ATV

Category: Lajme

  • Burri dëbon gruan dhe fëmijët nga shtëpia

    Burri dëbon gruan dhe fëmijët nga shtëpia

    Në raportin 24 orësh të policisë, thuhet se në Vushtrri është arrestuar një person, pasi dyshohet se ka dëbuar familjen e tij nga shtëpia.

    Sipas policisë, pas një mosmarrëveshje me gruan e tij, i dyshuari i ka thënë të njëjtës që së bashku me fëmijët e tyre të dalin nga shtëpia.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

  • Musk: Pacienti me çipin e “Neuralinkut” e ka lëvizur miun kompjuterik me mendime

    Musk: Pacienti me çipin e “Neuralinkut” e ka lëvizur miun kompjuterik me mendime

    Pacienti i parë njeri të cilit iu vendos një çip në tru nga “Neuralink” duket se është rikuperuar plotësisht dhe është në gjendje të kontrollojë miun kompjuterik përmes mendjes, ka thënë krijuesi i kompanisë, Elon Musk.

    “Progresi është i mirë, dhe pacienti duket se është rikuperuar plotësisht, pa ndonjë efekt anësor. Pacienti është i aftë ta lëvizë miun nëpër ekran vetëm me mendje”, ka shkruar Musk në platformën “X”.

    Musk ka shtuar se “Neuralink” tani po përpiqet të sigurojë që pacienti të klikojë butonin e miut sa më shumë.

    Kompania me sukses e vendosi çipin në pacientin e parë njeri muajin e kaluar, pasi mori aprovimin për testime në njerëz.

    Çipi vendoset në pjesën e trurit që jep mesazhet për të lëvizuar, ka thënë Neuralink, duke shtuar se qëllimi fillestar ka qenë që t’i bëjë njerëzit ta kontrollojnë një pajisje kompjuteri duke përdorur mendjen e tyre.

  • Sërish gara ilegale në rrugët e Kosovës, policia zë në flagrancë disa shoferë – shqipton gjoba nga 500 euro

    Sërish gara ilegale në rrugët e Kosovës, policia zë në flagrancë disa shoferë – shqipton gjoba nga 500 euro

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se kanë arritur të parandalojnë gara ilegale, në dy raste.

    Siç njofton policia, gjatë orëve të mbrëmjes, përkatësisht pas orës 21:00 të së dielës kanë zënë në flagrancë në dy rrugë shoferët duke bërë gara ilegale.

    Sipas policisë, në rrugën Agim B. Qelaj në Pejë, kanë kapur në shofer duke vozitur me shpejtësi 132 Km në zonën ku shpejtësia është e kufizuar 40 Km. Vozitësit i është shqiptuar gjoba në shumë prej 500 Euro pesë pike negative.

    Po ashtu në rrugën Agim B. Qelaj në Pejë, kanë kapur një shofer duke vozitur 111 Km në zonën ku shpejtësia është e kufizuar 40 Km. vozitësit i është shqiptuar gjoba në shumë prej 500 Euro pesë pike negative

    “Ekipet e NJRKRR në Pejë, gjatë implementimit të Planit Operativë “Rregullimi i komunikacionit dhe parandalimi i garave ilegale” me datë 18. 02. 2024 gjatë orëve të mbrëmjes pas orës 21:00 kanë zanur në flagrancë në dy rrugë duke bërë gara ilegale:

    1. Në rrugën Agim B. Qelaj në Pejë, vozitje 132 Km në zonen ku shpejtësia është e kufizuar 40 Km. vozitësit i është shqiptuar gjoba në shumë prej 500 Euro pesë pike negative.
    2. Në rrugën Agim B. Qelaj në Pejë, vozitje 111 Km në zonën ku shpejtësia është e kufizuar 40 Km. vozitësit i është shqiptuar gjoba në shumë prej 500 Euro pesë pike negative

    3. Në magjistralen Pejë-Deçan- Gjakovë, në fsh. Rastavicë në dy raste vozitësve të cilët kanë bërë tejkalim të rrezikshëm, duke Rrezikuar trafikun rrugor. Në të dy rastet vozitësve u është shqiptuar gjoba në shumë prej 150 Euro dhe një pikë negative”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovë.

    Në dhjetor të vitit të kaluar tre të rinj humbën jetën si pasojë e garave të jashtëligjshme automobilistike.

    Pas këtij rasti, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla paralajmëroi ashpërsim të dënimeve për shkeljet në komunikacion.

    Sveçla tha se me ligjin e ri për rregullat e trafikut rrugor parashihet dhe do të ketë ashpërsim të masave ndaj shkelësve në komunikacion, ndër të tjera dyfishim të gjobave të vlerës monetare, dyfishim të afateve kohore të konfiskimit të patentë shoferëve dhe dyfishim të pikëve negative.

  • 79 vjet nga vrasja e Shaban Polluzhës

    79 vjet nga vrasja e Shaban Polluzhës

    Më 21 shkurt të vitit 1945 në fshatin Tërstenik të Drenicës vritet Shaban Polluzha, njëri ndër komandantët më të njohur të zonës së Drenicës gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Shaban Polluzha rrjedh nga një familje me gjendje ekonomike mesatare. Shabani nuk ishte i arsimuar, por si i ri u inkuadrua në jetën politike, të cilën ia imponuan rrethanat dhe padrejtësitë e regjimeve pushtuese.

    U përball me bullgarë e austriak gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe me regjimin e Jugosllavie borgjeze. Gjatë mbretërisë jugosllave ishte i inkuadruar në jetën politike, kryetar e deputet. Shpesh konfrontohej me qarqet e regjimit antipopullorë dhe për një kohë u detyrua të kalojë në ilegalitet në Shqipëri.

    Gjatë Luftës se Dytë Botërore ishte komandant i një pjese të frontit në Mal të Zi, Kollashin dhe Sanxhaku i Tregut të Ri, ku u dallua për organizim e strategji. Ishte anëtar i Këshillit të Islihatit (gjyqit paqetues) dhe me propozimin e Miftar Bajraktarit e emërojnë kryetar të Islihatit në Drenicë. Shaban Polluzha kishte edhe taktikë politike.

    Ai me strategji politike kishte bërë njëfarë lidhje formale dhe mashtruese me qarqet komuniste, por në realitet ai asnjëherë këtë ideologji nuk e pranoi si ideologji që do të zgjidhte çështjen shqiptare. Për këtë paria dhe këshilli organizativ i Kuvendit të Skenderajt e propozuan për komandant të Brigadës së Drenicës. Dihet mirëfilli se pas kapitullimit të Italisë fashiste (shtator 1943) Shtabi Suprem i UNÇJ-së shtoi aktivitetin e vet ushtarak, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare dhe deri në nëntor 1944 (por edhe më herët) në këto hapësira, u formuan njësitë e shumta të “UNÇJ-së”, duke filluar nga çetat, aradhet, batalionet e deri në brigada.

    Këto formacione partizane edhe pse u formuan në truallin shqiptar nuk u formuan për të mirën e shqiptarëve. Në gjysmën e dytë të vitit 1944,derisa forcat aleate (amerikane-angleze-ruse…)përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Titoja do t´i shfrytëzojë këto rrethana, për luftimin e forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare dhe ripushtimin e Kosovës. Për t´i realizuar më lehtë synimet e saj ,udhëheqja jugosllave, në fillim të janarit 1945 urdhëron mobilizimin e “brigadave të Kosmetit” për t´i dërguar në Frontin e ashtuquajtur të Sremit-në Serbi.

    Ndonëse qendra e rezistencës shqiptare në gjysmën e dytë të dhjetorit 1944-janar 1945 ishte përqendruar në Drenicë, ”Shtabi Operativ i Kosmetit”,urdhëroi Shaban Polluzhën që ta lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës, për t´u bashkuar me Brigadën VII, e cila po marshonte për Serbi.

    Shtabi i Brigadës së Drenicës largimin nga Kosova do ta kushtëzojë me ndërprerjen e vrasjeve dhe të plaçkitjeve mbi popullsinë civile nga ana e ushtrisë jugosllave, mirëpo pas dështimit të nënshtrimit të Shaban Polluzhës më 25 janar, nisin operacionet ushtarake në shkallë të gjerë për asgjësimin e Brigadës së tij.

    Në këto operacione antishqiptare morën pjesë divizionet 24, 26, 44, 46, 52 të Serbisë. Divizionet 41 dhe 50 të Maqedonisë, grupi i brigadave të Malit të Zi (brigada e I e Bokës dhe brigada e VI) dhe repartet speciale të OZN-s të drejtuara nga Spasoje Gjakoviq. Në kohën kur forcat jugosllave zhvillonin operacionet më të përgjakshme në Drenicë, më 8 shkurt 1945, komandanti suprem i UNÇJ-së J.B. Tito me urdhër të veçantë nr.31 vendosi administrimin ushtarak në Kosovë.

    Këtë vendim Titoja e mori më 7 shkurt 1945 në Beograd, në një takim me ushtarakët serb Savo Dërleviqin, Gjuro Medenicën dhe Kërsto Filipoviqin. Me këtë urdhër, i tërë pushteti në Kosovë do t´i kalojë një grupi të caktuar ushtarakësh serbo-malazez, të cilët do të ushtronin pushtetin politik, ekzekutiv dhe atë gjyqësor.

    Kjo makineri ushtarake në Kosovë duke i marrë të gjitha masat gjoja për “spastrimin” e terrenit nga “mbeturinat e fashizmit” dhe “kundërrevolucionarët” vrau e masakroi pamëshirë mijëra shqiptarë gjithandej Kosovës.

    Në këtë fushatë të egër ushtarake më 21/22 shkurt 1945 u shua me gjak edhe kryengritja e Drenicës, pas vrasjes së tribunëve popullorë Shaban Polluzha e Mehmet Gradica në kullat e Dvoranëve në Tërstenik.

    Shaban Polluzha në vitin 2009 është dekoruar me medaljen “Heroi i Kosovës” nga ish-presidenti, Fatmir Sejdiu./KP/

  • Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Të matën në këtë proces ka dëshmuar dëshmitari i 45-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04576, Hajrush Kurtaj, në gjykimin ndaj Hashim Thaci, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Ky dëshmitar dëshminë e tij e pati filluar me 1 shkurt.

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dje ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i i 46-të i ZPS-së në me kodin W00498, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

  • Mblidhet Kryesia e Kuvendit

    Mblidhet Kryesia e Kuvendit

    Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

    Anëtarët e kryesisë do të mblidhen me fillim nga ora 13:00, për të diskutuar pikat e rendit të ditës.

    Rendi i ditës është si në vijim:

    I. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,

    II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8 dhe 14 shkurt 2024:

    1. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,
    2. Votimi në lexim të dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave, nr. 08/L-247,
    3. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
    4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-243 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L–037 për metrologji,
    5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-186 për rregullat e trafikut rrugor,
    6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    7. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
    8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-262 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr.05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative faza e dytë,
    9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues,
    10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-264 për rininë,
    11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme,
    12. Shqyrtimi i parë Projektligjit nr.08/L-272 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-010 për Noterinë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-149,
    13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
    14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-267 për letërnjoftimin,
    15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-269 për kontrollin e kufirit shtetëror,
    16. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-274 për Shërbimet Private të Sigurisë,
    17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-282 për statusin, qëndrimin e përkohshëm dhe kalimin transit të forcave të huaja të armatosura në territorin e Republikës së Kosovës,
    18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-286 për shtetësinë e Kosovës,
    19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë së Kosovës,
    20. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,
    21. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-278 për faturat e kulturave bujqësore dhe fletëmagazinave,
    22. Votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,
    23. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
    24. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2022,
    25. Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2022,
    26. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2022,
    27. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes,
    28. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.2003/5 për farërat,
    29. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit,
    30. Shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012 – 2021”.

    III. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës:

    1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
    2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
    3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
    4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
    5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
    6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
    7. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,
    8. Votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,
    9. Votimi i Projektligjit nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,
    10. Votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFW, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,
    11. Votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,
    12. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës,
    13. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave,
    14. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-277 për sport,
    15. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-270 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat,
    16. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”,
    17. Votimi për themelimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Organit Shqyrtues të Prokurimit,
    18. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës,
    19. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,
    20. Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga shoqëria civile.

    IV. Propozimi i Seancës plenare të veçantë:

    1. Pyetjet parlamentare.

    V. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave

  • Pagat e ulëta, 250 punëtorë të UP-së dhe Qendrës Studentore në grevë

    Pagat e ulëta, 250 punëtorë të UP-së dhe Qendrës Studentore në grevë

    Sot prej orës 07:00 të mëngjesit të gjithë punëtorët teknik dhe ata të sigurimit fizik të Universitetit te Prishtinës dhe Qendrës Studentore do të hynë në grevë për shkak të pagave të ulëta.

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka njoftuar se numri i atyre që do të futen nesër në grevë është rreth 250 për shkak të pagave të ulëta.

    “Nesër me 21.02.2024 që nga ora shtatë e mëngjesit të gjithë punëtorët teknik dhe ata të sigurimit fizik të Universitetit te Prishtinës dhe Qendrës Studentore do të hynë në grevë për shkak të pagave te ulta. Numri i grevistëve është rreth 250”, njofton Azemi.

  • Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare

    Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare

    Nën patronazhin e UNESCO-s dhe Byrosë rajonale për shkencë dhe kulturë në Evropë, sot shënohet Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare.

    Mbrojtja e gjuhëve në botë, lufta kundër zhdukjes së tyre dhe ruajtja e identitetit të kombeve nëpërmjet gjuhës, janë qëllimet kyçe të manifestimeve që sot (21 shkurt) do të organizohen në suaza botërore.

    Analizat e UNESKO-s tregojnë se mund të zhduken rreth 2.500 gjuhë nga pothuajse 6.000 që fliten në botë. Në 90 vitet e kaluara janë zhdukur rreth 200 gjuhë, ndërsa 199 i flasin më pak se dhjetë njerëz. E fundit që është zhdukur është gjuha “ajake”, të cilën e folur një grua e cila ka vdekur në vitin 2008 në Aljaskë.

    Arsyet kryesore për zhdukjen e gjuhëve janë luftërat dhe dëbimi i detyrueshëm. Emigrantët gjithashtu e përziejnë gjuhën amtare me gjuhën e shtetit në të cilin jetojnë që të integrohen më mirë. Megjithatë, ka shembuj, më së shumti në Australi, ku gjuhët të cilat janë “nën kërcënim” i flasin të rinjtë, tha një përfaqësues i UNESKO-s.

    Tridhjetë nga gjuhët që fliten në Francë midis të cilave edhe normane dhe bretonike, janë “nën kërcënim të fuqishëm të zhdukjes”.

  • Sot vazhdon seanca gjyqësore ndaj Konjufcës për gazin lotsjellës

    Sot vazhdon seanca gjyqësore ndaj Konjufcës për gazin lotsjellës

    Këtë të mërkurë nga ora 10:00 pritet të mbahet seanca gjyqësore ndaj kryetarit të kuvendit, Glauk Konjufca, i cili akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend.

    Në rastin e Konjufcës sot pritet të dëshmojë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

    Dëshmitari i fundit në rastin e Konjufcës qe ish-deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti.

    Konjufca akuzohet se në gusht të 2016-s, në cilësinë e deputetit ka hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit dhe ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

  • 35 vjet nga greva e nëndheshme e minatorëve

    35 vjet nga greva e nëndheshme e minatorëve

    Përgatiti: Armand Hoti

    Rezistencën ndaj ish-regjimit kasapit të Ballkanit, minatorët e minierës së “Trepçës” në Stan Tërg, e bënë nën tokë. 1300 minatorë besnikë të idealit kombëtar, për tetë ditë e tetë net qëndruan larg familjeve, në horizontet e errëta të minierës.

    Për dikë, dalja në sipërfaqe do të ishte edhe më e hidhur se qëndrimi në horizontet e minierës.

    “I ka ardhur lajmi që gruaja tashmë i ka vdekur, ai ka thënë nuk dal, që jemi gjallë e shohim të pamën”, tha Rrahman Beqiri, minator grevist.

    Por, greva e ‘89-ës u shndërrua në simbol uniteti për shqiptarët gjatë asaj kohe të cilët u dolën në krah punëtorëve të nëndheshëm. Për t’ua siguruar ushqimin, u mobilizua vetë populli.

    “Unë vetëm podrumet e mensës çfarë kam parë të paketume, miell, sheqer, ilaçe çfarë jo, kanë qenë këtu të rezervuara”, tha Beqiri.

    “Ka qenë një Baran i kanë thënë nuk e di kush kanë qenë ata, që e ka sjellë lopën dhe e kanë lidhur këtu te kapija, lopën e vet e ka sjellë dhe ka thënë se kjo është vetëm për minatorë”, tha Fehmi Hajredini, minator grevist.

    Kurse greva mori edhe vëmendjen rajonale e ndërkombëtare.

    “Telegrame dhe përkrahje kanë ardhur nga të gjitha anët e ish-Jugosllavisë sidomos nga Sllovenia, Kroacia nga viset e banuara me shqiptarë të Malit të Zi, por përkrahje kemi pasur edhe nga minatorët e minierave të perëndimit”, tha Hajredini.

    Ndonëse të lirë, gjeneratat e reja të minatorëve të “Trepçës”, nuk janë të kënaqur me atë që gjiganti metalurgjik ofron. Kjo u manifestua me greva të shpeshta, duke kulmuar me grevën e tetorit të vitit të kaluar që zgjati dhjetë ditë.

    Por, në përvjetorin e 35-të të grevës së lavdishme të minatorëve, për vizitë ishin edhe pushtetarët, të cilët premtuan angazhim për një “Trepçë” më të mirë.

    “Sektorin e minierave do ta modernizojmë me qasje të arsyeshme ekonomike, teknologjike, sociale, por edhe mjedisore”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

    Minatorët dolën në sipërfaqe, pasi morën lajmin për dorëheqjen e krerëve të Lidhjes Komuniste të Kosovës.