ATV

Category: Lajme

  • ​Gazi lotsjellës në Kuvend: Pal Lekajt nuk i kujtohet, Konjufca mbrohet në heshtje

    ​Gazi lotsjellës në Kuvend: Pal Lekajt nuk i kujtohet, Konjufca mbrohet në heshtje

    Në Gjykatën Themelore është mbajtur seanca e radhës për Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

    Me këtë rast, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, si dëshmitar në rastin e Konjufcës, tha se nuk i kujtohet nëse në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit ishte hedhur gaz lotsjellës dhe nëse është ndërprerë ajo mbledhje.

    Po ashtu, Lekaj e ka përsëritur se nuk i kujtohet nëse i pandehuri Glauk Konjufca ka marrë pjesë në atë mbledhje.

    Këtë deklaratë, Lekaj e bëri duke i përgjigjur pyetjeve të prokurorit të shtetit, Besart Mustafa.

    Ndërkaq, në seancën e mbajtur për hedhjen e gazit lotsjellës të datës 10 gusht të vitit 2016, është aprovuar propozimi i prokurorit Mustafa që e njëjta mbledhje të administrohet si provë për seancën përfundimtare.

    Në fund, i pandehuri Konjufca i akuzuar për rastin e hedhjes së gazit lotsjellësit, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje dhe t’i qëndrojë mbrapa deklaratave të mëhershme.

    “Gjyqtare, unë deklaratën kryesore e kam dhënë në fazat e mëhershme, asaj i përmbahem kështu që po e zgjedh opsionin e mbrojtjes në heshtje ashtu siç ma mundëson edhe ligji”, deklaroi Konjufca.

    Pas përfundimit të deklaratës së Konjufcës, avokatja mbrojtëse e tij, Arbnora Zeqiri, ka kërkuar kohë shtesë për fjalën përfundimtare të seancës.

    Në fund, është vendosur që seanca përfundimtare të mbahet të premten e kësaj jave në ora 13:00.

  • Britania i sanksionon udhëheqësit e burgut ku vdiq Navalny

    Britania i sanksionon udhëheqësit e burgut ku vdiq Navalny

    Britania e Madhe ka vendosur sanksione të mërkurën kundër gjashtë udhëheqësve të burgut të largët të Arktikut, ku vdiq lideri opozitar rus, Alexei Navalny, javën e kaluar.

    Të sanksionuarit, përfshirë kryetarin dhe pesë nënkryetarët e burgut, e kanë të ndaluar hyrjen në Britani të Madhe tani, ndërsa asetet e tyre do të ngrihen, tha sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron.

    “Është e qartë se autoritetet ruse e kanë parë Navalnyn si kërcenim dhe vazhdimisht u përpoqën ta heshtnin”, tha Cameron.

    “Personat që janë përgjegjës për trajtimin brutal që ia bënë Navalnyt duhet të jenë shumë të vetëdijshëm se ne do t’i mbajmë përgjegjës”, shtoi ai.

    Autoritetet ruse në Arktik njoftuan më 16 shkurt për vdekjen e Navalnyt.

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e promovoi zëvendësdrejtorin e Shërbimit të Burgjeve të Rusisë (FSIN), Valery Boyarinev, në gradën e gjeneral-kolonelit, vetëm tri ditë pas vdekjes së kritikut të zëshëm të Kremlinit në burgun e Arktikut, tha të martën një bashkëpunëtor i Navalny.

    Kremlini – i cili për shumë vite e ka shmangur përmendjen e Navalnyt përmes emrit – e theu heshtjen zyrtare më 19 shkurt duke thënë se një hetim është duke u kryer dhe se do të bëhet sipas ligjit rus.

    Vendndodhja e trupit të Navalnyt nuk është bërë e ditur nga autoritetet ruse, ndërsa përpjekjet për ta gjetur atë janë ndaluar.

    Yulia Navalnaya, bashkëshortja e liderit të ndjerë opozitar rus, i ka akuzuar autoritetet ruse se po e fshehin trupin e Navalnyt, pasi po presin që të zhduken prej trupit të tij gjurmët e agjentit nervor Noviçok.

    Më shumë se 67.000 qytetarë rusë i kanë dërguar letra Komisionit Hetues të Rusisë, duke i kërkuar që trupi i Alexei Navalnyt t’i kthehet familjes, raportoi të martën mediumi Meduza.

    Perëndimi e ka akuzuar shtetin rus në krye me Putinin për vrasjen e tij.

    Navalny ka qenë i dënuar me më shumë se 19 vjet burgim për akuza që ai dhe mbështetësit e tij i kanë konsideruar të motivuara politikisht.

    Ai ishte helmuar më 2020 me agjent nervor Noviçok, dhe atëbotë pati fajësuar aparatin shtetëror, në krye me Putinin, për atë vendim.

    Navalny ishte shëruar në Gjermani pas helmimit, dhe në ditën e kthimit në Rusi, ishte dërguar në burg./REL/

  • Lladrovci i vetmi nga PDK-ja që merr pjesë në takimin me Kurtin

    Lladrovci i vetmi nga PDK-ja që merr pjesë në takimin me Kurtin

    Drenasi është ndër komunat e vetme nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) që mori pjesë në takimin e sotëm me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Lidhur me këtë, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se nuk merr leje dhe nuk e pyet askënd për të marrë pjesë në takime të tilla, që sipas tij kanë interes për buxhetin e komunës.

    Pas takimit mes Kurtit dhe 15 përfaqësuesve të komunave, në një prononcim për media, Lladrovci vlerësoi se buxheti i ndarë për këtë komunë nga qeveria aktuale është i vogël por i përballueshëm.

    Ai shtoi se morën premtime nga kryeministri dhe ministrat, por që sipas tij mbetet të shihet se çfarë do të përfitojnë.

    Lladrovci potencoi se në takim u diskutua edhe për mundësitë e rritjes së buxhetit për qytetarët e Komunës së Drenasit.

    “Unë jam kryetar i Komunës së Drenasit dhe nuk marrë as leje as nuk pyes askënd. Këtu kishte kryetar komunash, kishte zëvendëskryetar komunash që ishte një prani e mirë… Unë kam interes për komunën time, biseduam me kryeministrin, me ministrat e linjave që të sigurojmë sa më shumë buxhet për qytetarët e Komunës së Drenasit… Unë nuk bëj statistika të rritjes së buxhetit, i kam statistikat vetëm të komunës time, ne kemi buxhet të vogël, por të përballueshëm. Andaj, edhe sot isha aty me qëllim që të kërkojmë sa më shumë buxhet, sepse kemi mundësi nga Ministritë e linjave. Buxheti i cili është ndarë për investime të komunave, për të marrë sa më shumë investime… Premtime edhe kemi marrë, por edhe kemi diskutuar, pastaj shqyrtohen në qeveri dhe pas aplikimeve që do t’i bëjnë në ministritë përkatëse do të shohim se sa do të përfitojmë buxhet për komunën tonë”, tha Lladrovci.

    Ndërkaq, sot u mbajt takimi i gjashtë me radhë i këtij lloji me kryetarët e komunave.

    Ndër çështjet më të rëndësishëm dhe urgjente sipas kryeministrit Kurti, që janë diskutuar në këtë takim janë regjistrimi i popullsisë dhe problemi me qentë endacak. /kp

  • Deliu-Kodra për dështimin e mbledhjes së Kryesisë: Po shohim degradim e zvarritje në punën e institucionit

    Deliu-Kodra për dështimin e mbledhjes së Kryesisë: Po shohim degradim e zvarritje në punën e institucionit

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, konsideron se ka degraduar puna në Kuvendin e Kosovës, pasi po zvarriten shumë pikat të rendit të ditës, raporton Ekonomia Online.

    Pas dështimit të mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Deliu-Kodra, tha se kërkesa e tyre për Projekt-rezolutën për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës, do të diskutohet javën e ardhshme.

    “E pat se sot nuk kishte kuorum për mbledhje po e shohim që ka një degradim të punës, janë disa pika që presin të shqyrtohen e ne kemi zvarritje në punën e institucionit. Javën e ardhshme PDK-ja do ta shqyrtoj migrimin e qytetarëve të Kosovës, do të shohim nëse Qeveria do jetë prezentë”, tha ajo.

  • Mblidhet Kryesia e Kuvendit, vendos për seancë

    Mblidhet Kryesia e Kuvendit, vendos për seancë

    Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka thirrur mbledhje të mërkurën, ku në rend dite është edhe Projekt-rezoluta për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës.

    Rendi i ditës:

    I. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,

    II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8 dhe 14 shkurt 2024:

    1. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,
    2. Votimi në lexim të dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave, nr. 08/L-247,
    3. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
    4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-243 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L–037 për metrologji,
    5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-186 për rregullat e trafikut rrugor,
    6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    7. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
    8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-262 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr.05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative faza e dytë,
    9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues,
    10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-264 për rininë,
    11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme,
    12. Shqyrtimi i parë Projektligjit nr.08/L-272 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-010 për Noterinë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-149,
    13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
    14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-267 për letërnjoftimin,
    15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-269 për kontrollin e kufirit shtetëror,
    16. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-274 për Shërbimet Private të Sigurisë,
    17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-282 për statusin, qëndrimin e përkohshëm dhe kalimin transit të forcave të huaja të armatosura në territorin e Republikës së Kosovës,
    18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-286 për shtetësinë e Kosovës,
    19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë së Kosovës,
    20. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,
    21. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-278 për faturat e kulturave bujqësore dhe fletëmagazinave,
    22. Votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,
    23. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
    24. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2022,
    25. Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2022,
    26. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2022,
    27. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes,
    28. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.2003/5 për farërat,
    29. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit,
    30. Shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012 – 2021”.

    III. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës:

    1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
    2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
    3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
    4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
    5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
    6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
    7. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,
    8. Votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,
    9. Votimi i Projektligjit nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,
    10. Votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFW, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,
    11. Votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,
    12. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës,
    13. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave,
    14. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-277 për sport,
    15. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-270 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat,
    16. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”,
    17. Votimi për themelimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Organit Shqyrtues të Prokurimit,
    18. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës,
    19. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,
    20. Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga shoqëria civile.

    IV. Propozimi i Seancës plenare të veçantë:

    1. Pyetjet parlamentare.

    V. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave

  • Damati në rastin e Konjufcës: S’ka elemente të veprës penale, qëllimi ishte mbrojtja e 8 mijë hektarë toke

    Damati në rastin e Konjufcës: S’ka elemente të veprës penale, qëllimi ishte mbrojtja e 8 mijë hektarë toke

    Musa Damati, avokat i deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, ka deklaruar se aktakuza e Prokurorisë ndaj kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk ka elemente të veprës penale dhe se qëllimi ishte mbrojtja e 8 mijë hektarë toke në rastin e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, raporton Ekonomia Online.

    Sipas Damatit, veprimet politike nuk duhet të gjykohen, teksa kërkon nga institucionet e drejtësisë të merren me krimet e organizuara.

    “Veprime këto të cilat ishin bërë nga një numër i deputetëve të opozitës së asaj kohe me rastin e demarkimit kufirit si pjesë e kundërshtimit të demarkacionit me Malin e Zi e cila kishte për synim që Kosovës t’i kursente në aspektin territorial rreth 8 mije hektar tokë dhe unë mendoj si avokat si veprime të tilla politike si pjesë e rezistencës politike të deputeteve të opozitës në atë kohë ato veprime ishin të drejta dhe se nuk do duhej të rezultonin dhe të konkretizoheshin me aktakuza të tilla të pabazuar nga ana e Prokurorisë së Shtetit dhe Gjykatat tona duhet të merren me trajtimin e çështjeve të profileve të larta qe kanë të bëjë me krimet e organizuara e të cilët janë edhe të shenjëstruara nga e BE dhe jo të trajtojnë një numër të caktuar të deputeteve të opozitës duke i akuzuar atë për veprimet e tyre politike sepse në rastin konkret nuk kemi të bëjë dhe nuk kemi elemente  te veprës penale të cilat konsistojnë në krimin e figurës të posaçme të veprës penale me rastin e përdorimit që ndërlidhen me përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm në këtë çështje”, tha Damati.

  • Deçani bëhet me kryetar të ri të Bashkësisë Islame

    Deçani bëhet me kryetar të ri të Bashkësisë Islame

    Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan ka njoftuar se sot i ka mbaruar mandati Rasim Bytyqit, kryetarit të Bashkësisë Islame atje.

    Detyrën tash e ka marrë Naser Tolaj, njofton Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan.

    “Me rastin e mbarimit të mandatit, sot më datë 21 shkurt 2024, kryetari i deri tanishëm Rasim ef. Bytyqi ia dorëzoi detyrën kryetarit të ri, Naser ef. Tolaj”.

    Njoftim i plotë:

    Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan

    Sot u bë Pranim-dorëzimi i detyrës së Kryetarit të KBI-së në Deçan

    Me rastin e mbarimit të mandatit, sot më datë 21 shkurt 2024, kryetari i deri tanishëm Rasim ef. Bytyqi ia dorëzoi detyrën kryetarit të ri, Naser ef. Tolaj

    Në fjalën e tij, z. Bytyqi i falënderoi të gjithë kolegët nga sektorët e KBI-Deçan me të cilët punoi dhe bashkëpunoi gjatë këtyre dy mandateve si kryetar, 2016-2024. Po ashtu, ai i dëshiroi shumë shëndet e suksese kryetarit Naser ef. Tolaj duke i ofruar bashkëpunim të plotë në çdo aspekt.

    Pas pranimit të detyrës, kryetari i KBI-së në Deçan Naser ef Tolaj e falënderoi kryetarin Bytyqi për kontributin e madh që ka dhënë gjatë kësaj periudhe, si dhe i dëshiroi suksese në detyra të tjera në kuadër të Bashkësisë Islame. Kryetari, z. Tolaj tha se do të vazhdojmë punën aty ku ka mbetur dhe ofroi bashkëpunim të plotë për të gjithë, në interes të KBI- Deçan xhematit dhe vendit tonë.

    Ceremonia solemne u mbajt në selinë e Këshillit të Bashkësisë Islame të Deçanit

    Antarët e rinjë të KBI- Deçan janë:

    1 Naser Tolaj kryetar

    2 Festim Kerolli anatrë

    3 Isuf Lokaj anatarë

    4 Besim Halilaj antarë

    5 Gëzim Qorraj antarë

    6 Rasim Bytyqi antarë

    7 Qendrim Kameraj antarë

    Zoti na dhashtë të mbarën!

    Me respekt KBI-Deçan

  • Ali Ahmeti thotë se nesër në 11:00 do ta japë “lajmin e madh”

    Ali Ahmeti thotë se nesër në 11:00 do ta japë “lajmin e madh”

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti nesër do të paraqitet në Facebook, ku ka paralajmëruar se do ta japë “lajmin e madh”.

    Nesër në orën 11:00, kryetari i BDI-së do të flasë drejtpërdrejt. Kështu thuhet në njoftimin në faqen e Ali Ahmetit në Facebook.

    Ndërsa zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale po afrohen, BDI-ja nuk ka vendosur ende nëse do të garojë e vetme, apo në ndonjë koalicion. Ndërkohë, disa parti opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë bërë bashkë në një koalicion, duke e kandiduar Arben Taravarin për president të RMV.

    BDI është partia më e madhe e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

  • Bujqit në Greqi protestojnë para Parlamentit kundër çmimit të naftës

    Bujqit në Greqi protestojnë para Parlamentit kundër çmimit të naftës

    Bujqit grekë kanë protestuar duke i rënë borive të traktorëve të tyre pranë ndërtesës së Parlamentit grek të mërkurën, pasi e kaluan natën në qendër të Athinës për ta kundërshtuar rritjen e çmimit të karburantit dhe kostos së prodhimit për të dytën ditë radhazi.

    Së paku 8.000 bujq, bletarë dhe mbarështues të blegtorisë iu bashkuan protestës në sheshin “Syntagma” të martën, duke i bërë jehonë protestave të ngjashme nëpër Evropë.

    Shumë prej tyre e kaluan natën në shesh, para se të fillonin të lëviznin të mërkurën.

    “Ne e morëm këtë vendim dhe tani po presim rezultatin”, tha bujku Konstantinos Kyriakopoulos, 34 vjeç, nga rajoni jugor i Greqisë, Mesinia.

    Bujqit thonë se janë prekur edhe nga ndryshimi klimatik, pasi vërshimet e paparashikueshme, të nxehtit ekstrem dhe zjarret janë duke e bërë punën e tyre edhe më të rrezikshme.

    Ata i kanë bllokuar shkurtimisht rrugët dhe pikëkalimet për disa javë, derisa sindikatat e tyre kanë biseduar me qeverinë konservatore të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për ndihmë financiare.

    Fermerët polakë bllokojnë kufirin me Ukrainën për shkak të mospajtimeve për grurin
    Qeveria u ka ofruar atyre deri tani zbritje në faturën e rrymës dhe zgjatjen e zbritjes tatimore për naftën në bujqësi deri në fund të vitit 2024.

    Qeveria greke ka thënë se është e gatshme të bisedojë për një skemë të përhershme për zbritje tatimore, por nuk ka shanse për koncesione shtesë këtë vit.

    Në Indi, policia përdori gaz lotsjellës të mërkurën për t’i shpërndarë mijëra bujq protestues, të cilët kërkuan ta rifillonin një marsh në Nju Delhi, pasi e hodhën poshtë një ofertë të Qeverisë për çmimet e produkteve të tyre./REL/

  • Konjufca: Kritikat e ShBA-së ndaj Kosovës janë të qëlluara

    Konjufca: Kritikat e ShBA-së ndaj Kosovës janë të qëlluara

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka komentuar raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai tha se raporti i dy palëve është i qetë dhe nuk është për t’u shqetësuar.

    Konjufca tha se i mirëkuptojnë kritikat që SHBA-ja i jep Kosovës, sepse sipas tij janë kritika të qëlluara.

    “Ai theksoi se SHBA-ja Kosovën e sheh nga një nivel më i lartë Evropian, ndërsa vendi ynë situatën e njëjtë e sheh në një perspektivë tjetër dhe për këtë arsye vërejtjet e tyre janë më ndryshe”, tha ai pas një gjykimi në Gjykatën Themelore.