ATV

Category: Lajme

  • Euro mbush 25 vjet

    Euro mbush 25 vjet

    Megjithë papërsosmëritë, euro është dëshmuar të jetë më e mirë se alternativa e mospasjes dhe e ka krijuar një zonë stabiliteti.

    Euro u konceptua në Madrid në dhjetor të vitit 1995, si një mënyrë për t’i dhënë fund krizës së mekanizmit të kursit të këmbimit të Sistemit Monetar Evropian (EMS) që kishte filluar në shtator të vitit 1992 me krizën e sterlinës. Dhe pati një zhvillim të gjatë, deri katër vjet më vonë, kur, më 1 janar 1999, barazitë e monedhës u fiksuan në mënyrë të pakthyeshme dhe BQE mori kontrollin e politikës monetare.

    Lindja e euros zgjati 24 muaj – një periudhë kalimtare gjatë së cilës qarkullonin vetëm monedhat kombëtare.

    Që atëherë kanë ndodhur shumë zhvillime. Ndryshe nga parashikimet e tmerrshme të ekonomistëve të njohur, si Milton Friedman apo Martin Feldstein, të cilët parashikuan dështimin e euros për shkak të papërsosmërisë së strukturës së saj dhe rrezikut ekonomik dhe politik që sillte kjo, monedha e përbashkët jo vetëm që ka mbijetuar, por ka anëtarë të shtuar në mënyrë të vazhdueshme në klubin e tij: inkorporimi i fundit i Kroacisë e çon numrin e vendeve të euros në 20, pothuajse dyfishi i 11 vendeve fillestare.

    Dhe katër vende të tjera – Andorra, San Marino, Vatikani dhe Monako – përdorin euron dhe mund të nxjerrin monedhat e tyre euro. Por nuk ka qenë një rrugëtim i lehtë. Janë bërë gabime, disa të shmangshme, të tjera rezultat i papërvojës apo dinamikave të çoroditura politike, të cilat e afruan euron shumë pranë greminës gjatë krizës dhe që e kanë kufizuar kapacitetin e eurozonës për rritje.

    Nga një këndvështrim historik, historia e euros është historia e krizave të saj. Bumi ekonomik gjerman i gjeneruar nga bashkimi i dy Gjermanive ishte një goditje asimetrike për Evropën, duke e shtyrë Bundesbankën ta adoptonte një pozicion të fortë anti-inflacioni në vitet 1991-92, i cili, edhe pse i nevojshëm për Gjermaninë, përfundoi të jetë tepër i ngushtë për pjesën tjetër të Sistemit Monetar Evropian, dhe që çoi në largimin e sterlinës nga ky sistem dhe zhvlerësimin e disa prej monedhave të Sistemit Monetar Evropian.

    Euro filloi tregtimin më 1 janar 1999, me një kurs këmbimi 1.18 kundrejt dollarit amerikan, por u zhvlerësua shpejt me pothuajse 30 për qind, në një nivel më të ulët prej 0.82 euro për dollar në tetor të vitit 2000 – për shkak të normave të larta të interesit në SHBA dhe ribalancimi i rezervave valutore të vendeve të euros, i cili bëri që Banka Qendrore Evropiane, BQE të ndërhyjë në tregjet valutore për ta stabilizuar monedhën e porsalindur.

    Prej aty, një vlerësim pothuajse i pandërprerë, i nxitur nga euforia në periferi të eurozonës që inkurajoi flukset e kapitalit, por edhe akumulimin e çekuilibrave deri në 1.60 euro për dollar në vitin 2008. Shenjat e para të krizës financiare globale, me pezullimin e tërheqjeve të likuiditetit në disa fonde franceze dhe mungesën e kapitalit të disa bankave gjermane si pasojë e humbjeve në investimet e tyre në hipotekat subprime amerikane, shënuan maksimumin e euros.

  • ​Theren dy persona në Prizren, dërgohen në QKUK për mjekim

    ​Theren dy persona në Prizren, dërgohen në QKUK për mjekim

    Në orët e vona të së hënës, dy persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Prizrenit, pasi dyshohet se janë therur me thikë nga një i dyshuar.

    Policia e Kosovës njoftoi se viktimat janë dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati.

    “Rr. Ibrahim Rugova, Prizren 12.02.2024 – 23:20. Dy viktima meshkuj kosovarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Prizrenit, pasi që dyshohet se janë therur me thikë nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima janë dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm. I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar”, njofton Policia e Kosovës.

  • Ish-kryeshefi i KPM-së dënohet me dy vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë

    Ish-kryeshefi i KPM-së dënohet me dy vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë

    Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Luan Latifi, i akuzuar për marrje ryshfeti, duke e dënuar me 2 vite burgim efektiv dhe 5 mijë euro gjobë.

    Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktgjykimit, Latifit iu shqiptua edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

    Në dënimin e shqiptuar me 2 vite burgim, Latifit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

    Kurse, dënimin me gjobë në shumën 5 mijë euro, obligohet ta paguajë në afat prej 30 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Nëse i njëjti nuk e paguan dënimin me gjobë, ky dënim i zëvendësohet me burgim, duke iu llogaritur 20 euro për një ditë burgim.

    Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pas pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar brenda afatit ligjor.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 nëntor 2021, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj dy të akuzuarve Luan Latifi dhe Arben Bilalli, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit Latifi dhe po ashtu kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak ndaj tij dhe të akuzuarit Bilalli.

    Ndërsa, pas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Latifi, avokatit Driton Musliu, Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e shkallës së parë, me të cilën ishte konfirmuar aktakuza për korrupsion ndaj të akuzuarit Latifi dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje.

    Pas kthimit në rivendosje nga Gjykata e Apelit më 17 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 dhjetor 2021 ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Latifi dhe më pas më 23 dhjetor 2021, Apeli ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës.

    Në seancën e mbajtur më 25 korrik 2022, Bilalli kishte pranuar fajësinë, dhe ishte veçuar procedura ndaj tij, ndërsa Latifi ishte deklaruar i pafajshëm.

    Për të akuzuarin Arben Bilalli, ish-drejtorin e Administratës të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), gjykata ka shqiptuar dënim prej 140 ditë burgim efektiv dhe 12 mijë euro gjobë.

    Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, ngarkonte Luan Latifin se në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli, në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Telkos”.

  • Kurti nga Britania: Siguria është themeli mbi të cilin vendi ynë vazhdon të rritet

    Kurti nga Britania: Siguria është themeli mbi të cilin vendi ynë vazhdon të rritet

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se siguria e Kosovës dhe mbështetja për të është themeli mbi të cilin vendi ynë mund të vazhdojë të rritet.

    Kurti përmes një postimi në platformën X, ka njoftuar se ka marrë pjesë në në panelin ku u diskutua mbi Kosovën dhe gjeopolitikën evropiane, që u organizua nga Instituti i Politikave ‘’Chatham House’’.

    “Siguria e Kosovës dhe mbështetja për të është themeli mbi të cilin vendi ynë mund të vazhdojë të rritet”. Falenderoj ChathamHouse dhe UCL që më më keni në një panel për të diskutuar mbi Kosovën, gjeopolitikën evropiane dhe më shumë”, ka shkruar ai.

    Ndryshe, kryeministri Kurti të hënën ka udhëtuar për në Mbretëri të Bashkuar dhe në qëndrimin e tij njëditor atje ka pasur takime me zyrtarë të institucioneve.

  • Hill: SHBA ka qenë shumë e qartë lidhur me ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë

    Hill: SHBA ka qenë shumë e qartë lidhur me ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë

    Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, tha se qeveria amerikane ishte shumë e qartë për shqetësimet e saj rreth vendimit për ndalimin e dinarit në Kosovë.

    Në Uashington, ku mori pjesë në një pritje me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, Hill, i pyetur nga për çështjen e dinarit. Ai tha se nuk dëshiron të hyjë në detaje se çfarë po ndodh aktualisht në Kosovë, por se duhet të ketë përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

    “Ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe do të shohim pjesën tjetër”, tha Hill.

    I pyetur nëse dialogu është në errësirë ​​pas lëvizjeve të fundit rreth vendimit të BQK-së, ambasadori Hill thotë se nuk dëshiron ta karakterizojë dialogun dhe se këtë ia lë të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, por beson se shumë probleme, përfshirë edhe dinarin, duhet të zgjidhen me dialog.

  • Aksident te “Bill Clinton” në Prishtinë – katër të lënduar, dy prej tyre zyrtarë policorë

    Aksident te “Bill Clinton” në Prishtinë – katër të lënduar, dy prej tyre zyrtarë policorë

    Katër persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në rrugën “Bill Klinton”, në Prishtinë.

    Nga Policia e Kosovës kanë thënë për gazetën online Reporteri.net se në aksident janë përfshirë dy vetura në lëvizje, njëra nga to veturë e policisë.

    Dy nga të lënduarit janë zyrtarët policorë.

    “Sot rreth orës 03:30 kemi pranuar informatën se në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura në lëvizje ( njëra nga to veturë e policisë).

    Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar katër persona ( dy nga ta zyrtar policor).”

    Personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut rrugor”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.

  • ATK publikon formën për lajmërimin e punëtorit

    ATK publikon formën për lajmërimin e punëtorit

    Administrata Tatimore e Kosovës ka publikuar sot versionin e ri të sistemit elektronik EDI, përmes të cilit do të kërkohet që çdo punëdhënës të informojë ATK-në për lidhjen e një kontrate të punës një ditë para fillimit të punës së punëtorit.

    Sipas njoftimit, shërbimi i ri elektronik për lajmërimin e punëtorit është funksionalizuar në Sistemin Elektronik EDI duke u bazuar në Ligjin Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, gjegjësisht nenin 43, paragrafin 5.

    “Përmes këtij shërbimi, çdo punëdhënës është i obliguar për ofrimin e informatave për të punësuarin e ri, sipas formës së përcaktuar nga ATK-ja, e cila gjendet te menyja “Shërbimet – Regjistro punëtorin e ri”. Më konkretisht përmes shërbimit “Formular për regjistrimin e punëtorit”, përveç informatave që merren përmes Agjencisë për Regjistrimin Civil (ARC) dhe informatave përmes listëpagesës mujore, punëdhënësi do të jetë i obliguar që të ofroj edhe informatat shtesë, si: Data e fillimit të punës; Data e ndërprerjes së punësimit; Orari i punës, i plotë apo i pjesshëm; Niveli i shkollimit të punëtorit; Profesioni i punëtorit; Pozita e punës së punëtorit, etj. Për plotësimin e saktë të informatave për të punësuarin, ATK-ja ka përgatitur “Udhëzuesin për plotësimin e formularit për regjistrimin e punëtorëve”, të cilin do ta gjeni në dritaren përkatëse në të cilën bëhet plotësimi i formularit, andaj ju sugjerojmë që paraprakisht ta shfletoni udhëzuesin. ATK mban premtimin për kujdesin e vazhdueshëm ndaj tatimpaguesve”, thuhet në njoftim.

  • Burri rrah gruan në Gjakovë, i ndihmon edhe djali i tyre i mitur

    Burri rrah gruan në Gjakovë, i ndihmon edhe djali i tyre i mitur

    Policia e Kosovës ka raportuar se në Gjakovë, janë arrestuar babai dhe djali i tij i mitur, pasi dyshohet se më datë 9 shkurt të këtij viti kanë ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.

    Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “Gjakovë 09.02.2024 – 22:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë (babai dhe djali i tij i mitur) nën dyshimin se të njëjtit me datën e cekur kanë ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare bashkëshortes përkatësisht nënës së tij. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Fletushkat kërcënuese për Kurtin e Policinë në veri, hapet rast për nxitje të urrejtjes e rezistencë

    Fletushkat kërcënuese për Kurtin e Policinë në veri, hapet rast për nxitje të urrejtjes e rezistencë

    Pas shpërndarjes së disa fletushkave kërcënuese në veri të vendit ndaj kryeministrit të vendit Albin Kurti dhe Policisë së Kosovës, është hapur rast për incident kriminal “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, fetar, racor, etnik”, raporton KP.

    “Mitrovicë Veri 12.02.2024 – 21:40. Raportohet se persona të pa njohur nëpër hyrje të ndërtesave dhe rrugë të ndryshme kanë shpërndarë fletushka që lidhet me veprën e lartë cekur. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Fletushkat janë shpërndarë mbrëmë nga e një grup i quajtur “Mbrojtja Popullore”, përmbajtja e të cilave është nxitëse dhe inkurajon qytetarët serbë të mos binden ndaj Policisë së Kosovës.

    Fletushkat përmbajnë një sërë udhëzimesh specifike për veprimet që duhet të ndërmerren nëse haset në forcat e rendit të Kosovës, të cilat grupi i referohet si “Policia e Kurtit”.

  • Një foshnje tremuajshe dërgohet pa shenja jete në Spitalin e Gjakovës

    Një foshnje tremuajshe dërgohet pa shenja jete në Spitalin e Gjakovës

    Një foshnje tremuajshe nga fshati Smaq është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Gjakovës.

    “Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës femër kosovare është dërguar në IML për obduksion”, njofton policia përmes raportit 24 orësh.