ATV

Category: Lajme

  • Rashiq: Nuk kam ndonjë kundërshtim me veprimin e BQK-së, brengosem për mungesën e një afati për rrugë alternative

    Rashiq: Nuk kam ndonjë kundërshtim me veprimin e BQK-së, brengosem për mungesën e një afati për rrugë alternative

    Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se nuk ka asnjë kundërshtim me dokumentin e BQK-së si të tillë, mirëpo ai thotë se brenga e vetme e tij është se mos krijimi i një afati apo mundësie që të sensibilizohet opinioni për të hapë rrugë alternative.

    “Sa i përket një veprimi të tillë nga BQK, askush dhe unë personalisht, pasi që nuk kam pasur informacione sepse kam qenë atë janë vë Uashington dhe kur erdha, ose kur lexova që një gjë e tillë ka ndodhur, prej momentit kur edha, shkova së pari te guvernatori Ahmet Ismaili dhe për herë të parë e kam pasur atë dokument, dhe unë e analizova, e lexova, takova edhe kryeministrin pastaj, dhe atë si dokument, askush nga ne nuk mund ta kundërshtoj si të tillë. Por, ne e kemi një brengë shumë të madhe e cila është sa i përket afatit ose mos krijimin e mundësisë të afatit për një përgatitje ose një fushatë senzibilizuese , e cila do të mundësonte që ata persona që i përmenda do ta kishin pasur një shansë korrekte që ta marrin informacionin së pari dhe së dyti të hapin rrugë alternative, ku do të thotë a është hapja e një xhirollogarie në NLB apo diku tjetër ose çdo veprim që do të kishin mundur ta kenë”, tha Rashiq. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë mund ta shikoni në videon më poshtë:

  • Diskutim sekret për tentim atentatin ndaj Kurtit

    Diskutim sekret për tentim atentatin ndaj Kurtit

    Përgatiti: Haris Ademi

    Asgjë çka u fol brenda sallës në Komisionin për Mbikëqyrje të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, nuk u bë e ditur jashtë saj. Krejt çka u tha për takimin e së mërkurës me kryespiunin Petrit Ajeti, është vetëm se u diskutua për raportimet mbi tentim-atentatin ndaj kryeministrit Albin Kurti, sa ky ishte në Maqedoni të Veriut, më 10 shkurt.

    Pavarësisht se ishte temë e ditës, kryesuesi Sali Zyba nga Vetëvendosja, interesimin e gazetarëve për këtë temë e quajti të vonë.

    “Është temë e konsumuar, nuk mund të jap detaje…”, tha Zyba.

    Edhe pse tashmë kanë kaluar 11 ditë që nga raportimi i televizionit publik për këtë situatë, Prokuroria Speciale nuk ka kthyer përgjigje për ATV-në nëse ka hapur rast për hetim.

    Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se organet e drejtësisë do të duhej të ishin transparente lidhur me rrezikimin potencial të sigurisë së Kurtit.

    “Publiku ka interes për sigurinë e kryeministrit, presidentit, nuk mund të mbahen konfidenciale. Duhet të tregohet nëse vërtet ka pasur atentat, apo ka qenë lajm i rremë”, tha Miftaraj.

    Ditën kur u raportua, vetë kryeministri e la si pezull mundësinë e atentatit ndaj tij.

    Ndërkaq, këtë e mohoi vetë shteti maqedonas-verior, duke thënë se masat e sigurisë për vizitën e Kurtit kanë qenë sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë.

  • Gati një muaj prej kur i pranoi, KQZ-ja s’e ka përfunduar verifikimin e peticioneve

    Gati një muaj prej kur i pranoi, KQZ-ja s’e ka përfunduar verifikimin e peticioneve

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Gati një muaj ka kaluar prej se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar peticionet për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore.

    Megjithatë, ende nuk dihet nëse është bërë verifikimi i të gjitha nënshkrimeve.

    Madje, KQZ-ja nuk tregoi se edhe sa mund të vonohet ky proces. Detaje, me arsyetimin se kjo i takon KQZ-së, nuk dha as ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ndonëse mohoi të ketë zvarritje në proces.

    “Besoj që kjo është njëfarë kalkulimi matematikor dhe është aty dhe besoj që ata shumë shpejt do të hapin procesin për nivelin tjetër, por nuk po zvarritet”, tha Krasniqi.

    Sipas udhëzimit administrativ, peticioni i hap rrugë votimit për shkarkimin e kryetarëve në të cilin nevojiten 50 për qind plus një e votuesve të regjistruar.
    E në rast se nisma për shkarkimin e kryetarëve ka sukses, presidentja duhet që jo më larg se 45 ditë nga shkarkimi i kryetarëve, t’i shpallë zgjedhjet e reja.

  • Sistemi i rimbursimit të depozitave mund të realizohet deri më 2025

    Sistemi i rimbursimit të depozitave mund të realizohet deri më 2025

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Shishe të tilla mbase pas një viti do të ketë më pak nëpër rrugë.

    E gjithë kjo falë të ashtuquajturit Sistemit për Rimbursimit të Depozitave.

    Sipas këtij sistemi, qytetarët do mund t’i kthejnë për riciklim shishet e plastikës, qelqit dhe kanaçet e aluminit.

    Fatmir Matoshi, ish-ministër i Infrastrukturës, në kohën e të cilit kishte filluar projekti tha se pas hapjes së thirrjes për Administrator krijohen mekanizma të mbikëqyrjes e më pas krijohen edhe grupet punuese.

    Sipas Matoshit, është e rëndësishme që qytetarët të informohen se nuk do të fitojnë para nga sistemi por çmimi i produktit do të rritet dhe ata do të rimbursohen për vlerën që paguajnë.

    Sistemit më së shumti i janë gëzuar ambientalistët, sipas të cilëve pritet të ketë reduktim të dukshëm të mbeturinave në ambient.

    Sistemin e Rimbursimit të Depozitave tash e shumë vjet e praktikojnë shumë vende në Evropë.

  • Rihapet konkursi për teatër të operës dhe baletit

    Rihapet konkursi për teatër të operës dhe baletit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Në mungesë të kushteve, Opera e Kosovës ka nisur provat para shfaqjes së operës së parë kosovare “Goca e Kaçanikut”, në një sallë private në periferi të Prishtinës.

    Ndonëse, gurthemeli për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit u vendos para 14 vjetësh, Ministria e Kulturës ende nuk arriti as ta zgjedhë projektin ideor të ndërtesës.

    Sidoqoftë, pas dështimit të parë, MKRS-ja e ka rihapur thirrjen për projektimin e këtij objekti të shumëkërkuar.

    Teksa për projektin ideor janë paraparë 2.5 milionë euro, sipas Ministrisë së Kulturës, ndërtimi parashihet të kushtojë 50 milionë euro. Rihapja e konkursit u mirëprit nga komuniteti artistik.

    Megjithatë, mungesa e Teatrit të Operës dhe Baletit po konsiderohet fatkeqësi.

    Pavarësisht se Komuna e Prishtinës ndau tokën për ndërtim, ajo është lënë jashtë procedurave.

    “Kryeqyteti Prishtina nuk ka qenë I përfshirë, pavarësisht se do të duhej domosdoshmërisht të përfshihet në këto procedura”, tha Arbër Sadiki, drejtor i Urbanizmit në Prishtinë.

    Tenderi për përzgjedhjen e projektit ideor ishte anuluar, pas vendimit final të Organit Shqyrtues të Prokurimit. OSHP-ja kishte konstatuar se kompanitë garuese kishin shfaqur identitetin e tyre gjatë aplikimit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

  • I arrestuari nga Serbia, Hasan Dakaj, vizitohet nga familja për herë të parë

    I arrestuari nga Serbia, Hasan Dakaj, vizitohet nga familja për herë të parë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Kjo veturë nuk ka lëvizur nga vendi nga 5 janari. Pronari i saj, Hasan Dakaj, po në këtë datë u ndalua posa nga hyri nga Kosova në Serbi dhe u arrestua nga policia serbe, nën dyshime për krime lufte.

    Gjatë kësaj kohe sa qëndron në paraburgim kontakti mes familjes dhe ish-ushtarit të UÇK-së ishte minimal.

    “Ditën e parë e ka thirrë gruan e tij në telefon 1 minutë, edhe i ka thënë që “gjithçka po bëjnë me trupin tim…”, tha Gëzim Dakaj, vëlla i Hasan Dakajt.

    Por, tani pas pak më shumë se gjashtë javësh, këtë të mërkurë familja e takoi për herë të parë.

    “Sot kanë shku vëllai, gruaja e tij dhe djali. Më herët më shkrujtën që ka përfundu takimi, tash janë duke u kthy…”, tha Dakaj.

    Derisa familja është rrugës për t’u kthyer në Kosovë pas takimit, avokatët po punojnë në lirimin e tij.

    “Rruga drejt lirimit të tij, është e vështirë. Ai po mbahet pa të drejtë dhe pa fakte…”, tha Xhevdet Smakiqi, avokat i Hasan Dakajt.

    Përderisa 45-vjeçari mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Serbi, sipas vëllait të tij, institucionet kosovare nuk u kanë ofruar mbështetje.

    “Përveç shkrimeve në Facebook dhe vizitës së Jetish Jasharit, nuk kanë bërë institucionet asgjë. Ka gruan, djalin më të madh 13 vjeç dhe një fëmijë që ende nuk flet…”, tha Gëzim Dakaj.

    Ndërkaq, banorët e Fshatit Krishë të Prizrenit në të cilin jeton Dakaj, për ta mbështetur familjen kanë mbledhur afro 20 mijë euro.

  • Gjykimi ndaj kryeparlamentarit Glauk Konjufca

    Gjykimi ndaj kryeparlamentarit Glauk Konjufca

    Përgatiti: Nora Luta

    Pak minuta pas orës dhjetë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, arrin në sallën e gjykimit, në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Konjufca po ballafaqohet me akuzat e Prokurorisë për hedhje të gazit lotsjellës, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur në gusht të vitit 2016.

    Por, kryeparlamentari nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes për t’u përgjigjur para gjykatës, duke vendosur të mbrohet në heshtje.

    Paraprakisht, gjatë kësaj seance dëshminë lidhur me ngjarjet e asaj date e dha deputeti Pal Lekaj. Megjithatë, as Lekajt nuk i kujtohet se kush hodhi gaz, e madje as të jetë ndërprerë ndonjë mbledhje e kryesisë.

    Gjatës seancës, gjithashtu, janë administruar provat, përfshirë edhe provë procesverbali i mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, që u propozua nga Prokuroria.

    Në fund të javës, është planifikuar fjala përfundimtare, në këtë rast vepra penale e të cilit, sipas Prokurorisë, është kryer në vitin 2016.

    Konjufca akuzohet se sa ishte deputet hodhi gaz lotsjellës në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

  • BE-ja thërret takim për dinarin në Bruksel, Bislimi thotë se nuk shkon

    BE-ja thërret takim për dinarin në Bruksel, Bislimi thotë se nuk shkon

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Për të diskutuar çështjen e dinarit serb në Kosovë, Bashkimi Evropian ka kërkuar mbajtjen e një takimi në Bruksel javën e ardhshme.

    Teksa tregoi se Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, e ka caktuar takimin dhe temën në agjendë pa dakordim paraprak me të dyja palët, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se nuk do të shkojë në Bruksel.

    “Ka një kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit të monedhave nga Serbia për në Kosovë, por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për marrëveshjen. Do të shohim se kush do të shkojë”, tha Bislimi.

    Paraprakisht, në Çagllavicë, në një diskutim për zhvillimin ekonomik për serbët në Kosovë, zëvendëskryeministri Bislimi njoftoi se pas BQK-së, Qeveria do të ndërmarrë masa tranzitore për ndikimin e rregullores te komuniteti serb.

    “Në ditët në vijim, Qeveria do të dalë me 10 masa, me të cilat do të tregojmë se si do të kujdesemi që qytetarët të mos dëmtohen në këtë fazë kalimtare, por fazë që më pas do të garantonte zbatimin plotësisht të formalizimit të sistemit të pagesave”, tha Bislimi.

    Më 1 Shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e BQK-së, e cila njeh euro si valutë të vetme për pagesa. Më 7 Shkurt, një automjet nga Serbia, që transportonte miliona dinarë, nuk u lejua të hynte në Kosovë.

    Më 12 Shkurt, Banka Qendrore prezantoi periudhën tremujore kalimtare dhe masat lehtësuese, të cilat SHBA-ja i vlerësoi të pamjaftueshme duke kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit dhe një zgjidhje të përkohshme.

    Në këtë fazë nuk ka qartësi se si do të vijohet me pagesat me dinarë, të cilat pjesëtarë të komunitetit serb i përfitojnë nga skemat pensionale dhe sociale të Serbisë.

  • Aliu: Hapet thirrja për aplikim për bashkëfinancimin e projekteve në komuna

    Aliu: Hapet thirrja për aplikim për bashkëfinancimin e projekteve në komuna

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka hapur thirrjen publike për bashkëfinancimin e projekteve nëpër komuna në vlerë prej 17 milionë euro.

    Për këtë thirrje, ka njoftuar Ministri Liburn Aliu, i cili ka treguar kriteret për përzgjedhjen e projektit.

    “Aplikimit tuaj ju lutem që t’i bashkangjitni projektin me paramasë e parallogari dhe të tregoni nëse mund të participoni në financimin e tij”, ka thënë ai.

    Bashkëfinancimi vlen për të gjitha komunat e vendit. Kërkesat do të shqyrtohen në pjesën e parë të muajit mars, derisa në pjesën e dytë të muajit mars do të nënshkruhen memorandumet.

    Ndërkohë, në fillim të muajit prill do të dërgohen për miratim në Qeverinë e Kosovës.

  • Ministri Maqedonci pritet në takim nga homologu finlandez, Antti Hakkanen

    Ministri Maqedonci pritet në takim nga homologu finlandez, Antti Hakkanen

    Më ftesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Finlandës, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka qëndruar në Finlandë, ku është pritur në takim nga ministri i Mbrojtjes, Antti Hakkanen.

    Sipas një komunikate thuhet se në këtë takim, ministri Maqedonci e njoftoi homologun e tij finlandez rreth zhvillimeve të fundit të sigurisë në regjionin e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë rreth sigurisë në Republikën e Kosovës dhe kërcënimeve me të cilat po ballafaqohet vendi ynë. Gjithashtu, ai e informoi rreth zhvillimit të kapaciteteve të mbrojtjes dhe nevojës për mbështetje nga partnerët në këtë kohë kur demokracia dhe siguria globale po cenohet nga qasja hegjemoniste e akterëve autokratik.

    Nga ana e tij, ministri Hakkanen theksoi se Finlanda do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO, si dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të Ministrisë së Mbrojtjes së Finlandës për të thelluar bashkëpunimin me Republikën e Kosovës, në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

    Gjatë takimit, ata diskutuan edhe për nevojën e vazhdimit të mbështetjes së luftës së drejtë të popullit të Ukrainës si dhe mundësitë për bashkëpunimin në mes të vendeve tona në fushën e industrisë së mbrojtjes. Gjatë vizitës në Ministrinë e Mbrojtjes së Finlandës, ministri Maqedonci zhvilloi takime edhe me Drejtuesit e Drejtorisë së Politikave të Mbrojtjes dhe Burimeve Materiale.

    Po ashtu, ministri Maqedoni dhe delegacioni i tij në MM, vizituan edhe Qendrën e Eksellencës së NATO-s dhe BE-së për kërcënimet hibride (Hybrid CeO), ku me drejtoreshën e kësaj Qendre diskutuan mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë, me qëllim përballimin me kërcënimet hibride.