ATV

Category: Lajme

  • Osmani: Qeveria dhe aleatët të ulen e të merren vesh për një plan për heqjen e dinarit

    Osmani: Qeveria dhe aleatët të ulen e të merren vesh për një plan për heqjen e dinarit

    Presidentja Vjosa Osmani tha se problemi që lindi mes Qeverisë së Kosovës dhe ndërkombëtarëve në lidhje me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës e cila e largon nga përdorimi dinarin serb në vend, është “mënyra se si u komunikua”.

    Osmani tha se “gjithçka që kemi arritur në këtë vend është rezultat i bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë”.

    Ajo tha se duhet të dilet nga kjo situatë duke arritur një marrëveshje me partnerët për një plan zbatimi të rregullores së re të BQK-së.

    Osmani tha se ka hapësirë “për t’u ulur dhe për të diskutuar mes qeverisë dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë”, për të punuar rreth kësaj çështjeje.

    “Unë mendoj se është vetëm çështje komunikimi”, the presidentja në një intervistë për mediumin arab “Al Aan” dhënë më 8 shkurt, të cilën Presidenca e shpërndau sot në Facebook.

    Osmani u shpreh e sigurt se do të zgjidhet çështja e dinarit, pasi tha se “nuk ka pse të mos zgjidhet”.

    “Do të ishte qesharake të mos zgjidhej”, tha ajo.

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka thënë të enjten në një konferencë për media se padëgjueshmëria e Qeverisë në lidhje me dinarin veçse i ka prekur raportet mes shteteve.

  • Ziadin Sela merr drejtimin e Aleancës për Shqiptarët, Kongresi e shkarkon Taravarin

    Ziadin Sela merr drejtimin e Aleancës për Shqiptarët, Kongresi e shkarkon Taravarin

    Aleanca për Shqiptarët (ASh) ka mbajtur sot kongresin e jashtëzakonshëm, të thirrur nga Ziadin Sela.

    Me 591 vota është shkarkuar Arben Taravari nga pozita e kryetarit të ASH-së, pasi vendosi ta vazhdonte rrugën e tij me opozitën shqipatre. Ziadin Sela, si kandidat i vetëm e rimori drejtimin e partisë.

    Kjo mbledhje erdhi si reagim ndaj zhvillimeve të fundit brenda partisë, pas kongresit të organizuar nga Taravari, ku ai u konfirmua si kandidat i opozitës për president të Maqedonisë së Veriut.

    “Së fundmi jam hasur shumë me pyetjen nëse tash më ASH ka ndonjë kauzë, dhe kjo është e vërtet sepse kauzat e ASH nuk bisedohen më, dhe personat tjerë mendojnë mbeti pa kauzë ne takimet e veta nuk flitet për kauza fliste për gjera dytësore, nëpërmjet kauzave janë zgjedhur problematikat për shqiptarët. Dhe këtu jam të tregoj se ne kemi kauza dhe se do vazhdojmë të punojmë për ta”, tha Sela në fjalën e tij para bashkëpartiakëve.

  • Baza e Kuçovës inagurohet në mars – U programua nga traktati Varshavës, tani NATO po e modernizon

    Baza e Kuçovës inagurohet në mars – U programua nga traktati Varshavës, tani NATO po e modernizon

    Në Kuçovë, pranë bazës së parë ajrore taktike të NATO-s në Shqipëri, ndodhet baza që është ndërtuar fillimisht në komunizëm në vitin 1952 me punë vullnetare, ndërsa që prej janarit të vitit 2022 këtu ka nisur puna ku janë investuar rreth 50 mln euro për të krijuar një infrastrukturë moderne dhe me kushte bashkëkohore për të mundësuar dislokimin e mjeteve ajrore të NATO-s të cilat pritet të kryejnë operacione stërvitore apo ta përdorin për nevoja të tjera të Aleancës.

    “Për bazën e Kuçovës kjo është një gjë e mirë se vihet në lëvizje. Është një bazë që do krijojë mundësi dhe për aftësitë mbrojtëse tonat sepse është e përbashkët po ashtu edhe për ekonominë e qytetit sepse do të ketë punësim. Ajo është një bazë logjistike që do jetë gjithmonë në zhvillim. Eshtë në një pozicion jazhtzakonisht të mirë jo vetëm për vendin tonë por për gjithë rajonin”, tha Viktor Vangjeli-ish pilot në regimentin Kuçovë, për Top Channel.

    Baza ajrore e Kuçovës u ndërtua t’i shërbente Traktatit të Varshavës ku Shqipëria ishte anëtare në 1952, por tani ajo do të jetë në dispozicion të NATO-s, aleancës më të madhe ushtarake që ka njohur njerezimi dhe që i shërben paqes dhe vlerave të demokracisë perendimore.

    “Zona është e hapur komplet nga të gjitha drejtimet që lejon edhe kur bie shi i rëndë dhe gjithë të tjerat avionët të ulen pa pasur problem siç kanë në aeroportet e tjera erë të fortë siç ka Gjadri apo mjegull siç ka Rinasi. Pra është zgjedhur jo vetëm strategjikisht sepse aty ka qenë një aerodrome por edhe për kushtet e fluturimit”, tha Astrit Jaupi-ish pilot.

    Nga kjo bazë pritet që të bëhet edhe kontrolli hapsirës ajrore shqiptare si dhe të ndërtohet qendra e komandimit të dronëve të armatosur Bajraktar TB-2 që priten t’i bashkohem flotës së ushtrisë shqiptare.

    Puna në bazën ajrore të Kuçovës është ende duke vijuar megjithse inagurimi është parashikuar të ndodhë në 4 mars. Puna vijon për rindërtimin e pistës dhe të kullës së kontrollit ndërkohë që janë ndërtuar depot e armatimit dhe të karburantit, vendparkimet e avionëve si dhe stacionet e avarive dhe zjarreve.

  • Lidhja e Bizneseve: Urgjentisht të emërohet Bordi i KPMM-së

    Lidhja e Bizneseve: Urgjentisht të emërohet Bordi i KPMM-së

    Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) thekson urgjentisht nevojën për formimin e bordit të Komisionit Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

    “Kërkojmë nga autoritetet Qeveria dhe Kuvendi të përshpejtojnë procedurat e themelimit të bordit! Çdo ditë e humbur është humbje e madhe për bizneset dhe zhvillimin ekonomik”, thuhet në një komunikatë të LBK-së.

    “Mungesa e bordit e ka zhytur industrinë tonë në trazira, duke sjellë probleme të konsiderueshme për bizneset që operojnë brenda këtij sektori. Mungesa e Bordit të emëruar ka rezultuar në humbje të mëdha për bizneset, sidomos në dhënien e licencave e cila është thelbësore për veprimtarinë e tyre”.

    Sipas informacioneve që posedon LBK, mbi 200 biznese janë aktualisht në pritje. “Ato po presin marrjen e licencave që mbeten të ndaluara për shkak të mungesës të emërimit të Bordit. Kjo pengesë burokratike ka imponuar ngarkesa të rënda financiare mbi këto biznese, duke i çuar shumë nga to në prag të falimentimit. Pamundësia për të marrë licenca ka bërë që makineritë dhe asetet të jenë të fjetura, duke ngecur operacionet dhe duke përkeqësuar gjendjen ekonomike”.

    Lidhja e Bizneseve të Kosovë kërkon nga autoritetet përkatëse që të përshpejtojnë emërimin e Bordit për Miniera dhe Minerale. Një veprim i shpejtë është i domosdoshëm për të lehtësuar vështirësitë që po përballen bizneset dhe për të nxitur një mjedis të favorshëm për rritje të qëndrueshme ekonomike brenda industrisë. Dështimi për të adresuar këtë çështje urgjente vetëm do të përjetësojë efektet negative në biznese dhe do të pengojë zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë së Kosovës.

  • Kurti: Funksionalizimi për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës, obligim që po përmbushet

    Kurti: Funksionalizimi për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës, obligim që po përmbushet

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se funksionalizimi i Instituti për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë është “obligim që po përmbushet”.

    Kurti shpërndau një video nga momenti i djeshëm ku u bë pranim dorëzimi i dokumenteve të para. Ai i falënderoi familjarët e të zhdukurve për angazhimin në dokumentimin e krimeve të Serbisë.

    “Funksionalizimi i Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë është një obligim që po përmbushet ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi”, shkroi Kurti.

    “Në 16-vjetorin e Pavarësisë, dje ishim në Institutin për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me Drejtorin Ekzekutiv, z. Atdhe Hetemi, dhe me Kryetarin e Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, z. Ahmet Grajçevci, për ceremoninë e pranim dorëzimit të dokumenteve të para në këtë Institut. Falënderoj z. Grajçevcin dhe asociacionet e familjarëve të të zhdukurve për angazhimin e tyre ndër vite, për dokumentimin e krimeve të zhdukjeve me dhunë nga Serbia”, shtoi ai.

    Qeveria e Kosovës më 16 shtator e kishte miratuar Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe ai u miratua në Kuvendin e Kosovës më pas.

    Projektligji parasheh themelimin e institutit me qëllim të hulumtimit dhe dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999.

  • Kontigjenti i FSK-së përfundon me suksese aktivitetet në Ushtrimin Fushor “KFOR 33”

    Kontigjenti i FSK-së përfundon me suksese aktivitetet në Ushtrimin Fushor “KFOR 33”

    Kontigjenti i FSK-së ka përfunduar me suksese aktivitetet në Ushtrimin Fushor “KFOR 33”

    Kontigjenti i FSK-së, ka përfunduar me sukses pjesëmarrjen në ushtrimin fushor “KFOR 33” dhe janë kthyer në Kosovë.

    “Ushtrimi Fushor “ KFOR 33” është ushtrim shumëkombësh në të cilin marrin pjesë më shumë se dhjetë shtete partnere të SHBA-së dhe realizohet në bazën ushtarake amerikane në Gjermani ( JMRC-Hohenfels). Ushtrimi është i dizajnuar që të testojë dhe vlerësojë gatishmërinë e njësive luftarake të Ekipeve Luftarake të Brigadës së Këmbësorisë (48 IBCT) si pjesë e rotacioneve për misionin e KFOR-it në Kosove dhe po ashtu përgatit shtetet partnere për operacione të përbashkëta.”, thuhet në njoftimin zyrtar.

  • Djali sulmon fizikisht babanë e tij në Gjakovë

    Djali sulmon fizikisht babanë e tij në Gjakovë

    Një person është arrestuar dje në Gjakovë pasi dyshohet se e ka sulmuar fizikisht babanë e tij për një mosmarrëveshje pronësore.

    Pas sulmit, viktima ka marrë nihmë mjekësore.

    “Gjakovë / 17.02.2024 – 20:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili pas një mosmarrëveshje pronësore dyshohet se e ka sulmuar fizikisht babanë e tij viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, njofton policia.

  • “Po bëja shaka”, flet 27-vjeçari që shantazhonte të miturat në rrjetet sociale

    “Po bëja shaka”, flet 27-vjeçari që shantazhonte të miturat në rrjetet sociale

    Një tjetër pedofil është arrestuar nga sektori i krimit kibernetik në Tiranë. Sipas policisë në pranga ka rënë 27-vjeçari Bernard Çullhaj.

    Krimi Kibernetik, pas një denoncimi, ka arritur që të arrestojë të riun, i cili përmes rrjeteve sociale shantazhotne vajza të mitura në mënyrë që këto të fundit ti dërgonin foto dhe video erotike të zhveshura.

    Madje në një bisedë, Berndard Çullhaj i kërkon të miturës foto nudo, e ndërsa kjo e fundit i përgjigjet duke i thënë se do të vrasë veten. Viktimat e tij ishin kryersisht vajzat e mitura nga 14 deri në 15 vjeçe.

    Krimi Kibernetik ka zbuluar se Çullhaj kishte hapur profile false në rrjetet sociale dhe i kërkonte të miturës që të kryente marrëdhënie seksuale me të.

    Pas hetimeve të kryera, janë zbuluar edhe 2 raste të tjera ku i arrestuari kishte kërcënuar edhe 2 të mitura të tjera në të njëjtën mënyrë. Por nga fotot dhe videot e gjetura në celularin e tij, grupi hetimor ka dyshime se viktimat janë më të shumta në numër.

    I riu është marrë në pyetje nga policia ku fillimisht ka thënë se nuk e dinte që vazjat ishin të mitura, e ndërsa më pas ka pranuar fajin duke u justifikuar se po bënte shaka me të miturat.

    Ndërkohë policia ka mbledhur të gjitha materialet e gjetura si mesazhe kërcënuese, video dhe foto të vazjave të mitura, prova që priten të hedhin më shumë dritë në hetimet në lidhje me 27-vjeçarin.

  • Me pistoleta e marihuanë në autobus, tre të arrestuar

    Me pistoleta e marihuanë në autobus, tre të arrestuar

    Tre persona janë arrestuar dje pasdite në Gjakovë, pasi gjatë kontrollit në autobusë, te tre të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale dy pistoleta me 62 fishekë dhe një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë 1.2 gram.

    Sipas Policisë, tre të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, dy prej tyre janë dërguar në mbajtje ndërsa i dyshuari tjetër është liruar.

  • Maqedonci flet për “rrezik shumë të lartë” për luftë: Shumica e kapaciteteve luftarake të Serbisë janë dislokuar përreth kufirit

    Maqedonci flet për “rrezik shumë të lartë” për luftë: Shumica e kapaciteteve luftarake të Serbisë janë dislokuar përreth kufirit

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se bazat operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përreth kufirit me Kosovën janë “një kërcënim i vazhdueshëm për vendin tonë”.

    Maqedonci tha se “kemi një dislokim enorm të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në juf të Serbisë”.

    “Po, 48 bazat e përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe janë një kërcënim i vazhdueshëm për vendin tonë edhe për faktin që këto 48 baza janë në afërsi të kufirit me territorin e vendit tonë, pra janë diku prej 300 metra deri në 5 kilometra nga vija kufitare e Kosovës dhe janë të drejtuara armiqësisht kundër territorit të vendit tonë. Përveç këtyre 48 bazave, është për tu theksuar edhe fakti që 3 nga 4 brigadat e ushtrisë serbe janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë, dhe ato të drejtuara armiqësisht kundër territorit të vendit tonë”, tha ministri në një intervistë për The Geopost.

    “E kemi një dislokim enorm të ushtrisë, policisë dhe xhandarmërisë serbe në jug të Serbisë, kryesisht përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës. Përveç këtyre tri brigadave, ka edhe formacione të tjera luftarake të ushtrisë serbe që janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë dhe kryesisht janë në bazat në Rashkë, Nish dhe Vranjë, pra përgjatë gjithë vijës kufitare të vendit tonë dhe këto 48 baza që i theksuat janë një zgjatje operacionale e këtyre tri brigadave të ushtrisë serbe e që aktualisht janë në jug të territorit të Serbisë dhe vetëm 1 nga 4 brigadat e ushtrisë së Serbisë është e dislokuar në veri të territorit të Serbisë, më saktësisht në kufi me Republikën e Kroacisë”, shtoi Maqedonci.

    Maqedonci tha se shumica e kapaciteteve luftarake të Serbisë, “duke përfshirë edhe kapacitetet që janë blerë nga Kina dhe Rusia janë të dislokuara në jug të territorit të Serbisë”. Ai tha se “kjo nuk paraqet kërcënim vetëm për vendin tonë, por, për të gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimor dhe për vendet tjera që kufizohen me Republikën e Kosovës”.

    “Duke i shtuar kësaj edhe veprimet e fundit që janë ndërmarrë nga grupe të armatosura paramilitare të udhëzuara nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ky rrezik është shumë i lartë”, tha ministri.