ATV

Category: Lajme

  • Suedia i dhuron Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë 680 milionë dollarë

    Suedia i dhuron Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë 680 milionë dollarë

    Ministria e Mbrojtjes e Suedisë tha të martën se do t’i japë Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë rreth 680 milionë dollarë, përfshirë dërgimin e pajisjeve dhe para të gatshme për blerjen e armëve.

    Kjo do të jetë hera e 15-të që Suedia i dërgon ndihmë Ukrainës dhe pakoja më e madhe e ndihmës deri më sot, duke rritur në rreth 2.8 miliardë dollarë ndihmën e përgjithshme që ia ka dhënë asaj prej se Rusia e filloi pushtimin e saj më 2022.

    “Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën sa të jetë e nevojshme”, tha ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Jonson.

    Pakoja përfshin artileri dhe municion të artilerisë, anije detare luftarake dhe pajisje të tjera, tha Suedia.

    Vendimi i Suedisë vjen vetëm një ditë pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu lut Perëndimit për ndihmë gjatë një vizite te trupat ukrainase në vijën e frontit të hënën.

    Zelensky ka paralajmëruar përsëri se ushtria e tij po përballet me kushte “tejet të vështira” dhe mungesë municioni në vijat e frontit.

    “Kjo gjendje është tejet e vështirë tani në disa pjesë të vijës së frontit, ku trupat ruse kanë vendosur rezerva maksimale”, tha Zelensky më 19 shkurt pas një vizite te trupat ukrainase në vijën e frontit në qytetin verilindor, Kupianks.

    Ai e vizitoi këtë qytet vetëm pak orë pasi Rusia e mori në dorë fabrikën më të madhe të koksit në Avdivka, ku Kievi e pranoi disfatën javën e kaluar duke i tërhequr trupat nga qyteti.

    Rënia e Avdivkës, dikur qytet i rreth 30.000 banorëve por tani kryesisht i bërë rrafsh me tokën dhe shkretëtirë, në rajonin lindor të Donjeckut, shënon fitimin më të madh territorial të Rusisë në nëntë muajt e fundit prej se e nisi pushtimin e Ukrainës para gati dy vjetëve./REL/

  • Fushë Kosovë: Vjehrra raporton se iu zhduk nusja

    Fushë Kosovë: Vjehrra raporton se iu zhduk nusja

    Një grua është zhdukur në Fushë Kosovë.

    Rasti ka ndodhur të premten në rrugën “28 nëntori” rreth orës 14:10.

    Vjehrra ka raportohet se nusja e djalit viktima ka dalë nga banesa dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj.

    Rasti nën hetime.

  • Vuçiq nuk e duartrokiti fjalimin e gruas së Navalnyt kur ajo thotë se Putini është vrasësi

    Vuçiq nuk e duartrokiti fjalimin e gruas së Navalnyt kur ajo thotë se Putini është vrasësi

    Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është frikësuar ta duartrokas fjalimin emocional e të fortë të gruas së Alexey Navalny, i cili vdiq në burg nën regjimin e Vladimir Putinit.

    Julia Navalnyt menjëherë pasi u raportua për vdekjen e opozitarit të Putinit iu sigurua hapësira për të folur në Konferencën e Sigurisë në Munih. Ajo ishte e guximshme në fjalim dhe pa frikë drejtoi gishtin kah Putini për vdekjen e burrit të saj në një burg në veri të Moskës.

    “Dua që Putini dhe gjithë rrethi i tij të dinë se do të mbajnë përgjegjësi për gjithçka që i kanë bërë vendit tonë, familjes sime. Dhe kjo ditë do të vjen shumë shpejt”, ka thënë ajo.

    Këtij fjalimi i duartrokitën të gjithë në shenjë mbështetjeje për atë që po kalonte ajo, por aleati i Putinit edhe në këtë rast tregoi mbështetjen për të. Vuçiq ishte në rendin e parë të publikut.

    Më pas Vuçiq në Serbi foli për këtë ndodhi duke dhënë si pretekst se në fillim nuk e njohu.

    “Papritur, një grua mu ul afër dhe unë nuk e kisha idenë se kush ishte ajo”, tha Vuçiq.

    Ai tregoi edhe arsyen e vërtetë se pse nuk e duartrokiti, duke thënë se druhej që do ta shpallte Putinin vrasës.

    “Do të kishin thënë Vuçiq e shpalli Putinin vrasës nëse do të kisha duartrokitur pjesën që Putini e vrau”, tha Vuçiq.

    Vuçiq tha se ai shkon në takime ndërkombëtare për të luftuar për shtetin e tij, duke shtuar se pret se “do të ketë më shumë presion ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë”.

    Serbia ka raporte të mira me Rusinë dhe pavarësisht thirrjeve të faktorit ndërkombëtar që të vendosë sanksione ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë, Beogradi ka refuzuar që të sanksionojë Rusinë.

    “Nuk jam më i mençur se të gjithë të tjerët në botë që dinë gjithçka paraprakisht. Kjo u përket analistëve politikë, por jo një presidenti të shtetit. Por, pozicioni do të jetë më i vështirë për ne, nuk kam dyshim”, tha Vuçiq.

    Familja e Navalnyt ka akuzuar Rusinë se po e fsheh trupin e tij duke mos lejuar ta shohë atë as nëna e tij.

    Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, ka vdekur teksa ndodhej në burg. Pavarësisht të qenit prapa grilave, mbi bazën e akuzave që u panë gjerësisht si të motivuara politikisht, Navalny foli vazhdimisht kundër presidentit rus, Vladimir Putin, dhe pushtimit të Ukrainës nga ana e tij. Për më shumë se një dekadë, Navalny udhëhoqi hulumtime kundër korrupsionit e protesta politike, dhe garoi për post publik. Ai ishte burgosur pas kthimit të tij në Moskë, më 2021, pas shërimit në Berlin, ku ishte shtruar për helmim me atë që disa laboratorë perëndimorë konstatuan se ishte agjent nervor i nivelit ushtarak. Aleksei Navalny ishte 47-vjeçar./TheGeopost

  • ​33 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha

    ​33 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha

    Para 33 vjetësh, më 20 shkurt 1991, dhjetëra- mijëra qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik.

    Rrëzimi i bustit të diktatorit komunist, Enver Hoxha u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij.

    20 shkurti tani është caktuar si dita e kujtesës kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunist. Ajo shënoi në fakt edhe fundin e diktaturës në Shqipëri.

    Pamjet e atyre ngjarjeve, në sheshin “Skënderbej” bënë xhiron e botës dhe e vunë edhe një herë Shqipërinë në fokus të zhvillimeve ndërkombëtare.

    Rrëzimi i bustit të diktatorit, Enver Hoxha do të shënonte edhe ndarjen me të shkuarën dhe fillimin e një epoke të re, atë të demokracisë.

  • Sarrazin për tensionet Kosovë-Serbi: Dritarja nuk është mbyllur ende

    Sarrazin për tensionet Kosovë-Serbi: Dritarja nuk është mbyllur ende

    Në kuadrin e Konferencës së Sigurisë në Mynih, i ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka theksuar se qëllimi është integrimi i suksesshëm i Ballkanit Perëndimor në BE.

    “Së pari duhet thënë se dritarja nuk është mbyllur ende. Ne kemi të dërguarin e posaçëm të BE, Miroslav Lajcak, i cili punon, ai ka një agjendë dhe do që të arrijë zbatimin dhe implementimin e Ohrit. Dhe qasja jonë është që ta mbështesim atë dhe të bëjmë gjithçka, që kjo dritare të shfrytëzohet, të cilën Miroslav Lajcak e plotëson tani. Ai është shumë aktiv dhe kjo është qasja jonë. Më duket se nuk ka kuptim të mendosh shumë, se çfarë do të vijë paskëtaj. Ne jemi për Ohrin dhe duam që të dyja palët ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit dhe mendoj se kjo është vendimtare. Unë shoh në të dyja palët se politika e brendshme do të bëhet një faktor i rëndësishëm. Dua ta them në mënyrë eksplicite; e ardhmja e të gjithë rajonit është në BE dhe kjo duhet të qëndrojë nganjëherë mbi politikën e brendshme”, ka thënë ai për DË, transmeton KosovaPress.

    DW: Si duhet shpjeguar?

    Manuel Sarrazin: Unë besoj se secili e di, që ne ndodhemi në një fazë, kur lufta në Ukrainë, çështja e rendit të ardhshëm botëror, zgjedhjet në SHBA dhe Trumpi, duket se qëndrojnë në plan të parë një herë për një herë. Besoj se nuk duhet të harrojmë, se në të gjitha këto çështje aftësia strategjike e Evropës për ta zhvilluar pozitivisht Ballkanin Perëndimor, do të jetë vendimtare për pyetjen, nëse do të na marrin seriozisht në çështjet e tjera. Sigurisht që nga BE kërkohet që të furnizojë Ukrainën, por tema së paku e dyta për nga rëndësia është Ballkani Perëndimor. Nëse atje kapaciteti i BE nuk funksionon në mënyrë adekuate, si mund të na marrë seriozisht dikush shumë, shumë larg nesh, në konkurrencën globale për çështjet e mëdha botërore.

    DW: Pati një panel lidhur me zgjerimin e BE. Në të mori pjesë presidentja e Gjeorgjisë, një përfaqësuese e Ukrainës, Ballkani Perëndimor mungonte edhe atje. Dhe kur je në rajon, ke shpesh përshtypjen se njerëzit në fakt kanë frikë, se tema e tyre margjinalizohet si rrjedhojë e sfidave të mëdha që sjell Ukraina. Si e interpretoni këtë situatë?

    Manuel Sarrazin: Unë e kuptoj që shumë njerëz kanë, të themi frikë, se e shohim veten prej shumë kohësh duke pritur dhe tani të tjerët duket sikur po e parakalojnë Ballkanin. Së pari mendoj se duhet të kemi parasysh, se çdo histori suksesi e secilit vend drejt zgjerimit do t`i sjellë dobi të gjithëve. Ukraina ka bërë që Evropa të jetë e vendosur për ta dashur zgjerimin edhe me Ballkanin Perëndimor, të gjitha kryeqytetet, jo vetëm Berlini apo Brukseli, edhe të tjerët. Kancelari dhe ministrja e Jashtme janë shumë të lidhur me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor në biografinë dhe mendësinë e tyre. Ukraina dhe Ballkani Perëndimor për ne nuk përbëjnë kundështi, por të dy kanë një rëndësi të jashtëzakonshme gjeostrategjike.

    DW: Kurrë më parë nuk ka pasur një formacion kaq të mirë të përfaqësuesve për Ballkanin në BE. Nga ana tjetër koha po ikën, ne jemi tani pak para zgjedhjeve evropiane dhe do të ketë me siguri shumë ndryshime në nivel evropian. Çfarë duhet të nxjerrim nga kjo për politikën ndaj Ballkanit Perëndimor. Çfarë duhet të ndodhë në këtë dritare të shkurtër që është ende aty?

    Manuel Sarrazin: Unë mendoj se është e qartë, të gjithë e kanë të qartë, që në këto kohë po shkruhet histori. Historia shkruhet shpesh më shpejt nga ç’e mendon. Unë mund të them se nuk kam përshtypjen, se punës, veprimtarisë sime po i ikën koha, por çështja është që të punojmë së bashku, që ne, politika e qeverisë gjermane si shtet anëtar i BE-së, të japim kontributin tonë, në mënyrë që koncerti evropian të jetë i suksesshëm në Ballkanin Perëndimor. Dhe ne të gjithë punojmë për një qëllim, që është integrimi i suksesshëm i Ballkanit Perëndimor në BE. Dhe komisioni do të bëjë së shpejti propozime të reja, për ta bërë më të besueshëm rrugëtimin drejt këtij qëllimi.

    DW: Le të ndalemi edhe tek Bosnja e Kosova: Për Bosnjën 12 marsi është një moment i rëndësishëm. A nuk të krijohet përshtypja se vendi po bën një zhvillim politik për të plotësuar më mirë klauzolat e tij. Çfarë duhet të ndodhë nga këndvështrimi juaj si i Ngarkuar për Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që nga 12 marsi të hapet ndoshta një kapitull i ri?

    Manuel Sarrazin: Koalicioni ka dhënë disa sinjale subtile, se është i gatshëm të bëjë disa reforma paraprakisht, për të na mundësuar që ta ndjekim pozitivisht rrugën. Këtë do ta shohim, shenjat subtile i shohim, por duam t`i shohim vërtet. Kjo më duket se është situata, ashtu siç është, dhe ne sigurisht që do ta mbajmë të fortë presionin, me qëllim që të shohim sa më shumë zhvillime pozitive. Vendimtare është besueshmëria, që ne të jemi të bindur se rruga e reformave do të vazhdohet më tej në mënyrë të qëndrueshme. Dhe për këtë ne duam të marrim sinjale nga Sarajeva.

    DW: Sfera e dytë e konfliktit, apo ndoshta më e madhja në rajon, vazhdon të jetë çështja Kosovë – Serbi – dialogu. Shumë janë të dekurajuar, bëhen dy hapa përpara dhe pastaj dy prapa, nganjëherë tri hapa prapa dhe një hap para, dhe për këtë shumë edhe kanë thënë, ndoshta dritarja tani mbyllet, kush e di çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve evropiane, pas zgjedhjeve në SHBA. Cila është qasja e të Ngarkuarit për Ballkanin Perëndimor për të sjellë atje një përparim, në mënyrë që dikur të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme në marrëdhënien ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

    Manuel Sarrazin: Së pari duhet thënë se dritarja nuk është mbyllur ende. Ne kemi të dërguarin e posaçëm të BE, Miroslav Lajcak, i cili punon, ai ka një agjendë dhe do që të arrijë zbatimin dhe implementimin e Ohrit. Dhe qasja jonë është që ta mbështesim atë dhe të bëjmë gjithçka, që kjo dritare të shfrytëzohet, të cilën Miroslav Lajcak e plotëson tani. Ai është shumë aktiv dhe kjo është qasja jonë. Më duket se nuk ka kuptim të mendosh shumë, se çfarë do të vijë paskëtaj. Ne jemi për Ohrin dhe duam që të dyja palët ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit dhe mendoj se kjo është vendimtare. Unë shoh në të dyja palët se politika e brendshme do të bëhet një faktor i rëndësishëm. Dua ta them në mënyrë eksplicite; e ardhmja e të gjithë rajonit është në BE dhe kjo duhet të qëndrojë nganjëherë mbi politikën e brendshme.

    DW: Si Vuçiq ashtu edhe Albin Kurti ishin në Mynih. Ka ndonjë lajm pozitiv pas bisedimeve me këto dy politikanë për t’u treguar apo ndonjë shenjë shprese? Pati ndonjë impuls për të cilin mund të thuhet se po ndodh diçka?

    Manuel Sarrazin: Jo diçka për cilën unë mund të flisja këtu. Por një gjë mund të dihet me siguri, se qeveria gjermane mbetet e angazhuar për të bërë gjithçka, në mënyrë që këtu së shpejti të këtë përparim.

  • Zjarri në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, dyshohet se u shkaktua nga një cigare

    Zjarri në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, dyshohet se u shkaktua nga një cigare

    Shtëpia e pleqve në Prishtinë mbrëmë është përfshirë nga zjarri. Nga shpërthimi i zjarrit fatmirësisht nuk pati të lënduar.

    Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të vështirësisë të frymëmarrjes nga tymi.

    “Dje rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në rrugën “Afrim Loxha” në Prishtinë, saktësisht në shtëpinë e pleqve. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin. Zjarri është lokalizuar dhe bazuar në informatat e deritanishme, raportohet për persona që kanë kërkuar ndihmë për shkak të vështirësisë së frymëmarrjes nga tymi”, ka thënë Ahmeti.

    Pas incidentit të zjarrit i cili ndodhi në Shtëpinë e të Moshuarve, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama bashkë me nënkryetaren Jehona Lushaku dhe ekipin përkatëse të drejtorëve, vizituan vendin e ngjarje.

  • Në Speciale vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Speciale vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Në këtë rast gjyqësor, gjykatësit ditë më parë vendosën që të mos përcaktonin kufizime për “vizitat private”, që do të thotë se vizitat speciale me bashkëshortet ose partneret dhe/ose fëmijët e të paraburgosurve do të kryhen jashtë rrezes së shikimit dhe dëgjimit të oficerëve të paraburgimit.

    Në vendimin e 9 shkurtit, Trupi Gjykues shqyrtoi informacion nga Zyra Administrative në lidhje me raste të tjera të nxjerrjes së informacionit konfidencial gjatë vizitave dhe u shpreh se “në të paktën dy raste, z. Selimi u përmendi dy palëve të paautorizuara informacion konfidencial në lidhje me dy dëshmitarë të mbrojtur, çka përbën nxjerrje të informacionit konfidencial. Po kështu, z. Thaçi u përmendi informacion konfidencial dy anëtarëve të familjes së tij, çka përbën nxjerrje të informacionit konfidencial”.

    Megjithatë, Trupi Gjykues përsëri nuk vendosi kufizime për vizitat private me bashkëshortet ose partneret dhe fëmijët. Megjithëse Trupi Gjykues nuk vendosi kufizime për vizitat private, gjykatësit theksuan se “kur Administratorja (ose shefi i Paraburgimit) ka informacion se ekziston rrezik i besueshëm që të zbulohet informacion gjatë një vizite, përfshirë gjatë një vizite private, Administratorja, (ose shefi i paraburgimit që vepron në emër të saj) ka kompetencë të refuzojë vizitën dhe/ose të caktojë masa që janë proporcionale dhe të domosdoshme për trajtimin me efektivitet të rrezikut.

    Gjykatësit gjithashtu u tërhoqën vërejtje të akuzuarve dhe Mbrojtjes që të mos zbulojnë informacion konfidencial, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve të mbrojtur, gjatë vizitave në objektin e paraburgimit.

    Gjykatësit përsëritën gjithashtu se një i paraburgosur mund të kundërshtojë para Trupit Gjykues çdo vendim të Administratores për refuzimin ose vendosjen e kufizimeve për një vizitë private specifike.

    Më 14 shkurt në të njëjtën çështje gjyqësore, Trupi Gjykues miratoi tërheqjen e Gregori Kihou si kryembrojtës i Hashim Thaçit, që hyn në fuqi ditën kur Administratorja e DHS-së cakton kryembrojtësin e ri për të përfaqësuar z. Thaçi.

    Lidhur me një aspekt tjetër që ka të bëjë me mbrojtësit: pasi ka marrë kërkesën e Venkatesvari Alagendrës në lidhje me emërimin e saj të mundshëm si mbrojtëse e Salih Mustafës, Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, më 8 shkurt konstatoi se mund të lindë konflikt interesi nëse ajo përfaqëson Salih Mustafën krahas pozitës aktuale si mbrojtëse e Jakup Krasniqit.

    Megjithatë, Trupi Gjykues thekson se ky vendim nuk duhet të kuptohet si shprehje e mendimit të Trupit Gjykues mbi emërimin ose jo të znj. Alagendra si mbrojtëse e z. Mustafës, sepse për këto aspekte vendos Administratorja.

  • Një vajzë e mitur e cila ishte duke i trajtuar vdes në QKUK, policia nis hetimet

    Një vajzë e mitur e cila ishte duke i trajtuar vdes në QKUK, policia nis hetimet

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një femër e mitur e cila ishte duke u trajtuar në QKUK ka vdekur në rrethana të panjohura.

    Rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes” dhe shkon nën hetime.

    “Më 19.02.2024 nga QKUK është raportuar se pacienti viktima femër kosovare- e mitur e cila ishte duke u trajtuar, ka vdekur. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e PK-së.

  • ​Sot ajri i ndotur, rekomandohet kujdes për personat e ndjeshëm

    ​Sot ajri i ndotur, rekomandohet kujdes për personat e ndjeshëm

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se sot është ajri jo i shëndoshë dhe rekomandohet kujdes për personat e ndjeshëm.

    Instituti rekomandon të reduktohen daljet në vendet me ajër të ndotur, në mëngjes dhe mbrëmje, sidomos për personat që kanë sëmundje kronike kardiovaskulare dhe respiratorë, fëmijët dhe shtatzënat.

    Instituti po ashtu rekomandon të përdorët më shumë transporti publik dhe ecja, e më pak veturat.

  • Sërish protestojnë punëtorët e sigurimit fizik në KEK

    Sërish protestojnë punëtorët e sigurimit fizik në KEK

    Shoqata Sindikale e Sigurimit Fizik në KEK ka njoftuar se sot nga ora 10:00, do të mbajë protestë.

    Sipas njoftimit kjo protestë do të jetë paqësore dhe do të fillojë nga sheshi “Zahir Pajaziti”, dhe pastaj para zyrave të KEK-ut.

    Sipas kryetarit të Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës, Nexhat Llumnica, protesta është organizuar në shenjë proteste kundër vazhdimit të tenderimit të paligjshëm të këtij departamenti, pagave të ulëta, dhe kushteve të rënda për punonjësit e sigurimit fizik në KEK.