ATV

Category: Lajme

  • Ҫështja e dinarit, ambasadorët e QUINT-it ia “zënë” derën Kurtit

    Ҫështja e dinarit, ambasadorët e QUINT-it ia “zënë” derën Kurtit

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ai i Francës, Olivier Guerot si dhe ambasadori italian, Antonello De Riu i kanë shkuar në takim kryeministrit, Albin Kurti.

    Ndryshe, pas vendimit të BQK-së për të ndaluar përdorimin e dinarit presioni nga ndërkombëtarët është shtuar.

    Po ashtu vlen të theksohet se ambasadorët kanë mbajtur një takim me Kurtin edhe javë më parë.

    Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Bashkimi Evropian, tashmë kanë dalë me qëndrimet e tyre mbi këtë çështje.

    Kryeministri i Kosovës, ka thënë se ky është vendim i BQK-së dhe se politika nuk mund të ndërhyjë në vendimet e institucioneve të pavarura.

  • Mbyllet për publikun gjykimi në mungesë ndaj serbit të akuzuar për krime lufte në Kosovë

    Mbyllet për publikun gjykimi në mungesë ndaj serbit të akuzuar për krime lufte në Kosovë

    Me propozim të prokurorit special Ilir Morina, është mbyllur për publikun gjykimi ndaj të akuzuarit Dejan Raciq, i cili ngarkohet për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë.

    Prokurori Morina deklaroi se nën supozimin ligjor që i akuzuari Raciq nuk e pranon këtë vepër penale pasi që i njëjti gjykohet në mungesë dhe meqenëse në këtë shqyrtim gjyqësor mund të diskutohen detaje lidhur me identitetin e viktimës, kërkoi që të mbyllet seanca.

    Prokurori po ashtu shtoi se gjatë fazës së hetimit në rastin konkret, gjyqtari i procedurës paraprake kishte nxjerrë urdhër mbrojtje ndaj të dëmtuarës dhe kishin obligim ligjor që ta zbatojnë të njëjtin.

    Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Raciq, avokati Osman Mehmeti nuk e kundërshtoi propozimin për mbylljen e seancës.

    Andaj, me aprovim të gjykatësit Vesel Ismaili, gjykimi vazhdoi i mbyllur.

    Ndryshe në këtë gjykatë, më 20 nëntor 2023 kishte filluar mbajta e gjykimit në mungesë edhe ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, i cili po akuzohet për krime lufte në fshatin Reçak.

    Gjykimi në mungesë parashihet me Kodin e Ri  të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

    Sipas aktakauzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 27 nëntor 2023, Dejan Raciq akuzohet se në cilësinë e ushtarakut rezervist të Serbisë, në kundërshtim me rregulltat e të drejtës ndërkombëtare humanitare gjatë sulmit kundër popullatës civile shqiptare në tërë territorin e Kosovës, me përdorimin e dhunës dhe veprime tjera çnjerëzore kishte kryer dhunim seksual nga gruas së nacionalitetit shqiptar.

    Andaj, Raciq po akuzohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142 të Kodit Penal te Jugosllavisë, aktualisht e inkriminuar si “Krime kundër njerëzimit” nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.7 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

  • “Thaçi dhe të tjerët”, pranohen si prova materiale disa faqe të librit të dëshmitarit Kurtaj

    “Thaçi dhe të tjerët”, pranohen si prova materiale disa faqe të librit të dëshmitarit Kurtaj

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, trupi gjykues në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka pranuar si prova materiale disa faqe të librit të dëshmitarit Hajrush Kurtaj.

    Kurtaj, i cili është dëshmitari i 45-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04576, e që dëshminë e ka filluar më 1 shkurt, po e vazhdon dëshminë edhe sot, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve kundërshtoi që faqet e librit të Kurtajt të pranohen si dëshmi.

    Por, pranimi i tyre si prova materiale u bë me kërkesë të ZPS-së, pasi të njëjtat u cituan gjatë seancës së sotme në dëshminë e dëshmitarit.

    Ndryshe, këtë dëshmitar edhe sot po vazhdon ta marrë në pyetje prokurori James Pace, i cili filloi ta pyeste për disa vende të komunës së Kaçanikut dhe Ferizajt.

    Prokrori Pace e pyeti dëshmitarin për vendet Kukaj, Biçec, Varosh, Jezerc e të tjera, si dhe për godinat që UÇK-ja ka përdorur në vendin e quajtur Ivaj dhe Bob.

    Në pyetjen e prokurorit se kush ishte përgjegjësi i njësitit të UÇK-së në Biçec, dëshmitari Kurtaj tha se përgjegjësi ishte Nazmi Osmani.

    Po ashtu, dëshmitari Kurtaj gjatë dëshmisë së tij tha se Brigada 162, të cilën e ka udhëhequr nga 15 maji deri 11 qershor 1999, nuk ka pasur asnjë përgjegjësi në asnjë pjesë të territorit të Ferizajt.

    Këtë deklaratë dëshmitari e dha duke iu përgjigjur pyetjes së prokurori Pace, se gjatë vitit 1998-1999, Brigada 162 a ka pasur ndonjë përgjegjësi në ndonjë pjesë të Ferizajt.

    Ndërsa, në pyetjen e ZPS-së për njësitin e UÇK-së në Jezerc, dëshmitari tha se nuk ka informata për këtë njësit, sepse nuk ka qenë kompetencë e tij.

    Ndërsa, kur dëshmitari është duke u pyetur për citate të librit të tij, ai edhe sot deklaroi që në librin e tij i ka rritur dhe zbukuruar gjërat.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Haradinaj kujton Haxhi Zekën dhe Shaban Polluzhën: Mbeten simbole të përkushtimit ndaj Atdheut

    Haradinaj kujton Haxhi Zekën dhe Shaban Polluzhën: Mbeten simbole të përkushtimit ndaj Atdheut

    Kryetari i Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar Haxhi Zekën dhe Shaban Polluzhën.

    Përmes një postimi në faqen zyrtare të tij në Facebook, Haradinaj shkruan se ata u bën frymëzim për shumë breza, shkruan Ekonomia Online.

    “Haxhi Zeka e Shaban Polluzha, prijës popullor të rënë në periudha të ndryshme historike, përgjithmonë do të kujtohen për përpjekjet e tyre për çlirim nga pushtuesi”, tha ndër tjera Haradinaj.

    Postimi i plotë:

    Ata e deshën lirinë më shumë se veten, andaj u bën frymëzim për brezat e ardhshëm, për vazhdimin e përpjekjeve për liri. Haxhi Zeka e Shaban Polluzha, prijës popullor të rënë në periudha të ndryshme historike, përgjithmonë do të kujtohen për përpjekjet e tyre për çlirim nga pushtuesi. Ata mbeten simbole të përkushtimit ndaj Atdheut.

  • BE’ja aprovon pakon e 13-të me sanksione kundër Rusisë

    BE’ja aprovon pakon e 13-të me sanksione kundër Rusisë

    Bashkimi Evropian (BE) e ka miratuar të mërkurën pakon e 13-të të sanksioneve kundër Rusisë, njoftoi presidenca belge në rrjetin social X.

    “Ambasadorët e BE-së sapo u pajtuan në parim për pakon e 13-të të sanksioneve në kornizën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha presidenca belge.

    Kjo është njëra prej pakove “më të gjera” të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, sipas saj.

    Gati 200 subjekte dhe individë janë futur në listën e sanksioneve me pakon e re.

    Pakoja do të aprovohet formalisht në kohë për përvjetorin e dytë të fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt./REL

  • Shtyhet për të premten raportimi i ministrit Murati në Komisionin për Buxhet

    Shtyhet për të premten raportimi i ministrit Murati në Komisionin për Buxhet

    Është shtyre raportimi i ministri të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe përfaqësues të Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore, në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur më realizimin e të hyrave për vitin 2023, raporton EO.

    Shkak për këtë është bërë takimi i ekzekutivit me kryetarë të komunave.

    Kryetari i Komisionit Armend Muja, tha se Ministria e Financave, ka njoftuar se Murati, nuk mund të marr sot pjesë, duke treguar edhe arsye, ndërsa raportimi i tij do të mbahet të premten.

    Me këtë rast Komisioni ka miratuar draft planin e punës së komisionit për sesionin pranveror 2024.

    Deputeti i PDK, Mergim Lushtaku, ka kërkuar që në Komision të ketë një raport se si ka shkuar kompensimi i dëmeve që janë shkaktuar nga vërshimet.

    E deputeti i LDK-së Avdullah Hoti tha se në raportim do të duhet që të thirret për raportim Guvernatori i BQK-së.

  • Përfundon pa detaje raportimi i Ajetit në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së

    Përfundon pa detaje raportimi i Ajetit në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së

    Zëvendëskryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës, Salih Zyba, nuk ka dhënë shumë detaje se për çfarë është diskutuar në takim me drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti, raporton EO.

    “Nuk ka diçka të veçantë, diçka për të thënë për media. Nga kjo përballje nuk ka asgjë për të ndarë me media e as me publikun diçka, është çështje e konsumuar”, tha Zyba.

    E i pyetur për situatën në veri, Zyba nuk deshi të deklarohej duke e quajtur vetën jokompetentë.

    “Unë nuk jam kompetent për t’u përgjigjur për këtë por sigurisht që kjo ka qenë komunikim edhe me faktorin ndërkombëtar se nuk është shqetësim vetëm i joni dhe i qytetarëve por ky është shqetësim edhe i vendeve fqinje për të cilat është aludu. Por rreziku prej Serbisë është permanent çdo here”, tha Zyba.

  • Ferizaj: Policia e Kosovës arreston një person të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar

    Ferizaj: Policia e Kosovës arreston një person të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar

    Policia e Kosovës, ka arritur të lokalizojë një shtetas kosovar që ka qenë në kërkim me urdhër-arrest ndërkombëtar nga autoritetet norvegjeze për veprën penale “Vrasje” të kryer në Oslo.

    I dyshuari me inicialet V.A është arrestuar sot në Ferizaj, i njëjti përveç shtetësisë kosovare, posedon edhe shtetësi norvegjeze, shkruan Ekonomia Online.

    Në momentin e arrestimit, të dyshuarit i janë gjetur një armë zjarri si dhe disa pasaporta të shteteve të tjera të cilat me gjase janë te falsifikuara.

    Ndaj personit të arrestuar do të vazhdojnë procedurat e parapara për raste të tilla.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    Policia e Kosovës, gjegjësisht njësiti (Fast Kosova), me mbështetje të Njësisë Speciale Operative, sot më 21.02.2024, pas një pune intensive në terren, kanë arritur të lokalizojnë dhe më pas të arrestojnë në Ferizaj, një shtetas kosovar i cili ishte i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar.

    Personi i arrestuar, me inicialet V.A., i lindur në vitin 1989, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet norvegjeze për veprën penale “vrasje” të kryer në Oslo më 07.10.2021.

    Personi i arrestuar përveç shtetësisë kosovare, posedon edhe shtetësi norvegjeze, ndërsa në momentin e arrestimit të njëjtit i është gjetur një armë zjarri si dhe disa pasaporta të shteteve të tjera të cilat me gjase janë te falsifikuara. Ndaj personit të arrestuar do të vazhdojnë procedurat e parapara për raste të tilla.

  • Konjufca vendos të mbrohet në heshtje për akuzat për gaz lotsjellës

    Konjufca vendos të mbrohet në heshtje për akuzat për gaz lotsjellës

    Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ka vendosur që të mbrohet në heshtje, në rastin ku ai akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të mbajtur më datën 10 gusht të vitit 2016, raporton EO.

    Në seancën e mbajtur të mërkurën, kryeparlamentari tha se qëndron prapa deklarimeve që i ka bërë më parë lidhur me këtë rast.

    Në këtë seancë gjyqtarja Edita Çanta e ka aprovuar kërkesën e prokurorisë për t’u administruar si provë procesverbali i mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, i datës 18 gusht 2016.

    Prokurori Besart Mustafa, ka deklaruar në këtë procesverbal thuhet se Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës.

    Seanca e radhës, për fjalën përfundimtare në këtë rast është caktuar për të premten e kësaj jave, në orë 13:00.

  • KRU “Prishtina” përfiton Grant afër 3 milionë euro, përfitojnë katër komuna për trajtimin e ujërave të zeza e atmosferike

    KRU “Prishtina” përfiton Grant afër 3 milionë euro, përfitojnë katër komuna për trajtimin e ujërave të zeza e atmosferike

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka nënshkruar kontratën me konsulencën për Masat Shoqëruese dhe Njësinë për Zbatim të Projektit, në vlerë prej 2. 99 milionë euro, raporton EO.

    Aty u tha se Konsulenca për Masat Shoqëruese dhe Njësia për Implementim të Projektit përmban aktivitete për përmirësimin e performancës së përgjithshme të Kompanisë në çështjet financiare, institucionale, teknike dhe administrative.

    Kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu, deklaroi se periudha për implementimin e këtij projekti është pesëvjeçar, ndërsa pritet të bëhet zgjidhja për Prishtinën, Fushë-Kosovën, Graqanicën dhe Obiliqin.

    “Jam shumë i lumtur që pjesë e kontratës do të jetë një kompani gjermane dhe besoj që do ta realizojmë suksesshëm. Kjo kontratë është shumë dimensionale dhe ka të bëj me pjesën teknike, administrative dhe do të ndihmoj edhe në trajnimin e stafit”.

    Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, tha se projekti i kombinuar mes kanalizimit dhe rrjetit të ujërave të ndotura po ec përpara.

    “Jemi të kënaqur edhe bashkëpunimin që kemi me Bankën gjermane për zhvillim në Kosovë dhe më gëzon fakti që njësia implementuese e projektit do këtë përkrahjen ë duhur prej konsulencën ndërkombëtare”, tha ai.