ATV

Category: Lajme

  • Hovenier: S’po e mbrojmë dinarin, ne jemi të shqetësuar për ndikimin e Rregullores së BQK tek minoritetet

    Hovenier: S’po e mbrojmë dinarin, ne jemi të shqetësuar për ndikimin e Rregullores së BQK tek minoritetet

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, në një bashkëbisedim me gazetarë, ka folur për çështjen e dinarit dhe qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me Rregulloren e re të BQK-së.

    Hovenier ka sqaruar pozicionin e SHBA-së, duke thënë se nuk janë duke e sfiduar përgjegjësinë apo autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe as s’janë duke e mbrojtur dinarin, por se qëndrimi amerikan për këtë çështje lidhet vetëm me shqetësimin e Washingtonit zyrtar për ndikimin që Rregullorja e BQK-së ka tek minoritetet, në mënyrë të veçantë tek serbët lokalë dhe për mënyrën se si ajo rregullore është implementuar.

    “Më lejo të sqaroj atë që mendoj që është keqkuptuar apo atë se për çfarë komuniteti ndërkombëtar shqetësohet. Siç kam thënë unë disa herë dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë thënë, ne nuk jemi duke sfiduar përgjegjësinë apo autoritetin e BQK, ne s’po provojmë të mbrojmë dinarin, SHBA-ja s’merr qëndrim se cila monedhë qarkullon në Kosovë, është për autoritetet e Kosovës të vendosin”, ka thënë Ambasadori Amerikan.

    Diplomati amerikan ka sqaruar se pse SHBA-ja mendon që çështja e dinarit duhet te diskutohet në kuadër të dialogut, duke përmendur këtu edhe Planin e Ahtisarit dhe zotimet e bëra nga Kosova, zotimet të cilat Hovenier thotë se kanë qenë edhe arsye pse SHBA ka përkrahur pavarësinë e Kosovës, e që lidhen me kujdesin e veçantë të Kosovës për minoritetet.

    “Ajo çfarë ne shqetësohemi është krejtësisht ndryshe, që e kemi thënë disa herë dhe që kërkon diskutim në dialog, dhe është çështja se si Rregullimi I BQK-së ka hyrë në fuqi dhe ndikimi i një Rregulloreje të tillë tek minoritetet dhe minoritetet e prekshme në Kosovë, përfshirë serbët etnik në Kosovë. Pse kemi thënë që është çështje e dialogut është shumë e qartë, sepse është.

    Nën Planin e Ahtisarit, nën kushtet nën të cilat Kosova ka marrë përkrahjen tonë për pavarësi, janë bërë zotime për lidhur me mbrojtjen speciale dhe rregullimet specifike për minoritetet në Kosovë, një nga to ka qenë që Serbia do të jetë në gjendje që të ushtrojë të drejtën për të dhënë përkrahje sociale për individët dhe për shërbime sociale, si arsimi dhe shëndetësi. Mënyra se si e bën këtë Serbia është çështje bilaterale e rëndësishme. Shqetësimi ynë ka qenë me mënyrën se si Qeveria e ka miratuar këtë Rregullim. Ka qenë në mënyrë të ngutshme”, ka thënë Hovenier.

  • “Marshojmë S’festojmë”, kundër deputetëve që po kundërshtojnë Projektligjin për shëndet riprodhues

    “Marshojmë S’festojmë”, kundër deputetëve që po kundërshtojnë Projektligjin për shëndet riprodhues

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Përveç deputetëve e zyrtarëve të tjerë, në oborr të Kuvendit erdhi edhe një grup protestuesish.

    Kolektivi “Marshojmë, S’festojmë” të enjten ka organizuar një aksion simbolik lidhur me reagimet e deputetëve kundër Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

    Protestueset, po ashtu, vendosën pankarta me mbishkrime për deputetët që kanë votuar kundër këtij projektligji.

    Ato patën edhe disa kërkesa.

    Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, ka nxitur debat nga koha kur u prezantua dhe ka dështuar të miratohet në lexim të dytë.

  • Freedom House, Kosova vend “pjesërisht i lirë”

    Freedom House, Kosova vend “pjesërisht i lirë”

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Me 60 pikë nga 100 njësoj si vitin e kaluar, është vlerësuar Kosova nga organizata “Freedom House”.

    Kosova, sipas Freedom House, vlerësohet si vend “pjesërisht i lirë”, pavarësisht përparimit në disa fusha për avancimin e të drejtave të njeriut dhe lirive të qytetarëve.

    Ekspertja e organizatës “Freedom House” për Ballkanin, Alexandra Karppi, tha për Zërin e Amerikës se situata në Kosovë nuk mund të shkëputet nga dinamika e zhvillimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Vitet e fundit Kosova ka shënuar përparim, çka pasqyrohet te rezultatet, sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive qytetare, proceseve më të dobishme politike, që u kanë mundësuar qytetarëve pjesëmarrje më të lirë, dhe shoqërisë civile veprimtari më aktive. Këto gjëra gjithsesi kanë shënuar përparim në vitet e fundit”, deklaroi Karppi.

    Raporti, sipas të cilit, vlerësohet përparimi i 195 shteteve dhe 15 territoreve gjatë vitit 2023, bazuar në vlerësimet në fushën e të drejtave politike dhe lirive qytetare, e cilësoi gjendjen e përgjithshme globale të të drejtave politike dhe lirive të njeriut si “situatë të përshkallëzuar gjerësisht”.

    Në krye të listës së organizatës renditet Finlanda me 100 pikë, pasuar nga Zelanda e Re dhe Suedia me 99 pikë.

  • Kanalizimi nxjerr jashtë funksionit hyrjen nëntokësore të Pallatit të Drejtësisë

    Kanalizimi nxjerr jashtë funksionit hyrjen nëntokësore të Pallatit të Drejtësisë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Mënyra e vetme për ta çuar në gjykatore këtë të pandehur, është dera kryesore nga e cila kalojnë edhe punëtorët e gjykatës themelore dhe palët e tjera.

    Hyrja nëntokësore që është e planifikuar për “futjen” e të pandehurve, sërish ka dalë jashtë funksionit, siç kupton ATV-ja për shkak të kanalizimit.

    Derisa, Gjykata Themelore nuk ka konfirmuar se kur pritet të kthehet sërish në funksion, njohës të çështjeve të drejtësisë përmendin pasojat nëse të dyshuarit ekspozohen.

    “Nuk do të thotë se të gjithë janë fajtorë… ata mund të lirohen nga akuza. Kur shpërfaqet imazhi i tij i prangosur, ndikon negativisht meqë mbetet te njerëzit”, tha avokati Arbër Jashari.

    Në fakt, prej kur u ndërtua gjithë objekti hyrja nëntokësore nuk ishte funksionale kohë pas kohe. Të fundit herë u hap në mesin e vitit 2023.

    Ndërtesa ku ndahet drejtësia kishte edhe të tjera probleme ndër vite, kryesisht me mungesën e ajrosjes. Punëtorët madje kishin protestuar disa herë, duke lënë punën në gjysmë.

  • Ligji i ri i prokurimit, shoqëria civile, KRPP-ja dhe OSHP-ja me kritika

    Ligji i ri i prokurimit, shoqëria civile, KRPP-ja dhe OSHP-ja me kritika

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Nga viti 2018, Kosova synoi hartimin e Ligjit të ri të Prokurimit Publik. Por, vetëm pas 6 vjetëve, prej kur ka nisur puna, një Draft i Projektligjit pritet të miratohet nga Qeveria muajt në vazhdim.

    Megjithatë, Shoqëria Civile ka kritika. Abulena Nrecaj, nga INPO, tha se Drafti i Projektligjit nuk ishte ai në të cilin ka punuar grupi punues.

    Teksa u theksua nevoja për ligjin e ri, u përmendën edhe disa problematika.

    Andaj, për legjislacionin u tha se duhet të merren praktikat më të mira të vendeve të rajonit.

    Ndërkaq, për një ish-ministre të Financave duhet të rritet transparenca sa i përket shpenzimit të parasë publike dhe ligji i ri duhet të jetë në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian.

    Në tryezën me titull “Çka po ndodh me Projektligjin për Prokurimin Publik?”, të organizuar nga INPO-ja në partneritet me Institutin e Kosovës për Drejtësi dhe Lëvizjen FOL, ishte i ftuar edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, por ai nuk ishte i pranishëm.

  • Në veri nis shpërndarja e faturave të rrymës

    Në veri nis shpërndarja e faturave të rrymës

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Në ditën e fundit të muajit, kompania Elektrosever ka nisur shpërndarjen e faturave të energjisë në 4 Komunat Veriore.

    Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut do të paguajnë nga 21.60 euro në formë paushalli, të llogaritur për shpenzim të energjisë, shkruan Evropa e Lirë.

    Fatura mban logon e kompanisë Elektrosever, që është në pronësi të kompanisë publike energjetike të Serbisë, Elektroprivreda Srbije.
    Fatura është printuar në të dyja gjuhët. Siç njoftoi Elektroseveri, përveç faturës përdoruesit do të pajisen me një kopje të kontratës për inspektim.

    “Me pagesën e një shume prej 21.60 eurosh, Marrëveshja e Furnizimit me kompaninë ‘Elektrosever’ do të konsiderohet e lidhur. Zyrtarët e Elektroseverit do t’ua sjellin qytetarëve për nënshkrim Marrëveshjet për furnizimin me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e Elektrosever-it.

    Pagesa në formë paushalli do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, deri në vendosjen e njehsorëve të rinj.

    Megjithatë, edhe vendosja e njehsorëve të financuar nga Bashkimi Evropian mund të marrë kohë disa muaj, meqë procesi është në fazën e tenderimit.
    Nga 1 Janari, përgjegjësia e plotë për energjinë elektrike në veri, i takon Elektroseverit.

    Në janar, Rregullatori i Energjisë i hoqi KOSTT-it përgjegjësinë për mbulimin e humbjeve në katër komunat në veri.

    Që nga përfundimi i luftës, dëmi buxhetor si pasojë e mos-pagesës së energjisë në këtë pjesë të vendit, llogaritet të jetë rreth 350 milionë euro.

  • Ngrihet kallëzim penal ndaj biznesmenit, nxirrte zhavorr në tokën e tij

    Ngrihet kallëzim penal ndaj biznesmenit, nxirrte zhavorr në tokën e tij

    Përgatiti: Armand Hoti

    Rërën dhe zhavorrin po e nxirrte nga prona e tij në Viti. Pikërisht aty po e bënte edhe përpunimin e resurseve.

    Por, puna nuk i zgjati, meqë inspektorët e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, evidentuan se në tokën e pronarit të kompanisë “Godeni Sh.p.k”, po eksploatohej e seperohej pa leje.

    Referuar dosjeve që ATV-ja i ka siguruar, ndaj personit në fjalë janë shqiptuar dy gjoba me vlerë prej mbi 70 mijë eurosh.

    Prokuroria Themelore në Gjilan ka udhëzuar hetuesit e Stacionit Policor të Vitisë, të ushtrojnë kallëzim penal ndaj biznesmenit.

    “Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se për këtë çështje, prokurori i rastit pas analizimit të provave ka udhëzuar Stacionin Policor në Viti, që ndaj pronarit të kësaj kompanie të ushtrojë kallëzim penal, i cili është dorëzuar në Prokurori”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gilan.

    Policia respektoi udhëzimin e prokurorisë, duke iniciuar rastin si “Ndotje, degradim ose shkatërrim i ambientit”, katër muaj pasi KPMM-ja kishte dorëzuar gjetjet në polici.

    “Stacioni Policor Viti, me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan për çështjen e potencuar nga ana e juaj, ka iniciuar rastin “Ndotje, degradim ose shkatërrim i ambientit” duke ngritur kallëzim penal ndaj një personi mashkull kosovar, kallëzim penal i cili është proceduar në Prokurorinë Themelore në Gjilan”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale në Gjilan.

    Ndërkaq, inspektorët komunalë po sigurohen që aktiviteti minerar ilegal të mos vazhdojë.

    “Inspektori Komunal, Afrim Sylejmani, me datë 13.11.2023 e ka vizituar vendin e ngjarjes dhe gjatë inspektimit “Godeni SH.P.K” nuk ka qenë duke operuar dhe kemi bërë procesverbal. Do të jemi në vëzhgim të operatorit”tuhhet në njoftimin nga Inspeksioni Komunal – Viti.

    Ndërkaq, biznesmeni i gjobitur tha për ATV-në se zhavorri i përpunuar nuk do të përdorej për qëllime tregtie, por private, meqë ai synonte të ndërtonte një bodrum. Megjithatë, ATV-ja kupton se ai nuk posedon leje ndërtimi.

  • Opozita me kritika për gjendjen në shëndetësi, Vitia ua hedh përgjegjësinë qeverive të kaluara

    Opozita me kritika për gjendjen në shëndetësi, Vitia ua hedh përgjegjësinë qeverive të kaluara

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Si rrallë në rend dite, deputetët kishin vetëm një pikë, atë të shqyrtimit të propozim-rezolutës për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore.

    Por, si rëndom rezoluta e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e mori mbështetjen e pushtetit.

    “Ekspertë të cilët pastaj është parë që nuk dinë as për vete dhe janë paguar për t’i trajnuar ekspertët, për të shkuar për t’i trajnuar stafin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Fatkeqësisht kjo ka ndodhë që unë pajtohem komplet me konkluzat e juaja, staf i patrajnuar, por kur i kanë bërë qeveritë e papërgjegjshme këto, nuk kam fjalë”, tha Vitia.

    Për situatën në shëndetësi mospajtime gjatë debatit, ministri Arben Vitia pati me shumë deputetë të tjerë opozitarë.

    Replika Vitia pati edhe me paraardhësin e tij. Ata i përmendën keqmenaxhimet e dështimet e njëri-tjetrit.

    Ligji për sigurime shëndetësore ishte miratuar në Kuvend para një dekade, por nuk është zbatuar asnjëherë.

  • Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi për ofrimin e zbritjes në produkte për zjarrfikësit dhe zyrtarët policorë

    Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi për ofrimin e zbritjes në produkte për zjarrfikësit dhe zyrtarët policorë

    Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha dhe drejtorit të departamentit të gatishmërisë në kuadër të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Mustafë Gashi, ka pritur sot në takim kryetarin e Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, i shoqëruar nga anëtarët e bordit të AKB-së, Shkëlzen Jusaj, Xhevdet Rexhepi dhe Lumnije Ajdini.

    Ky takim sot i parapriu nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Aleancës Kosovare të Bizneseve, përmes së cilit do të ofrohen zbritje në produkte dhe shërbime në bizneset anëtare të AKB-së për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe Zjarrfikësit e Kosovës.

    Ky memorandum bashkëpunimi do të ofrojë zbritje për zyrtarët policor dhe zjarrfikësit në produkte dhe shërbime nga 5-50% në sektorin e ushqimit, veshmbathjeve, derivateve të naftës, shërbime mjekësore, shërbime juridike, transport me taksi, hoteleri dhe gastronomi, si dhe qiramarrje të mjeteve. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe Zjarrfikësit do të njoftohen për fazat e implementimit të kësaj marrëveshje përmes personave të caktuar brenda institucioneve të tyre.

    Ministria e Punëve të Brendshme do të vijojë angazhimin me qëllim të mbështetjes së zyrtarëve dhe agjencive të saj.

  • Kurti takon Sekretarin e Shtetit për Irlandën Veriore, Chris Heaton-Harris

    Kurti takon Sekretarin e Shtetit për Irlandën Veriore, Chris Heaton-Harris

    Dita e dytë në Belfast nisi me një takim të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Sekretarin e Shtetit për Irlandën Veriore, Chris Heaton-Harris, në kështjellën historike “Hillsborough Castle”.

    Në bisedën mes tyre, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën prej dekadash. Ai foli mbi sfidat dhe mundësitë që i ka Kosova si një shtet multigjuhësor e gjithëpërfshirës. Kryeministri theksoi angazhimin e përkushtimin e Qeverisë sonë për integrimin e komuniteteve joshumicë, sidomos në institucionet shtetërore.

    Në lidhje me ballafaqimin me të kaluarën, Sekretari Heaton-Harris tha se është e rëndësishme që e kaluara të kujtohet, por edhe të ndërtohet mbi të, për një të tashme e të ardhme më të mirë, veçanërisht për të rinjtë dhe gjeneratat e reja të cilat duan prosperitet, pavarësisht se nga cili komunitet vjen.

    Kurti përmendi trysninë dhe kërcënimet me të cilat ballafaqohet komuniteti serb në Kosovë, dhe veçanërisht zyrtarët policorë të këtij komuniteti, nga Beogradi zyrtar. Kryeministri evidentoi se qytetarët serbë të Kosovës duan të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur si të gjithë qytetarët e tjerë të shtetit. Ata bashkëpunojnë me policinë në veri të Kosovës për të luftuar kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive kriminale që ndikojnë negativisht në jetën e tyre të përditshme.

    Në dritën e këtij diskutimi, por edhe më gjerë, rreth sfidave me të cilat përballet vazhdimisht shteti, kryeministri Kurti shfaqi interesin për të dëgjuar më shumë për përvojat e Irlandës Veriore në bashkimin e komuniteteve. Palët theksuan gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin edhe në fusha si ekonomia, kultura dhe teknologjia.