ATV

Category: Lajme

  • Ministri Aliu raporton në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike

    Ministri Aliu raporton në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, do të raportojë sot para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

    Në këtë komision do të shqyrtohet raporti i auditimit të performances” Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”.

    Mbledhja e komisionit fillon në orën 14:00.

  • 1697 ankesa ndaj policëve, shumica për sjellje të keqe

    1697 ankesa ndaj policëve, shumica për sjellje të keqe

    Përgatiti: Armand Hoti

    Inspektoratit Policor të Kosovës iu desh të merret me 1697 ankesa të qytetarëve ndaj policëve, më 2023.

    Shumica e tyre kanë të bëjnë me pretendimet për sjellje të keqe të zyrtarëve të rendit, të cilat janë dërguar për hetim disiplinor. Ndërsa, 32% e ankesave, janë lënë për hetim penal. Kjo përfshin 156 policë dhe 22 qytetarë të zakonshëm.

    Më së shumti ankesa pati ndaj policëve të rajonit të Prishtinës, gjithsej 769, që pasohen nga zyrtarët e Pejës e Ferizajt.

    Gjatë vitit të kaluar, inspektorati ka arrestuar 21 punonjës të policisë dhe 14 qytetarë, nën dyshimin se kanë qenë të përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme.

    Në raport thuhet që është kërkuar edhe suspendimi i 71 policëve.

    Sipas të dhënave të IPK-së, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtare” ka trend të uljes, ndërsa te veprat penale si “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, “Lëndimi i lehtë trupor”, “Kanosje” dhe “Sulmi” gjatë 2023-ës ka shënuar trend të ngritjes.

    Numër identik i ankesave ndaj uniformave blu, ishte adresuar në IPK edhe në vitin e kaluar. Policia e Kosovës numëron rreth 8830 punonjës.

  • “Nënshkrimi” kryefjalë e kryeministrit, nuk e mendon avancimin e njëanshëm

    “Nënshkrimi” kryefjalë e kryeministrit, nuk e mendon avancimin e njëanshëm

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Kryeministri Albin Kurti njoftoi se nuk ka marrë ftesë nga Bashkimi Evropian për takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

    Ai tha se është “përgjithësisht pozitiv” në raport me një ftesë eventuale nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, teksa theksin e vuri te mungesa e nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.

    “Nëse na thërrasin për nënshkrim të marrëveshjes padyshim që shkoj… Në momentin që Serbia do ta nënshkruante marrëveshjen, të gjitha ato shkelje të mëhershme anulohen dhe krijohet siguria ligjore për rrugën përpara. Pra, edhe në kuptimin e së kaluarës së hidhur edhe në kuptimin e së ardhmes së ndritshme nënshkrimi na shfaqet si domosdoshmëri dhe unë uroj që kjo të bëhet këtë pranverë, pasi nuk u bë në atë të kaluarën”, tha Kurti.

    Vetë BE-ja konfirmoi se nuk ka ftesë për takim të nivelit të lartë në këtë fazë.

    Për kryeministrin zbatimi i njëanshëm i zotimeve të dialogut nuk është opsion.

    “Përderisa edhe partnerët tanë evropianë dhe amerikanë thonë se normalizimi duhet të jetë me Serbinë, unë nuk besoj që mund të ketë normalizim të njëanshëm. Dhe, insistoj që normalizimi të jetë normal. Pra, nuk mund të kemi një normalizim i cili është në kundërshtim me të drejtën e Republikës së Kosovës për të ekzistuar, për t’u mbrojtur, për të qenë e lirë. Por, duhet të jetë edhe sipas standardeve dhe normave evropiane”, tha Kurti.

    Kryeministri Albin Kurti u përgjigj edhe për demantin publik nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, për çështjen e dinarit.

    “Unë nuk e kam thënë qëndrimin e asnjë shteti tjetër, por si kryeministër i Republikës së Kosovës kam folur që raportet, bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shumë i mirë. Jemi partnerë, aleatë, miq. Kjo nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdoherë, në çdo vend, për gjithçka”, tha Kurti.

    Referuar deklaratës së homologut Edi Rama se “çdo sulm mbi Kosovën është sulm mbi Shqipërinë”, kryeministri Kurti tha se këtë vit ka plane për shtim të bashkëpunimit me Shqipërinë, në çdo aspekt.

  • Ankohen pacientët, QMF-të pushojnë dy ditë pas Pavarësisë

    Ankohen pacientët, QMF-të pushojnë dy ditë pas Pavarësisë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Është e hënë, por meqë përvjetori i pavarësisë qëlloi në vikend, edhe në fillimjavë, në kryeqytet po punojnë vetëm qendrat mjekësore kujdestare.

    Institucionet e tjera shëndetësore janë në pushim, sipas ligjit për festat zyrtare.

    Kësisoj, banorët e Hajvalisë po ankohen se u detyruan të vijnë te Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, për t’u trajtuar.

    “Oshtë shumë keq se prej atjehit u desh me ardhë me u kontrollu këtu, plus unë jam me diabet po ka harxhime shumë… Edhe në festa duhet të ofrohen njëjtë shërbime mjekësore sikurse ditëve të zakonshme të javës”, thotë një pacient.

    “Sëmundja nuk po na pyet që është festë apo çka është, shumë keq me ardhë deri këtu na e n’lagje tonë qendra mbyllur”, thotë një tjetër pacient.

    Nga Departamenti i Mjekësisë në QKMF nuk dhanë shumë detaje për mbarëvajtjen e punës, të hënën, vetëm se treguan se kanë aktivizuar edhe ekipet mjekësore për shërbim shtëpiak.

    I gjithë Kujdesi Parësor në Prishtinë, përpos QKMF-së, ka 17 Qendra të Mjekësisë Familjare dhe 15 Ambulanca të Mjekësisë Familjare.

  • Dorëheqjet e serbëve mbajnë pezull funksionimin e degëve në Zubin Potok e Leposaviq

    Dorëheqjet e serbëve mbajnë pezull funksionimin e degëve në Zubin Potok e Leposaviq

    Përgatiti: Nora Luta

    Pak metra larg komunës, ndodhet dega e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, këtu në Zubin-Potok.

    Por ndryshe nga objekti komunal, në hyrje të degës së gjykatës, e cila është e mbyllur nga nëntori i vitit 2022, valon flamur i shtetit serb.

    Përveç në Zubin Potok, as dega e gjykatës në Leposaviq nuk ofron shërbime që nga ajo kohë, kur dhanë dorëheqje stafi dhe gjyqtarët e nacionalitetit serb.

    Mungesa e tyre, sipas juristëve, ka vështirësuar qasjen e qytetarëve në drejtësi.

    Megjithatë, sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Gjykata në Mitrovicë ka zgjidhur më shumë lëndë vitin e kaluar, krahasuar me vitet paraprake.

    Kryesuesi Albert Zogaj thotë se dorëheqjet që janë pezull pamundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës.

    Me përjashtim, por jo të gjithë gjyqtarët, e prokurorët e dorëhequr, që vepruan me direktiva të Serbisë, duhet të kthehen në punë, sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.

    Gjyqtarët dhe stafi administrativ i nacionalitetit serb dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre në gjykatën në veri, shkaku i vendimit të Qeverisë për targa dhe arrestimit të ish-drejtorit të Policisë në këtë pjesë.

    KGJK-ja i kishte shkarkuar ish-kryetaren, Liljana Stefanovic, dhe ish-udhëheqësin e divizionit të Apelit në veri, Nikolla Kabashiq, në tetor të vitit të kaluar, pasi e kishte konsideruar pjesëmarrjen e tyre në organizimet e Listës Serbe si shkelje të rëndë.

  • Nxënësit kërkojnë fletëkalime nga shkolla, shkak emigrimi

    Nxënësit kërkojnë fletëkalime nga shkolla, shkak emigrimi

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    54 nxënës në komunën e Ferizajt, brenda dy muajve të këtij viti, kanë kërkuar fletëkalim për t’u larguar nga shkolla.

    Kësisoj, shkollat në këtë komunë po e zvogëlojnë edhe numrin e paraleleve.

    “Nga informacionet që kemi marrë nga të gjitha shkollat, të gjitha nivelet, komuna e Ferizajt ka 54 nxënës që kanë kërkuar fletëkalim për t’u larguar nga shteti ynë…”, tha drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani.

    Madje, në disa prej shkollave, nxënësit largohen pa dhënë shpjegime.

    “Qe veç sot pak para se të vini ju, ishin 2-3 raste, veç vjen prindi pasi që e ka nxjerrë biletën, thotë më duhet me e marrë fëmijën”, tha Hajrije Nebihu, drejtoreshë në shkollën “Shaban Hashani”.

    Situatë hiç më e mirë nuk është as në komunën e Podujevës. Përfshirë të gjitha nivelet, nga këtu u larguan 32 nxënës.

    “Largimi i nxënësve po del të jetë sfidë edhe për ne, 32 nxënës i kemi që janë larguar për bashkim familjar, apo ndonjë arsye tjetër…”, tha drejtori i Arsimit në Podujevë, Avni Fetahu.

    5 prej tyre janë nga shkolla e mesme “Fan Noli”.

    “Nga 1 janari te shkolla jonë janë 5 nxënës që i kanë tërheq dokumentet për arsye të ndryshme…”, tha Sevdie Hoxha, zëvendësdrejtoreshë në shkollën “Fan Noli”.

    Sipas njohësit të arsimit, Rinor Qehaja, një ndër arsyet kryesore që fëmijët po e ndërpresin mësimin në shkollat në vend, është emigrimi.

    “Ajo çfarë duhet të bëjnë institucionet, qeveria, është që të rrisin vetëdijen për përfitimet që qytetarët kanë jashtë vendit”, tha Qehaja.

    Përveç nxënësve, në më pak se dy muajt e vitit 2024 pushim pa pagesë kanë kërkuar rreth 600 mësimdhënës nga të gjitha komunat e Kosovës.

  • TELEKOMI kundër vendimit të gjykatës komerciale

    TELEKOMI kundër vendimit të gjykatës komerciale

    Përgatiti: Armand Hoti

    Kryeshefja e “Telekomit”, Burbuqe Hana, e cilësoi si antiligjor vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, që lë në fuqi urdhrin përmbarimor të vitit 2019, që derivon nga vendimi i Arbitrazhit të 2016-s me kompaninë “Dardafon”.

    Kryeshefja Hana tha se “Telekomit” po tentohet t’i grabiten mbi 5.7 milionë euro.

    “Nëpërmjet këtij aktvendimi lihet në fuqi urdhri përmbarimor, i lëshuar në vitin 2019, i cili hap rrugën për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit dhe grabitjen e shumës prej mbi 5.7 milionë euro të tjera. Në ndërkohë me të gjitha provat dhe faktet e paraqitura në Gjykatë, është vërtetuar se Telekomi i Kosovës e ka paguar shumën prej mbi 40 milionë eurosh, në emër të vendimit të Arbitrazhit, ndonëse vendimi ishte për shumën prej rreth 27 milionë eurosh”, tha Hana.

    Hana theksoi se gjyqtari i rastit nuk e ka marrë për bazë vendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, që kërkonte realizimin e një ekspertize financiare.

    “Gjyqtari i rastit në vendimin e tij përpiqet të manipulojë me qëndrimin e Telekomit të Kosovës se kinse Telekomi po e mohon lartësinë e detyrimit të vendimit të Arbitrazhit. Kjo s’është aspak e vërtetë dhe mund të vërtetohet në të gjitha shkresat e lëndës. E vërteta është se Telekomi jo vetëm që e ka njohur lartësinë e obligimit të dalë nga Arbitrazhi, por edhe ka paguar mbi 13 milionë euro më tepër. Për këtë mbipagesë Shkalla e Dytë me të drejtë ka kërkuar që të bëhet ekspertizë financiare nga ndonjë kompani e licencuar e auditimit”, tha Hana.

    Zyrtari kryesor financiar i ndërmarrjes publike, Fehmi Kelmendi, shprehu dyshimet se gjykatës të caktuar brenda komerciales ndikohen nga kompania “Dardafon”.

    “Dyshimi ynë pse është skemë kriminale është se vendimi duhet të ekzekutohet në shkallën e parë, ndërsa ne kur eventualisht, jemi të sigurt që do fitojmë në shkallën e dytë nuk mund t’i kthejmë mjetet prapa. Ne mund të vijmë në situatën që me na mbetë në dorë vendimi i shkallës së dytë që është në favor tonin, mirëpo paratë nuk kemi si t’i kthejmë sepse kompania “Dardafon” nuk ka asnjë aktivitet nga viti 2019. Ne dyshojmë se kjo kompani ka ndikim të fuqishëm në gjykatës të caktuar brenda Gjykatës Komerciale”, tha Kelmendi.

    Për rastin, Telekomi i Kosovës ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale.

    Nga Telekomi paralajmëruan se do kërkojnë drejtësi në çdo instancë, përfshirë edhe gjykatat ndërkombëtare.

    ATV-ja ka kontaktuar me zëdhënësen e Gjykatës Komerciale, mirëpo ajo ka refuzuar të komentojë mbi akuzat e “Telekomit”.

  • Hakmarrja e Serbisë, vajzës së Adjançiqit i bllokohet biznesi

    Hakmarrja e Serbisë, vajzës së Adjançiqit i bllokohet biznesi

    Përgatiti: Haris Ademi

    Katarina Agjançiq po pretendon se për shkak të angazhimit politik në institucionet kosovare, po e pësojnë fëmijët e saj në Serbi.

    Nënkryetarja e Mitrovicës së Veriut thotë se javën e kaluar, vajzës së saj iu bllokua biznesi i autolarjes në Kralevë, në kohën kur kjo ishte pjesë e një delegacioni të Prishtinës, në Parlamentin Evropian në Bruksel.

    “Kur i ka pyetur punëtorët se çka janë duke bërë, ata i kanë thënë ne po bëjmë punën tonë, pyetni në komunë. Kur babai i saj ka shkuar në komunë, nga zyrtarët komunalë ka pasur një përgjigje të pakëndshme. Ata i kanë thënë, po çka i është dashtë ish-gruas tënde të shkojë në Bruksel atje të bëjë pyetje e të interesohet, por unë nuk kam pyetur për askënd, kam folur realitetin”, tha Agjançiq.

    Sipas kryesuesit të delegacionit kosovar, Arbër Vokrri, deri te hakmarrja e Serbisë çoi përplasja që patën me një grup të organizatave të komunitetit serb, lidhur me politikat qeveritare në veri të Kosovës.

    “Disa OJQ të regjistruara në Kosovë, të cilat flisnin në emër të komunitetit serb të Kosovës, duke dhënë narrativë të devijuar dhe larg nga realiteti për serbët e Kosovës. Ne u ballafaquam me ta, aty ishte edhe znj. Agjançiq”, tha Vokrri.

    Sipas Agjançiq-it, mesazhi që zyrtarët komunalë të Kralevës ia dhanë ish-burrit të saj, ka të bëjë ekskluzivisht me angazhimin e saj në komunën e Mitrovicës së Veriut, ku kryetar është Erden Atiq, i padëshiruar për komunitetin serb.

    “E kemi një pushtet që, kudo që mundet të ushtrojë dhunë dhe ndikim, atë po e bën”, tha Agjançiq.

    Agjançiq u emërua në këtë pozitë më 19 maj të vitit të kaluar, por, sipas saj, deri te rasti i javës së kaluar, nuk ka pasur problem ta bëjë punën e saj.

  • Lokalizohet zjarri në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, nuk ka të lënduar

    Lokalizohet zjarri në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, nuk ka të lënduar

    Policia e Kosovës ka konfirmuar se zjarri në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë është lokalizuar.

    Në njoftimin për media, Policia e Kosovës ka thënë se disa persona kanë kërkuar ndihmë për vështirësitë në frymëmarrje shkaku i tymit.

    “Sot rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në rrugën ‘Afrim Loxha” në Prishtinë, saktësisht në shtëpinë e të moshuarve. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin. Zjarri është lokalizuar dhe bazuar në informatat e deritanishme, raportohet për persona që kanë kërkuar ndihmë për shkak të vështirësisë në frymëmarrje shkaku i tymit, nuk ka ndonjë person të lënduar”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Stano: Në këtë moment s’do ketë raund të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë

    Stano: Në këtë moment s’do ketë raund të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” se në këtë moment BE-ja nuk mund të ketë një raund të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Nuk kemi asgjë në bazë të së cilës do të mund të shpallnim një dialog të mundshëm të nivelit të lartë”, tha ai, duke iu referuar deklaratës së presidentit serb Aleksandër Vuçiç, se pret një ftesë në Bruksel këto ditë dhe se shpreson në një zgjidhje për ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë.

    Ndërkaq dy ditë më parë, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka theksuar se stabiliteti i qëndrueshëm dhe paqja në rajon mund të arrihet vetëm përmes normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Këto komente, i ka bërë pas takimeve të ndara që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Mynih të Gjermanisë, në margjinat e Konferencës së Sigurisë.

    “Rruga drejt kësaj çon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, pati shkruar Borrell në platformën X (ish-Twitter), derisa ka ndarë pamje nga takimet që ka pasur me Kurtin dhe Vuçiç-in.

    Ndërsa, kryeministri Kurti, në takim me Borrell-in dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka kërkuar nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel 27 shkurt, Ohër, 18 mars) dhe heqjen e masave ndaj Kosovës.

    “Kryeministri kërkoi heqjen e masave kufizuese të padrejta të vendosura nga Bashkimi Evropian”.

    Përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit është thënë se sipas Kurtit nënshkrimi marrëveshjeve është bërë i nevojshëm për shkak të shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia.

    Nga ana tjetër, përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, Vuçiç ka njoftuar se tema kryesore e takimit mes tij dhe ndërmjetësuesve të procesit të dialogut ka qenë pikërisht Kosova dhe, sipas tij, “përpjeka e Kurtit për të kryer në heshtje spastrim etnik të serbëve”.