i njoftojë komunat për afatin e saktë të furnizimit, të sqarojë publikisht arsyet e vonesës dhe të vendosë një bashkëpunim e koordinim të rregullt me drejtoritë komunale të arsimit.

    “Viti shkollor nuk mund të fillojë me improvizime. Institucionet përgjegjëse duhet t’i përmbushin obligimet e tyre para se nxënësit të hyjnë në klasa, e jo pasi të ketë filluar java e dytë e mësimit”, ka thënë Ibrahimi.

    Sipas tij, arsimi kërkon përgjegjësi dhe planifikim, jo neglizhencë dhe improvizim.

  • Kryeprokurori i Speciales takon shefin e ri të EULEX-it

    Kryeprokurori i Speciales takon shefin e ri të EULEX-it

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z.Blerim Isufaj, priti të martën në një takim shefin e ri të EULEX-it, z.Antero Lopes.

    Në këtë takim, të parë njohës, z.Isufaj dhe z.Lopes shkëmbyen pikëpamjet dhe diskutimin e çështjeve me interes të përbashkët lidhur me punën, prioritetet dhe sfidat me të cilat përballet Prokuroria Speciale, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.

    Shefi i ri i EULEX-it, z. Antero Lopes, ndër të tjera, theksoi se misioni evropian do të vazhdojë të jetë i angazhuar në mbështetjen e punës dhe përkushtimit të PSRK-së.