ATV

Category: Lajme

  • Oda e Farmacistëve ka marrë 84 ankesa nga farmacistët për orarin e kujdestarisë

    Oda e Farmacistëve ka marrë 84 ankesa nga farmacistët për orarin e kujdestarisë

    Pas orës 21:00 janë vetëm disa barnatore në kryeqytet që qëndrojnë të hapura për qytetarët në rast nevoje. Kjo për barnatoret po shkakton humbje te mëdha.

    Sa i përket këtij vendimi për orarin e kujdestarisë së barnatoreve, Oda e Farmacistëve u shpreh se vendimi i marrë për barnatoret është shumë i drejtë.

    Jehona Haka nënkryetarja e Odës të Farmacistëve të Kosovës për KosovaPress, tha se kjo rregullore ishte vendosur në vitin 2010, por nuk ka qenë aktive. Haka tha se kur është bëre plotësim-ndryshimi i orareve të kujdestarisë për barnatoret, kanë pasur rreth 84 ankesa.

    “Ndoshta me thanë sa është e drejtë, më mirë është për të thënë ndoshta sa është e drejtë të bëhet një orar për barnatore mendoj që vetëm që koha e fundit e rregullimit të një orari për barnatore vetëm se ka qenë tani. Kjo rregullore ka qenë e rregulluar nga viti 2010 po nuk ka qenë aktive dhe në vitin e kaluar nga drejtori i Shëndetësisë nga Komuna e Prishtinës, Izet Sadiku, me iniciativën e tij është aktivizuar dhe ka filluar orari i punës së barnatoreve, mendoj që është mjaft i qëlluar dhe i drejtë rregullimi i orarit për barnatore, se për pacientët e kanë qasjen në barnatore 24 orë, gjë që më herët nuk ka qenë në pesë barnatoret siç është tani. Barnatoret zakonisht kanë punuar të lira, kanë punuar derisa e kanë caktuar orarin e tyre, por barnatore kujdestare për 24 orë nuk ka pasur më parë. Tani është e rregulluar që 5 barnatore të kenë kujdestarinë gjatë çdo dite të javës, ndërsa të dielën dhe festave të kujdestarojnë 4 barnatore”, u shpreh Haka.

    Vendosjen e kësaj rregullore e kanë mirëpritur shumë barnatore, ndërsa janë adresuar vetëm gjashtë ankesa nga farmacistët.

    “Në fillim të vendosjes të këtij ligji e kemi pasur një ankesë, në të cilën kanë qenë të përfshira 6 barnatore të cilat nuk kanë qenë pro rregullimit të këtij orari. Por, ne jemi përafërsisht 174 barnatore në Prishtinë, 7 përqind kanë qenë të pakënaqur nga ky orar d.m.th. shumica janë të kënaqur me rregullimin e këtij orari. A ka nevojë për ndonjë ndryshim, besoj që po por mendoj që orari duhet të mbetet sepse së pari është në të mirën e pacientit. Në anën tjetër kur është bërë plotësimit ndryshimi i orarit dhe është menduar që orari të zgjatet kemi marrë 84 ankesa nga farmacistët dhe nga barnatoret të cilët nuk kanë dashur që orari të lëvizë”, tha Haka.

    Për ato barnatore që punojnë jashtë këtij rregulli, Hakaj potencoi se nuk është kolegiale dhe se inspektorati i punës së Komunës të Prishtinës duhet të japë dënimet e merituara dhe jo vetëm të marrin masa.

    “Së pari mendoj që nuk është kolegiale e para që të punohet, se çdo njëri nga ne e presim kujdestarinë. E dyta, dhe shpresoj që inspektorati i punës së Komunës së Prishtinës do ta intensifikojë punën e tyre dhe nëse hasin në parregullsi mos të japin masë, siç po ndodhë në praktikë. Deri tani vetëm verbalisht po jep vetëm disa lloj dënime, por mendoj që duhet të intensifikohen dhe të jepen dënimet e merituara”, përfundoi Haka.

    Humbje financiare po kanë barnatoret shkak i kësaj rregullore. Pronarë e farmacistë po ankohen për këtë çështje. Ndër ta është edhe Arbnor Alidema, pronar i një barnatoreje në Prishtinë, për KossovaPress, u shpreh se humbjet e mëdha po vazhdojnë të jenë, ndërkaq tha se për pacientët është bërë shumë e vështirë që të gjejnë barërat që ju duhen dhe se të njëjtit detyrohen që të shkojnë në vende tjera jashtë kryeqytetit që të gjejnë barin që iu duhet.

    “Patjetër që ka humbje, të gjithë pacientët tanë shkojnë ne Fushë Kosovë, në Graqanic 90% nga pacientët që nuk i gjejnë barnat ditën e diele, problemi është këtu dhe nga ora 9 deri në orën 11, të gjithë pacientët i kemi të cilët duhet me shku me veturë në Fushë Kosovë dhe në vende tjera për të gjet barna, që një kohë i kanë gjetur në Prishtinë dhe realisht QKUK në Prishtinë nuk është as në Fushë Kosovë as në ndonjë vend tjetër”, tha Alidemaj.

    Problemi më i madh, sipas Alidemës është te Komuna e Prishtinës, pasi konsideron sepse këta të fundit duhet të ndërrojnë orarin e punës për barnatoret.

    “Patjetër që duhet të ndërrohet orari, por nuk ka kush ta ndërrojë, këtu është problemi. Problemi është që në Komunë të Prishtinës i kanë kushtet mirë, në rregull janë, ata i kanë zyrat në rregull edhe punët i kanë në rregull, dhe nuk po iu intereson se ku po shkojnë qytetarët për të blerë barna, apo a ka barna në QKUK apo nuk ka d.m.th. deri në nëntor 98 mijë pacientët i ka pasur vetëm emergjenca, sa ka emergjenca pacientët aq ka banorë një komunë si Kaçaniku, kështu që unë mendoj që kjo duhet të ndërrohet por se çfarë janë duke bërë kjo le të mbetet në përgjegjësinë apo në profesionalizmin e tyre”, përfundoi ai.

    Ndërsa, drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi tha se problemi i vazhdueshëm me të cilin po hasin si institucion, janë barnatoret të cilat nuk po e respektojnë orarin e kujdestarisë.

    Ai tha se ka raste kur shumë barnatore punojnë në ditë te festave, si dhe pas përfundimit të orarit të përcaktuar ato vazhdojnë të jenë të hapura.

    “Për befasinë time kemi pasur shumë probleme me barnatore, duke konsideruar se është një nivel tjetër dhe ata do të jenë persona që do të respektojnë më tepër orarin e përcaktuar… Kur kemi filluar aplikimin, kemi vërejtur që në shumë raste nuk është respektuar rregullorja, kemi gjetur që pas orës 21:00 kanë vazhduar edhe ato që nuk kanë qenë kujdestare të punojnë, ka pas raste që gjatë ditëve të festave të punojnë edhe ato që është dashur të jenë të mbyllura, por të gjitha këto i kemi inspektuar dhe mund t’iu them që gjobat janë shqiptuar edhe për barnatore”, potencoi Dushi.

    Përndryshe, edhe Komuna e Ferizajt është në proces të hartimin të orarit për barnatoret. /kp

  • ​Regjistrimi i popullsisë dhe qentë endacak temë diskutimi mes Kurtit e kryetarëve të komunave

    ​Regjistrimi i popullsisë dhe qentë endacak temë diskutimi mes Kurtit e kryetarëve të komunave

    Regjistrimi i popullsisë dhe zgjidhja e problemit për qentë endacak janë ndër dy çështje që do të diskutohet sot në takimin e mbajtur ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe disa kryetarëve të komunave.

    Kryeministri Kurti tha se në këtë takim do të diskutojnë për dy çështje të rëndësishme dhe urgjente sipas tij, për çka përmendi regjistrimin e popullsisë i cili do të nis në fillim të muajit prill.

    Për këtë, Kurti tha se politikbërja e bazuar në të dhëna është e rëndësishme si për nivelin qendror ashtu edhe për atë lokal, për çka iu bëri thirrje komunave për bashkëpunim sa më të mirë me Agjencinë e Statistikave të Kosovës për realizimin e procesit të regjistrimit të popullsisë.

    “Regjistrimi i popullsisë do të fillojë në fillim të muajit prill, pra një muaj e gjysmë nga sot. Ky regjistrim do të rezultojë me të dhëna të shumta që do të mundësojnë vendimmarrësve dhe shfrytëzuesve tjerë duke filluar nga qeveria, shoqëria civile, bizneset, donatorët e investitorët të zhvillojnë strategji, programe e produkte dhe ofrojnë shërbime që i plotësojnë nevojat e qytetarëve. Politikbërja e bazuar në të dhëna është e rëndësishme si për nivelin qendror ashtu edhe për atë lokal të qeverisjes, sepse mundëson planifikim të mirë, shpërndarje të drejtë dhe të barabartë të burimeve për arsim, shëndetësi dhe punësim…Në mënyrë që regjistrimi të realizojë në tërësi objektivat për gjenerimin e të dhënave të plota dhe të sakta nevojitet një bashkëpunim dhe bashkëveprim i ngushtë ndërmjet Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe komunave të Republikës. Andaj shfrytëzoj rastin që edhe në këtë takim të bëjë thirrje për përkushtim dhe angazhim të përbashkët të të gjithëve në përfundimin me sukses të këtij procesi me rëndësi qenësore për zhvillimin socio-ekonomik të vendit tonë”, tha Kurti.

    Përveç kësaj, si çështje urgjente për të diskutuar, Kurti vlerësoi problemin e vazhdueshëm me qentë endacak, derisa potencoi se kjo situatë është shqetësuese për të gjitha komunat.

    Kurti tha se strategjia për zgjidhjen e këtij shqetësimi përfshinë disa hapa ndër institucional, siç është ndërtimi i strehimoreve dhe zhvillimin e shërbimeve lokale të menaxhimit të qenëve.

    Ai tha se është propozuar që të ndërtohen katër strehimore për qentë endacak, në komunën e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjilanit dhe Kamenicës.

    Lidhur me këtë, Kurti iu bëri thirrje kryetarëve të komunave për bashkëpunim me grupin punues për arritjen e objektivave të synuara nga të cilët përfitues janë të gjithë sipas tij.

    “Është çështja e qenëve të braktisur dhe endacak. Ky është një shqetësim që e ka çdo komunë dhe për të cilën qeveria e ka krijuar grupin koordinues të udhëhequr Ministria e Administrimi të Pushtetit Lokal. Strategjia e dalë nga ai grup parasheh disa hapa ndër institucional ndër to, ndërtimin e strehimoreve dhe zhvillimin e shërbimeve lokale të menaxhimit të qenëve. Për momentin Grupi punues propozon ndërtimin e katër strehimoreve në katër komuna. Në Prishtinë, në Prizren, në Pejë dhe Gjilan e Kamenicë…Iu bëjë thirrje që të bashkëpunoni sa më ngushtë më këtë Grup koordinues në arritjen e objektivave të synuara nga të cilët përfitues janë të gjithë”, potencoi Kurti.

    Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se me një bashkëpunim më efikas dhe projekte konkrete me shumën e buxhetit të ndarë, mund të ndikojmë drejtpërdrejt sipas tij në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

    Krasniqi u bëri thirrje komunave që të raportojnë në sistemin për përformancën e vitit 2023, ngase është obligim ligjor dhe se në të kundërtën do të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj komunave që nuk raportojnë.

    Po ashtu, Krasniqi u bëri thirrje komunave për aplikim në programin për financimin e projekteve infrastrukturore që është i hapur deri me datën 28 shkurt.

    “Me datë 9 shkurt mbajtëm ceremoninë e grandit të përformancës komunale ku nënshkruam marrëveshje në vlerë prej 8.3 milionë euro me 11 komunat përfituese. Me 15 shkurt është hapur thirrja që komunat të raportojnë në sistemin për përformancën e vitit 2023. I ftoj komunat të raportojnë pasi që raportimi është obligim ligjor pavarësisht nëse ajo komunë kualifikohet për grantin e përformancës ose jo. Për këto dy vite paraprake janë këto komunat që nuk kanë raportuar në sistemin e përformancës komunale. Në vitin 2021 Skenderaj, ndërsa në vitin 2022 është njëra ndër komunat përfituese me mbi 1 milion euro. Në vitin 2022, Ferizaj, Shtërpca, Novobërda, Kllokoti dhe katër komunat e veriut të vendit…Jam duke diskutuar me anëtarët e komisionit përkatës që të bëhet plotësim ndryshimi i ligjit dhe të parashihen masat penalizuese për komunat të cilat nuk raportojnë në sistem. Po ashtu i bëjë thirrje komunave për aplikim në programin për financimin e projekteve infrastrukturore që është i hapur deri me datën 28 shkurt”, tha Krasniqi.

    Pas fjalimit të Kurtit dhe Krasniqit, takimi me kryetarët e komunave po vazhdon i mbyllur dhe pa praninë e mediave. Të pranishëm në takim ishin edhe ministri i Financave, Punës dhë Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci. Ndërkaq, pritet që të ketë deklarata për media pas diskutimeve.

  • Prokuroria Speciale aksion në disa lokacione, arrestohen shtatë persona

    Prokuroria Speciale aksion në disa lokacione, arrestohen shtatë persona

    Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion, me urdhër të Prokurorisë Speciale, në shtatë lokacione, ku janë arrestuar shtatë persona që dyshohen për vepra të ndryshme penale.

    Aksioni është zhvilluar me dyshimin se personat e ndaluar janë përfshirë në kryerjen e veprave penale, ‘’Hyrje në sistemet kompjuterike’’, ‘’Mashtrimi’’ dhe ‘’Shpëlarje e parave’’.

    Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar disa vetura, armë, municion, mjete të konsiderueshme materiale, si dhe prova të tjera materiale të cilat dyshohen se janë përdorur për kryerjen e veprave penale.

    “Me urdhër të Prokurorisë Speciale (PS), Policia e Kosovës ka ndërmarr një aksion në shtatë lokacione të ndryshme të Kosovës, ku janë arrestuar shtatë (7) persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale. Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, njoftojnë opinionin se gjatë këtij aksioni janë sekuestruar disa vetura, armë, municion, mjete të konsiderueshme materiale, si dhe prova të tjera materiale të cilat dyshohen se janë përdorur për kryerjen e veprave penale. Aksioni është zhvilluar në shtatë (7) lokacione të ndryshme me dyshimin se personat e ndaluar janë përfshirë në kryerjen e veprave penale, ‘’Hyrje në sistemet kompjuterike’’, ‘’Mashtrimi’’ dhe ‘’Shpëlarje e parave’’.”, thuhet në njoftim.

  • Policia kërkon ndihmë për identifikimin e këtyre persoanve

    Policia kërkon ndihmë për identifikimin e këtyre persoanve

    Policia e Kosovës ka publikuar fotografitë e disa personave të dyshuar për përfshirje në një përleshje fizike në një lokal në Graçanicë.

    Në fotografitë e publikuara nga Policia, shihen katër persona në një tavolinë.

    Ata dyshohen se ishin përfshirë në një rrahje më 23 shtator të vitit të kaluar.

    “Personat e dyshuar kërkohen për përfshirje në një rast, Lëndim trupor, që ka ndodhur me datën 23.09.2023. Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personave apo vendodhjes së tyre, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Ajeti raporton në Komisionin për mbikëqyrjen të AKI-së

    Ajeti raporton në Komisionin për mbikëqyrjen të AKI-së

    Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, po raporton në Komisionin parlamentar për mbikëqyrje të kësaj Agjencie, raporton EO.

    Mbledhja ka nisur në orën 10:00.

    Zakonisht raportimet e krerëve të AKI-së mbahen pa praninë e mediave.

  • Konjufca thumbon Lekajn në Gjykatë: Nashta na tregon qysh me i kry bre këto procese se unë amater, s’po di

    Konjufca thumbon Lekajn në Gjykatë: Nashta na tregon qysh me i kry bre këto procese se unë amater, s’po di

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj ka nisur dëshminë në gjykimin ndaj kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

    Lekaj do të dëshmojë për seancën e Kuvendit të mbajtur më 10 gusht 2016, ku ishte hedhur gaz lotsjellës.

    Kur Lekaj arriti në gjykatë, ai e përshëndeti Konjufcën.

    “Ku je kryetar, a je a qysh je a”, i tha Lekaj – Konjufcës para fillimit të seancës.

    Ndërsa, Konjufca ia ktheu: Qysh je…. Nashti na kallëzon qysh me i kry bre këto procese se unë amater, s’po di.

    “Jo, a”, tha Lekaj.

    Ndryshe, në seancën e mbajtur më 8 shkurt 2024, në cilësi të dëshmitarëve ishin dëgjuar Sabri Hamiti, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq.

    Në seancën e 25 tetorit 2023, gjykatësja Çanta tha se Konjufcës i është parashkruar vepra penale “Pengim i pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

    Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

    Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

    Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

    Për këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi/

  • Lekaj dëshmon në rastin ku Konjufca akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës

    Lekaj dëshmon në rastin ku Konjufca akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka dëshmuar në seancën gjyqësore ku kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të mbajtur më 10 gusht të vitit 2016, raporton EO.

    Lekaj tha se nuk i kujtohet që mbledhja është ndërprerë.

    “Nuk më kujtohet që është ndërprerë, nuk mbaj mend se është ndërprerë ndonjë mbledhje e Kryesisë”. është shprehur Lekaj.

    Prokurori Besart Mustafa ka pyetur Lekajn se “a ka hedhur Konjufca gaz lotsjellës në Kuvend”, por trupi gjykues e ka refuzuar këtë pyetje.

  • Stoltenberg: Navalny nderohet më së miri nëse mposhtet Rusia në Ukrainë

    Stoltenberg: Navalny nderohet më së miri nëse mposhtet Rusia në Ukrainë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, thotë se vdekja e politikanit opozitar rus, Alexei Navalny, si dhe përfitimet e para të Rusisë në fushëbetejë pas shumë muajve, duhet ta ndihmojnë aleancën ushtarake dhe aleatët e saj t’i kushtojnë vëmendje nevojës urgjente për ta mbështetur Ukrainën.

    Gjatë një interviste me Radion Evropa e Lirë (REL) më 20 shkurt në Bruksel, shefi i NATO-s tha se tërheqja e forcave ukrainase nga qyteti i Avdivkës pas shumë muajve luftimesh, dëshmon nevojën për më shumë ndihma ushtarake “për t’u siguruar se Rusia nuk fiton më shumë territor”.

    Vdekja e Navalnyt në një burg në Arktik të premten më 16 shkurt nën rrethana të dyshimta e rrit nevojën për t’u siguruar që sundimi autoritar i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, nuk kalon pa u kontrolluar.

    “Unë besoj fuqishëm se mënyra më e mirë për ta nderuar kujtimin e Alexei Navalnyt është të sigurohemi se presidenti Putin nuk fiton në fushëbetejë, por që Ukraina të triumfojë”, tha Stoltenberg.

    Aleatët e Ukrainës kanë punuar për një pako prej 61 miliardë dollarësh ndihmë ushtarake amerikane, tha Stoltenberg, por derisa kjo pako ka ngecur në Dhomën e Përfaqësuesve, vendet e tjera, përfshirë Suedinë, Kanadanë dhe Japoninë, e kanë rritur mbështetjen për Ukrainën.

    Ministria e Mbrojtjes e Suedisë tha të martën se do t’i japë Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë rreth 680 milionë dollarë, përfshirë dërgimin e pajisjeve dhe para të gatshme për blerjen e armëve.

    Kjo do të jetë hera e 15-të që Suedia i dërgon ndihmë Ukrainës dhe pakoja më e madhe e ndihmës deri më sot, duke rritur në rreth 2.8 miliardë dollarë ndihmën e përgjithshme që ia ka dhënë asaj prej se Rusia e filloi pushtimin e saj më 2022.

    Departamenti i Mbrojtjes i Kanadasë tha më 19 shkurt se do t’ia dërgojë Ukrainës në mënyrë të përshpejtuar më shumë se 800 dronë, duke shtuar se dronët janë bërë armë kritike për Ukrainën në këtë luftë. Ata kushtojnë rreth 70 milionë dollarë dhe do të dërgohen nga fillimi i pranverës.

    Tokio do ta ndihmojë Ukrainën për t’u rindërtuar nga dëmet e luftës duke ia dhuruar 106 milionë dollarë.

    “Natyrisht se ne e kemi vëmendjen te Shtetet e Bashkuara, por ne po e shohim gjithashtu se si aleatët e tjerë po i japin mbështetje të madhe Ukrainës”, tha Stoltenberg.

    I pyetur se kur do të jenë në gjendje t’i përdorë avionët luftarakë F-16 Ukraina, Stoltenberg tha se nuk mund ta thotë tani.

    Ai e përsëriti se të gjithë aleatët e Ukrainës duan që avionët luftarakë të jenë në dorën e saj sa më shpejt që është e mundur, por shtoi se ndikimi i tyre do të jetë më i fortë nëse pilotët janë të trajnuar mirë dhe nëse ekuipazhi dhe personeli mbështetës i tyre janë të përgatitur mirë.

    “Pra, mendoj se ne duhet t’i dëgjojmë ekspertët ushtarakë se kur saktësisht do të jemi ne të gatshëm, apo se kur aleatët do të jenë të gatshëm të fillojnë t’ia dërgojnë Ukrainës avionët F-16”, shtoi ai.

    “Sa më parë, aq më mirë”, theksoi ai.

    Ukraina vazhdimisht ka kërkuar avionë luftarakë F-16, të prodhuar nga SHBA-ja, për ta luftuar superioritetin rus në ajër. Shtetet e Bashkuara i dhanë leje në gusht Danimarkës dhe Holandës për t’i dërguar Ukrainës avionë luftarakë F-16 sapo pilotët ukrainas ta mbarojnë trajnimin.

    Secili vend do të vendosë vetë se a t’i dërgojë apo jo avionë luftarakë F-16 Ukrainës, dhe aleatët kanë politika të ndryshme, tha Stoltenberg.

    Por, njëkohësisht, lufta në Ukrainë është luftë prej agresori, nënvizoi ai, dhe Ukraina ka të drejtë të vetëmbrohet, përfshirë duke i goditur caqet ushtarake ruse jashtë Ukrainës.

    I pyetur për mundësinë që ish-presidenti Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, Stoltenberg tha se beson se, pavarësisht rezultatit në zgjedhjet presidenciale në SHBA këtë vit, Shtetet e Bashkuara do të mbesin aleatë të përkushtuar të NATO-s, sepse kjo është në interes të sigurisë së vetë Shteteve të Bashkuara.

    Trump, i cili është lider në garën për t’u nominuar për president nga Partia Republikane, nxiti kritika të ashpra nga presidenti Joe Biden, liderët evropianë dhe NATO-ja, pasi tha më 10 shkurt se Shtetet e Bashkuara mund të mos i mbrojnë anëtarët e aleancës ushtarake nga pushtimi i mundshëm rus, nëse ato nuk paguajnë mjaftueshëm para për mbrojtjen e vet.

    Stoltenberg tha se Shtetet e Bashkuara janë më të sigurta dhe më të fuqishme me më shumë se 30 aleatë – diçka që i mungon edhe Kinës, edhe Rusisë.

    Kritikat ndaj NATO-s kanë të bëjnë me aleatët që shpenzojnë pak në mbrojtje, tha ai. Por, Stoltenberg shtoi se të dhënat e reja tregojnë se seç herë e më shumë aleatë të NATO-s po e plotësojnë cakun e shpenzimit të 2 për qind të GDP-së për mbrojtjen, dhe se kjo tregon se aleanca ka shënuar përparim të madh prej se e dha këtë zotim më 2014.

    Në atë kohë, vetëm tri vende anëtare të NATO-s i shpenzuan 2 për qind të GDP-së për mbrojtjen; tani janë 18, tha ai.

    “Nëse e bashkon atë çfarë e bëjnë të gjithë aleatët evropianë dhe e krahason me GDP-në në përgjithësi në Evropë, del 2 për qind sot, në fakt. Kjo është mirë, por nuk mjafton sepse ne duam [që çdo anëtar i NATO-s] t’i shpenzojë 2 për qind. Dhe, ne po ashtu sigurohemi që 2 për qind të jetë minimumi”, shtoi ai./rel

  • Kurti tregon një propozim për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë

    Kurti tregon një propozim për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se qentë endacakë po vazhdojnë të jenë shqetësim i çdo komune.

    Në lidhje me këtë problem, Kurti tha se qeveria ka formuar grupin koordinues të udhëhequr nga ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ku sipas tij, strategjia e këtij grupi parasheh ndërtimin e katër strehimorëve për qen.

    “Strategjia e dalur nga ai grup parasheh disa hapa ndërinstitucional, ndër to ndërtimin e strehimoreve dhe zhvillimin e shërbimeve lokale të menaxhimit të qenve. Për momentin, grupi punues propozon ndërtimin e katër strehimoreve në katër komuna, në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Gjilan/Kamenicë”, tha Kurti.

    Kreu i qeverisë i ftoi kryetarët e komunave që të punojnë ngushtë me grupin koordinues në mënyrë që të ketë zgjidhje problemi i qenve endacakë.

  • ​Vrasje në tentativë në Vushtrri, arrestohet një person

    ​Vrasje në tentativë në Vushtrri, arrestohet një person

    Policia e Kosovës njofton se në Vushtrri ka ndodhur një rast i vrasjes në tentative, ku raportohet se për arsye të një prone ka ardhur deri te rrahja në mes tre personave si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit njëri nga personat është plagosur.

    Sipas policisë një prej të dyshuarve është arrestuar.

    “Vushtrri 20.02.2024 – 11:30. Raportohet se për arsye të një prone ka ardhur deri te rrahja në mes tre personave meshkuj kosovarë, ku si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit njëri nga personat është plagosur. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 9 fishekë, një gëzhojë dhe një kaçavidë. Dy të dyshuari janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit njëri është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin 24 orësh të policisë.