ATV

Category: Lajme

  • Protestë kundër rregullores, serbët duan të paguhen me dinarë

    Protestë kundër rregullores, serbët duan të paguhen me dinarë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Praktikën e marrjes së pensionit në dinarë nuk duan të ndërrojnë.

    Kjo qe edhe arsyeja që shoqata e pensionistëve serb në Kosovë, thirrën protestë në Mitrovicë të Veriut për ta kundërshtuar rregulloren e Bankës Qendrore, që ndalon qarkullimin e çfarëdo valute tjetër në vend përveç euros.

    “Duhet që vendimi të revokohet dhe të mundësohet dorëzimi i dinarëve në postë dhe banka. Ne kemi nevojë për atë që të jetojmë si çdo botë normale. Na duhet sot, jo nesër”, tha Dushanka Gjorovic nga shoqata e pensionistëve.

    Në organizimin që u mbajt në sheshin kryesor të qytetit, u bashkuan edhe civilë e politikanë. Në rend të parë u vunë përfaqësuesit e Listës Serbe, që akuzuan kryeministrin Albin Kurti për tentim-spastrimi etnik ndaj serbëve të Kosovës.

    “Ky është rasti të themi që nuk pajtohemi me vendimet e Albin Kutit, të cilat vendime vetëm sa e përkeqësojnë këtë situatë në veri. Ky vendim është kundër popullit serb që të mbijetojnë në këto treva, është që t’i ndal institucionet serbe në Kosovë”, tha Dragisha Milloviq, nënkryetar i Listës Serbe.

    Sipas tyre, largimi i dinarit nga qarkullimi po i varfëron serbët e këtushëm.

    “Heqja e dinarit, i cili për herë të parë është prerë në vitin 1214 në territorin e Kosovës, më saktë në Novibërdo, do të thotë heqje e jetës për popullin tonë. Ky vendim vë në pikëpyetje se si prindërit do të blejnë ushqime për fëmijët e tyre, si do të marrin studentët bursa, si dhe nga çfarë do të paguajnë tarifat e shkollës, do të paguajnë provimet”, tha Dragana Milenkoviq, profesoreshë e Fakultetit Ekonomik.

    Këta e thirrën bashkësinë ndërkombëtare ta ndalojnë një person si Albin Kurti të mos e shkatërrojë gjithçka që përfaqëson Bashkimi Evropian.

    Pas afro një ore, protesta përfundoi derisa qytetarët u shpërndanë qetësisht.

  • BQK-ja publikoi 10 veprimet për tranzicionin nga “dinar në euro”

    BQK-ja publikoi 10 veprimet për tranzicionin nga “dinar në euro”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Pak pasi nga Britania e Madhe, kryeministri Albin Kurti theksoi se komunitetit serb do t’i jepet kohë për tranzicion lidhur me çështjen e dinarit, Banka Qendrore njoftoi se kjo periudhë mund të zgjasë deri në tre muaj.

    Krahas kësaj, BQK-ja kumtoi një listë prej dhjetë veprimesh me qëllim lehtësimin e zbatimit të rregullores për operacione me para të gatshme.

    Krahas linjës telefonike pa pagesë, mes tjerash, plani parasheh lehtësime për hapjen e llogarive bankare në komunat me shumicë serbe, pezullim i tarifës për hapje të zyrave për institucionet financiare, shtim i prezencës me degë të reja banka e bankomatë, këmbimore, si dhe fushatë edukuese e informuese.

    Gazetari nga Mitrovica e Veriut, Branislav Krstic, vlerëson se kryeministri e ka kuptuar se komuniteti serb nuk ishte i informuar sa duhet.

    “Më duket se më mirë (për informim) do të ishte sikur kryeministri të ishte në disa kafe në Mitrovicë të Veriut, por kjo është strategjia dhe agjenda e tij”, tha Krstic.

    Por, duke përmendur konferencën informuese të guvernatorit të BQK-së, Krstic tha se Beogradi dhe Lista Serbe po mbajnë në terr informativ komunitetin serb.

    “Para gazetarëve të mediave të Kosovës në gjuhën serbe shumë saktë e ka sqaruar në cilin drejtim BQK-ja po insiston për integrimin financiar në shtetin tonë, por problemi është se ata pjesëtarë të mediave që kanë qenë atje nuk e kanë publiku atë mesazh nga z. Ismaili”, tha Krstic.

    Edhe pse periudhën e deritanishme e vlerësoi të pamjaftueshme, gazetari Bekim Kabashi tha se, megjithëkëtë, problemi nuk qëndron te informimi, por te mënyra e se si do të hyjnë paratë nga Serbia në Kosovë.

    “Në këtë rast konkret Banka Qendrore e Kosovës duhet të ketë një marrëveshje me Bankën e Serbisë, që ato të mund të transferohen përmes llogarive bankare. Normal urdhri jepet me dinar, por ato të dalin në llogari të qytetarëve me euro. Në këtë drejtim nuk kemi ndonjë hap pozitiv. Dhe ajo që pritet në ditët, javët në vijim, është që të ketë reagim të qytetarëve serbë dhe presion ndërkombëtar dhe të përfundoj me imponimin e një marrëveshje mes palëve”, tha Kabashi.

    Krahas kritikave për mënyrën e zbatimit të rregullores së re të BQK-së, SHBA-ja dhe BE-ja i kanë kërkuar Kosovës hapësirë kohore për mundësimin e lehtë të tranzicionit dhe shmangien e tensioneve eventuale.

  • Vushtrri: Gjobiten me nga 150 euro dhe me nga një pikë negative gjashtë shoferë

    Vushtrri: Gjobiten me nga 150 euro dhe me nga një pikë negative gjashtë shoferë

    Njësitet e policisë në kuadër të Stacionit Policor në Vushtrri, kanë identifikuar dhe proceduar masa ndëshkimore ndaj gjashtë shoferëve për kundërvajtje në trafikun rrugor.

    Kundërvajtësve u janë shqiptuar gjobat prej 150 euro, si dhe nga një pikë negative.

    “Kundërvajtësit janë hasur në dy lokacione të ndryshme në Vushtrri, të cilët në kundërshtim me rregullat e trafikut rrugor ishin duke bërë gara sportive me vetura duke penguar e rrezikuar edhe pjesëmarrësit tjerë në trafikun rrugor. Kundërvajtësve u janë shqiptuar gjobat prej 150 euro, si dhe nga një (1) pikë negative”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • 20 vajza e gra të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian mësojnë si t’i dallojnë lajmet e rreme

    20 vajza e gra të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian mësojnë si t’i dallojnë lajmet e rreme

    20 vajza dhe gra të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, nga rajone të ndryshme të Kosovës, të shtunën përfunduan në Prishtinë trajnimin mbi Edukimin Medial, në kuadër të projektit “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet joshumicë në Kosovë” – i financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, me grant për gazetën online Reporteri.net.

    Grupi i katërt i trajnimeve u zhvillua në kryeqytetin kosovar, Prishtinë, me pjesëmarrje të vajzave dhe grave mbi 18 vjeç, nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, të cilat vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

    Ato u trajnuan nga 5 gra të tjera të suksesshme në fushën e medias dhe lidere në punën e tyre.

    Juristja e medias, Flutura Kusari, u ligjëroi atyre mbi “Rregullimin e mediave dhe përgjegjësinë ligjore të punëtorëve të medias”.

    Udhëheqësja për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Komunikim në RTK, Gentiana Begolli-Pustina u evidentoi pjesëmarrësve “Dezinformimin mbi baza gjinore”, ndërsa gazetarja tjetër e RTK-së dhe autorja e emisionit “Ora Egjiptiane”, Nora Xhuzi ligjëroi për “Dezinformimin mbi baza raciste, etnike dhe ndaj grupeve tjera të margjinalizuara”.

    Begolli-Pustina dhe Xhuzi gjatë ligjërimeve të tyre treguan edhe për përvojat personale, si kanë qenë cak i dezinformatave, e para mbi bazën gjinore, ndërsa e dyta mbi bazën raciste.

    Tutje, gazetarja hulumtuese dhe autorja e emisionit “Kiks Kosova”, Ardiana Thaçi-Mehmeti i mësoi 20 gratë pjesëmarrëse se si të “Identifikohen burimet e besueshme të informacionit dhe Verifikimin e fakteve”.

    Ndërsa krejt në fund, drejtorja e “Debat Center” u ligjëroi atyre mbi “Mendimin Kritik”, duke stimuluar edhe një debat mes pjesëmarrësve mbi dezinformatat dhe lajmet e rreme.

    “Më ka ra me has në mediat të cilat kanë qenë të rreme ose kanë qene tendencioze për diskriminim ose për baza gjinore, dhe tash këtu u informova saktë se ku duhet të shkoj të ankohem”, tha Shukrije Stolla, 29-vjeçarja nga Prishtina, pjesëmarrëse në këtë trajnim.

    “Pata privilegjin të marr pjesë në një trajnim me gra të komuniteteve në Kosovë, ku ndava përvojën time në zbulimin e lajmeve të rreme dhe në gazetarinë hulumtuese në temën e forcimit të edukimit medial: Identifikimi i burimeve të besueshme të informacionit dhe verifikimi i fakteve për të rinjtë e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Faleminderit “Reporteri” dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë për organizimin e këtij trajnimi që është një nga përvojat me frymëzuese për mua, kohëve të fundit”, tha gazetarja fituese e shumë çmimeve për gazetarinë hulumtuese, Ardiana Thaçi-Mehmeti, pas trajnimeve ku ajo ishte një nga ligjërueset.

    Projekti “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet joshumicë në Kosovë” financohet me grant nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë për Gazetën Online Reporteri.net (R Media L.L.C). Projekti implementohet në partneritet me median “Front Online” dhe Institutin për Hulumtime “iFront”.

    Deri më tani, në kuadër të këtij projekti janë trajnuar gjithsej rreth 90 të rinj të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Prej tyre, 51 ishin gra/vajza – pra, më shumë sesa gjysma – 57.30% – e pjesëmarrësve vajza dhe gra.

    Gjatë këtij procesi, 6 nga kandidatët më të suksesshëm që dalin nëpërmjet një gare të hapur dhe transparente gjatë zhvillimit të trajnimeve në 5 rajone të ndryshme të Kosovës, do të përzgjidhen për të kryer punë praktike në mediat dhe organizatat partnere të projektit.

  • Hiqen kufizimet, trupi gjykues vendos për vizitat private te Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi

    Hiqen kufizimet, trupi gjykues vendos për vizitat private te Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, trupi gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka marrë vendim që të mos vendos masa kufizuese lidhur me vizitat private të të akuzuarve.

    Në vendimin e datës 9 shkurt 2024, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III ia ka rikujtuar të akuzuarve, në veçanti Thaçit dhe Selimit për detyrimin që kanë për të mos iu zbuluar personave të tretë informacione konfidenciale.

    “Për arsyet e lartpërmendura, Paneli përmes kësaj: KUJTON të Akuzuarit, në veçanti, zotërinjtë Thaҫi dhe Selimi, për detyrimin e tyre për të mos zbuluar palëve të treta të paautorizuara asnjë informacion konfidencial dhe/ose informacion që mund të çojë në identifikimin e dëshmitarëve të mbrojtur; UDHËRON Sekretarin që t’u kujtojë vizitorëve në objektet e paraburgimit se ata nuk duhet të diskutojnë ose të marrin pjesë në diskutimet e informacioneve konfidenciale që kanë të bëjnë me procedurat në KSK me një të paraburgosur, duke përfshirë informacionin që ka të bëjë me identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur”, thuhet në vendim.

    Veç tjerash, nëpërmjet këtij vendimi, urdhërohen avokatët kryesor të të gjithë të akuzuarve që të iu kujtojnë anëtarëve të tyre të ekipit detyrimet që kanë në lidhje me informacionet konfidenciale.

    “(c) UDHËRON avokatin kryesor për të gjithë të akuzuarit që t’u kujtojë anëtarëve të ekipit detyrimet e tyre në lidhje me informacionin konfidencial; (d) URDHËRON Regjistruesin që të njoftojë menjëherë Panelin në rast se ajo nxjerr një vendim që vendos kufizime ose refuzon një kërkesë për një vizitë private; dhe (e) UDHËZON Sekretarin, ZPS-në, Mbrojtjen Selimi dhe Mbrojtjen e Thaçit që të dorëzojnë një version publik të redaktuar të dosjeve të tyre përkatëse ose të kërkojnë riklasifikimin e tyre si publik jo më vonë se e premtja, 16 shkurt 2024”, thuhet tutje.

    Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Paneli i refuzoi që të vendoste ndonjë masë kufizuese lidhur me vizitat private. Andaj, ka vlerësuar se nuk ka indikacione që këto vizita të jenë përdorur për qëllime tjera.

    “Paneli rikujton se, në vendimin e tij, ai refuzoi të miratonte ndonjë masë kufizuese në lidhje me Vizitat Private. Në lidhje me këtë, Paneli konstatoi se “nuk ka indikacione se këto vizita [private] janë përdorur për t’u përfshirë në veprime të pahijshme sjelljen e deritanishme” dhe se Paneli “nuk do të ngurrojë të vendosë kufizime shtesë për Vizitat Private nëse ndonjë palë përfshihet në sjellje të pahijshme gjatë vizitave të tilla [private]”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimit.

    Ndërsa, lidhur me kërkesën e ZPS-së që të gjitha vizitat private të Thaçit dhe Selimit të monitorohen, Paneli ka theksuar se ato janë të rëndësishme sa i takon të drejtave të akuzuarve si dhe nuk ka bazë për të vendosur masa kufizuese ndaj tyre.

    “Lidhur me kërkesën e ZPS-së që faktet dhe rrethanat tani para Panelit të arsyetojnë monitorimin aktiv të të gjitha vizitave private te z. Thaçi dhe Selimi, Paneli thekson si në vijim. Së pari, Paneli rithekson se përderisa Vizitat Private janë veçanërisht të rëndësishme nga pikëpamja e të drejtave themelore të të akuzuarve, ato gjithashtu mund t’u nënshtrohen masave të kufizimeve kur është e nevojshme dhe në proporcion me nevojën për të mbrojtur një interes publik konkurrues. Së dyti, asnjë nga vizitat e përfshira në këtë Vendim nuk ishin Vizita Private. Në vend të kësaj, të gjitha ishin vizita jo të privilegjuara, të cilat tashmë i nënshtrohen masave kufizuese të vendosura nga Paneli për z. Thaçi, Selimi dhe Veseli. Prandaj, nuk ka asnjë bazë në këtë fazë që Paneli të urdhërojë që masa të ngjashme të vendosen në lidhje me Vizitat Private. Megjithatë, Paneli e ka bërë të qartë se çdo keqpërdorim i privilegjeve lidhur me vizita të tilla do t’i nënshtrohet një përgjigje adekuate”, thuhet tutje në vendim.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Plani dhjetë pikësh i BQK-së për dinarin që duhet të realizohen brenda tre muajsh

    Plani dhjetë pikësh i BQK-së për dinarin që duhet të realizohen brenda tre muajsh

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në kuadër të veprimeve të saj për zbatim të lehtësuar të efekteve të rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara, njofton opinionin publik lidhur me planin me veprime shtesë të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare:

    Plani parasheh 10 pika, ku sipas BQK-së ky plan kontribuon veçanërisht tek qytetarët me qasje të kufizuar në financa dhe shërbime financiare dhe mundëson rritjen e qasjes në financa të sigurta përmes bankave dhe institucioneve financiare jobankare, gjithpërfshirjen financiare dhe mbrojtjen e tyre nga aktivitetet financiare të pashëndosha, si angazhime të vazhdueshme të BQK-së mbi bazën e praktikave më të mira evropiane.

    1.Funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë (0800-222-55), e-mailit për ankesa, si dhe numrit të dedikuar në ‘viber’

    2. Lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, në raste specifike në komunat me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore, me mundësi të kompletimit të dokumenteve (dëshmi të adresës) edhe pas hapjes dhe aktivizimit të llogarisë

    3. Pezullimi i përkohshëm i tarifës të BQK-së e aplikueshme për hapje të degëve/zyrave, për të inkurajuar institucionet financiare jobankare (me theks për këmbimore) të licencuara për hapjen e zyrave në Komunat e Kosovës me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore

    4. Zgjerimi i prezencës me degë bankare jobankare për mbulimin me degë shtesë dhe rritje të ofrimit të shërbimeve financiare në komunat në veri të vendit

    5. Organizimi i ofrimit të shërbimeve bankare (hapje e llogarisë) në mënyrë mobile nga bankat komerciale (remote banking) në secilën nga katër komunat veriore, në mënyrë të organizuar me qëllim të jenë sa më afër qytetarëve

    6. Vendosja e disa bankomatëve (ATM) si dhe pajisjeve tjera për pagesa elektronike (POS), apo vet-shërbime financiare

    7. Lehtësimi i procesit të këmbimit të dinarëve me EURO nga institucionet financiare dhe këmbimoret të licencuara

    8. Vazhdimi i aktivitetit të intensifikuar promovues, me materiale të personalizuara dhe thjeshtëzuara, video mesazheve, si dhe edukimit financiar të fokusuar

    9. Rritja e qasjes në financa, rritja e mëtejshme e kreditimit dhe pakove tjera financiare të fokusuara në këto zona nga institucionet financiare

    10. Rishikimi i kushteve të konvertimit me trajtim preferencial gjatë pranimit të fondeve dhe tërheqjes në bankomate (ATM) me kartela të skemave ndërkombëtare të lëshuara jashtë Kosovës.

    Këto veprime ndërmerren krahas angazhimit konstruktiv, në lehtësimin e mekanizmit të transferimit të mjeteve në mënyrë sa më efikase nga Serbia në Kosovë, përmes llogarive bankare dhe modeleve tashmë të njohura, të paraqitur në letrën e propozimit të BQK-së, me gatishmërinë për të shqyrtuar çdo opsion.

  • Tentim vrasja në Deçan, arrestohet 46-vjeçari

    Tentim vrasja në Deçan, arrestohet 46-vjeçari

    Është arrestuar E.B., 46-vjeç, i dyshuar për tentim-vrasjen e një personi të dielën në mbrëmje në Deçan.

    Policia e Kosovës e ka arrestuar sot 46-vjeçarin.

    Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur të dielën në një lokal rrugën “Haki Povataj”, ku i dyshuari e ka sulmuar me brisk viktimën dhe më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes.

    Pas intervistimit, E.B., i lindur në vitin 1978, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    “Policia menjëherë iu ka përgjigjur vendit te ngjarjes dhe me të arritur në atë lokacion kanë kuptuar se gjatë përleshjes i dyshuari e kishte lënduar viktimën me mjetë të mprehtë ( Brisk) me ç ‘rast i kishte shkaktuar lëndime trupore dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Viktima është dërguar për tretman mjekësorë në Spitalin Rajonal në Pejë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Murati prezanton masën për punësimin e qytetarëve në katër komunat veriore

    Murati prezanton masën për punësimin e qytetarëve në katër komunat veriore

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Z. Hekuran Murati së bashku me Ministrin për Komunitete dhe Kthim, Z. Nenad Rashiq u takuan sot me Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Z. Lulzim Hetemi.

    Ministria e Financave ka njoftuar se aty Murati ka prezantuar masën e punëismit për qytetarët në katër komunat veriore.

    “Për të përkrahur punësimin e qytetarëve në këto komuna, MFPT do të subvencionojë 70% të pagës bruto për gjashtë muaj me radhë deri në maksimumin prej 350 eurove. Për të përfituar nga kjo masë, punëkërkuesit duhet të jenë të regjistruar si të tillë në zyrën e punësimit në komunën e tyre përkatëse, të jenë mbi moshën 18 vjeç si dhe të jenë banorë në njërën nga katër komunat veriore” – thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë.

    E plotë:

    Gjatë këtij takimi, Ministri Murati prezantoi masën e punësimit për qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Për të përkrahur punësimin e qytetarëve në këto komuna, MFPT do të subvencionojë 70% të pagës bruto për gjashtë muaj me radhë deri në maksimumin prej 350 eurove. Për të përfituar nga kjo masë, punëkërkuesit duhet të jenë të regjistruar si të tillë në zyrën e punësimit në komunën e tyre përkatëse, të jenë mbi moshën 18 vjeç si dhe të jenë banorë në njërën nga katër komunat veriore. Ndërsa, punëdhënësit gjithashtu duhet të jenë me bazë në njërën nga katër komunat veriore si dhe të jenë duke funksionuar në mënyrë të rregullt ashtu siç parashihet përmes legjislacionit të Kosovës. Kujtojmë se përkrahja përmes skemës “Qeveria për Familjet” filloi duke subvencionuar pagën për anëtarët e familjeve që nuk kishin asnjë të punësuar, ku deri më tani kanë përfituar mbi 2,600 familje, përfshirë këtu edhe qytetarët në katër komunat veriore. Më pas, përkrahja u zgjerua për viktimat e dhunës në familje. Ndërsa, tani të gjithë qytetarët nga katër komunat veriore pa marrë parasysh a kanë ndonjë anëtar të punësuar apo jo, po i bashkohen skemës duke garantuar kështu punësim gjithëpërfshirës dhe të dinjitetshëm për të gjithë.

  • 1 200 biznese kosovare operojnë në Shqipëri, 2 000 të Shqipërisë janë në Kosovë

    1 200 biznese kosovare operojnë në Shqipëri, 2 000 të Shqipërisë janë në Kosovë

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka pritur në takim zëvendësministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Besart Kadia, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Petrit Malaj dhe drejtues të shoqatave të biznesit të Shqipërisë, raporton EO.

    Në këtë takim u tha se Kosova është partner i fuqishëm ekonomik për Shqipërinë.

    Rafuna tha se qëllimi i këtij takimi ishte adresimi i sfidave që paraqiten te bizneset, si dhe për ta bërë tregun e të dyja vendeve atraktiv për vizitorë.

    Po ashtu ai shtoi se OEK është e gatshme për të kontribuar për thellimin e bashkëpunimit.

    “Do të bisedojmë se cilat janë kërkesat dhe idetë, për një zhvillim ekonomik mes dy qeverive. Ne si Odë Ekonomike jemi të gatshëm të laborojmë për themelimin e bashkëpunimit”, tha Rafuna.

    Ndërsa, zëvendësministri Kadia u shpreh se synimi i këtij takimi është tregu atraktiv për të dyja shtetet.

    “Është një potencial i cili është i pafundmë sa i përket benefiteve dy palësh si u tha në takimet, ky është takimi i dytë i çështjeve diplomatike. Mbi 1287 biznese kosovare që është tregues i potencialit, ndërsa nga Shqipëria 2022 biznese janë të regjistruara në Kosovë. Prandaj synimi është tregu atraktiv për të dy shtetet”, u shpreh ai.

    Kadia tha se është një potencial i cili është i pafundmë sa i përket benefiteve dy paleshe duke thënë se ky është takimi i dytë i çështjeve diplomatike.

    Ai deklaroi se më shumë se 1 200 biznese kosovare funksionojnë në Shqipëri ndërsa nga Shqipëria 2 000 të tilla. Synim tha se e kanë tregun atraktiv për të dy shtetet.

    Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi tha se në kuadër të këtij rrugëtimi, janë gjetur forma se si mund të avancohet shkëmbimi tregtar me Shqipërinë.

    “Në të gjitha fushat mirëpo me fokus pjesa e prodhimit e investimit, mirëpo në të njëjtën kohë t’i adresojmë edhe problemet që hasen në pjesën e turizmit. Turizmin duhet ta kem edhe nga të rinjtë shqiptar se ata e kanë verën ne e kemi dimrin. Ne kemi një lidhje më të madhe me shumë marrëveshje bilaterale me më se shumti se çdo vend tjetër”, u shpreh ai.

    Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, tha se marrëdhëniet e shkëlqyera me shtetin shqiptar e tregojnë bizneset.

    “Kosova është partner i fuqishëm për Shqipërinë jam i lumtur për këtë takim me ju biznesmenë nga Kosova e Shqipëria. Takimi kokë më kokë e kam pritur me rëndësi. Më mirë se sa e dini ju si biznese marrëdhënien e shkëlqyer që ka Kosova e Shqipëria”, u shpreh ai.

  • 25 vjet burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e bashkëshortes më 2016

    25 vjet burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e bashkëshortes më 2016

    Dënim me 25 vjet burgim i është caktuar të akuzuarit R.G., për vrasjen e gruas së tij më 21 dhjetor të vitit 2016.

    Në seancën gjyqësore të mbajtur të hënën thuhet se të dyshuarit i është shqiptuar edhe dënimi për armëmbajtje pa leje.

    Siç është raportuar, R.G., akuzohet se e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij M.G., i nxitur nga motive të ulëta të xhelozisë.

    Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i akuzuari më 21 dhjetor 2016 në Prishtinë, në lagjen “Mati 1”, në mënyrë dinake e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën M.G.

    Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka qëlluar të ndjerën me dy plumba në pjesën e përparme të gjoksit ku njëri plumb e ka goditur në zemër.

    Me këtë, i akuzuari po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

    Kurse, në dispozitivin e II të aktakuzës thuhet se me datën, kohën dhe vendin e njëjtë si në dispozitivin I të akuzës, i pandehuri Gashi në mënyrë dinake i afrohet mikut të tij, të dëmtuarit Xh.G. dhe me dashje që ta privojë nga jeta, ka shtënë me armën e njëjtë dy herë në drejtim të dëmtuarit – dëshmitarit Xh.H me ç’rast e qëllon dy herë me plumba në trup.

    Me këtë, të njëjtit i kishte shkaktuar plagë të rënda trupore, të rrezikshme për jetën me ç’rast akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.

    Po ashtu, i akuzuari sipas dispozitivit të III, prej datës së pavërtetuar e deri më 21 dhjetor 2016, në shtëpinë e tij në Prishtinë ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm.