ATV

Category: Lajme

  • Stoltenberg: Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet që çojnë në eskalim, duhet dialog

    Stoltenberg: Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet që çojnë në eskalim, duhet dialog

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, në një konferencë për media të mbajtur sot në selinë e Aleancës Veri-Atlantike ka folur për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Stoltenberg ka thënë se të gjitha palët duhet të përmbahen nga gjuha inflamatore dhe nga veprimet që mund të çojnë në eskalim të mëtejshëm të tensioneve.

    Ai ka thënë se rruga përpara për Kosovën dhe Serbinë është dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe ka thënë se inkurajon të dy palët që të angazhohen me mirëbesim në procesin e negociatave.

    “Kemi parë rritje të tensioneve në Kosovë dhe pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor muajt e fundit. Mesazhi im është që të gjitha palët duhet të përmbahen nga gjuha inflamatore dhe nga veprimet që mund të eskalojnë tutje tensionet në rajon. Kur vjen puna për Kosovën, rruga përpara është dialogu i lehtësuar nga BE-ja, dhe inkurajoj Prishtinën dhe Beogradin që të angazhohen në mirëbesim në dialog”, ka thënë Stoltenberg.

    Ai tutje ka potencuar se shkaku i sulmeve të ndodhura në Kosovë gjatë vitit të kaluar, vendet aleate të NATO-s kanë shtuar prezencën e tyre në Kosovë për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet dhe për t’u siguruar në përmbushjen e mandatit të marrë nga Kombet e Bashkuara.

    “Si rezultat i sulmeve që kemi parë në Kosovë vitin e fundit, NATO ka rritur prezencën. NATO është aty për të siguruar ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë komunitetet dhe kemi shtuar qindra trupa që të sigurohemi që të përmbushim mandatin e marrë nga Kombet e Bashkuara”, ka përfunduar Stoltelberg.

  • ​Kuvendi zgjedh anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë

    ​Kuvendi zgjedh anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë

    Kuvendi ka zgjedhur Mirlinda Batallin, Avni Berishën dhe Jetmir Haxhibeqirin si anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. 63 deputetë kanë votuar për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se mandati i të treve është katër-vjeçar.

    “Konstatoj që kuvendi me 63 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim i zgjodhi anëtarët e Këshillit të Cilësisë….Kuvendi me këto vota e zgjedh Mirlinda Batallin, Avni Berishën dhe Jetmir Haxhibeqirin si anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Mandati i tyre është katër-vjeçar”, ka njoftuar kryeparlamentari Konjufca.

    Kuvendi po shqyrton propozimin për përzgjedhjen e një (1) kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. /kp

  • Vendos Qeveria, banesa e konfiskuar i jepet për strehim 11 vjeçares që ishte viktimë e trafikimit

    Vendos Qeveria, banesa e konfiskuar i jepet për strehim 11 vjeçares që ishte viktimë e trafikimit

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim të një banese të konfiskuar me qëllim të strehimit të viktimës së trafikimit, e njohur edhe si rasti i 11-vjeçares.

    Banesa prej 100 metra katrorë do të jepet në shfrytëzim për të dhe familjen e saj.

    Kryeministri Kurti tha se kjo dëshmon përkushtimin e Qeverisë për mbështetjen e viktimave, sidomos të atyre që janë viktima të dhunës.

    “Komisioni rekomandues i Ministrisë së Drejtësisë ka rekomanduar dhënien në shfrytëzim të banesës së konfiskuar me sipërfaqe prej 100 metra katrorë për viktimën e trafikimit dhe dhunimit dhe familjen e saj e njohur edhe si rasti i 11-vjeçares. Përmes veprime të këtilla, ne edhe një herë dëshmojmë përkushtimin tonë për mbështetjen e viktimave, veçanërisht për viktimat e dhunës”.

    Ndërkaq, Ministrja Haxhiu tha se banesa e konfiskuar do të jepet për shfrytëzim për një periudhë 5 vjeçare, duke mos specifikuar lokacionin dhe detajet e tjera, siç tha ajo për arsye sigurie.

    11-vjeçarja dyshohet se gjatë vitit 2022 është dhunuar nga pesë persona në Prishtinë dhe gjatë vitit 2023 sipas dyshime ishte dhunuar përsëri në strehimoren në të cilën po rehabilitohej.

  • Miratohet nisma për njohjen dhe konvertimin e patent-shoferëve ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe

    Miratohet nisma për njohjen dhe konvertimin e patent-shoferëve ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe

    Qeveria ka miratuar nismën për lidhjen e një memorandumi të mirëkuptimit për “njohje reciproke dhe konvertim të patentë shoferëve ndërmjet Qeverisë se Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”.

    Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani tha se me anë të kësaj marrëveshjeve synojnë të krijojnë “procedura efektive që qytetarët tanë që jetojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe të kenë mundësi që patent-shoferin e Republikës së Kosovës ta zëvendësojnë me atë të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe anasjelltas”.

    “Qytetarët që jetojnë në Emirateve të Bashkuara Arabe mund ta konvertojnë patentë-shoferin e tyre dhe anasjelltas”, tha ai.

    Të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar votuan unanimisht për miratimin e kësaj nisme.

  • “Tentim-atentati” ndaj Kurtit – Komisioni e fton për raportim drejtorin e AKI-së

    “Tentim-atentati” ndaj Kurtit – Komisioni e fton për raportim drejtorin e AKI-së

    Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka thënë se kanë kërkuar takim me drejtorin e AKI-së, Petrit Ajetin, për t’u njoftuar me tentim-atentatin ndaj kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, raporton Ekonomia Online.

    Takimi me të sipas Musliut pritet të mbahet javën e ardhshme, ndërsa tha se për detaje do të njoftohen në ditën e mbajtjes së këtij takimi.

    “Komision kërkoi takim me drejtorin e AKI-së për sot një javë për të na njoftuar rreth tentim-atentatit ndaj kryeministrit Albin kurtit”, deklaroi Musliu.

    “Ne jemi munduar vazhdimisht kur janë çështjet e sigurisë ndërkombëtare ta ruajmë informacionin dhe mos ta shfrytëzojmë këtë informacion, për ta ruajtur në maksimum sigurinë e vendit dhe këtë e kërkoj nga çdo deputet, para qytetarëve të Republikës së Kosovës”, u shpreh ajo.

  • Qeveria miraton tri marrëveshje me Malin e Zi, lidhen me fushën e drejtësisë

    Qeveria miraton tri marrëveshje me Malin e Zi, lidhen me fushën e drejtësisë

    Qeveria ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi, nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Zbatim të Ndërsjellë të Vendimeve Gjyqësore në Çështjet Penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi si dhe Nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi, raporton Ekonomia Online.

    Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se këto tri marrëveshje janë të rëndësishme dhe fuqizojnë bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

  • Kurti priti në takim shefin e OSBE-së, folën për rregulloren e BQK-së

    Kurti priti në takim shefin e OSBE-së, folën për rregulloren e BQK-së

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim dje, shefin e misionit të OSBE në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport.

    Ambasadori Davenport dhe Kryeministri Kurti, diskutuan mbi temat aktuale në Kosovë, përfshirë fazën tranzitore dhe informuese të zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore, dhe fushat e bashkëpunimit.

    Në takim, ndër të tjera u theksua rëndësia e komunikimit efektiv me publikun, me ç ‘rast u përmend video mesazhi i kryeministrit drejtuar komunitetit serb në Kosovë, në gjuhën serbe, në lidhje me përmbajtjen, qëllimet dhe zbatimin e rregullores në fjalë.

    Kryeministrit Kurti falënderoi ambasadorin Davenport për bashkëpunimin e afërt dhe mbështetjen e vazhdueshme në projekte dhe fusha me interes të përbashkët.

  • Punëtorët teknik dhe fizik të UP-së dhe QS-së do të hyjnë në grevë të premtën

    Punëtorët teknik dhe fizik të UP-së dhe QS-së do të hyjnë në grevë të premtën

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi ka njoftuar se të gjithë punëtoret e stafit teknik dhe fizik të UP’së dhe QS’së do të hyjnë në grevë nga dita e premte për shkak të pagave të ulëta.

    Sipas një postimi të tij greva do të filloj të premten.

    Punëtorët teknik dhe fizik të të gjitha fakulteteve të UP-së dhe Qendrës studentore, kanë vendosur me unanimitet për këtë grevë.

  • Kurti mburret me punën e Qeverisë në 3-vjetorin e fitores së LV-së

    Kurti mburret me punën e Qeverisë në 3-vjetorin e fitores së LV-së

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është mburrur për punën e Qeverisë së Kosovës në 3-vjetorin e fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021.

    Kurti para kabinetit qeveritar të mërkurën, tha se kanë dëshmuar se është e mundur të qeveriset në përputhje me vullnetin e popullit dhe me duar të pastra.

    Sipas tij, në këto tri vite kanë shtrirë ligjshmërinë në tërë territorin e Kosovës, sikurse kanë luftuar krimin dhe korrupsionin.

    Duke përmendur dikasteret e ekonomisë dhe drejtësisë, Kurti tha se për të njëjtat ka pasur përpjekje për t’i ngadalësuar, por se të njëjtat do të bëhen.

    “Kosova e 14 shkurtit, sot pas tri vitesh është Republikë më e qëndrueshme, më e sigurtë dhe më e mirë për të jetuar”, theksoi ai.

  • Anulohen të gjitha seancat e parapara për në muajin mars në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Anulohen të gjitha seancat e parapara për në muajin mars në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë gjatë muajit mars të këtij viti nuk do të ketë seanca në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

    Sipas njoftimit të DhSK-së nga data 4 mars deri më 15 në këtë çështje gjyqësore janë anuluar të gjitha seancat.

    Vlen të theksohet se edhe seancat e muajit shkurt të parapara që të mbahen për këtë çështje gjyqësore ishin anuluar.

    Megjithatë, çështja gjyqësore ndaj Pjetër Shalës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është drejt fundit.

    Michael Doyle, zëdhënës i DhSK-së, përmes informimit javor për medie, me 18 janar tha se sa i përket hapave të ardhshëm në çështjen gjyqësore ndaj Shalës, gjykatësi do të ftojë ZPS-në dhe mbrojtjen që të dorëzojnë dosjet gjyqësore përfundimtare dhe të caktohet seanca për deklaratat përmbyllëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ai tha se më 15 janar, mbrojtja e Shalës ia dorëzoi trupit gjykues njoftimin se mbrojtja ka përfunduar paraqitjen e provave.

    “Gjatë paraqitjes së provave, mbrojtja e z. Shala thirri 10 dëshmitarë për të dhënë dëshmi në sallë të gjyqit. Sa u përket hapave të ardhshëm, pas njoftimit të trupit gjykues për mbylljen e procedurës së paraqitjes së provave, gjykatësit do të ftojnë prokurorin e specializuar dhe mbrojtjen që të dorëzojnë dosjet gjyqësore përfundimtare dhe caktojnë seancën për deklaratat përmbyllëse”, tha Doyle.

    Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi