ATV

Category: Lajme

  • ​Policia tregon numrin e pjesëmarrësve në protestën e serbëve në veri

    ​Policia tregon numrin e pjesëmarrësve në protestën e serbëve në veri

    Policia e Kosovës ka njoftuar se me kohë ka ndërmarrë masat e nevojshme policore me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës së mbajtur sot në shesh të Mitrovicës.

    Policia tha se siç parashihet me ligjin mbi tubimet publike, protesta ka qenë e paralajmëruar nga organizatori, e që në këtë rast ka qenë shoqata e pensionistëve si dhe parimisht ishte marrë pëlqimi nga autoritetet komunale për shfrytëzimin e hapësirës publike.

    “Policia e Kosovës çdo herë ka njohur dhe njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Protesta në të cilën kanë marrë pjesë rreth 1.800 persona, përfshirë ata të cilët nga rajone të ndryshme kanë ardhur në formë të organizuar me autobus e vetura, ka përfunduar në ora 12:30 dhe ka kaluar e qetë pa ndonjë incident”, njofton policia.

  • ​Grafitet e reja në veri, pozitë dhe opozitë shprehen të shqetësuara

    ​Grafitet e reja në veri, pozitë dhe opozitë shprehen të shqetësuara

    Vendosja e grafiteve në katër komunat veriore me mesazhet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”, po shihen si shqetësuese nga grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Pozitë dhe opozitë thonë situata në veri, mbetet e brishtë për shkak të tendencave të Serbisë që përmes grupeve të caktuara të destabilizojë situatën atje.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se paraqitja e grafiteve të reja në veri është marrë me shqetësim dhe seriozitet nga organet kompetente të sigurisë. Sipas saj, të gjitha informacionet tregojnë se Serbia asnjëherë nuk është ndalur për të destabilizuar veriun e vendin.

    “Është evidente që situata e sigurisë në veriun e vendit mbetet e brishtë, për shkak të pretendimeve dhe rrezikut potencial që ekziston nga grupe të caktuara të mbështetura nga Serbia. Paraqitja e grafiteve natyrisht që është marrë me shqetësim por edhe seriozitet të organeve kompetente. Siç e dini menjëherë janë aktivizuar policia dhe prokuroria për identifikimin e autorëve të paraqitjeve të këtyre grafiteve…Sa i përket situatës të paraqitjes së sulmit terrorist të Banjskës të shtatorit të vitit të kaluar, të gjitha informacionet tregojnë se asnjëherë nuk kanë rreshtur pretendimet e Serbisë për destabilitet të Kosovës. Por gjithashtu edhe gatishmëria dhe përgatitja e organeve të vendit dhe forcës ndërkombëtare është treguar se është në nivelin e duhur”, theksoi ajo.

    Si pasojë e kësaj, Kusari-Lila shtoi se është shtuar edhe siguria personale e udhëheqësve të shtetit. Siç deklaroi, shefja e deputetëve të partisë në pushtet, informacionet tregojnë se ka potencial se të njëjtit mund të jenë target i sulmeve nga Serbia.

    Megjithatë, ajo nuk pranoi të shpalos detaje për pretendimet për planifikimin e një atentati ndaj kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, ku qëndroi gjatë javës së kaluar.

    “Në rastin specifik nuk mund të flas për diçka që është në konfidencialitet të lartë dhe përbënë informacione të inteligjencës. Por ajo çka mund të them është se vazhdohet të mbetet një situatë kur grupe të caktuara kriminale asnjëherë nuk kanë rreshtuar për të destabilizuar vendin, apo paraqitur rrezik për vendin. Qoftë përmes sigurisë personale të krerëve të shtetit, apo krijimin të incidenteve të tjera”, shtoi Kusari Lila.

    Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, duke folur për pretendimet për planifikimin e një atentati ndaj kryeministrit Kurti, tha se profesionalizmi i institucioneve të Kosovës nuk është me rrjedh lajmi në media, por në identifikimin e autorëve. Sipas tij, është për keqardhje që një lajm i tillë u demantua nga institucionet e Maqedonisë së Veriut.

    “Profesionalizmi i institucioneve të Kosovës nuk është me rrjedh lajmi në media, pasi atëherë nuk identifikohet asgjë. Profesionalizmi është me identifiku burimin e qartë dhe me neutralizu diçka të tillë. Shprehi keqardhje për një kërcënim të tillë, qoftë ndaj kryeministrit apo cilido lider që ndodh në vendin tonë. Ju e dini se të kaluarën jo shumë të largët ka pasur kërcënime edhe për liderët e opozitës, të cilët tashmë janë në mbrojtje të policisë. Por vërtet është për keqardhje kur brenda një periudhe disa orëshe me u demantu nga një shtet i cili ishte mikpritës i kryeministrit të Kosovës. Kjo është shumë e pahijshme dhe kjo i vë një hije të keqe AKI-së dhe institucioneve të sigurisë. A kemi të bëjmë vërtet me një kërcënim apo vetëm me rrjedhjen e një lajmi të rrejshëm. Nuk mendoj se duhet për interesa të kujtdo qofshin të degradohet puna e institucioneve të sigurisë”, theksoi Tahiri.

    Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se nuk e dinë se cili ka qenë niveli i kërcënimit ndaj kryeministrit Kurti, por, sipas tij çështje të tilla nuk duhet të përdoren për qëndrime politike.

    “Cili ka qenë niveli i kërcënimit, këtë nuk e di. Veçse një shtet si Maqedonia e Veriut nuk guxon me bërë deklarim publik, nëse ekziston një komunikim zyrtar mes dy agjencioneve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në këtë temë…Normal si shqiptar me të kërcënuar dikush kryeministrin nuk ndihesh mirë, sikurse ndihem jo mirë kur një shtet detyrohet me të dematuar për një çështje, e cila siç po duket është përdorur për qëndrime politike”, theksoi ai.

    Megjithatë, Tahiri deklaron se agjenda armiqësore e Serbisë dhe presidentit Vuçiq nuk do të ndalet asnjëherë për destabilizimin e Kosovës.

    “Agjenda armiqësore e Serbisë, respektivisht presidentit Vuçiq as nuk u ndal deri sot dhe as nuk ka me vazhdu me u ndal. Synimi i tyre është destabilizimi i Kosovës dhe rrjedhimisht provokimi i gjendjes në Kosovë. Aleanca i ka qëndrimet shumë të thjeshta në këtë temë, sundimi i ligjit, shtrirja e sovranitetit dhe mbrojtja e integritetit tonë territorial është detyrë e qeverisë dhe ne si AAK i japim mbështetje për çfarëdo veprimi që është në këtë funksion. S’ka asnjë dilemë se a do të kthehet ushtria serbe në Kosovë, kjo është një ëndërr që e ëndërrojnë jo Serbia, por disa nacionalist. Ata e dinë sikur 1 plus 1 që bëjnë dy se kurrë asnjë ushtri më nuk do të kthehet dhe që ka kush i del zot kësaj Kosove. Qysh i ka dal UÇK-ja në vitin 1999, tash me ushtri dhe instrumente kur të dojnë t’ia mësyjnë. Por nuk e kanë atë guxim”, tha Tahiri.

    Këto komente ata i bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos që gjatë kësaj jave të mbahen tri seanca plenare.

    Deputetët të mërkurën pritet të mblidhen për të shqyrtuar pikat e mbetura nga seancat e kaluara, kurse të enjten do të mbahen dy seanca të reja plenare, ku njëra do të shqyrtojë plotësim-ndryshimet kushtetuese për procesin e vetingut, ndërkaq tjetra marrëveshjet ndërkombëtare dhe pikat të tjera që janë në rend të ditës.

    “Kuvendi për këtë javë do të mbajë tri seanca plenare. E para është ditën e mërkurë me 14 shkurt me fillim në ora 11:00. Kjo seancë do të shqyrtojë vazhdimet e seancave të papërfunduara të javës së kaluar, në të cilën janë të parapara katër votime…Ditën e enjte, seanca e re do të jetë në orën 10:00 në të cilën është një seancë e veçantë, në të cilën do të shqyrtohen plotësim-ndryshimet kushtetuese sipas propozimit të komisionit, i cili ka bërë shqyrtimin e procesit të vetingut…Vazhdon dita e enjte me një seancë tjetër të re. Seanca që fillon në orën 10:30 dhe ka pikat e rregullta të rendit të ditës, gjegjësisht deklarimet e rendit të ditës, kurse pyetjet parlamentare janë hequr me dakordim të grupeve parlamentare, ndërkaq vazhdohet me marrëveshjet ndërkombëtare”, tha shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

    Në anën tjetër, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se do të iniciojnë themelimin të dy komisioneve hetimore parlamentare, njëra për kontratat njëburimore dhe tjetra për tekstet shkollore.

    Ndërkaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, bëri të ditur se kanë mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për ligjin për sigurime shëndetësore./KosovaPress/

  • ​Mitsotakis në Beograd: Nuk kemi ndryshuar qëndrimin karshi Kosovës

    ​Mitsotakis në Beograd: Nuk kemi ndryshuar qëndrimin karshi Kosovës

    “Qëndrimi i Greqisë sa i përket Kosovës mbetet i pandryshuar”, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një vizite në Beograd më 12 shkurt.

    “Ndërmjetësimi evropian dhe dialogu janë mënyra e vetme për të normalizuar raportet mes dy palëve. Kjo do të ndihmonte ndjeshëm stabilitetin në rajon. Ne po i shikojmë dhe ndjekim me ankth ngjarjet e mujave të fundit”, tha Mitsotakis pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Greqia është në mesin e pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, së bashku me Spanjën, Qipron, Sllovakinë dhe Rumaninë.

    Udhëheqësi grek tha se shteti i tij mbështet Serbinë në rrugën e saj evropiane.

    “Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është qëllimi ynë strategjik. Është e rëndësishme për Beogradin që të përfitojë nga këto rrethana pozitive në procedurën evropiane. Duke përshpejtuar reformat në shtetin tuaj, ju do t’i afroheni BE-së”, shtoi ai.

    Kryeministri grek po ashtu theksoi se ka parë përparim në raportet mes Athinës dhe Beogradit. Sipas Mitsotakis, bashkëpunimi mes Greqisë dhe Serbisë është zgjeruar në sektorin e energjisë dhe Athina mbështet projektet infrastrukturore dhe investimet e BE-së në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.

    “Ne duhet t’i përdorim fondet evropiane që janë të dedikuara për Ballkanin Perëndimor”, theksoi ai.

    Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “Serbia dhe Greqia gjithmonë kanë mbështetur integritetin territorial të njëra-tjetrës”.

    “Besoj se edhe në të ardhmen do të jetë njëjtë”, tha Vuçiq.

    Ai theksoi se Serbia “është e vendosur” që të vazhdojë rrugën evropiane dhe falënderojë Greqinë për mbështetjen në këtë drejtim.

    Vuçiq tha se me Mitsotakis ka biseduar për energjinë, përkatësisht për naftësjellësit, gazsjellësit, blerjen e gazit, burimet e energjisë së ripërtërishme, por edhe se si kompanitë greke mund të ndihmojnë që Serbia të ndërtojë këto kapacitete.

    Ata po ashtu kanë biseduar për infrastrukturën dhe transportin, për modernizmin e rrugës dhe hekurudhës nga Beogradi në Selanik dhe lidhjen e Serbisë me portet greke. /rel/

  • Revista franceze: Shqipëria ndër destinacionet më të mira në Evropë

    Revista franceze: Shqipëria ndër destinacionet më të mira në Evropë

    Që nga rifillimi i udhëtimeve pas një periudhe mbylljeje për shkak të Covid-19, destinacionet kryesore evropiane janë pushtuar nga turistët, sipas revistës franceze të udhëtimeve “Voyages et Tourisme”.

    Spanja, Italia, Franca dhe Greqia janë të mbipopulluara gjatë sezonit turistik. Disa vende kanë vendosur masa, kufizime për qiratë e turistëve dhe taksat për të kufizuar numrin e turistëve.

    Nga ana e tyre, turistët kërkojnë vende më të qeta për t’i shpëtuar turmave të mëdha. Por, disa destinacione të reja po shfaqen më pak të shtrenjta, të cilat ofrojnë peizazhe mahnitëse dhe nuk janë ende “viktima” të mbipopullimit të turizmit.

    Ndër këto destinacione është edhe Shqipëria. Toka e ballkoneve është padyshim destinacioni që duhet zbuluar.

    Për vitin 2024, ky vend në trend është plot me qytete dhe vende të mrekullueshme për t’u eksploruar. Një avantazh tjetër i vendit, është se ai mbetet ende shumë i përballueshëm – por për sa kohë?

    Shqipëria është renditur mes katër vendeve evropiane më të lira për turistët. Ndër qytetet në trend për t’u zbuluar në vitin 2024 në Shqipëri, sipas “Yardbarker” është Saranda.

    E vendosur në zemër të bregdetit të bukur shqiptar, Saranda është quajtur kryeqyteti jozyrtar i “Rivierës Shqiptare”. Ky qytet piktoresk është pesë orë larg me makinë nga Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë.

    Duket se i përket një bote tjetër, një bote ku koha ngadalësohet dhe bukuria natyrore merr shkëlqimin e saj të plotë. Një nga arsyet e shumta pse Saranda është bërë një destinacion kryesor është përballueshmëria e saj.

    Ndryshe nga destinacionet e tjera të njohura evropiane, Saranda ofron akomodim të përballueshëm dhe shërbime cilësore. Nëse jeni duke kërkuar për një hotel buzë detit apo një apartament komod në qytet, Saranda i plotëson të gjitha nevojat.

    Nëse jeni adhurues i ushqimeve të detit, Saranda është vendi ideal. Qyteti është i famshëm për kuzhinën e tij të klasit botëror, ku ushqimet e detit të freskëta janë gjithmonë në menu, transmeton KosovaPress.

    Restorantet lokale, shpesh të vendosura buzë detit, ofrojnë jo vetëm gatime të shijshme, por edhe pamje mahnitëse të detit Jon, duke e bërë çdo vakt të paharrueshëm. Së fundmi, pritja e ngrohtë e banorëve të Sarandës është legjendare. Ata janë të njohur si njerëzit më miqësorë në Ballkan.

  • Të kërcënuar me vende pune, serbët detyrohen të marrin pjesë në protestën në veri

    Të kërcënuar me vende pune, serbët detyrohen të marrin pjesë në protestën në veri

    Punonjësit e strukturave paralele/ilegale serbe në Kosovë, kanë pranuar mesazhe e njoftime nga udhëheqësit e tyre dhe janë detyruar të marrin pjesë në protestë, edhe përkundër vullnetit të tyre, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

    I njëjti burim në kushte anonimiteti theksoi se në rajonin e Gjilanit shumë qytetarë serbë, punonjës të strukturave ilegale, kanë hezituar për të marrë pjesë, por të njëjtit janë kërcënuar me vende të punës.

    Burimi tha se detyrimet për të marrë pjesë janë të qëllimshme, pasi që sipas të njëjtit, për “Listën Serbe” është i rëndësishëm viktimizimi para faktorit ndërkombëtar dhe kjo të duket që protesta ka mbështetje të madhe nga qytetarët serbë të Kosovës.

    Transporti është organizuar nga të gjitha komunat me shumicë serbe, ndërsa ata që kanë përdorur vetura private, janë kompensuar për derivate.

    Edhe pse protesta ishte paralajmëruar nga shoqata e pensionistëve serbë të Kosovës, ajo ishte organizuar nga subjekti politik “Lista Serbe”.

  • ​Morata në dyshim për sfidën me Interin

    ​Morata në dyshim për sfidën me Interin

    Sulmuesi i Atletico Madridi, Alvaro Morata pësoi një ndrydhje të kockave dhe ligamentin e brendshëm të gjurit të tij të djathtë gjatë humbjes 1-0 nga Sevilla.

    Golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve këtë sezon me pesë gola nga gjashtë ndeshje, Morata kishte dalë nga fusha në lot në minutën e 46-të të shtunën.

    Atletico, që do të presë skuadrën e Las Palmas në ligë të shtunën përpara se të vizitojë skuadrën italiane Inter për ndeshjen e parë të 1/16 të Ligës së Kampionëve javën e ardhshme, nuk zbuloi një afat kohor për rikthimin e Moratas.

    “Të hënën në mëngjes ai iu nënshtrua një skanimi për të përcaktuar shkallën e lëndimit. Ai është në pritje të trajtimit të mëtejshëm ,” tha Atletico në një deklaratë.

    Kapiteni i Spanjës është gjithashtu golashënuesi më i mirë i Atletico-s në La Liga këtë sezon, pasi ka shënuar 13 herë në 22 ndeshje.

  • ​PDK inicon edhe dy komisione hetimore për kontratat njëburimore dhe tekstet shkollore

    ​PDK inicon edhe dy komisione hetimore për kontratat njëburimore dhe tekstet shkollore

    Partia Demokratike e Kosovës do të inicojë themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për kontratat njëburimore dhe për tekstet shkollore.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se është e domosdoshme themelimi i këtyre komisioneve, siç tha për të dëshmuar keqpërdorimet e mëdha në këto çështje.

    Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, vuri në pah nevojën për miratimin e Ligjit për sigurime shëndetësore dhe rritjen e koeficientit në kuadër të Ligjit për paga.

  • Si të kërkoni të drejtën tuaj për kompensim në rast të dëmit të shkaktuar nga autoritetet publike?

    Si të kërkoni të drejtën tuaj për kompensim në rast të dëmit të shkaktuar nga autoritetet publike?

    Organizata Demokraci Plus ka përgatitur një video animuese me qëllim te avokimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve rreth te drejtës për kompensim në rast te dëmit të shkaktuar nga autoritetet publike në vend.

    Por si të kërkoni të drejtën tuaj për kompensim në rast të dëmit të shkaktuar nga autoritetet publike?

    Institucionet e drejtësisë, janë të thirrura për të vendosur në parim drejt për rastet që kanë në shqyrtim. Por jo rrallë herë në procese të tilla gjyqësore të natyrave të ndryshme, ka individë që padrejtësisht apo gabimisht, gjykohen, vuajnë dënimin apo e presin një verdikt të tillë të mbyllur në institucionet e sigurisë. E drejta për kompensim është e garantuar me Kushtetutë dhe rregullohet përmes ligjeve.

    Rastet e këtyre kompensimeve trajtohen në Departamentin për Çështje Administrative që vepron në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Baza ligjore mbi të drejtën e kompensimit të palës në rast të dëmit të shkaktuar nga autoritetet publike, rregullohet me këto ligje, dhe jo vetëm:

    1. Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve;
    2. Kodit të Procedurës Penale; dhe
    3. Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

    Ndërkaq, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) është një mekanizëm i cili ndihmon qytetarët të kenë qasje në drejtësi (ndihmë juridike falas) në procedurë civile, penale, administrative dhe kundërvajtje, për qytetarët të cilët nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare.
    Të gjithë personat, që në vendimin final të Gjykatave përkatëse shpallën të pafajshëm dhe deri në atë kohë kanë qëndruar në paraburgim apo kanë vuajtur dënimin me burg, apo personat të cilëve padrejtësisht u është mohuar pajisja me leje, u është mohuar e drejta në pension, nuk u janë dhënë kompensimet që u takojnë sipas ligjit personave paraplegjik dhe tetraplegjik, apo raste të tjera, mund ta kërkojnë këtë të drejtë si dëmshpërblim moral dhe financiar, përmes ligjeve të specifikuara më lartë dhe mekanizmave përkatës të institucioneve të drejtësisë. Me gjithë pengesat administrative dhe faktit që nuk ka të dhëna të sakta, sipas një raporti të KGJK-së, kërkesat aktuale për kompensim për raste penale arrijnë në shumën prej 77 milion Euro. Sipas legjislacionit aktual, palët kompensohen për një ditë qëndrimi në burg me 9 € për dëm material dhe 6 € për dëm jo material.

    Ky është njoftimi i plotë:

    E drejta për kompensim në rast të dëmit të shkaktuar nga autoritetet publike është e garantuar me Kushtetutë dhe rregullohet përmes ligjeve:
    🔹Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve;
    🔹Kodit të Procedurës Penale; dhe
    🔹Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
    Rastet e këtyre kompensimeve trajtohen në Departamentin për Çështje Administrative, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
    💡Se si të kërkoni të drejtën tuaj për kompensim, ndiqeni videon në vijim:

  • Tahiri: Paga mesatare në sektorin publik duhet të jetë 1000 euro

    Tahiri: Paga mesatare në sektorin publik duhet të jetë 1000 euro

    Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se në mbledhjen e kryesisë nuk janë trajtuar tema jetike.

    “Më 14 shkurt 2021 ka qenë dita kur fitoi Vetëvendosje. Të enjten kur edhe kemi seancë, hyjmë në vitin e katërt të kësaj qeverie. Janë disa tema jetike për AAK-në të cilat do t’i ngrisim përmes 3 iniciativave”, tha Tahiri duke përmendur ato.

    Ai tha se kanë mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore. Tutje, ai tha se AAK do të merret me pagat në sektorin publik, duke shtuar se paga mesatare duhet të jetë 1000 euro, dhe në fund tha se do të merren edhe me Ligjin për Pagën Minimale.

    “Kemi mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për ligjin e Sigurimeve Shëndetësore. Mos e bë Zot me iu sëmurë dikujt prindi apo fëmija, krejt kursimet duhet me i shkri, me hy në borxh për shërimin. Paga në sektorin publik – Me ligjin e Pagave dhe ka të bëjë me iniciativën tonë që e kemi nisur javën e kaluar, për Amandamentimin e Ligjit të Pagave. Mendojmë që në sektorin publik paga mesatare duhet të jetë 1000 euro, një drejtor nuk guxon me pas rrogën nër 1000. Dhe me Ligjin për Pagën Minimale në sektorin privat dhe në momentin kur kjo iniciativë të përfundojë atëherë të veprojmë me Amandementimin e Ligjit për Pagën Minimale”, tha Tahiri.

  • “Kam menduar që të ka mbetur një grimë UÇK”, debatojnë Berisha e Maqedonci

    “Kam menduar që të ka mbetur një grimë UÇK”, debatojnë Berisha e Maqedonci

    Kryetari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha e ka pyetur sot ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin për takimin që disa media patën raportuar të ketë ndodhur mes tij, shefit të AKI-së, Petrit Ajetit dhe sekretares së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihalit. Derisa për Ajetin ishte mohuar të ketë qenë pjesë e takimit, Maqedonci pati deklaruar se me Milhalin ishte takuar rastësisht duke ecur në malin e Gërmisë.

    Lidhur me këtë Maqedonci tha se “nuk është e ndaluar të takohemi me njerëz që funksionojnë në vend.”

    “Nuk konsideroj që është e ndaluar të takohemi me njerëz që funksionojnë në këtë vend”, ka thënë Maqedonci derisa ka mohuar që Ajeti të ketë qenë pjesë e takimit.

    Ndërsa deputeti i AAK-së, Bekë Berisha i është kundërpërgjigjur.

    “Kam menduar që të ka mbetur një grimë UÇK”, tha ai në mbledhjen e komisionit.