ATV

Category: Lajme

  • Oda Ekonomike e Kosovës dhe Federata e Odave Ekonomike të Arabisë Saudite nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

    Oda Ekonomike e Kosovës dhe Federata e Odave Ekonomike të Arabisë Saudite nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

    Sot, në një ceremoni të mbajtur para shumë përfaqësuesve të kompanive nga Kosova dhe Mbretëria e Arabisë Saudite, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, si dhe Kryetari i Federatës së Odave Ekonomike të Arabisë Saudite, Hassan Al Hawaizy, firmosën zyrtarisht Marrëveshjen e Bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

    Gjithashtu, gjatë Forumit Ekonomik të organizuar sot, kompanitë nga Kosova dhe Mbretëria e Arabisë Saudite ishin pjesë të takimeve të strukturuara B2B, për të eksploruar më në detaje mundësitë e investimeve dhe partneriteteve biznesore.

    Ky Forum paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite.

    Oda Ekonomike e Kosovës dhe Federata e Odave Ekonomike të Arabisë Saudite shprehin gëzimin e tyre për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe angazhohen për të përforcuar më tej lidhjet ekonomike dhe të promovojnë bashkëpunimin reciprok në të ardhmen.

  • ​Bëhet thirrje që edukimi mediatik të përfshihet në planprogramet shkollore

    ​Bëhet thirrje që edukimi mediatik të përfshihet në planprogramet shkollore

    “Edukimi mediatik duhet të përfshihet në planprogramet mësimore shkollore”. Kështu u tha në përfundim të sesionit trajnues në Ferizaj, ku u diskutua me temën “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për nxënësit nga komunitetet jo-shumicë në Kosovë”.

    Të rinjtë e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian të shkollave të mesme kanë ndarë përvojat e tyre, ku treguan për rastet kur janë atakuar me lajme të rreme.

    Rreth 20 nxënës nga Ferizaj, në grupe të ndara, kanë ilustruar rastet e informimit keqdashës, lajmit të rremë, keqinformimit e propagandës që bëhen nga mediat në Kosovë.

    Profesori Emin Sadiku nga shkolla ekonomike “Faik Konica” thotë se të rinjtë e komuniteteve po atakohen në masë të madhe nga lajmet e rreme.

    “Nxënësit shpesh ka mundësi debatojnë mes vete përmes rrjeteve sociale, nganjëherë mund të vie edhe deri tek ndonjë ngatërresë e vogël, shtyrje apo sharje apo ndonjë mosmarrëveshje…vijnë si pasojë e keqinformatave dhe keqpërdorimeve që mund të bëjnë”, tregon ai.

    Ai flet edhe për rastet se si pas pushimeve, nxënësit kanë paqartësi nëse do të rifillojë mësimi, si shkak i shpërndarjes së dezinformatave.

    “Kur përfundojnë pushimet dimorore, ka raste nganjëherë ku si shkak i keqinformimit thuhet “jo s’po fillojmë këtë të hëne, jo shtyhet mësimi’. Këto raste shkaktojnë ndonjëherë huti tek nxënësit e tek të rinjtë”, shton ai teksa flet për raste të keqinformimit.

    Teksa flet për trajnime mbi edukimin mediatik, ai konsideron se të tillat ndihmojnë të rinjtë që të arrijnë të identifikojnë lajmet e rreme dhe të mos bijnë pre e tyre.

    Ndërkaq, sipas trajneres Linda Baleta, edukimi mediatik duhet të përfshihet në programet mësimore shkollore në mënyrë që të rinjtë të kenë sa më shumë njohuri rreth rrezikut që vijnë nga lajmet e rreme.

    “Ajo çfarë kemi identifikuar gjatë këtyre sesioneve që nga fillimi i këtij projekti, është sa e madhe është nevoja që të rinjtë dhe jo vetëm të rinjtë por edhe grupmoshat e tjera të kenë sa më shumë njohuri rreth rrezikut dhe kërcënimit qe na vjen nga lajmet e paverifikuara, nga lajmet e pavërteta dhe nga dezinformata. Ndoshta është koha që të mendohet seriozisht që edukimi mediatik të përfshihet në planprogramet mësimore shkollore”, shprehet ajo.

    Më tej, ajo thekson se në sesionet trajnuese është identifikuar nevoja e madhe që të rinjtë e komuniteteve të arrijnë të dallojnë lajmin e pavërtetë.

    “Programi ‘edukimi mediatik’ e ka fokusin tek të rinjtë që vijnë kryesisht nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian, duke qenë edhe kërkesa e Ambasadës amerikane. Ne kemi qenë në shumë komuna dhe do të vazhdojmë të shkojmë edhe në komuna të tjera, akoma nuk kanë përfunduar. I mbulon të gjitha komunat e Kosovës, besoj që do të jemi të paktën një herë në secilin qytet për t’u takuar me të rinjtë e këtyre grupmoshave dhe profesorët e tyre të cilët po ashtu bëhen pjesë e trajnimeve”, përfundon Baleta.

    Gjatë së enjtes, të rinjtë e shkollave të mesme në Ferizaj janë trajnuar në lidhje me burimet e informatës, me synimin që të zhvillojnë mendimin kritik sa i përket përmbajtjeve mediatike.

    Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe aktivistët e shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian” mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

  • Parlamenti Evropian: Të hiqet vetoja në procesin e zgjerimit

    Parlamenti Evropian: Të hiqet vetoja në procesin e zgjerimit

    Parlamenti Evropian ka miratuar të enjten një rezolutë për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), përmes së cilës kërkoi që ky proces të bëhet më efikas, përfshirë duke e hequr përdorimin e vetos për vendet anëtare.

    Rezoluta kërkon gjithashtu që BE-ja ta ketë një buxhet më efikas, në mënyrë që të jetë në gjendje ta përballojë zgjerimin me vende të reja anëtare.

    Rezoluta u mbështet nga 305 deputetë, ndërsa 157 deputetë votuan kundër dhe 71 abstenuan.

    Bashkimi Evropian, aktualisht, për secilin vendim në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë, ku hyn edhe procesi i zgjerimit, duhet të gjejë konsensus. Kjo ka bërë që shpesh vendimet të bllokohen nga ndonjë shtet anëtar përmes vetos, edhe kur të gjitha tjerat ishin në favor.

    Kjo është rezoluta e fundit për procesin e zgjerimit që miraton Parlamenti Evropian në këtë përbërje, pasi zgjedhjet e reja në bllok do të mbahen në qershor.

    Ky institucion i BE-së e ka mbështetur fuqishëm procesin e zgjerimit, ndërkaq me këtë rezolutë kërkon që BE-ja të reformohet para se të zgjerohet.

    Parlamenti Evropian mbështet edhe integrimin gradual të vendeve kandidate në tregun unik të BE-së përgjatë procesit të zgjerimit, edhe para se ato të bëhen anëtare formale të bllokut.

    “BE-ja ka nevojë për një vizion afatgjatë politik dhe për reforma institucionale dhe financiare për të siguruar kapacitete për absorbimin e anëtarëve të ri”, thuhet në tekstin e rezolutës të cilën e kanë miratuar deputetët e Parlamentit Evropian të enjten.

    Eurodeputetët kërkojnë që përgatitjet për zgjerim të zhvillohen paralelisht edhe në Bashkimin Evropian edhe në vendet kandidate. Ata kërkojnë po ashtu edhe mbrojtje më të fuqishme të vlerave demokratike të Bashkimit Evropian dhe sundimit të ligjit.

    Sa i përket reformave institucionale të Bashkimit Evropian, rezoluta kërkon që ato reforma ta lehtësojnë procesin e miratimit të vendimeve, të hiqet miratimi i vendimeve me konsensus dhe të ketë mekanizma më fleksibil. Ajo propozon që të përdoret votimi me shumicë të kualifikuar për të përmirësuar baraspeshën mes vendeve më të mëdha anëtare dhe atyre më të vogla.

    Parlamenti Evropian po ashtu kërkon që institucionet e BE-së të fillojnë ta adresojnë ndikimin që pranimi i vendeve të reja anëtare do të ketë në përbërjen e Komisionit Evropian dhe të Parlamentit Evropian.

    Ndonëse kërkojnë që BE-ja të vendosë qëllime konkrete për reformat e vendeve kandidate, ata janë kundër vendosjes së afateve kohore për anëtarësim të ndonjë vendi në BE. /REL

  • Xhaferi për një vizitë të mundshme në Kosovë: Në dasmë kur shkohet, shkohet me ftesë

    Xhaferi për një vizitë të mundshme në Kosovë: Në dasmë kur shkohet, shkohet me ftesë

    Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, tha se nuk ka marrë ftesë ende për ta vizituar Kosovën.

    I pyetur nga gazetarët pse nuk e ka vizituar Kosovën, ai tha se “në dasmë shkohet me ftesë”, derisa shtoi se nuk është çështje ftese, por shkak i agjendave.

    Tutje, sa i përket raporteve ai tha se nuk ka pengesa në komunikim në mes të dy qeverive.

    “Në dasmë kur shkohet, shkohet me ftesë, s’kemi marrë ftesë ende . Nuk është çështje e ftesë, është çështje e agjendave, dihet që ne jemi edhe para zgjedhjeve, kështu që raportet janë raporteve të dy vendeve miqësore, që udhëheqin institucionet përkatëse, nuk ka kurrfarë pengese në komunikim, personale janë çështje tjera, nuk i ngatërrojë unë institucionale me ato personale”, ka deklaruar ai.

  • Vrasja në Bellanicë të Malishevës, dorasi dënohet me 19 vjet burgim

    Vrasja në Bellanicë të Malishevës, dorasi dënohet me 19 vjet burgim

    Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues kundër të pandehurit I.Z., për veprën penale, “Vrasja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Pas shqyrtimit fillestar ku i pandehuri e ka pranuar fajësinë sipas akuzës, gjykata të akuzuarin I.Z. e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burg për dy veprat penale në kohëzgjatje prej 19 vjet, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 20 shtator 2023.

    I pandehuri I.Z., akuzohet se “Me datë 20 shtator 2023, rreth orës 07:15 minuta, në fshatin Bellanicë, Komuna Malishevës, në parkingun e marketit “M…”, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. B. nga fshati Vraniq, Komuna Suharekës, në atë mënyrë që me të arritur në vendin e cekur më lartë, tani i ndjeri me veturën Fiat, ngjyrë e bardhë, i cili ishte duke shkuar në punë, ndërsa i pandehuri ndodhej në lokal së bashku me dëshmitarin B. E., dhe me të vërejtur se kishte arritur në parking tani i ndjeri A.B., i pandehuri ngritët nga tavolina, del jashtë dhe afrohet tek automjeti i të ndjerit, hap derën e automjetit dhe menjëherë me armën e llojit SIG SAUER- P320, shtënë pesë herë në kokë të tani të ndjerit, viktima bie përtokë, i pandehuri vazhdon duke shtënë edhe dy here prapë në drejtim të trupit të tij, përderisa trupi ishte i shtrirë për tokë, e ku nga plagët e mara i ndjeri ndërro jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i pandehuri largohet me veturën e tij nga vendi i ngjarjes dhe lajmërohet në polici.”

    Po ashtu, është konfiskuar një pistoletë e tipit SIG SAUER – P320, 57 fishekë të kalibrit 9×19 mm, një karikator me 7 fishekë të kalibrit 9×19 mm, të cilën armë ditën kritike e kishte përdorur i pandehuri, si objekte të kryerjes së veprës penale.

    Pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, arma e konfiskuar do të shkatërrohet në rast se e njëjta nuk evidentohet se është përdorur në ndonjë rast tjetër të hapur, nga Libri i Rasteve të Hapura.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

  • ​Qytetari nga Kaçaniku i dorëzon në polici paratë e gjetura

    ​Qytetari nga Kaçaniku i dorëzon në polici paratë e gjetura

    Më 28 shkurt 2024 rreth orës 16:30 qytetari E.Dema nga Kaçaniku, i moshës 29-vjeçar, në rrugën “Ismail Raka” në Kaçanik i ka gjetur një shumë të caktuar të parave dhe i ka dorëzuar në stacionin e policisë në Kaçanik.

    Policia kërkon nga pronari i vërtetë i këtyre parave të paraqitet në stacionin e policisë në Kaçanik, çdo ditë nga ora 08:00-16:00 dhe të vërtetohet pronësia, në mënyrë që t’i dorëzohen më pas.

    Me këtë rast policia rajonale e Ferizajt e ka falënderuar qytetarin E. Dema për gjestin human dhe shembullor me rastin e dorëzimit të parave në stacionin e policisë.

  • ​Varhelyi: Shqipëria është gati për t’i hapur negociatat për kapitullin e parë të BE-së

    ​Varhelyi: Shqipëria është gati për t’i hapur negociatat për kapitullin e parë të BE-së

    Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama në përfundim të samitit BE-Ballkani Perëndimor, tha se udhëheqësit e Këshillit Evropian kanë vendosur që të ndihmojnë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor me gjashtë miliardë euro. Sipas tij, përmes këtij fondi shtetet rajonale deri në vitin 2027 do të gëzojnë të njëjtin intensitet me shtetet e Bashkimit Evropian.

    Varhelyi theksoi se këto shtete duhet të fillojnë me rregullat e Bashkimit e Evropian që nga sot sepse deri në kohën e anëtarësimit ato duhet të jenë gati.

    “Evropa është shumë burokratike bëhet fjalë plane instrumente, masa por mendoj që këtë herë ne kemi mundësi që të tregojmë se cilat janë përfitimet e drejta ekonomike të një vendi që kur bëhet shtete anëtar dhe cilat janë edhe të mirat që sjell në shoqëri anëtarësimi në BE. Rajoni juaj mund të bëhet gati për anëtarësim në BE edhe më shpejt, ne nuk është që po negociojmë se si dhe kur pas anëtarësimit do të fillohen rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian, por të fillojnë këto rregulla që sot, në mënyrën që ne kur të arrijmë tek anëtarësimi kjo gjë që të jetë kryer tashmë dhe të mos flasim për këtë gjë sepse do të jetë realitet. Sigurisht që ne e kuptojmë që pjesëmarrja në tregun e përbashkët ka të bëjë me konkurrencën, dhe konkurrenca në tregun e përbashkët të BE-së është e fortë, konkurueshmëria e shteteve anëtare të BE krahasuar të Ballkani Perëndimor është shumë e madhe dhe do të ishte e padrejtë që ne t’u kërkojmë partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të marrin pjesë në tregun e përbashkët, ku ata kanë më pak mundësi për të konkurruar në krahasim me kompanitë tonë, dhe për këtë arsyeje ne po japim fonde shtesë për të ndihmuar të gjitha reformat të cilat janë të nevojshme dhe të domosdoshme të kryhen sepse shumica e këtyre kanë koston e tyre financiare, për biznese, për qeverinë dhe për shoqërinë. Udhëheqësit e Këshillit Evropian kanë vendosur pa asnjë ndryshim të këtij dokumenti që 6 miliardë euro duhet të ndihmojnë rajonin që me anën e kësaj mbështetje financiare, ju do të shikoni që kjo është sasia e fondeve që u jepet shteteve anëtarëve sipas fondeve strukturore dhe deri në vitin 2027 rajoni do të gëzojë të njëjtin nivel intensiteti. Kjo do të thotë që do të jetë shumë e vështirë ose pas vitit 2027 do të ishte e vështirë me vendet e rajonit nuk jemi gati për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian” tha Varhelyi.

    Tutje, Varhelyi shtoi se Shqipëria është gati për të nisur negociata për kapitullin e parë për Bashkimin Evropian dhe për këtë BE-ja do të ketë mundësinë që ta marrë parasysh.

    “Unë nuk mendoj se ka në Bruksel njerëz që nuk bien dakord për këto arritjet e Shqipërisë. Gjithashtu ne jemi të dakorduar në Bruksel për faktin që Shqipëria është gati për të hapur negociata për grup kapitullin e parë dhe Bashkimi Evropian do të duhet që të ketë mundësinë që të marrë këtë vendim. Ne po përpiqemi të ndihmojmë dhe shpresoj që në muajin në vijim do të kemi atë takimin ose konferencën tjetër në mënyrë të kalojmë te negociata e vërteta. Ne dëshirojmë të hapim negociatat për grup kapitullin e parë”, shtoi Varhelyi.

  • ​Hoti: Nuk ka asnjë arsyetim pse Kosova nuk është e pranishme në Samitin e Ballkanit Perëndimor

    ​Hoti: Nuk ka asnjë arsyetim pse Kosova nuk është e pranishme në Samitin e Ballkanit Perëndimor

    Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se nuk ka asnjë arsyetim pse Kosova nuk është e pranishme në Tiranë në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

    Në një postim në Facebook, ai ka thënë se nuk ka agjendë më të rëndësishme për Qeverinë e Kosovës se samiti në Tiranë, përveç ndonjë emergjence kombëtare.

    “Jam i sigurt se ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim. Samiti në Tiranë është vendi për të prezantuar nevojat dhe projektet, si dhe për të bërë konsultimet e nevojshme me partnerë. Aty është vendi për të insistuar dhe avokuar për zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara këtij samiti.

    “Sipas komisionarit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, plani i BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor është konceptuar në Tiranë. Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara këtij samiti”, ka përfunduar Hoti.

    Në Samitin rajonal mbi Planin e Rritjes në Tiranë nuk do të merr pjesë fizikisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Kurti do të jetë pjesë e Samitit virtualisht përmes një video-adresimi. Kështu ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

    Ai ka treguar arsyet përse Kurti nuk do të jetë pjesë e këtij samiti fizikisht.

    “Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do të jetë i pranishëm fizikisht në Samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e Samitit virtualisht përmes një video-adresimi”, thuhet në përgjigjen me shkrim për KosovaPress.

    Të enjten në Tiranë mbahet Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    Ky samit mbahet një ditë pas atij Ukrainë-Evropa Juglindore në kryeqytetin shqiptar dhe do të ofrojë mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.

    Në samit do të jetë i pranishëm edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

  • ​Komuna e Deçanit ndan 20 mijë euro për shpërndarje të serrave bujqësore për fermerët

    ​Komuna e Deçanit ndan 20 mijë euro për shpërndarje të serrave bujqësore për fermerët

    Në mbledhjen e II-të të kuvendit komunal të Deçanit për këtë vit, është diskutuar çështja e pagesës së shujtave ditore, të cilat sipas ligjit paguhen nga buxheti komunal.

    Kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj tha se ky vendim duhet të shfuqizohet për shkak se është vendim që po dëmton buxhetin komunal të Deçanit.

    Ramosaj tha se për shkak të pagesave të shujtave ditore, Deçani ka 1 milionë e 600 mijë euro borxh që duhet të paguajë.

    “Shujtat ditore dy vitet e fundit kanë mundur të mos paguhen, këtë e dimë edhe sindikata edhe punëtorët dhe po përsëritet prapë, disa vendime në këtë shtet janë marrë në etapa politike, sidomos në fushata zgjedhore, që nuk është ditur si implementohen. Kur flasim për kontrata kolektive përgjegjësia nuk ka qenë e asnjë komune. Nëse e marrim këtë vendim si komunë që me e nda një kod buxhetor kur paguajmë edhe pagat edhe mëditjen nuk është e mundur, sepse një gjë të tillë nuk e lejon ligji. 44:45 Obligim për shujta me e paguar organizata buxhetore komunale që jemi penalizuar. Në këtë na kanë mirëkuptuar por zgjidhje nuk mund të bëjmë. Unë kam mundur me mbrojt këtë temë me gjykatë dhe mos me marrë pagesë askush, por kam pas mirëkuptim për shkak të pagave të ulëta, dhe prej kryetarit të sindikatës që në mbledhjen me u shfuqizuar ky vendim.46:02 Komuna e Deçani ka 1 milion e 600 mijë euro për të cilat duhet të paguajë për shkak të këtij defekti që ka ndodhur”, tha Ramosaj.

    Ndërkaq, në mbledhjen mbajtur sot, komuna e Deçanit ka marrë vendim që të ndajë 20 mijë euro për bashkëfinancim me organizata jo qeveritare në sektorin e bujqësisë.

    Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Rifat Stokaj tha se do të nis një projekt për shpërndarjen e 50 serrave bujqësore për 50 fermerët e Deçanit.

    Ai tha se në këtë projekt do të bashkë financojnë komuna, qytetarët dhe organizatat joqeveritare.

    Stokaj tha se nëse ky projekt ka rezultate të mirë të prodhimtarisë, do të nisin edhe projekte të tjera.

    “Neve kemi qenë në negociata me tre organizata jo qeveritare për ngritjen e këtyre serave që janë për të mirën e fermerëve tonë. Projekti total do të jetë diku rreth 60 mijë euro, 20 mijë euro participimi i Deçanit, 10 mijë euro nga qytetarët dhe 30 mijë euro nga shoqata. Neve na është kërkuar se cili do të jetë kapaciteti i Deçanit, sa fermerë janë në ato projeksione dhe gjithë materiali është aty, tjetër diçka nuk ka ende pa u nënshkruar marrëveshja. Për ndihmesën e 50 fermerëve me serra, të cilat do të jenë të kapacitetit një ari 10 me 10 apo 5 me 20 varësisht se në çfarë forme i kërkojnë fermerët, ata do të përfitojnë nga ndërtimi i tyre, pjesa metalike, pjesa e mbulesës, pra fermerët do të janë të gatshëm të fillojnë punën në ato serra. Do të bëhen mbi 50 vizita te fermerët dhe ato të kthehen në letër por se a do të ketë projekt të dytë do të shohim se a ka rritje të prodhimtarisë pastaj vazhdojmë me projekte tjera”, tha Stokaj.

  • BE: Raporti i ODHIR-it konfirmon shqetësimet për parregullsi në zgjedhjet në Serbi

    BE: Raporti i ODHIR-it konfirmon shqetësimet për parregullsi në zgjedhjet në Serbi

    Bashkimi Evropian vlerëson se raporti përfundimtar i zyrës për demokraci, institucione dhe të drejta të njeriut së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për zgjedhjet në Serbi “konfirmon shqetësimet e BE-së” dhe kërkon që Serbia të adresojë raportet për parregullsi në zgjedhje në mënyrë transparente.

    Kështu tha përmes një postimi të bërë në emër të BE-së, zëdhënësi i këtij institucioni, Peter Stano.
    Ky ishte reagimi i parë i BE-së pas publikimit të raportit të ODHIR-it.

    ODHIR-i ka monitoruar zgjedhjet e mbajtura në Serbi vitin e kaluar, ndërsa vëzhgues në ato zgjedhje ka pasur edhe nga Parlamenti Evropian.

    Edhe deputetët e Parlamentit Evropian kishin raportuar një varg parregullsish në zgjedhjet parlamentare, lokale dhe kranimore dhe përmes një rezolute urgjente kishin kërkuar hetim ndërkombëtar për parregullsitë.

    “Raporti final i ODHIR-it për zgjedhjet në Serbi konfirmon shqetësimet e BE-së: procesi zgjedhor ka nevojë për përmirësime të dukshme dhe reformat ë mëtejme. Raportet për parregullsi duhet të hetohen në mënyrë transparente, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale”, tha Stano.

    “BE-ja mirëpret shprehjen e gatishmërisë së autoriteteve në Serbi për të punuar në zbatimin e rekomandimeve. Nuk ka kohë për të humbur në prag të zgjedhjeve të ardhshme në vend”, shtoi ai.

    Në raportin e ODIHR–it, të publikuar më 28 shkurt, u tha se në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë “ka dominuar pjesëmarrja vendimtare e presidentit [të Serbisë, Aleksandar Vuçiq], që së bashku me përparësitë sistematike të partisë së pushtet [Partisë Progresive Serbe], ka krijuar kushte jo të barabarta për pjesëmarrësit në procesin zgjedhor”.

    Aty po ashtu u tha se në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, mes tjerash, liritë themelore në përgjithësi janë respektuar, por në fushatën zgjedhore ka pasur një retorikë të ashpër, anshmëri në raportimet e mediave në shtetërore dhe keqpërdorim të resurseve publike. Raporti konstaton po ashtu se nuk janë përdorur në mënyrë të mjaftueshme mekanizmat për parandalimin e frikësimit dhe presionit ndaj votuesve./rel