ATV

Category: Lajme

  • Frika nga dëbimet në Gjermani

    Frika nga dëbimet në Gjermani

    Në takimin e mbajtur në Potsdam në fund të nëntorit, ku morën pjesë politikanë nga partia e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe anëtarë të krahut konservator të Unionit Kristiandemokrat të qendrës së djathtë (CDU) është biseduar për dëbimin e “miliona njerëzve”. Në këtë takim, siç zbuloi dhe publikoi në muajin janar rrjeti investigativ Correctiv, u diskutuan plane për dëbimin e një numri të madh shtetasish me origjinë të huaj, pavarësisht nëse kanë apo jo pasaportë gjermane. Shtetasit gjermanë me origjinë të huaj do të dëboheshin nëse nuk do të asimiloheshin, siç u tha, raporton DW, transmeton albinfo.ch.

    “Në kundërshtim me Kushtetutën”

    Por shtetësia gjermane mbrohet posaçërisht nga Kushtetuta gjermane. Neni 16 thotë: “Shtetësia gjermane nuk mund të hiqet”. Kjo dispozitë u fut në Kushtetutë edhe për shkak të praktikës naziste të dëbimit me forcë dhe heqjes së shtetësisë, veçanërisht të qytetarëve me origjinë hebreje. “Kjo mbrojtje vlen edhe për personat me shtetësi të dyfishtë”, thekson në një intervistë për ARD, avokati i specializuar për të drejtën kushtetuese, Ulrich Karpenstein, nënkryetar i Dhomës së Avokatëve të Gjermanisë.

    Edhe pse Kushtetuta lejon disa përjashtime për shtetasit me nënshtetësi të dyfishtë, ajo ofron shumë pak mundësi për heqjen e shtetësisë, për shembull në rastet e aktiviteteve terroriste. Edhe nëse do të shtoheshin disa opsione të reja që mund të çonin në heqjen e shtetësisë, ato në asnjë rrethanë nuk duhet të lidhen me ngjyrën e lëkurës, siç u diskutua në takimin e Potsdamit.

    “Gjithashtu, arsyet e mundshme për heqjen e shtetësisë nuk duhet të lidhen as me origjinën dhe as me konceptin e asimilimit”, shpjegon Karpenstein. “Këto plane janë pa mëdyshje jokushtetuese. Për të realizuar ide të tilla duhet të injorosh si Kushtetutën gjermane ashtu edhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.” Dhe kjo do të ishte e mundur vetëm në rastin e një grushti shteti.

    Frika e qytetarëve

    Por pavarësisht kësaj, “planet e dëbimit masiv” të diskutuara në Potsdam, trembin shumë gjermanë. Në një anketë të kryer nga instituti dimap Infratest për ARD, 51 për qind e të anketuarve me prejardhje emigrante thanë se planet u shkaktonin frikë të madhe ose shumë të madhe. Ngjashëm e shohin këtë çështje edhe 48 për qind e të anketuarve pa rrënjë të huaja.

    Në Perëndim të Gjermanisë frika është pak më e lartë (49 për qind thonë se frika është e madhe apo shumë e madhe) sesa në Lindje (42 për qind). Dallime të mëdha në grupmosha nuk ka. Tek personat e moshës 35 deri në 49 vjeç frika është pak më e ulët dhe arrin në 41 për qind. Frika është veçanërisht e theksuar tek mbështetësit e të Gjelbërve dhe SPD-së, me 69 dhe 61 për qind. Vetëm tetë për qind e mbështetësve të AfD-së kanë frikë nga dëbimet e tilla, ndërsa 76 për qind prej tyre janë përgjigjur se kanë pak frikë ose aspak.

    Distancimi i AfD

    AfD është distancuar nga takimi në Potsdam dhe pretendon se ishte një “mbledhje private”. Partia shpjegoi së fundmi në një dokument zyrtar se koncepti i saj i të ashtuquajturit “remigracion” përfshin të gjitha masat dhe stimujt për kthimin kushtetues dhe ligjërisht të harmonizuar të të huajve që janë të detyruar të largohen nga Gjermania në vendet e tyre të origjinës. “Ne refuzojmë me vendosmëri kërkesat jokushtetuese si (… ) deportimet e shtetasve gjermanë me prejardhje migrante.”

    A do të thotë kjo se AfD refuzon të dëbojë gjermanët, do të thotë shtetasit gjermanë? Më 10 janar 2024, pak pasi “Correctiv” publikoi përmbajtjen e takimit të Potsdamit, në një postim në rrjetin X mund të lexohej diçka tjetër. AfD bëri thirrje për heqjen e pengesave në procesin e revokimit të shtetësisë gjermane dhe shpjegoi se ata jo vetëm që duan të dëbojnë vazhdimisht të huajt, “por duan t’u heqin pasaportat (gjermane) kriminelëve, terroristëve dhe përdhunuesve, si dhe atyre që konsiderohet një kërcënim potencial për shoqërinë”. “Sistemi automatik sipas të cilit kriminelët nuk deportohen sepse kanë shtetësi gjermane duhet të shfuqizohet”, thuhet në citimin e nënkryetares së partisë, Alice Weidel.

    Të pabazë juridikisht

    Kjo të paktën sugjeron se qëllimi i AfD-së është që në disa raste tua marrin pasaportën gjermaneve me prejardhje migrante. Sipas rregulloreve aktuale ligjore, dëbime të tilla nuk janë të mundshme. Juristët kushtetues si Ulrich Karpenstein e konsiderojnë ndryshimin si jokushtetues në lidhje me nenin 16 të Kushtetutës.

    Në një intervistë me ARD-në, anëtari i Bundestagut René Springer i AfD-së shpjegoi: “Si alternativë për Gjermaninë, ne mbështesim qartë Kushtetutën, por që nuk do të thotë, se ne nuk do të shtrëngojmë ligjet aty ku është e nevojshme kur të marrim përgjegjësi dhe të jemi në qeveri.” Ky shtrëngim do të vendoset në Bundestagun gjerman: “Ne do të duhet të negociojmë atë që është e tolerueshme për ne dhe atë që nuk është më e pranueshme. Dhe ku duhet të ulen pengesat në rrugën e heqjes së shtetësisë”, tha ai.

    Për AfD-në, shtetasit gjermanë me origjinë të huaj janë të huaj

    Një përshtypje e asaj që është e “tolerueshme” për AfD-në u dha nga një tubim lokal të kësaj partie në Gera të Turingisë në dhjetor. Aty një vizitor pyeti kryetarin e AfD-së për këtë land, Björn Höcke, se çfarë po ndodh me miliona njerëz që ai i konsideron ende të huaj, por që prej kohësh kanë pasaportë gjermane dhe nënshtetësi gjermane?

    Gjatë asaj mbrëmje, Höcke tha ndër tjerash “Ne do të mund të jetojmë me 20, 30 për qind më pak njerëz në Gjermani pa asnjë problem, në fakt mendoj se kjo ka kuptim ekologjik”. Me këto fjalë ai shpjegoi shumë sakt edhe përqindjen e njerëzve me prejardhje migrante në Gjermani – 28.7 për qind – duke përfshirë edhe ata me pasaportë gjermane. I pyetur nga ARD për të shpjeguar këtë deklaratë, Höcke tha se ishte keqkuptuar dhe shtoi: “Ky numër është rezultat i katastrofës demografike në të cilën ndodhet Gjermania”.

  • RrGK-ja lanson raportin “Barazia Gjinore dhe TI: Analiza Gjinore e Digjitalizimit në Kosovë”

    RrGK-ja lanson raportin “Barazia Gjinore dhe TI: Analiza Gjinore e Digjitalizimit në Kosovë”

    Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), ka lansuar të hënën raportin hulumtues: “Barazia Gjinore dhe TI: Analiza Gjinore e Digjitalizimit në Kosovë”, raporton EO.

    Ky raport ka për qëllim të mbështesë Qeverinë, institucionet dhe Bashkimi Evropian, duke ofruar një analizë gjinore e cila është nevojshme për të informuar politikat dhe programet, si dhe proceset avokuese të shoqërisë civile.

    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se Kosova është duke marrë hapa të rëndësishëm drejtë transformimit digjital. Ai tha se nga viti 2020, Bashkimi Evropian ka certifikuar shumë gra në fushën e sigurisë kibernetike.

    “Evropa ka punuar ndër vite në avancimin e barazisë gjinore në të gjitha sektorët dhe nivelet, sikurse edhe në analizën gjinorë të digjitalizimit në Kosovë. Nga viti 2020, BE-ja ka mbështetur sektorin e teknologjisë informative, ka bërë trajnime si siguria kibernetike duke targëtuar dhe certifikuar gra, pas një zbatimi të suksesshëm 6 mujor. Më shume se 60 për qind e të trajnuarve ishin gra. Po ofrojmë për ‘startupe’ dhe biznese të vogla duke iu rritur kapacitetet dhe ky raport që po lansohet sot do e njoftoj Evropën dhe të tjerët duke e mbështetur qeverinë e Kosovës. Nuk do të jetë e mundur të themi më se cila do jetë gjendja në Kosovë, kjo analizë gjinorë vjen në nivel kritik të Kosovës pasi po pritet një numër i madh i ndryshimeve dhe inkurajojmë të gjitha institucionet që të përmirësojnë gjendjen”, u shpreh ai.

    Snunyog tha se kjo analizë i kujton rrugën që duhet bërë drejt impaktit gjinor, duke vlerësuar mbrojtje të ndryshme të cilin digjitalizimi mund ta ketë në grupe të ndryshme.

    “Nuk duam që aspekti gjinor ku gratë dhe burrat mund të mbesin mbrapa por duhet shumë përmirësime në agjencinë e statistikave të Kosovës, ndarja e të dhënave në bazë të gjinive duhet të bërë në mënyrë të rregullte po ashtu të ketë monitorim të punës, disa prej rekomandimeve si angazhimi i grave kudo ku vendosen vendime në ministri komuna drejt reflektimit të tyre. E di që ka qenë një punë sfiduese për një fushë që është mjaft e re në këtë terren”, deklaroi ambasadori.

    Kryetarja e bordit të rrjetit të grave, Ariana Qosaj-Mustafa tha Rrjeti i Grave është surprizuar me atë që në Kosovë një kohë të gjatë është përmendur mungesa e shënimeve, te dhënave te lidhura me sektorin e IT-së, të cilat reflektojnë një pjesëmarrje mjaftë të lartë.

    “Hulumtimi vjen në moment mbështetës të qeverisë e cila ishte aktive me bursa e mbështetje tjera pasi sistemi arsimor në dy vitet e fundit ka më shumë gra që shkollohen ne bachelor dhe master, pra vërehet një ndryshim”, u shpreh ajo.

  • Gjobiten dy persona në Gjilan, vozitën nën ndikim të alkoolit

    Gjobiten dy persona në Gjilan, vozitën nën ndikim të alkoolit

    Policia e Gjilanit ka gjobitur dy persona pasi ata kanë vozitur nën ndikimin e alkoolit.

    Të dy personave u janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 200 euro, nga 2 pikë negative dhe masën mbrojtëse të heqjes së drejtimit të mjeteve motorike në afat prej gjashtë muajsh.

    “Njësiti rajonal i trafikut rrugor Gjilan gjatë kontrollit në trafik në qytetin e Gjilan në dy raste të ndara kanë ndalur për kontroll dy automjete. Gjatë kontrollit është dyshuar se vozitësit e këtyre automjeteve mund të jenë nën ndikim të alkoolit. Pasi që i është bërë matja e alkoolit me alkool test ka rezultuar se njëri vozitës ka qenë nën ndikim të alkoolit me 0.58 promilë dhe vozitësi tjetër ka qenë nën ndikim të alkoolit me 0.65 promilë”, njofton zyra e informimit e Gjilanit.

    “Secilit nga këta kundërvajtës veç e veç u janë shqiptuar gjoba në vlerë prej dyqind (200) euro, nga dy (2) pikë negative dhe masën mbrojtëse të heqjes së drejtimit të mjeteve motorike në afat prej gjashtë (6) muajsh”.

  • BE paralajmëron “katastrofë humanitare” në Rafah, Netanjahu: Korridor të sigurtë për civilët para sulmit

    BE paralajmëron “katastrofë humanitare” në Rafah, Netanjahu: Korridor të sigurtë për civilët para sulmit

    Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ka paralajmëruar me ngulm nga një ofensivë izraelite në Rafah, në jug të Rripit të Gazës duke sjellë në mendje vuajtjen e civilëve.

    Baerbock ka bërë të ditur edhe një udhëtim të ri në Izrael javën e ardhshme. “Një ofensivë e ushtrisë izraelite në Rafah do të ishte një katastrofë humanitare me shpallje”, ka shkruar politikanja e Gjelbër në shërbimin e mesazheve, X.

    “Njerëzit në Gaza nuk mund të shkrihen në ajër.” Ministrja e Jashtme gjermane kujtoi, se që tani vuajtja në Rafah është e papërfytyrueshme dhe aty 1,3 milionë vetë kërkojnë mbrojtje nga luftimet në Rripin e Gazës. Baerbock theksoi, se Izraeli duhet të mbrohet ndaj terrorit të Hamasit, por duhet të zbusë në masën më të madhe të mundshme vuajtjen e popullsisë. Baerbock ka theksuar edhe njëherë ndalimin e luftimeve që të lirohen pengje të tjerë. “Këtë do ta diskutoj në Izrael javën e ardhshme”, ka thënë Baerbock.

    Edhe i ngarkuari i BE për politikën e Jashtme, Josep Borrell ka paralajmëruar nga një “katastrofë humanitare”. “I bashkohem paralajmërimeve të disa vendeve anëtare”, deklaroi Borrell në shërbimin X. “Një ofensivë izraelite në Rafah do të sillte një katastrofë të papërshkrueshme humanitare.” Borrell paralajmëroi, se kjo do të shkaktonte “tensione të forta me Egjiptin”. Borrell ka shtuar më tej se “rifillimi i bisedimeve për lirimin e pengjeve dhe një ndalim i armiqësive janë mjeti i vetëm për të penguar masakrën.”

    Edhe Arabia Saudite ka paralajmëruar nga një ofensivë ushtarake në jugun e Rripit të Gazës. Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme në Riad theksohet, se refuzohet kategorikisht zhvendosja e detyruar e qindra mijëra civilëve. Riadi ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit “për të penguar Izraelin të shkaktojë një katastrofë kërcënuese humanitare”.

    Netanjahu premton korridor të sigurtë:

    Para një sulmi të pritshëm në Rafah, kreu i qeverisë izraelite, Benjamin Netanjahu u ka premtuar civilëve që kanë shkuar aty një korridor të sigurtë.”Ne do t’i mundësojmë popullsisë civile një rrugë të sigurtë për të dalë nga qyteti”, tha Netanjahu, sipas deklaratave paraprake të publikuara nga një intervistë që e transmenton të plotë të dielën televizioni amerikan, ABC News. Izraeli ndërkohë ka bëtë të ditur zbulimin e një tuneli të Hamasit nën shtabin qendror të organizatës së OKB për ndihmën ndaj palestinezëve, UNRWA në Rripin e Gazës.

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu i kishte dhënë ushtrisë të premten urdhrin për përgatitjen e një ofensive në Rafah duke theksuar se aty është i nevojshëm një mision ushtarak i gjerë. Dëshmitare okularë kanë njoftuar sipas agjencisë së lajmeve, AFP, se ka pasur sulme ajrore në Rafah./DW

  • Komuna e Prishtinës njofton për adoptimin e 10 qenve

    Komuna e Prishtinës njofton për adoptimin e 10 qenve

    Prishtina njofton se i ka adoptuar 10 qen Komuna e Prishtinës njoftoi se edhe 10 qen endacakë janë adoptuar.

    Në një njoftim në Facebook, Komuna shkroi të të hënën se falë përkushtimit dhe dashurisë, këta qen s’do të jenë më në rrugë.

    “Janë adoptuar edhe 10 qen endacakë! Falë përkushtimit dhe dashurisë tuaj, këta qen nuk do të jenë më në rrugë. Siguri më shumë për qytetarët si edhe për qentë! Kjo javë parashikohet të sjellë gëzime të tjera, me pritjen e shqyrtimit të 40 kërkesave për adoptime të reja”, thuhet në njoftim.

    Adoptimi i qenve ka nisur në 2023-n, ku secili qytetarë që adopton një, do të paguhet me 50 euro në muaj.

    Viteve të fundit, shumë qytetarë janë sulmuar nga qentë endacakë në kryeqytet. Situata është konsideruar e jashtëzakonshme, derisa kreu i Prishtinës, Përparim Rama, pati thënë se nëpërmjet adoptimit do të ulet rreziku nga sulmet.

  • Oda e Mjekëve shpreh ngushëllime për vdekjen tragjike të kirurgut Halil Tanaj

    Oda e Mjekëve shpreh ngushëllime për vdekjen tragjike të kirurgut Halil Tanaj

    Oda e Mjekëve të Kosovës ka shprehur ngushëllime për vdekjen e kirurgut Halil Tanaj.

    Ai ka vdekur dje.

    “Studimet për Mjekësi të Përgjithshme i përfundoi në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1997. Ndërsa specializimin për Kirurgji të Përgjithshme e përfundoi në vitin 2004. Dr. Halil Tanaj ka kryer provimet e parapara për studimet pasdiplomike duke mbrojtur tezën e magjistraturës dhe mori gradën Magjistër i Shkencave të Mjekësisë, në vitin 2011. Për vite me radhë, Dr. Halil Tanaj u shërbeu qytetarëve të Prishtinës në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale, në QKUK. Oda e Mjekëve të Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij!”, thuhet në telegremain e ngushëllimit.

  • Aleatët e SHBA-së të shqetësuar për të ardhmen e saj

    Aleatët e SHBA-së të shqetësuar për të ardhmen e saj

    Teksa rriten mundësitë që presidenti aktual amerikan, Joe Biden, të garojë me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, aleatët shohin me shqetësim drejt së ardhmes.

    Shumë prej tyre shqetësohen se një mandat i dytë për Trumpin për të shkaktojë tërmet, dhe se disa tronditje veçse po vërehen.

    Brenga e tyre kyçe është që SHBA-ja do të mund të bëhet më pak e besueshme, pavarësisht se kush fiton.

    Me një elektorat të ndarë dhe një bllokadë në Kongres, presidenti i ardhshëm amerikan do të mund të shpenzojë shpejt energjitë në çështje të brendshme, ende pa nisur të merret me çështje tjera në botë, sikurse lufta në Ukrainë, apo ajo në Lindje të Mesme.

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë së fundi se “prioritet i parë i Amerikës është vetvetja”.

    Administrata e parë e Trumpit i ka testuar marrëdhëniet në mes të SHBA-së dhe aleatëve, sidomos në Evropë.

    Trump nuk ka qenë edhe shumë miqësor me liderët e disa vendeve mike, sikurse ish-kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe ish-kryeministren britanike, Theresa May, derisa ka folur këndshëm për liderët autoritarë, sikurse presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe atë rus, Vladimir Putin.

    Ai e ka quajtur “brilant” liderin kinez Xi Jinping, dhe si “lider fantastik”, kryeministrin hungarez, Viktor Orban.

    Në fushatën që po zhvillon tani, Trump mbetet ende skeptik i organizatave sikurse NATO-ja, duke u ankuar shpesh për miliardat që ndan SHBA-ja për aleancën ushtarake, e cila ka ofruar ndihmë shumë të rëndësishme për Ukrainën, teksa përballet me pushtimin rus.

    Ai ka thënë të shtunën që, sa ka qenë president, i ka paralajmëruar aleatet e NATO-s, se do ta inkurajonte Rusinë “të bëjë çfarë të ketë dëshirë” me vendet që nuk kanë ndarë fonde për aleancën veriatlantike.

    Trump, po ashtu, ka shkruar në rrjetin e tij social se në të ardhmen, SHBA-ja duhet t’i japë fund praktikës së dhënies së ndihmës dhe ta zëvendësojë atë me kredi.

    Biden, në anën tjetër, e ka kthyer ndihmën për Ukrainën në prioritet kyç.

    Mirëpo qëndrimi i Bidenit në zgjedhjet e vitit 2020 se “Amerika është rikthyer” në skenën botërore, nuk i ka prodhuar rezultatet e dëshiruara.

    Republikanët në Kongres e kanë bllokuar ndihmën e mëtejshme ushtarake për Ukrainën, derisa ndikimi amerikan nuk ka arritur të ndalë një konflikt në Lindje të Mesme.

    Thomas Gift, drejtor i Qendrës për Politika amerikane në Kolegjin Universitar të Londrës, ka thënë se kushdo që do të fitojë garën presidenciale, drejtimi do të jetë i njëjtë – një planet multipolar në të cilin SHBA-ja nuk është më “superfuqia botërore e padiskutueshme”.

    Shumica e aleatëve përmbahen nga komentimi i drejtpërdrejtë i zgjedhjeve amerikane, duke thënë se u takon amerikanëve që ta zgjedhin liderin e tyre.

    Ata janë të vetëdijshëm që do të duhet të punojnë me fituesin, ndonëse në prapavijë, disa prej tyre në qetësi janë duke krijuar lidhje me ekipet politike, ka thënë Richard Dalton, ish-diplomat i lartë britanik.

    Shqetësimet më të mëdha për kredibilitetin e SHBA-së ekzistojnë në Evropë, pavarësisht se a do të fitojë Trumpi.

    Disa zyrtarë evropianë kanë nisur të flasin hapur për nevojën e të shpenzuarit më shumë për aleancën, dhe të planifikojnë një NATO pa SHBA-në.

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se ka biseduar në telefon për kohë të gjatë me kolegë të tij, duke iu kërkuar që të bëjnë më shumë për të mbështetur Ukrainën.

    Gjermania është vendi i dytë në botë sa i përket ndarjes së ndihmës ushtarake për Kievin, pas SHBA-së, mirëpo Scholz ka thënë së fundi për gazetën Die Zeit se shteti i tij nuk do të mund të mbushë boshllëkun, “nëse SHBA-ja nuk do të ofrojë më ndihmë”.

    Rusia, në anën tjetër, është e zënë duke i forcuar lidhjet me Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut, dhe duke tentuar të zvogëlojë sa më shumë ndihmën ndërkombëtare për Ukrainën.

    Macron ka sugjeruar se vëmendja amerikane është e fokusuar larg prej Evropës.

    Nëse prioriteti kyç i Uashingtonit është SHBA-ja, i dyti është Kina, ka thënë ai.

    “Për këtë arsye e dua një Evropë më të fuqishme, që di si ta mbrojë veten dhe nuk varet prej tjerëve”, ka thënë Macron në një konferencë për media në janar.

    Trump ka mbështetës në Evropë, sidomos popullsitë pro Rusisë, sikurse Orbani i Hungarisë.

    Mirëpo, ish-kryeministri britanik Boris Johnson ka çuditur shumë njerëz kur ka thënë së fundi se “presidenca e Trumpit mund të jetë pikërisht çka i duhet botës”.

    Johnson është përkrahës i madh i Ukrainës, teksa kjo e fundit e lufton Rusinë, derisa Trump e ka lavdëruar disa herë Putinin dhe ka thënë se do t’i jepte fund luftës brenda 24 orëve.

    Megjithatë, Johnson ka thënë në një kolumnë se ai nuk beson që Trump do të hiqte dorë prej ukrainasve, mirëpo do t’i ndihmonte Ukrainës që ta fitonte luftën, duke e bërë Perëndimin më të fuqishëm dhe “botën më stabile”.

    Bronwen Maddox, drejtore e institutit për çështje ndërkombëtare, Chathan House, ka thënë se argumentet sikurse ato, e nënvlerësojnë faktin se sa “destabilizues” ka qenë Trump, dhe sa do të mund të ishte, nëse fiton.

    “Për ata që thonë se në mandatin e parë nuk i është bërë shumë dëm rendit ndërkombëtar, përgjigja jonë është se e nxori SHBA-në prej marrëveshjes bërthamore me Iranin. Puna që ka bërë më pas Irani, e ka kthyer atë në shtet me fuqi bërthamore”, ka thënë ajo.

    Biden e ka kritikuar politikën e Trumpit për Iranin, mirëpo nuk ka arritur të ndërtojë ura me Teheranin, i cili vazhdon të forcojë muskujt në rajon.

    Dalton, ish-ambasador britanik në Iran, beson se situata do të jetë edhe më e rëndë për Lindjen e Mesme, nëse zgjedhjet i fiton Trump.

    “Asnjë administratë nuk do të bëjë përpjekje serioze për t’i zgjidhur dallimet me Iranin përmes diplomacisë”, ka thënë Dalton për The Associated Press.

    “Ajo mundësi ka ikur kohë më parë”.

    Ndërkohë, palestinezët dhe mbështetësit e tyre, i kërkojnë Bidenit që të kushtëzojë mbështetjen për Izraelin, pasi po rritet numri i viktimave civile.

    Mirëpo, përkrahësit e linjës së ashpër në Izrael, besojnë se SHBA-ja veçse është duke e kufizuar shumë ofensivën e ushtrisë kundër Hamasit.

    Itamar Ben-Gvir, ministri izraelit për Siguri Kombëtare, ka thënë së fundi se Biden nuk po i jep Izraelit “përkrahjen e plotë” dhe që nëse “Trump do të ishte në pushtet, qasja amerikane do të ishte krejtësisht ndryshe”.

    Sikurse aleatët, as rivalët nuk janë duke folur hapur se çfarë rezultati do të dëshironin të shihnin në SHBA.

    Trump ka zhvilluar raporte të mira me Erdoganin e Turqisë, duke e quajtur “mik shumë të mirë”, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, më 2019.

    Megjithatë, marrëdhëniet SHBA-Turqi kanë qenë me tensione gjatë mandatit të tij.

    Administrata Trump e ka larguar Turqinë prej projektit të saj për aeroplanët F-35, pas vendimit të Ankarasë për të blerë prej Rusisë sisteme raketore për mbrojtje.

    Vetë Trump ishte kërcënuar me shkatërrim të ekonomisë së Turqisë.

    Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë në janar se ai nuk beson që do të ketë ndonjë dallim në mes të Trumpit apo Bidenit.

    Sipas tij, lidhjet Rusi-SHBA kanë qenë në trend të rënies prej administratës së George W. Bushit.

    Kina, me të cilën ngrohtësia fillestare mes liderëve, është shndërruar me tarifa ekonomike reciproke, ka ndryshuar pak qasje me Bidenin.

    Zhao Minghao, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Fudan në Shangai, ka thënë se për Kinën, dy kandidatët janë si “dy shishe helmi”.

    Gift prej Kolegjit Universitar të Londrës, ka thënë se bota do të jetë më e përçarë, pavarësisht se kush fiton.

    “Tashmë është një lloj realiteti”, ka thënë ai. /REL

  • Qasja e kufizuar në financa, falimentojnë rreth 1500 biznese gjatë 2023-ës

    Qasja e kufizuar në financa, falimentojnë rreth 1500 biznese gjatë 2023-ës

    Gjatë vitit 2023 janë shuar rreth 1500 biznese në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ndonëse Administrata Tatimore e Kosovës gjatë kësaj periudhe ka mbyllur veprimtarinë e vetëm 20 bizneseve, pasi që nuk mund të çregjistrohet asnjë biznes pa i kryer obligimet dhe detyrimet ndaj Administratës Tatimore.

    Mungesa e politikave zhvillimore dhe qasja e kufizuar në financa, vlerësohen disa nga barrierat që çojnë në vështirësi të mëdha bizneset dhe të cilat mund të jenë si faktorë kontribuues në falimentimin e shumë prej tyre.

    Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thonë se gjatë periudhës janar-nëntor 2023, numri i bizneseve të regjistruara është 10 mijë e 790, ndërsa 1 mijë e 497 janë mbyllur. MINT-i potencon se trendi i hapjes dhe mbylljes së bizneseve është i ngjashëm me atë të vitit 2022.

    “Gjatë periudhës janar-nëntor 2023, numri i bizneseve të regjistruara është 10 mijë e 790, ndërsa 1 mijë e 497 prej tyre janë mbyllur. Këto shifra tregojnë për një aktivitet të vazhdueshëm në sektorin e biznesit, megjithatë, vlen të theksohet se këto janë të dhënat pa përfshirjen e muajit dhjetor, i cili mund të sjellë një numër shtesë të bizneseve të regjistruara. Po ashtu, te bizneset e shuara duhet të theksojmë se të gjitha bizneset që ndryshojnë status duke kaluar në status tjetër, automatikisht konsiderohen të shuara e që në fakt vazhdojnë aktivitetin në një status tjetër. A ka rritje apo rënie të hapjes dhe mbylljes së bizneseve në krahasim me vitin e kaluar (2022)? Kur krahasojmë këto të dhëna me vitin e kaluar, shohim një trend relativisht të ngjashëm. Në vitin 2022, janar-dhjetor, janë regjistruar 11 mijë e 043 biznese, pra një shifër e ngjashme me atë të vitit 2023. Në anën tjetër, numri i bizneseve të mbyllura ka qenë përafërsisht në të njëjtën shifër”, thonë nga MINT-i në përgjigjen e tyre përmes emailit.

    Ndërkaq, shifrat e hapjes dhe mbylljes së bizneseve në Kosovë janë të ndryshme nga MINT-i dhe ATK-ja.

    Zëdhënësja e Administratës Tatimore e Kosovës, Valentina Bytyqi-Sefa në një prononcim për KosovaPress thekson se numri i bizneseve, të cilat janë hapur në vitin 2023 është mbi 20 mijë, ndërsa 20 të tjera kanë përmbyllur veprimtarinë.

    Bytyqi-Sefa potencon se janë hapur rreth dy mijë biznese që aktivitet primar e kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë, ndërkaq nga po e njëjta veprimtari janë mbyllur shtatë biznese.

    Ajo vlerëson se procesi i hapjes së një biznesi është i thjeshtë, ndërkaq për të mbyllur duhet plotësuar disa kritere dhe të gjitha obligimet ndaj ATK-së.

    “Numri i bizneseve, të cilat janë hapur në vitin 2023, vitin që po e lëmë pas, është 21 mijë e 156 sosh, për dallim nga ato të cilat kanë kërkuar të shuajnë aktivitetin e tyre, ku janë 20 biznese të cilave, është arritur të mbyllet veprimtaria e tyre… Sipas statistikave, të cilat kemi siguruar, bizneset të cilat kanë kërkuar që të hapen në vitin që lamë pas janë në sektorin ose aktivitet primar që kanë tregtia me shumicës dhe pakicë, që janë diku 2 mijë 722 biznese që janë hapur te kjo veprimtari. Ndërsa, te bizneset, të cilat janë mbyllur vitin që e lamë pas, kemi diku shtatë biznese, të cilat kanë kërkuar të mbyllen nga e njëjta veprimtari, nga veprimtaria e tregtisë me shumicë dhe pakicë… Sigurisht, procedurat e hapjes së një biznesi janë shumë më të thjeshta dhe nuk kanë shumë përgjegjësi ndaj shtetit, ligji nuk obligon shumë në pjesën e hapjes. Mirëpo, sa i përket pjesës së procedurës kur një biznes duhet të mbyllet, janë procedura të tjera, të cilat i parasheh për Administratën Tatimore dhe procedurat. Asnjë biznes nuk mund të mbyllet nëse nuk i plotëson të gjitha kriteret, të cilat thirren në nenet e përcaktuara nga ky ligj, pasi fillimisht biznesi duhet t’i kryejnë të gjitha obligimet, detyrimet që i ka ndaj Administratës Tatimore të Kosovës”, thotë Bytyqi-Sefa.

    Ndërkaq, drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK), Zana Beqiri, thotë për KosovaPress se bizneset e reja problemin më të madh e kanë te qasja në financa. Ajo potencoi se ka ngecje edhe sa i përket Fondit Sovran, derisa shtoi se qeveria duhet të veprojë me mekanizma më të mirë në lehtësimin e proceseve për mirëfunksionimin e bizneseve.

    Beqiri theksoi se bazuar në raportet e Bankës Botërore, sa i përket hapjes së bizneseve, Kosova ka qenë për një kohë të gjatë në top 10 vendet e botës.

    Ajo konsideron se procesi i hapjes së bizneseve është efikase dhe e thjeshtë, porse mbyllja e tyre është shumë më problematike.

    “Bizneset e reja problemin më të madh e kanë te qasja në financa. Arsyet janë kushtet mjaft të pavolitshme sa i përket kredive të biznesit, posaçërisht për bizneset e reja. Gjithmonë kërkohet një investim individual dhe për këtë arsye shihet si mjaft problematike kjo pikë, dhe mendojmë se qeveria duhet të vijë me mekanizma shumë më të mirë. Ne presim të shohim ndonjë lëvizje sa i përket edhe Fondit Sovran, mirëpo shohim që edhe ai proces ka ngecur…Kur kanë mungesë të financave, kanë edhe mungesë edhe në qasjen e ekspertizës dhe për këtë arsye edhe ngecin ose kanë vonesa, ose kanë probleme të ndryshme sa i përket furnizimeve, kualitetit të materialeve…15:21 Bazuar në raportet e Bankës Botërore, sa i përket hapjes së biznesit, ne kemi qenë për kohë të gjatë në top 10 vendet e botës. Hapja është aq efikase, mirëpo mbyllja është shumë problematike e për më tepër për shkak të një udhëzimi, i publikuar tash e disa muaj, është bërë mjaft problematik edhe te ndryshimet që kompanitë duan t’i bëjnë, sepse kërkohen dokumente të noterizuara”, thotë Beqiri.

    Kosova mbetet një vend jo tërheqës për investime të huaja, sidomos nga korporatat dhe markat e mëdha botërore. /kp

  • ​Vdekje e dyshimtë në Drenas

    ​Vdekje e dyshimtë në Drenas

    Një grua është gjetur pa shenja jete në Drenas.

    Policia në raportin 24-orësh rastin e ka kualifikuar si vdekje të dyshimtë.

    “Gllogoc. Raportohet se viktima femër kosovare është gjetur pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante policore. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion”, njofton policia.

  • Kurti udhëton drejt Mbretërisë së  Bashkuar – ja kë pritet ta takojë

    Kurti udhëton drejt Mbretërisë së Bashkuar – ja kë pritet ta takojë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar.

    Kështu kanë njoftuar nga zyra e tij derisa kanë bërë me dije se do t’i zhvillojë disa takime, me zyrtarë të institucioneve.

    “Në qëndrimin e tij njëditor atje, krahas takimeve me zyrtarë të institucioneve, ai do të marrë pjesë në panelin e diskutimit mbi sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Ballkani Perëndimor, të organizuar nga Instituti i Politikave ‘’Chatham House’’, thuhet në njoftim.