ATV

Category: Lajme

  • O’Brien shkon për vizitë në Mal të Zi, pak ditë pas deklaratës për partneritetin me qeverinë e Kosovës

    O’Brien shkon për vizitë në Mal të Zi, pak ditë pas deklaratës për partneritetin me qeverinë e Kosovës

    Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien do të vizitojë sot Malin e Zi.

    Në mesin e shumë takimeve, ai do ta zhvillojë një të tillë edhe me kryeministrin malazez, Milojko Spajiq, pas të cilit do të ketë edhe deklarime për media, raporton RTCG.

    Më pas, është paralajmëruar një takim i dialogut ekonomik malazezo-amerikan.

    Zyrtari i lartë amerikan i cili sot viziton Malin e Zi, në një intervistë dhënë ditë më parë për Zërin e Amerikës “deklaroi se SHBA-ja është e shqetësuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.

    O’Brien deklaroi mes tjerash se me këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

    “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thosha, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien.

    “Kosova duhet të tërhiqet nga vendimi për dinarin, thotë zyrtari i lartë amerikan. Ndonëse Shtetet e Bashkuara e kishin këshilluar qeverinë e Kosovës kundër një veprimi të tillë, ajo vendosi ta zbatojë atë, pa konsideruar këshillat e partnerëve kryesorë”, shtoi ai.

    I pyetur lidhur me marrëdhëniet Kosovë Serbi që pas marrëveshjeve të Ohrit, O’Brien tha se zbatimi i tyre, i përket secilës palë të ndërmarrë veprimet e veta, e pakushtëzuar nga pala tjetër. Serbia tha ai, ka marrë dy hapa të rëndësishëm drejt njohjes de-fakto të Kosovës, si çështja e targave dhe dokumenteve doganore.

  • Propaganda e re e ministrit serb: E kemi ushtrinë e fortë, Kurti e ata që e mbështesin do të kishin bërë lëvizje shumë më të vështira drejt nesh

    Propaganda e re e ministrit serb: E kemi ushtrinë e fortë, Kurti e ata që e mbështesin do të kishin bërë lëvizje shumë më të vështira drejt nesh

    Kryetari i Partisë Progresive Serbe (SNS), Millosh Vuçeviq, tha sot se qeveria në Beograd do të formohet “nëse do të ketë një konsensus të plotë” me partitë politike që do të formonin koalicionin qeverisës me SNS-në.

    Vuçeviq i tha RTS-së, me rastin e seancës konstituive të Kuvendit të qytetit të Beogradit, e cila është planifikuar të fillojë në orën 10:00, se nëse nuk ekziston një “vullnet i qartë politik”, zgjedhjet e reja lokale do të mbahen brenda afatit të caktuar me ligj.

    Ai shtoi se në parlamentin republikan, ku SNS ka shumicën absolute, gjithçka është “shumë më e sigurt” dhe se vazhdimi i seancës konstituive të Parlamentit serb do të caktohet “në ditët dhe javët në vijim”.

    I pyetur nëse mund të thuhet më saktë se kur do të jetë, Vuçeviq tha se vazhdimi i seancës së Kuvendit të Serbisë do të caktohet “kur të krijohen kushtet politike, kur të arrihet një marrëveshje politike”.

    “Shteti funksionon, nuk jemi vonë”, tha ai.

    Me rastin e seancës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, e cila u mbajt së fundi me kërkesë të Serbisë për shkak të vendimit të autoriteteve në Prishtinë për të anuluar transaksionet e pagesave me Serbinë në dinarë, Vuçeviq tha se mbajtja e saj ishte “një nga suksese”, dhe se suksesi ishte që seanca ishte publike.

    Vuçeviq shtoi se “ajo betejë politike do të vazhdojë”.

    “Me aftësi politike, diplomatike, të gjitha të njohura dhe të panjohura, ta shpëtojmë popullin serb në Kosovë”, tha Vuçeviq, i cili është edhe ministër i Mbrojtjes i Serbisë.

    “Nëse nuk do të kishim ushtrinë që kemi, Kurti dhe ata që e mbështesin do të kishin bërë lëvizje shumë më të vështira drejt nesh”, tha Vuçeviq.

    Ai shtoi se “ekziston rrezik” për përkeqësim të situatës së sigurisë, por se pala serbe po përpiqet ta zvogëlojë atë “në masën më të vogël të mundshme”.

  • Tërmet në Bosnjë e Hercegovinë

    Tërmet në Bosnjë e Hercegovinë

    Një tërmet është regjistruar sot në mëngjes në Bonjë e Hercegovinë me magnitudë 4.2 ballë të shkallës Rihter.

    Qendrës Sizmologjike Euro-Mediterane (EMSC) shkruan se tërmeti ka qenë me epiqendër 11 kilometra në verilindje të Sarajevës, transmeton kp.

  • Qeverisë i kërkohet ta ndal projektligjin që kontrollon mediat online

    Qeverisë i kërkohet ta ndal projektligjin që kontrollon mediat online

    Projektligji i cili është dorëzuar nga Qeveria në Kuvendin e Kosovës lidhur me monitorimin e mediave, përmes të cilit video incizimet dhe audio materialet e mediave online, do të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave, nuk është pritur mirë nga vet mediat. Ky projektligj me rregulloret të cilat i përmban, po konsiderohet si sulm dhe tendencë e qeverisë për të penguar mediat në punën e tyre.

    Ndërsa, nga Komisioni i Pavarur për Media, kanë treguar se të gjitha mediat që prodhojnë video dhe programe audiovziuele, para publikimit të materialit, do t’u nënshtrohen rregulloreve të KPM-së.

    Në lidhje me këtë projektligj, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha ka thënë se qeveria përmes këtij projektligji ka treguar tendenca të tjera kundër mediave në vend.

    “Ne e kundërshtojmë formën se si qeveria e ka paraqitur në Kuvendin e Kosovës, ligjin për KPM. Është një ligj i ri, i cili parasheh rregullimin e mediave online që ofrojnë video përmbajtje nga Komisioni i Pavarur i Mediave. Ne konsiderojmë që kjo është e pamundur sepse do të kufizonte pluralitetin e mediave por qëllimi i qeverisë që të shtojë numrin e anëtarëve të KPM-së, nga shtatë në njëmbëdhjetë, e shohim si tendencë nga kjo qeveri. Pikat kryesore të ligjit kanë të bëjnë përveç tjerash se KPM bënë rregullimi dhe monitorimin e televizioneve dhe radiove dhe futjen në të njëjtin vend edhe të mediave online dhe dënimet mund të shkojnë deri 40 mijë euro, të cilat konsiderohen se janë të papërballueshme për secilën media online…Kjo na lë të kuptojmë që përkundër faktit që ligji në pjesën kryesore mund të jetë i shkruar mirë dhe lidhet me Bashkimin Evropian, në praktike kjo qeveri ka treguar tendenca për të kontrolluar KPM-në, dhe nëpërmjet saj për të disiplinuar mediat që janë kritike ndaj saj. I bëjmë thirrje qeverisë që të mos e dërgojë tutje’, tha Rexha.

    Edhe drejtori i mediumit online “In Fokus”, Shkelzen Dakaj tha se shumë mediume online i përmbahen atyre rregullave dhe se nuk ka pasur nevojë për asnjë ligj për të kontrolluar mbi ato.

    “E kemi një qeveri që kur ka ardhur në pushtet, ka një tendencë dhe një armiqësi për të kontrolluar mediat. Këtë rast me kontrolluar lirin e fjalës me censuruar atë që edhe vet demokracinë e një shteti. Mediat duhet të rregullohen, ne që jemi, njihemi si emër të kujt jemi, dihen gazetarët të cilët punojnë, pjesën dërmuese të rregullave që kanë paraparë ky ligj, ne as sot nuk i shkelim. Nuk është arsyeja kjo pse ne po e kundërshtojmë këtë ligj. Problemi është që shumë media në Kosovë, ka qenë trend që plot individë kanë krijuar platforma online dhe sot e dëmtojnë edhe reputacionin e mediave, si duhet të kontrollohen ato. 02:56 Ligji i cili nënkupton që nesër do të kontrolloj përmes KPM-së, atëherë kjo është një tendecë për të bërë një kontroll. Ne prej In Fokus kemi propozuar që mediat duhet të identifikohen, mediat të cilat kanë kryeredaktorë, redaktorë, gazetarë, që janë media kredibile duhet të promovohen më tepër që qytetari i rëndomtë të dijë se ku e merr informacionin”, tha Dakaj.

    Kundër këtij projektligji janë shprehur edhe në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), organizoatë kjo e cila shqyrton të gjitha ankesat e qytetarëve dhe institucioneve lidhur me mediat.

    Ndërsa, nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, kanë thënë se synimi i qeverisë përmes këtij projektligji është që të sigurohet një mbrojtje më e mirë për shoqërinë, ndaj transmetimeve mediatike.

    “Misioni i OSBE-së në Kosovë mirëpret synimin e Qeverisë për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) në përputhje me direktivën e BE-së për Shërbimet Mediale Audiovizive. Me këtë do të sigurohet një kuadër më i zbatueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve, promovimin e diversitetit kulturor dhe pluralizmin mediatik.Megjithatë, KPM-ja, duhet të ketë kujdes në zbatim të rregullimit, ashtu që të shmang kufizimin e papërshtatshëm të lirisë së shprehjes dhe ndikimin e padrejtë në përmbajtjen mediatike në platformat e shkëmbimit të videove në internet. Në veçanti, projektligji do të synojë artikulimin efektiv të standardeve dhe parimeve sipas së cilave do të nxirren aktet e nevojshme nënligjore”, kanë shkruar OSBE.

    Kryetari i Komisionit të Pavarur për Media, Jeton Mehmeti tha se projektligjit, mediat online duhet të regjistrohen në KPM dhe t’u nënshtrohen rregulloreve që përmban KPM-ja.

    “Projektligji për Komisionin e Pavarur parasheh disa nene dhe njëra prej tyre është edhe mediat online, gjithsesi në këtë kuptim ai projektligj sa e kemi parë ne parasheh që të gjitha mediat të cilat funksionojnë në Kosovë dhe ofrojnë programe audiovizuele, në kuptimin me video, duhet të regjistrohen në KPM. Ato media nuk kanë nevojën për licencë, por vetëm të regjistrohen dhe në atë moment ato duhet të i nënshtrohen rregullave dhe kodit të etikë së KPM. Kështu që qytetari kur sheh ndonjë shkelje të kodit të etikës do të ketë adresë KPM për të u ankuar për përmbajtje vizuele. 55:46 Ju e dini që ky projektligj ka edhe një kosto financiare dhe nëse kuvendi vazhdon me miratimin e këtij ligji, ne dëshirojmë që të ketë parasysh edhe koston financiare në kuptimin e rritjes kapaciteteve njerëzore, pra shtimin e stafit të KPM-së. Dhe rritjen e kapaciteteve pjesëve teknike në kuptimin e monitorimit të mediave të reja”, tha Mehmeti.

  • Analiza e DW: Ballkani në plan të dytë në Konferencën e Sigurisë në Mynih

    Analiza e DW: Ballkani në plan të dytë në Konferencën e Sigurisë në Mynih

    Si çdo vit tjetër në shkurt, Mynihu është skenë e shumë diskutimeve për situatën aktuale të sigurisë në bote për tre ditë me radhë.

    Temat e Konferencës së Sigurisë së Mynihut (MSC) këtë vit ishin, siç mund të pritej, lufta në Ukrainë dhe lufta në Lindjen e Mesme. Këto dy pika krizash përcaktuan në mënyrë tematike shumicën e diskutimeve gjatë konferencës treditore në hotelin luksoz Bayerischer Hof.

    Një mundësi për bisedime dypalëshe

    Por përveç diskutimeve të hapura për publikun, MSC njihet që nga koha e Lufta e Ftohtë për bisedat në prapaskenë të përfaqësuesve të pushtetit që normalisht qëndronin larg njëri-tjetrit në publik. Përqendrimi i madh i pjesëmarrësve të rëndësishëm dhe labirinteve të hoteli luksoz ofron mundësi për biseda më intime larg syve kureshtarë të përfaqësuesve të mediave.

    Këtë e dinë edhe pjesëmarrësit e vendeve tëBallkanit Perëndimor, për të cilët takimi në Mynih është një takim thelbësor në fillim të vitit politik. Këtë vit, presidentët e shteteve dhe qeverive të të gjitha vendeve të krijuara pas shpërbërjes së Jugosllavisë ishin përsëri në Bayerischer Hof, por ata vetë, me përjashtim të presidentit maqedonas Steve Pendarovski dhe kolegut të tij malazez Jakov Milatoviq, nuk morën pjesë në panelet publike.

    Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor mburreshin me takime të shumta dypalëshe: Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u takua me ministrat e Jashtëm britanik dhe kinez, David Cameron dhe Wang Yi, delegacionin e Senatit të SHBA-së, si dhe mikpritësin jozyrtar, kryeministrin e landit të Bavarisë, Markus Söder, të cilin e ftoi të vizitonte Beogradin. Siç u tha gazetarëve në Mynih, Vuçiq iu ankua të gjithëve për pozitën e serbëve në Kosovë.

    Në të njëjtën kohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte në metropolin bavarez dhe, sipas një komunikate nga zyra e tij, në një bisedë me përfaqësues të Senatit amerikan, ai ka akuzuar Beogradin zyrtar për problemet e fundit që kanë lindur pas vendimit për ndalimin e dinarit. Jeanne Shaheen, anëtare e Komisionit të Senatit për Politikë të Jashtme, tha gjatë një paneli për Ballkanin se ajo foli me Vuçiqin dhe Kurtin dhe u tha atyre se “të dyja palët duhet të lëvizin”.

    Sarajeva duhet të bëjë reforma

    Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq nuk u mor me Serbinë dhe Kosovën, por me temën e tij të preferuar kur është në skenën ndërkombëtare: mbështetjen e BH nga Kroacia në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë, në një nga panelet, anëtari i presidencës së B-H, Denis Beqiroviq, i bëri thirrje Brukselit që në mars të hapë negociatat me B-H për anëtarësimin e plotë në BE.

    Përfaqësuesi i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manual Sarrazin, tha për DW në margjinat e konferencës se hapja e negociatave tashmë varet nga koalicioni në Sarajevë. “Koalicioni ka dërguar sinjale të kujdesshme për progresin kur bëhet fjalë për reformat për të na mundësuar që ta ndjekim këtë rrugë pozitivisht, por duhet të shohim edhe rezultate konkrete në terren”, tha Sarrazin. Me fjalë të tjera: ju ende duhet të bëni diçka nëse doni që ne t’ju shtyjmë. Sarrazin gjithashtu e lidhi çështjen e anëtarësimit në Bashkimin Evropian me çështjen e stabilitetit dhe sigurisë, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës.

    Anëtarësimi në BE si garanci sigurie

    Meqë ra fjala, gjatë diskutimeve të ndryshme në MSC, anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian u theksua në disa raste për vendet e Ballkanit Perëndimor si garanci për paqen dhe sigurinë. Mirëpo, rruga drejt Bashkimit Evropian nuk është e lehtë, u ankua presidenti maqedonas Stevo Pendarovski, i cili vazhdimisht theksoi bllokadën absurde bullgare të negociatave për anëtarësim. Por paneli diskutoi edhe problemet e Malit të Zi dhe Kroacisë, të cilat ende nuk i kanë zgjidhur mosmarrëveshjet me kufijtë e tyre, gjë që mund të jetë një rrethanë rënduese për aspiratat e Malit të Zi për anëtarësim në BE.

    Pendarovski problemin e bllokimit të negociatave e sheh ekskluzivisht si problem të Bashkimit Evropian. Edhe Sarrazin është i vetëdijshëm për këtë. “Nëse në Ballkanin Perëndimor Bashkimi Evropian tregon se nuk është në gjendje të zgjidhë problemet, si do të na marrin seriozisht kur bëhet fjalë për probleme shumë më të mëdha globale”, tha Sarrazin për DW. Ai vuri në dukje se Miroslav Lajçak, komisioneri special i BE-së për negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, është gjithashtu në Mynih. Por ai tha se “për momentin nuk ka asgjë të re për të thënë” kur bëhet fjalë për përparimin në afrimin midis Beogradit dhe Prishtinës.

    Ndikimi shkatërrues rus në Ballkan

    Analistët ende e shohin ndikimin e Rusisë në Ballkan si një nga faktorët më të mëdhenj të destabilitetit. “Mënyra se si po vepron Rusia, ajo nuk po vepron vetëm kundër Ukrainës. Rusia është një faktor destabilizues kudo në botë. Rusia po përpiqet të destabilizojë edhe Ballkanin… ne nuk kemi nevojë për takime të reja, por duhet të mbështesim menjëherë Ukrainën dhe t’i japim asaj atë që i nevojitet”, tha kryeministrja daneze Mette Frederiksen në një panel mbi rolin e sigurisë së Bashkimi Europian.

    Frauke Seebass, analiste dhe specialiste për Ballkanin Perëndimor e Shoqatës Gjermane për Politikë të Jashtme (DGAP), tha për DW se narrativa pro-ruse në shumë pjesë të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në ato nën ndikimin e Beogradit, vazhdon të jetë një problem i madh sigurie. “Duke pasur parasysh situatën e tanishme gjeopolitike, afërsia me Rusinë dhe shpërfillja gjithnjë e më e hapur ndaj vlerave themelore demokratike janë gjithashtu shqetësuese. Komunikimi publik është gjithnjë e më shumë antiperëndimor dhe Rusia portretizohet si aleati më i rëndësishëm. Perspektivat për t’u bashkuar me BE-ja ka humbur besueshmërinë, dhe rrjedhimisht efektivitetin e tyre gjatë viteve, duke kufizuar më tej ndikimin e aktorëve perëndimorë”, thotë Seebass.

    Sa i përket Malit të Zi, siç thotë presidenti Milatoviq, reputacioni i Rusisë është në një trajektore në rënie. “Nuk ka asnjë kuptim për aktivitetet e Rusisë në Ukrainë. Mendimi im është se Rusia ka humbur ndikimin e saj në Mal të Zi,” tha Milatoviq në një panel për Ballkanin të shtunën mbrëma.

    Rreziku i luftës është ende i vogël

    Edhe pse duket se BE dhe SHBA po bëjnë përpjekje për të parandaluar hapjen e pikave të reja të nxehta në Ballkanin Perëndimor që do të kërcënonin fokusin e energjisë në Ukrainë, ekspertë si Seebass nuk shohin një rrezik të drejtpërdrejtë të konflikteve të luftës në Ballkan. “Duke pasur parasysh tensionet në rritje, shpesh bëhen krahasime me vitet 1990 para fillimit të luftërave në Jugosllavi. Megjithatë, situata e sigurisë është e ndryshme: tre vende të Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtare të BE-së tani janë anëtarë të NATO-s, që e bën luftën pak të mundshme”, thotë Seebass./ DW

  • Von der Leyen në kërkim të mandatit të dytë në krye të Komisionit Evropian

    Von der Leyen në kërkim të mandatit të dytë në krye të Komisionit Evropian

    Ursula von der Leyen do të njoftojë se planifikon të kërkojë një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian në një takim të partisë së Bashkimit Kristian Demokrat (CDU) në Berlin të hënën.

    Shefja e institucionit më të fuqishëm në Bruksel, Von der Leyen, 65 vjeç, i ka ruajtur me kujdes synimet e saj gjatë vitit të kaluar, duke shmangur të gjitha pyetjet mbi këtë temë.

    Por shpallja e kandidaturës së saj për pesë vjet të tjera do të shënojë hapin e parë në një betejë katërmujore për zgjedhje që mund të përfshijë një fushë më të gjerë, me disa spekulime që kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, mund të jetë një kandidate për këtë detyrë në verë, kur do të bëhet zgjedhja përfundimtare.

    Pasi të zgjidhet nga CDU, ajo duhet të marrë mbështetjen e dy partive të tjera brenda Partisë Popullore Evropiane (PPE), grupimi i qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian, i cili përfshin gjithashtu partitë në pushtet në Greqi, Irlandë, Lituani dhe Suedi.

    Më pas, ajo duhet të fitojë një votë në Kongresin e EPP-së në mars, që do të mbahet në Bukuresht, përpara se të përballet me pengesën përfundimtare në qershor, kur fillon tregtia e vërtetë e kuajve mbi postet kryesore në Bruksel, shkruan The Guardian.

    Sipas procesit “Spitzenkandidaten” (zgjedhja e kandidatit kryesor), zgjedhja e presidentit të Komisionit Evropian është e lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të planifikuara për 6-9 qershor.

    Por ajo që do të ndodhë në qershor do të përcaktohet nga përqindja e votave që PPE komandon pas zgjedhjeve. Në vitin 2019, EPP fitoi shumicën e vendeve dhe mund të priste që kandidati i tyre, Manfred Weber, të emërohej në detyrë. Por ai nuk ishte në gjendje të krijonte mbështetje ndërpartiake me socialistët, të cilët dolën në vendin e dytë, duke paraqitur një tjetër kandidat të profilit të lartë, Frans Timmermans.

    Ndarja krijoi hapësirë për Von der Leyen, që ishte një kandidate surprizë nga qeveria gjermane. “Mos harroni, askush nuk kishte dëgjuar për të në vitin 2019 dhe ajo nga ministrja e mbrojtjes në Gjermani u kthye në njeriun që kishte në punën më të fuqishme në Bruksel brenda disa javësh”, tha një diplomate, duke kujtuar se ajo as nuk bëri fushatë për këtë detyrë.

    Roli i kryediplomatit, që tani e mban pozitën Josep Borrell, është për t’u rrëmbyer, si dhe i kreut të Këshillit Evropian, i cili lehtëson marrëdhëniet midis kryeministrave dhe negocion pozicionet, shpesh në situata të ndërlikuara si mosmarrëveshja e fundit me Hungarinë për financimin e Ukrainë.

    Pas zgjedhjeve në qershor, këto pozicione ka të ngjarë të ndahen midis dy grupimeve të tjera të mëdha politike, aktualisht socialistët dhe demokratët (S&D) dhe grupi liberal i deputetëve Renew.

  • Arrestohet një shtetas i Shqipërisë, kërcënoi me vrasje një person në Prishtinë

    Arrestohet një shtetas i Shqipërisë, kërcënoi me vrasje një person në Prishtinë

    Policia e Kosovës njofton se dje ka arrestuar një shtetas nga Shqipëria në Prishtinë, pasi që i njëjti kishte kërcënuar me vrasje një person.

    Sipas raportit të policisë, rasti ka ndodhur në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

    “Lagjja Arbëri, Prishtinë 30.09.2023 – 19:38. Më 18.02.2024 është arrestuar i dyshuari shtetas i Shqipërisë për arsye se i njëjti përmes telefonit kishte kanosur me vrasje viktimën mashkull kosovar. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh.

  • ​Rucker e sheh të ardhmen e Kosovës në BE, thotë se vendimi për dinarin ishte i nxituar

    ​Rucker e sheh të ardhmen e Kosovës në BE, thotë se vendimi për dinarin ishte i nxituar

    Ish-përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Joachim Rucker, shprehet optimist për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

    Rucker në një intervistë për KosovaPress thotë se Kosova është pjesë e Komunitetit Euro-Atlantik dhe se të ardhmen e saj e sheh në BE.

    Ndërkaq, sa i përket asaj nëse duhet të hequr sanksionet ndaj Kosovës, Rucker thotë se kërkesat e BE-së janë shumë të rëndësishme dhe si të tilla mund të përmbushen nga qeveria aktuale, në mënyrë që procesi të shkojë përpara.

    Përveç këtyre, Rucker për KosovaPress flet edhe për vendimin lidhur me dinarin, për çka vlerëson se u prezantua paksa me nxitim. Ai shton se duhet dhënë më shumë kohë serbëve të Kosovës për t’u përshtatur me një vendim të tillë.

    “Epo, mendoj se këtu ishin disa kërkesa në lidhje me atë që ju i quani sanksione, dhe mendoj se ato kërkesa ishin të rëndësishme dhe ato mund të përmbushen nga qeveria, jam absolutisht i sigurt dhe ne mund të ecim përpara. Natyrisht, Kosova është pjesë e Komunitetit Euro-Atlantik dhe të ardhmen e saj e shoh në BE. Pra, kjo nuk është një pengesë e madhe”, theksoi Rucker.

    Ish-përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Joachim Rucker shprehet i bindur se do të ketë rezultate në një afat të mesëm sa i përket normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Ai potencon se OKB-ja është vend i rëndësishëm për të zgjidhur çështje të tilla.

    “OKB-ja është një vend i rëndësishëm për të zgjidhur çfarëdo që duhet zgjidhur, por mendoj se ajo që është shumë e rëndësishme është sigurisht normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe jam ende i bindur se do të shohim rezultate në afat të mesëm”, tha Rucker.

    Ndërkaq, lidhur me vendimin e qeverisë aktuale për moslejimin e përdorimit të dinarit në Kosovë, Rucker konsideron se u prezantua me nxitim, për çka thotë se politikisht duhet dhënë më shumë kohë atyre që i përdorin për t’u përshtatur me një ndryshim të tillë.

    “Epo, mendoj se u prezantua paksa me nxitim, nuk dyshoj se mund të jetë e ligjshme, por mendoj se politikisht ju duhet t’u jepni njerëzve më shumë kohë për t’u përshtatur me një ndryshim të tillë”, tha Rucker.

    Para rreth një jave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha se nuk është ndaluar dinari në Kosovë, por euroja është e vetmja valutë pagese në Kosovë.

    Kurti theksoi se ka bashkëpunim shumë të mirë me serbët e Kosovës dhe se nuk ka asnjë problem me ta. Ai shtoi se BQK-ja është e gatshme për të bashkëpunuar me Bankën Qendrore të Serbisë.

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj, e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb, nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj.

  • Gërvalla takon homologun turk, prioritet bashkëpunimi më i thellë bilateral

    Gërvalla takon homologun turk, prioritet bashkëpunimi më i thellë bilateral

    Një takim në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla pati me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, me të cilin diskutuan me theks të veçantë për realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e ekonomisë.

    Partneriteti mes dy shteteve dhe mbështetja e Turqisë në ngritjen e kapaciteteve të Kosovës në fushën e sigurisë ishin gjithashtu pjesë e rëndësishme e takimit mes Ministres Gërvalla dhe homologut të saj turk, Hakan Fidan.

    Ministrja Gërvalla gjatë këtij takimi shprehu falënderimin ndaj Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës në shumë fusha si dhe e njoftoi homologun turk mbi progresin e arritur në demokratizim, liri të mediave, të drejtat e qytetarëve, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare në Kosovë.

  • Një burrë gjendet i vdekur në oborrin e shtëpisë së tij në Gjilan

    Një burrë gjendet i vdekur në oborrin e shtëpisë së tij në Gjilan

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën në mbrëmje, në fshatin Cërrnicë në Gjilan, ku një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij. Rastin e ka konfirmuar edhe Policia.

    Viktima është gjetur i vdekur në oborrin e shtëpisë dhe rasti është denoncuar menjëherë nga familjarët e tij.

    Sipas informacioneve të para, i ndjeri ka pasur probleme shëndetësore në zemër.

    Pasi njësitë përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ekipi mjekësor e ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Lajmin e ka konfirmuar Policia Rajonale në Gjilan dhe ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë u është liruar familjarëve për ceremoni të varrimit.